Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në takimin me vajzat dhe gratë socialiste të Vlorës:
Shumë faleminderit!
Është kënaqësi e posaçme dhe ju këtë e dini shumë mirë që sa herë vijnë zgjedhjet më jepet mundësia të vij në këtë pallat sporti, i cili këtë herë është i jashtëzakonshëm, sepse është i përmbushur plot e përplot me gra dhe vajza që janë pararoja e rrugës sonë drejt 11 majit dhe që janë garancia, se në 11 maj ne do të marrim rezultatin e duhur për Shqipërinë me BE-në, në Europë dhe larg Shqipërisë përsëri mbrapsht në gropë.
Dhe kur flasim për gropën këtu në Vlorë, ju dhe sidomos ata që e kanë jetuar si prindër katastrofën e vitit ’97 e dinë shumë mirë se për çfarë flasim.
Dhe nuk është aspak e ekzagjeruar të flasësh sot, fatkeqësisht përsëri për katastrofën e atij viti që përvëloi Vlorën edhe që këtu në Vlorë hapi edhe plagën më të madhe, sepse është i njëjti personazh, i njëjti shkaktar, i njëjti fajtor që përsëri vjen vërdallë, edhe pse tanimë herë me mendjen nw vend, e herë me mendjen diku tjetër, për të kërkuar nga shqiptarët votën thjeshtë dhe vetëm për hallin e tij krejt personal.
Dhe unë besoj që të gjitha ju që jeni këtu sot, ashtu si të gjithë të tjerët që e ndjekin në të përditshmen e vet këtë përballje, këtë ballafaqim, jeni sot të habitura nga fakti që janë paguar 6 milionë euro. Është bërë një kontratë 6 milionë euro, thuhet nga patriotë, iu kujtohet që edhe herën e kaluar, Luli i shkretë për 500 mijë u bë leckë, edhe ai kështu tha: U mblodhën ca patriotë. Po 6 milion euro për të hequr damkën e një personi non grata janë vërtet shumë për të mos bërë pyetjen; Ku u gjetën gjithë ato para? Dhe si mundet që thjeshtë dhe vetëm per hallin e një njeriu të paguhen më shumë para sesa çfarë shteti shqiptar jep për të gjitha partitë politike të marra së bashku.
Pastaj është dhe pak e çuditshme kur mendon që ne na u tha se sa të vinte Trump do ikte non grata, tani u dashkan edhe 6 milionë euro, me shpresën që do iki non grata.
Por edhe sikur të rrijë dhe sikur të iki, kjo nuk është çështja më e shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe të shqiptareve që janë sot në një moment historik dhe që duhet të marrin një vendim historik.
Sepse në 11 maj, nuk është një zgjedhje mes dy kampeve politike, absolutisht jo! Është një zgjedhje mes Shqipërisë me BE-në në Europë dhe të interesit kombëtar të një populli të tërë dhe hallit privat të një 80 e kusur vjeçari që vazhdon të provojë të bëjë çorap Shqipërinë. Është një zgjedhje midis të mirës së përbashkët të të gjithëve, pa dallim, pa dallim bindjesh politikë e pa dallim përkatësisht partiake, sepse bëhet fjalë për mundësinë e madhe që na është dhënë ne.
Ne fati na e ka sjellë që me një votë të bëjmë, jo vetëm një zgjedhje, por dhe një investim historik dhe interesit të një të një grushti shumë të vogël njerëzish, të vogël sa një familje e vetme, një familje që nuk mban dot lidhur një 80 e kusur vjeçar, që vjen vërdallë dhe flet përçart dhe kërkon të marri zvarrë Shqipërinë.
Në fund fare, kjo është një zgjedhje shumë e qartë mes të qenit tifoz me një palë, apo tifoz me një palë tjetër, apo të qenit një qytetar apo qytetare e një vendi që sot ka mundësinë të të japë ty personalisht statusin e qytetarit apo qytetares europian, edhe është vërtetë kështu.
Tani ndër shumë gjëra që thuhen, unë besoj se këtu në Vlorë e kam lënë për Vlorë ta jap përgjigjen për pyetjen; po ç’është ky hall i madh që bredh Edi Rama nëpër Shqipëri dhe mbledh vetëm gratë? Që ta kuptojnë, që ta kuptojnë të gjithë ata që nuk e dinë se si funksionojnë ne dhe nuk e dinë se si jemi ne të organizuar në familjen tonë të madhe politike, dua t’ia them nga Vlora; Që çfarë shikoni këtu në këtë sallë
nuk janë gra dhe vajza të mbledhura për të duartrokitur, por janë trupa që udhëheq betejën tonë për të fituar mendjet e zemrat e njerëzve në të gjithë qarkun e Vlorës dhe kjo nuk i përjashton aspak burrat dhe djemtë. Por ama nga ana tjetër, ky është superioriteti ynë. Sepse vetëm me gratë e pararojës, ne mbushim më shumë një sallë si kjo, se sa ata tjerët, me të tërë kashtën e kokrrat e tyre.
Tani vijmë tek tjetra. Keni dëgjuar se është shumë e çuditshme bëjnë sondazhe, pasqyrë më pasqyrë, moçal më moçal, se ashtu janë moçalet edhe në të gjitha sondazhet del që ne jemi, jo vetëm në krye, por që shumica dërrmuese e shqiptarëve na beson dhe do tw na votojë. Madje, madje, edhe një pjesë e atyre që nuk do të na votojnë, kur i pyet kush do të fitojë? Thonë, fiton Partia Socialiste.
Dhe është shumë interesant që pastaj, mbasi dalin sondazhet, fillojnë komentet dhe në komente çfarë nuk dëgjon.
“Populli është i sëmurë. Këtu mesa duket janë çmendur të tërë. Nuk ka mundësi që ky popull të mos reagojë ndaj një qeverie që ka 12 vjet sepse kjo qeveri duhet të ishte konsumuar”, etj. Dhe tek kjo e konsumit, se për atë që “populli është i sëmurë, populli është i çmendur “përgjigja ime është dhënë por edhe është keqinterpretuar. Unë mendoj që kush thotë e ka fajin populli, pse mendon ndryshon nga unë eshte thjeshtë çyryk. Më interesantja është që nuk do gjeni, shikojeni me kujdes, çuditërisht këto konkluzione nuk i arrin asnjë grua, i arrijnë vetëm burrat. Që “populli është i sëmurë, populli është i çmendur, populli nuk kupton”. Këta burrat që rrinë shtrirë në ato moçalet e natës dhe i futen njerëzve nëpër shtëpi duke bërë analizat e tyre, duke dhënë me demek opinionet e tyre. Që u bënë më shumë se 12 vjet që na janë qepur dhe sa më shumë ata na qepen, aq më shumë ne i shqepim. Ndërsa kjo e konsumit është shumë interesant. Si ka mundësi që një forcë politike vazhdon rri në pushtet, kjo i bie që ne nuk jemi demokraci. Tani, në Gjermani që është demokraci shumë e zhvilluar 4 mandate kanë ndodhur dhe nuk ka ndodhur një herë, ka ndodhur disa herë. Por nuk është kjo çështja. Çështja është që në ato moçale nuk flitet për Shqipërinë reale, në ato moçale nuk keni për ta dëgjuar kurrë siç nuk e keni dëgjuar që nga kur ne morëm detyrën, prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Shqipërisë ishte më pak se 10 miliardë, sot është 25 miliardë dhe në Shqipërinë 2030 ne synojmë ta çojmë në të paktën 33 dhe projeksioni ynë është 35 miliardë apo në ato moçale as kemi për ta marrë vesh kurrë dhe se merr vesh njeri që të ardhurat për frymë në Shqipëri kur ne kemi marrë detyrën ka qenë pak më shumë sesa 3000 euro, sot janë 10 400 euro dhe ne do i çojmë në 15 000 euro.
Apo paga mesatare, e kështu me radhe. Apo një tjetër shumë interesante, kur ne morëm detyrën 57% e njerëzve që punonin, jetonin me pagë minimale. Sot janë vetëm 14% që jetojnë me pagën minimale.
Dhe të gjithë këto sigurisht që njërezit i dinë, ata të sëmurët, ata të çmendurit, ata që nuk mbushin sipas këtyre, i dinë sepse kur iu thua mësueseve që paga juaj mesatare sot është 950 euro ato e dinë sepse e marrin. Kur iu thua sot të punësuarve që paga juaj mesatare e përgjithshme mes sektorit publik dhe atij privat është 848 euro, matja e fundit kjo, ata e dinë se ata e marrin.
Kur iu thua nënave të reja që mbi çerek milion bebe kanë marrë bonusin e bebes ato e dinë se ato e kanë marrë dhe kështu me radhë.
Ka shumë fakte që njerëzit i dinë sepse jetojnë me to. Apo kur thua që sot në qarkun e Vlorës janë investuar në infrastrukturën rurale më shumë sesa në të gjitha vitet e mara së bashku dhe 95% e banorëve të zonës rurale të qarkut të Vlorës kanë akses në infrastrukturë të rindërtuar, ata e dinë sepse ata e kanë rrugën.
Kështu mund të vazhdoj e mund të vazhdoj me faktet. Por Shqipëria e fakteve nuk është në ekrane, Shqipëria e fakteve nuk është në portale, Shqipëria e fakteve nuk është kënetën politike dhe mediatike të Shqipërisë. Ashtu sikundër, unë di t’ju them që ne në Vlorë, në gjithë qarkun kemi bërë investime masive, pa diskutim që arsyeja pse jam këtu sot dhe pse ju them që të vazhdojmë së bashku është se jam i vetëdijshëm që ka akoma shumë për të bërë.
Një pikë tjetër që është shumë e rëndësishme është kur iu thonë “si mundet, si ka mundësi të votohet dhe të kërkojë votën një forcë politike që gjysmën e ministrave e ka në burg, gjysmën tjetër e ka në hetim. Dhe duket në të vërtete sikur ne jemi një forcë politike që qeverisim dhe papritur e pa kujtuar na kanë rrethuar luftëtarët e drejtësisë që erdhi nga qielli si një prurje përmes një ushtrie engjëjsh dhe shpatarësh që po përpiqen të shpëtojnë Shqipërinë nga ne. Por ajo që njerëzit dinë dhe që ata që i përdorin këto argumenta nuk kuptojnë pse njerëzit nuk i hanë këto është shumë e thjeshtë, jo thjeshtë se ne s’kemi gjëkundi gjysmën e qeverisë në burg si fillim por nuk po i hyj kësaj ane të argumentit, po i hyj anës tjetër.
Njerëzit dinë që jemi ne, është kjo forcë politike, është vendosmëria e kësaj fuqie të madhe të partisë më të madhe të shqiptarëve që ka hapur rrugën për diçka që nuk ka ekzistuar në jetën e shtetit shqiptar që në 1912-ën. Vërtetë Shqipëria u pavarësua nga perandoria këtu në Vlorë por Shqipëria pati të gjitha format e regjimeve.
Pati fillimisht republikë, pastaj mbretëri, pastaj diktaturë, pastaj tranzicion demokrat dhe në të gjitha këto regjime në më shumë se 100 e kusur vite, Shqipëria nuk pati kurrë asnjë shenjë të barazisë para ligjit. Asnjëherë, qoftë në mbretëri, qoftë në diktaturë, qoftë në tranzicion shqiptarët nuk e panë një njeri të pushtetshëm që të shkojë përpara një prokuroi të pavarur dhe të gjykohet nga një gjykatës i pavarur. Kurrë!
Ne jemi këtu sot dhe unë jam shumë krenar që nëse Shqipëria sot po bën sprovën e parë të barazisë para ligjit, kjo po ndodh vetëm si rezultat i vizionit, i vendosmërisë dhe i dëshirës sonë të jashtëzakonshme që më në fund Shqipërinë ta bëjmë anëtare të familjes së bashkuar europiane, ku barazia përpara ligjit është kushti themelor dhe i patjetërsueshëm i bashkëjetesës.
Prandaj i kam thënë dhe të tjerëve në raste të tjera, sot çdo shqiptar e çdo shqiptare që merret me politikë e që ndjek lajmet e di se kush është Altin Dumani, të gjithë e dinë apo jo? Një prokuror i ndershëm, një prokuror profesionist dhe një prokuror kurajoz, e dinë të gjithë, por pyetja që kam unë është “A e dini ju që Altin Dumani nuk lindi para disa vitesh si prokuror?” Wshtë një prokuror me shumë vite në karrierë, ka qenë prokuror dhe vite më parë dhe sigurisht ka qenë po ky që është sot, ka qenë i ndershëm patjetër, profesionist patjetër, kurajoz patjetër. Atëherë pyetja tjetër që vjen është “Si ka mundësi që ky njeri që në sytë e shumë njerëzve sot është një personalitet i respektuar nuk e thirri një politikan, nuk e thirri një zyrtar të lartë njëherë në gjithë ato vite karrierë ta thërriste e t’i thoshte “Hajde këtu. Shiko se kam disa pyetje për ty se ke bërë diçka që mua më duket se nuk shkon”?
Asnjëherë nuk ndodhi. Ky është po ai njeri, por ama Shqipëria nuk është po ajo që ishte, ky është po ai njeri, por ama drejtësia në Shqipëri nuk është ajo që ishte. Altin Dumani dhe të tjerët prokurorë apo gjykatës që kaluan vetting-un dhe janë bërë pjesë e këtij momenti të ri të drejtësisë aty ishin, por ishin të çarmatosur sepse drejtësinë e përdorte si armë pushteti politik dhe ajo shpata e drejtësisë që rri në duart e zonjës së drejtësisë në atë simbolin e famshëm, qysh prej 1912 dhe deri kur ne ndërmorëm reformën në drejtësi ishte tek zyra e të parit të qeverisë, nuk ka qenë kurrë në duart e një prokurori apo një gjykatësi.
Ajo që bëri Partia Socialiste, ajo që bëmë ne së bashku, ajo që bëri shumica jonë në parlament dhe në qeveri falë mbështetjes që mori nga populli është historike.
Ne, me vullnet të lirë, i dorëzuam shpatën drejtësisë dhe natyrisht, duke i dorëzuar shpatën drejtësisë, ne morëm përsipër edhe të gjitha kostot që do vinin sepse çarmatosëm veten nga një armë, që nuk i takon pushtetit politik në një sistem demokratik, nga një armë, që nëse e ka pushteti politik, nuk të lë të kesh barazi përpara ligjit.
Tani, unë jo vetëm që nuk kompleksohem kur flasin këta çyrykët “Kaq në burg e aq në burg”, por përkundrazi, unë them se kjo është arsyeja kryesore pse shqiptarët edhe përtej kufijve të partive duhet të mbështesin këtë forcë politike sepse barazia përpara ligjit nuk është e garantuar, ka filluar përpjekja, por mund të kthehet mbrapsht shumë kollaj.
Sot për sot, i vetmi garant për këtë është Partia Socialiste e Shqipërisë, ama unë ju them të gjithë atyre që kanë një votë dhe në radhë të parë u them prindërve, u them nënave dhe baballarëve të gjithë fëmijëve shqiptarë, të fëmijëve të vegjël “Nëse doni t’u jepni fëmijëve tuaj një gjë që prindërit tanë nuk na e dhanë dot, një gjë që prindërit nuk ua dhanë dot prindërve tanë, e kështu me radhë, keni mundësinë ta bëni, duke ju dhënë pasaportën europiane” dhe ajo pasaportë europiane vjen si rezultat i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është e vetmja garanci, jo për sot, por përgjithmonë, që le të vijë kush të dojë në qeveri në Shqipëri, nuk e cënon dot më barazinë përpara ligjit, përndryshe do t’ia lëmë fatit, fatit që ne themi që fati me ne shqiptarët nuk ka qenë shumë bujar, por unë mendoj që më shumë sesa fati, për ne shqiptarët problem ka qenë vetja jonë.
Çfarë i kemi bërë ne vetes, as armiqtë më të mëdhenj nuk na e kanë bërë sepse edhe në ’97-ën firmat piramidale dhe shkatërrimet e ’97-ës nuk na i bëri asnjë armik i jashtëm, na i bëri vetja përmes përfaqësuesve tanë më të këqinj.
Kështu që, prandaj në 11 maj duhet menduar shumë përtej 4 viteve të ardhshme, prandaj në 11 maj unë kam një mesazh për vlonjatët dhe nuk e kam as për sarandiotët, as për himariotët, as për delvinjotët, aq për konispolasit, as për finiqotët, as për seleniciotët, e kam për vlonjatët dhe jua them vlonjatëve të gjithëve në sy;
“Gjithë Shqipëria ka probleme, të gjitha qytetet e Shqipërisë kanë problem, por nëse të gjitha qytetet e Shqipërisë kanë bërë përparimet e tyre, unë po ju them që në çdo qytet që unë shkoj, gjëja që më thonë është, A do bëhet dhe qyteti ynë si Vlora? Unë e di që Vlora nuk është vetëm Lungomare, unë e di që Vlora nuk është vetëm Muradija, unë e di që Vlora nuk është vetëm bulevardi, unë e di që Vlora nuk është vetëm Kumja apo lagjet e tjera që janë transformuar, unë e di që Vlora ka akoma zona brenda saj ku duket sikur nuk ka ardhur akoma ndryshimi.
I di këto shumë mirë por unë di dhe një gjë tjetër. Nëse ka zgjedhës burra dhe djem në radhë të parë në Republikën e Shqipërisë që në ditën e votimit duhet të çohen dhe të shkojnë të votojnë dhe të mos ia lejojnë vetes që të mos marrin pjesë në votim, por të shkojnë të votojnë, janë burrat dhe djemtë e Vlorës dhe pastaj patjetër dhe gratë dhe vajzat sepse nëse doni më shumë për Vlorën, atëherë unë dua më shumë nga Vlora në 11 maj”.
Dhe unë kam bindjen absolute që nëse Vlora përtej të gjitha të tjerave, përtej ujësjellësave, kanalizimeve, gjelbërimeve, ndriçimeve e të gjitha ça janë, mbahet për sensin e historisë dhe nëse të gjithë ju, burra dhe djem të Vlorës, keni dëshirë të flisni për Ismail Qemalin e të këndoni këngët e heroizmave tuaja, atëherë duhet të provoni që sensin e historisë e keni dhe sot kur në 11 maj shqiptarët shkojnë në takim me historinë, jo me partinë.
Do të ishte, dhe një gjë tjetër në fund fare, në 11 maj PS do fitojë në gjithë Shqipërinë dhe po ju them në 11 maj në disa qarqë do të thyejë rekord. Tani, unë mendoj që në zgjedhjet për Europën, në zgjedhjet për të bërë Shqipërinë anëtare të BE brenda 2030, nëse Vlora nuk thyen rekord, ky do jetë turpi i të gjithë atyre burrave që nuk do të shkojnë në votime.
Kjo është ajo që kam unë për burrat e Vlorës, për ata që akoma rrinë e diskutojnë, rrinë e diskutojnë. Se nuk po i hyj fare tani të flas për Leskon se mendoj që nuk ia vlen fare, as nuk hyj fare të flas për kënetën e për bufin e kënetës se nuk ia vlen fare, por mendoj dhe po e mbyll këtu, që ju, të dashura shoqe, motra, zonja duhet ta merrni përsipër Vlorën, ta merrni në krahë, të mos lini shoqe e fqinje, e krushkë pa çuar në votim dhe të mos lini edhe grua e vajzë demokrate pa folur dhe e para socialiste e progresistë, djem e burra duhet ta ndjejnë detyrë që të votojnë; e dyta, ata që janë të pavendosur le të vendosen bashkë me ne tek numri 5 dhe e treta pastaj, ata që nuk mbushin fare, le të shpresojmë që gratë e tyre do t’i vënë në gjumë atë ditë që të mos shkojnë fare të votojnë.
Shumë faleminderit!
Rroftë Vlora, rrofshin gratë dhe vajzat e Vlorës!
Shumë faleminderit!