The Socialist Party of Albania

“Krenarë për Shqipërinë” rinisi udhëtimin nga New Yorku me shqiptarët e Amerikës, të cilët mikpritën Kryeministrin Rama në një takim, në vendin ku ata jetojnë e punojnë prej dekadash tashmë. Njëkohësisht, ky është takimi i parë pas vendosjes të së drejtës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, për të votuar nga aty ku banon.

“Jam këtu sot, përpara jush dhe të gjithë shqiptarëve të Amerikës, për t’ju thënë se në pranverën e ardhshme, dua votën tuaj nga Amerika, për ta bërë Shqipërinë 2030, anëtare të Bashkimit Europian dhe për ta ngritur, bashkë me ju, flamurin e Skënderbeut dhe Ismailit Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian në Bruksel, krah për krah të gjithë flamujve të tjerë të familjes së madhe europiane, të cilës i kemi përkitur gjithmonë historikisht, por historia gjithmonë na ka penguar t’i bashkohemi. Dhe sot është dita për ta bërë së bashku historinë.” – iu drejtua Kryeministri Rama shqiptarëve.

* * *

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër, Edi Rama në New York në takimin me shqiptarët e Amerikës:

Të dashur shqiptarë të Amerikës,

Motra dhe vëllezër,

Kjo është një ditë shumë e posaçme për mua, që të ndodhem këtu me ju, jo thjesht si bashkatdhetarë matanë oqeanit, as thjesht si qytetarë me të drejtë vote në Shqipëri, po tanimë edhe si votues, me mundësinë për herë të parë të pjesëmarrjes në zgjedhje nga këtu në Amerikë.

Më është dashur të përpiqem gjatë për hir të së vërtetës së bashku me kolegët e partisë time dhe të ndihem i sekëlldisur më shumë se sa një herë në këto vite, kur kanë ardhur zgjedhjet, por jo mundësia juaj për të zgjedhur nga këtu në Shqipëri.

Tanimë edhe ky është një premtim i mbajtur dhe jam këtu sot, bashkë me disa kolegë të mitë, përpara jush dhe të gjithë shqiptarëve të Amerikës, për t’ju thënë se në pranverën e ardhshme, dua votën tuaj nga Amerika, për ta bërë Shqipërinë 2030, anëtare të Bashkimit Europian dhe për ta ngritur, bashkë me ju, flamurin e Skënderbeut dhe Ismailit Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian në Bruksel, krah për krah të gjithë flamujve të tjerë të familjes së madhe europiane të cilës i kemi përkitur gjithmonë historikisht por historia gjithmonë na ka penguar t’i bashkohemi. Dhe sot është dita për ta bërë së bashku historinë.

Ky është premtimi i premtimeve, thelbi i misionit tim në krye të qeverisë shqiptare, krye angazhimi i Partisë Socialiste që në krye të herës, dhe ky është zotimi ynë i pandryshueshëm i të treja mandateve të mia dhe vetë kuptimi i mandatit tonë të katërt për Shqipërinë.

Rruga e Shqipërisë gjatë periudhës që unë kam pasur privilegjin të udheheq këtë përpjekje tonë të përbashkët drejt bashkimit me Europën, i ngjan shumë rrugës së çdo emigranti shqiptar në përpjekjen e tij për t’u pranuar dhe integruar me sukses në Europë dhe Amerikë.

Kur unë e mora detyrën këtu e 11 vjet më parë, Shqipëria shihej me dyshime dhe me plot paragjykime nga bota, ashtu sic shiheshin shqiptarët, ashtu sicc shiheshit ju kur keni shkelur për herë të parë jashtë Shqipërisë, ndërkohë që qeveria shqiptare nuk gëzonte më asnjë respekt. Kryeministri ishte thuajse i izoluar prej disa vitesh; as e vizitonte dhe as e ftonte më kush prej udhëheqësve të vendeve europiane.

Ndërkohë që rruga europiane e Shqipërisë ishte e bllokuar.

Vendi ishte në telashe të mëdha ekonomike e financiare. Qeveria e zhytur në borxhe ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve të cilat kishin mbetur rrugëve dhe shërbimeve për sektorin publik, që nga spitalet deri tek shkollat.

40 milionë dollarë ishte borxhi i qeverisë vetëm i detyrimeve të papaguara ndaj invalidëve e personave me aftësi të kufizuara. Rreziku i kolapsit energjitik më i madh se kurrë dhe borxhi ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike ishte 1.3 miliardë dollarë dhe gjyshmë e shqiptarëve që paguanin edhe për gjysmën tjetër dhe gjysmën që nuk paguante më energji elektrike. Spitalet nuk kishin më ilaçe dhe familjarët i shtronin të afërmit e tyre në spital bashkë me çarçafë e batanije nga shtëpia.

Shqipëria kishte nivelin më të lartë të infeksioneve post-operatore për shkak të instrumentave mjekësorë të amortizuar dhe sistemit të sterilizimit të shkatërruar.

Autoambulancat dhe automjetet e policisë fikeshin në rrugë nga mungesa e karburantit. Mesatarja vjetore e vrasjeve ishte një vrasje çdo tre ditë. Korrupsioni i pranishëm në çdo kontakt të qytetarit me shtetin, deri edhe për të marrë një çertifikatë të gjendjes civile duhet të paguaje rryshfet, ndërkohë që për çdo copë letër nga shteti duhet të rrije në radhë.

Turizmi në Shqipëri ishte një sektor që mbahej gjallë nga malli i emigrantëve dhe patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.

Qytetet e Shqipërisë ishin të mbuluara nga pluhuri dhe rrënimi ishte emëruesi i tyre i shesheve të tyre kryesore, ndërkohë që Tirana kishte ndalur njësoj si sahati që ishte gjithnjë 12 edhe koha e e zhvillimit Kanalet ujitëse e kulluese humbin çdo vit mes ferrave e plehrave dhe më shumë se sa gjysma e tokave të bukës nuk punoheshin se nuk kishin ujë, ndërsa pikat e grumbullimit të prodhimit numëroheshin me gishtat e njërës dorë në tërë Shqipërinë. Për agroturizëm as bëhej fjalë. Paga minimale ishte 150 Euro dhe paga mesatare në sektorin publik ishte 370 Euro.

Prodhimi i përgjithshëm i vendit 12 miliardë Euro dhe angazhimi në punë i forcave të punës nën 50%.

Borxhi publik ishte jashtë kontrollit dhe në terma realë ai kishte kaluar tavanin e 80%-shit, duke e bërë Shqipërinë një vend me litarin në fyt përballë tregjeve financiare ndërkombëtare.

Drejtësia ishte një pazar i madh, ku e drejta shitej e blihej si mall dhe pandëshkueshmëria ishte fjala sinonim i emrit Shqipëri në çdo vlerësim e raport ndërkombëtar për vendin tonë.

Sot, realiteti i zymtë i vetëm një dekade më parë është përmbysur në çdo sektor dhe era e re e shtetit fryn gjithnjë e më e fortë, falë edhe një bashkëpunimi të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Në vetëm një dekadë kemi dyfishuar prodhimin e përgjithshëm kombëtar, duke shënuar rritjen më të lartë relative në rajon. Kemi trefishuar pagën minimale dhe po ashtu pagën mesatare në sektorin publik, e cila ka arritur këtë vit në 900 Euro. Kemi rritur angazhimin në punë të forcave të punës nga më pak se 50% në afro 70%. Jemi të parët në rajon edhe në rritjen e Prodhimit të Brendshëm për frymë, me mbi 100%, si asnjë vend tjetër dhe nëse një dekadë më parë ishim të parafundit me 4400 USD për frymë, sot jemi mbi mesataren e rajonit me 9400 USD për frymë dhe renditemi të tretët, pas Serbisë dhe Malit të Zi që kjëtë transformim e kanë filluar shumë vite më parë se sa ne.

Pagat reale në sektorin privat në Shqipërisë janë sot plotësisht konkuruese me rajonin dhe në sektorin e turizmit janë thuajse në një nivel me Greqinë.

Por më e rëndësishmja nga të gjitha sot është se Shqipëria nuk është më vendi i një kaste të fuqishmish mbi ligjin dhe kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditjen e parë vdekjeprurëse të historisë sonë, të parën qysh prej themelimit të shtetit shqiptar në vitin 1912. Të gjithë shqiptarët edhe nëse s’janë historianë, dinë aq histori sa duke e kthyer kokën mbrapa të shohin se qysh prej vitit 1912 për herë të parë në historinë tonë, njerëz të veshur me pushtet politik apo të lidhur me pushtetin politik, i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë, pavarësisht pozicionit apo lidhjes së tyre me partitë politike qoftë në qeveri qoftë në opozitë. Kurrë më parë në historinë tonë, një individ me profil të lartë politik nuk është hetuar, gjykuar a dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika.

Të gjithë ata që janë dënuar më parë, që nga ministrat e kohës së diktaturës e deri tek ish-kryeministri Fatos Nano, kanë qenë të dënuar politikë të një drejtësie, e cila qoftë në dikaturën komuniste e qoftë në demokracinë fëminore shqiptare, ka qenë e urdhëruar dhe e manipuluar nga partia në pushtet.

Sot historia e partisë në pushtet që kontrollon dhe orienton drejtësinë ka marrë fund, e unë jam krenar që me votën e shqiptarëve ne, Partia Socialiste në pushtet, udhëhoqëm një reformë të thellë në drejtësi, të cilën nuk e ka bërë asnjë nga vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian, përpara se sa të hynte në Bashkimin Europian, e lëre pastaj nga vendet e rajonit tonë, ku ende nuk ka ndodhur ajo që po ndodh në Shqipëri dhe për të cilën Shqipëria po merr edhe vlerësimet maksimale dhe mbështetjen maksimalke të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian. Unë Jam krenar që me largpamësi, kurajo dhe vullnet të hekurt, ne bëmë atë që asnjë forcë politike dhe asnjë pjesë e pushtetit politik në Shqipëri, qysh nga 1912 nuk e bëri dot, i hoqëm duart e pushtetit politik nga drejtësia dhe e bëmë me vetëdijen e plotë për koston e pashmangshme politike të goditjeve, që drejtësia e re po jep edhe në vetë radhët tona, ku askush nuk është më i paprekshëm dhe ku cilido që kërkohet nga drejtësia nuk merr asnjë mbrojtje politike nga ne. Ky është investimi më i madh politik i Partisë Socialiste të shekullit të ri dhe kjo është shprehja më shembullore e besnikërisë sonë ndaj zgjedhësve që na votuan tre herë rresht dhe do të na votojnë përsëri, për ta bërë Shqipërinë një shtet europian të së drejtës në Bashkimin Europian, ku barazia para ligjit vlen njësoj, si për qytetarin e zakonshëm, si për kryeministrin e vendit.

Ju mbase edhe më shumë se sa shqiptarët në Shqipëri, i ndiqni me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, e me siguri lexoni, shihni dhe dëgjoni edhe se sa shumë përpjekje bëhen përmes kanaleve mediatike, për t’ju bindur ose se reforma në drejtësi është një bllof i qeverisë për të goditur kundërshtarët politikë përmes organeve të reja të drejtësisë, ose ekstremi tjetër, se reformën në drejtësi e bëri Amerika dhe goditjet e shumëpritura nga opinioni i gjerë publik, të të korruptuarve të paprekshëm në Shqipëri po i bën Amerika. Po Amerika aty ishte edhe përpara ardhjes sonë në qeveri dhe fuqinë e saj në Shqipëri, Amerika e kishte po aq të madhe sa ç’e ka.

Amerika aty është edhe në vendet e tjera të rajonit, ato që janë në NATO apo ato duan të hyjnë në NATO.

Si ka mundësi që nuk e solli më parë Amerika këtë peshqesh të madh për shqiptarët që e kërkonin drejtësinë edhe më parë, por jetonin nën thundrën e një drejtësie të korruptuar e të nënshtruar kokë e këmbë ndaj pushtetit politik? Po pse nuk e bëri Amerika xhanëm në ndonjë vend tjetër të rajonit, këtë reformë kaq rrënjësore, e cila fshiu me një fshesë të hekurt një masë të madhe gjykatësish e prokurorësh të korruptuar në Shqipëri, duke i hapur rrugë krijimit të organeve të reja të drejtësisë, që po nxjerrin ujin e zi të korrupsionit nga pusetat deri dje të mbyllura me peshën e rëndë të pushtetit politik e të vetë korrupsionit në pushtet?!

Për të gjithë ata që duan ta shohin e ta dëgjojnë të vërtetën, e për çdokënd që do ta kuptojë drejt atë që ka ndodhur gjatë kësaj dekade të qeverisjes sonë, e vërteta është e thjeshtë dhe e qartë.

Ajo është e shkruar fillimisht në programin elektoral të Partisë sonë për zgjedhjet e mandatit tonë të parë, ku Reforma në Drejtësi ishte e shënuar si angazhim prioritar. Dhe të gjithë atyre brenda nesh kur shkruanim programin që më thoshin, po si mund ta marrim ne këtë angazhim, kur për ta realizuar këtë angazhim duhen shumë më tepër viota në parlament se sa votat që ne do të marrim edhe sikur të fitojmë zgjedhjet dhe unë përgjigjesha ne duhet jo vetëm ta shkruajmë, por duhet ta kthejmë në fiksimin tonë që pa shembur pallatin e korruptuar të drejtësisë dhe pa i hapur rrugën një drejtësie të pavarur nga pushteti politik, të gjitha të tjerat nuk kanë asnjë vlerë dhe kjo është një nevojë kombëtare, së cilës i ka ardhur koha dhe duke udhëhequr me këtë bindje ne do ta gjejmë rrugën që ti përgjigjemi kësaj nevoje dhe që më në fund çdo shqiptar ta arrijë ta shikojë, ta prekë, ta kuptojë se ligji i barabartë për të gjithë, nuk është vetëm në letër, por është edhe ne realitetin e marrëdhënieve me drejtësinë. Dhe mjafton të shikosh të gjithë kronikën e këtyre viteve përpjekje kolosale, që nga fillimi i punës për reformën dhe kur ne ishim vetëm dhe kur e vetmja mbështetje që kishim ishte mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian të cilët për hir të vërtetës, edhe ata na shikonin me dyshim se a ishim seriozë deri në fund dhe a do ti shkonim dot deri në fund kësaj përpjekje sepse në thelb ata e dinin shumë mirë që kjo përpjekje kushtin e vet të patjetërsueshëm kishte që ne partia në pushtet të ngrinim dorën në parlament për të votuar një reformë që i hapte rrugë një drejtësie të pavarur dhe për të hequr duar tona nga drejtësia. Dhe që nga fillimi i punës për reformën, te miratimi i saj në Kuvend, ku të detyruar nga presioni ekstrem i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian kundërshtarët e reformës në drejtësi, ata që sot e gjithë ditën ulërinin tanimë nga dhimbjet e drejtësisë kundër organeve të drejtësisë erdhën dhe ngritën dorën për ta miratuar reformën, por kokën e mbanin ulur dhe deri te zbatimi i saj në ditët tona që po e sheh çdo shqiptar i madh dhe i vogël është përpjekja historike që po jep frytet e veta konkrete dhe që nuk do të ndodhte pa vullnetin e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Padisktim që mbështetja e paçmueshme e aleatëve tanë strategjik që nga ata në Uashington dhe ata në Bruksel, ishte e domosdoshme, por pa vizionin dhe vendosmërinë tonë për ta kthyer votën e popullit në një fuqi të madhe, për ta shembur pallatin e drejtësisë së korruptuar dhe për ta tërhequr pushtetin politik përfundimisht nga territori i pushtetit gjyqësor, kurrë, asnjëherë, drejtësia e re nuk do të merrte jetë dhe të ushtronte siç po e bën sot forcon e barabartë të ligjit edhe mbi vetë eksponentët e pushtetit politik.
Nuk ka asnjë diskutim se pa mbështetjen e aleatëve tanë ne nuk do t’ia dilnim dot të nënshtronin rezistencën e jashtëzakonshme të forcave që nuk e donin reformën në drejtësi, por të mendosh që kjo reformë do të bëhej dot ndonjëherë realitet dhe se një parti në pushtet në Shqipëri do të goditej edhe vetë nga një drejtësi e pavarur, siç po goditet sot edhe vetë Partia Socialiste deri në nivelet më të larta. Nëse ne nuk do ta kishim këtë vullnet do të thotë “të merresh me gishtin, kur gishti tregon hënën” – kjo është e vërteta dhe nuk ka asnjë të vërtetë tjetër ashtu sikundër ka vetëm një të vërtetë në lidhje me aftësitë shtet-bërëse të politikës shqiptare për Shqipërinë anëtare në Bashkimin Europian. Kjo e vërtete është se Shqipëria e kësaj faze e historisë së saj ka vetëm një forcë shtetbërëse, Partinë Socialiste të Shqipërisë, pa të cilën në udhëheqjen e saj Shqipëria nuk do ta bënte dot reformën në drejtësi, as nuk do ta godiste dot kurrë korrupsionin, pa dallim ngjyrash dhe siglash politike, as nuk do të ulej dot sot në çdo tryezë dhe forum të lartë ndërkombëtar si e barabartë mes të barabartësh, as nuk do të bëhej kurrë një histori ndërkombëtare suksesi në Mesdheun turistik me rritjen më të lartë të turizmit në Europë dhe me aeroportin e vet ndërkombëtar që është aeroporti me rritjen më të lartë të pasagjerëve në Europë dhe as nuk do të mikpriste kurrë në Tiranë për herë të parë në historinë e vet, të parin samit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor jashtë kufijve të Bashkimit Europian. Shqipëria në krye të OKB-së, Shqipëria këtu në Neë York në tryezën e sigurimit të OKB-së, Shqipëria mikpritëse e Samitit të Komunitetit Politik Europian vitin e ardhshëm, kur do të vijnë në Tiranë udhëheqësit e të gjitha demokracive të kontinentit, nga Britania në Ukrainë dhe nga Suedia në Turqi. Dhe Shqipëria mikpritëse e Samitit të NATO-s në vitin 2027 kur të gjithë liderët e vendeve NATO-s do të zbarkojnë në Shqipëri, është një Shqipëri e rilindur këtë dekade, e cila ju e dini më mirë se të gjithë nga një emër i sikletshëm jashtë atdheut kur e pyesin nga je? Është kthyer dhe po kthehet përditë e më shumë në një emër krenarie kur thua, – “I’m from Albania”.
Unë nuk ka ardhur këtu sot t’iu them që Shqipëria është një fushë me lule, sepse nuk është. Përkundrazi kemi akoma shumë ferra për të pastruar dhe kemi akoma jo pak plagë për të shëruar. Por kam ardhur këtu për t’ju thëne se jam sa krenar për gjithçka të mirë kemi bërë deri këtu, aq edhe i vetëdijshëm për sa shumë akoma mbetet për të bërë. E prandaj kam ardhur këtu për t’iu kërkuar që ta vazhdojmë dhe ta përmbushim sëbashku këtë mision të nisur një dekadë më parë, për ta ngjitur Shqipërinë në majën e 2030 duke e bërë përfundimisht të pakthyeshme rrugën drejt Europës dhe duke bërë për vendin tonë, për shtetin tonë, për flamurin tonë atë që çdo shqiptar si ju në Amerikë apo Europë ka bërë për veten e vet, për familjen e vet, për të ardhmen e fëmijëve të vet duke u bërë pjesë krenare e pandashme e bashkësisë ku sot jeton dhe punon këtu në Amerikë apo matanë oqeanit në Europë.
Tani kam pasur një debat me miqtë dhe kolegët e mi për të marrë pyetje nga apo për të mos marrë pyetje nga ju. Pjesa me madhe thoshin kryeministër bëj një fjalim të gjatë dhe mos merr pyetje se nuk i dihet. Por duke qenë se ju keni ardhur këtu sot dhe duke qenë se me siguri fjalime nga unë e keni kollaj fare ti dëgjoni, se kudo ku të shtypni butona unë iu dal, madje edhe në frigorifer nganjëherë për ata që më ndjekin shpesh mund t’iu duket sikur jam diku aty mes atyre të tjerave që keni. Unë besoj që nuk mund të iki pa marrë disa pyetje nga dhe pa iu përgjigjur disa pyetjeve të tuat që natyrisht do të na ndihmojë që ky takim të trajtojë edhe çështje tuajat të cilat ju keni interes ti trajtoni me mua.

Problemi kryesor i shqiptarëve është mbajtja e radhës se të gjithë duan të jenë të parët në radhë, mundësisht nëse do mbajmë pak radhë, do të arrijmë të bëjmë një bashkëbisedim ku të gjithë do marrin pjesë duke dëgjuar, se në fund të fundit pyetjet pak a shumë janë po ato.

Shumë faleminderit dhe një herë për këtë mikpritje!

Shumë faleminderit edhe miqve që më dhanë kënaqësinë e jashtëzakonshme të jem mbrëmë në hapjen e NBA, se aty ju e dini që po s’të ftoi njeri, nuk shkon dot, se s’ka Zot që i blen dot ato bileta, por duke qenë se këtu është atdheu i basketbollit, dua t’ju jap edhe një lajm se s’mund ta jepja dot në Shqipëri pa jua dhënë juve. Ju e dini që kemi filluar punimet për të ngritur Akademinë Sportive të Manchester City në Durrës dhe jemi në bisedime për të ngritur po në Durrës edhe një akademi të NBA.

* * *

-Zoti Kryeministër, mirë se erdhët në SHBA për të takuar vëllezërit dhe motrat shqiptare që jemi këtu në mërgim. Vij nga Dukagjini i Shkodrës në kufi me qiellin. Kam 28 vite në SHBA. Jam antikomunist dhe demokrat i flaktë e kam nderin që kam ardhur sot për të takuar kryeministrin e shqiptarëve në Amerikë. “Ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha” dhe bashkë kemi komunikuar dhe e kam mesazhin në telefonin tim, ku me keni thënë se rruga e Dukagjinit, ku 3o vjet jemi pa rrugë dhe hera e parë që dolën burra të mëdhenj në Dukagjin, se nuk kanë ardhur aty ndonjëherë, erdhe në Dukagjin e tërhoqe gjobat atyre që u kanë vënë gjoba atje, fole për legalizimin e tokave tw baballarwve e gjyshwrvë tanë dhe the “rruga e Dukagjinit do të shihet’’ dhe u bë realitet. Dhe kërkoj që edhe të asfaltohet se çdo gjë tjetër është mirë dhe e ndjeva veten shumë mirë kur e përshkrova. Falenderimin e dytë e kam për kryebashkiakun e Shkodrës që i dhatë kandidaturën për kryetar, falenderoj të gjith ata demokratë e demokrate, qw votuan pwr tw se është i gjeturi i Shkodrës. Kam dhe një falenderim për negociatat për të hyrë në Evropë. Ne në emigrim që jemi, kemi shumë dëshirë për vendin tonë, kemi dëshirë për të investuar. Deri në 500 mijë dollarë në këtë moshë që jam, unë do të investoj atje, ose në bujqësi, ose në blegtori ose në turizëm. Faleminderit ty dhe stafit tuaj që keni ardhur këtu sot dhe të bashkëatdhetarët.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit, shumë faleminderit. Tani, të të përgjigjem para se dikush tjetër të më pyesë, se kam shumë qejf kur më thonë “jam antikomunist dhe jam demokrat’’, se kështu isha edhe unë, antikomunist dhe democrat, por partinë Demokratike na e morën komunistët më të këqinj edhe thashë “më mirë po bashkohemi edhe me komunistët që nuk e mohojnë nga kanë ardhur, sesa të rrimë me ata që kur ishin tek partia e komunistëve,ishin më të zinjtë e komunistëve dhe pastaj dolën në anën tjetër dhe filluan të flasin sikur erdhën nga hëna, e para.
E dyta, miku im, siç tregon historia e këtyre viteve, Shqipëria nuk është e ndarë mes komunistësh dhe demokratësh. Shqipëria është e ndarë, e para; mes punëtorësh dhe dembelash, e dyta; mes patriotësh dhe nacionalistësh që i referohen flamurit vetëm për t’u fshehur pas tij dhe e treat, mes atyre që Shqipërinë dhe punën e përditshme e shikojnë përtej punëve politike dhe shembulli i Shkodrës që solle, është shembulli më kuptimplotë. 30 e kusur vite e mbajtën ata të partisë tjetër se ne ishim komunista. Një herë na e dhanë mundësinë, shiheni Shkodrën si po ndryshon, se ne jemi edhe antikomunistë jemi dhe antifashistë dhe mbi të gjitha se për ne, ka një emërues të përbashkët që është Shqipëria dhe për Shqipërinë ka një vrirtyt të përbashëkt që është puna. Përsa i përket investimeve, brenda pak javësh besoj, ne do të publikojmë një program të ri për të gjitha zonat malore pikërisht për emigrantët që vijnë nga ato zona, një program që quhet “paketa e maleve” dhe që do t’u japë të gjithë atyre që janë në emigracion dhe duan të investojnë kursimet e tyre në vendlindje për agroturizëm, për agropërpunim, për çfarëdoqoftë, një mundësi të re me shumë avantazhe të natyrës së taksave, të natyrës së detyrimeve dhe me mbështetjen të drejtpërdrejtë nga qeveria. Kështu që ajo që unë u them të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri ose në Evropë, që kanë punën e tyre këtu, që kanë familjen e tyre këtu, që kanë vendosur të rrinë këtu, nuk është “kthehuni përgjithmonë’’,por është “po të investoni kursimet tuaja në Shqipëri, tek shtëpia e gjyshit, për ta kthyer atë në një agrotuzrizëm apo për të bërë agropërpunim’’ në fund të muajit do të fitoni më shumë nga shtëpia e gjyshit sesa nga ai që ju jep punë këtu dhe që që ju paguan me një rrogë dhe kështu flasin shifrat e të gjithë atyre që kanë filluar ta bëjnë këtë gjë.

Ne kemi një numër të kosiderueshëm shqiptarësh që janë kthyer nga emigracioni për të investuar në Theth dhe sot janë konkrete rastet e atyre që janë kthyer, kanë investuar në Theth për hoteleri dhe turizëm dhe ju çojnë lekë ekstra motrave, vëllezerve që i kanë në Itali e që i kanë në Greqi sepse në Itali dhe në Greqi, Amerika mund të jetë ndryshe dhe është ndryshe, nuk del më llogaria siç dilte disa vite më përpara, kështu që me shumë bindje ju them, kush e ka një tokë të trashëguar, sidomos në veriun e Shqipërisë bën investim të madh për veten dhe për fëmijët, nëse kursimet i vendos atje. Dhe përsa i përket titujve të pronësisë, të gjithë ata që do të vijnë për të investuar në këtë mënyrë, do të kenë mbështetjen tonë të menjëhershme edhe për të marrë direkt titullin e marrjes së tokës në përdorim dhe për ta gëzuar për gjithë jetën.

-Mirë se të ka sjellë Zoti në tokën e premtuar të Amerikës. Ta zgjatë jetën Zoti ty e çdo njeriu që punon për atë shtet pa asnjë hile. Dy kërkesa kam, emrin e kam Gjelosh Vukaj, nga Vermoshi i Kelmendit. Pronësia e tokës, e di që ke bërë një premtim, por kanë qejf pronësinë e tokës. Kur të marrim pronësinë e tokës, a mund të na japësh një afat, një datë që ato pronësi mundemi t’i marrim, se njerëzit kanë qejf të investojnë, por tremben kur nuk e kanë në pronësi dhe të më ndihmoni të godas…. më shumë faji jonë se faji i partisë, por një përkrahje, një ndihmë, ta kërkojmë ty si kryeministër.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Edhe një herë, cilido prej jush, cilado prej jush, çdokush që ka një tokë në zonat veriore në radhë të parë, dhe pse them zonat veriore sepse investimet e bëra në zonat veriore kanë treguar dhe po na tregojnë çdo ditë që interesi i turistëve për zonat veriore është në rritje të madhe. Cilido që ka një tokë dhe do të investojë, mjafton të paraqesë interesin për investim, me paketën e re të maleve, menjëherë shteti vihet në lëvizje për t’ia krijuar mundësinë që të realizojë investimin dhe duke filluar realizimin e investimit, të marrë dhe tokën që i takon. I kemi lehtësuar maksimalisht procedurat për të gjithë emigranët që duan të investojnë në fshat. Jeni më shumë sa të mirë se ardhur dhe kjo punë është beso dhe kontrollo. Ju po dëgjoni fjalët, provojini dhe në qoftë se fjalët nuk dalin kështu, atëherë do thoni edhe ky si gjithë të tjerët, por unë nuk jam si gjithë të tjerët.

E dyta, përsa i përket çështjes së kullës së Prek Calit, unë e di historinë shumë mirë dhe ne jemi 100% në mbështetje vetëm një pyetje kam unë, po si nuk ua u bënë atë kullë 30 vjet antikomunistat? Se më antikomunist se Prek Cali zorr e gjen në historinë e atyre anëve, apo jo? Po si nuk ua u bënë? Ta them unë pse? Ta them pse? Se nuk janë anikomunista. Janë vetëm shpërdorues të besimit dhe abuzues të plagëve të të gjithë familjeve që kanë vuajtur realisht nën diktaturën komuniste, kur ata ishin diktatura, prandaj nuk kanë bërë asgjë. Në të gjitha vitet që ishin në pushtet, as për të përndjekurit politikë, që i lanë të vdesin, një pjesë të madhe pa u dhënë dëmshpërblimin. Ndërkohë që ne, ndaluam çdo dëmshpërblim për këdo tjetër në emër të gjyshit apo xhaxhait të përndjekur, dhe thamë: Do tua japim njëherë lekët të gjithë atyre që janë gjallë, pastaj të tjerëve. Dhe sot që flasim, ta them me krenari, që nuk ka një të përndjekur politik që e ka bërë burgun vetë, jo që nuk ka qenë vetë, por që e ka bërë burgun vetë, që e ka pasur vetë në kurriz diktaturën, dhe që është gjallë, dhe që nuk i gëzon lekët e dëmshpërblimit. Nuk ka njw! Kurse më përpara, jepeshin fondet për të përndjekur dhe pastaj një pjesë të fondeve e merrnin komshinjtë e familjes së të përndjekurit që ishin kushërinjtë e deputetit antikomunist që kishte shkuar në parlament dhe që nga njëra anë, tundte flamurin e antikomunizmit, nga ana tjetër shihte vetëm hesapin e shtëpisë së vetë, siç po e shihni që dalin një nga një nga puseta e mbyllur e korrupsionit, ato që janë aty poshtë në ujrat e zeza të korrupsionit.

– Përshëndetje, jam besuese se koha është diçka që nuk kthehet kurrë. Faleminderit për kohën tënde dhe çdo shqiptari që është këtu sot. Së pari, jam gjykuar që kam ardhur këtu sot, se kam qenë këngëtare, po ashtu jam dhe sipërmarrëse në Nju Jork, pse të suportoj unë ty. Kjo nuk është pyetja. Fakti që jam këtu sot, dua që të edukohem, të di kush je ti, të mësoj më shumë se është hera e parë që të dëgjoj afër, dhe kam dëgjuar që diçka që ne shqiptarët e Nju Jorkut kemi mangut, nuk është aftësia për punë, nuk është aftësia për të arritur, është aftësia që ne mund të mblidhemi këtu bashkë dhe të mos kërkojmë nga ty, por të pyes ty, çfarë ne shqiptarët e Nju Jorkut mund të bëjmë për ty që të ndryshojmë mendësinë e njëri-tjetrit që kjo nuk është politikë, nuk është fe, kjo është shqiptarizëm. Mendjen në vend të keq e kemi, pak a shumë shqip.

Kryeministri Edi Rama: E kanë thënë shumë nga rilindasit tanë që të bësh shqiptarët bashkë është punë e vështirë. Gjergj Fishta, Faik Konica e kanë thënë me fjalë akoma më të forta. Por nga ana tjetër, unë besoj që nëse shqiptarët jashtë atdheut e kanë pasur të vështirë të bëhen bashkë, kjo ka ardhur dhe si rezultat i politikës brenda atdheut. Ne kemi dalë nga diktatura komuniste shumë të goditur që të gjithë, po ashtu shumë të ndarë sepse ajo diktaturë funksiononte o me mua, o kundër meje, o ushtar, o armik. Dhe halli është që në emër të anti-komunizmit, llumi i komunizmit, mori në dorë Partinë që lindi nga fryma anti komuniste dhe që ishte shpresa e parë e madhe për Shqpërinë si gjithë Europa dhe e thelloi përçarjen; e çoi përçarjen në çdo lagje, e çoi përçarjen edhe brenda shtëpive se kush është demokrat e se kush është socialist. Kjo përçarje na ka përndjekur për shumë e shumë vite ndërkohë që unë besoj se nëse ne kapërcejmë këtë përçarje dhe nëse ne e shohim politikën dhe i shohim partitë aty ku është interesi ynë dhe jo si skuadra futbolli, ne do bëjmë shumë më tepër. E përsëris, Shkodra është shembulli më kuptimplotë sesi paragjykimi dhe përçarja e morën peng kryeqendrën e veriut të Shqipërisë, e lanë më mbrapa nga të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë, duke jua lënë duarve të paafta të atyre që paaftësinë e tyre e kanë mbuluar gjithmonë me flamurin e anti-komunizmit.
U desh vetëm një ndryshim drejtimi dhe Shkodra sot ka filluar të rilindë dhe vit pas vitit do të bëhet ajo që meriton dhe do të bëhet vendi që meritojnë të gjithë pavarësisht bindjeve politike që kanë.
Përsa i përket punës këtu, unë besoj që ju jeni më të shpejtë dhe më të aftë ta lexoni politikën në Shqipëri. Flas për gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë sepse, e para njëherë, ju në mëngjes shkoni në punë që të gjithë dhe nuk shkoni në kafe për të filluar punën duke u marrë me punën e të tjerëve. E dyta, ju dini të vlerësoni punën dhe suksesin, ndryshe nga shumëkush në Shqipëri që nuk ta fal kurrë suksesin dhe e treta, mbi të gjitha, ju keni nevojë për Shqipërinë, pa diskutim, por ama Shqipëria ka nevojë për ju më shumë seç keni ju nevojë për të në këtë fazë të historisë së saj sepse Shqipëria është si ju dhe është sot pikërisht në atë fazat kur hytë ju pasi e kaluat fazën e parë këtu që e keni filluar nga hiçi duke bërë punët më të vështira, duke pasur në kurriz shumë paragjykime dhe një nga arsyet e suksesit tuaj, mesa kam kuptuar, është që shqiptarët këtu kanë ndihmuar shqiptarët, që kush ka ardhur përpara ka ndihmuar ata që kanë ardhur më mbrapa dhe prandaj Diaspora sot, prandaj shqiptarët jashtë atdheut sot duhet të luajnë për Shqipërinë atë rol që kanë luajtur ata shqiptarë këtu që kanë ndihmuar shqiptarët që kanë ardhur dhe duhet të bëhen garantë me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, duhet të bëhen garantët që Shqipëria nuk kthehet më mbrapa.
Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm por është akoma një progres në rrezik nëse të gjithë së bashku nuk e shtyjmë përpara në këtë kilometër të fundit për ta bërë anëtare të Bashkimit Europian.

– Ju falënderoj për reformën në drejtësi. Duke qenë se punoj në drejtësinë amerikane prej 25 vitesh, jam shumë e lumtur për hapat gjigande që keni bërë me drejtësinë shqiptare. Pak më parë ju thatë që ne kemi kontribuar me emigrantët e rinj. Unë do t’ju shtoj që ne kemi kontribuar për 32 vjet kemi mbajtur motrat e vëllezërit tanë, kemi mbajtur kushërinjtë me bukë e me rroba atje ku janë, kur Shqipëria dhe shteti shqiptar nuk kishte bukë tu jepte atyre e jo më rroba dhe ushqime. Duke qenë se ne kemi kontribuar dhe për shqiptarët tanë e i bëmë sot dembelë, ata shkojnë në kafe e pijnë, ata që mbajtëm me të ngrënë e me veshje. Ne sot jemi këtu, mbajtëm atdheun për 30 vjet. Pyetja ime është konkrete. Çfarë plani konkret keni ju që këtë rini apo intelektualë që janë jo vetëm në Diasporën shqiptarë por në Diasporë e Europë duke përfshirë Kosovë, Maqedoni e të gjithë shqiptarët. Çfarë plani konkret keni ju që në politikën shqiptare duke qenë se vota do të jetë për Diasporën, të keni në planin tuaj që pjesëtarë nga Diaspora të jenë në parlamentin shqiptar çdo katër vjeçar?

Kryeministri Edi Rama: Duke qenë se e nise me histori, do të kthehem dhe unë pak në histori. Ne nuk kemi qenë në PD bashkë se unë PD-së ja ndjeva erën që në momentin e parë që hyra brenda dhe ika. Kështu që, kjo është e rëndësishme. E pashë që kishte rënë në duar të këqija. Fatkeqësisht, shumëkujt ju deshën shumë vite për ta parë atë që pashë unë dhe fatkeqësisht Shqipërisë ju desh të vuajë shumë nga ato duar të këqija që morën në qafë partinë më të bukur që ka lindur në Europën Lindore, Partinë Demokratike, por kjo është histori. Sa i përket pyetjes së drejtpërdrejtë, në radhë të parë, as nuk diskutohet që pa mbështetjen e emigrantëve Shqipëria do të kishte hyrë në situata shumë më të rënda sesa ato që hyri, me krizat tragjike të së shkuarës ku ajo e ’97 ishte m e llahtarshmja dhe ishin pa diskutim emigrantët që e mbajtën Shqipërinë në këmbë me ndihmat e tyre të drejtpërdrejta për familjet dhe për ekonominë e vendit. Shuma që emigrantët kanë derdhur në Shqipëri çdo vit kanë qenë shuma më e madhe krahasuar me të gjithë të ardhurat e tjera nga sektorë të ndryshëm apo edhe nga investimet e huaja dhe kjo është e padiskutueshme.
Tani, përsa i përket përfshirjes së emigrantëve apo të atyre që janë sot banorë në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë drejtpërdrejtë në politikë dhe përfaqësimi i tyre në parlament, ne kemi hapur një platformë, ne i kemi ftuar të gjithë ata që duan të kandidojnë deputetë që të përfshihen dhe ne do të zgjedhim edhe mes atyre që kanë shprehur interesin edhe nga Amerika. I dhashë dorën një vajze këtu që e kam takuar në një nga ato takime, kishte ardhur posaçërisht nga Amerika dhe është një nga kandidatet që kanë shprehur interes.
Kështu që, të jeni të sigurt që në listën e deputetëve për zgjedhjet e ardhshme do të gjeni në të gjitha qarqet edhe shqiptarë që janë sot në emigracion. Pastaj, ju takon juve t’ju jepni mbështetjen me votë dhe ata të hyjnë në parlamentin e Shqipërisë.
-Unë vij nga Kanadaja, kemi rreth 25 vite që jetojmë atje. Desha t’ju pyes neqoftëse keni në plan që të vini të na vizitoni dhe ne atje në Kanada sepse jemi një komunitet i madh dhe jemi të gjithë shumë të lidhur me Shqipërinë. Unë personalisht jam dëshmitar i suportit që kam pasur në Shqipëri sepse kam investuar në një hotel distileri dhe kam pasur kam një rrugëtim të lehtë dhe mbështetje nga si Dhoma e biznesit të Diasporës, si nga ministritë e ndryshme, kështu që jam dëshmitar i përmirësimit të situatës në Shqipëri dhe ju jam falënderues. Komuniteti shqiptar në Kanada do kishte dëshirë t’ju kishte të pranishëm.
Kryeministri Edi Rama: Kjo e di si mu duk mua? Kur shkoj në Vlorë dhe më thonë: Kur do vish një herë andej nga Selenica se Kanadaja është e jashtëzakonshme por në krahasim me Amerikën është si Selenica me Vlorën besoj. Por përtej shakasë, edhe rilindasit kanë thënë: Shqipëri mos ki frikë sa të kesh bijtë në Amerikë, nuk kanë thënë sa të kesh bijtë në Kanada, por përtej kësaj dhe nuk besoj se ma marrin për keq ata që janë në Kanada se janë një komunitet i jashtëzakonshëm por unë kam një problem me premtimet se unë po e dhashë një fjalë duhet ta mbajt patjetër kështu që nuk të premtoj që do jem në gjendje të vij përpara zgjedhjeve por duke qenë se edhe në Kanada ju do ma jepni votën, unë do vij pas zgjedhjeve.
– Doja t’ju jepja një falënderim dhe një pyetje. Pas 6 vitesh jam kthyer në Shqipëri këtë verë dhe ua të them që ndryshimet ishin fenomenale dhe me kanë bërë të ndihem shumë krenare që jam prej Shqipërisë. Pata mundësi të sjell një mik timin dhe pronarin ku punoj, në Shqipëri dhe fakti që edhe ai ishte i impresionuar nga Shqipëria, prej ndryshimeve dhe bukurisë që vendi ynë ofron dhe prej shërbimit, për mua ishte plus i madh që më ka bërë të ndihem mirë sepse kemi bërë dhe një blog për Shqipërinë që ti tregojmë botës se pse njerëzit duhet ta vizitojnë Shqipërinë.
Fakti që dëgjoja që të rinjtë e shoqërisë shqiptarë mund të bëhen pjesë e politikes dhe të kenë influencë për të përmirësuar vendin e Shqipërisë, ishte hap i bukur dhe uroj ta shikojmë të realizuar sa më shpejtë. Dhe pyetja ime është: kur do bëhet linja New York – Shqipëri?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Tani ju e dini besoj por unë përsëris se më jep kënaqësi ky fakt, që Shqipëria ka aeroportin ndërkombëtar me rritjen më të madhe në Europë dhe aktualisht aeroporti po negocion me kompaninë amerikane Delta për të filluar fluturimet direkte nga Amerika në Shqipëri. Nuk e di se kur do përfundojë kjo negociatë. Ndërkohë që ne po bëhemi gati që të hapim dhe aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, i cili do të jetë aeroporti me pistën më të gjatë në rajon. Është bërë e tillë pikërisht dhe për fluturimet trans oqeanike dhe nga ana tjetër jemi duke diskutuar me kompaninë Air Albania për të mundësuar më në fund një fluturim të drejtpërdrejtë të Air Albania-s dhe natyrisht fluturimin e parë kur do të ndodhë, nuk ua u them dot se po e thamë dhe nuk e mbajtëm, bëhet problem, do ta bëjmë patjetër këtu në New York. Por e sigurte është që koha e gjatë që ju keni pritur për të pasur një fluturim të drejtpërdrejtë me Shqipërinë nuk do të jetë më aq e gjatë dhe besoj që në një kohë të arsyeshme ne do ta realizojmë dhe do ta japim këtë lajm dhe do ta sjellim avionin këtu. Por ajo që më jep më shumë kënaqësi është arsyeja pse kompania Delta ka shprehur interes, se kompania Delta ju e dini është kompani amerikane, është pikërisht sepse edhe tur operatorët në Amerikë kanë kërkesa të rritura nga qytetarët amerikanë, ku natyrisht përfshihen dhe shqiptarët për të vizituar Shqipërinë me fluturime direkte.

-Unë jetoj në New York, ushtroj biznes edhe në Tiranë dhe në Kosovë, edhe në New York në fushën e turizmit. Jam ndër tur operatorët kryesor në Shqipëri në fushën e turizmit dhe tatim pagues kryesor në Shqipëri. Duke pasur parasysh që kam lidhje të fortë me Tiranën, jetoj tre muaj në verë atje për shkak të biznesit kam një problem personal familjar. Dua të mbështes një kategori që ka shumë probleme në Tiranë. Kam një fëmijë në karrocë. Në Tiranë nuk ka akses për këtë kategori në asnjë lloj institucioni publik apo privat. Dhe duhet me domosdo se kjo kategori është kategorikisht e nevojshme dhe unë e vuaj vet këtë. E di që në aspektin lokal s’të takon ty por në asketin kombëtar është për ty. Jam i gatshëm të vet ofrohem që kësaj kategori t’iu bëhet e aksesushme atje ku kanë nevojë të shkojnë.
E dyta, turizmi shqiptar vuan për punonjës sezonal. Kam sugjerim që e kam parë në disa vende të tjera. A mundeni ju me politikat tuaja duke bashkëpunuar me universitete që studentet që janë në universitete të Shqipërisë t’iu ofrohet një mundësi punësimi nga data 15 maj der në 15 shtator, t’ju lexohet si kreditë për universitete sic ndodh këtu në Amerikë dhe pagat e tyre të jenë të pa tatueshme nga shteti. Por ne si biznes të na njihet si shpenzim.
E fundit, unë jam nga Tropoja. Për të shkuar nga Thethi në Valbonë duhet të shkojmë nga Miloti, nëse është e mundur nga Dukagjini në Lekbibaj po të bëhet një rrugë e re 23 km, e di se Fondi i Zhvillimit ka një proshkët për të, nëse ke mundësi nga Thethi në Valbonë shkohet një ore, nëse realizohet kjo rrugë.
Faleminderit dhe të uroj shëndet.
Kryeministri Edi Rama: Tani përpara se të të jap përgjigje për këto tema që janë reale dhe janë probleme të vërteta, dua të them dhe dua t’iu siguroj të gjithëve që nëse do të uleshim të diskutonim sëbashku për çfarë nuk shkon akoma në Shqipëri, për çfarë kërkon akoma punë për tu rregulluar dhe për sa probleme akoma duhen ende për tu zgjidhur të jeni të sigurt që unë do të fitojë konkursin me këto. Sepse jam shumë i vetëdijshëm për problemet që ka akoma për të zgjidhur dhe për shumë aspekte që duhen adresuar për tu korrigjuar. Pra kur flas për çfarë kemi bërë dhe kur them jam krenar për çfarë kemi bërë, kam parasysh nga jemi nisur. Dhe kam parasysh faktin që në një periudhë të shkurtër krahasuar me historinë Shqipëria sot është futur në hartë për mirë, por nuk kam parasysh se ku duhet të shkojmë. Pra nëse në raport ku kemi qenë jemi si dita me natën, në raport me ku duhet të shkojmë, jemi drita që sapo ka dalë, por dielli akoma duhet ngjit lart, e këto probleme bashkë me probleme të tjera janë arsyeja se pse unë jam akoma këtu dhe pse unë them duhet edhe një sforco tjetër në këto 5 vite që përmbyllin dekadën për ta vendos Shqipërinë përfundimisht aty ku e ka vendin në Bashkimin Europian dhe për ti dhënë mundësinë pastaj një gjenerate tjetër që ta çojë më përpara. Tani duke u kthyer tek konkretet, e vërteta është që ky është një problem i madh për të gjithë ata që janë me aftësi të kufizuara.
Ne nuk japim më prej kohësh leje ndërtimi pa akses për personat me aftësi të kufizuara, në të gjitha shkollat e reja ka akses, e në të gjitha institucionet e në të gjitha ndërtimet e reja dhe private ka akses, por janë shumë institucione që janë aty prej kohësh dhe nuk e kanë atë akses. Kështu që nuk është se nuk e kemi në vëmendje, por kërkon shumë punë akoma për ta krijuar akses për të gjithë. Jo më larg sesa javën e shkuar unë mora një mesazh nga një prind që kishte fëmijën në karrocë, në një shkollë të ndërtuar prej kohësh dhe që çdo ditë duhet ngjisnin fëmijën në krah në katin ku kishte klasën dhe i bëmë një spostim në një shkollë pranë që kishte akses dhe që ishte një shkollë e re. Pra është një temë me të cilën ne përballemi rregullisht. Përsa i përket punonjësve është shumë e vërtetë që turizmi po përjeton një bum të madh, por po përjeton edhe problem të madh që ka nevojë për më shumë punonjës dhe punonjës të kualifikuar. Por ama është po kaq e vërtetë që sidomos këtë vit kemi parë një numër inkurajues punonjësish të kualifikuar në turizëm që kanë ardhur nga Greqia në Shqipëri, sepse pagat sot në industrinë e truizmit në Shqipëri janë thuajse njësoj si në Greqi, por ama taksat janë shumë më të ulta, shpenzimet janë shumë më të ulta sesa janë në Greqi, kështu që llogaria në fund del më mirë.
Edhe këtë të përfshirjes së studentëve jemi duke e studiuar, ndoshta jo ekzaktësisht në formën që thatë ju dhe mbase duhet ta shohim edhe në këtë aspekt, po jemi duke e studiuar. Por problemi kryesor në industrinë e turizmit sot janë punonjësit kualifikuar. Nuk është thjeshtë puna të marrësh dikë që ta futësh në punë, po duhet të ketë një kualifikim të caktuar dhe kjo është një sfidë shumë e madhe.
Përsa i përket rrugës. Është e vërtet që jam në dijeni për këtë dhe për segmente të tjera të rëndësishme që janë thellë në Shqipëri. Por dua të them një gjë. Përpara 10 vjetësh Tropoja ishte e braktisur totalisht dhe kur unë shkoja në Tropojë dhe thoja këtu truizmi do të jetë pika e kthesës më shikonin si komunist i pandreqshëm, mirëpo ja që Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike. Ne bëmë një sërë ndërhyrjesh dhe vazhdojmë të bëjmë në atë zonë, ku kanë filluar edhe shumë investime private sidomos në Luginën e Valbonës dhe ju e dini, por edhe në pika të tjera deri lart në Lekbibaj ka investime private dhe patjetër që ne do të vazhdojmë të bëjmë edhe akse vetëm se duhet pak durim se kur më thonë – Po kjo rruga këtu? Po kjo rruga aty? Unë i them gjithmonë, sa kalamaj ke? – Thotë kam 3, kam 4. – I ke bërë menjëherë apo i ke bërë me radhë? – Jo, i kam bërë me radhë.
Problemi jonë është që ne e gjetëm Shqipërinë me gjithë kalamajtë rrugëve asnjë segment të përfunduar, por vetëm borxhe dhe segmente rrugore të inauguruara për fushatë dhe larja e atyre borxheve dhe përmbyllja e atyre segmenteve ka qenë në torturë më vetë. Patjetër që tani do vazhdojmë. Rrugën e Dukagjinit e kërkonin të gjithë, por kishin humb çdo shpresë. Tani rruga e Dukagjinit po hapet dhe kështu do të vazhdojmë edhe me rrugë të tjera në veri. Sepse unë besoj shumë që pavarësisht se ne jemi mësuar nga historia dhe nga e kaluara jonë që ta shohim turizmin të lidhur me bregdetin, por unë besoj shumë që miniera më e çmuar e turizmit për Shqipërinë është veriu i Shqipërisë dhe aty kur të rritet volumi i investimeve dhe kur të fillojnë edhe hotelet e luksit do të ndodhi një ndryshim jashtëzakonisht i madh dhe do të ketë më shumë tepër të ardhura edhe për njerëzit, por edhe për ata që do të investojnë atje pavarësisht se nuk do të jetojnë atje gjithë vitin.
-U ngritën shumë probleme për veriun, në lidhje me jetën e me turizmin. 30 vjetët e demokracisë unë deri tani i kam parë si ëndërr mashtruese por shyqyr tani drejtësia po vihet në rrugën që duhet. Tokën që kam , nuk e kam marrë. Toka rri bosh me një VKM, kam bërë shumë gjyqe. Kur do ta fitoj unë tokën time, kur unë jam nga Myzeqeja. Tokën e kam në Vanër të Libofshës. Të uroj të gjithë të mirat dhe në rrugën që ke nisur, ne na ke gjithmonë pranë.
Kryeministri Edi Rama: Të kuptoj. Faleminderit! Tani, fatkeqësisht nuk jeni vetëm ju, ka edhe plot të tjerë që kanë probleme me pronësinë mbi tokën. Çështja e pronës në Shqipëri është bërë për shumë vite më parë, një çorap i madh dhe e dini? Në Shqipëri ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër në Europën pas-komuniste. Shqipëria pati regjimin më brutal komunist në Evropë i cili e izoloi Shqipërinë jo vetëm nga Lindja, por edhe nga Perëndimi. Ju e dini shumë mirë se çfarë pushteti kishte ai regjim për të bërë çfarë të donte ,megjithatë ai regjim të gjithë titujt e pronësisë, të gjithë dokumentet e pronës, pasi shtetëzoi çdo pronë, pasi sakatoi çdo pronar dhe pasi ndaloi çdo lloj pronari në çdo lloj forme, i futi nëpër kasaforta hekuri dhe i la siç ishin. Asnjë copë letër nuk mori të djegë, ta grisë apo zëvendësojë. Sigurisht që mbase ata nuk e imagjinuan dot që një ditë komunizmi do të shembej dhe prona do rikthehej si e drejtë themelore në një vend të lirë. Antikomuistët, këta që sot vazhdojnë ulërijnë kundër drejtësisë dhe që dolën me flamurin e kthimit të pronës tek pronarët, i hapën ato kasaforta hekuri dhe i morën letrat e pronave dhe i bënë çorap për llogari të tyre, për llogari të tarafeve të tyre e për llogari të dreqit e të birit, por jo për llogari të pronarëve dhe sa herë është ndërhyrë në ligjin e pronës, aq herë është shtuar konfuzioni.
Ajo që ne sot po bëjmë dhe që është një nga kushtet më të forta dhe më të vështira, më sfiduese për t’u ulur në tryezë si anëtarë të BE, është sistemimi i të gjithë situatës së pronës në një kadastër plotësisht digjitale ku s’mund të bëhet asnjë lloj ndërhyrjeje as nga brenda e as nga jashtë. Ky është një proces jo i lehtë, por gjithsesi edhe këtu kemi bërë progres dhe do të vazhdojmë të bëjmë progres, por plagët e hapura në çështjen e pronës në të shkuarën janë shumë të thella dhe siç keni parë edhe nga ngjarje korrrupsioni të kohëve të fundit, prona është përdorur jo si në mall të babait, po si në mall të vjehrrit pasi i ke bërë mëndje të ndash të bijën, kështu e kanë përdorur pronën. Kështu që ne hap pas hapi po përpiqemi dhe kjo është një tjetër arsye për të vazhduar këtë përpjekje.
-Kam 30 vjet këtu në New York, kam punuar mësuese, këtu punëtore, jam e kënaqur. Kemi pasur lidhje me udhëheqjen tuaj, jemi shumë të lumtur me atë që ju jeni si kryeministër. Vetëm një pyetje kam: për pensionistët në Shqipëri, duhet të mendosh pak më shumë për pensionistët se janë shumë keq, po për vete unë jam në rregull. Shumë faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit që ma bëre këtë pyetje se kjo është pyetja që bëhet përditë në Shqipëri dhe ky është pengu i madh edhe për mua, edhe për ne, flas si forcë politike që është ende i pashlyer dhe që ka të bëjë me pensionistët. Tani, kjo nuk është një çështje ‘’mendo pak më shumë për ata’’, sepse për hir të së vërtetës ne, unë personalisht mendoj më tepër për ata sesa për këdo tjetër sepse aty e shohim që çfarëdo që të themi ne, çfarëdo progresi të kemi bërë, sido që t’i kemi rritur shifrat e ekonomisë, nëse nuk e çojmë rritjen ekonomike dhe tek ata, misioni ynë nuk është i përmbushur, sepse nga rritja ekonomike kanë përfituar të gjithë në Shqipëri përveç atyre, përveç pensionistëve.
Sot të gjithë kanë paga shumë më të larta, e thashë në sektorin publik e kemi çuar pagën mesatare 900 euro, po të shikoni rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar ose GDP siç e dëgjoni ju këtu në Amerikë, ne kemi rritjen më të lartë në të gjithë rajonin në raport me vetveten; po kështu të ardhurat për frymë etj. Mirëpo kjo rritja nuk ka vajtur akoma tek pensionistët dhe për këtë ne jemi duke u përpjekur aktualisht, por ama janë ca gjëra që duhet të kuptohen. Pse? Dhe duhet të kuptohet dhe çfarë bëjmë ne aktualisht se nuk është çështja që nuk bëjmë gjë aktualisht.
Pensionet ndryshe nga pagat, ndryshe nga të gjitha shpenzimet e tjera të shtetit janë të lidhura drejtpërdrejtë më kontributet e sigurimeve shoqërore të atyre që janë në punë dhe duke qenë se në vite, nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, hendeku është bërë shumë i madh. Pensioni që dikush merr sot, është faktikisht shuma e kontributeve që dikush tjetër paguan po sot nga paga dhe nëse ai dikushi tjetër nuk e paguan, atëherë pensionin duhet ta mbulojë shteti nga taksat. Aktualisht që flasim ne mbulojmë gjysmë miliardi euro çdo vit për të paguar pensionet sepse ndryshe nuk del, nga sigurimet. Mos harroni që një numër i madh shqiptarësh që kanë shkuar jashtë, nuk kanë paguar më sigurime shoqërore në Shqipëri. Dhe me të drejtë, kthehen dhe thonë ne duam të marrim pensionin dhe kur shohin pensionin thonë, po si ka mundësi, unë punova gjithë jetën çfarë është ky pension.
Për këtë arsye, ne kemi bërë gjithë këtë përpjekje, e kemi gjetur vendin para 10 vjetësh vetëm me një marrëveshje pensionesh, dhe sot kemi mbi 20 marrëveshje, dhe kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshjen me Italinë që ishte më e vështira për të bërë të mundur që të gjithë ata që kanë punuar jashtë, të marrin pensionin bazuar në sigurimet shoqërore që kanë derdhur jashtë, plus sigurime shoqërore që kanë derdhur në Shqipëri, kur kanë punuar në Shqipëri. Pra, nuk është çështja se do qeveria apo s’do qeveria. Çështja është e mundësive që kemi për të rritur pensionet në mënyrë domethënëse. Ajo që po bëjmë, është se që nga fundi i këtij viti, të rrisim në mënyrë të ndjeshme bonusin e fundvitit që dikur kur ne erdhëm në qeveri, ishte 30 mijë lek ose 3 mijë lekë të reja, aktualisht është 5 mijë lekë të reja, 50 euro, dhe këtë duam ta rrisim në mënyrë të ndjeshme, ndërkohë që duam të fillojmë një plan rritjeje, duke menduar që të vendosim një kusht me ligj, që për çdo pwrqindje të rritjes ekonomike të vendit, një pjesë e rritjes ekonomike, t’i shkojë drejtpërdrejt pensionistëve. Ky është plani.

Konkretizimi i këtij plani kërkon edhe pak kohë për ta shpallur, pastaj kërkon dhe disa vjet për t’u bërë. Por të gjithë ata që thonë na jepni votën se do t’i bëjmë pensionet nga 400, 500, 600, do t’i bëjmë 700, 800 ata janë e njëjta mendje pavarësisht se si e kanë fytyrën, më të vjetër, më të re, më të freskët, më të lodhur, që e ka marrë Shqipërinë në qafë, në gjitha vitet e mëparshme, se nëse reformat që ne kemi bërë, të tjerët do i kishin bërë, jo që në 91-shin, por të paktën në fillim të vitit 2000, sot do të ishim duke bërë biseda të tjera, por askush nuk mori përsipër reforma të vërteta. I lanë shqiptarët të mësoheshin me vjedhjen e dritave, me mospagimin e dritave, i lanë shqiptarët të mësoheshin me mospagimin e taksave, i lanë shqiptarët të mësoheshin me mospagimin e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, i lanë shqiptarët të ndërtonin pa leje ku të donin, madje i inkurajonin. I mësuan shqiptarët që të gjithë llojet e paligjshmërive mund të amnistoheshin mjafton të votoje për partinë në pushtet dhe praktikisht, shkatërruan çdo qelizë në tru që donte shtet. Kjo që po bëjmë ne, është të ndërtojmë deri në fund shtetin dhe vula e këtij ndërtimi të shtetit është anëtarësimi në Bashkimin Europian sepse aty s’të pranon njeri pa shtet dhe përgjigjja e drejtpërdrejtë për zonjën e për të gjithë ata që janë të interesuar për temën e pensioneve, është që po ne do të bëjmë diçka të ndjeshme dhe të rëndësishme për t’i përfshirë pensionistët në gjithë këtë hapësirë të rritjes ekonomike.

-Përshëndetje. Një problem që do të ngre është për fëmijët që lindin në Amerikë dhe kanë vështirësi të regjistrohen në Shqipëri dhe ku qëndron problemi. Prindi i fëmijës, pasi merr certifikatën e lindjes, e noterizon, merr vulën apostile dhe shkon në Shqipëri, në zyrën civile. Punonjësja i nxjerr problem sepse certifikata kopje, e noterizuar dhe me vulë apostile nuk vlen. Duhet certifikata origjinale.

Kryeministri Edi Rama: E kuptova. Ta jap përgjigjen. Se e kam përgjigjen që mos lodhesh. Ju e keni jetuar të paktën ata që kanë këtu më shumë se 10 vjet kohën që për çdo gjë që ju lidhte me shtetin shqiptar, duhet të vinit në Shqipëri. Për çdo gjë. Sot nuk është më kështu. Sot keni platformën e-albania ku shumë shërbime mund t’i merrni drejtpërdrejt pa lëvizur fare nga vendi, njësoj sikur të jeni me banim në qendër të Tiranës. Ka mbetur vetëm një pjesë e shërbimeve konsullore, të cilat janë akoma dhe ky është një nga shërbimet, me kushtin që hajde në Shqipëri se duhet certifikata origjinale, se duhet të të shoh në sy, se duhet të ma bësh me sy e të tjerë. Jemi duke e zgjidhur dhe këtë dhe besoj që me fillimin e vitit të ardhshëm, besoj në janar, edhe këtë do mund ta bëni nga këtu, pa pasur nevojë për certifikata, e për vula, e për firma origjinale, dhe çdo shqiptar, kudo ku është shtetin e vetë shqiptar, do ta ketë në telefon për çdo shërbim, njësoj si shqiptarët që jetojnë në Shqipëri.

Kështu që, do bëni durim dhe pak muaj dhe Viti i ri do vijë me nipin a mbesën të regjistruar. Kjo është një arsye që t’i nxisësh të bëjnë dhe nipa e mbesa të tjerë, se i regjistrojnë menjëherë.

– Disa herë është bërë kërkesë për kthimin e eshtrave të Fan Nolit në Shqipëri. Kemi lexuar dhe nëpër media. Çfarë mund të bëhet dhe a është në program?

Kryeministri Edi Rama: Problemi është që Fan Noli, ju e dini shumë mirë, është ati i gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan, është themeluesi i Kishës Autoqefale e të tjera dhe nuk është e lehtë, nuk është e lehtë për t’i kthyer eshtrat në Shqipëri. Ne jemi në disa përpjekje për disa nga figurat kryesore tonat që i kanë eshtrat jashtë atdheut, por janë disa figura që edhe vendet që i kanë duan t’i mbajnë edhe për pjesën e tyre kështu që nuk është e lehtë. Por, ne do të vazhdojmë të përpiqemi.

Ju falënderoj shumë dhe përpara sesa t’ju lë të lirë, dua të them edhe dy fjalë, lidhur me diçka që tha ai patronazhisti jonë që doli këtu lidhur me çfarë thuhet në Shqipëri “Edi Rama nuk mundet me votë” “Ne duhet të dalim në rrugë” etj.

Unë besoj shumë që çdo shqiptar që vepron me logjikën e vet dhe jo me tifozllëk e jo me çfarë i thotë partia, çfarë i thotë krushqia e çfarë i thotë historia e lexuar gabim, e ka shumë të qartë që kjo përpjekje nuk është përpjekja personale e imja, nuk është përpjekja e një partie. Kjo është një përpjekje shqiptare për ta nxjerrë përfundimisht, pa kthim, Shqipërinë nga errësira e historisë dhe nga të gjitha hijet e paragjykimeve dhe të nënvlerësimeve nga të huaj.

Ne gjithmonë na kanë parë si emigrantë pa letra në Europë, ne gjithmonë na kanë trajtuar si një vend ku nuk ka arsye për të pasur respekt dhe nga ana tjetër, na është dashur shumë përpjekje që të fillojmë ta nxjerrim Shqipërinë në dritën që meriton dhe për mua, kryesorja e kryesoreve është, në fund të ditës, të gjitha të tjerat do të kërkojnë kohën e tyre, do të kërkojnë mundimet e tyre etj, por një gjë, ne shqiptarët pavarësisht bindjeve, pavarësisht simpative, pavarësisht vendit ku jetojmë, nuk duhet ta negociojmë por duhet ta vendosim midis nesh dhe çdo të huaji që kemi përballë që është Krenaria.

Ne krenarinë për Shqipërinë duhet ta bëjmë kartëvizitën e vendit tonë, shtetit tonë dhe të çdokujt që ka një pasaportë shqiptare apo një pasaportë amerikane ku thuhet “Kombësia Shqiptare” sepse duke vendosur këtë si kushtin e panegociueshëm me çdo fqinj, me çdo mik, me çdokënd që na sheh nga larg apo që nuk na e do të mirën, mbase, ne kemi vendosur gurin e themelit për një shtëpi krenare dhe të sigurt për të gjithë brezat që vijnë.

Kjo nuk është çështje fiton ky apo fiton ai. Kjo është çështje “Me Shqipërinë krenare apo me një Shqipëri kokulur” dhe unë besoj se Shqipëria krenare është aspirata e çdo shqiptari që flamurin kuqezi e ka në zemër edhe kur nuk e ka në shtëpi dhe Shqipërinë dhe emrin shqiptar ka dëshirën që jo vetëm ta thotë me forcë dhe të tjerët ta shohin me respekt, por edhe tua lërë fëmijëve të vet si një emër për të cilin çdo fëmijë i këtij vendi duhet të jetë krenar.

Kjo është arsye pse unë jam këtu!

Kjo është arsyeja pse unë besoj që shumica e shqiptarëve do të vazhdojë të shkojë në këtë rrugë. Çdo rrugë tjetër është rruga e të qëndruarit me kokë ulur siç kemi qëndruar deri kur filluam të ngremë kokën dhe sot na dëgjojnë, na respektojnë dhe na pranojnë në çdo tryezë, në çdo forum, kudo ku ngrihet flamuri i Shqipërisë e dinë se flamuri i kujt është dhe e shohin me respekt.

Faleminderit!