Berat, me skuadrën e re për Shqipërinë në BE

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Berat, me kandidatët për deputet dhe strukturat e qarkut:

Shumë faleminderit!

Po e nis aty ku pak a shumë u mbyll fjala e Ervinit, te Fadili për të thënë që i ri nuk është ai që është më i vogël, i ri është ai që nuk lodhet. Kështu që kur t’i tregosh moshën Fadilit, numëro se sa më të rinj se vetja ke lënë rrugës. Edhe përpiqu mos të lodhesh përpara Fadilit.

Dua ta falënderoj Fadilin sinqerisht, e kam bërë edhe publikisht disa ditë më parë, sepse Fadili është një specie në zhdukje në këtë botën tonë të sotme, por ama është një shembull i jashtëzakonshëm për mua personalisht që pavarësisht se ka qenë për një kohë shumë të gjatë dhe ka udhëhequr Beratin si kryetar bashkie, pastaj edhe si deputet kur u bë biseda për listat edhe kur unë thashë që për të gjithë burrat absolutisht do të jetë e prerë që nuk mund të jenë në lista të mbyllura nëse kanë qoftë edhe një mandat dhe nëqoftëse nuk kanë një rol drejtues. Prandaj kush nuk do t’ia bëj me dije drejtuesit politik. Fadili e shprehu mënyrën më prekëse për mua dhe më shembull duke thënë unë jam në dispozicion në listë të hapur, jashtë liste fare, po të jetë nevoja në listë po të punoj për këdo qoftë tjetër, si të doni ju. Dhe kjo është arsyeja pse Fadili është këtu gjithmonë edhe pse ata që duket sikur e parakalojnë Fadilin mund ta parakalojmë në sprint, se Fadili dhe unë s’jemi të sprintit jemi të maratonave, por kur vjen puna te maratona pastaj fitoj unë me Fadilin, nuk fitojnë ata.
Tani doja të ndaja me ju disa gjëra që sipas meje janë shumë të rëndësishme, po edhe diçka tjetër para se të kaloj te piktura e madhe e këtyre zgjedhjeve. Dëshiroj t’iu them kryetarëve të bashkive, Ervini po nuk diskutohet e ka shumë të qartë, po dëshiroj t’iu them kryetarëve të bashkive që duhet të jenë në dispozicion të Partisë Socialiste, duhet të jenë në dispozicion të numrit 5. Dhe meqë ra fjala 5 më pëlqeu shumë, se është tamam 5 me 1.

Dua të them që detyra juaj është të bëni këtë, por ju nuk duhet të ndërhyni në garë. Duhet t’i jepni mundësi të gjithë kandidatëve që janë në listë të kenë një garë pa interferenca nga kryetarët e bashkive. Kijeni mirë parasysh këtë gjë. Këtu nuk bëhet fjalë për deputet të një zone apo deputet të një zone tjetër. Patjetër që janë zgjedhur sipas zonave, për të pasur një përfaqësim më të gjerë, po nëse po themi Ardiani është përzgjedhur nga ajo zonë ku ai ka rrënjët dhe ka lidhjet nuk do të jetë deputeti i asaj zone ngushtësisht, por do të jetë deputet i gjithë qarkut të Beratit. Dhe kështu vlen për të gjithë. Pra është liria dhe e drejta juaj dhe e gjithsekujt të ketë një preferencë, shumë bukur, por ama kijeni parasysh këtë gjë.

Se unë kam një problem kur dëgjoj brenda partisë tonë ndonjë zë që thotë nuk është ky personi që doja unë, kështu që unë nuk di si do iu bëj me votën time. Ne kemi këtu faktikisht 6 mundësi, 7 mundësi po ti je mundësi e mbyllur. Po ne kemi këtu 7 mundësi në listë për 6 vende dhe është absolutisht e pakuptimtë të thuash, “jo po ky”, po ke tjetrin dhe për më tepër që ne kemi respektuar të gjithë komunitet, kemi respektuar të gjitha bashkitë, kemi respektuar moshat, kemi respektuar gjinitë, kemi respektuar sipas nesh nevojat që ka gjithë bashkësia këtu për tu përfaqësuar.

Pa diskutim që këtu mund të ishin 7 të tjerë. Patjetër në sallë mund të ketë 7 të tjerë që mund të ishin këtu, por këto janë vendet dhe kjo është zgjedhja. Dhe në fund të ditës askush nuk duhet ta harrojë që zgjedhja është Partia Socialiste dhe Edi Rama, pastaj një preferencë.

Tani në këto zgjedhje gjithë kjo që thashë vlen edhe për një arsye tjetër që është një arsye shumë e madhe. Qysh prej zgjedhjeve të ndryshimit të madh të sistemit në 91-92 ne s’kemi pas asnjëherë zgjedhje që të kenë pasur të bëjnë me fatin europian të Shqipërisë, s’kemi pas asnjëherë një palë zgjedhje që të kenë pasur një peshë jo politike thjeshtë, por gjeopolitike, që të kenë pasur një rëndësi jo thjeshtë se kush do fitojë brenda për brenda vendit, por a do të fitojë vendi apo s’do fitojë vendi në raport me pozicionin e vet në hartën e Europës, ky është 11 maji sepse për herë të parë ne na është hapur një mundësi reale, konkrete aktuale që ne të bëhemi anëtare të Bashkimit Europian. Ka qenë gjithmonë qysh në ditën e parë perspektiva dhe ju e keni dëgjuar, ata që janë më të rritur këtu e kanë dëgjuar nuk e di sa herë, kur kanë ndjekur apo kanë lexuar udhëheqësit europian, perspektiva juaj është Bashkimi Europian, e ardhmja juaj është Bashkimi Europian, horizonti juaj është Europa. Gati, gati na u bë si ai horizonti i kuq atëherë që e di Fadili atë. Mirëpo asnjëherë nuk ka ardhur një mundësi e prekshme për ne. Gjithmonë kemi thënë do punojmë, do vazhdojmë, do përpiqemi, do bëjmë reforma, do bëjmë punët, do bëjmë detyrat se një ditë do t’ia dalim, por asnjëherë dita nuk na ka ardhur para syve. Sot na ka ardhur dita para syve dhe sot na ka ardhur zogu në dorë sepse janë përputhur yjet e fatit të Europës dhe yjet e fatit të Shqipërisë janë përputhur bashkë.

Ne gjithmonë e kemi pasur shumë të qartë dhe gjithmonë jemi përpjekur të jemi gati kur të vijë kjo ditë, por ama ju e mbani mend shumë mirë, ne avanconim, bënim detyrat, Komisioni Europain thoshte po: – i keni bërë detyrat, i propozonte, sa e ke hapur atë gojë, çfarë hapje ke bërë, thashë më mori më futi ne Europe që sot. Mirëpo më është bërë si fiksim se në të gjitha takimet që kemi bërë, gjithmonë është dikush që hap gojën dhe po ndoodhi që s’po e hap ndonjëri, them, ore ka diçka që s’shkon këtu.
Pra, është një përputhje që nuk lidhet thjesht me ça duam ne sepse qeveritë, një qeveri këtu, jo Holanda, jo po shiko, gati i kanë bërë po s’i kanë bërë tamam, se Holanda kishte hallin e zgjedhjeve të veta. Sa mbaruan zgjedhjet në Holandë ne nuk kishim më problemet që ato thoshin që kishin; jo Franca, jo tjetri. Tani të gjithë janë sinkron që duhet ta fusim Shqipërinë në BE dhe kjo është kaq e qartë dhe kaq e konkretizuar në një fakt që është i jashtëzakonshëm për të përdorur fjalën që ka qejf Ervini, i jashtëzakonshëm, që është që ne na është dhënë një kalendar pune deri në 2027 për të mbyllur negociatat. Tani ka disa që thonë ‘’po pse tani, 12 vjet nuk ju mjaftuan juve që ta bëni këtë punë? Tani doni prapë se ti mashtron etj’’. Tani unë nuk mashtroj asnjë njeri dhe e kam thënë dhe e përsëris, nëse nuk do të ishte kjo sfidë, nuk besoj se do kisha këtë zjarr të brendshëm për të vazhduar të bëj këtë punë. Por meqë po diskutojmë kohëzgjatjen më lejoni t’ju them që Mali i Zi i ka hapur negociatat në vitin 2012 dhe sot është krah për krah me ne sepse plani ose qëllimi i BE është që të fusin dy vende të reja, të bëjnë 2 anëtarë të rinj të BE dhe këta janë Shqipëria dhe Mali i Zi. Pra, ata e kanë hapur në 2012. Ne i kemi hapur me vendim, i kemi hapur dy vjet më parë, ndërsa konkretisht i kemi hapur vjet. Ju kujtohet që unë vajta atje. Vjet dhe Serbia i ka hapur në 2014 negociatat dhe sot ne jemi përpara Serbisë. Atëherë kur ne morëm detyrën, ne nuk ishim fare, ne na konsideronin si një vend që ‘’shohim, flasim, do shihemi’’. S’ishim fare. Sot ne jemi përpara Serbisë. Maqedonia e Veriut nuk quhej Maqedoni e Veriut kur është bërë vend kandidat, në 2005. Imagjino, është bërë vend kandidat 10 vjet përpara nesh dhe sot që flasim nuk ka hapur akoma negociatat. Pra kush bën teorinë që “ju duhet të na kishit futur se Evropa do t’ju fuste po juve ngaqë e keni mendjen të vidhni, nuk e keni mendjen të punoni’’. Ne e kemi mendjen kaq shumë të punojmë sa ia kemi dalë të bëjmë një kapërcim dhe t’i kalojmë një për një të tërë dhe sot mund të jemi vendi që është më afër për t’u futur në BE.

Tani, pse ka rëndësi 11 maji për këtë? Sepse duhet të dini një gjë; Europa politikisht që do të thotë, me vendim politik të bazuar tek vullneti politik dhe jo tek faktet, mund të të pengojë. Pra, gjëja që po mundohem të them është që ne sot kemi nevojë që të jemi çdo ditë të fokusuar tek negociatat sepse BE asnjëherë nuk të bën një favor politikisht. Thashë, mund të të pengojë. Ti mund t’i kesh bërë detyrat siç i kemi bërë 3 herë rresht dhe 3 herë na kanë refuzuar hapjen e negociatave “Jo po se shiko, jo se ashtu, jo se ashtu’’. Këtë ta bëjnë kurse t’i bësh ti detyrat dhe Komisioni të thotë ‘’shiko se këta kanë probleme me këtë gjë ose me atë gjë’’ dhe ata thonë ‘’jo, jo, se do t’i marrim t’i fusim brenda’’ kjo nuk ndodh kurrë.

Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse ça do të thotë të anëtarësohesh në BE? Pse të marrin brenda ata ose me saktë ça duhet të bësh ti që të marrin brenda ata? Ti duhet të kesh një shtet që mund të mos jetë aq i mirë dhe mirëfunksional si Gjermania po duhet të ketë një funksionim bazë dhe që të ketë funksionimin bazë, duhet të bëjë të gjitha ato reforma që ne jemi përpjekur dhe po përpiqem të bëjmë dhe duhet të japim të gjitha provat që e ka funksionimin bazë po funksionimin bazë në çdo sektor, në çdo sektor, që nga administata publike deri tek mjedisi; që nga ujërat deri tek bimët e me radhë dhe për të bërë këtë punojnë afro 1000 vettë, çdo ditë. Nisen në mëngjes, shkojnë në zyrë dhe janë afro 1000 vetë të angazhuar me këtë gjë dhe çdo të hënë dy ministret tona të shtetit që janë, kryenegocatorja dhe zëvendësnegociatorja shkojnë në Bruksel, ulen përballë tyre dhe japin llogari çfarë keni bërë javën e kaluar jo ça keni bërë vitin e kaluar. Javë për javë japin llogari për gjërat që janë bërë dhe nëse kjo llogari nuk del, ata nuk na fusin ne në BE.

Në 11 maj është një moment kur çdo shqiptar duhet të mendojë mirë që për ça do ta përdorë votën? Se nëse e përdor votën për tifozllëk, se nuk e dua Edi Ramën, nuk i dua këta Fadil Nasufin me kompani dhe do të votoj për kënetën se jam i kënetës, faktikisht do t’i hyjë në hak fëmijëve të vet, atyre që nuk votojnë. Ose vëllai i madh ose motra e madhe do t’i hyjë në hak vëllait të vogël ose motrës së vogël që nuk votojnë dot sepse do të hedhë kot një votë që duhet ta përdorë për futjen e Shqipërisë në BE, për të mos lejuar, bëhen zgjedhjet në datën 11, në datën 12 mund të vazhdojë numërimi. Do të vazhdojë numërimi po ndërkohë puna me negociatat duhet të vazhdojë. Është e hënë data 12. 1000 vetë duhet të shkojnë atje dhe nuk duhet të kenë asnjë shqetësim që jo po kush fitoi, jo kush s’fitoi, jo po doli bufi nga këneta, jo po erdhi ai që shet qilima fluturues persianë, jo po tjetri që shet qilima fluturues nga Turqia, jo po… . Nuk duhet të ketë fare nga këto se përndryshe humbasim kohë dhe nëse ne humbasim kohë, ne luajmë me fatin tonë sepse kjo dritare e hapur mund të mbyllet. Ne nuk e dimë se si zhvillohen ngjarjet në vitet që vijnë, nuk e dimë. Pa pritur e pa kujtuar atje bëhet paqe, këtej plas një luftë tjetër largqoftë, këtu ndodh diçka tjetër, ata ndryshojnë qasje dhe gjërat mund të kthehen siç ishin më përpara. Ndodh një tërmet diku, flas politik; vjen një forcë politike diku tjetër thotë ‘’jo s’e dua unë më unë këtë punë’’ kështu që ky është momenti, ne tani duhet ta kapim dhe duhet të hyjmë brenda.

Hyrja brenda nuk është çështje socialistësh dhe demokratësh, nuk ka lidhje fare. Çdo socialist, çdo demokrat, çdo i majtë, çdo i djathtë, çdo çfarë t’ju them, ngjyrë e pa ngjyrë, duhet të jetë i interesuar në radhë të parë që ne të hyjmë brenda dhe nuk ka rëndësi se si dhe kush, nuk ka rëndësi. Ajo që e bëri Kinën Kinë që njohim ne ishte filozofia e përmbledhur tek një fjali e Deng Xiaoping, “Nuk ka rëndësi çfarë ngjyre ka macja, rëndësi ka që macja kap minjtë”.

Nuk ka rëndësi se çfarë ngjyre kam unë, rëndësi ka që unë ju çoj në Bashkimin Europian dhe për këtë kemi bërë punë të mëdha, përpjekje të mëdha dhe diplomaci të madhe dhe kemi ndërtuar një rrjet miqsh dhe njerëzish që na besojnë në nivelet më të larta që është histori për libra, nuk është histori për tu treguar sot dhe të gjitha këto bashkë janë mbledhur të gjitha në një pikë. Tani duhet vetëm që trenin e historisë që kalon në 11 maj, shqiptarët ta marrin dhe të shkojnë përpara pastaj ka kohë sa të duash për tu marrë “Jo po PS, jo po PD”.
Interesi, ta fillojmë te interesi puro personal. Mos merremi fare me asnjë gjë tjetër, harrojini të gjitha se çfarë përfitimesh ka Shqipëria, personale. Në momentin që ne hyjmë në Bashkimin Europian, çdo shqiptar merr pasaportën europiane të Shqipërisë. Kam dëgjuar disa që thonë “Çfarë na duhet neve pasaporta, ne lëvizim, ne jemi jashtë, ne jemi këtu?”
Ne kemi një pasaportë që na jep lëvizjen e lirë por nuk na jep lirinë të ndalojmë ku të duam. Ne jemi sot të lirë, marrim avionin, zbresim në një aeroport dhe që aty fillon ndarja “Dil këtej”. Ata të tjerët që janë me ne në avion, gjermanë e italianë ata ikin e avullojnë, ne rrimë në radhë dhe shkojmë atje e na del polici, merr pasaportën, ngrije lart, fute atje “Ku po shkon, kush të ka ftuar, kë njeh këtu, ke rezervim në hotel, sa ke, sa do rrish, kur do ikësh?” Keni parë ju të shkosh në ndonjë vend dhe pa hyrë brenda të thonë “Kur do ikësh” dhe pastaj kur hyn brenda për të ndenjur duhet të kërkosh azil ose duhet të fshihesh, të bësh punë në të zezë, të mundohesh mos të të kapin.

Nëse sëmuresh, harroje, nuk ke shans t’i afrohesh spitalit po nuk pate dikë që të jetë në gjendje të paguajë ato shifrat marramendëse për një njeri që është i pasiguruar atje.
Nëse je student, je student i huaj atje. Do aplikosh në kuotat ekstra, me tarifa ekstra etj etj. Të gjitha këto me pasaportën e BE-së mbarojnë. Ti nisesh, ngre pasaportën atje tek korridori me yjet e verdha, tuneli i ri i Murrizit që duhet të hyjmë ne, ato yjet, të futemi brenda atyre yjeve, dalim në krahun tjetër, mund të ndalosh ku të duash, mund të shkosh të kërkosh punë ku të kesh qejf, të pëlqeu rri e fillon punën, nuk të pëlqeu kthehesh prapë, je student apo studente shkon regjistrohesh si student apo studente europian jo si student i huaj, nuk ke tarifë ekstra, mund të jesh në Itali dhe ke të njëjta të drejta si italianët, mund të jesh në Francë dhe ke të njëjta të drejta si francezët, larg qoftë ke nevojë të shkosh tek doktori shkon atje dhe trajtohesh si vendasit atje dhe rimbursohesh për çfarë mund të paguash në një shërbim apo në një tjetër. Në rast se gjendesh në një vend jashtë Bashkimit Europian e ke një problem, se në Bashkimin Europian po e po, e nuk ka ambasadë shqiptare, ambasada më e afërt e Bashkimit Europian e ka për detyrë të të marrë në mbrojtje.
Kjo është pasaporta, pasaporta e BE-së për shqiptarin e bën Shqipërinë të madhe sa BE-ja dhe BE-në të vogël sa Shqipëria.

Siç nisen sot nga Berati e shkojnë në Tiranë, Durrës për punë, për qejf, për çfarëdo njësoj dhe kjo vlen dhe për emigrantët. Emigrantët shqiptarë në Greqi kanë probleme dokumentesh, jo e mora dokumentin, jo e mora, jo ma dhanë, jo nuk ma dhanë, disa i kanë marrë pasaportat, disa të tjerë presin. Në momentin që Shqipëria hyn në BE, ata marrin pasaportën shqiptare të BE-së atje dhe rrinë në Greqi me pasaportën shqiptare të BE-së me të njëjtat të drejta dhe janë të njëjtat gjëra që shteti grek, shteti gjerman, shteti suedez duhet tua japë njësoj siç ua jep të tjerëve sepse është një familje.

Keni dëgjuar ju ndonjëherë që në këto shtetet e BE-së perëndimore të rrinë e të merren me ata që janë anëtarë të BE-së nga lindja? Vetëm merren me ata që nuk janë anëtarë të BE-së “Jo ky, jo hyri, jo vodhi”. Pse nuk ka të tjerë që bëjnë çudira atje? Nuk merret njeri sepse janë brenda për brenda.

Kjo është personale. Si mund t’ju privohet kjo? Si mund t’i privohet vetes, si mund t’i privohet fëmijëve se ti je demokrat dhe ke qenë gjithë jetën me bufin e kënetës, si ? Si mund të rrish me bufin e kënetës? Mund të rrish por votën bufit të kënetës për çfarë? Votën atyre të tjerëve që dalin se e kam thënë dhe këto ditë, Fadili e di këtë histori se është histori e vjetër kjo në familjen socialiste, ata që dalin të rinj, çfarë të rinjsh?

Ne sot kemi një parti të re për të gjithë ata që duan të rinj në parlament por ama kemi dhe një parti të vjetër për të gjithë ata që duan eksperiencë në qeverisje. Ndërsa, kur thonë “Hajde tua japim njëherë këtyre të rinjve” kujt të rinjve do ua japësh? Ata nuk e kanë idenë se çfarë është një zyrë shteti, nuk e kanë idenë fare dhe ata janë si historia që kam treguar me Fatos Nanon kur shkon Fatos Nano në një takim dhe çohet njëri aty dhe i thotë:

-Zoti kryeministër, me pronat nuk keni gjë në vijë. Po nuk u zgjidh puna e pronave, këto të tjerat janë kot.

– Ke të drejtë, i thotë Fatosi, po si mendon, ke ndonjë ide?

– Shumë e thjeshtë, merrini gjithë këto çfarë kanë gjithë këta katunarë e qytetarë që janë bërë qytetarë pas lufte nga komunistët, merrjani të gjithëve, jepjani pronarëve të vjetër. Pronarët pronarë, të tjerët të gjithë…

– I thotë Fatosi, Kjo është shumë e guximshme, kjo e zgjidh por duhet të flasësh me Sabriun se ai nuk ka gjë në dorë dhe ai mund ta zgjidhë këtë. Sabri Godo, ndjesë pastë, Partia Republikane e pronave.

Domethënë kur nuk ke gjë në dorë ti mund t’i premtosh të gjitha se nuk do të vijë ndonjëherë. Luli, për shembull, thotë do ju heq vizat amerikane dhe ai e ka treguar që i heq. Problemi është që nuk ka gjë në dorë. Këta do i bëjnë pensionet 400 euro, rrogat minimale 1000 euro, patjetër. Pse 1000?? Unë habitem pse nuk thonë 2000, se mos do provohet ndonjëherë e bëjnë apo nuk e bëjnë.

Pensionet 400 euro? Po pse kaq pak? Më shumë. As do e bësh ndonjëherë kështu që thuaje 500 po rrinë aty me demek “E kemi bërë ne, e kemi llogaritur me ekspertët tanë, një grup të rinjsh që kanë ardhur”. Kot, shitësa qilimash, bleje këtë qilimin tim se do të çoj në Hënë, merre atë qilimin atje se do të çoj në Mars” nuk të çojnë asgjëkundi, zero, asgjëkundi.
Nuk mund të humbin ne tani asnjë minutë dhe nuk mund të çorientojmë gjithë procesin e negociatave qoftë dhe për 2-3 muaj se ikën. Ne e kemi kalendarin javë për javë dhe të gjitha punët janë aty të shkruara dhe duhet të mbarojnë dhe gjithë negociatat do të mbyllen në 2027. Është e jashtëzakonshme. Jua u thashë, ne i kemi filluar ato, ,në tavolinë jemi ulur vjet. Serbia në tavolinë është ulur në 2014, Mali i Zi është ulur në tavolinë në 2012, Maqedonia është bërë kandidate në 2005. Janë të gjithë mbas nesh tani. Tani çfarë do bëjmë ne, do ti themi BE shiko tani se ne kemi një kënetë këtu kemi një pjesë të njerëzve që kanë shumë qejf të lahen në kënetë, vdesin për atë ujin e kënetës. Tani prisni pak ju se do numërojmë bretkosat. Ndërsa në aspektin pastaj e përbashkët, futja në BE është fundi i një histori rreziku të vazhdueshme të humbjes së lirisë individuale me të cilën shqiptarët kanë jetuar gjithë jetën. Hajde njëri, hajde tjetri që nga perandoritë tek regjimet e ndryshme deri tek demokratura më pas me bufin e kënetës. Ti thua jam demokraci, vjen burri i huaj i vë flakën një redaksie gazete, rreh rrugëve i lë për të vdekur njerëzit që mendojnë ndryshe. Hap dritën e zyrës, gjuan dhe vret protestues. Po kjo mund të ndodhë prapë. Jo nga bufi se bufi s’ka shans se s’ka ku shkon më por dikush tjetër.

Kur vendi është në BE kjo nuk ndodh kurrë. S’ndodh dot, pra liria individuale është e garantuar sepse është ajo që ju thashë. Ashtu sikundër ne fitojmë të drejtën që të jemi në shtëpinë tonë kudo ku shkojmë brenda perimetrit të BE, ashtu dhe këtu garantohen po të njëjtat të drejta për ata të tjerët se funksionin si një vend. Nuk mund të ketë të drejta njeriu në gjithë Shqipërinë edhe Ervini të shkelë të drejtat e njeriut në Berat. Nuk mund të ndodhë. Kështu funksionon.

Barazia para ligjit, ne po bëjmë luftën e parë të hapur për të vendosur drejtësi në këtë vend. E para, është lufta e parë e hapur në historinë e shteti shqiptar. Lere se çfarë thonë se është habi e madhe me këta. Të gjithë hajdutë, ikni hajdutë. Si hajdutë? Çeta e hajdutëve. Ndërkohë që ajo që po ndodh është diçka historike sepse për herë të parë që kur është ngritur flamuri i pavarësisë drejtësia po heton dhe po gjykon njerëz të lidhur me pushtetin politik. Dhe kush e bëri këtë? X,Y? Prokurorët aty ishin dhe më përpara, aty ishin.
Altin Dumani është një person i cili meriton shumë respekt, ka gjithë solidaritetin tim dhe tonë për të gjitha sulmet kafshërore që i janë bërë por aty ishte, prokuror nuk di sa vjet. Ka bërë ndonjë gjë nga këto më përpara?

Pse nuk e bënte? Kurajoz po, ka qenë dhe më përpara, pse nuk e bënte më përpara? Pse nuk ka dalë më përpara të thoshte hajde këtu ti se unë do të marr nën hetim?

Si ka mundësi që deri sa erdhi kjo ditë një ministër, një i vetëm që nga 1912 nuk është thirrur nga një prokuror i pavarur dhe nuk është gjykuar nga një gjykatës i pavarur por çfarë kanë qenë ministra që kanë vajtur në burg apo janë varur në litar janë burgosur ose janë vrarë me urdhër nga i pari. Me urdhër nga i pari në kohë në kohë të Zogut, me urdhër nga i pari në kohë të Enverit, me urdhër nga i pari në kohë të bufit të kënetës. I burgosuri i fundit politik në Republikën e Shqipërisë është Fatos Nano. Me urdhër nga i pari. S’mund të thuash që u fut një politikan i lartë nga drejtësia, jo nga drejtësia por me urdhër nga i pari. Sepse që nga 1912 shpatën e ndëshkimit që në një shtet ku garantohet barazia para ligjit e ka vetëm drejtësia e ka mbajtur i pari. Ne dorëzuam shpatën, me vullnet të plotë. Unë dhe ju, PS, dorëzuam shpatën nga pushteti politik ia dhamë një trupe të pavarur. Ajo është shpata me të cilën SPAK sot pret majtas djathtas. Shpata që e kishim në dorë ne trashëgimi që nga 1912-ta. Nuk e ka pasur kurrë Shqipëria një pushtet gjyqësor të pavarur. Kurrë. Sot ka filluar ta ketë. Ka filluar ta ketë, me të gjithë problemet që ka, me të gjitha budallallëqet që e sheqerojnë ama ka filluar ta ketë dhe kjo është historike. E kush e bëri këtë? Unë jo vetëm që nuk kompleksohem kur thonë, po kur del Luli thotë “i morën të gjithë’, se Lulin po marr se Luli është më seriozi nga ata, pas Kujtim Gjuzit se është Kujtim Gjuzi i pari po atë e diskriminuan. Apo jo ishte ai tjetri Selamiu, kishte dhënë dorëheqjen. Ishte tërhequr nga koalicioni madhështor. I keni parë balluket e Selmaiut çfarë kryevepre si Greta Garbo. Ata janë më seriozët.

Unë jam shumë krenar për këtë. Nuk diskutohet që është dhimbje, nuk diskutohet që nuk të vjen mirë nga ana njerëzore, por ama kjo periudhë kohe që në jetën tonë është një vit, dy vjet, tre vjet, në jetën e vendit është një fragment tre ditë. Ama fëmijët tanë do të përfitojnë atë që se kanë përfituar dot kurrë fëmijët e fëmijëve të fëmijëve të fëmijëve derisa erdhëm ne fëmijët e gjithë atyre më përpara sepse asnjëherë nuk ka pasur në Shqipëri vullnet për të bërë shtet demokratik, që funksionon me barazi para ligjit
Tani këtë barazinë para ligjit që ne duam ta konsolidojmë si mendoni ju e kemi të sigurtë që nëqoftëse ne nuk jemi garantët, vjen këneta dhe vazhdon e forcon? Po bufi e thotë, do i kollofis thotë në 12 maj, do çliroj Tik-Tok dhe do shkrij SPAK. E thotë copë, e thotë. Pavarësisht se çfarë do marrë ai në 11. Pavarësisht nga ajo. Mos e thuaj ashtu me të qeshur sepse ngaqë unë e kam përdorur Nocin më përpara, tani ata e kanë marrë me të lehtë dhe ma thonë mua. Një herë, dy herë, tre herë dhe thashë shiko unë të gjithë socialistëve duhet tu them ne duhet t’i prezantojmë Noc Rrokun atyre në 11 maj që kur ta shohin Nocin të thotë çfarë. Duhet t’ia prezantojmë se nuk e njohin tamam. Kujton se është një gjë që s’do marrësh asnjë gjë. Jo mor jo, Noci është diçka shumë e madhe që do marrësh, që kur ta shohin ta hapin gojën trefishin e atij. Dhe kur t’iu kujtohet, jo ta përmendin më por t’i rrinë shumë larg. Shumë larg!

Dhe këtu në Berat në qark, Nocin atyre do ua u prezantojmë kuti për kuti. Hap kuti e dil Noci. Kështu që mos e thuaj me të qeshur se ty dhe mua s’na bën përshtypje se e kemi për ata Nocin, por Noci është gjë serioze.

Nga pikëpamja e të drejtave, kjo është themelore. Në 11 maj duhet ndarë kjo punë që nuk ka kthim mbrapa as për liritë individuale. As për barazinë përpara ligjit dhe beteja për të qenë të gjithë të barabartë përpara ligjit do të vazhdojë me çdo çmim, por ka vetëm një forcë që është e gatshme të paguajë çmimin me trupin e vetë, Partia Socialiste. Të tjerët nuk e paguajnë. Pse? Se ti, kur ke shpatën dhe tjetrin e ke pa shpatë përballë, e ke ti në dorë se çfarë ndodh me shpatën, kur ti i dorëzon shpatën tjetrit, dhe je pa shpatë ti, jo vetëm ke dorëzuar shpatën, por ja ke lënë tjetrit të vendosi se çfarë do bëjë me ty. Kjo është të dorëzosh shpatën e drejtësisë edhe të pranosh një pushtet të pavarur dhe të barabartë. Kjo është historike.

Do ta kuptojnë shumë më vonë dhe ata që sot e vënë në diskutim këtë gjë, por lavdi zotit ne kemi popullin e madh të shumicës. Afro 800 mijë ishim, afro 1 milion do të shkojmë bashkë me emigrantët në 11 maj.

Dhe për ta mbyllur, dua të them pjesën tjetër. Bashkimi Europian, se thonë disa, Bashkimi Europian është në hall për vete. Jo mo zotëri, nuk është në hall për vete Bashkimi Europian. Në hall për vete janë vendet më të mëdha të cilat kanë disa probleme të reja, problemet e demografisë, probleme të rritjes së presionit të emigracionit e të tjerë, e probleme të inflacionit që kanë pasur jashtëzakonisht shumë në këtë periudhë dhe probleme të kostove marramendëse që u janë rritur, ndërkohë që për ne, Bashkimi Europian është bekim sepse është një familje që njësoj si në familjet tona, janë më të rriturit dhe janë më të vegjlit. Dhe është e ndarë në dy pjesë, kontribuuesit dhe përfituesit. Ata që janë Franca, Gjermania, Holanda më të mëdhenjtë dhe më të fortët, ata kontribuojnë, pra më shumë japin para sesa marrin para nga Bashkimi Europian, por sigurisht që në Bashkimin Europian s’është vetëm çështje parash. Është dhe çështja e gjithë lirisë së tregut. Është dhe çështja e gjithë atij që thashë, rrjetit të mbrojtjes së të drejtave, ndërkohë përfituesit siç do të jemi ne kur të hyjmë, do marrim fillimisht derisa të forcohemi dhe e dini çfarë do të thotë kjo? Ne kemi marrë në të gjitha këto vite bashkë për bujqësinë mbështetje nga Bashkimi Europian shumë më pak se 200 milion euro. Në momentin që bëhemi anëtarë marrim 300 milion euro në vit vetëm për bujqësinë. Në 10 vitet e fundit kemi marrë pak më shumë se 1 miliard euro mbështetje në total nga Bashkimi Europian. Në 10 vjet. Me bërjen anëtarë, marrim 1 miliard euro e diçka më shumë në vit buxhet ekstra. Po ju jap dy shifra, dhe të tjera që mund t’iu them që janë ekstra. Si mundet ne të diskutojmë se ç’duhet bërë në 11 maj?

Kur ne bëmë këshillimin e madh me mësuesit dhe prindërit për Tik-Tokun, patjetër që dhe mësuesit dhe prindërit janë një pjesë socialistë, një pjesë pa parti, një pjesë demokratë, por 95%, ishin 65 mijë veta që janë pyetur, por 95% thanë që duhet mbyllur. Pra, nuk pyetën më prindërit demokratë që këtë e thotë Edi Rama, këtë e thotë PS-ja, ne jemi kundër. Nuk pyetën më! Pse nuk pyetën? Sepse fëmijët janë shumë më të rëndësishëm sesa çfarë ngjyre ka Edi Rama dhe sa i pëlqen apo nuk i pëlqen Edi Rama. Edi Rama ka qëlluar që është sot kryeministri, sot ka qëlluar që fëmijët janë të kërcënuar nga Tik Toku dhe prindërit demokratë thonë të mbyllet! E njëjta gjë vlen për Bashkimin Europian. Unë kam qëlluar të jem sot kryeministri, duan apo s’duan ata. Por ama, do hyjmë apo s’do hyjmë në Bashkimin Europian. Kjo është pyetja. Do ta rrezikojmë ne këtë dritare kohe që na është hapur duke u marrë me njëri-tjetrin duke e çuar votën në drejtim të paditur e duke dëgjuar lloj-lloj tipash që propozojnë lloj-lloj çudirash apo do fokusohemi te negociatat. Ti mbyllim negociatat. Të futemi në Bashkimin Europian, pastaj fillon historia nga e para. S’ka problem, por nuk mundet ne të humbasim gjithë këto benefite dhe nuk mundet një prind demokrat që e ka fëmijën 14 vjeç, që llogarit që pas 4 vjetësh, apo 5 vjetësh do ta çojë me studime jashtë. Nuk mundet të thotë jo, unë do votoj për bufin e kënetës, se do çliroj Tik Tokun për fëmijën tim, e pastaj do marr Noc Rrokun me Brukselin duke e lënë fëmijën të privuar nga të qenit student europian, i barabartë, pastaj duke u përpjekur ta çojë si student të huaj. Çdo prind që ka fëmijët sot në shkollë 9 vjeçare, që ka fëmijët sot deri në moshën 14 vjeç minimalisht, duhet të votojë Partinë Socialiste për Bashkimin Europian, jo për Edi Ramën, jo për Ervinin, jo për Fadilin. Jo, jo. Jo, jo në kuptimin që Fadili si me BE, si pa BE është Berat. Kështu e shoh unë këtë punë. Ne do bëjmë përpjekje deri në fund që t’i themi të gjithëve hajdeni, por deri në fund ne do luftojmë lagje për lagje, rrugë për rrugë, rrugicë për rrugicë, derë për derë, shtet për shtet, me shqiptarë në emigracion që t’i japim Partisë Socialiste rezultatin më domethënës të të gjitha këtyre fitoreve që kemi marrë dhe nëse kemi bërë 9 fitore radhazi, kjo fitorja e 10-të, duhet të jetë me notën 10!

Pashë, se nuk i kam ndjekur këto, se që e lanë Kujtim Gjuzin në listë të hapur u zhgënjeva dhe që kur te ajo lista e mbyllur në Tiranë bënë një bunker, po ta shikoni dhe demokratët do ta shohin këtë gjë, lista e mbyllur e Tiranës i thotë të gjitha, është një bunker për opozitë. Nëse hyni në mendjen e njerëzve në territorin e Republikës së Shqipërisë, ka një mendje që e di më mirë se të gjitha mendjet që do humbasi, është mendja e bufit, ai e di shumë mirë. Është i humbur. Është i humbur, është i vdekur, i pakallur politikisht. Nëse hyjmë te mendja e Lulit, Luli e di që do fitojë, por është temë tjetër dhe po të shikoni listën e tyre të mbyllur në Tiranë, ajo është për opozitë. Ata janë vendosur aty që të gjithë bashkë të fillojnë, “na i vodhën, na i vodhën, na i morën, na i morën, na i morën” dhe mos kontestojnë fare situatën e kënetës. Kaq! Ajo është një aleancë në funksion të një individi privat, për problemet e tij private. Kjo është e gjitha. Puna e tyre se s’na duhet. Ama demokratëve duhet thënë, dhe po shihja listën e Beratit. Unë nuk e kuptova. Nuk e kuptova kur pashë, si ka mundësi, ku është Tomor Alizoti të paktën. Tomori ku ka ikur?! Krahasim me çfarë pashë nga lista që kanë bërë te lista këtu në Berat, mu duk sikur kanë hequr ndonjë çmim Nobel. As Tomorin nuk sollën më në Berat. E dinë që do humbin, por unë mendoj që duhet t’ua u bëjmë Nocin këtu. duhet t’ua u bëjmë Nocin këtu si kukurrec Poliçani. Ju falenderoj shumë dhe uroj sukes Fadil. Të gjithë bashkë patjetër, ju uroj sukses të gjithëve. Po unë prandaj ta uroj ty me emër, se ti do suksesin e të gjithëve bashkë, këta e duan të gjithë për vete sukesin se janë brez i ri këta.

Faleminderit shumë!