Durrës, 21 prill 2025 – Ka nisur ndërtimi i një prej komplekseve sportive më moderne në Shqipëri dhe në rajon, “Akademia e Futbollit Dyrrah City”, që do të shërbejë si filial i akademisë elitare “Manchester City Football School and Academy”. Ky projekt ambicioz synon të krijojë një hapësirë të standardeve ndërkombëtare për zhvillimin e talenteve të rinj në futboll dhe sporte të tjera.
Në kantierin e ndërtimit ishin të pranishëm Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përfaqësues të projektit si dhe drejtues vendorë, për të parë nga afër ecurinë e punimeve.
Kompleksi do të përfshijë tetë fusha futbolli, katër me bar sintetik dhe tre me bar natyral, si dhe një fushë qendrore që do të lidhet me stadiumin për organizimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve madhore. Krahas tyre, parashikohen dy fusha basketbolli, një palestër, qendër fizioterapie, rezidencë për sportistët dhe një park rekreativ, i projektuar për të ofruar ambiente pushimi dhe aktivitetesh fizike për të rinjtë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e përfundimit të punimeve brenda afatit: “Dëshirojmë që të gjithë komponentët të jenë gati deri në shtator, me qëllim që të nisim menjëherë aktivitetet stërvitore. Edhe pse afati zyrtar është 48 muaj, punimet po ecin me ritme të shpejta dhe optimizmi është i lartë për një përfundim të parakohshëm.”
Kryetari i PS, Edi Rama, u shpreh se “nëse punohet intensivisht, sepse në momentin që bëhet kjo, vendoset shtresa e parë, pastaj godina nuk është edhe ndonjë godinë e komplikuar. Unë mendoj që nëse kjo bëhet për 6 muaj, godina 6 muaj, edhe 2 muaj arredimi, shtatorin e ardhshëm inaugurohet kjo”.
Aktualisht në kantier po punohet për përfundimin e dy fushave me bar sintetik, ndërsa po përgatitet infrastruktura për ndërtimin e objekteve kryesore.