Partia Socialiste e Shqipërisë

Komunikim me gazetarët i Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë në Selinë e PS:

Zoti Rama gati dy orë mbledhje me kryesinë. Ku ishte fokusi i kësaj mbledhje të radhës?

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama: Jemi mbledhur sepse nga njëra anë kemi mbyllur projektbuxhetin, që është një moment shumë i rëndësishëm dhe tani kemi dhe fazën e diskutimeve nen për nen dhe nga ana tjetër jemi duke realizuar një dialog të gjerë me shqiptarët në të gjithë Shqipërinë dhe kemi bërë një diskutim mbi ecurinë e këtij dialogu, që nuk zhvillohet vetëm kur shkoj unë, por zhvillohet në vazhdimësi edhe nga drejtuesit e qarqeve. Dhe kemi diskutuar sesi këto të dyja bashkohen me njëra-tjetrën tani për të konkluduar këtë periudhë të mbetur të vitit dhe natyrisht kemi folur dhe për projeksionin e vitit të ardhshëm ku një moment shumë i rëndësishëm janë zgjedhjet vendore.

-Ditën e djeshme mazhoranca miratoi kalimin e gati 800 m2 të portit të Durrësit tek një kompani. Është një kompani, e cila në QKB rezulton në 40% në pronësi të Alabar ndërkohë që 60% tjetër i aksioneve nuk dihet se kush janë. Zoti kryeministër, jeni në dijeni se kush i zotëron këto 60% të aksioneve ku qeveria shqiptare i ka kaluar portin e Durrësit ?

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama: Unë kam parë shumë gjëra të shëmtuara që janë burim neverie në historinë politike shqiptare dhe kjo është një nga më të shëmtuarat. Marrja nëpër gojë në mënyrën më skizofrenike, më të ulët, më të paturpshme e një personaliteti, një personalitet i ekonomisë globale, kompania, një nga kompanitë e të cilit në fakt, sepse s’është e vetmja, një nga kompanitë e të cilit është e regjistruar nga Abu Dhabi ka selinë në kullën më të lartë të Abu Dhabit. Një personaliet që ka ndërtuar gjysmën e Dubait dhe që vjen këtu, jo se s’ka punë, jo se s’ka ku të shkojë tjetër, por vjen këtu si rezultat i një marrëveshjeje partneriteti me Emiratet e Bashkuara në një moment tejet të vështirë, kur unë shkova për të diskutuar për mundësinë e mbështetjes për familjet e goditura nga tërmeti në Durrës dhe kur shpreha në një farë mënyre dhe pakënaqësinë apo le ta themi kështu rezervën, që pavarësisht gjithë miqësisë dhe një historie që ka filluar si shprehje e madhe miqësie me ardhjen këtu të tyre në kohën e luftës në Kosovë, kur hapën pistën për të sjellë ndihma humanitare që solli si rezultat reagimin e Princit të Kurorës në atë kohë, tani është bërë dhe President i Emirateve, duke nxitur sjelljen e kësaj kompanie dhe të këtij investitori që është krenari kombëtare në një nga vendet më të pasura të planetit, dhe i hyhet në mënyrën më barbare, më të shëmtuar, më ordinere, më skizofrene nga një non grata, nga një llum që çdo ditë ndot me prodhimin e tij që është llum, veshët, sytë, hundët, shtëpitë e shqiptarëve, këtë unë nuk di se çfarë të them

-Ky personalitet deklaron që ka vetëm 40% të aksioneve. Kush i ka 60 të tjerat e kompanisë? Këto janë të regjistruara në QKB

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama:Unë nuk merrem me këto konversione injorante. Unë po ju them dhe një herë tjetër që ne nuk kemi miratuar asgjë, që nuk thoni një herë që e kemi miratuar. Ne nuk miratuar asgjë. Ne kemi futur për diskutim me procedurë të përshpejtuar një marrëveshje strategjike, e cila është e mirë për ty, është e mirë për familjen tënde, është e mirë për të gjithë ju që jeni brez më i ri. Është e mirë edhe për prindërit sepse nuk është problemi që sjell një investim prej më shumë se 2 miliardësh, të cilat vijnë këtu për të ndërtuar portin turistik më të madh të Mesdheut, por transformon përgjithmonë imazhin dhe transformon përgjithmonë industrinë tonë kryesore, që është turizmi duke pasur një impakt të drejtpërdrejtë në prodhimin e përgjithshëm kombëtar të Shqipërisë. Si mundet, ndërkohë që të gjitha këto pyetje “çfarë do përfitojnë shqiptarët, çfarë do përfitojë Shqipëria, çfarë do përfitojë turizmi, çfarë do përfitojë Durrësi, çfarë do përfitojnë ata që do punojnë aty, çfarë, çfarë, çfarë dhe çfarë do përfitoni ju si njerëz të këtij vendi janë legjitime dhe i përkasin diskutimit që do të bëhet. Ndërkohë që, i kemi shpjeguar një pjesë të tyre sepse ka kaq kohë që negociojmë. Është bërë negociata më e gjatë, më intensive, më e detajuar dhe është një investim ku shteti shqiptar nuk ka dhënë, por ka marrë njëkohësisht 33% të aksioneve.

Një investim i ngjashëm me një model të ngjashëm bëhet në vijën ujore të Beogradit. Ka sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë e Beogradit dhe të Serbisë, ky lloj investimi dhe ne kemi marrë edhe 1% më shumë aksione seç kanë marrë ata. Këto muhabete pazari, te “gabi”, jo kjo, po ajo, ju mund t’i bëni sa të doni se unë nuk jam këtu për t’iu përgjigjur juve.

Këto janë diskutime që do të bëhen dhe ju do t’i dëgjoni dhe ngritja e këtyre lloj akuzave, derdhja e këtij lloj llumi është një turp i madh. Është një turp shumë i madh. Marrëveshja është nënshkruar këtu e nuk e di se sa kohë përpara. Është nënshkruar publikisht dhe në Kuvendin e Shqipërisë marrëveshja do të ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Kështu që, do të jetë aty, do të ketë kohë për diskutime, për të parë detajet, për të ngritur pyetje, për të dhënë përgjigje. Nuk është miratuar gjë. Është futur me procedurë të përshpejtuar për ta mbyllur këtë marrëveshje në këtë periudhë dhe për t’i dhënë mundësi fillimit të ndërtimit, sepse fillimi i ndërtimit do të thotë vende pune, sepse fillimi i ndërtimit do të thotë lëvizje ekonomike. Bëhet fjalë për një volum investimi që është volumi më i madh i një investimi të huaj në Shqipëri. Bëhet fjalë për një investim që e fut Shqipërinë si një aktor kryesor në hartën e turizmit të Mesdheut e Mesdheu është vaska më e rëndësishme e turizmit në botë. Po kujt t’i flasësh non gratës apo atyre që shkojnë pas non gratës?! Kujt t’i flasësh, non gratës që ushqehet me paratë ruse dhe që vjell për paratë ruse apo atyre që i shkojnë nga mbrapa?!

-Zoti Kryeministër, a po e konsideron Partia Socialiste mundësinë e një koalicioni për zgjedhjet e 14 majit?

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama:Me qytetarët!

-Prej dy ditësh në Parlament përveç diskutimeve për rendin e ditës, gjuha e përdorur si nga ju dhe nga deputetët e Partisë Demokratike ka degraduar në sharje e deri në ofendime. Madje ditën e sotme, ju keni akuzuar me anë të një status në Tëitter se dy deputetët e Partisë Demokratike ishin të dehur, akuza të cilat janë mohuar nga deputetët, madje duke pretenduar që ata kanë marrë një përgjigje me të njëjtën gjuhë të përdorur nga ju.

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama:Normal. Unë nuk kam njohur deri tani asnjë të dehur që të pranojë që është i dehur. Ata janë bedelë dhe  janë bedelë në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Hapni fjalorin dhe gjeni se çfarë do të thotë thotë bedel. Dhe janë bedelë sepse sot është dita për t’i dhënë përgigje një pyetje; Pse paratë ruse u derdhën në Shqipëri tek një parti politike për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi ? Patjetër tek një parti e opozitës, patjetër për të rrëzuar një qeveri me të cilën kjo parti ishte në opozitë, por ishte dhe është qeveria e këtij vendi  dhe besoj që edhe për një parti të opozitës, qeveria e këtij vendi duhet të jetë më e rëndësishme sesa paratë ruse dhe në këtë moment, kur askush nuk çohet dhe thotë: “ky është një turp që ka bërë Partia Demokratike, unë jam këtu, nuk isha asnjë dijeni për këtë. Më vjen shumë zor që në atë kohë unë nuk e besova këtë gjë. Kërkoj falje që u kam thënë shqiptarëve që ky është një komplot i Sorrosit me Edi Ramën sepse ky paska qenë një fakt, sepse tani e shkruan e zezë në të bardhë një raport i shërbimit sekret amerikan i CIA-s i bërë publik, kështu që për të gjitha këto arsye unë ndihem keq dhe distancohem” . Jo, nuk e bëri asnjë. Nuk e bëri asnjë sepse jo se ata kanë marrë pjesa më e madhe e tyre paratë, po sepse janë bedelë dhe në momentin kur janë bedelë, nuk ka kapacitetin moral minimal për të vënë vendin e vet, interesin e vet mbi bedelizmin, atëherë ai nuk është vetëm një bedel, është një i pafe,është një i paatdhe.

-A është etik fjalori juaj?

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama: Ju gjykojeni pastaj sesa etik apo jo është. Unë di që një bedel që interesin e vendit të vet, nuk ka kapaciteitn ta njohë dhe lëre më pastaj ta respektojë, dhe që e quan pastaj komplet normale që paratë e një vendi jo miqësor, për ta thënë  me terma shumë të butë, të merren për të rrëzuar  qeverinë e vendit të vet, është një i pafe’.

Është një i paatdhe, është një pa din, pa iman patjetër. Tani këto ishin fjalët që unë thashë, në këto fjalë u qëndroj sepse kjo është fatkeqësisht e vërteta.

– PO si e dalluat ju, Z. Rama që ata ishin të dehur?

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama: A ju po flisni për këtë? Për këta tani? Sepse për pak u deha dhe unë nga aroma e alkoolit që ata kishin pirë dhe besoj që vetëm të dehurit mund të flasin me atë gjuhë që s’ka lidhje fare me këtë që po diskutojmë ne, dhe që as nuk mund tua them sa çfarë gjuhe ishte në mes të një mexhelisi që quhet parlament i një republike.

-Cila gjuhë? Cila?

-A është një gjuhë që ju vetë e keni kërkuar të mos e përdorni, I dehur, tapë? Ëhtë një gjuhë që ju keni kërkuar të mos përdoret në parlamentin shqiptar?

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama: Më vjen shumë keq. I dehur nuk është asgjë më tepër se një status i veçantë në një moment kur ke konsumuar lëndë helmuese luftarake. Nuk është, është status që ti e fiton në momentin kur ti ke konsumuar lëndë helmuese luftarake, atëherë kur gjuha jote del jashtë kontrollit dhe nxjerr fjalë, të cilat në gjendje të esëllt ti e ke më të vështirë t’i nxjerrësh, edhe pse ato personazhe  i kam parë t’i nxjerrin edhe kur të paktën unë nuk kam mundur të konstatoj aromën e tyre.

-z. Rama kush do t’i paguajë për shpronësimet e Durrësit se nuk po ktheni përgjigje për këtë.

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama:Dhashë një përgjigje shumë të gjatë për këtë dhe për të gjithë të tjerat ka kohë për diskutime dhe për shpjegime sepse nuk jam këtu  për të humbur kohë për të gjitha funksionet e injorancës.

-Nuk është humbje kohe, janë 500 mijë metra katrorë. Po flasim dhe taksat dhe po heqim gjithashtu edhe detyrimin për strehimin social. Atëherë çfarë merr shteti shqiptar,  keni bërë një studim për ato që fitoni?

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama: Nuk është e mundur, është e pabesueshme që ndodh gjithmonë e njëjta gjë. Dhunë, dhunë. I bëre pyetjet? I more përgjigjet? A t’i përgjigjem edhe kolegeve të tua sepse është e pabesueshme. Dhashë përgjigjet që kam për të dhënë. Nuk jam këtu në interpelancë për Portin e Durrësit se s’do rri këtu t’u jap përgjigje të gjitha llojeve të pyetjeve që vijnë nga “non grata’’ përmes teje.

-Për të rrëzuar qeverinë, opozita ka organizuar të shtunën një protestë. Ju diskutuat për protestën dhe jeni të përgatitur për çdo lloj skenari?

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama:Nuk kemi asnjë lloj minute për të humbur me protestën e thirrur prej atyre që kanë marrë gjysmë milioni dollarë për të bërë protesta të kësaj natyre në të kaluarën. Koha do  tregojë që lidhjet e tyre me likuiditetet ruse nuk janë ndërprerë, do ta shikoni dhe nuk kam asgjë për të thënë, përveçse një keqardhje të madhe për të gjithë ata, që do t’u shkojnë nga mbrapa duke menduar se kush e di për çfarë po u shkojnë nga mbrapa, po thjesht po tërhiqen për hunde nga një prej përfaqësuesit më të zymtë  e më të mallkuar të historisë sonë, të cilët e ndjekin pas këtë vend që prej vitit 1912. Ndërrojnë emrin, ndërrojnë pamjen por janë po ata, që prej 1912.

-Z. Rama, për t’iu kthyer edhe një herë tek zgjedhjet lokale. Sa bashki synon Partia Socialiste që të fitojë?

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama: Të gjitha. Natën e mirë.