Turi i mirënjohjes vijoi sot në qytetin e Durrësit, ku Kryetari i PSSH Edi Rama falenderoi qytetarët për besimin e treguar përmes votës ndaj kandidatëve të Partisë Socialiste, në krye të punëve të bashkisë.
* * *
Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit! Është hera e fundit që jeni në mes ju, kështu që shijojeni dhe sot këtë se pastaj duhet të rrini në këmbë gjithë kohës.
Shumë faleminderit në radhë të parë partisë së Durrësit, që është modeli tanimë i aplikuar në shumë vende dhe atë po i thosha këshilltarëve në takim, që mbase disa nga shokët që më dëgjojnë nuk do ndihen mire, por e vërteta është që partia e Durrësit është lokomotiva, si degë partie e gjithë Partisë Socialiste për mënyrën sesi është e organizuar, për mënyrën sesi e kupton disiplinën në vullnetarizëm, për mënyrën sesi ndërvepron nga maja deri në qelizën e bazës për organizatat, për koordinatorët, për patronazhistët. Do e them dhe këtë që mendoja dhe që tek aktivistët Durrësi do bënte një kërcim përpara, por në këtë pikë nuk e bëri këtë herë. Shpresoj ta bëjë herën tjetër në mënyrë që dhe në degën digjitale të parties, Durrësi t’i mesojë të tjerëve se si arrihet një fitore duke punuar, jo vetëm përditë, por duke punuar në çdo qelizë të territorit.
Natyrisht që, Durrësi është bërë një model edhe për Shijakun dhe Shijaku këtë herë tregoi që ka qenë një nxënës shumë i mirë që tani është ngritur në nivelin e profesorit.
Kruja pastaj është një fenomen më vete siç e dini. Aq sa lë për të dëshiruar kur sheh partinë në letër, aq pastaj përgjigjet me rezultate konkrete në realitet. Por unë vazhdoj mendoj që Kruja duhet të bëhet si Durrësi dhe Shijaku dhe në organizimin e partisë sepse Durrësi dhe Shijaku nuk mund të bëhen si Kruja, kështu që në këtë aspekt duhet të nxirrni disa mësime sepse sfidat bëhen gjithmonë dhe më të vështira, pavarësisht se në këtë sfidë ne arritëm të marrim rezultat që është historik. Jo për kandidatin se rezultatin historik për kandidatin nuk ka kandidat që e thyen më, por rezultat historik për partinë sepse për herë të parë pas 20 vjetësh, PS është forcë e parë në këshillin bashkiak të Durrësit dhe natyrisht edhe në Shijak dhe në shumë vende të tjera.
Domethënë, jemi bërë forcë e parë dhe në këshillin bashkiak dhe në Shkodër dhe në Tropojë si Parti Socialiste. Tani kjo është për hir të së vërtetës një barrë shumë e madhe. Por, përpara se të them dy fjalë si e kuptoj unë këtë fitore, dua të bëj disa falënderime, edhe konkrete dhe dua të falënderoj një njeri që është gjithmonë i urtë, është gjithmonë aty, po asnjëherë nuk merr një rol protagonist, por që për hir të së vërtetës është një garant i një procesi pune që ecën më së miri që është kryetari i partisë Luani. Dhe dua të bëj një falënderim të veçantë për dikë që juve tanimë e keni pranuar që është një simbol për të gjitha gratë dhe vajzat në PS të Durrësit. Unë do e përsëris se nuk kam sesi bëj ndryshe, duke i kërkuar ndjesë Klodit që ka probleme me temperaturën kur i del emri, por e vërteta është që Klodi meriton një falënderim.
Kur e patëm marrë atëherë që ta bindnim që të futej në listën tonë si deputete e PS në fakt ishte një mbrëmje që përfundoi nuk e di çfarë ore pas mesnate, sill burrin e sill njerëz të tjerë e nuk e di, një tmerr dhe meazallah se i dilte e keqja nga sikleti, “si do futem unë këtu në këtë rrugë”. Edhe e vërteta është që qysh atëherë Klodi gjithmonë e më shumë është bërë njësh dhe jo vetëm është bërë njësh, por është bërë si të thuash edhe një pikë referimi për angazhimin, për modestinë, për kontributin që e jep njësoj si të ishte një anëtare e thjeshtë e partisë dhe është një deputete që nuk i lë asgjë mangët parlamentit, punës në komisione parlamentare ku ajo është angazhuar. Por ama, sot ndryshe nga fillimi nuk është një deputete që vjen si profesioniste në parlament, por është një aktiviste, një patronazhiste, një koordinatore.
Dhe që ta them deri në fund, në këtë fushë më ka bërë të qesh me gjithë zemër, jo në një rast, por në 2-3 raste se ndiqja gocën time këtu dhe kur nuk isha këtu dhe shihja ato imazhet e aktiviteteve të Anit në Facebook ndonjëherë dhe kur Ani shkonte në takime që futej aty, çoheshin të gjithë në këmbë për të duartrokitur dhe Ani shihte karrigen ku do arrinte dhe i jepte një dorë, dy duar, tjetrën e harronte dhe Klodi shkonte i jepte dorën direkt asaj që harronte Ani. Dukej sikur ishte “moma” që po çonte gocën tek krushqit dhe “aman mos ja merr për keq se e kam të mirë gocën por është pak kështu si e hutuar”.
Një detaj simpatik por që flet shumë, flet shumë për përkushtimin dhe flet shumë për mënyrën sesi Klodi e jeton këtë angazhim. Natyrisht nuk mund të lë pa falënderuar edhe Milvën. Milva është tjetër gjë. Për Milvën unë them jastëku ku të gjithë vëmë kokën kur kemi nevojë për të marrë optimizëm, në kuptimin simbolik vëmë kokën se mos na keqkuptoni. Megjithëse Milva e ka kaq të gjerë krahasorin sa na mban të gjithëve me optimizmin e paepur dhe me energjinë që ka dhe me poizitivitetin që ka. Patjetër që kontribut kanë dhe të gjithë deputetet, por unë nuk falënderoj burra tek e tek, deputetë se të tjerët “Ok”. Dua t’i shpreh një mirënjohje të veçantë dhe një falënderim të veçantë veteranit të paepur të PS dhe të këshillave, të parlamenteve Land Xhelilit i cili është rikthyer në këshill bashkiak me gjithë modestinë që e karakterizon.
S’e mbaj mend një herë që të ketë qenë hatërmbetur, s’e mbaj mend që të ketë thënë jo detyrën për një detyrë apo një detyrë tjetër dhe s’e mbaj mend që të ketë ndenjur në shtëpi se nuk ka marrë atë që mund të ketë menduar. Gjithmonë model për të gjithë dhe shumë faleminderit dhe falemidnerit të gjithëve ju pa përjashtim, të gjithë kryetarëve të organizatave, gjithë koordinatorëve, gjithë patronazhistëve, gjithë aktivistëve ,bashkisë së Durrësit, bashkisë së Shijakut dhe gjithë çunave të Krujës dhe gocave të Krujës sepse realisht ka qënë një rezultat i jashtëzakonshëm.
Tani fakti që ne marrim një rezultat që është rezultati më i mirë historik, në zgjedhjet vendore dhe që është rezultati më i miri historik i Partisë Socialiste, në aspektin e numrit të votave në të gjithë Shqipërinë, është shprehje e një pritshmërie shumë të madhe, por jo e një kënaqësie të madhe e njerëzve me punën tonë, ta kuptojmë shumë mirë këtë gjë. Njerëzit na besojnë, na mbështesin, presin prej nesh akoma më shumë, por nuk është se janë të kënaqur me ne. Do ishte gabim i madh që ne ta marrim këtë votë si kënaqësi.
Ne jemi pa diskutim zgjedhja e tyre më e mirë. Është gjë e madhe që pas një periudhe relativisht të gjatë në qeverisje, në qendër dhe këtu prapë, marrim gjithë këtë mbështetje që do të thotë që njerëzit kanë pritshmëri sepse besojnë që ne mund t’i bëjmë ato gjëra.
Gjërat që ata presin, por ama nuk do të thotë që janë të kënaqur me ne, sepse ka shumë gjëra që ne mund t’i bëjmë më mirë dhe tani këtu nuk po flas për Durrësin, për Shijakun, po flas për Patinë Socilaiste në tërësi dhe siç e patë, kjo fushatë ishte sa locale, aq edhe kombëtare, për arsyet që i kemi diskutuar dhe s’dua t’i kthehem sot se s’jemi këtu për këtë, por është shumë, shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë që njerëzve i kemi hyrë në një borxh shumë të madh, duke i kërkuar votën, duke i kërkuar të na besojnë ne sepse vetëm me ne shkohet vetëm përpara, ajo që ne kemi marrë prej tyre është një sfidë shumë e madhe, e jashtëzakonshme.
Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm votën që na është dhënë ne direkt, kam parasysh dhe votën që nuk iu është dhënë atyre.
Sepse ata bëjnë ca llogarira të çuditshme, por faktikisht kanë marrë, as kanë marrë 250 mijë vota sepse tek votat për kandidatët kundërshtarë, janë mbledhur me kuç e me maç, kurse këta me të cilët Shqipëria ka problemin dhe me të cilët ne kemi problemin, janë katandisur kokoshi një thellë, dhe kjo vjen si rezultat i braktisjes që shumëkush prej atyre që i kanë mbështetur historikisht, i kanë bërë dhe kjo braktisje ka të bëjë edhe me faktin që brenda vetes edhe pse s’do e thonë kurrë, ata e dinë që ne jemi zgjedhja më e mirë dhe e dinë që kur i themi ne që duam të vazhdojmë punën, duam të bëjmë këtë, këtë për Durrësin; duam të bëjmë këtë, këtë për Shijakun apo për Krujën apo për Shqipërinë, ne realisht duam ta bëjmë realisht dhe realisht jemi të vetmit që mund ta bëjmë por kjo nuk do të thotë që ne i kemi bërë të gjitha gjërat mirë.
Kemi bërë gabime, patjetër kemi bërë gabime. Kemi bërë dhe gjërat për të cilat unë nuk jam krenar fare dhe do të dëshiroja shumë që të mos i kishim bërë. Dhe kur flas në shumës, nuk flas për ju këtu, që jeni këtu poshtë dhe dëgjoni ne që jemi këtu, nuk flas as për Anin, as për Eltonin as për Turin, flas për udheheqësa të PS. Flas për njerëz që kanë marrë gjithçka nga Partia Socialiste dhe që jo nuk i kanë dhënë gjithçka, por i kanë dhënë dhe kosto, në gjithë këto vite flas.
Flas për njerëz që kanë marrë detyra të larta, kanë marrë drejtimin e agjensive të rëndësishme dhe kanë turpëruar besimin, kanë turpëruar mbështejen, kanë turpëruar flamurin, kanë turpëruar familjen tonë.
Dhe në fund të ditës, sigurisht që përgjegjësia është individuale por një familje, edhe familja e vogël, edhe familja e një kompanie, edhe familja e një skuadre sporti, edhe familja e një organizate të caktuar, edhe familja e një partie nuk mban pergjejgësi për çfarë bën një individ që del nga shinat, por mban përgjegjësi për mënyrën si reagon në raport, jo vetëm me atë individ, por në raport me problemin. Që do të thotë, merr masa dhe vetedijësohet që ajo gjë nuk duhet të përsëritet.
Dhe të tjerët duhet të nxjerrin mësim. Në këtë aspekt, ne kemi shumë mësime për të nxjerrë që të mund ta meritojmë këtë besim dhe këtë mbështetje. E kemi thënë një milion herë dhe e kemi këtu në Durrës modelin historik të suksesit që lidhet me një gjë themelore, që është begenisja e njerezve. Arsyeja pse ju fitoni, arsyeja pse juve nuk ua mbyll njeri derën kur ktheheni prapë për t’i kërkuar votën, më besoni, është në radhë të parë që këtu është krijuar një traditë, në bashkinë e Durrësit, që njerëzit begenisen dhe nuk lihen rrugëve, nuk u përplaset dera në fytyrë, nuk u kthehet kurrizi, nuk iu thuhet plaç dhe halli që nuk iu zgjidhet iu qahet. Kjo është merita kryesore e juaja. Dhe për këtë partia e Durrësit është model.
Model që është sulmuar, është luftuar, është përbaltur, është abuzuar se nuk e kuptojnë, s’duan ta kuptojnë, bëjnë sikur s’e kuptojnë, ka një mijë të tjera që mund të shtoj se ku qëndron çelësi i suksesit. Ju jeni një organizatë që njihni të gjithë votuesit me emër, me mbiemër.
Ju jeni një organizatë që dini se ku i pikon çatia, jo çdo njësie, po çdo shtëpie në çdo rrugicë dhe absolutisht bashkia s’ka mundur t’ua zgjidhi dot të gjitha problemet të gjithë njerëzve që kanë halle dhe që kanë gjëra për të zgjidhur, s’ka mundur, por ama ka treguar vijimësisht, hap pas hapi që çdo ditë bën diçka dhe çdo ditë zgjidh diçka.
Dhe në këtë pikë të gjithë duhet të mësojnë dhe nëse Ani mori gjithë këtë mbështetje, pa diskutim duhet të jetë në radhë të parë mirënjohëse të gjithëve ju që Klodi shkonte i jepte dorën atyre te takimi po juve keni dhënë nuk e di se sa herë dorën në të gjithë bashkitë e Durrësit për Anin dhe për këshilltarët, por ama nga ana tjetër, e vërteta është që e keni pasur gojën plot sepse Ani nuk ka bërë ndonjë mrekulli këtu, askush nuk mund të bëjë mrekullira por në atë natyrën e vetë pa emocione nuk ka lënë mangët mangët asgjë në raport me njerëzit, që ditën e parë që ka marrë detyrën në kulmin e një katastrofe siç ishte tërmeti dhe kjo është gjëja që duhet të vazhdojë patjetër por dhe duhet të gjeni dhe të gjejmë mekanizma që bashkia të bëhet edhe më e hapur, se si të ketë edhe më mundësi për njerëzit që të marrin pjesë në debate, të marrin pjesë në diskutime. Se si të ndërtohen mekanizma edhe për halle e probleme, qofshin ato që shtrohen, qofshin ato që zgjidhen të ketë seanca të hapura ku njerëzit të ndihen që janë pjesë e një komuniteti. Kjo gjë që ka bërë Partia Socialiste duhet të kthehet në diçka që ta ketë gjithë komuniteti i Durrësit, nuk ka nevojë të bëhen anëtarë të Partisë Socialiste të gjithë se larg qoftë, por ama çdokush ta gjejë derën e hapur tek ne dhe të ndjejë që ne jemi një komunitet ku secili mund të ndihet mirë bashkë me ne, nuk ka rendësi në fund fare a votojnë të gjithë për ne apo jo. Rëndësi ka të gjithë të ndihen mirë të majtë e të djathtë se edhe ata që nuk dolën të votojnë fare meritojnë respekt se nuk dolën ta ndyjnë dorën duke e vënë kryqin tek ajo kutia e tmerrshme që bashkonte dy hijet më skandaloze të historisë së këtij vendi. Ne nuk e dimë nga ata të djathtë që kanë ardhur të votojnë se kush ka votuara për ne e kush ka votuar për ata, ama çdo i djathtë është potencialisht që edhe na ka besuar dhe çdo të djathti ne duhet ti shtrimë dorën, nuk duhet të shohim asnjë ngjyrë, asnjë dallim e të gjithë duhet ta kuptojnë që po të jenë me ne, të ndërveprojnë më ne, janë më të fortë sepse ne nuk e lëmë njëri-tjetrin në baltë.
Natyrisht, për sa kohë nuk del njëri e tjetri që duan të shkojnë rrugëve qorre. Kush do të ndjekë rrugën qorre, të shkojë aty ku nuk thuhet, ne dimë të shkojmë aty ku themi dhe të themi aty ku do shkojmë. Kështu që kjo eshët diçka që do ta përsëris në gjithë këtë tur, me të gjithë, sepse pika e parë e programit të të tre këtyre figurave këtu, pika e parë e programit të çdo kryetari apo kryetare bashkie të zgjedhur me votën e socialistëve, të progresistëve, të gjithë të tjerëve, duhet të jetë njerzillëku. Pika e parë njerëzillëku, pika e dytë njerëzillëku, pika e tretë njerëzillëku, ca vende bosh pastaj infrastruktura, e të tjera. Por njerëzillëku! Begenisja, trajtimi i njerëzve me respekt, kjo është gjëja që na duhet e kjo vlen për hir të vërtetës. Kjo vlen për bashkitë dhe për gjithë institucionet qendrore që përfaqësojnë shtetin, që përfaqësojnë qeverinë qendrore në çdo qytet. Për të gjitha institucionet që japin shërbime. Nuk dua të hyj këtu në detaje por ne duhet ta pranojmë që nëse me energjinë kemi bërë një transformim epokal dhe nga një vend ku gjysma vidhnin ose merrnin energji dhe nuk paguanin dhe gjysma tjetër paguante dhe për atë gjysmën dhe ku ishte një kiamet i madh, me një shërbim mizerabël, me zyra të klientit që ishin nëpër bodrume të marra me qera, nuk mund ta themi dot të njëjtën gjë për Kadastrën. Nuk mund ta themi dot që kemi bërë po atë revolucion dhe një nga arsyet kryesore është sepse ne nuk e kemi bërë me Kadastrën atë që bëmë me energjinë, që të kuptonim që këtu ka një vijë të kuqe dhe që OSHEE-ja nuk është një ndërmarrje për tu mjelë, nuk është një vend për të çuar në punë veterinerë dhe agronomë që të lidhin telat, siç ishte përpara dhe merita kryesore është e mbështetjes që i dha Partia Socialiste atij transformimi duke kuptuar që këtu nuk është foleja që do futemi të gjithë e do fusim këtë mundemi aty pavarësisht se çfarë formimi ka.
Tek Kadastra, ne duhet të bëjmë një transformim përfundimtar, është bërë punë, janë bërë hapa por nuk është e pranueshme më. Kadastra është bankë. Në Bankën e shtetit shqiptar nuk shkohet për të punuar aty ku është drejtoria e kredive me diplomë veterineri, nuk ndodh kjo. Është banka e pronave të shqiptarëve dhe ne duhet ta kthejmë në bankë të pronave. Nuk është as e deputetëve Kadastra, as e këshilltarëve, as e drejtorëve, është banka e pronave dhe gjithë atë punë voluminoze që është bërë për hartat, sepse ka qenë edhe më tmerr se sa ishte OSHEE-ja, ne nuk mund ta lëmë të pambaruar ose të vazhdojë dhe nja 10 vjet të tjera apo 20 vjet të tjera, sa të mbarojnë gjithë kushërinjtë e gjithë krushqit e gjithë miqtë e gjithë kushërinjtë e kushërinjve dhe krushqit e krushqve që duhen futur atje. Solla vetëm një shembull, se nuk jemi këtu për këtë, për të thënë që kemi shumë gjëra akoma që duhet të bëjmë dhe do ti bëjmë patjetër, sepse jua kam thënë gjithmonë kur jemi takuar pa kamera, e them gjithmonë. Këtë vend ose e bën Partia Socialiste ose nuk e bën askush tjetër. Nuk ka mundësi askush tjetër ta bëjë, nuk e bën dot edhe sikur të dojë, ata të tjerët edhe po të duan nuk kanë mundësi ta bëjnë. Është e pamundur, nuk dinë, nuk kanë haber fare, për 1001 arsye. Është vetëm kjo parti që mund ta bëjë dhe është vetëm në këtë periudhë kohe që ne mund të bëjmë kthesën përfundimtare. Një kthesë e madhe ka filluar e duhet ta çojmë deri në fund, pastaj vazhdojnë të tjerët.
Tjetra që është shumë e rëndësishme është patjetër që të bëjmë punët që na kanë besuar e me të cilat do çojmë këtë vend në një nivel tjetër dhe Durrësi është i rëndësishëm, jo për Durrësin, jo për banorët e Krujës, as të Shijakut që po e po, por është i rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë.
Gjithë këto kantiere të mëdha, nuk janë kantiere të mëdha për Durrësin, janë kantiere të mëdha për rajonin, për gjithë Ballkanin. Porte, hekurudha dhe realizimi i tyre do të thotë çuarje komplet në një nivel tjetër e ekonomisë së këtij vendi. Ai porti turistik nuk është thjesht çështje që ndryshon Durrësin, ai ndryshon ekonominë e vendit. Po kështu porti tregtar dhe patjetër edhe hekurudha. Këto janë punë të mëdha, pastaj nuk diskutohet që turizmi ka të vetën dhe të gjitha punët për Durrësin vetë, që nga ajo punë e madhe që po bëhet te plazhi që do e transformojë komplet plazhin, po flisnim me Anin përpara për projektin përfundimtar për të gjithë pjesën e rërës dhe të plazhit. Është vetëm njëri prej projekteve që do bëjmë. Unë i shikoj të tre të lidhur bashkë, edhe Durrësin dhe Shijakun dhe Krujën dhe Tiranën, nuk diskutohet sepse duhet të funksionojnë si një ofertë.
S’dua ta zgjas më shumë se do kemi kohë të flasim për këto, po realisht nuk kam fjalë të mjaftueshme për t’iu falenderuar dhe këtë e them me sinqeritetin më të madh. Kjo është dhe arsyeja pse patjetër që gjëja më e dëshirueshme pas gjithë asaj fushate dhe gjithë asaj bredhje nëpër Shqipëri, të bëja pushim, pak, por mu duk gjëja më e pakët që mund të bëja për ju dhe për të gjithë ata si ju që e realizuan këtë fitore jo thjesht për Partinë Socialiste, po për Shqipërinë që të vija tu thosha të gjithëve shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje sepse në fund të ditës këto fitore, bazën e kanë tek ata që nuk njihen, tek ata që nuk dalin në televizor, tek ata që nuk kanë poste, tek ata që nuk kanë privilegje, por që e kanë me gjithë zemër angazhimin politik në Partinë Socialiste sepse shohin që sidoqoftë, falë angazhimit të tyre vendlindja e tyre, qyteti i tyre, njësia e tyre, përmirësohet. Mbase jo aq sa ata dëshirojnë, por përmirësohet. Përmirësime që siç thashë, shumë ose pak, i bën vetëm kjo parti. Nuk i bën askush tjetër. As kanë për ta kuptuar ata të tjerët se çfarë ndodh këtu në këtë vend sepse jetojnë në një botë paralele. Nuk e kuptojnë dot se si mund të ndodhë që Kamza t’iu kthejë kurrizin në atë farë feje. S’e kuptojnë dhe nuk është e vështirë për ta kuptuar. S’duhet asnjë mund i veçantë. Mjafton të shkosh në Kamzë edhe të shkosh me një hartë ku janë shkollat, ku janë kopshtet, ku janë çerdhet dhe të kesh 3 fotografi me vete nga kopshtet, nga çerdhet, nga shkollat që ishin atje përpara se ne të drejtonim Kamzën. Mjafton të bësh këtë udhëtim dhe kupton pse në 14 maj, kamzalinjtë, të majtë dhe të djathtë, 60% votuan si prindër të atyre fëmijëve që shkojnë nëpër ato shkolla, nëpër ato kopshte, nëpër ato çerdhe dhe nuk votuan si tifozë për t’i lënë fëmijët të humbin nëpër gropa rrugës për shkollë dhe kush kupton këtë, pastaj mund të kuptojë dhe Shkodrën, mund të kuptojë dhe Tropojën, mund të kuptojë dhe të tjera, po me thënë të drejtën, unë për veten time, nuk mërzitem që ata s’e kuptojnë. Përkundrazi, them më mirë mos ta kuptojnë se unë nuk hyj tek ata që thonë po na vdes pluralizmi se po ikin ata për pambuk. Unë them që ata duhet të ikin për pambuk, që pluralizmi të lulëzojë në Shqipëri. Unë nuk shoh asnjë rrezik për demokracinë, për pluralizmin, për fjalën e lirë e çfarë janë këto. Kur shoh ata që dalin, aq pak sa i shoh, sidomos këta të natës, se janë ata të ditës dhe ata të natës, e keni parasysh, janë dy palë ata. Janë ata të ditës ‘’bababum-bababam’’ dhe janë ata të natës ‘’au-iu’’ atje. Kur i shoh ata që dalin, më kujtohet ajo fjala që për lirinë e fjalës ankohet më shumë ai që nuk di çfarë të bëjë me të. Kështu që, duhen parë nganjëherë për të kuptuar që demokracia shqiptare nuk humb asnjë gjë kur humbin ata. Detyra jonë kjo është, sa herë të na dalin përpara, t’i bëjmë atë që i bëjmë. Ne të vazhdojmë vetëm përpara e pastaj ata dalin, ne vazhdojmë përpara.
Shumë faleminderit!
Një falenderim të fundit edhe për tre kandidatët fitues. Tani nuk janë kandidatë, janë kryetarë, për gjithë punën që kanë bërë, për gjithë përpjekjet që kanë bërë. Mbajeni shënim këtë ditë që ishit këtu kaq të nderuar e të respektuar. Nusëruat mjaftueshëm. Ia thashë Anit më parë, tani rikthehet shprehja ‘’krevatin te zyra dhe vazhdo punën’’, se ky e ka vetë parasysh të rrijë natën zgjuar dhe të flejë ditën.
Faleminderit!