Partia Socialiste e Shqipërisë

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri:

Mirëmbrëma të gjithëve,

Në fakt mesazhin më të mirë e dha Erioni, sepse ju ishit të parët që në modelin e ri të ballafaqimit të anëtarësisë me kandidatët për të drejtuar partinë, ju e zbatuat në të gjitha Njësitë Administrative të Tiranës.

Pra, atë model që e shtrimë në të gjithë Shqipërinë, Tirana e zbatoi e para. Në fakt Tiranës i takonte të ishte kampion. Unë dua ti uroj suksese skuadrës së re, në garën e rëndësishme dhe të vështirë.

E them këtë sepse, më vjen mirë që edhe Erioni e përmendi, ky është fillimi i një rrugëtimi të gjatë. Ne stacionin e parë më të rëndësishëm do e kemi në zgjedhjet e Prillit apo Majit të vitit tjetër. Puna fillon tani!

Gjithë ky ekip u provua në ballafaqimet me anëtarësinë. Nuk është e thjeshtë të dalësh të flasësh para njerëzve. Ju e dini shumë mirë që dikur në Njësitë Administrative paraqitej një kandidaturë që i propozohej Asamblesë dhe ajo e votonte. Mirëpo këtu dolën me vullnetin e tyre me dhjetëra të rinj e të reja dhe morën guximin të flasin dhe të paraqesin platformat.

Gjithçka fillon me mendimin. Këto zgjedhje Partia Socialiste i sheh për rigjenerimin e forcës sonë.

Unë e them kurdo kur është rasti. Ne kemi shumë vite në pushtet. Qëndrimi gjatë në pushtet ka avantazhe, por ka edhe disavantazhe. Ka mërzitje dhe ndonjëherë njerëzit ndjejnë sikur nuk ka ndryshim. Pikërisht ky proces rigjenerues dhe dëshira e madhe e të rinjve dhe të rejave socialiste për të marrë përsipër Partinë Socialiste, tregon që njerëzit kanë besim te kjo forcë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse një forcë tkurret dhe nuk ka të ardhme kur nuk ka më njerëz të rinj, që të marrin përsipër angazhimet politike. Diferencën e bëjnë njerëzit.

Ne kemi njerëzit më të mirë, këtë unë e kam bindje dhe kjo është arsyeja përse unë jam në Partinë Socialiste.

Partia Socialiste ka njerëzit më të mirë të këtij vendi. Ka njerëzit më të shëndoshë, njerëzit më patriotë, nuk është e rastësishme që kjo parti ka bërë kaq shumë për vendin dhe në kohë të vështira.

Hapja e negociatave, një arritje që e meritojnë të gjithë shqiptarët, ka për gur themeli Partinë Socialiste. Kjo duhet të na bëjë të gjithëve krenarë.

Nga ana tjetër, kjo Tiranë që ndryshon, patjetër i atribuohet Kryetarit të Bashkisë, sepse ai është motorri kryesor i kësaj pune, por njëkohësisht ai nuk është vetëm, ai është me të gjithë ju.

Ai s’mund të jetë kurrë fitimtar, i vetëm.

Ai që mendon se i di të gjitha e ka shumë gabim. Ai ka nevojë për të gjithë ju. Kjo është ajo që unë e kam parë tek Erioni dhe më vjen mirë, që i ndoqi vetë dhe i ndenji mbi kokë që ju të mos jeni vetëm edhe ai të mos jetë vetëm.

Ai është komandanti juaj dhe patjetër fitorja nuk arrihet vetëm nga ai. Fitorja arrihet nga kontributi i të gjithë socialistëve.

Unë jam i bindur që ky ekip i sapokrijuar dhe të gjithë atyre që kandiduan, u them: kemi një betejë të fortë përpara. Do spikaten shumë personalitete, gra, vajza, të rinj, të reja. Jam i bindur që edhe ai apo ajo që nuk fituan, ka mundësi të tregojë veten, sepse kjo forcë ua ka krijuar mundësitë të gjithëve. Prandaj, kush duron dhe e ka të qartë se ku do të shkojë dhe e ndjen që ka talent dhe forcë dhe e do këtë parti, jam bindur që mundësinë do ta ketë. Prandaj ne jemi një ekip i madh!

Nuk dua ta përsëris, por një mesazh do ua jap. Përpara kemi një garë të fortë. Vërtet ne kemi shumë arritje, Tirana ka ndryshime të jashtëzakonshme, por kur ke shumë vite në qeverisje edhe ndonjë pakënaqësi e krijon. Por jemi ne që nuk do e ndërpresim dialogun me qytetarët.

Edhe njerëzit duhet të na mirëkuptojnë. Kemi bërë dhe gabime, patjetër mund të ketë dhe zhgënjime me Erionin, por nuk duhet të harrojmë se çfarë kemi përballë dhe nga e filluam. Këto janë pika reference shumë të rëndësishme.

Mos shikoni tani që ndryshojnë emrat ata. Ndryshojnë lëkurën, por po ata janë. Dolën tani në verën e nxehtë kur njerëzit duan të pushojnë e thanë s’ka pushim për ne. Ne kemi punuar kur njerëzit punonin dhe ata ishin në gjumë. Kështu që e kanë të kotë. Njerëzit e punës dinë të vlerësojnë punën. Tirana është qyteti i njerëzve të punës. Qytetarët e Tiranës dinë të dallojnë mirë se kush ështa ai që di të punojë, kush është ai që flet fjalë boshe dhe kush është ai që mban fjalën e dhënë.

Unë jam i bindur që në garën e ardhshme ne do ti tregojmë vendin dy forcave të errëta të vjetra, që janë ribashkuar me emra të rinj. Ata janë po ata, kurse ne jemi Partia Socialiste që gjithmonë ndryshojmë me njerëz të rinj, vajza dhe djem të rinj. Ekipi i ri do të jetë krenaria e fitores sonë me në krye Kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, dhe natyrshëm me mbështetjen e kryeministrit Rama. Pa qeverinë të gjitha këto arritje të Tiranës do të ishin të pamundura.

Mos ti marrim të mirëqena fitoret tona. Të luftojmë për to çdo ditë. Kemi detyrë patriotike, nuk e kemi partiake.

Prandaj u kërkoj të gjithë socialistëve të bëhemi të gjithë bashkë. Nëse jemi të gjithë bashkë nuk ka forcë që na ndal!

Suksese!