Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm, njëherësh drejtues Politik i Qarkut Elbasan, Damian Gjiknuri
Përshëndetje Elbasani,
Lartë, lartë, lartë flamujt; kjo është jehona përpara fitores!
Mirë se erdhe Edi Rama! Mirë se erdhët të nderuar qytetarë!
Në fakt ky muaj fushate ka qenë vërtet fantastik ku bashkë kemi diskutuar, kemi shpalosur idetë, kemi prezantuar ekipet tona, ekipe që natyrshëm janë ekipe fituese, që do ta nxjerrin Elbasanin 7-0.
Lartë flamujt, Elbasani kampion! Elbasani sapo u shpall kampion edhe në futboll, e jam i bindur që ne do të jemi kampionë dhe në rezultatin zgjedhor.
Në fakt në këtë rrugëtim kemi bashkëbiseduar, kemi ballafaquar ide dhe të gjithë janë të qartë dhe shumë vendosur që më 14 Maj të bëjnë diferencën.
Të bëjnë diferencën mes të shkuarës që na çon mbrapa dhe të ardhmes që na çon përpara. E ardhmja që përfaqësohet nga këto djemë, që kemi kandidatë, por mbi të gjitha nga i gjithë formacioni, ekipi i progresit me në krye Edi Ramën. Më 14 Maj ne kemi shansin që ti themi “Pro” politikave të Qeverisë Rama, sidomos në disa drejtime. Kur të shkojmë në votim të mendojmë dhe ti bëjmë një pyetje vetes: A kemi nevojë ne, administrata jonë, të rinjtë dhe të rejat tanë që kërkojnë një të ardhme në këtë vend, për paga më të larta? Po ky është rasti.
Më 14 Maj kush do rritjen e pagave dhe progresin e filluar ka vetëm një zgjedhje, Partia Socialiste dhe kandidatët e saj.
Më 14 Maj të gjithë pensionistët që na dëgjojnë, patjetër rritja e pagave do të sjellë dhe rritjen e kontributeve të Sigurimeve shoqërore. Ne kemi bërë shumë për pensionistët. Me shpërblimet e vitit të fundit dhe me projeksionin dhe rritjen e pagave do të hapet “drita jeshile” dhe për rritjen e pensioneve. Prandaj çdo pensionist le ti thotë “Po” politikës së rritjes së pensioneve, që ka vetëm një destinacion në kutinë e votimit, Partia Socialiste dhe Edi Rama; E unë dua flamujt lartë dhe për këtë.
Alternativat që kemi përballë flasin vetë, “fosile politike”, i keni parë vetë. Le ti marrim me radhë në 5 bashki janë “fosil politik”. Merr Belshin, merr një ish-kryetar komune “fosil politik” dhe do të konkurrojë gjoja përballë Arif Tafanit; nuk ka shanse, sepse Belshi ka ndryshuar shumë.
Merr një tjetër “fosil politik” në Gramsh dhe do të konkurrojë përballë Besian Ajazit; Jo Gramshi ka kohë që e ka zgjedhur rrugën me Partinë Socialiste.
Merr një tjetër “fosil politik” në Librazhd dhe do të konkurrojë me fantastikun Mariglen Disha, nuk ka asnjë shans, fitorja është e garantuar. Merret një “fosil politik” në Cërrik dhe do të konkurrojë përballë Andis Sallës, djalë i ri dhe energjik; Nuk ka shans!
Në Përrenjas merret një zonjë që e ka zgjedhur vetë Likja, të më falni po s’kam gje me të, po mendon se do të mundë Nuriun tonë të urtë dhe punëtor. Po nuk ka shans! Kurse në Peqin s’di të them se kemi një anonim që nuk ka shans ta mundë Roshin tonë, që e ka treguar me punët e tij se sa gjëra të mira do të bëjë dhe për Peqinin.
E ëmbëlsira për në fund. Merret një artist dhe sillet në Elbasan, madje numri dy i Sali Berishës. Po mirë ju them të gjithëve elbasanllinjve që kam bërë biseda këto ditë: ”Kur nuk bën njëshi Sali Berisha që i kanë vënë vizën shqiptarët dhe bota, a mund të bëjë dyshi?”
Thjesht ka sjellë lejtnantin e tij artist, që ka vetëm dy tipa mashtrimesh, mashtrimet në publik dhe mashtrimet privat. Mashtrimet private, dy drejtorë për familje, premtime për vende pune e dini shumë mirë këtë, dhe ato me “Disnayland” dhe ato me Kinostudio, që do na e ndriçojë Elbasanin duke u bërë personazhi më qesharak.
Ne s’kemi nevojë për ta. Le t’i çojmë ata me votën tonë në koshin e historisë, s’kemi nevojë. E dimë shumë mirë politikat e tyre, i dimë shumë mirë se çfarë kanë bërë në Elbasan në të shkuarën, ashtu dhe në të gjithë bashkitë e tjera.
Prandaj më 14 Maj ne duhet të ndahemi përfundimisht nga e kaluara. Dhe patjetër në këtë fushatë ne kemi marrë dhe mesazhe të tjera. Mesazhe që duan të dëgjojnë qyetarët. Ne nuk jemi të pagabueshëm, mbase kemi edhe ne ndonjë të metë dhe kemi nevojë për vërejtje. E mendoj dhe jam i bindur që Edi Rama do të dijë ta lexojë mbështetjen popullore për t’i dhënë dhe njëherë një kredo dhe një të drejtë morale për të korrigjuar dhe ndonjë gabim të nderuar qytetar dhe në amdinistratën tonë.
Jam i bindur që ju meritoni shumë, por ka vetëm një shans për të ecur përpa, Partia Socialiste, kandidatët e saj dhe Kryeministri Edi Rama!
Kush e do të ardhmen e Elbasanit le ta bëjë këtë zgjedhje. Më mirë një zgjedhje e sigurtë, se sa ëndrrat që na shesin ata që nuk kanë bërë asgjë. Jo ne s’kemi nevojë për ëndrra, ne kemi nevojë për progres të prekshëm. Politika është arti i së mundshmesh dhe bëhet e mundur me njerëz si ekipi i Partisë Socialiste, që është këtu po dhe ata që janë në të gjithë Shqipërinë.
Prandaj një thirrje Elbasani, me flamujt lartë t’i themi ‘Po” fitores sonë, të jemi kampionët e vërtetë më 14 Maj!
Më lejoni të thërras gjithë ekipin tonë, një nga një me rradhë për të qenë ata ekipi i fitores që patjetër do të bëjnë atë rezultat 7-0!