Partia Socialiste e Shqipërisë

Rrugëtimi i gjelbër në bashkitë e vendit, vijoi sot në Durrës, në përmbushje të zotimit që me shkurtimin e shpenzimeve elektorale do të financohen dhurime pemësh në çdo bashki, duke e kthyer këtë fushatë, në të parën fushatë që do të lërë pas më pak ndotje mjedisore, akustike e vizuale dhe më shumë oksigjen në stacionet e saj.

* * *

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve, shumë faleminderit dhe për këtë diellin e bukur këtu, që mund të shijohet kështu vetëm kur je buzë detit dhe falë edhe kësaj shëtitoreje krejtësisht të transformuar, është një shije e veçantë.
Unë jam këtu me shumë kënaqësi për të mbjellë së bashku me Anin dhe me ju disa pemë që janë një dhuratë e Partisë Socialiste nga fondet e buxhetit për zgjedhjet dhe nga shkurtimi i shpenzimeve për skena e materiale propagandistike, ekrane e kështu me radhë, të cilat mbase do na duhet t’i përdorim në pjesën e fundit të fushatës, por në ndërkohë me shkurtimin e këtyre shpenzimeve ne na jepet mundësia që të lëmë diçka pas nga kjo fushatë, të lëmë pak më shumë oksigjen për qytetet në vend se thjeshtë të ndotim qytetin ose qytetet ku do të shkelim me zhurmën, me posterat, me gjithë atë që sjell një fushatë, që për ne këtë herë duhet dhe do të jetë një komunikim më i afërt me njerëzit, një përpjekje për të shpjeguar çka kemi bërë, por nga ana tjetër edhe për lënë qartësisht të kuptohet nga të gjithë se ne jemi të vetëdijshëm se ka shumë e shumë akoma për të bërë.
Jemi në një fazë të qeverisjes sonë kur kemi bërë një hap historik për rritjen e pagave dhe falë këtij hapi do ta çojmë pagën mesatare nga 530 në 900 euro. Është një rritje e konsiderueshme të cilën do bëjmë ç’mos që ta mbështesë konkretisht me hapat e vet dhe sektori privat dhe të cilën do bëjmë ç’mos që ta kapërcejmë në vitet në vijim sepse tanimë reformat, masat që kemi marrë, të gjitha përpjekjet që kemi bërë kanë filluar të japin disa rezultate domethënëse dhe mbi të gjitha këtë rezultat. Rezultatin e krijimit të një mundësie reale financiare për të pasur paga më të larta, më dinjitoze dhe më në përputhje me dëshirat dhe me nevojat e të gjithë atyre që jetojnë me punë dhe kontribuojnë për këtë vend përmes punës.
Jam shumë i kënaqur sot po ashtu dhe e them me shumë sinqeritet dhe me shumë bindje që në këtë qytet ne kemi një kryetare bashkie e cila është pa diskutim një njeri që pasqyron përmes punës së përditshme, respektin për punën, dëshirën për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm për punën.
Ani është realisht kryepunëtorja e këtij qyteti dhe këtij qyteti do vazhdojë t’i duhet Ani, pa diskutim. Do vazhdojë t’i duhet pa diskutim Partia Socialiste, do vazhdojë t’i duhet pa diskutim gjithë mbështetja e qeverisë e cila siç e keni parë ka nisur të shtohet dhe të përqendrohet më shumë këtu në Durrës sepse potenciali i Durrësit është i jashtëzakonshëm dhe me investimet e reja masive që ne po bëjmë dhe do vazhdojmë të bëjmë, Durrësi do të ketë një transformim të jashtëzakonshëm rrënjësor dhe do të kthehet realisht në një destinacion ndër më të kërkuarit në Mesdhe. Kjo do të thotë që do të rriten pa diskutim mundësitë për punë, por jo vetëm do të rriten mundësitë për punë, por do të kemi punë shumë më të mirë paguara.
Këtu në Durrës janë dy porte, dy porte kyçe për turizmin dhe për tregtinë. Porti i ri turistik këtu pranë dhe porti i ri tregtar në Porto Romano. Për të dyja këto porte ne jemi në proces. Me portin turistik ka filluar të vendoset baza e kantierit dhe do të fillojnë së shpejti intensivisht punimet, s’ka më pengesa.
Me portin tregtar jemi në fazën e garës ndërkombëtare. Është një projekt jashtëzakonisht ambicioz, për ta bërë Durrësin një portë hyrëse për tregtinë e të gjithë rajonit tonë. Siç e dini, në portin e Porto Romanos kemi edhe një përmase tjetër, një përmase ushtarake për të krijuar një bazë operacionale navale të NATO-s në njërin krah të portit. Jemi duke punuar dhe për këtë.
Paralelisht unë kur po vija po shikoja dhe atë bazën e hekurudhës, me linjën e re hekurudhore Tiranë-Durrës dhe me trenat e rinj që do të vijnë, çka tanimë është në proces pune. Një tjetër infrastrukturë e rëndësishme do t’i shtohet Durrësit.
Ashtu sikundër jemi duke ecur me përgatitjet e projektit së bashku me qeverinë e Kosovës për hekurudhën që shkon nga Durrësi drejt Kosovës, dhe që pastaj lidh Durrësin dhe Shqipërinë me hekurudhë me të gjithë zonën tonë si rajon dhe mundëson një tjetër hyrje në gjithë rajonin, të mallrave këtë herë nga Durrësi, por nuk janë vetëm këto. Janë dhe projektet e bashkisë për të cilat ne komunikojmë vazhdimisht me Anin. Besoj e keni parë kantierin e shëtitores së plazhit, është ende herët për të parë gjithë transformimin që ajo shëtitore do të sjellë sepse po punojmë edhe me projektin e rërës. Do të kemi një zgjerim të konsiderueshëm të rërës në plazh dhe faktikisht do të kthehet gjithë ajo hapësirë fantastike që ka pas qenë dikur kur akoma plazhi nuk ishte si të thuash ngushtuar nga ndërtimet e reja.
Një gjë shumë të rëndësishme dua ta nënvizoj këtu. Durrësi e ka pasur gjithmonë problem dhe ju e dini shumë mirë çështjen e pastrimit. E ka pasur problem çështjen e pastrimit për shkak të një vend grumbullimi mbeturinash jashtë çdo standardi në Porto Romano dhe patjetër dhe për shkak të domosdoshmërisë që të rritej kapaciteti i Bashkisë se Durrësit për të bërë mbledhjen si duhet të mbeturinave. Dhe nëse ka shumë gjëra që unë mund t’i përmend si kontribut i drejtpërdrejtë i Anit për këtë bashki, të parën që do të përmendja është pastërtia.
Është dhe gjithë përkujdesja për infrastrukturën brenda lagjeve, gjithë përkujdesja për të shtuar atë pjesë të kësaj infrastrukture duke asfaltuar, duke pastruar, duke ndriçuar dhe besoj se mund të vazhdojë kështu gjatë e gjatë e gjatë, por ndalem këtu dhe dua ta mbyll duke iu kërkuar të gjithëve të bëni një krahasim shumë të thjeshtë.

Parafytyroni se çfarë kurajo duhet dhe çfarë pafytyrësie për hir të së vërtetës duhet për të ardhur këtu dhe për të kërkuar votën e qytetarëve të Durrësit për ta kthyer Durrësin mbrapa, aq mbrapa sa të kthehet në një qytet ku vendosin dy hije të së kaluarës nëpërmjet një kukulle që kanë sjellë këtu. S’kam asnjë gjë me kukullën, por në këtë rast, Durrësit nuk i duhet një kukull për të lozur me fatin dhe me të ardhmen e vetë, por i duhet të vazhdojë këtë rrugë vetëm përpara dhe vetëm përpara do të vazhdojmë së bashku, duke ndihmuar kështu edhe atë pjesë të politikës, atë pjesë të përballjes të skenës politike që të lehtësohet nga barra e të shkuarës, të pastrohet, të reformohet, të vijë në vehte dhe pastaj të bëhet gati për të garuar me ne.

Ne jemi në garë me kohën. Ne jemi në garë për të ardhmen. Ne jemi në garë për të zgjidhur sa më shumë probleme, për të qarë sa më shumë halle dhe për të bërë sa më shumë punë. Ne nuk jemi në garë me ata, të cilët për hallet e tyre personale, duan të marrin peng sa më shumë bashki, të marrin peng sa më shumë Shqipëri, të marrin peng sa më shumë që të jetë e mundur nga jeta jonë e përbashkët publike për të krijuar një imunitet për vete, për problemet që kanë me drejtësinë, për problemet që kanë me të shkuarën. Kjo nuk është e mundur dhe është po ashtu e pamundur që Durrësi ta çojë nëpër mend se mund të kthejë drejtimin dhe mund t’i lerë rrugës të gjithë këto gjëra të mëdha që janë nisur tanimë, për t’u futur në një cep të errët të historisë së këtij vendi.

Unë jam i bindur që kjo nuk do të ndodhë dhe besoj që tani është momenti që të fillojmë edhe këtu me mbielljen e disa pemëve. Do të vazhdojmë çdo ditë të mbjellim pemë sepse e thashë, fushatat shkojnë e vijnë, në fund, diçka është mirë që të mbetet dhe në vend që të harxhojmë paratë që buxheti i shtetit u jep partive për të bërë fushatë, duke shpenzuar për lloj-lloj materialesh propagandistike dhe për lloj-lloj shpenzimesh të tjera, ne kemi vendosur që një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve ta vëmë në dispozicion pikërisht të blerjes së pemëve dhe dhurimit të pemëve për gjithë qytetet e Shqipërisë.