Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin elektoral të zhvilluar në Berat
Shumë faleminderit të gjithëve! Është kënaqësi e madhe si gjithmonë por është kënaqësi e veçantë që këtë takim përmbyllës të fushatës në qarkun e Beratit e bëjmë në këtë shesh të ri, i cili ka qenë një dëshirë vjetër e imja dhe sot është një vlerë e madhe e shtuar për qytetin, për Beratin, që kur unë thoja dikur në fillim që do të jetë zona e gjysmë milioni turistëve, shumëkush thoshe këtu vërtetë ia futi kot, por ja që ne po shkojmë drejt atij numri e të jeni të bindur që kjo zonë, me Beratin në zemrën e vetë por me gjithë bashkitë e tjera përreth, vetëm sa ka filluar ta zbulojë potencialin e vet ekonomik dhe rritja marramendëse, sepse është marramendëse, e numrit të turistëve që këtë vit do të arrijë kulmin e vet historik, është shenja më domethënëse e asaj që ata që vizitojnë Beratin presin dhe ata që jetojnë në Berat, do duhet të shikojnë si të ardhmen e tyre e për të cilën do të vazhdojnë të punojnë përditë.
Kjo është fushata e parë në kujtesën time ku ne nuk flasim, por me sa kam mundur të dëgjoj, askush nuk flet më për të sjellë ujë të pijshëm sepse ne e kemi bërë realitet edhe këtu ujin e pijshëm 24 orë në pjesën më të madhe e natyrisht, ujin e pijshëm 24 orë në të gjitha qytetet e qarkut të Beratit.
E di shumë mirë që ka akoma pika të caktuara në bashkinë Berat por dhe në bashkitë e tjera që kanë nevojë për të çuar ujë 24 orë por puna më e madhe është bërë dhe tani është vetëm çështje kohe për ta përmbyllur të gjithë skemën. Ama një gjë dua ta përsëris. Sot falë këmbënguljes sonë e durimit tuaj në të gjithë Shqipërinë ,ne mbulojmë me ujë të pijshëm më shumë territor e m ë shumë banorë se sa mbuloheshin jo në kohën e këtyre që duan të vijnë prap pasi dhe zhdukën dhe tubat e ujësjellësit, por në atë kohën tjetër. Ashtu sikundër sot nga Berati, nga qarku i Beratit, ashtu sikundër dhe nga gjithë Shqipëria, kemi disa fish eksporte bujqësore. Jo më shumë se sa në kohën e atyre që duan të vijnë këtu e që i bllokuan kanalet vaditëse me plehra, por dhe në atë kohën tjetër, e të gjitha këto e shumë të tjera, nuk duan të thonë që ne i kemi bërë të gjitha. As duan të thonë që unë jam i kënaqur. Jam më i pakënaquri nga gjithë këta këtu në tribunë. As duan të thonë që ne nuk kemi bërë gabime, përkundrazi, por ama këto të gjitha e shumë të tjera që ju i dini sepse i shihni, janë prova se ne e kemi ndërtuar një shkallë tjetër dhe jemi gati të vazhdojmë të ndërtojmë shkallën tjetër e tjetrën, deri sa Shqipërinë e 2030 ta bëjmë kampione të Ballkanit në turizëm. Ta bëjmë sovrane në energji dhe eksportuese neto të energjisë. Ta bëjmë eksportuesen më të madhe të prodhimeve bujqësore. Ta bëjmë vendim me nivelim më të lartë të dixhitalizimit dhe teknologjisë e ta bëjmë ku ju më, më shumë duan të ikin se sa të kthehen, por më shumë të duan të kthehen se sa të ikin.
Sot ne e kemi ngritur këtë flamur kombëtar që kemi në duar, më lartë se sa ka qenë kurrë në historinë e vetë, në arenën ndërkombëtare, në sytë e botës dhe sot Shqipëria është më e respektuar se sa kurrë ndonjëherë tjetër dhe ka arritur të jetë e pranishme aty ku deri disa vite më parë askush, as nuk guxonte ta imagjinonte.
Sot që flasim, tani që flasim, ky flamur që ju keni në duar, është në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria ka ulësen e saj, ka përfaqësuesin e saj në një rreth prej 15-16 vendet nga të cilat shumica janë fuqi të mëdha, që nga Amerika, deri tek Kina. Që nga Britania e madhe e kështu me radhë.
Sot ne vijmë pasi kemi mikpritur në Tiranë, Shqipëria ka mikpritur në tiranë, të parën mbledhje në historinë e Bashkimit Europian ku Bashkimi Europian është çuar, ka dalë nga kufijtë e vetë dhe është ulur në Tiranë për të diskutuar çështjet e veta dhe vazhdimin e afrimit të Ballkanit me BE.
Shqipëria pati presidencën e OSBE-së, një organizatë nga Kanadaja, deri në Rusi, të cilën e drejtoi Shqipëria sipas radhës për një vit.
Shqipëria mik pret në tetor samitin e Berlinit në Tiranë dhe të gjitha këtu nuk kanë ardhur rastësisht. As nuk ranë nga qielli e ne përfituam prej tyre. Të gjitha këto janë rezultat i një përpjekje shumë të madhe me reformat e ndryshimet brenda vendi. I një përpjekje shumë të madhe në marrëdhëniet me të gjithë miqtë, partnerët dhe të tjerët jashtë vendit ku ne kemi vendosur dinjitetin e Shqipërisë në vend. Ku i kemi bërë vend vetes duke u ulur në çdo tryezë me edhe më të mëdhenjtë e kësaj bote si të barabartë. Duke u dhënë respekt e duke pretenduar të njëjtin respekt për Shqipërinë e për shqiptarët dhe është shumë e rëndësishme kjo që po ju them për atë që ju dhe të gjithë do të bëjnë në 14 maj. Nuk janë të pa lidhura me njëra tjetrën, janë shumë të lidhura me njëra tjetrën sepse në 14 maj ne do të shkojmë të votojmë dhe kjo që po them, ka shumë rëndësi për faktin se kjo ngjitje e Shqipërisë në një nivel tjetër në sytë e botës por dhe në tryezat e botës, lidhet me besimin e madh që ne kemi fituar dhe mbështetjen e madhe që na japin miqtë tanë më të mëdhenj dhe ata nuk na mbështesin dhe nuk na besojnë se jemi narkoshtet apo se jemi vendi më i korruptuar në botë, por as nuk na mbështesin dhe na besojnë se jemi bërë superfuqi ushtarake apo superfuqi ekonomike. Na mbështesin e na besojnë sepse ne po ua u përsëris, i kemi bërë vend vetes dhe është shumë e rëndësishme ta kuptojnë të gjithë se ne, jo qeveria, ne populli shqiptar, kombi shqiptar këtë besim dhe këtë mbështetjen nuk duhet ta marrim si diçka që e kemi aty dhe nuk ndryshon. Prandaj kur këta miq, pa të cilët ne nuk ngjitemi dot më lartë dhe me të cilët ngjitja lartë do të thotë jo vetëm më shumë respekt në botë, por do të thotë shumë më tepër turistë, shumë më tepër investime, do të thotë shumë më tepër ekonomi, do të thotë shumë më tepër siguri detyrohen të na e thonë me shkrim, me vulë, me zë, me figurë dhe të na e përsërisin disa herë, që shikoni këtu, “ne ju mbështesim, ne ju duam me vete, ne do t’ju ngremë më lartë, por mes jush është dikush me emër dhe me mbiemër që për ne është i padëshirueshëm”. Kjo do të thotë që me atë dikushin e padëshirueshëm duhet të merret populli shqiptar, duhet të merren shqiptarët në radhë të parë sepse tanimë ai është faqja e zezë e Shqipërisë në sytë e gjithë botës dhe shqiptarët duhet që të jenë shumë të vëmendshëm dhe të jenë shumë të vetëdijshëm se patriotike nuk është të shkosh pas Berihait në emër të së majtës dhe të së djathtës. Patriotike është që atë faqe të zezë ta heqësh nga çdo pasqyrë ku reflekton Shqipëria dhe në 14 maj, faqja e zezë ka sjellë kandidatë në çdo bashki.
Ata janë kandidatët e faqes së zezë të Shqipërisë dhe nuk ka pikë rëndësie se çfarë janë ata personalisht. Disa i di se çfarë janë dhe më keq s’ke ku gjen, ca të tjerë as nuk i di fare dhe as më intereson. Për shembull në Berat as nuk e di kush është, as nuk kam pyetur kush është, as nuk më interesin fare, por më mjafton fakti që këta njerëz kanë pranuar që të përfaqësojnë faqen e zezë, të kërkojnë vota për faqen e zezë dhe të premtojnë në emër të faqes së zezë për të kuptuar që këta njerëz nuk janë të vetëdijshëm fare se kanë turpëruar veten, kanë turpëruar emrin e familjes së tyre dhe i kanë turpëruar dhe ata paraardhës që mbase i kanë pasur disa prej tyre në anën tjetër të historisë, në anën tjetër të politikës. I kanë pasur ballist, i kanë pasur zogist, i kanë pasur nacionalist e anti komunist, i turpërojnë dhe ata i turpërojnë sepse asnjëri prej tyre, imagjinoni ju Mit’hat Frashëri sot të votonte SaLike Floririn? Se do flas dhe për atë tjetrin se këtu në Berat duhet folur për atë tjetrin akoma më qartë, por faqja e zezë një herë. Se faqen e artë të Likes e dini mirë ju, por do ta shpjegoj dhe atë. Se nuk kemi lënë gjë, unë personalisht s’kam lënë gjë pa bërë për ta sjellë në rrugë të mbarë. Hoqa dorë. Nasipi tha, “jo, mund të bëhet ky”, pastaj u bind dhe Nasipi që ai s’bëhet dhe kur edhe Nasipi u bind që Likja s’bëhet, unë po ju them që ata skraparllinj që akoma nuk janë bindur që Likja s’bëhet, nuk bëhen as ata.
Po kthehem tek kjo, në emër të kujt këta njerëz, flas për njerëzit normal, flas për votuesit demokratë po i quaj edhe pse demokrat jam vetë më shumë se ata, por demokrat po i quajmë. Njerëz që punojnë, njerëz që hapin dyert e dyqaneve bashkë më të tjerët, njerëz që çojnë fëmijët në shkollë, njerëz që realisht duan të mirën e vendit. Në emër të kujt këta mendojnë sot të votojnë për kandidatët e faqes së zezë ? Në emër të kujt? Nuk duan të më shohin mua me sy? Kjo është gjëja më e thjeshtë në botë. Nuk janë të detyruar fare. Mjafton të ndryshojnë stacionin kur dal unë në televizor dhe nuk më shikojnë, është shumë e thjeshtë. Nuk duan fare të dëgjojnë për Partinë Socialiste? S’ka problem fare, unë nuk po ju them atyre hajdeni në Partinë Socialiste. As nuk po i them atyre votoni për PS. S’ka asnjë problem, ne nuk duam, larg qoftë, që të bëhet gjithë Shqipëria me një parti.
Unë po ju them atyre një gjë tjetër, në emër të kujt ju do shkoni të votoni ose po mendoni të shkoni të votoni kandidatët e faqes së zezë? Në emër të se kaluarës, të stërgjyshërve, të gjyshërve të persekutuar, të vrarë, të pushkatuar, të varur, të syrgjynosur? E pra po ju them që asnjeri nga ata gjallë në botë po të ishte i gjallë nuk do ju thoshte shkoni votoni “bashkë fitojmë me SaLike Floririn”. Kurrë, kurrë!
Do çohej zoti Abaz Ermenji nga kafja e mëngjesit të shkonte në qendër votimi e ti jepte votën SaLikes? Kurrë! Se ky është turp dhe po ju shpjegoj pse. Çfarë e ndau zotin Abaz me zotin Mit’hat dhe me ata zotërinjtë e tjerë nga shoku Enver dhe nga shokët e tjerë? Çfarë i ndau? E ndau perëndimi me lindjen! Ata e donin Shqipërinë me perëndimin, me Amerikën, me Europën. Nuk e donin Shqipërinë me Moskën e me Beogradin, flas për fillimet, pastaj gjërat u ngatërruan pak. Flas për fillimet, çfarë i ndau? Ja kjo. Çfarë i thoshte komunizmi, Partia Komuniste, regjimi atyre? Qen të imperializmit, apo jo? Agjentë të Amerikës të shitur tek anglo amerikanët apo jo? Kështu i thoshin. Tani anglo amerikanët iu thonë nipërve të tyre “na hiqni sysh këtë faqen e zezë”. Dhe nipërit e tyre iu thonë anglo amerikanëve “jo”. Si jo, jo çfarë? Le një herë që nëse kanë pak mëshirë për atë gërdallë 80 vjeçare që vjen vërdallë sikur të ishte i marri i fshatit, s’do e votonin kurrë që ta ndihmonin të rrinte në shtëpi.
Unë ju them atyre të shtëpisë time “Po patë shenjën më të vogël që unë fillova, mos më lini më të dal nga shtëpia” sepse në atë moment njeriu vetë nuk e kupton se çfarë turpi është për familjen e vet, se çfarë turpi është për njerëzit që deri dje e kanë besuar dhe e kanë votuar. Megjithëse, ju këtu, për hir të vërtetës, se e thashë dhe në Kuçovë, këtu në Berat, që nga Skrapari e deri ju këtu, e keni ndjerë sa e zezë ishte ajo faqe që kur dukej e bardhë si bora dhe nuk ia keni dhënë kurrë besimin, por unë nuk e kam me shumicën, e kam dhe me ata të pakicës sepse ne na duhet një Parti Demokratike që të jetë normale, por jo një faqe e zezë që vjen vërdallë, se janë dhe ca të tjerë që thonë “Jemi ne ata të vërtetët”, ata lërë mos e pyet, ia thashë atje “Njëri triko leshi, tjetri lesh pa triko”. Prandaj, të jemi shumë të qartë.
Tani vijmë tek Likja. Nasip, më fal Nasip, se këtij vazhdon i vjen keq e thotë “gjynah”.
Çfarë borxhi i kanë në Skrapar Likes që t’iu çojë Saliken atje, se mirë të tëra dakord, por si mundet t’iu çojë në Skrapar faqen e zezë e t’iu thotë “Votoni këtë tani”, që Skrapari ka votuar për aq kohë sa e ka parë si një alternativë brenda tërë të majtës progresiste se vërtetë ai shkoi dhe u hodh në prehrin e atij tjetrit, por kur erdhi prapë, nuk shkoi me atë tjetrin, shkoi me mua, ju kujtohet apo jo? Se po të kishte shkuar me atë tjetrin, do ia kishin dhënë shkelmin që atëherë, por jo; i mori votat atje si këtej, u hodh andej, kur erdhi puna për të shkuar prapë, shkoi me mua.
Tani nuk mundet më kjo punë të vazhdojë dhe mua vjen shumë keq sinqerisht. Çdo gjë kemi bërë unë dhe të tjerët për ta sjellë në rrugë të mbarë, por kur të vë zullumi për poshtë, nuk ka kryetar parlamenti, e president, edhe Papë po ta bësh Liken, prapë tek zullumi do shkojë. Jo më se nuk ka më iluzione.
Tjetra që po ju them është që i bashkon, përveç të tjerash, i bashkon një tmerr i madh sepse drejtësia, thotë populli, vonon por nuk harron. Drejtësia në Shqipëri ka vonuar kaq shumë, ka vonuar kaq shumë sa na ka bërë të tërëve, edhe ne që jemi këtu, të dyshuar që e vonojmë me qëllim por ama, drejtësia e vonuar në Shqipëri ka çdo ditë e më pak shanse të harrojë dhe koha është çdo ditë e më e ngushtë për ata që na tregonin offshore-t. Ju kujtohet se sa herë e keni dëgjuar këtë?
“Edi Rama ka konto offshore”, dhe unë iu thosha këtyre “Ore më duket se kanë këta” se ti nuk mund ta akuzosh një njeri kur nuk ke asnjë provë po nuk e pate bërë vetë gjënë që akuzon se nuk të shkon mendja; po nuk pate vjedhur vetë, nuk i thua tjetrit “O Hajdut” kot pa prova, po nuk pate bërë vetë trafik droge, nuk i thua tjetrit “Trafikant”, po nuk pate vrarë vetë nuk i thua tjetrit “Vrasës” kot. Duhet ta kesh bërë vetë ose nëse nuk e ke bërë, je në gjendje ta bësh po të jesh në pozitën e tjetrit.
Offshore e offshore kur na dolën ata offshore. I patë apo jo? Prisni, prisni se janë si ato shishet që kur mbyteshin anijet hidhnin shishet me letra që t’i marrë deti e t’i nxjerrë në breg; janë vetëm shishet e para që po nxjerr anija e mbytur atje. Është anije e mbytur ajo.
Këta kandidatët e faqes së zezë dhe të Like floririt janë si ata violinistët e Titanikut që i binin violinave kur po zhytej anija poshtë.
Është jashtëzakonisht i bukur ky shesh dhe kjo pamje dhe unë mund të flas pafund por dua t’iu them edhe dy gjëra të fundit.
Në 14maj, edhe e kam prapë me ata, vota është për të marrë në punë njeriun që duhet t’i shërbejë të gjithëve për 4 vitet e ardhshme.
Këta që mendojnë mbrapsht, që të votojnë, që të turpërojnë të vdekurit e shtëpisë së tyre, po mirë kjo pjesë po pjesa tjetër si i bëhet që këtu dhe në të gjitha bashkitë prova është para syve që këta njerëz që janë këtu e pastrojnë qytetin. Berati dhe gjithë bashkitë e Shqipërisë sot, pas shumë përpjekjesh, janë më të pastër se asnjëherë tjetër; jo të gjitha, përveç Shkodrës.
Ujin e pijshëm, sigurisht që ishte programi i madh i qeverisë, mbështetja e qeverisë, por po të mos ishin këta dhe të ishin ata të faqes së zezë, harrojeni se bëhet uji i pijshëm me ata.
Nuk dinë ta bëjnë.
Shkurt muhabeti, në datë 14 shkohet në pazar për të marrë kalin që do tërheqë karrocën.
Tani kuajt i keni këtu, bashkë me kryekalin, si do shkoni tani atje për të tërhequr karrocën dhe të thoni “Jo nuk e dua kalin se i zoti i kalit është i majtë”.
Po mirë, po nëqoftëse përveç kalit atje, alternativa tjetër është çtë të them, -se të thuash gomar, e fyen gomarin, krahasuar me këta të tjerët se gomari ka mbajtur në kurriz perëndinë, gomarin e ngarkon me dru, t’i merr t’i çon nga këtu atje. – Atyre po i dhe një dru në dorë, ata o të gjuajnë o e ndezin e të vënë flakën prandaj zgjedhja është përë të bërë punën. Tjetra që dua të them, është një kërkesë për gratë, jo për burrat, se burrat ngatërrohen.
Nuk dinë ta bëjnë këtë punë se po t’i thuash burrave “shkoni bisedoni me ata të tjerët”, shkojnë në kafene e zihen dhe pastaj shkojnë vonë në shtëpi.
Grave, se gratë nuk kanë kohë për të humbur. Gratë janë si Shqipëria. Gratë s’kanë kohë për të humbur dhe grate, të gjitha gratë që janë këtu dhe të gjitha gratë progresiste, socialiste, simpatizante e çfarë janë, duhet direkt të mos lënë krushkë që ka burrin demokrat, të mos lënë gjitone që e ka burrin demokrat, të mos lënë shoqe pune që e ka burrin demokrat, të mos lënë shitëse që e ka burrin demokrat pa i thënë dhe i pa dhënë kurajo të sjellë burrin në vete.
T’i flasë burrit. T’i thotë burrit ‘’mos na turpëro. Lëre faqen e zezë. Harroje. Dhe nëse nuk do fare t’i shohësh me sy ata, vazhdo, mos i shih, po mos më dil nga shtëpia dhe në rastin më të keq t’i ndihmoni që t’i mbyllin burrat brenda.
Dhe atë ditë burrat demokratë të lajnë xhamat, të bëjnë dhe byrek dhe ju , domethënë gratë e tyre t’u bëjnë dhe dhallë që ta kenë bashkë me byrekun kur të fillojnë të dalin rezultatet, që ta shtynë byrekun me dhallë se rezultati do të jetë shumë i rëndë për ta.
Por, në fund fare rezultati s’do jetë i rëndë për ta. Do jetë i rëndë si rezultat po të ishte ndeshje futbolli, po kjo s’është ndeshje futbolli. Rezultati do të jetë i rëndë për “faqen e zezë” dhe për Like Floririn, kurse për të gjithë demokratët do të jetë rezultati më i mirë, se po të kenë edhe 4 vjet Ervin Demon, do të jetojnë në qytet shumë më të mirë.
Po të kenë edhe 4 vjet Tikun e Skraparit, do jetojnë në një qytet shumë më të mirë se për Poliçanin nuk po flasim.
Nuk po flasim për Poliçanin se Poliçani është bërë qytet, nuk diskutohet. Domethënë ne do të mundohemi të arrijmë Poliçanin me shumë punë.
Për Kuçovën dhe Dimalin folëm atje ku ishim.
Kështu që ju hëngsha zemrën e kuqe flakë dhe shumë faleminderit dhe po ju them, ju në në 14 maj do na jepni edhe më shumë besim, ne në 4 vitet e ardhshme do bëjmë për këtë qark 4 herë më shumë se ç’kemi bërë deri më sot.