Partia Socialiste e Shqipërisë

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin elektoral të zhvilluar në Dimal:

Shumë faleminderit të gjithëve për mikpritjen!

E vlerësoj shumë edhe mbështetjen e vazhdueshme që ju i keni dhënë Partisë Socialiste dhe bësoj shumë që këtu në bashkinë tuaj, ju keni mundësi që ta vlerësoni fuqinë e ndryshimit të Partisë Socialiste kudo ku hidhni sytë.
Mua më kujtohet kur kam ardhur këtu dikur dhe ajo që sheh sot është dita me natën, me atë që ishte.
Më kujtohet kur kam ardhur këtu dhe kam gjetur qindra familje të përmbytura me gjithë baltën që kishte hyrë në shtëpi.

Sot, në vend që të jetë burim përmbytje këtu, ajo rjedhë uji që kalon është diçka krejt tjetër. Lumi është kthyer nga një rrezik sa herë që binte pak shi, në një tjetër arsye për të besuar tek e ardhmja e këtij vendi, me parqet që i kanë lënë pas përmbytjet dhe shërbejnë e si diga mbrojtëse.

Po nuk është vetëm kjo, është gjithë transformimi urban.

Kjo lagje deri dje ishte krejtësisht pa asnjë lloj shenje përkujdesjeje, sot është një lagje dinjitoze për njerëzit e këtij vendi, për familjet, për fëmijët, për të moshuarit pa folur pastaj për pjesën qëndrore të qytezës tuaj që është një nga shembujt më kuptimplotë të hapave të parë të rilindjes urbane.

Dimali dihet që fuqinë e vet më të madhe dhe bukurinë e vet më të madhe e ka te prodhimi bujqësor. E ka tek ata, të cilët në tokat e kësaj bashkie prodhojnë dhe eksportojnë me sukses të madh dhe janë një shembull i jashtëzakonshëm frymëzimi dhe besimi tek e ardhmja.

Unë dua t’ju them se nëse ka një arsye kryesore ndër të tjera për të cilat e kam mbështetur dhe e mbështes me gjithë zemër Julin është jo çfarë ka bërë këtu në qendër, por çfarë ka bërë me një këmbëngulje të jashtëzakonshme për të mbështetur fermerët, për të mbështetur prodhuesit, për të mbështetur prodhimin me punën gjigante për kanalet ujitëse, për kanalet kulluese dhe njëkohësisht me punën këmbëngulëse për të krijuar sinergji mes tyre në mënyrë që nga bashkimi i forcave të gjithë të fitojnë më shumë.
Besoj që ju e dini më mirë se unë që Juli është një person i veçantë në kokfortësinë që ka.
Është një person me të cilin mund të zihesh edhe pa folur fare, por ajo që ka rëndësi për mua është që kjo kokfortësi kur është e gjitha në dispozicion të detyrës dhe të punës, vërtet që prish shumë nerva rreth e rrotull, por në fund ja vlen sepse jep rezultat për punën.

Unë për Julin nuk kam çfarë t’ju flas shumë sepse flet puna e saj më mirë se çdo gjë tjetër. Në fakt, puna e Julit flet aq mirë sa të gjitha ato të tjerat mund t’ja bësh hallall. Kur e them unë këtë, imagjinoni ju të tjerët se dhe me mua sa herë takohet, zihet, por në fund të ditës unë i çmoj punën që bën. Nuk është që punëtori zihet, se ka plot punëtorë që nuk zihen. Nuk është e thënë që po ishe punëtor, duhet të zihesh patjetër. Po e veçantë, ta nxin jetën. Unë kam hallin tuaj. Në qoftë se ju jeni në rregull, në rregull jam dhe unë se mua ma nxin jetën për punët këtu. në rregull jeni ju?

(Unë kam ardhur nga Tirana të të mbush mendjen ty, ti s’do të më lësh të flas që të më mbushësh mendjen mua për Julin? Në rregull, mirë qenkemi.)

Unë them kështu zotërote, bashkë me gjithë këto gratë e tjera këtu, mos harxhoni energji të më mbushni mendjen mua, po suluni ku ka e ku s’ka gra që i kanë burrat jo shumë mirë nga mendja, shkoni tek ato gratë që i kanë burrat me “cen” në kokë dhe ju thotë koka të votojnë për kandidatët e faqes të zezë dhe thuajini që ka ikur faqja e zezë, nuk duhet votuar asnjë kandidat i tij.

Nuk është një faqe e zezë, sipas nesh, po është një faqe e zezë botërisht dhe është një faqe e zezë që damkën në ballë të zezë sterrë ja ka vënë, jo Partia Socialiste, ia ka vënë Amerika, ia kanë vënë aleatët dhe partnerët tanë që Shqipërinë e mbështesin,Shqipërisë i besojnë. Falë mbështetjes së tyre dhe punës sonë, Shqipëria sot është më e vlerësuar se kurrë ndërkomëtarisht, por ata në 14 maj nuk do numërojnë votat e Julit, as votat e Partisë Socialiste, se ata nuk janë me asnjë parti, ata janë me Shqipërinë, por do shikojnë sa shqiptarë vazhduan të votojnë për faqen e zezë. Ai është një turp i madh për të gjithë.

Prandaj lërë zotin kryeministër, por merruni me gratë e atyre dhe thuajuni që t’i mbledhin burrat që mos turpërojnë vendin. Mos turpërojnë Dimalin.
E po ju thanë që shiko se burri im nuk e shikon dot me sy Partinë Socialiste, as i kërkojmë të votojë Partinë Socialiste. Po ju thanë që s’e duron dot Julin burri im, sepse Juli i çjerr faqet, thuaji nuk duhet ta durojë Julin, s’ka problem. S’ka problem të votojë Julin dhe as mos vijë të votojë për Julin fare dhe po s’duroi dhe Edi Ramën aq më mirë akoma e ka kollaj e pushkaton me një sustë në telekomandë dhe e çon në stacion tjetër, por mos dalë fare nga shtëpia në 14 maj të votojë faqen e zezë, këtë thojini. Dhe nëse ju thonë, jo nuk ja mbush dot mendjen burrit të mos dalë, inkurajojeni ta mbyllë burrin brenda. Ta kyçin brenda, të lajnë xhamat ata që duan të votojnë për faqen e zezë. Atë ditë, të dielën mos dalin nga shtëpia. Të lajnë xhamat, të bëjnë byrekun gati dhe të presin rezultatin. Të mbajnë një shishe ujë që të mos ju ngeci byreku në fyt se rezultati do jetë më spektakolar se asnjë herë tjetër.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Isha 99% i bindur për Julin, tani jam 100%.
Shumë faleminderit se ma mbushët mendjen! Faleminderit!