Partia Socialiste e Shqipërisë

Mirëdita Cërriku!

Ja ku jemi prapë të gjithë bashkë në këtë shesh, të shumtë sot, për të mirëpritur Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë, mikun dhe shokun tonë Edi Rama.

Në fakt më 14 Maj ne kemi zgjedhjet vendore dhe patjetër Partia Socialiste, Kryesia e saj dhe të gjithë ne, ju sollëm përsëri djalin tuaj që ka merituar respektin e çdo cërrikasi me punën që ka bërë.
Andi vërtet ishte i ri, mbase pa eksperiencë politike, por në 4-vjeçarin e parë tregoi që di të punojë, të flasë pak dhe të punojë shumë. Jo më kot ka tërhequr vëmendjen dhe është bërë një nga bashkitë model për gjetjet inovative, për trajtimin e mbetjeve dhe gjetjet inovative që ai i ka implementuar për herë të parë në Cërrik. Të gjithë habiteshin, ç’ne Cërriku?! Epo ja, kur ka njerëz të punës, njerëz të mençur, me vizion, këtu mund të bëhen punë shumë të bukura.
Natyrshëm, Andi nuk është vetëm, Andi ka një ekip, por mbi të gjitha ka nga mbrapa Partinë Socialiste dhe Kryeministrin Edi Rama që me vepra e ka treguar që ka ditur të transformojë këtë bashki. Ju e dini sesi ka qenë 10 apo 12 vjet më parë, se në çfarë gjendje ka qenë Bashkia Cërrik. Ju e shikoni sot, qyteti nuk ka më asnjë bllok të pa asfaltuar dhe të pa urbanizuar. Falë punës së këtij djali, mirëadministrimit të bashkisë, por patjetër edhe qeverisë së Edi Ramës.
Kini parasysh një gjë, një kryetar bashkie, kushdo që të jetë, pa mbështetjen e qeverisë, e ka të vështirë ti bëjë shumë gjëra, sepse taksat e qytetarëve të Bashkisë së Cërrikut nuk do të mjaftonin për të gjithë nevojat e bashkisë. Ama miradaministrimi i taksave të tij, bërja e projekteve dhe lidhja, sinergjia mes bashkisë me qeverinë qendrore bën të mundur të vazhdojnë këto vepra të mëdha transformuese në Cërrik. Kjo ka ndodhur dhe prandaj këtë binom bashki – qeveri ne nuk do ta shkëpusim edhe më 14 Maj.
Nga ana tjetër kundërshtarët tanë këtu nuk përfaqësojnë asgjë. E vetmja gjë që ka bërë ai, që e dini shumë mirë ju, vetëm një kinema që u dogj dhe ajo, dhe pastaj u zhduk.
E vetmja gjë që bëri ish-kryetari i bashkisë, të cilit njësoj si ata dy si Saliu me Ilir Metën, siç kanë ricikluar veten ata dy, e nxorrën nga arkiva e historisë për ta sjellë prapë në Bashkinë e Cërrikut për ta kandiduar me Andin tonë. A mund të krahasohet kjo? Dhe çfarë bëjnë tani, ngaqë nuk kanë asnjë filozofi politike, nuk kanë asnjë ofertë, e kam studiuar pak këtë kundërshtarin si dhe atë kundërshtarin në Elbasan, këto kanë gjetur një gjë, shkojnë nëpër shtëpia tek e tek se s’kanë guxim të flasin në publik, se nuk mund të thonë se s’kanë bërë asgjë, dhe thonë:” do të fus në punë ty, ty do të bëj çunin drejtor”. Për shembull në Elbasan ai Luçiano, se është interesant dhe e njëjta gjë ndodh dhe këtu, kishte vajtur në një shtëpi dhe aty qëlluan dhe miqtë e mi. Çfarë premtoi thashë unë? Do të bëj të dy çunat drejtorë. A mos thashë unë, duhen 10 mijë drejtorë në Elbasan dhe s’do dalin.

Pra kjo është qasja që kanë ato me elektoratin. S’kanë as program, s’kanë as garanci dhe mbi të gjitha kanë një të kaluar pa asnjë provë që kanë bërë diçka për këtë qytet apo të tjerët për Qarkun e Elbasanit. Prandaj them që më 14 Maj ne zgjedhjen e kemi shumë të pastër. Kemi Andin tonë, kemi Cërrikun, kemi ecjen përpara.
Së dyti më 14 Maj votoni për Këshillin Bashkiak. Është e rëndësishme të dashur qytetarë. Pse? Nuk duhet që Andi të merret peng i vendimmarrjeve të vogla, i vendimmarrjeve meskine. Se vijnë tashi me farefis e thonë ma jep votën se jam kushëriri jot. Po çfarë do bëjë ai më parë? Ju jap shembullin tim, kur erdha në Elbasan, më dolën aq shumë kushërinj sa i thashë njërit:”ore kur keni qenë kaq shumë kur përcolla babain në botën tjetër?!”. Pra këta kushërinjtë mendojnë vetëm për interesa të vogla.
Mos e çoni votën te kët, por votoni për Partinë Socialiste për familjen e madhe socialiste, sepse aty do të trajtohen interesat dhe çdo gjë që lidhet me fatin tuaj.

Më 14 Maj ne shpërblejmë dhe vlerësojmë dhe politikat e qeverisë, nuk duhet ti shkëpusim. Nuk janë thjesht zgjedhje vendore, por janë çimentim i suksesit të politikave tona që kanë 10 vjet që funksionojnë dhe po japin rezultat. Ku duket kjo? Rritja e pagave për sektorin publik do të çojë në rritjen e pagave për sektorin privat. E gjithë kjo do të çojë për një standard më të lartë jetese. Djemtë dhe vajzat tuaj kanë mundësinë për ta ndërtuar të ardhmen këtu me shumë profesione që patjetër ka nevojë ky vend dhe do të ketë nevojë edhe më shumë.
Rritja e pagave do të kontribuojë dhe në rritjen e sigurimeve shoqërore dhe fondin e pensioneve. Më 14 Maj kjo është një votë edhe për të ardhmen e pensionistëve, të cilët meritojnë vlerësimin më të madh për sakrificat që kanë kaluar dhe më vjen mirë dhe dua ta përgëzoj Kryeministrin Rama për shpërblimet që ka dhënë muajt e fundit dhe për kthimin e vëmendjes tek shtresat më në nevojë. Kjo na bën krenarë si socialistë dhe jam i bindur që më 14 Maj ne do të japim mesazhin e duhur edhe nëpërmjet votës të gjithë pensionistët do dinë të vlerësojnë ato që kemi bërë.
Së fundi dua t’ju them, zgjedhja është shumë e thjeshtë: Përpara me Andin, lërini mbrapa fosilet e Tiranës.
Suksese Andit!