Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në takimin me skuadrën e PS në Elbasan

Unë nuk besoj se kam pasur ndonjëherë kandidatë për deputetë, që janë prezantuar tre here, kështu që, kjo tregon sa të rëndësishëm dhe sa të vlerësuar jeni të gjithë, sidomos Sara që e kemi edhe kandidate për kryeministre të Shqipërisë 2040.

Shumë faleminderit edhe dua të falënderoj edhe kryetarët që janë këtu të pranishëm se besoj që janë të rëndësishëm gjithmonë për vlerësimin e PS nga komuniteti edhe dua të ndaj me ju disa mesazhe që ma ha mendja është e rëndësishme të jenë në qendër të komunikimit tonë në të gjithë territorin me të gjithë qytetarët. Pa diskutim që, çdo gjë që lidhet me jetën e përditshme të qytetarëve, që lidhet me jetën e përditshme të komuniteteve të kategorive të ndryshme është shumë e rëndësishme. Pa diskutim që të gjitha punët e bëra në infrastrukturë, qoftë në infrastrukturën rrugore, qoftë atë urbane, qoftë atë rurale, qoftë në infrastrukturën e shërbimeve arsimore, shëndetësore, qoftë në të gjitha aspektet e tjera, është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe pa diskutim që dhe në qarkun e Elbasanit volumi i punëve të kryera dhe kombinimi i investimeve mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor është më i madhi ndonjëherë në gjithë këto 35 vite, por përtej faktit që pa diskutim ne do të kemi mesazhe të drejtpërdrejta për të gjithë grupet e interesit, për të gjitha moshat, mesazhi më i rëndësishëm dhe momenti më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve është përtej të gjithë këtyre dhe është përtej të gjitha këtyre sepse këto zgjedhje përkojnë me një moment të jashtëzakonshëm historic, ku për herë të parë, mundësia e hyrjes në BE të Shqipërisë është, jo vetëm reale, por është aktuale.

Nuk ka qenë deri më sot aktuale, ka qenë reale sepse në vijimësi na është thënë dhe na është konfirmuar dhe rikonfirmuar nga partnerët tanë dhe nga BE dhe nga qeveria e BE që është Komisioni Evropian në Bruksel, që Shqipëria e ka vendin në BE, që Shqipëria një dite do jetë në BE, që ne ju duam në BE, po kjo ka qenë gjithmonë një projeksion në të ardhmen.

Sot ky është një moment ku kjo mundësi është aktuale. Është hapur një dritare qe nuk do të rijë hapur për një kohë të gjatë. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar në radhë të parë nga të gjithë ju dhe pastaj për t’ia bërë të gjithëve të qartë që tani është mundësia për të bërë histori dhe ka përkuar me një palë zgjedhje sepse mund të mos ishin zgjedhjet në mes.

Ne i kemi hapur negociatat vjet dhe objektivi super ambicioz i vendosur dhe i dakordësuar me Komisionin Evropian dhe i dakordësuar me udhëheqësit e shteteve anëtare, me kryesoret unë kam folur personalisht dhe natyrisht përtej asaj që unë kam dëgjuar prej tyre pa fjalën e tyre, komisioni nuk mund ta dakordësonte që në fund të 2027 të mbyllen negociata me Shqipërinë. Pra, fund 2024, fundi i 2027 faktikisht janë 3 vjet.

Mund të mos kishin qëlluar zgjedhjet në mes. Kanë qëlluar zgjedhjet në mes dhe është themelore që zgjedhjet ta konfirmojnë fuqishëm këtë vullnet përtej partive, përtej ngjyrimeve dhe preferencave apo pakënaqësive sepse ky është një objektiv mbi të gjithë ne dhe është një objektiv që nuk realizon rritjen e pagave për një pjesë sot, që është një nga gjërat e fushatës, por realizon kalimin në një nivel tjetër komplet të një populli të tërë, edhe për fëmijët, edhe për më të rinjtë, edhe për ata që s’do votojnë në 11 maj, që janë 14 vjeç dhe që pas 4 vjetësh do jenë 18, do marrin pasaportën. Dhe nëse në 11 maj të gjithë shkojnë në votim me këtë qartësi, atëherë negociata mund të vazhdojnë pa asnjë lëkundje, që do të thotë në 12 maj ne kemi punën tonë, numërimi i votave, komisioni, por ama ata që shkojnë në zyrë ditën e hënë, çdo të hënë për të punuar me negociatat që janë rreth 1000 veta me të gjithë rrjetin e punonjësve të shtetit, nuk duhet të kenë asnjë lëkundje, asnjë luhatje, asnjë shqetësim dhe ata që janë në Bruksel do të marrin mesazhe shumë të qarta që populli shqiptar konfirmoi vazhdimin e negociatave, jo një lëkundje duke futur në mes qoftë edhe një rrjedhje sado të vogël të kënetës apo të moçaleve të vogla që janë krijuar rreth kënetës edhe që i thonë vetes “jemi parti të reja, jemi të rinj, rinia që po vjen me baballarët dhe me tezet në listat e mbyllura’’.

Kjo është esenca e 11 majit dhe kjo kërkon disa sqarime, shpjegime, që janë të nevojshme sepse ka njerëz sot që thonë “hë mo ça është ky muhabet tani, 12 vjet s’na futët në BE, tani do na fusin në BE në mandatin e 4, se e donit mandatin për vete, se as nuk keni për të na futur ndonjëherë në BE, se ne…’’
E para, Serbia ka filluar negociatat në 2014, sot jemi 2025, Serbia është prapa nesh.

Mali i ZI i ka filluar negociatat në vitin 2012. Sot ne e kemi arritur Malin e Zi dhe jemi krah për krah dhe plani është që ne dhe Mali i ZI të hyjmë ne BE dhe BE të japë një sinjal të qartë që po zgjerohet dhe po riunifikohet se ky është qëllim gjeopolitik, prandaj ne jemi sot me fatin evropian që na buzëqesh për herë të parë, konkretisht. Në ‘91-‘92 shqiptarët votuan përtej. Në ‘92 shkuan shumë përtej, megjithëse unë nuk e votova PD as atëherë me thënë të drejtën dhe jam shumë, shumë i qetë se këtu një pjesë nga ju, unë s’votova asnjë në fakt, por votuan për t’u ndarë nga një sistem dhe për t’u futur në një sistem tjetër, pra qe votim gjeopolitik. Për herë të parë kemi një votim gjeopolitik këtë herë. Dhe Maqedonia është bërë kandidate për t’u futur në BE në 2005, sot akoma si kanë hapur negociatat.

Ne i kemi hapur negociatat vjet dhe mund t’i hapim në 2027, që është një shpejtësi marramendëse, sepse ne kemi punuar për këtë ditë. Ju besoj e kujtoni, por do t’ua kujtojmë të gjithëve se kur na thoshin: Komisioni thoshte të futet Shqipëria, çohej Hollanda jo se kemi ca vërejte, se kishin hallin e zgjedhjeve atje, çohej Franca, jo se duhet të reformojmë të gjithë BE-në, pastaj të fillojmë të hapim negociatat me këta të tjerët e na kthenin mbrapsht, tre here, tre vjet rresht na kanë kthyer mbrapsht.

Unë iu thosha: ne do të vazhdojmë punën se kur t’i hapim negociatat të jemi shumë më përpara dhe nuk do të rrimë të presim. Dhe sot pikërisht se ne kemi punuar, pavarësisht se nuk na i kanë hapur negociatat zyrtarisht dhe nuk jemi ulur në tavolinë kemi fituar shumë kohë dhe mund t’i mbyllim në 2027. Do të jetë rekord në të gjithë historinë e integrimit, rekord do të jetë. E filluam nga vrima me fundit e kavallit, nuk na hidhte njeri sytë atëherë, nuk na i hidhte njëri sytë farë, zero. Dhe sot mund të jemi vendi që i ka bërë negociatat më shpejt se të gjithë, tre vjet, nuk ndodh.

Por ama, duhet ta kuptojnë të gjithë që negociatat janë një punë kolosale, janë si faqe, afro 300 mijë fletë, jo që duhen lexuar, po janë ligje, janë vendime, është një kuadër i tërë rregullator dhe janë edhe marrëveshje të vazhdueshme. Nuk ka asnjë mundësi nëse ne lëkundemi në 11 maj, sikur tre muaj të kalojnë me paqartësi, ne nuk e kapim 2027 dhe ne nuk e dimë se çfarë ndodh në Europë.

Atyre u ka ndodhur një tronditje nga gjërat e tjera që kanë ndodhur dhe janë fokusuar tani dhe thonë: “po, po duhet t’i marrim edhe Shqipërinë edhe Malin e Zi brenda tani menjëherë, sa më shpejt në 2027, t’i mbyllim dhe brenda 2030, se mbasi mbyllim negociatat shkojmë pastaj në parlament që ngrenë dorën 27 parlamente dhe thonë e duam Shqipërinë brenda. Që ajo do të jetë një histori emocionesh të jashtëzakonshme, kur të gjithë parlamentet një nga një të ngrenë dorën që të fusin brenda shqiptaret dhe Shqipërinë, që deri përpara jo shumë kohësh, i shihnin, i dinin për njerëz me bisht.

Kështu që, prandaj nuk ka këtu demokrate e nuk ka socialistë. Këtu është momenti në histori kur Partia Socialiste është forca e duhur në kohën e duhur dhe vendin e duhur. Mund të kishte qëlluar Partia Demokratike, siç qëlloi atëherë se unë nuk e votova, se e dija, e shihja, një ditë jam futur vetëm në atë folen, ditën që u shpall te Qyteti Studenti 40 minuta unë ia ndjeva erën, ika.

Por ama ishte partia që qëlloi në kohën e duhur në vendin e duhur dhe s’kishin ku shkon tjetër shqiptaret veç se t’ia jepshin votën asaj partie që të ndryshonin komplet sistemin. Tani, ne këtu shumicën e kemi, po ne na duhet një shumicë shumë më e fortë jo për vete, po për të konsoliduar mesazhin me Bashkimin Europian dhe prandaj dhe mesazhi ynë i Shqipërisë 2030 lidhet me Bashkimin Europian, prandaj dhe gjithë kjo sepse në ndërkohë ata na shohin përditë. Ne jemi me patronazhistë nga mbrapa, se thonë patronazhistët e Partisë Socialiste, s’janë asnjë gjë fare. Patronazhistë që ka Bashkimi Europian që na rrinë nga mbrapa çdo ditë, “e bëtë këtë, se bëtë këtë”. Çdo të hënë, çdo të hënë dy ministret tona të shtetit shkojnë atje edhe ulen atje dhe japin llogari, ca kemi bërë për këtë, ca kemi bërë për atë. Dhe jo cxa kemi bërë vitin e fundit, ça kemi bërë javën që kaloi. Për çdo javë ka punë që bëhen dhe ka llogari që jepet dhe ka edhe detyra që merren, shifeni se këtë nuk e keni bërë tamam, këtë tjetrën mirë, do vazhdoni me këtë tjetrën, çdo javë. Patronazhist! Edhe këtë e ndjekin, e dinë ata nga afër. Dinë për ca po luftojnë ne dhe e dinë patjetër për ca lufton këneta, dinë patjetër e ca janë moçale, etj etje. Dhe në fund do të bëjnë vlerësimin, ça tha populli shqiptar dhe populli shqiptar duhet të na japi ne mundësinë, mua që shkoj e trokas atje derë më derë dhe të gjithëve ne që themi: E patë, ishte votë për Europën, votë për Europën e konfirmuar dhe këtu s’ka rëndësi fare,” jo më pëlqen Edi Rama, s’më pëlqen Edi Rama”, “jo po se ke rruga ime, kanali nuk u bë se u bë kanali i atij tjetrit, jo po se Arifi nuk më foli kur kaloi te liqeni”.

Këto janë të gjitha shumë të rëndësishme, por ama këto nuk janë asgjë në krahasim me këto që po flas, sepse ky është shpëtimi ynë kombëtar. Është shpëtimi kombëtar nga hijet e historisë tonë. Ne nuk na janë ndarë hijet e historisë tonë dhe po ju jap një shembull shumë të thjeshtë.

Ne sot, për herë të parë si popull, si milet, që kur u ndamë nga Perandoria Otomane, kemi kaluar në lloj-lloj rrugësh, kemi jetuar në lloj-lloj sistemesh dhe regjimesh, për herë të parë kemi një situatë ku barazia para ligjit duket mundësi reale, për herë të parë. Për herë të parë sot, populli shqiptar sheh njerëz të lidhur me pushtetin politik që merren, hetohen nga prokurorë të pavarur, gjykohen nga gjykatës të pavarur, nuk ka rëndësi fare se çfarë mund të ketë brenda këtij procesi gjëra që nuk shkojë, e gjëra që janë çudira më vete, po kjo s’ka pikë rëndësie. Për herë të parë dhe kjo është ana historike e çështjes. Tani si kujtoni ju dhe ne nuk do t’i lëmë shqiptarët të kujtojnë se kjo punë nuk kryhet se doli Altin Dumani, nuk është puna se doli Altin Dumani që ka të gjithë respektin dhe solidaritetin tim dhe tonë për punën që bën, po edhe për sulmet kafshërore që ka marrë familjarisht, kërcënimet e të gjitha bashkë më, jo të gjithë atje, po me një pjesë prokurorësh atje. Altin Dumani ka qenë aty, prokuror se di sa vjet ka dhe virtytet s’besoj se i erdhën nga reforma, i ka pas se njerëzit, o i kanë o si kanë. Pse nuk thirri Altin Dumani ndonjë politikan gjithë ato vite që ishte prokuror, t’i thërriste, t’i thoshte: Hajde këtu njëherë ti, pse nuk e hetoi. Pse nuk doli ndonjë gjykatës që të thoshte”bjere këto mo Altin se do ta gjykoj unë”, zero. Jo thirrur, jo hetuar, po as thirrur sepse nuk është çështja e Altinit, apo e X apo Y, është çështja e shpatës.

Nuk kishte shpatën në dorë Altini, shpatën në dorë e kishte pushteti politik. Atë shpatën, e kam thënë ma sillni atë, mos ma ndani atë zonjën e drejtësisë, e keni këtu, kërkojeni pak. Atë shpatën që ka në dorë zonja e drejtësisë që është statuja simbol historikisht e drejtësisë e mbante në dorë pushteti politik që nga 1912, Zogu Mbreti e kishte shpatën e drejtësisë dhe thotë, e merrte gjykatësin dhe thoshte ma kap pak këtë, “ky po më luan bishtin merre fute në burg. Pastaj nuk diskutohet në kohën e diktaturës komuniste, dilnin ministrat armiq dhe ishin prokurorët dhe gjykatësit që merrnin urdhrin dhe e kishin ata shpatën në qafë këtu. Pastaj i fundit i burgosur politik për turpin e botës në Shqipëri ishte mbasi shqiptarët votuan “Liri demokraci”, Fatos Nano. Pse? Se shpatën e kishte bufi i kënetës. Dhe atëherë shumicës i dukej sikur ishte oqean këneta. Më pas u kalb fare situata, këtu u vranë njerëz në rrugë, protestues, komplet të pafajshëm. Ja, bjere këtu shpatën. Këtë shpatë këtu të zonjës së drejtësisë nuk e ka pasur drejtësia shqiptare. Peshoren jo e jo, peshoren dhe sot e ka të lëkundur edhe sytë e mbyllur nuk i kanë akoma se shohin por ama prokuroria duke filluar nga SPAK shpatën e ka të veten dhe kjo është vetëm vullnet i yni.

Tani pse unë them që hyrja në BE është shpëtim edhe për këtë për barazinë para ligjit? Sepse ja ku jemi sot, po vjen 11 maj, ne i themi shqiptarëve votoni këtu që shpatën të vazhdojë ta ketë drejtësia dhe të mos vijë ta marri pushteti politik prapë sepse nga ana tjetër, këneta i thotë nëpërmjet bufit dhe gjithë kukumjaçkave i thotë ne në datën 12 do çlirojmë Tik-Tok dhe do shkrijmë SPAK-un. Pra nuk është e garantuar Shqipëria, nuk janë të garantuar shqiptarët se çfarë ndërtohet sot, nuk prishet nesër. Se nuk është rastësi që kalaja e Rozafës është mit, legjende shqiptare, nuk është legjendë franceze. Ndërto ditën dhe prish natën. Ndërtoi Dash Sula i shkretë gjithë atë parti atje në Peqin dhe i shkuan ia prishën natën. U gdhi në mëngjes ia kishin marrë partinë, ia vodhën partinë natën Dash Sulës. Gjithë ajo parti atje ka ngelur tani, s’dihet kush do i hajë ato kokrra gruri se gjeli detit mbeti pa parti. Se unë për veten time gjel deti e kam kompliment se është në fushë të thatë se të tjerët janë në lluc. Se mund të thuash çfarë të duash për atë po ato që ka, i ka.
Futja në BE e bën të pamundur, komplet të pamundur që të dali një buf kënete apo të dalë një skifter apo të dalë një ujk, apo të dalë një kalë qyqeje nesër dhe të thotë jo se do ta kthejmë ne mbrapsht. Nuk kthehet më mbrapsht. Atje garantohet që s’ka më sepse futesh në një familje. Bën krushqi me një familje të madhe që nuk të lë të luash më. Siç janë këtu familjet në kala që nuk të lënë të luash e di Elvisi. Në të lënë të luash më. Kjo është BE!

Dhe për këtë i duhet shqiptarëve që të mbyllet ky film. Jo po kush e do drejtësinë, e do ky e do ai. Kush e kontrollojnë, e kontrollojnë këta e kontrollojnë ata. Jo po Rama po bën kështu, këto mbarojnë. Por ama sa pa u futur atje ka shumë rëndësi se kush qeveris këtu. Ka shumë rëndësi se kush qeveris këtu. Unë marr shembullin e Tik Tok. Kur ne bëmë këshillimin me 65 mijë prindër dhe mësues 95% e tyre thanë të mbyllet Tik-Tok. Tani 95% nuk janë socialistë. Shumë më tepër se 5% janë demokratë që kanë mbetur jetim, por që prapë s’kanë ku shkojnë dhe rrinë atje pas kënetës, dëgjojnë zhurma atje. Janë dhe të tjerë që nuk votojnë për ne. Pse? Sepse menduan si prindër, nuk menduan si demokrat dhe si socialistë dhe pavarësisht se isha unë që shkoja nëpër ato takime aty ishin lloj – lloj. Nuk e kishin mendjen fare tek partitë. Nuk i dukesha unë fare si gogol i palës tjetër, por më shihnin si njeriun që ka drejtimin e qeverise dhe si përfaqësuesin e qeverisë që ka mundësi t’i shpëtojë nga ajo mortje, që i ishte futur fëmijëve në trup. Edhe 95% vendosën për fëmijët. Pikërisht këtë gjë duhet të bëjnë në 11 maj, duhet të vendosin për familjen dhe për fëmijët. Pse? Një prind që ka fëmijën në shkollë sot as nuk duhet ta diskutojë fare që në 11 maj duhet jo vetëm që të shkojë në votim por të investojë që ne të hyjmë në BE dhe Shqipërinë në BE e fusim vetëm unë dhe ju, nuk e fusin dot ata të tjerët. Nuk e fusin dot, është e pamundur, nuk ndodh. Nuk iu hapin derën një herë e para punës. Se janë për libër, nuk janë për fushatë e për t’i treguar, janë kësmet për libër gjithë akrobacitë për të krijuar dhe lidhjet personale për ti pasur në telefon të gjithë liderët e Europës, që nuk ka bërë vaki ndonjëherë.

Dhe për çfarë, për punë personale, për këtë punë. Dhe duhet të shkojnë ta investojnë atje votën thjeshtë për interes. Nëqoftëse nuk ju interesojnë këto punët e drejtësisë, nëqoftëse nuk iu interesojnë punët e lirisë individuale, nuk iu interesojnë fare të tjerat duhet t’ju interesojë pasaporta e BE që fëmijëve të vet kur të bëhen 18 vjeç që duan të shkojnë të studiojnë t’i thonë urdhëro të keqen babi demokrat pasaportën e ke europiane, shko studio. Student europian, jo student i huaj atje, jo me tarifa ekstra, jo kuota, jo dreqi, jo i biri. Student europian, shko ku të duash. Kaq! Qoftë dhe për kaq. Që mos të flas për shqiptarët në Greqi që akoma sot thonë, një pjesë i kanë një pjesë tjetër nuk i kanë, kur do na i jepni pasaportat. Ne nuk mund t’i japim pasaporta greke atyre se nuk jemi ne qeveria e Greqisë, por ama ne mund t’i japim atyre pasaportën e BE dhe në momentin që ata marrin pasaportën e BE ata nuk kanë më nevojë për pasaportën greke, nuk kanë nevojë se janë në BE qytetarë të BE dhe të jesh qytetar i BE do të thotë kur je student s’ke asnjë dallim, trajtohesh njësoj. Kur shkon në kufi, nuk të thotë dot dil cik andej se ai korridori jonë atje. Ndërkohë që këta italianët avullojnë të gjithë, futen te ajo vrima me yjet e verdha dhe avullojnë. Ne llocim atje te ajo llamarina “Të tjerët”. Dhe del ai polici sheh pasaportën, e vë te drita “ku po shkon, kush të ka ftuar, sa lek ke me vete, njeh njeri s’njeh njeri, ke rezervim hoteli, kur do ikësh”, pa hyrë akoma. Kjo mbaron por më e rëndësishme se kjo se çfarë s’kemi duruar ne është që ne kur hyjmë brenda ne nuk rrimë dot atje se ne kemi të drejtë të lëvizim por jo të ndalojmë. Ne duhet të jemi xhiro. Të ndalojmë nuk ndalojmë dot. Për të ndaluar duhet kërkuar azil. Duhet të ikësh të fshihesh. Duhet ndërruar emri. Kurse me pasaportën e BE ndalon ku të duash. Shkon troket ku të duash, kërkon punë ku të duash. E gjen se gjen, po se gjete kthehesh prapë në shtëpi nuk rri të flesh poshtë urës. Nuk je një fëmijë që thua është hera e parë, unë nuk kam mundësi se pagova kaq lekë për të kaluar me anije, me kamerdare e gomone atje kështu që unë do shkoj të bashkohem me krimin. Kthehesh prapë dhe shkon prapë dhe nuk të del në një vend, shkon në një vend tjetër. Shkon në vend tjetër. Dhe kur larg qoftë ke nevojë për mjek, nuk rri në mëshirën e çajit të nxehtë, shkon te mjeku dhe trajtohesh njësoj si rezidentët e atij vendi ku je dhe rimbursohesh. Siç rimbursohen ata, rimbursohesh dhe ti. Dhe nëse je diku që s’ka ambasadë shqiptare, ke nevojë për diçka ambasada më e afërt e BE është ambasada jote. Shkon atje, dhe të marrin ata në mbrojtje, merren ata me ty. Edhe në Europë ku ne s’kemi ambasadë në çdo vend, por edhe jashtë Europës.

Kur mundësia është që këto të bëhen realitet në një mandat, për çfarë do ta hedhës atë votë? Për ça do ta hedhësh tjetër atë votë? Për çfarë tjetër të duhet ajo votë, kur një herë në jetë të jepet kjo mundësi që ta investosh dhe ti të thuash po. Për kalamajtë e mi dhe për veten time, urdhëro. Ka shqiptarë që s’shkojnë dot në Greqi? Po. Jo po nga je, jo po ku je. Merr pasaportën e BE-së dhe s’ke më fare asnjë problem. Me pasaportën e BE-së, Shqipëria bëhet e madhe sa BE-ja. BE-ja bëhet e vogël sa Shqipëria, pa llogaritur pjesën e të mirave.
Ne flasim për bujqësinë, për mbështetjen e bujqësisë e të tjerë. Kemi bërë ne, kemi bërë e do bëjmë akoma. Do ti flasim të gjitha këto, por kjo është kryesorja sepse çfarëdo që të bëjmë ne, ne 300 milion euro ekstra për bujqësinë në vit nuk i gjejmë dot. Ekstra, grant, jo kredi. Nëse futemi në BE, i kemi çdo vit. Në 10 vjet e kusur, BE-ja total na ka dhënë ne për bujqësinë më pak se 200 milion euro. Total! 300 në vit. Në 10 vjet, BE-ja në total na ka dhënë ne diçka më shumë se 1 miliard, flas mbështetje. 1 miliard e kusur në vit si anëtarë, sepse ajo është një familje e madhe ku njësoj si në familjet tona, ka më të mëdhenj, ka më të vegjël. Aty më të mëdhenjtë janë kontribuues. Se BE-ja ka shumë gjëra të tjera, nuk ka vetëm paratë dhe Franca, Gjermania, e të tjerë Holanda e me radhë që japin, Suedia që japin më shumë seç marrin financiarisht, patjetër kanë interesa të tjera tregu e të tjerë, dhe ka përfitues që marrin më shumë se ç’japin se s’kanë çfarë japin më shumë siç do jemi ne dhe përfituesit marrin një buxhet ekstra që të rriten, të forcohen e të vijnë në vete.
Greqia pa BE-në, nuk do ishte kjo që është. Kurrë! Pa llogaritur këto, Poloni, Çeki, Hungari që ishin, prandaj ky mesazh duhet të jetë shumë i qartë për të gjithë.
Ndërkohë që për pjesën tjetër ne kemi shumë arsye të forta për të kërkuar mandatin e 4, sikur të mos ishte kjo gjëja e madhe në mes, që kjo duhet t’i fshijë të gjitha dhe njerëzit duhet të thonë, në rregull kjo s’shkon, kjo s’shkon, kjo s’shkon, por këtë të BE-së duhet ta kapim patjetër. Këtu duhet të sillemi thjesht si shqiptarë. Nuk kemi asnjë lloj ngjyre, asnjë lloj diskutimi, thjesht si shqiptarë. Pa votë patriotike dhe arsyeja pse duhet çuar te Partia Socialiste, nuk është se po mos ishte kjo gjë, prapë unë të njëjtën gjë do thosha se jemi më të mirë se të gjithë të tjerët, por në këtë rast se Partia Socialiste është forca e duhur, në vendin e duhur në kohën e duhur. Kështu ka qëlluar fati dhe kështu janë lidhur yjet në këtë moment. Mund të kishte qenë partia e Dash Sulës. Ajo e reja që do bëjë Dashi, por jo, qëlloi Partia Socialiste. Duhet çuar vota aty. Duhet kapërcyer kjo dhe më vjen mirë që po kapërcehet në disa pika.

Kemi në listat tona, kandidatë edhe në listë të mbyllur që vijnë direkt nga ana tjetër. Dekanen e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Vlorës e kemi nga ‘çadra’. Vinte atje: Rama ik! Sot është në listën e mbyllur sepse gjërat evoluojnë. Çadra në 2017-ën. Luli nuk evoluon sepse është i përsosur dhe nuk ka çfarë evoluon. I lindur i përsosur. Një njeri të cilin gjumi e do aq shumë sa e mban për vete, është i përsosur. Ka njerëz që thonë ‘lindin me këmishë’. Luli ka lindur me këmishë nate, por nuk janë të gjithë kështu. Një është ai. Njësh! Dekania çonte një mesazh me fotografi, një grup i madh të rinjsh të FRPD-së. Ata mund të mos bëhen socialistë. Ata nesër që mileti demokrat del nga këneta, se thahet këneta, se di kur do thahet ajo kënetë, po nesër mund të kërkojnë alternativën e tyre, por këtu Partia Socialiste është një shtëpi e hapur, nuk është një shtëpi ku duhet të japësh provim para se të hysh, a e di a s’e di programin. Këtu ne kemi dhe të kuq fare, kemi dhe rozë, kemi dhe pak më bojë qielli, do të jemi të hapur dhe për blunë, siç është nga e kuqja deri te bluja, e gjithë gama nga ngjyra e flamurit tonë te ngjyra e flamurit BE.

Do të jemi të hapur, rëndësi ka që njerëzit të kenë dritë në sy për Shqipërinë. Kjo është partia jonë. Ne nuk jemi këtu për të mbyllur derën. Ne e bëjmë këtë gjë, e mbajmë derën mbyllur nëpër territore aq sa njerëzit thonë. Sot jemi këtu për t’i thënë të gjithëve mirë se vini, përveç salamandrave të kënetës dhe kukumjaçkave, nuk kanë vend këtu te ne. Nuk kanë vend këtu te ne, kurse Dash Sula duhet të hyjë në një proces, se mund të jetë një ditë dhe Dash Sula, por për momentin duhet të dezinfektohet. Duhet të dezinfektohet, si bëhen ato, kush merret këtu me pula, që futen në karantinë shpendët, se mbajnë shumë shpendët nga këto.
Ai është, inat mund ta kesh sa të duash, por hakun duhet t’ia japësh se me thënë të drejtën, aty një njeri me ulërime përditë për komunitetin e vetë, e për miletin atje, s’e kanë ata një të dytë aty si ai, por duhet të heqë gjithë morrat e kënetës. Aty të mbyt morri. Tmerr!
Më tha njëri, po ç’e kanë këtë punë që s’rrinë dot pa dalë në protestë?! I thashë po kruhen, kruhen se i mbyt morri. Nuk ulen dot që të mendojnë. I mbyt morri. Çfarë t’i bësh, edhe bufi rri atje mbi kokë.

Unë them ta mbyllim. Do kemi së shpejti edhe gjithë manifestin e gjithë gjërave, objektivat e programit tonë të 2030, objektivat, se thonë s’keni program ju. Si s’paskemi program ne?! Jo se ti ke vetëm timon, e ke vetëm tepsi. Tani ke nxjerrë kënetën. Po këto janë lezeti i fushatave, si t’ia shpjegosh, të merresh seriozisht, ti thuash zoti filan. Çfarë zoti? Buf këneta atje, zoti. 800 vjet aty, zoti filan. Ka zotëri që rri 800 vjet dhe mban peng gjithë dynjanë? Duhet të jesh buf që të hash çfarë të vjen rreth e rrotull dhe të thuash “o këtu me mua, o ju hëngra”.
Shumë faleminderit!