5 maj në Devoll, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u ndal sot në Devoll në takimin elektoral të radhës në qarkun e Korçës për një bilanc të arritjeve përgjatë këtyre tre mandateve, të faktuara përmes shifrave dhe të dhënave në fusha të rëndësishme të zhvillimit të vendit, duke u ndalur në mënyrë më specifike në investimet e realizuara në rrethin e Devollit.
* * *
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:
Shumë faleminderit dhe ju kërkoj ndjese për vonesën, diçka e paparashikuar para nisjes nga Tirana për një grup banorësh që ishin në një situatë që kishin nevojë për fjalën time dhe ja ku jam sot këtu me ju. Dhe dua siç tha Niko, dua të bëj këtu bashkë me ju, atë që po bëj në të gjitha qarqet, një bisede që lidhet me Shqipërinë, që lidhet dhe me qarkun dhe që bazohet na fakte të padiskutueshme dh në shifra të nxjerra nga zhvillimet e gjithë këtyre viteve përpjekje të përbashkëta.
Përpara sesa të hyj në këtë pasqyrë, dua t’ju them se kur po vija për këtej, mu kujtua, kam qenë shumë i vogël. Im atë ishte për disa vite në Korçë se kishte një teori atëherë, pranë bazës e ku di unë, ato historitë e partisë së Punës dhe kemi bërë një udhëtim me makinë së bashku me Dritero Agollin.
Deri në Korçë pastaj im atë me Dritëroin vajtën në fshatin e tij në Menkulas dhe pastaj nga kjo më erdhi gjithë retrospektiva prej Dritëro Agollit, përfaqësuesi i Devollit pa kufi sepse Dritëro Agollin, Devolli e respektonte si birin e tij dhe nuk e shihte, as si të majtë, as si komunist, as si asgjë.
Dhe Dritëro Agolli është krenari e kombit tonë, e popullit tonë dhe patjetër dhe e Devollit.
Devolli kishte Dritëro Agollin deputet në parlament. Ndërkohë që, këtu jemi në një pedonale që nuk përfundoi dot dhe nga ana tjetër e pedonales së papërfunduar para pak ditësh, ju të gjithë dhe gjithë devollitë ishin dëshmitarë të një skene që tregon se ku ka rënë pazari i opozitës në Shqipëri.
Dritëro Agolli ishte deputet i opozitës, nuk ishte deputet i pushtetit dhe fliste për të gjithë popullin, ndërkohë që Devolli ka sjellë në parlament një rrugaç të një niveli që unë nuk e di se në cilën vjershë të Dritëro Agollit mund të gjente vend, por ma ha mendja tek fjala “kokëbosh” dhe “trangull” që Driteroi e përdor, ai gjen vend komplet.
Si mundet tani demokratët e Devollit të votojnë për një rrugaç dhe nuk është një rrugaç, por janë një grup rrugaçësh. Dhe ju e dini shumë mirë se kush është rrugaçi kryesor, apo jo? E dini shumë mirë. Ju e dini shumë mirë që ky rrugaçi dytësor bën si i fortë dhe pse ndihet me shpatulla të ngrohta. Tani si mund të ndodhë kjo, që demokratët këtu mund të kenë 1001 arsye që të mos duan Niko Peleshin, mund të kenë pesëfishin e arsyeve që të mos më duan mua, por si mund të ndodhë kjo, si mund të bjerë pazari deri në pikën që t’i çojnë parlamentit të Shqipërisë, – unë po e them siç më vjen se më duket fundi, – nga Dritëro Agolli tek një rrugaç. Nga një poet kombëtar tek një turp vendor këtu. Si mundet të bëhet kjo punë?
Nga ana tjetër, duke shkuar tani përtej kësaj. Se pyetja është në fund të fundit, se janë ca demokratë aty poshtë po më shohin, mirë jeni? Mirë shumë. Se për ju po flas. Në fund të fundit s’keni faj dhe ju se atë rrugaçin këtu, ua ka sjellë këneta nga Tirana.
Por dua t’ju tregoj një fabul popullore. Mbledh babai djemtë kur u rritën dhe i thotë “ti do kujdesesh për prodhimi e arës. I thotë të dytit, ti do kujdesesh për shitjen e prodhimit, kurse të tretit, të voglit i thotë ti do kujdesesh për babën që kur baba të lajthisë, të mos e lësh të dalë nga shtëpia. I thotë ai po si do e marr vesh unë kur të lajthisësh. Kollaj fare, i thotë, sapo baba të fillojë të ngatërrojë fjalët e konakut të burrave me fjalët e konakut të grave, ti mos e lër më babën të dali nga shtëpia”.
Mirë që gjithë këto vite nuk u gjet asnjë djalë e asnjë mik që t’i thoshte baba bufit lerë këtë muhabet se nuk vazhdon më kjo punë por sot zogjtë e tij e marrin dhe me tendë se dhe dielli nuk e mban më dot tani, e sjellin vërdallë një njeri të mbaruar, të pashpresë, të dëshpëruar. Mosha e ka lajthitur komplet dhe demokratët e zakonshëm, njerëzit, ju që jeni aty dhe të tjerët duhet tani ta bëjnë rolin e atij djalit të vogël mendoj unë, se hyni dhe në gjynah se mirë tani votën në kënetë se nuk është hera e parë që çoni votën në kënetë ju, por hyni dhe në gjynah që mbani rrugëve një njeri që duhet të shkojë në shtëpi. Kështu që shikojeni këtë punë dhe këtu në Devoll e keni të dyfishtë problemin, hyni në gjynah dy herë se çoni rrugeçër në Tiranë nga Devolli. Devolli përveçse vendi i Dritëro Agolit, vendi i njerëzve më punëtorë të njohur me nam, i burrave punëtore të njohur me nam. Devolli i mikpritjes dhe Devolli i të tëra të mirave siç ju njohim ne nga larg, por kur na çojnë rrugeçer atje, një gjysmak, një çyryk që nuk ka lënë rast pa e treguar, pa i rënë gjoksit dhe pa bërë gjeste dhe pa bërë shfaqje për të thënë unë jam çyryku, nuk e di. Shihni e bëni. Ne duam që të jemi bashke. Ne me ju, pa ju, ne do fitojmë.
Puna është që bashkë me ju, ne të bëjmë atë që na takon për Shqipërinë, kurse ju bëni një rrugë e dy punë, edhe votoni për Shqipërinë dhe shpëtoni nga këneta, mor burrë i dheut, se do mbeteni tërë jetën e jetës. Do bëheni edhe ju një ditë si baba bufi dhe s’do shihni pushtet me sy, më dëgjoni mua. Po vazhdoj tanimë pjesën tjetër që për hir të vërtetës jam nisur nga ajo që tha Niko, por në kushte pak të veçanta sepse u ndodha në një situatë befasie, u kapa gafil se unë nuk shoh debate politike, nuk shoh fare emisione politike, nuk kam fare tv në shtëpi që mund t’i shoh edhe sikur ndonjëherë të më shkojë mendja. E kam mbyllur këtë punë që në 2009 dhe pastaj që kur kemi hyrë në shtëpi, nuk kemi lënë politikën të na vijë në shtëpi. Mirëpo, nga ana tjetër, sigurisht që marr informacion, sigurisht që ndonjëherë më çojnë .. këtë herë e hëngra se doja të shikoja pasqyrën e sondazhit të atij sondazhistit të Trumpit që është një nga më të famshmit në USA dhe që i kanë dalë fjalët kundër rrymës dhe dy herë ai e ka parashikuar fitoren, ndërkohë që shumica thoshte që Trump do humbë, dhe e ka kontratuar një media këtu në Shqipëri dhe doja ta shikoja.
Mbarova të gjithë punët dhe pastaj në atë orën që hyj për të parë ça ndodh nëpër botë, hyra në youtube për te parë edhe ça të them. Mbeta pa fjalë, nuk kuptoja a ndodhte vërtetë ajo që shikoja dhe dëgjoja apo më dukej mua. Nga një anë, ishte ai, zotëria nga Amerika, në lidhje direkte që nxirrte pasqyrat, nga ana tjetër, ishin ca nga këta zogjtë e kënetës mediatike që bënin komentet.
Ai nxirrte pasqyrën, shumica e shqiptarëve mendojnë që vendi po shkon në drejtimi e duhur. Këta në studio mbeteshin sikur ai u thoshte ndonjë gjë të tmerrshme. Shikonin njëri-tjetrin dhe thoshin “si ka mundësi? Po si është e mundur? Ça populli është ky mo? Po ç’është ky popull mo? Po ky popull qenka i sëmurë mo. Po këtu ne kemi marrë fund, ne s’paskemi shpresë-thoshin këta. Thoshin këta që “ju zgjoheni pa zbardhur, i lini fëmijët në gjumë dhe shkoni punoni tokën këta gërhasin.
Zgjohen në 9, shkojnë ulen në kafe me njëri-tjetrin, ça ka ndonjë gjë ndërkohë që janë ndarë në 3 të mëngjesit pasi janë bërë tapë kur dalin nga ato emisionet dhe ndajnë me njëri-tjetrin, shkojnë pastaj para kompjuterit i shkruajnë ato gjysmën të vërtetat e tyre, pastaj pasi i shkruajnë i përhapin, pasi i përhapin ato kthehen në fakte dhe bëhen akuza, në pasdite janë bërë faje dhe në darkë dalin prapë këta e na kërkojnë llogari ne.
Edhe thoshin “populli është i sëmurë”. Pastaj doli ajo pasqyra tjetër “shumica e shqiptarëve mendon që dy vitet e ardhshme do shkojnë më mirë”.
Ah, kjo është e tmerrshme – thoshte ai. Po si ka mundësi, po këtu s’ka bukë, këtu s’ka ujë, po këtu s’ka drita, po këtu s’ka asgjë. Po ça ekonomie do shkojë më mirë? Po si mendoka gjysma që ekonomia do të shkojë më mirë?
Tani, o është çmendur sondazhi, të na falë ky zotëria, ai nga Amerika, i bënin pyetje atij. Pyetje , ai nuk e di ç’ka menduar..
O është çmendur sondazhi domethënë, o është çmendur populli. Nga të sëmurë e bënë të çmendur popullin. Dhe këta janë që mërziten kur them unë që gjysma e burrave janë çyrykë. Këta. Po ja, pra këta. Po ça janë këta? He, më thoni ju mua? Ça janë? Se një njeri që nuk është, nuk ka nevojë të thotë ‘unë s’jam’’. Pse preken këta? Dhe rrinë shpjegojnë që pse këta? Nejse.
Edhe doli tjetra; shumica e shqiptarëve mbështesin dhe do votojnë për PS.
Ah, qenka më e rëndë. Këtu jemi para një populli të shitur dhe të blerë, e ka blerë Rama. Dhe fillonte muhabeti se si e ka blerë se janë 250 mijë njerëz në administratë. Administrata është më pak se 90 mijë dhe ka vite që është ashtu,.
“Ja, ata kanë familjet e tyre, iu bëhet presion, iu jepen këto, iu thuhet kështu’’…
Doli pastaj ajo tjetra që “ca mendoni ju, kush do fitojë”. Dhe aty, jo vetëm ata, që votojnë për ne, por dhe ata që nuk votojnë për ne, një pjesë, që bëhet një shumicë nuk e di, 57-58% thoshin do fitojë PS.
Tha njëri – qenka dhe më e rëndë fare, ne jetokemi në një autokraci të llojit të Putinit, po ne nuk e paskemi kuptuar. Njerëzit këtu –tha, qenkan të tërë të tmerruar dhe prandaj kur i pyesin thonë vetëm fjalë të mira nga frika edhe do shkojnë të votojnë nga frika. Këtu paska marrë fund demokracia. Më besoni që nuk po ekzagjeroj asgjë, një tmerr.
Tani ajo që më mbeti është, po mirë pse në të vërtetë voton shumica? Pse në të vërtetë shumica mendon se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur? Pse në të vërtetë shumica mendon që ekonomia do bëhet më mirë, se opsioni që shumica është çmendur, që është e sëmurë, që është e trembur etj dhe që për të gjitha këto arsye, i thotë këto, unë nuk e konsideroj fare natyrisht, ndërkohë që, ata nuk e konsideronin opsionin se njeriu normal thotë “po mirë mo, mbase populli di diçka më shumë dhe mbase nuk jam unë mirë, apo jo?”
E bën njeriu këtë pyetje, “ore , mbase ka diçka që nuk shkon mes nesh”?
Sepse shumica jeton në Shqipërinë reale, sepse kur shumica dëgjon që në Shqipëri s’ka ujë, s’ka se si ta besojë, përkundrazi ndjen neveri për ata që e thonë sepse e kanë ujin.
Kur shumica dëgjon që në Shqipëri janë ulur pagat, ndjen neveri për ata sepse ka pagën e vet secili, që janë rritur pagat. E kështu me radhë, megjithatë mendova që një kujtesë dhe njëkohësisht një ide e përmbledhur për ku jemi dhe pse nga këtu ku jemi, mund të shkojmë shumë përpara ia vlente dhe kam sjellë këtë prezantim që fillon me një fakt shumë domethënës.
Vlera që krijon Shqipëria. PBB. Sa vlen Shqipëria nga pikëpamja financiare. Ishte më pak se 10 miliardë kur ne morëm detyrë, ka kaluar 25 miliardë euro vitin e kaluar dhe ne projektojmë 35 miliardë në Shqipërinë 2030.
Tani, po t’i dëgjosh ata, duket sikur ishte këtu dhe vajti këtu. Ndërkohë që, ishte këtu, vajti këtu dhe do shkojë atje dhe 35 miliardë euro nuk janë si këto që vijnë ju thonë këta të tjerët juve “do bëjmë ketë, do bëjmë atë” , që janë dëshira dhe përpjekjet për të mikluar njerëz që të votojnë se do t’i bëjnë këta. Do t’i bëjë baba bufi që tha “shiko ça i bënë Gramshit këta, e shpopulluan nga 50 mijë e bënë 60 mijë’’. Ça të thuash? Të vjen dhe sekëlldi domethënë.
“Çdo pension nën 200 euro, ne do ta kemi 200 euro”. Ndërkohë që, këto janë projeksione të Ministrisë së Financave, të ekspertëve tanë edhe në bashkëpunim me ekspertët nga më të mirët ndërkombëtarë, me të cilët ne punojmë.
Këshilltari im i ekonomisë prej disa kohësh është kryeekonomisti i Angela Merkel për 10 vjet. Për t’ju dhënë njërin se kemi dhe të tjerët.
Këtu jemi tek rritja e PBB, ajo që ju tregova më parë në raport me rajonin se ne nuk jemi në garë me Gjermaninë, ju e dini, kur jo ky rrugaçi dytësor, ai rrugaçi kryesor këtu, bashkë me baba bufin në Tiranë ishin në garë me Gjermaninë, e mbani mend ju? Ky këtej duke rrahur njerëz, ai andej duke gënjyer gjithë dynjanë dhe thoshin jemi të dytët pas Gjermanisë. Ne nuk kemi garë me Gjermaninë, ne garën e kemi me rajonin ku kemi qenë vrima e fundit e kavallit.
Shikoni tani në mandatet tona sa është rritur vlera dhe prodhimi i brendshëm i Shqipërisë dhe sa është mesatarja e vendeve të rajonit tonë dhe këto shifrat nuk janë të miat, nuk janë të Nikos, nuk janë të qeverisë, këto shifra janë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare që ndjekim ekonominë botërore.
Këtu jemi tek të ardhurat për frymë, të ardhurat për frymë kur ne morëm detyrën ishin 3200 euro, 10 300 janë në fund të 2024 dhe 15 mijë euro do jenë të ardhurat për frymë në Shqipërinë 2030.
Këtu jemi tek borxhi. Ne gjetëm një vend që në dukje kishte një borxh 70%. Në të vërtetë kishte një borxh shumë më të madh dhe shumë më të rrezikshëm sepse ju kujtohet ajo “rrugë, rrugë, rrugë” apo jo? Ato nuk ishin rrugë, ato ishin tendera rrugësh, ishin kontrata ndërtimi rrugësh dhe ishin daulle inaugurimi rrugësh, por rrugë nuk ishin. E para sepse projektet ishin miserabël. Me të drejtë, njerëzit thonë “Pse kjo Qukës- Qafë Plloçë mori kaq shumë vite dhe më në fund po përfundon por ka kaq shumë vite?”
Sepse njerëzit e dinë shumë mirë, tjetër është të ndërtosh një shtëpi nga e para dhe tjetër është të riparosh një shtëpi të ndërtuar përmbys. Projekti i Qukës- Qafë Plloçë ishte një nga skandalet më të mëdha që mund të imagjinohet, në një pikë, për shembull, ku lidhen dy maja me urë, distanca dhe disniveli midis anës këtej të urës dhe anës tjetër ishte 17 metra, domethënë kishin bërë një shilarëse për makina që ju të niseshit për në anën tjetër dhe aty pastaj të përfundonit të gjithë në humnerë. Gjithë këto ishin nisur mbrapsht, duheshin kthyer, duheshin ri-financuar etj. Tjetra ishte që përveç projekteve nuk kishte financime, rrugët kushtonin X, 100 milionë po them kot një numër, për 100 milionë punime këta vinin 1 milionë euro, i ndanin në 100 mijë, 100 mijë, bënin kontratën, i thonin kompanive “Fillojeni ju, vazhdoni se ne do t’ju paguajmë”. Kompanitë çfarë bënin? Shkonin në bankë dhe i thonin bankës “Na jep kredi se ja ku e kemi kontratën, e kemi garancinë nga shteti, do na i japi shteti dhe ne do jua kthejmë”. Banka ua jepte kompanive, kompanitë vazhdonin punën me lekët e veta të marra në bankë , futeshin në borxh për shtetin dhe në një moment të caktuar ndaluan sepse shteti nuk i jepte para, banka nuk i financonte më, këta nuk kishin më fuqi e ndaluan, nuk punonin më në rrugë dhe rrugët u lanë rrugëve, arna-arna që të mos them për standardet.
Po kështu me kompanitë e shërbimeve, nuk kishte më ilaçe në spitale, kishin ndaluar furnizimi i shkumësa në shkollë. Mësuesit e dinë shumë mirë, ata që kanë qenë mësues në atë 2012-ën dhe 2013-ën e dinë shumë mirë që u bë problem shkumësat lëre për të tjerat sepse nuk ju jepnin paratë. Invalidët, personat me aftësi të kufizuar që duhet të merrnin këstet e tyre kishin 40 milionë euro pa marrë, nuk ja jepnin. Ju kujtohet? Dilnin ata të shkretët tek kryeministria, këta i fusnin policinë, ata me karroca, ngri karrocat policia në ajër. Kjo ishte Shqipëria e këtij rrugaçit këtu bashkë me të vëllanë krye rrugaç këtu dhe me baba bufin atje. Kjo ishte ajo Shqipëria.
Për ata që po më dëgjojnë pse them rrugaç sepse nuk e dinë, ju e dini, duhet ta dinë që janë 2 vëllezër këtu, njëri katran që e keni parë deputet, një Nallbati dhe njëri katran me bojë që është i vëllai që më thonë që është një pëllëmbë mbi tokë dhe sjell vërdallë gjithë dynjanë këtu dhe tani që flasim është prapa hekurave sepse kanë bërë një skandal këtu e kanë rrahur njerëz. Ja kjo është e vërteta. Këta tani do bëjnë Devollin madhështor, kupton apo jo? Një xhuxh agresiv do bëjë Devollin madhështor bashkë me të vëllanë.
(Si i thoni, Duçe i thoni? Po pse i thoni Duçe? Ngaqë është i fortë ë?)
Pra, 700 e ca milionë euro ishin kështu dhe Shqipëria ka qenë në një moment që e kanë shpëtuar të gjithë ata që votuan për ta nxjerrë me shkelma baba bufin bashkë me zogjtë e tij nga zyrat sepse shikoni këtu se çfarë situate ishte.
Ajo marrëdhënia me bankat kishte çuar kreditë e këqija këtu, do të thotë që çereku i kredive për banka ishin të këqija, nuk mund të ktheheshin dhe kur kreditë e këqija prekin tavanin e 25%, normalisht në një shtet normal me njerëz normalë jo me Duçen, me njerëz normalë, jo me Duçen dhe me bufin sepse qenka e bukur kjo Duçja-Bufi, Bufi-Duçja, shpërthen alarmi i kuq sepse rrezikohen bankat”. Ne i shlyem të gjitha borxhet, sot i kemi futur në rrugë më në fund rrugët me standarde e me të tëra, së shpejti do keni dhe Qukës – Qafë Plloçë, ndërkohë që shikoni ku i kemi ulur kreditë, në 4% që është një nivel normal në të gjitha vendet normale.
Këtu jemi tek përqindja e popullsisë në rrezik për varfëri sepse këtu po të hysh në darkë, se unë ato debatet mediatike i quaj berberhane mediatike që rruajnë e qethin të vërtetën dhe rruajnë e qethin dynjanë por rruajnë e qethin edhe pensionistët sepse e dini si është puna e atyre që shikoni atje që bëjnë moral dhe që bëjnë politikë e na tregojnë analizat e ditës? E dini ju që ata shumicën dërrmuese të parave për të ndenjur atje çdo natë e marrin nën dorë? Ata që qajnë hallin e pensionistëve, ata që thonë “Nuk rriten pensionet se ka korrupsion”, ata nuk paguajnë sigurime shoqërore për atë që marrin, jetojnë me para të zeza, ata? Një pjesë dërrmuese, të mos i fus të gjithë në një thes, dhe sa më shumë shajnë, kijeni parasysh, aq më shumë para të zezë marrin për të sharë atje dhe nuk i deklarojnë dhe na tregojnë ne varfërinë që ka pllakosur Shqipërinë, ata që nuk i kanë thënë njëherë punës “Mirëmëngjesi” dhe vijnë vërdallë me makina të shtrenjta e kanë vila nëpër bregdet etj, dhe na tregojnë ne.
Ndërkohë që këtu kemi rrezikun e rënies në varfëri të matur nga Eurostat, jo nga ne. Eurostat është institucioni i statistikave europiane dhe ja ku është sot përqindja e rrezikut dhe ja ku është mesatarja e vendeve të BE-së. Pra, jemi në të njëjtën mesatare. Këto janë fakte.
Këtu jemi tek një tjetër e dhënë e rëndësishme, pabarazia në të ardhura, ajo shpërndarja që kemi bërë ne dhe do t’ju tregojmë më pas se si e kemi shpërndarë ne pasurinë e krijuar në këtë vend ku juve ju thuhet çdo ditë “Janë 5 persona, 5 oligarkë që i marrin të gjitha, të tjerët nuk kanë as bukë, nuk kanë as ujë, nuk kanë as drita, janë 5, janë 5” edhe i përsëriten ndërkohë që unë ju them “Në Shqipëri nuk ka oligarkë. Ka një grup të pasurish, do t’ju tregoj se çfarë kemi bërë ne me ta por nuk ka oligarkë. Oligarku dhe oligarkët janë një grup që i imponohen qeverisë, që i japin urdhra qeverisë dhe i bëjnë ligjet ata dhe qeveria është thjesht një kukull.
Niko ka punuar me mua nga shumë afër, e di shumë mirë që këta jo që të japin urdhra por këta për të marrë takim me mua duhet të presin me muaj kështu që nuk ekziston kjo dhe ata janë punëdhënësit më të mëdhenj dhe janë dhe taksapaguesit më të mëdhenj por ajo që është e rëndësishme është që pabarazia në të ardhura në Shqipëri ka rënë në këtë nivel dhe shikoni mesataren e vendeve të BE-së dhe këtu prapë është Eurostat nuk jemi ne, nuk e kemi matur ne këtë prandaj po i tregoj se po ti kishit të nxjerrë shifra tona, të gjithë do thonin “Ja kështu i sajojnë këta, kështu mashtrojnë këta, fasadat e këtyre, propagandat e këtyre”. Ja ku janë faktet.
Këtu jemi te tregu i punës. Shikoni niveli i papunësisë kur ne morëm detyrën, shikoni nivelin e papunësisë sot, është më i ulëti historik nën 10%. Tani shumë njerëz thonë, ah po ngaqë ka rënë numri i popullsisë, ka rënë dhe numri i papunësisë. Jo! Nuk është % mbi popullsinë kjo. Kjo nuk është 8.8% e gjithë popullsisë, këtu nuk llogariten pensionistët, këtu nuk llogariten kalamajtë. Kjo është % mbi forcat e punës dhe s’ka rëndësi sa i madh apo sa i vogël është vendi, përqindja del mbi sa forca pune ka vendi në dispozicion dhe sa prej tyre janë në punë dhe sa prej tyre janë pa punë.
Këtu jemi tek të punësuarit. Këtë e kam shumë qejf se kjo është ajo 300 mijë vende pune që këta e përsërisin. Ku i ke 300 mijë vende pune? Ku i ke? Kua-kua-kuak. Tani kjo shifër këtu janë 1 milion 23 mijë emra dhe mbiemra njerëzish, shqiptarësh të punësuar në regjistrin e shtetit dhe me sigurime, me të gjitha detyrimet në vitin 2013, 1 milion e 23 mijë.
Këta janë të punësuarit e vitit 2024, 1 milion e 327 mijë. Këta janë të gjithë 1 milion e 327 mijë emra dhe mbiemra. Tani midis këtyre të dyjave, se këtu është hap një problem i madh dhe me aritmetikën, se ç’të presësh nga Duçja me bufin, këta luftojnë edhe me aritmetikë. Apo jo? Ça të presësh nga Duçja dhe bufi? Luftë me aritmetikën. Ne u tmerruam kur dëgjuam 7×7=42, tani është bërë 7×7 = 6 milion, edhe prit sa bishta ka mbrapa. Ndërkohë që, këtu janë 300 mijë e pak, ja ku i ka.
Kjo është e rëndësishme, pwrqindja e të punësuarve me pagën nën 40 mijë lekë. Kemi vënë 40 mijë lekë që mos bëjnë atë lojë, jo po euro. Ja ku janë 40 mijë lekë. Shikoni sa shqiptarë jetonin me nën 40 mijë lekë, se nuk e arrij dot as unë, jo më Duçja? Shikoni sa shqiptarë, 60 %, nën 40 mijë lekë. Këta që do ta bëjnë Devollin madhështor, sot shikoni ku ka rënë shifra dhe këto janë kryesisht kontrata të pjesshme.
Këtu vijmë te paga. Kjo është paga minimale, shih sa është kjo sa Duçja. Ja një pëllëmbë pagë! Një pëllëmbë pagë, po për këtë një pëllëmbë pagë bëhet zhurmë e madhe, e kupton? Si Duçja!
Kjo është paga minimale sot. Kjo është paga minimale në janar të 2026-ës dhe paga minimale në Shqipërinë 2030 do të jetë të paktën 650 euro, të paktën.
Këtu jemi tek rritja e përgjithshme e pagave dhe kemi pagën mesatare, që është paga në shtet dhe në privat. Dhe tek ajo 1 milion e 327 mijë të punësuar, se këta thonin, i punësojnë në administratë. Ju përsëris, administrata ka më pak se 90 mijë, administrata shtetërore plus nja 30 mijë i ka administratë vendore dhe të dyja bashkë janë 120 mijë të punësuarit në Shqipëri janë siç e patë 1 milion e 327 mijë mijë.
Kjo është paga mesatare. Kjo është mesatarja midis Duçes dhe të vëllait. Sektori publik, sektori privat, ai në parlament, edhe ky rrugëve, kjo është paga “kaq e gjatë”.
Shikoheni tani pagën mesatare sot 848 euro dhe në Shqipërinë 2030, paga mesatare në sektorin publik që sot është 1 mijë euro, do të bëhet 1200 euro, ndërsa paga mesatare e përgjithshme, që sot është 848, do të shkojë të paktën 1 mijë euro.
Ky është pensioni mesatar me vite të plota pune, se e kemi bërë të qartë se na e kontestuan këta të aritmetikës, të aritmetikës alternative.
Tani ne sot në Shqipëri kemi dy blloqe pensioni. Blloqet e pensionistëve në Shqipëri janë tamam si këto dy grupe. Nga një anë kemi grupin deri në 2013-n që kanë dalë në pension, nga atje kemi grupin mbas 2017-s dhe vija ndarëse është reforma jonë e 2014-s.
Tani, nga ky grupi, mbas 2014-s, jo vetëm që pensionet janë më të larta, por gjenden shumë pensionistë që për të njëjtat vite pune në të njëjtin profil, për shembull, një mësues që ka punuar 40 vjet në këtë grupin këtej e ka pensionin më të lartë sesa një mësues që ka punuar 40 vjet në këtë grupin këtej. Ky grupi këtej, blloku i parë, u përçmua dhe u trajtua si një popull që ishte thjeshtë për t’u shoqëruar deri kur të vdiste, sepse nuk kishte më asnjë lloj, asnjë lloj interesi përveçse një asistence dhe u vu dhe një tavan 24 mijë lekë të reja, edhe të kishe bërë ti anijen kozmike 24 mijë lekë të reja e kishte pensionin. Nuk u bazua pensioni tek kontributi, u bazua tek asistenca. Nuk kishte sistem pensionesh. Pra, ai sistem s’ishte sistem pensionesh, domethënë këta nuk i bënë sistem pensionesh Shqipërisë për 20 e kusur vite, ku është dhe një përgjegjësi e Partisë Socialiste të mëparshme, duhet ta themi, dhe kërkojnë llogari nga ne. Ndërkohë që ne gjëja e parë që bëmë, bëmë sistemin e pensioneve dhe vumë rregullin që sipas kontributeve të del pensioni dhe faktikisht sot kush del në pension sot kjo është mesatarja e pensioneve sot, e bazuar në sigurimet që quhet pensioni mesatar me vite të plota pune, kjo është.
Ndërkohë kemi një situatë me pensionet minimale, që është një situatë shumë e vështirë, jemi shumë të vetëdijshëm. Por nga ana tjetër ne nuk kemi dashur dhe nuk kemi për ta bërë përmbysjen e kësaj që kemi ndërtuar, sepse i bie të hapim prapë një gropë. Kështu që ne do të vazhdojmë të konsolidojmë sistemin e pensioneve, të rrisim të ardhurat nga sigurimet dhe të rrisin pensionet, gjë që do të ndodhi automatikisht dhe po ndodh, dhe prandaj ky pension mesatar sot në Shqipërinë, 2030 do të jetë 400 euro, dhe ajo 400 euro, ka pensione dhe 500 dhe 600, ka pensione dhe 300 dhe 250.
Ndërkohë që për të ndihmuar ata që janë nën 200 euro që i përkasin bllokut të parë dhe i përkasin sidomos pensioneve të fshatit, që janë pensione asistence, se s’kanë paguar kurrë sigurime shoqërore, ne kemi vendosur bonuset dhe e kemi parë që bonusi i atyre që janë nën 200 është më i lartë, i atyre që janë mbi 200 është më i ulët. Do vazhdojmë me bonuset.
Për herë të parë kemi vënë dy bonuset, sepse ekonomia po shkon më mirë, por ndërkohë, nuk mund ta lëmë më situatën duke thënë që kjo është, kështu ju la këneta dhe ne nuk ju nxjerrim dot nga ajo situatë, po duhet që ne për shkak se ekonomia po përmirësohet dhe këtu luan një rol të veçantë edhe futja në Bashkimin Europian. Duam që ne ta çojmë pensionin, duam që në Shqipërinë 2030 të mos ketë asnjë pension nën 200 euro, asnjë. Nuk ka rëndësi ku ka punuar, kjo është perspektiva. Këtu jemi tek pensioni mesatar në total. Shikoni si nis tani totali. 300 euro ishte ai i ploti, që bazohet tek reforma jonë, tek sistemi që kemi krijuar ne. Shikoni tani si zbret menjëherë se futen të dyja bashkë. Kështu e ka tërhequr prej këmbwsh këneta popullin shqiptar. Kështu e ka tërhequr prej këmbesh Shqipërinë dhe kështu i ka tërhequr prej këmbësh pensionistët. Dhe habiten pastaj dhe thonë pse shumica e pensionistëve vazhdojnë votojnë ne, po se pensionistët e njohin lapsin më mirë nga të gjithë dhe kur vjen puna te analiza politike, janë analistë më të mirë që ka Shqipëria.
Jo ata gjytyrymët që dalin atje me kravata si ambasada sovjetike.
Këtu jemi tek shpërndarja. Ajo që ju thashë më përpara. Pse pabarazia në të ardhura është ulur në atë nivel, sepse ne bëmë një ndryshim themelor, në mënyrën si taksoheshin njerëzit dhe bizneset. Kjo viza këtu e zeza, është viza e kënetës 10%. 10% ishte taksa për të gjithë, komplet. Domethënë këtu në fillim pastruesja në Kryeministri, pastaj rojet, pastaj punonjësit, pastaj shefat e sektorëve, pastaj drejtorwt e departamenteve, pastaj ministrat, pastaj kryeministri. Të tërë e kishin taksën mbi pagën 10%. Sanitarja merrte një pagë minimale, duhet të paguante dhe 10%. Po 10% nga një pagë minimale është shumë më tepër se 10% nga një pagë maksimale. S’donte të dinte këneta, 10% të tërë.
E njëjta logjikë ishte dhe për biznesin. Si furra, si ky dyqani këtu, si ky lokali “mish zgare i pjekur”, si hotel 15 katëshi 10% e kishin taksën. Dhe këta këtu që bëjnë një fitim për të mbajtur familjen, si ata te15 katëshi që fitojnë se një kompani e madhe 10%, të dyja. Çfarë bëmë ne? Ne thamë jo, kush fiton më shumë do i paguajë më shumë shoqërisë dhe shtetit, kush fiton më pak do paguajë më pak. Dhe shikoni çfarë ndodh me ne. Pra fillon nga këtu tek paga 500 euro që s’ka fare taksë dhe fillon pak nga pak dhe 57% e të punësuarve nuk paguajnë asnjë takse mbi pagën, 93% e të gjithë të punësuarve shtet-privat paguajnë më pak se ky 10%-shi që i rrinte të tërëve në qafë, siç i rri Duçja këtu atyre që akoma kanë frikë një xhuxh. E di që është xhuxh i dhunshëm.
Nga gjithë kjo, kursimi, pra paraja që nuk iu mor më njerëzve për t’u futur në arkën e shtetit, por iu la njerëzve që ta çojnë në shtëpi, është 145 milionë euro në vit. 145 milionë euro në vit në 10 vjet sipas aritmetikes që kam mësuar unë në Lice artistik është 1 miliardë e 450 milionë.
Këtu jemi tek biznesi.
E njëjta gjë, 10%, e thashë. Tani ne çfarë kemi bërë? Atij atje ia kemi bërë zero, s’paguan ai asnjë taksë, asnjë TVSh. Ndërkohë që, këtyre të pasurve ia rritëm nga 10, ia bëmë 15%, me gjithë TVSh patjetër.
Dhe çfarë ndodhi? Ndodhi që biznesi i vogël, këta e quanin deri në 35 mijë euro biznes i vogël pastaj deri 55 mijë euro vinin TVSh-në dhe pastaj quhej biznes i madh. Ne e bëmë deri në 100 mijë euro pa TVSh dhe pa tatim fitim. 66 milionë euro nuk i morëm ne, çdo vit, për shtetin, ia lamë familjeve si puna e asaj familjes atje.
Sa janë në 10 vjet këto? Janë 660 më duket apo jo?
Për biznesin deri në 140 mijë euro vumë TVSh, por nuk vumë tatim fitimin dhe jemi tek 58 milionë euro që nuk i morëm për shtetin, ia lamë prapë atyre familjeve që të forcohen. Çfarë solli kjo në fund? Vazhdojmë se do kemi një shifër të përgjithshme.
Sot 125 milionë euro në vit në gjithë periudhën, kursim për bizneset e vogla dhe të mëdha. A janë këtu 1 miliard e 250 në 10 vjet? Janë besoj apo jo?
Bashkuar me ato 1 miliardë e 450 milionë për njerëzit, të dyja bashkë sa shkojnë? Por janë para që i kanë mbetur njerëzve. Janë para që njerëzit i kanë kthyer në ekonomi familjare dhe që i kanë forcuar bizneset e vogla. Prandaj ne do vazhdojmë. Do i qëndrojmë asaj që kemi thënë qysh në krye të herës deri në vitin 2029, ata që e kanë atë lokalin dhe kushdo që ka biznes të vogël nuk do paguajë asnjë taksë. Zero.
Kjo më pëlqen shumë se këtu është pabarazia burra gra. Këtu kemi qenë kur morëm ne detyrën, vendi 83 në botë për faj të burrave që merrnin vendime dhe që i linin gratë anash. Sot, jemi vendi i 23 në klasifikimin e Kombeve të Bashkuara dhe prandaj jemi një vend shumë më i mirë sot se kemi shumë më tepër gra në vendimmarrje dhe sa më shumë gra të marrin pjesë në vendimmarrje aq më e mirë bëhet vendimmarrja e përbashkët e familjes, apo jo? E dimë shumë mirë këtë.
Sa më shumë gra të marrin pjesë në vendimmarrje, aq më e mirë bëhet vendimmarrja në komunitet, aq më e mirë bëhet vendimmarrja në një vend. Sa më shumë gra të marrin pjesë në vendimmarrje, aq më produktiv është vendi, njësoj si familja.
Dhe ja kalojmë tani tek pse kjo shifër e pabarazisë, nuk është çështja thjeshtë hajde se po vëmë disa gra në këshillin bashkiak, po vëmë disa gra në parlament, nuk është dekor ky, ky është revolucion. Shikoni çfarë ndodh këtu. Papunësia e grave ka rënë dhe ajo nën 10%, por ka një tjetër të dhënë që flet sa gra marrin pjesë në forcat e punës. Nga të gjitha gratë sa përqind e tyre punojnë? Ishte gjysmë për gjysmë.
Sot janë 70% dhe patjetër që Shqipëria është më produktive se është shtuar forca e punës.
Këtu jemi tek paga mesatare e grave që dhe ajo është shumë pak më e ulet sesa e burrave.
Këtu kalojmë tek investimet e huaja.
Ndikimi i tyre në ekonominë e përgjithshme se çfarë s’keni dëgjuar, jo “Shih Maqedoninë”. Shikoni sa i kemi rritur ne investimet në prodhimet e përgjithshme, shiko sa është mesatarja e rajonit.
Këtu jemi tek eksportet, se Shqipëria sipas kënetës dhe atyre moçaleve mediatike nuk prodhon, nuk ka fabrika, në fshat vdesin për bukë, jetojnë me fara. Por që një vend që s’prodhon nuk ka çfarë eksporton apo jo? Ai ka mundësi që ne eksportonim nën 3 miliardë euro. Sot eksportojmë mbi 9 miliardë euro.
Këtu jemi tek pagat e mjekëve. Pagat e mjekeve ishin 490 mesatarja. Është 1670. Do të shkojë 2000 euro.
Këto janë të gjitha përfitimet nga programi kombëtar i mbështetje sociale. Ne kemi krijuar dhe një ministri të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale dhe buxheti i asaj ministrie që ka qenë rreth 250 euro në total, sot është 1 miliardë, ku bashkohen 750 milionë për shëndetësinë dhe 250 milionë për mbrojtjen dhe çështjet sociale. Dhe këtu janë shumë programe mbështetje, nuk dua t’i numëroj të gjitha por dua të veçoj mbështetjen për fëmijët me nevoja të veçanta, autikë dhe që do të dyfishohet që nga janari me buxhetin e ri.
Janë 32 shërbime për persona me nevoja të veçanta. Këtu janë të gjithë numrat e përfituesve dhe ajo që kanë ndodhur, është që të gjitha shërbimet janë shtrirë në të gjitha bashkitë. Bashkitë nuk kishin asnjë shërbim social përpara, sot mbulojnë shërbimet sociale.
Dhe kjo është një shifër e rëndësishme. Ne kemi thuajse përgjysmuar numrin e familjeve me ndihmë ekonomike sepse shumë kanë dalë nga ajo situatë, por e kemi trefishuar ndihmën ekonomike.
Nuk është shumë e lartë, por është shumë më shumë se ç ‘ishte.
Këtu jemi tek një shifër që për mua është prapë shumë e rëndësishme.
Këtu janë 9200 nëna që kanë 3 fëmijë ose më shumë dhe janë të papuna. Prej disa vitesh ne japim 25 milionë euro çdo vit që këtyre t’u paguajmë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, që kur ato të dalin në pension për shkak se nuk kanë punuar, të mos mbetet pa pension, por të kenë një pension dinjitoz se nuk kanë punuar se kanë pasur fëmijë për të rritur, nuk është se s’kanë dashur të punojnë.
Këtu jemi te bonusi i bebes. Ka vajtur 227 mijë numri, 400 euro për fëmijën e parë, se këneta e kishte 50 mijë lekë të vjetra. 400 euro për fëmijën e parë, 800 për të dytin, 1200 për të tretin . Do bëjmë një ndryshim duke filluar nga viti i ardhshëm, nuk do të japim çekun me një shumë në maternitet, por do ta shtrijmë çdo muaj mbështetje për fëmijën që lind, sipas numrit të fëmijëve.
Këtu jemi tek mësuesit. Paga mesatare e mësuesve sot është 950 euro dhe do shkojë 1250 euro.
Këtu, e kam veçuar këtë sepse është e rëndësishme dhe për kohën që jetojmë, mbrojtja, shikojeni sa e kemi rritur ne buxhetin e mbrojtjes në një dekadë. 10 fish. Kishim ushtrinë më të keqpaguar, më të keq pajisur, një ushtri ku rekrutët paguanin rryshfete nga 3000, 4000, 5000 euro për të shkuar në Afganistan dhe një nga simbolet e asaj ushtrie, këneta e ka deputet, a kandidat për deputet.
Këtu jemi tek paga mesatare për ushtarakët. Shikoni sa ka vajtur. 1550 euro. Kjo ka bërë që të ketë shumë me tepër interes për akademinë ushtarake sepse e kemi te domosdoshme t rrisim numrin dhe cilësinë dhe qëllimi ynë është që në Shqipërinë 2030 të shkojmë në pagën mesatare të NATO-s për ushtarakët në uniforme. Është ambicie shumë e madhe por sot ama, nga ushtrinë më te keq paguar të rajonit kemi ushtrinë më të mirëpaguar të rajonit përfshirë dhe Serbinë që ka dhe ushtrinë më të madhe dhe më të fortë në rajon.
Këtu tani kam sjellë një pasqyrë që ça kemi bërë në qarkun e Korçës sepse është e pamundur që dikush që jeton në Devoll, të mësoj se çfarë ndodh në anën tjetër sepse këtu ku t’i mësosh? Ku t’i shikosh gjërat? Ne përpiqemi me rrjetet tona sociale, por njerëzit janë në punën e tyre. Kur shkojnë hapin portale, portalet nuk kanë lidhje me asgjë nga ato që pat deri tani. Futen nëpër kanale, kanalet merren me historira kronikash dhe nuk merren me ça ndodh. Pastaj vijnë ato emisionet e berberhaneve kështu që është e pamundur. Ndërkohë që një pasqyrë e përgjithshme e gjithë investimeve dhe transformimit që është bërë në çdo qark, është e rëndësishme për t’u ndarë me ju për të kuptuar se sa shumë është bërë dhe jo për të thënë që shiko se është bërë një mrekulli, po sa shumë është bërë dhe sa bazë të mirë kemi krijuar për të shkuar më tej. Këtu kemi infrastrukturën rrugore në qarkun e Korçës.
Kjo e infrastrukturës rrugore për mua është shumë e rëndësishme sepse po të dëgjosh dhe të lexosh ç’ thotë Shqipëria e kënetës ‘’në Shqipëri s’ka rrugë, janë vetëm këto rrugët kryesore, pastaj fshatrat janë komplet në ajër. Nuk kanë rrugë’’. Ndërkohë që ka akoma probleme por të tëra këto, të tërë këto damarë jeshile apo të verdhë që janë; me jeshile rrugët e asfaltuara dhe me të verdhë rrugët e bardha, që janë rrugë që përdoren dhe në Evropë për zonat e thella rurale, janë 325 kilometra të investuara nga ne dhe duke mbështetur bashkitë dhe 163 projekte, 324 milionë euro kemi investuar për qarkun e Korçës. Për gjithë ça ka rrugë të brendshme, qytet apo fshat.
Këtu jemi tek rigjenerimi urban që e quajmë. Kjo pasqyrë është problemi më i madh i Niko Peleshit se kur e shohin te tjerët në qarqet e tjera, Niko nuk arrin dot që ta zbusë atë xhelozinë dhe inatin që kanë me Nikon, se thonë “Niko i mori të tëra në Korçë’’ , se në fakt është një numër shumë i madh projektesh të rigjenerimit urban ku hyn dhe kjo këtu që kemi bërë, 34.6 milionë euro.
Këtu jemi tek investimet për turizëm dhe mjedis. 40 milionë euro ka investuar kjo shumicë qeverisëse për turizmin dhe mjedisin dhe për t’i gjetur, për t’i mbledhur bashkë 40 milionë për turizmin dhe mjedisin, të investuara në qarkun e Korçës, sinqerisht duhet të mblidhni bashkë gjithë vitet e tjera të të gjitha qeverive dhe të shkoni të shtyheni deri nga viti 1970 dhe nuk jam i sigurt që bëhen aq shumë.
Këtu jemi tek ujësjellës-kanalizime, një tjetër mit që nuk ka ujë, në fakt, ka akoma problematika por ama 101 projekte ujësjellës-kanalizime kemi bërë në qarku ne Korçës për 113 milionë euro dhe janë të gjitha këto pika që e tregojnë këtë gjë.
Kjo është infrastruktura energjetike, përmirësimi i shpërndarjes dhe rritjen e cilësisë të transmetimit, këtu jemi në 31 milionë euro për 65 projekte.
Kjo është mbështetja në bujqësi, 55 milionë euro, i takon sepse është një nga qarqet avangardë në bujqësi por janë 118 projekte që janë mbështetur këtu nga qeveria.
Këto janë shkolla, kopshte, terrene sportive, 114 projekte, 36 milionë euro.
Këtu jemi tek kultura. 20,3 milionë euro për kulturë qeveritë e mëparshme nuk i kanë harxhuar për buxhetin kombëtar. Ne ia kemi dhënë vetëm Korçës, qarkut.
Këtu jemi tek qendrat shëndetësore, spitali por spitali nuk llogaritet këtu sepse ka filluar tani. Jemi në 18 milionë euro për 80 projekte.
Kemi këtu kontributin e përgjithshëm të qeverisë për qarkun e Korçës, 673 milionë euro. Këtu nuk hyjnë rrugët kombëtare, që të jemi shumë të qartë.
Tani, miqtë e mi, se sot është dhe 5 maji dhe dua që të kujtojmë me respekt dhe me përulje të gjithë ata që dhanë jetën për liri, që dhanë jetën për këtë flamur dhe pikërisht në këtë 5 maj përpara këtyre flamujve dua t’i them të gjithë devollitëve që kanë një zgjedhje, për mua, shumë të qartë.
Zgjedhja është shumë e qartë, zgjedhja është midis një grupi rrugeçërish ku krye rrugaçi sot është në burg për rrahje, ndërkohë që krye-rrahësi nuk është në burg se është deputet dhe midis të gjithë këtyre deputetëve dhe deputeteve që ne ia ofrojmë edhe Devollit edhe Korçës, midis një kënetë që është një turp kombëtar dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zgjedhja është midis një politikani të mbaruar, të pashpresë dhe shpresës së madhe të Shqipërisë, më në fund, përfundimisht europiane, e lirë dhe e barabartë mes të gjithë popujve të Europës.
Zgjedhja është midis kënetës bashkë me bufin për tu kthyer edhe njëherë atje ku të çon bufi, në gropë dhe kësaj pasaportës për këtë gjeneratë këtu që ka lindur me këmishë sepse është gjenerata e parë edhe me celular edhe me pasaportë europiane. Nëse ne të tjerët do të bëjmë gjënë e duhur për ta dhe nëse të gjithë prindërit do të bëjnë gjënë e duhur për fëmijët e tyre sepse do tu japin në dorë një dhuratë që prindërit tanë nuk na e dhanë dot, gjyshërit tanë nuk ia dhanë dot prindërve tanë dhe kështu me historinë për të shkuar deri tek Skënderbeu që bëri profecinë që vendi ynë, vendi i nipërve, vendi i stër-stër nipërve të tij është në Perëndim e jo në Lindje dhe që ne fati na e ka sjellë me një votë të bashkohemi, t’i japim fuqi Shqipërisë t’i mbyllë negociatat dhe ta kapërcejë atë prag dhe kjo gjeneratë, – ja urdhëro i vjen mesazh. Ti je në rregull. Ti mos dëgjo, ti lexo mesazhet, për ty punon babai, për ty punon mamaja, xhelin ta japin ty që të mi bësh këto flokët si kaçube, të veshin, të mbajnë mirë, ti me duar në xhepa ata punojnë, do të vijë dhe pasaporta ty. A voton ti? Ky as nuk voton, do të vijë dhe pasaporta me votën e të tjerëve dhe do na bëhesh ti europiani i shekullit të ri. Shko tek ata europianët e tjerë tani sepse po të presin edhe me mend në kokë.
Ju falënderoj shumë të gjithëve. Në 11 maj e dini vetë se çfarë duhet të bëni, por edhe ju demokratët atje, në 11 maj e dini vetë se çfarë duhet të bëni, ndërroni dorën edhe ju.
Shqipëria e ka ndërruar dorën, ndërroni dorën more burrë. Shqipëria e ka ndërruar dorën kaq shumë vite, ndërroni dorën, gjithë ata burra mbrapa Duçes.
Mirupafshim!