Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin elektoral të zhvilluar në Elbasan
Faleminderit shumë për këtë spektakël kuq e zi dhe nuk ka qenë e rastësishme që në këtë fushatë ne kemi zgjedhur, jo vetëm që të kursejmë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve elektorale për të bërë dhurimet e pemëve në çdo bashki, por kemi zgjedhur që të mblidhemi në këto takime të fundit pa flamujt e Partisë Socialiste, por vetëm me flamurin tonë kombëtar sepse unë besoj shumë dhe ne jemi të bindur që këto zgjedhje, janë zgjedhje për të caktuar me vullnetin dhe votën e lirë të çdo komuniteti njerëzit që populli i çdo bashkie do marrë në punë për t’i shërbyer katër vite, por këto janë dhe zgjedhje që për arsye të atyre që duan të na zënë rrugën me çdo kusht, kanë lidhje me këtë flamur. Me flamurin kombëtar!
Kanë lidhje me flamurin kombëtar sepse ky flamur është frymëzimi dhe udhërrëfyesi ynë që nga dita e parë kur kemi marrë këtë detyrë e kur kemi pasur ambicien që Shqipërisë t’i japim një tjetër vend nga ai që kishte në tryezën e madhe të vendeve, shteteve, kombeve e t’i bëjmë vend vetes, duke u ulur me të mëdhenjtë e kësaj bote, si të barabartë pavarësisht se nuk jemi të mëdhenj, nuk jemi të pasur dhe kemi ato probleme që kemi por kjo nuk do të thotë asgjë, sepse siç qytetarët janë të barabartë mes tyre kur vjen puna për të drejtat e tyre, kur vjen puna për dinjitetin e tyre edhe vendet kur kanë udhëheqje që i mishëron aspiratat e tyre, janë të barabarta mes tyre. Ne kemi arritur që këtë flamur kombëtar ta ngremë në një lartësi që nuk ka qenë kurrë në sytë e botës.
Ne kemi arritur që këtë flamur kombëtar ta vendosim për herë të parë në historinë e Kombeve të Bashkuara, në tryezën e Këshillit të Sigurimit ku Shqipëria është së bashku me një numër të vogël vendesh që janë fuqi të mëdha e ku Shqipëria ka zërin e saj, edhe sot që flasim.
Ashtu sikundër ne kemi arritur që këtë flamur kombëtar ta bëjmë flamurin e presidencës së OSBE-së që është një organizatë që shtrihet nga Kanadaja, deri në Rusi.
Ju e dini shumë mirë që vendi i këtij flamuri kombëtar, Shqipëria jonë, u bë i pari vend në historinë e Bashkimit Europian që Bashkimit Europian zgjodhi për tu mbledhur jashtë kufijve të vet për një samit të tijin.
Tani, çfarë lidhje kanë këto me 14 majin dhe pse flamuri kombëtar në 14 maj duhet pasur parasysh nga të gjithë ata që shkojnë të votojnë? Ose nga ata që zgjedhin të mos votojnë?
Kjo ka një lidhje shumë të madhe sepse këto që ne kemi arritur i kemi arritur duke i bërë vend vetes, por i kemi arritur sepse duke i bërë vend vetes, kemi fituar një besim shumë të madh e një mbështetje shumë të madhe nga aleatët tanë të mëdhenj pa të cilët ne nuk do mund të uleshim kurrë në Këshillin e Sigurimit, pa të cilët ne nuk do mundeshim kurrë ta drejtonim OSBE-në, pa të cilët ne nuk do mundeshim kurrë ta mik prisnim samitin e BE-së, pa të cilët ne nuk do mundeshim kurrë në tetorin që vjen të mik prisnim samitin e Berlinit në Tiranë.
Këta aleatë të mëdhenj kanë një problem me ne, jo e ne që jemi këtu por kanë një problem me votuesit shqiptarë sepse duan të dëgjohen dhe të respektohen në një kërkesë që kanë bërë. Në një kërkesë që ata e konsiderojnë legjitime dhe që e konsiderojnë shumë të rëndësishme për marrëdhënien që kanë me ne, e nuk është një marrëdhënie që ka lidhur sot, është një marrëdhënie që mezi e kemi pritur deri sa është rilidhur pas shembjes së diktaturës.
E cili është problemi i tyre? Problemi i tyre është ai që kanë shprehur me shkrim, me vulë, e që e kanë përsëritur me zë e me figurë disa herë. Problemi i tyre është që ata duan të na mbështesin çdo hap e më shumë. Duan që çdo hap e më shumë ne të bëhemi më të fortë, por ama thonë, ju lutemi shumë, o popull shqiptar, këtë tipin nuk duam ta shohim me sy. Na e hiqni nga sytë sepse është i padëshirueshëm për ne e natyrisht ata nuk na drejtohen ne, se për ne ai ka qenë i padëshirueshëm denbabaden, për Partinë Socialiste, për të gjithë ne sepse socialistët e progresistët ia kanë parë faqen e zezë përpara se sa faqja e tij të nxihej nga vula non grata dhe duke iu nxirë faqja e tij, të mbetet si një hije për Shqipërinë për sa kohë shqiptarët të mos e largojnë nga skena përfundimisht e të mos i japin asnjë votë.
Tani, këtu sigurisht që secili nga ju që keni ardhur e që shumë të tjerë që nuk janë këtu sot por që do t’ju bashkohen ju për të votuar në 14 maj, e dini shumë mirë se për çfarë duhet të votoni, por ka të tjerë në Elbasan, në Gramsh, në Përrenjas, në Librazhd, Cërrik, Belsh, Peqin. Ka të tjerë të cilët çuditërisht akoma nuk e kuptojnë se sa e rëndësishme është që në 14 maj të japin kontributin e tyre shumë të vogël në funksion të asaj që është një marrëdhënie shumë e madhe e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara e me të gjithë perëndimin. Nëse janë Shtetet e Bashkuara ato që ia kanë vënë vulën në lule të ballit atij faqes së zezë së këtij vendi, është i gjithë perëndimi që i ka mbyllur derën dhe të kuptojnë që në 14 maj, aleatët tanë, partnerët tanë, miqtë tanë nuk do numërojnë votat e Partisë Socialiste. Nuk janë të interesuar fare se sa vota do marri Gledi apo sa vota do marri Arifi sepse ata nuk janë mbështetës të partive. Ata janë miq, partnerë dhe mbështetës të popullit shqiptar, të Shqipërisë, të kombit shqiptar, por ama do shohin patjetër, është e pashmangshme, do shohim sa vota ju dhanë këta këtij gërdallës që vjen vërdallë dhe që ne po jua themi dhe po ja përsërisim Na e hiqni nga sytë se nuk e duam këtë në shoqërinë tonë? Çfarë kanë këta? Pse e bëjnë këtë? Pse nuk e konsiderojnë këta kërkesës tonë kur ne jemi këtu miqtë e tyre, jemi garancia për sigurinë e tyre, jemi garancia për ecurinë e tyre, jemi siguria për ardhmërinë e tyre. Këta çfarë kanë, pse, për çfarë arsye këta vazhdojnë këmbëngulin që nuk ka gjë?
Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëjë vetes çdokush nga ata të cilët mendojnë të shkojnë në zgjedhje në 14maj dhe të shënojnë aty “Bashkë Fitojmë” me SaLike Floririn. Duhet t’ia bëjnë këtë pyetje vetes për faktin se arsyeja për të cilën ata, themelorja se mund të ketë shumë arsye, por themelorja për të cilën ata nuk duan ta shohin me sy Partinë Socialiste; arsyeja për të cilën ata nuk votojnë asnjëherë majtas është sepse ata i thonë vetes ”Jam i djathtë, jam i djathtë dhe unë nuk bëhem kurrë i majtë”. Ju njihni plot djem e vajza, burra e gra që i qëndrojnë këtij identiteti, “Jemi të djathtë e nuk kemi punë fare”, e mund të ulesh me ta, mund t’i kesh miq, mund të shkosh shumë mirë, por kur vjen puna tek ndarja as që bëhet fjalë që ata të votojnë majtas. Pse?
Arsyeja është themelore; është ndarje që vjen nga lart, është një ndarje që vjen nga momenti kur të parët e tyre, stërgjyshërit, gjyshërit, xhaxhallarët, dajat e me radhë, u vendosën në një pozicion tjetër dhe i dolën kundër komunizmit. Po çfarë i ndau ata nga komunizmi? Çfarë e ndau një gjysh që sot nuk jeton më dhe që kujtimi i të cilit bëri që e gjithë familja të thotë “Ne jemi të djathtë”, ose një dajë i cili ka qenë në burg? I ndau Amerika, ata ishin me Amerikën, ata ishin me perëndimin, jo me komunizmin, jo me Moskën, jo me Kremlinin. Aty u bë ndarja bazë.
Si i bëhet kësaj pune që pikërisht aty këta njerëz janë gati të shkojnë këtu në Elbasan e të ndahen me Amerikën për fytyrën e SaLikes? Kjo nuk mund të kuptohet, kjo nuk mund të kuptohet dhe më besoni që unë nuk e imagjinoj dot dhe po jua them; Mit’hat Frashëri të çohej tani nga varri dhe të shkonte ditën e dielë të votonte Liken. Të votonte SaLiken dhe të thoshte “Këta janë ata që na duhen ne, punë e madhe se çfarë thotë Amerika”, që në fakt Amerika nuk e ka personale. Amerika thotë “Korrupsion madhor” domethënë gjithë të zezat bashkë kurse këta thonë “Prova. Ke prova?”
Cilat prova? Për çfarë? Provat që ne i dimë të gjithë dhe që kemi qenë dëshmitarë të atyre provave dhe që kemi vite që kërkojmë që për ato prova drejtësia të veprojë? Nuk i dimë provat ne? I di gjithë Shqipëria provat!
Ndërkohë, vijmë tek zgjedhja e 14 majit jo për flamurin kombëtar, por edhe për flamurin e qytetit, për punët e qytetit, se mezi po pres që t’i vijë radha, se këtu në Elbasan ka një fenomen që unë kam një kënaqësi të madhe kur flas për të sepse më heq mallin e Lul Bashës, i njëjti fyell, me të njëjtin okllai të ngrënë komplet dhe me të njëjtin kostum pa asnjë rrudhë. E keni parë, asnjë rrudhë kostumi. Komplet okllaia drejtë, qafa e hollë që del nga këmisha, buzëqeshja stampë dhe shalimi në rrena nga mëngjesi deri në darkë. Është shumë i madh ai! Domethënë, njerëz që nuk kanë as gjak, nuk kanë as nerv, nuk kanë as minimumin e turpit fare, nuk skuqen, nuk zverdhen, të shohin në sy dhe të gënjejnë sikur po këndojnë ndonjë këngë popullore.
Se nuk po merrem me ata të tjerët se nuk i njoh fare, por këtë e kemi pasur aty dhe po mendoja qëparë kur u ulëm këtu dhe thashë Elbasani e ka dhe më të thjeshtë, mjafton të shohë Luluçin dhe Evisin dhe të kuptojë dallimin. Është shumë e thjeshtë, profesor për profesor. Se çfarë profesori është ai unë nuk e di, por nuk po i hyj asaj punepor profesor universiteti për profesor universiteti, elbasanlli për elbasanlli, njëra krenari e gjithë qytetit e tjetri sikur ka dalë nga arkiva e Kinostudios, ka rregulluar flokët e Koçit të teto Ollgës dhe ka ardhur këtu për të shitur breshka dhe krokodilë. “Do ta bëjmë Elbasanin sheshxhirimi”. Po, sheshxhirimi që të dalë ky dhe të aktrojë çdo mëngjes dhe t’iu shalojë në rrena nga mëngjesi në darkë.
Kishte bërë dhe një të bukur tani në fund, se i them Damianit, më ço ndonjë nga ato të atij se më jep shumë humor ai. Ishte një e bukur shumë. “Ne me guxim do kemi produktet Made in Elbasan”. “Made in Albania” kisha dëgjuar, por “Made in Tropoja”, “Made in Vlora” dhe “Made in Elbasan” nuk kisha dëgjuar ndonjëherë se nuk bëjnë italianët, thonë “Made in Italy?, nuk thonë “Made in Roma”, “Made in Palermo”, kurse ky do t’i bëjmë “Made in Elbasan”, këpucët për shembull; do vishni këpucë që i bën Luluçi “Made in Elbasan”.
“Nuk do kemi nevojë fare për qeverinë”, – thoshte, “ne do kemi produktet tona Made in Elbasan”. Po kur t’iu bëjë atë xhaketën parulla “Made in Elbasan” dhe të gjithëve t’iu japë nga një okllai të gjatë që ta fusni të gjithë dhe që të rrini drejt pastaj e të thoni “Çfarë i bëmë vetes”.
Luluç; i them Luluç se është Lul Basha dhe Luç Boci, prandaj i them Luluç se është një, e ka lënë Lul Basha si kujtim. Si mund të votohet, më thoni? Sado kështu për ta parë është goxha zdap si puna ime, por është kandidati i faqes së zezë, të gjithë ata janë kandidatët e faqes së zezë. Vetëm fakti që i kanë dhënë fytyrën, emrin, pamjen, zërin, mendjen, shpirtin faqes së zezë të Shqipërisë që është SaLike Floriri, ata nuk meritojnë të konsiderohen për të marrë votë.
Çfarë do bëjë ai? Se thonë që kërcënon Edi Rama se thotë po votuat këta nuk ka bashkëpunim me qeverinë. Nuk është kërcënim, është fakt, çfarë do bashkëpunoj unë me atë, për të bërë këpucë “Made in Elbasan” apo për të bërë shami këtu për xhepin e xhaketës?
Si të bashkëpunoj me ata? Me ata nuk bashkëpunohet sepse nuk dinë të bashkëpunojnë dhe nuk duan të bashkëpunojnë dhe ju e shikoni. SaLikja e thotë edhe kur shfaqet në atë formën e gërdallës së madhe, edhe kur shfaqet në formën e Floririt të vogël, të njëjtën gjë thotë, “na jepni votat të përmbysim qeverinë”. Domethënë, hajdeni ju të gjithë pas sherrit që të hapim sherr me qeverinë e pastaj e ka radhën me Amerikën sherri, se do t’i themi Amerikës “Këtu votuan shqiptarët, tani hajde e fol me ne këtu” siç thoshte Haxhi Qamili “Sa të kem sharrën, nuk pyes për Francën”. Kështu dhe “ky-këta” por është “ky-këta”, një janë ata, një hall me dy koka.
Një hall i madh shumë, me vulën në ballë, me kontot bankare që po dalin mbi ujë si ato shishet që sillnin letrat e anijeve që ishin duke u mbytur, kontot nëpër bankat e huaja offshore. Kur thoshin për mua “i ka ofshore, i ka offshore” iu thosha këtyre: ore këta më duket i kanë offshore se nuk ka mundësi, se ngaqë i kanë vet kujtojnë se i kam dhe unë, edhe ata “offshore, offshore” mua, kur iu dolën offshore-t dhe prit se sa kanë filluar. Jo në Qipro, jo këtu e jo aty. Po mirë, çfarë duan këta tani? Se ato lek nuk i kanë bërë me punë apo jo? Nuk kanë punuar nëpër këto fasoneritë e “Made in Elbasan” dhe kërkojnë votën për këtë sherr, që të marrin bashkinë e Elbasanit. S’kanë për ta marrë se do marrin Noc Rokun, por llafi që vjen, ta marrin bashkinë e Elbasanit ose qoftë bashkinë e Gramshit a Cërrikun a nuk e di, të futen aty brenda dhe të bëjnë atë që kanë bërë sa herë iu bie pushteti në dorë. Çfarë bëjnë ata kur iu bie pushteti? Mblidhen me njëri-tjetrin, futen brenda atje, iu thonë njerëzve: “hajde shëndet tani” dhe marrin ato fonde që janë aty, i ndajnë një herë me njëri-tjetrin nëpër shtëpi pastaj një pjesë autobusa. Paguaj autobusë, kap punëtorë të gjelbërimit, kap punëtorët e pastrimit. Nuk pastrohen plehrat kur janë ata. E keni parë si hapen plehrat nëpër rrugë kur vijnë ata? Fut nëpër autobusë, nisu në Tiranë “Rama ik”. Për këtë e duan votën ata? Tani unë nuk kam hallin tim se mos kujton njeri se kam hall se po vijnë ata e po thonë ‘Rama ik”, se sa më shumë ata thonë “Rama ik”, aq më shumë unë vij, e keni parë. Problemi është që çfarë do bëjnë ata për qytetin? Çfarë do bëjnë ata për gjithë këto qytete?
Ndërkohë që s’do rri tani t’ju flas ju se çfarë kemi bërë ne, por e keni parë ju. Po kur tha “do ta mbyll impiantin e mbetjeve”, ne shyqyr që e vumë ne punë. Do ta mbyll tha, le të digjen plehrat në natyrë tha se është më higjienike. Normal. Do një mal me plehra që të digjet atje për të bërë ndonjë film se është shesh xhirimi kjo punë. E për të dalë ai atje, Koçi i teto Ollgës dhe për të bërë ndonjë serenatë atje hipur sipër non gratës dhe duke ardhur vërdallë bashkë me kalin e vet. Çfarë janë këto? Këto janë të gjitha mënyrë për të thënë që ata nuk i duhen dreqit, jo më t’i duhen Elbasanit, e ti duhen Belshit. Po në Belsh çfarë do bëjnë në Belsh ata? Do shkojnë të pinë ujin e liqenit? Çfarë do bëjnë? Belshin e pamë ne sesi e lanë. Kur kam vajtur në Belsh për herë të parë, ishte një tmerr. Se më tha Arifi, shihe se rruga është pak problem. Çfarë problem, ajo nuk ishte rrugë fare! Aty kam parë unë, mirë të kërcesh nga poshtë, se unë jam dhe i gjatë, t’i biesh tavanit të makinës lartë bum bum, ajo ishte tallava tamam, jo kjo. Aty e mësova madje ta kërcej. Zbres atje, Arifi tha: u lodhe? Jo vëlla i thashë, nuk u lodha, po kontrollohesha a i kam të gjitha me vete.
Futemi atje, bulevardi ishte një rrugë pa asfalt me nja dy ndërtesa kolona dhe mbi kolona kishin hipur ca me flamurin e PS. O Zot, po ku do e bëjmë mitingun i thashë? Këtu më tha. Si këtu? Bëmë një miting andej, liqeni rrethuar nga plehra, ferra, asnjë kokërr leku, asnjë lloj lidhje. Sot në Belsh ka më shumë turistë dhe vizitorë seç ka banorë në qytet. Që të mos ju fals për Librazhdin që u transformua totalisht, u bë dhe me stadium. E prishën içik me atë golin, e mbani mend atë golin që hyri vetë topi? Është i vetmi stadium në botë ku topi ka bërë gol vetë, unë skam parë në vend tjetër. I thashë Taulantit: “O Taulant ç’qe ky gol? Po janë të rinj”, – tha, “do përmirësohen”. Por stadiumin e kanë, thuaj çfarë të duash.
Pastaj me radhë Cërriku. Është bërë Cërriku shembull. Është një nga bashkitë që merr më shumë fonde nga donatorët e huaj. Tani çfarë doni tani, do t’i jepni votën atij kandidatit të faqes së zezë atje që mos t’i shkojë më njeri ti japë kokërr leku, jo ne por as donatorë. Kurse për pjesën tonë, po ju them shihni Shkodrën. E kanë që në ‘92, nuk e kanë ndërruar asnjëherë drejtimin, kanë vazhduar të ecin mbrapa. Ata e dinë që shkojnë përpara, vazhdojnë mbrapa. Shkodra, qytet më të bekuar s’ka. Me liqen, me lumë, me det, me mal, me alpet mbi kokë, një perlë. Bashkia më e prapambetur e Shqipërisë, pse? Se e drejtojnë ata, për asnjë arsye tjetër në botë, se populli po ai është. Edhe në Shkodër, edhe në Elbasan. Por edhe në Shkodër edhe në Malësi të Madhe. Ne ndërtuam rrugën e Thethit. Rruga e Thethit shkon nëpërmjet Bogës që hyn në bashkinë e Malësisë së Madhe pastaj del në Bashkinë Shkodër në Theth. Shkon në Bogë, pastërti absolute. Nuk ka një copë letër, pastërti absolute sepse është bashkia jonë, shkon në Theth plehra nga të katra anët ndërkohë që njerëzit janë po ata dhe shtëpinë i kanë akull edhe atje, edhe atje, pse? Se atje është bashkia e Shkodrës. Se këta kanë një gjë, këta kanë një raport me kazanët e plehrave, demokratik. Këta kur vijnë i japin lirinë e plotë kazanit të plehrave. Nuk ka më asnjë lloj problemi. Hidhi plehrat ku të duash, mbi kazan, mbulo kazanët s’ka problem. Vijnë bashkë me plehrat sa herë marrin drejtimin. Nëqoftese ju ka marrë malli të shihni plehrat prapë nëpër rrugë merrni Luluçin dhe të jeni të sigurtë, ju s’keni për ta marrë, por fjala që bie, të jeni të sigurte që kështu do ndodhi.
Edhe një gjë të fundit dua t’ju them. Ne kemi sot arsye shumë të forta që ta themi me zë të lartë që duhet të shkojmë vetëm përpara, se nuk është çështja e gjithë çfarë kemi bërë për qytetet, që për shembull këtu s’ka pasur ujë të pijshëm. Sot nuk është më temë uji i pijshëm, kemi disa pika që janë akoma problem në ndonjë qytet. Për shembull në Kavajë kemi bërë gjithë ujësjellësin, problem kemi të shtojmë burimin e uji, pra të fusim një burim të ri. Ka çështje të tilla, por tani ne kemi ardhur në një moment kthese të ekonomisë, një kthese e rëndësishme ekonomike edhe pse patëm tërmet që na mori shumë fonde se u desh të sistemoheshin gjithë ata njerëz që ngelen pa shtëpi dhe ata nuk i sistemuam as si të majtë as si socialistë. Ata u sistemuam si shqiptarë të gjithë bashkë. Dhe më e bukura se ua thashë dhe në Kavajë, ndodhte shpesh në Tiranë, çelësin e parë e merrnin demokratët. Kur çonim çelësat, çelësi i parë i binte demokratëve dhe thonin të tërë, “pse ua jepni atyre çelësin e parë se na mbytën, vetëm protesta” dhe këta janë përfituesit e parë të punës sonë. Po! Sepse ne kur punojmë nuk i ndajmë majtas,, djathtas njerëzit. Për ne janë të gjithë qytetarë që meritojnë shërbime, që meritojnë përkujdesje, që meritojnë mirëqeverisje dhe kështu me pandeminë. Kështu dhe me inflacionin, kështu dhe me energjinë. Sot fatura e elektrikut në shtëpitë tuaja vazhdon vjen njësoj siç ishte, asnjë qindarkë më shumë, por ne vazhdojmë të paguajmë që ajo faturë të mbetet ashtu.
Megjithatë tani po bëjmë rritjen më të madhe historike të pagave dhe do ta çojmë pagën mesatare 900 euro vitin e ardhshëm. ë gjitha këto janë të lidhura dhe me investimet. Qeshin, kanë qeshur shumë njerëz dhe kanë përqeshur shumë njerëz kur flisnim ne këtu në Elbasan për ato që pastaj u bënë që nga kthimi i Elbasanit nga qyteti më i ndotur, me problemet më të mëdha të ajrit në një qytet, ku mbetjet administrohen në mënyrën më të mirë të mundshme, deri tek stadiumi, bëjnë humor. Tani po ju them që Automotoparku i Elbasanit do të sjellë këtu një industri që do të jetë krahasimisht gjithmonë me të shkuarën, shumëfish më e rëndësishme, shumëfish më e fuqishme se ai Kombinati Metalurgjik, një industri e turizmit, një industri të eventeve të mëdha, një industri të sportit, një industry, e cila do të joshë njerëz nga të katër anët, jo të Shqipërisë, por nga të 4 anët e Ballkanit, nga të katër anët e Europës dhe kjo sigurisht do të jetë ekonomi.
Po kush do t’i bëjë këto?
Prandaj ka vetëm një rrugë, ka vetëm një drejtim dhe porosia ime është që gratë e Elbasanit, jua thashë kur erdha herën e parë, gratë e Elbasanit, gratë në të gjithë qarkun e Elbasanit, duhet që deri ditën e dielë ta marrin shumë seriozisht. Edhe një herë nëqoftëse disa e kanë marrë me të qeshur, disa të tjera kanë pasur punë dhe ça kanë shoqe, komshije, të njohura, krushka që i kanë burrat demokratë, t’i ulin përballë, t’i flasin që t’u vënë fre burrave dhe t’i bindin që kandidati i “faqes së zezë” Lulucc BashBoçi dhe gjithë kandidatët e tjerë, pavarësisht se ç’mund të jenë në vetvete janë po aq faqezezë përderisa duan vota për “faqen e zezë” dhe nuk duhen votuar.
Nuk duhen votuar se nuk kanë çfarw bëjnë fare njëherë se s’kanë lidhje me punët e bashkive tona, po nuk duhen votuar dhe për respekt të gjithë atyre të parëve që u vranë e u sakatuan për Amerikën kundër komunizmit. Dhe nëse këto shoqe, këto komshije, krushka thonë “shiko se burrin e kam shumë të mbrapshtë, nuk mbush”, ta mbyllë në shtëpi.
Ne nuk duam të vijnë të votojnë për Partinë Socialiste. Ata thonë nuk duan të na shohin me sy , s’ka asnjë problem. Për ne janë si hudhra, ne nuk i marrim sysh. Problemi është të mos dalin fare. Të mos dalin fare dhe të mos e ndynë dorën duke vënë kryq atje “bashkë fitojmë” me Salike Floririn se është turp i madh. Mos dalin fare, të vënë përparësen, të bëjnë byrek. Bëjuni dhe një dhallë të mirë që në darkë kur të dalë rezutati, – se do dalë Elbasani se është elektronik-, byrekun ta shtyjnë me dhallë.
Në fund fare, një gjë është e sigurtë. Kjo është gjëja më e sigurtë që unë mund të them që është 100 %. Të nesërmen fitorja e kryetarëve tanë të bashkive është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhi, jo socialistëve, por edhe atyre vetë, se qytetet do vazhdojnë punën, qytetet do pastrohen, çerdhet, kopshtet, shkollat, do vazhdojnë të mirëmbahen. Aty ku kanë mbetur disa që duhet të ndërtohen, do vazhdojnë të ndërtohen, ashtu siç dimë t’i ndërtojmë ne. Do vazhdojnë të gjitha aktivitetet e tjera që kemi nisur me të gjithë fëmijët socialistë, demokratë, nëpër ekipe sporti, nëpër aktivitete të tjera, do të vazhdojnë të gjitha projektet e mëdha, infrastruktura, agroturizmi, do shtojmë numrin e vizitorëve që vijnë në këtë zonë ku s’bëhej fjalë për turistë përpara, sot shkojnë vetëm në Belsh 3000 turistë vetëm për një vakt dhe nongrata bashkë me floririn do shohin që do t’i zvogëlohet ai rrethi i ambicies, por dhe drejtësia që vonon dhe nuk harron thotë populli. Drejtësia jonë na ka vonuar sa na ka plasur të gjithëve, por çdo ditë që kalon, ka gjithmonë një shans më pak që të harrojë. Kështu që, vetëm përpara se më e mira është vetëm përpara.
Ju hëngsha zemrën ju hëngsha, ju të gjithëve që jeni këtu e gjithë socialistëve, e gjithë progresistëve, e gjithë elbasanllinjve, e të gjithëve me radhë.
Shumë, shumë faleminderit!