Fjala në Kuvend e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri:
Mirëdita të nderuar deputetë,
Në fakt diskutimi i sotëm është diskutim me rëndësi. Temë që është prekur edhe para zgjedhjeve, që atëherë fatkeqësisht opozita e shikonte si mekanizëm ndikimi elektoral, sot ka filluar ti kthehet kundër, megjithëse për mua dhe për shumë njerëz që i njohin problemet e këtij vendi dhe ato çka tha Kryeministri janë më se të vërteta. Shqipëria ndodhet para sfidave të mëdha.
Ky vendim i qeverisë shqiptare, që sot Parlamenti do ta kthejë në ligj, është një nga masat e duhura për t’ju përgjigjur një kërkese të kohës. Këtu s’duhet të kishim fare debat politik. Këtu mbase duhet të merreshim me kategoritë, këtu mund të kërkonim më shumë transparencë për sa i përket mënyrës se si do të financohet. Kjo me të drejtë të gjithë mund ti shqetësojë se sa është në gjendje qeveria ta përballojë këtë rritje, që është një masë jashtëzakonisht e rëndësishme me kosto financiare për buxhetin e shtetit, e mirëmenduar, sepse ministrja e Financave e shpjegoi shumë qartë.
Mos harrojmë që është masa e duhur, madje e vonuar. Sfidat janë shumë të mëdha. Problemi më i madh që ka ky vend nuk është çështja e investimit dhe shtimit të aseteve, qoftë edhe ato publike, pasja e njerëzve për t’i mirëmbajtur ato shërbime publike. Ne nuk kemi nevojë thjesht për spitale më të mira për të bërë investime në pajisje, ne kemi nevojë për mjekë, ne kemi nevojë për mësues më të mirë jo vetëm për shkolla më të mira si objekte, ne kemi nevojë për administratorë publik më të mirë.
Faktikisht kjo rritje page ndikon direkt në mirëmenaxhimin e çdo gjëje që është publike dhe që efektin patjetër do ta ketë edhe në privat. Është masa e duhur, është në kohën e duhur dhe madje impaktin do ta ketë shumë pozitiv.
Ne kemi nevojë që të rinjtë dhe të rejat tanë ta ndërtojnë të ardhmen në këtë vend.
Është kollaj të bësh demagogji politike, siç edhe ju shpesh mund ta bënit në fushatë, kur u thoshit njerëzve: shqiptarët po ikin, se po ikin nga qeveria.
Në fakt në globalizimin e sotëm dhe në ato çka tha me të drejtë Kryeministri, sfidat që kanë shumë vende europiane janë të tilla, që diktojnë thithjen e krahut të punës nga kudo. Ky është një problem real.
Vendet do të kenë probleme serioze për të mbajtur skemat e pensioneve. Shikoni çfarë ka ndodhur në Francë, shikoni çfarë ka ndodhur në vendet e tjera të Europës. Atëherë si mund të vijmë ne këtu që të bëjmë politikë për një gjë që s’duhej të ishte politike, përkundrazi duhet të mbështetej nga të gjitha palët.
Natyrshëm që ka një impakt ekonomik, do të ndikojë direkt dhe te sektori privat, disa industri duhet të përditësohen, patjetër do të përditësohen. Një pjesë të riskut financiar e ka marrë shteti, sidomos për skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Prandaj u rrit dhe paga minimale.
Kjo është një masë jashtëzakonisht e rëndësishme. Jo vetëm ndikon në ekonominë e vendit po nga ana tjetër një pjesë të riskut shteti e merr përsipër.
Nga ana tjetër kjo është një masë e mirë sociale. Unë e kam thënë dhe herë tjetër, unë jam krenar që qeveria socialiste adreson një çështje që është e mirëfilltë sociale. Administrata publike është e të gjithëve, është shumë e rëndësishme.
Patjetër, ashtu siç kërkojmë rritjen e rrogës dhe mirëpagimin e tyre, duhet ti kërkojmë dhe më shumë llogari. Kjo duhet të shkojë krah për krah.
Pagat e administratës publike kanë qenë jo në nivelin e duhur.
Shpesh herë, fatkeqësisht ne në shumë sektorë nuk kemi njerëz.
Unë këtë e kam konstatuar dhe vetë kur kam qenë ish-drejtues institucioni, ish-ministër, nuk gjen specialistë. Kjo është sfidë për të gjithë, nuk është thjesht çështje politike. Kjo është një sfidë reale e këtij vendi. Se mund të investosh sa të duash në asete, mund të bësh rrjete të reja energjetike, mund të bësh spitale të reja, mund të bësh rrugë të reja, mund të bësh gjithçka, por nga ana tjetër kush do ti mirëmbajë këto? Faktori njeri është faktori më i rëndësishëm në çdo fushë të jetës. Prandaj kjo masë shkon direkt tek njerëzit, tek faktori njeri. Prandaj të mbajmë profesionistët në këtë vend, të ndërtojnë të ardhmen për këtë vend.
Ngrihet pyetja çfarë efekti do të ketë tek sektori privat? Patjetër shteti do të marrë përsipër të kompensojë aq sa mundet sektorin privat. E dyta, më gjeni sot ju mua një kompani që paguan nën 40 mijë lekë? S’ka më.
Sot ka një konkurencë në tregun e punës, ky është realitet. Pra, mos e kini merakun e sektorit privat se sektori privat automatikisht do të ndjekë këtë trend. Pasja e njerëzve këtu, pasja e familjeve këtu, patjetër ka shanse për të pasur më shumë njerëz dhe në sektorin privat.
Prandaj them që masa do të ndikojë direkt edhe në sektorin privat për të mbajtur specialistë dhe njerëz aq të nevojshëm për ekonominë tonë. Kjo është e vërteta, shikoni kompanitë e ndërtimit.
Ka shumë asete sot prodhuese, po flas për zonën e Elbasanit, asete të mirëfillta prodhuese, fabrika që eksportojnë pajisje, madje pajisje industriale. Janë me mirë punonjës aty. Kanë një problem, gjetjen e specialistëve. Atëherë aspak nuk duhet ta shikojmë me frikë këtë. Përkundrazi duhet ta shikojmë me shumë pozitivitet.
Natyrshëm këtu është ngritur dhe problemi i pensioneve. Si do të ngrihen pensionet po nuk u furnizua me para’ skema e pensioneve? Nëse paga mesatare në Shqipëri do të shkojë 900 euro në të gjithë sektorët a do të rritet dhe kontributi për skemën e pensioneve nëpërmjet skemës së sigurimeve shoqërore? Atëherë a do të kenë mundësi që pensionistët të shikohen me sy tjetër? Po natyrshëm! Sepse shtimi i financimit të skemës së pensioneve do të garantojë mbi të gjitha këto pensione që kemi dhe do të hapë hapësirën për rritjen e pensioneve.
Kështu që për ata pensionistë që na dëgjojnë, ju them, të nderuar pensionistë, jam i bindur që rritja mesatare e pagës do të ketë efekt pozitiv edhe për ju. Kjo është e garantuar. Dhe faktikisht për pensionistët kjo qeveri në vitin e fundit ka treguar bujari. Nuk po them se ka plotësuar çdo nevojë, se do të ishim naivë ta thoshim, ama vetëm 6 muajt e fundit janë dhënë 160 mijë lekë të vjetra shpërblime për pensionistët. Shteti ka treguar që është një shtet me qasje sociale dhe e ka bërë me masa konkrete. Realisht, forcimi i kësaj skeme me rritjen e pagave do të çojë patjetër dhe në rritjen e pensioneve dhe për këtë unë besoj se ka ardhur momenti. Jam krenar dhe këtu për Partinë Socialiste dhe qeverinë e Partisë Socialiste, e cila do të bëjë të mundur dhe një kërkesë që kanë mbarë qytetarët dhe patjetër pensionistët.
Nga ana tjetër, unë nuk dua të hyj në këtë temë sesa duhet ta ketë deputeti pagën, por si ka mundësi të bëhet politikë sot nga ata njerëz. Pa pikë turpi voton tjetri në komision para dy ditësh për rritjen e pagës për deputetët, pastaj thotë jam kundër këtu.
Vetë ishit në konsensus, të gjithë palët e pranuan dhe nuk ka nevojë të bëhen shfaqje të shëmtuara nga kjo foltore nga ata njerëz që me të dyja duart thanë shyqyr që po rriten.
Kështu që ti lëmë këto populizma se s’kanë vlerë po ta miratojmë dhe ti themi suksese kësaj qeverie, për një politikë aq të nevojshme për të përballuar një nga sfidat më të mëdha që ka jo vetëm Shqipëria, po gjithë Rajoni në këto momente.
Faleminderit shumë!