Deklarata për median e deputetit, Petro Koçi:
Të nderuar qytetarë shqiptarë,
Transfertat bankare të një deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë me kompani offshore të lidhura me Rusinë, përfaqësojnë një ngjarje jashtëzakonisht shqetësuese e te rende në historinë e politikes shqiptare.
Një deputete që merr para nga kompani oligarkësh rusë te cilet ushqejnë me rublat e tyre, makinerinë vrasëse të Kremlinit, nuk mund të injorojë opinionin public dhe organet e drejtësisë.
Drejtësia e re do të duhet t’i japë përgjigje te shpejte dhe proporcionale këtij shqetësimi publik sepse kjo është çështje e një urgjence kombëtare dhe ndërkombëtare. Drejtësia do të duhet ta adresojë menjehere implikimin në financime ruse, e një deputeteje të një vendi anëtar të NATO-s.
Drejtësia nuk duhet të humbasë kohë, teksa të dhënat e mediave ngrejnë dyshime të forta, se oligarkët rusë kanë shtrirë duart në vendimmarrjen publike, përmes financimeve të partive, politikanëve apo deputetëve.
Dokumentet e publikuara nga media flasin për përfshirjen e Monika Kryemadhit në marredhenie biznesi me oligarkë rusë.
Në një nga faturat e transfertave bankare pasqyrohet deputetja Kryemadhi te kete marrë para në formë dividenti nga kompani offshore të rusëve.
Përderisa ka marrë dividentin, Kryemadhi duhet të sqarojë se në çfarë lloj biznesi është përfshirë ajo me rusët?
A është ajo aksionere me oligarkë e politikanë rusë në këto kompani offshore?
Çfarë u ka premtuar ajo rusëve në këmbim të këtij biznesi fitimprurës për të?
Si mundet që një ligjvënëse e Kuvendit të Shqipërisë të përfshihet në marrëdhënie biznesi me oligarkët rusë, paratë e të cilëve po mbajnë në këmbë regjimin gjakatar të Putinit?
Si mund të bëjë biznes me rusët bashkëshortja e ish-Presidentit të një vendi me vokacion të palëkundur euroatlantik?
Përse i fshihet llogaridhënies Zobnja Kryemadhi për këto raportime implikuese?
Çdo politikan dhe zyrtar i këtij vendi ka detyrimin ligjor që të deklarojë çdo qindarkë të ardhurash, por këto shuma sipas mediave, Kryemadhi nuk i deklaroi kurrë. Taktika e sulmeve mbi mediat denoncuese nuk eshte gomone shpetimi.
Ndërkohë që deputetja Kryemadhi gjen si rrugëdalje nga ky skandal vetëm kërcënimet dhe shantazhet ndaj mediave, Partia Socialiste i bën thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë rastin me ekzigjence te palekundur.
Drejtësia do të duhet të hetojë dhe të dalë në një përfundim mbi akuzat që media ngre për mosdeklarim, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, e mbi të gjitha për raportet e interesit apo biznesit të Kryemadhit me rusët, që nuk janë e nuk mund të jenë kurrë interesat e Shqipërisë!
Ju faleminderit!