Zerina Bruci
![](https://ps.al/wp-content/uploads/2024/12/WhatsApp-Image-2024-12-09-at-1.38.20-PM.jpeg)
Znj. Zerina Bruci ka mbajtur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë,
Kulturës dhe Inovacionit (Janar – Maj 2024) dhe në Ministrinë e Kulturës nga viti 2022 deri
në vitin 2024. Në këtë detyrë, znj. Bruci ka luajtur një rol të rëndësishëm në energjizimin e kapitalit
social, financiar dhe ligjor duke promovuar modele të reja të zhvillimit institucional, sektorial dhe
ndërinstitucional me qëllim faktorizimin e rolit të kulturës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror
të vendit. Gjatë kësaj periudhe, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtar si AADF, CHwB,
UNOPS, TiKA, AICS, etj., u realizuan investimet infrastrukturore më të rëndësishme të dekadës
së fundit në institucionet e artit dhe kulturës dhe u projektuan modele inovative të menaxhimit,
mbrojtjes dhe promovimit të siteve e monumenteve të trashëgimisë kulturore për rrjetëzimin e
tyre rajonal. Znj. Bruci ka qënë anëtare e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.
Në periudhën 2019-2022, Znj. Bruci ka qënë e angazhuar pranë Kryeministrisë, fillimisht si pjesë
e programit të leadershipit “LEAD Albania” dhe më vonë si Koordinatore për Zhvillimin
Ekonomik. Kjo periudhë u karakterizua nga sfidat e menaxhimit të tërmetit të vitit 2019 dhe
pandemisë globale COVID – 19. Znj. Bruci koordinoi punën për identifikimin, ngritjen dhe
fuqizimin e kapaciteteve përballuese të sfidave në institucionet e qeverisjes qëndrore dhe
institucionet e varësisë së Kryeministrisë për të siguruar mbarëvajtjen e punës në kushtet e reja të
diktuara nga këto dy kriza. Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e përpjekjeve për
përshtatjen e punës online gjatë muajve të parë të COVID-19 dhe monitorimin e përgatitjeve të
institucioneve në fazën e parë të implementimit të ofrimit të shërbimeve online ndaj qytetarëve.
Në bashkëpunim me SIGMA, Znj. Bruci ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin
e sistemit të koordinimit ndërinstitucional të punës midis Sekretarëve të Përgjithshëm të ministrive
në planifikimin dhe zbatimin e prioriteteve rregullative, buxhetore dhe investimeve publike.
Më parë, Znj. Bruci ka mbajtur pozicionin e Koordinatores për Shqipërinë pranë Qendrës për
Zhvillim Ndërkombëtar (CID) në Universitetin e Harvardit për projektin “Rritja e aftësive për
zbatimin e strategjisë të rritjes ekonomike në Shqipëri” ku ka kontribuar në hartimin e kornizave ligjore
dhe institucionale për krijimin e zonave të veçanta të Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik në
Shqipëri.
Znj. Bruci është kthyer në Shqipëri pas një eksperience disa vjeçare jashtë vendit ku ka qenë e
përfshirë në ekosistemin dhe politikbërjen në inovacion. Ajo ka mbajtur pozicionin e Analistes së
Investimeve në “Plug and Play Tech Center”, Silicon Valley, USA dhe Valencia, Spanjë; të
Konsulentes CEMS në “Ernst and Young”, Dyseldorf, Gjermani dhe është autore e studimit “Modeli
i Heliksave të Trefishta për nxitjen Inovacionit: Mundësitë dhe sfidat për Shqipërinë” në bashkëpunim me
GIZ, Shqipëri.
Znj. Bruci ka përfunduar me sukses dy Programe Ekzekutive në Universitetin e Harvard, “A
Cutting Edge of Development Thinking” (2019) dhe “Leadership and Character in Uncertain Times” (2020).
Ajo është diplomuar në Ekonomiks dhe Administrim Biznesi me vlerësimin “Magna Cum Laude”
në Universitetin Amerikan në Bullgari dhe mban Diplomën Master Shkencor në Menaxhimin
Ndërkombëtar nga Universiteti i Këlnit (Gjermani) dhe Universiteti i Vjenës (Austri). Gjithashtu,
Znj. Bruci ka qenë pjesë e programeve ndërkombëtare të ofruara nga Këshilli i Evropës, Kombet
e Bashkuara, Joint Vienna Institute, Instituti Evropian i Administratës Publike, etj.