Faleminderit Elbasani
Elbasani është stacioni i radhës në turin e mirënjohjes për qytetarët, të cilët i dhanë mbështetje dhe besim kandidatëve të Partisë Socialiste në garën e 14 majit për më të mirët në krye të bashkisë.
* * *
Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin që të vini dhe një herë këtu, këtë herë jo për fushatën, por për falënderimin shumë të sinqertë, vëllazëror për të gjithë ju, që jeni zemra e kësaj arritje historike për Partinë Socialiste. Realisht, pas gjithë asaj xhiroje nëpër gjithë Shqipërinë dhe pas atij numërimi të jashtëzakonshëm të votave, gjëja më e dëshiruar për ua do ishte që disa ditë të mos hipja fare në makinë, por ama përballë asaj harte të re të Shqipërisë dhe përballë pasqyrës së punës, së angazhimit, të përkushtimit, të mundit të të gjithë atyre që e bënë atë të mundur, gjëja më e vogël që unë mund të bëja ishte të rikthehesha dhe një herë që t’i thoja shumë faleminderit të gjithëve sepse këta që janë këtu, e kanë marrë sodisfaksionin e tyre dhe patjetër që kanë rolin e tyre në këtë rezultat, por unë uroj dhe shpresoj shumë që mos ta harrojnë se pa ju që jeni aty, këta nuk do ishin këtu. Pa anëtarët dhe anëtaret e këtij komuniteti politik që quhet Partia Socialiste, as unë e askush nga ne që kemi privilegjin që të hipim në një tribunë, nuk do e kishim të mundur të bënim asgjë nga ato që kemi bërë, sepse fuqia jonë buron drejtpërdrejtë nga të gjithë ata të cilët janë në të gjithë territorin, janë anëtarë të thjeshtë të kësaj familje politike, janë kryetarë organizatash, anë koordinatorë, janë patronazhistë, janë aktivistë dhe që duke vepruar të gjithë së bashku në një rrjet të madhe zemrash e mendjesh që funksionojnë në një drejtim të vetëm, arrijnë ta bëjnë Partinë Socialiste në çdo zgjedhje më të fortë, më të suksesshme, më të pathyeshme.
Prandaj duhen mirëkuptuar edhe kundërshtarët tanë, të cilët deri në momentin e fundi i keni parë, janë të krekosur, premtojnë fitore të mëdha, premtojnë triumfe të mëdha, premtojnë rrëzime të mëdha të gjithë shumicës sonë dhe papritur të nesërmen në mëngjes, gdhihen si të tronditur nga një ankth, nga një makth, nga një gjumë me ëndrra shumë të këqija e fillojnë dhe flasin për grabitje, për vjedhje sepse ata nuk e dinë, ata nuk e kanë idenë se çfarë rrjeti kapitali njerëzor, çfarë rrjeti zemrash dhe mendjesh i shtrirë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë është Partia Socialiste. Ata nuk e dinë se çfarë skuadre e jashtëzakonshme është Partia Socialiste. Ashtu sikundër ata nuk duan ta shikojnë ata që unë besoj në 14 maj e panë dhe shumë njerëz të cilët nuk kanë votuar ndonjëherë për ne. Shumë njerëz që e kanë pozicionuar veten djathtas për 1001 arsye, por e panë që vota e 14 majit ishte një votë ku duhej vendosur me mendje, jo me zemër. Me zemër mund të vendosim ne për veten tonë, kurse ata vendosën me mendje që ne jemi ata që mund ta çojmë Shqipërinë vetëm përpara dhe e vendosën ose duke ardhur të votojnë për ne, një pjesë e vogël e tyre, ose duke i braktisur ata të tjerët, një pjesë më e madhe e tyre, një pjesë që i ka votuar historikisht por që në 14 maj vendosi të rrijë në shtëpi e të mos e ndyjë dorën për të shkuar e për të vënë shënimin në atë kuti që ishte kutia e hijeve të së shkuarës. Vendosën që të rrinë në shtëpi sepse në momentin e fundit menduan si patriotë por menduan edhe me interesin e tyre si prindër që duhet të çojnë fëmijët në çerdhe, në kopsht, në shkollë. E kujt do t’ia lënë në dorë çerdhet, kopshtet, shkollat? Askujt tjetër përveç kryetarëve tanë të bashkive. Askujt tjetër përveç nesh që e kemi treguar me vepra se nuk jemi të pagabueshëm, ,përkundrazi kemi bërë gabime. Kemi bërë dhe gjëra për të cilat nuk mund të jemi krenar e të cilat do të dëshironim që të mos kishin ndodhur kurrë, por ama ne jemi të vetmit që themi atë që bëjmë, bëjmë atë që themi dhe dimë se ku duhet çuar ky vend dhe dimë dhe si ta çojmë këtë vend përpara.
Prandaj dua ti falënderoj edhe ata të djathtë nuk dolën të votojnë sepse i bënë një shërbim të madh Elbasanit, gjithë bashkive të qarkut dhe gjithë bashkive të Shqipërisë. I bënë një shërbim të madh Tropojës, Shkodrës, Dibrës, Lezhës, Kamzës, vende në të cilat ne jemi shumicë si Parti Socialiste në këshillat bashkiak, lëre më pastaj me kandidatët.
Ata që nuk duan ta kuptojnë, se ka dy palë që nuk duan ta kuptojnë. Janë ata të ditës, janë dhe ata të natës. Janë ata që bam e bum sherr gjithë ditën, janë dhe ata që dalin nëpër kolltukë natën në televizor e që flasin për grabitje, për mafie, për narko që kanë kapur Shqipërinë e që nuk po e lëshojnë. Po asnjëri prej tyre, as ata të ditës, as ata të natës, nuk e merr mundimin, jo të shkojë shumë larg, por të shkojë deri në Kamëz e të marrë me rradhë çerdhet, kopshtet, shkollat. Të shkojë ti numërojë se si vetëm në 4 vite për bashkinë e Kamzës janë ndërtuar 23 shkolla të reja të cilat janë shkolla që do të ishin me plot hijeshi dhe me plot dinjitet në mes të çdo qyteti të Europës, njësoj si shkollat më të mira që janë ndërtuar në tiranë dhe gjetkë sepse kështu dimë ne t’i ndërtojmë shkollat. Ata që i dhanë 60% kryetarit të bashkisë së Kamzës, ata nuk janë socialistë që të gjithë. Ata nuk janë të gjithë progresistë, ata nuk janë të gjithë votues që votojnë historikisht për ne, se nuk kishin nga të dilnin aq shumë. Ata janë të majtë, janë dhe të djathtë. Ata janë socialistë, janë dhe demokratë, por çfarë i ka bashkuar ata që 60% i kanë dhënë votën Rakip Sulit? I ka bashkuar interesi i tyre si prindër që fëmijët e tyre sot i çojnë në çerdhe, kopshte, e shkolla që janë shembull ku fëmijët e tyre ndihen të barabartë me fëmijët e kryeqytetit. E qendrës së kryeqytetit madje. I ka bashkuar interesi i tyre si banorë në një bashki që ishte një xhungël dhe ka filluar të mbajë era qytet dhe me radhë.
Kështu i ka bashkuar interesi socialistë e demokratë, të majtë e të djathtë që i dhanë 60% kandidatit tonë në Shkodër sepse vërtetë ka ardhur një pikë ku njerëzit nuk durojnë dot më, vërtetë ka ardhur një pikë ku njerëzit nuk mbajnë dot më, vërtetë ka ardhur një pikë ku njerëzit janë të neveritur dhe të lodhur, por nga çfarë? Nuk janë të neveritur dhe të lodhur nga punët e mira; janë të neveritur dhe të lodhur nga sherri, janë të neveritur dhe të lodhur nga konflikti, janë të neveritur dhe të lodhur nga mënyra sesi politika i ka tërhequr zvarrë gjithë këto vite dhe në një moment të caktuar panë që zgjedhja ishte shumë e qartë dhe vendosën, ashtu siç gjithmonë kanë vendosur shqiptarët që kurrë nuk kanë gabuar që nga viti 1991 e deri më sot.
Thënë të gjitha këto, ka një gjë shumë të rëndësishme që unë e kam shumë merak, e kam shumë, shumë merak, që të gjithë këta këtu dhe që të gjithë ata që njësoj si këta janë zgjedhur në 14 maj, të gjithë deputetët që janë këtu, të gjithë deputetët tanë në gjithë Shqipërinë, gjithë ministrat tanë, gjithë çfarë janë udhëheqës dhe drejtues të institucioneve tona duhet që të mos i gënjejë mendja që vota e 14 majit ishte vota e një populli të kënaqur me qeverinë e vet. Nuk është e vërtetë. Njerëzit nuk janë të kënaqur dhe unë jam i bindur që askush nga ju këtu që nuk ka një post, që nuk ka një veturë, që nuk ka një sekretar, që nuk ka një shofer, që nuk ka një zyrë nuk është i kënaqur me ne.
Nëse juve do t’ju pyes në tavolinë, të gjithë keni arsyet tuaja për të qenë të pakënaqur, që do të thotë që nëse ju këtu keni pakënaqësi, imagjino ato që na kanë votuar, por që nuk janë pjesë e zemrës së Partisë Socialiste, por janë pjesë e organizmit të saj, imagjino ata të tjerët që na kanë mbështetur dhe imagjino ata të tjerët fare që as na kanë votuar e as na kanë mbështetur, por që kanë ndenjur në shtëpi këtë herë duke na e bërë më të lehtë fitoren.
Nuk janë të kënaqur, nuk ka sesi të jenë të kënaqur. Nuk jam unë i kënaqur, si mund të jeni ju të kënaqur? Prandaj, duhet të jemi shumë të qartë për këtë, ashtu siç duhet të jemi të qartë dhe për tjetrën, që pavarësisht se njerëzit janë të pakënaqur kanë pritshmëri të mëdha ndaj nesh. Në mesin e mandatit të tretë është shumë për të pasur një pritshmëri kaq të lartë, për të pasur një mbështetje kaq të madhe, për të patur një besim kaq të madh. Nga se vjen kjo?
Njerëzit nuk janë të kënaqur me ne, por njerëzit nuk e kanë humbur besimin tek ne. Njerëzit nuk janë të kënaqur sepse duan që kjo të bëhet më mirë, por ama, në të njëjtën kohë, njerëzit pritshmërinë që këto gjërat të bëhen më mirë e kanë nga ne, e kanë nga Partia Socialiste, e kanë nga kandidatët tanë dhe kjo, sa ç’është nder shumë i madh për ne, është dhe rrezik shumë i madh nëse ne nuk e kuptojmë siç duhet.
Nëse ne fluturojmë me ato barishtet që kultivohen këtu nga Dumreja dhe nuk rrimë me këmbë në tokë dhe nuk kuptojmë që ne duhet të bëjmë një super sforco që tu kthejmë njerëzve gjithë këtë respekt dhe ky respekt nuk kthehet dot i plotë as me rrugë, as me ura, as me erdhe, as me kopshte, as me shkolla se këto të gjitha nuk mjaftojnë dhe asnjëherë këto nuk do jenë dot mjaft.
Ky respekt kthehet me respekt, ky respekt kthehet duke e ndarë mendjen që kur dilni nga shtëpia t’i puthni dorën çdo njeriu që ju ndalon dhe jo t’i thoni “nuk kam kohë”, t’i hapni derën çdo njeriu që troket dhe jo tu përplasni derën në fytyrë dhe jo vetëm ta bëni ju, jo vetëm ta bëjnë ata që janë në vartësinë tuaj por ju të mos lejoni që dhe të tjerët që përfaqësojnë institucione të qeverisë qendrore këtu të bëjnë paudhësi, ju të mos lejoni që një fshatari, një fermeri, një bujku, një familje në fshat të shkojë dikush t’i vërë gjobë për gardhin, t’i vërë gjobë për murin, t’i vërë gjobë për hardhinë duke i kërkuar lekë.
Bashkitë dhe ju që keni dalë nga vota e 14 majit duhet të bëheni mbrojtësit më të flaktë të çdo njeriu dhe nuk ka rëndësi fare a është socialist apo nuk është socialist, a është demokrat a nuk është demokrat. Duhet të bëni çmos që të paktën njerëzillëkun t’ia ktheni njerëzve 100%. Nëse të tjerat janë të gjitha të vështira, kjo është më e vështira, por kjo është dhe më e thjeshta për ata që besojnë se pushteti i tyre buron nga njerëzit. Ne nuk e dimë se kush na ka votuar. Unë di vetëm një njeri, një njeri e di me siguri që nuk na ka votuar ne, vetëm një di unë; ai që ishte përballë Gledit, ai me okllai. Vetëm ai nuk ka votuar, vetëm ai. Se më shohin mua që nuk merrem me kandidatët dhe më thonë “me atë çfarë ke?”
Ai është që çfarë të them unë. Ai ka qenë lezeti i kësaj fushate në gjithë Shqipërinë. Unë shihja atë dhe kënaqesha. I thoja Damianit “më ço çfarë thotë more”. Kënaqësi e madhe. Një artist komplet, një i dalë me vrap nga arkivat e Kinostudios që u shfaq në Elbasan si kandidat, si Dhori, Koçi nuk ka rëndësi.
Ai vetëm nuk na ka votuar ne dhe shumë faleminderit se i dhatë një mësim perfekt, ia nxorët atë okllainë gjithë elegancë, ia latë në dorë të ikë tani e të bëjë byrekë, por përveç atij që është e sigurt që nuk na ka votuar, unë nuk di, asnjë nuk e di. Keni garanci se kush na ka votuar apo jo? Çfarë dua të them me këtë?
Dua të them që çdo njeri duhet ta respektoni pa pyetur fare është i djathtë, është demokrat, e kemi pasur këtu, e kemi pasur atje sepse ai mund të jetë pikërisht njeriu që të ka dhënë votën ose të ka ndihmuar ty duke mos shkuar fare të votojë. Ne duhet ta kthejmë Partinë Socialiste në një forcë për të krijuar një komunitet më të gjerë, në një forcë që i jep garanci si qytetar, i jep garanci si familjar, i jep garanci si prindër, i jep garanci si pronarë, i jep garanci si sipërmarrës çdokujt. Le të jetë i djathtë e të jetë çfarë të dojë, por i jep garanci që të ndjehet që me ne është më i mbrojtur, me ne është më i respektuar, me ne i ka rrugët më të hapura.
Kjo është një sfidë, por kjo është sfida jonë. Nuk ka familje, ja merrni secili familjen e tij në mend, nuk ka familje ku të gjithë anëtarët e familjes të jenë të kënaqur me atë që kanë. Patjetër, në mos të gjithë, disa, pa llogaritur ata. Imagjino, ai sa çohet në mëngjes thotë, “o ba, dua lekë”. Nuk ka një familje që të thonë “në rregull jemi, nuk duam asgjë”, të gjithë duan më shumë. Nuk ka asnjë fshat që të thotë “Në rregull jemi, nuk duam më shumë” madje edhe në fshatrat e Zvicrës dhe Suedisë ku nuk kanë më çfarë kërkojnë, vrasin veten nga mërzitja. Pra, nuk kënaqen as që i kanë të gjitha dhe ia fusin vetes.
Kështu që, e njëjta gjë është për çdo qytet, për çdo shtet. Jo si Shqipëria. Për Amerikën, ka vend më të fuqishëm se Amerika? Është e para. Ka vend më të pasur? S’ka. Është e para! Janë të gjithë njerëzit në Amerikë të kënaqur? Absolutisht jo. Gjysma të pakënaqur, gjysma gjysmë të kënaqur, po luajnë mendsh të gjithë atje dhe sado të bëjë qeveria, sado të bëjë shteti, nuk ua plotëson dot të gjitha njerëzve, llogarite këtu me mundësitë që kemi ne. Ama një gjë, ne mundet dhe duhet me çdo kusht tua u plotësojmë të gjithëve nëse s’duam që ajo që pamë në 14 maj të na kthehet e gjitha mbrapsht, njerëzillëku.
Për mua pika e parë e programit të çdo kryetari bashkie, se kam dëgjuar këtë se ky, ka mbaruar fushata se do e thoshte prapë do bëjmë kështu, do bëjmë ashtu, sot kishe ardhur për t’i falënderuar jo për ti thënë do bëjmë kështu.
Pika e parë e programit të çdo kryetari bashkie të PS duhet të jetë njerëzillëku, begenisja e njerëzve, krijimi i mundësive që njerëzit të ndihen si në shtëpi të vetë me kryetarin e bashkisë dhe me bashkinë. Sesi bëhet kjo, duhen gjetur rrugët që njerëzit ta ndjejnë bashkinë si shtëpinë e tyre, për çdo hall që kanë. Jo se çdo hall do t’i zgjidhet, por siç thotë populli ynë: hallin që s’ma zgjidh, të lutem ma qaj! Dhe ne dimë shumë mirë që atij që na zgjidh një hall i themi një herë faleminderit. Atij që na e qan një hall i themi 10 herë faleminderit. Kështu që, kjo është kryesorja. Pastaj të tjerat, auto moto parku e kjo e ajo janë projekte që do marrin kohën e tyre. Ne do t’i bëjmë dhe do t’i realizojmë siç i kemi thënë. Të gjithë! Siç i kemi thënë, do ta bëjmë. Kemi thënë para fushatës që Elbasanin do ta bëjmë një destinacion turistik dhe me investimin te motoparku do t’i japim një dimension komplet tjetër për ta kthyer në një motor ekonomie jo vetëm për Elbasanin, por për gjithë Shqipërinë dhe do ta bëjmë, nuk diskutohet, por gjëja që nuk pret për nesër, gjëja që nuk kërkon as fonde, as mbështetjen e qeverisë, as kohë është “Mirëdita”, “Ju lutem”, “Faleminderit”, “Patjetër, do ta trajtojmë çështjen tuaj”.
Unë dua të bëj nja dy falënderime. Do doja shumë t’ju falënderoja të gjithëve një për një por ju e kuptoni që kjo është e pamundur, por dua të bëj nja dy falënderime të veçanta. Në radhë të parë dua t’i bëj një falënderim të veçantë zyshës, Evisit. Pse dua t’ia bëj një falënderim special? Sepse besoj që Evisi i ka dhënë Elbasanit një përmasë tjetër me figurën e saj, me modestinë e saj, me përkushtimin e saj, me integritetin e saj, por edhe me gojëtarinë e saj sepse e keni parë që në fillim ç’kam hequr kur i thashë “Evis, duam të të marrim në PS”. O Zot, o Zot, shko ha dreka me burrin e Evisit e si i bëhet, po pse? Jo se pyeste shumë burrin, por duhej pyetur dhe burri dhe burri thoshte “po shikoje një herë këtë që të thotë kryetari. Kjo “nuk e di”. Nuk e di, çfarë? Burri tjetër pyeste, nuk e di. Por di që në fillim ishte e ndrojtur. Sot Evisi është një shembull dhe ju ka dhënë të gjitha vajzave, të gjitha grave të qytetit, por dhe të gjithë qarkut shembullin që me integritet profesional, me punë, me modesti ti mund të bësh shumë më tepër. Ashtu sikundër e kam vënë re që krijon një atmosferë shumë pozitive edhe këtu, pa konflikte, pa ngatërresa. Pra ka qenë si të thuash fryma e mirë e përçuar me të cilën pastaj Damiani i cili ka ardhur rishtas drejtues politik, ka arritur të plazmojë një shpirt ekipi, ka arritur të motivojë të gjithë ju dhe ka arritur patjetër të krijojë sensin e vazhdimësisë së fitores dhe një vazhdimësie të shëndetshme të fitores. Dhe për këtë arsye unë dëshiroj ta falënderoj shumë Evisin dhe të falënderoj jo aq shumë, por prapë ta falënderoj Damianin, se nuk mund të falënderohen njësoj gratë me burrat. Burrat normalisht s’duhet të falënderohen fare se në rastin më të mirë bëjnë detyrën, në rastin më të keq tregojnë që burrat, burra ngelen.
Kam një falënderim tjetër për të gjitha gratë dhe vajzat e Elbasanit. Damiani e përmendi pak në fillim, por realisht takimi këtu i grave dhe i vajzave që ishin mbledhur nga Elbasani, nga bashkia Elbasan apo jo ku ishin prezent dhe kandidatet për këshillin ishte një nga takimet më të bukura të fushatës sepse ato gra dhe vajza, shumë ndër të cilat janë këtu sot nuk kishin ardhur thjeshtë për të mbështetur nga larg, por kishin ardhur të angazhuara për të bërë atë që bën, ishin shpirti i gjithë kësaj përpjekjeje dhe natyrisht pastaj, unë gjithmonë e shoh te gratë dhe arsyen pse burrat motivohen më shumë se janë gratë që i tërheqin. Natyrisht që, jo çdo burrë madje shumica e burrave për fat të keq nuk e pranojnë këtë, por unë iu them prapë: imagjinojeni veten për një moment ju që të shkoni në shtëpi e s’keni gruan atje, jeni vetë. Ja rezistoni një natë, ja rezistoni dhe një ditë tjetër, po natën e dytë çfarë bëni? Kështu që siç gratë mbajnë shtëpitë e tyre, siç gratë dhe vajzat ushqejnë gjithë shpirtin e rezistencës, e punës, e përkushtimin në familjet e tyre dhe Partia Socialiste është një parti dhe e vetmja parti në fakt, unë besoj në gjithë Ballkanin mesa kam parë, që votohet më shumë nga gratë sesa nga burrat.
Në partinë tonë si në çdo shtëpi gratë punojnë më shumë se burrat, ndaj ne jemi të suksesshëm. Kështu që shumë faleminderit të gjithave ju!
Patjetër nuk i ndaj dot edhe burrat dhe djemtë dhe dua t’i falënderoj absolutisht që të gjithë. E thashë edhe një herë kryetarët e organizatave, anëtarët e partisë në çdo cep të qarkut të Elbasanit që nga Përrenjasi në Cërrik, në Peqin, në Librazhd, në Gramsh, në Belsh dhe në Elbasan. Kështu që edhe një herë tjetër, fjalët nuk mjaftojnë për t’ju thënë sesa mirënjohës jam, por ju të paktën e dini, që unë atë që them realisht e mendoj dhe përpiqem me çdo kusht që ta bëj. Nëse deri sot, në këto 4 vite që po mbyllen, ne kemi bërë sa kemi mundur, do të bëjmë të pamundurën që në 4 vitet e ardhshme të bëjmë shumë më tepër se sa kemi bërë deri tani.
Shumë faleminderit me shumë mirënjohje! Shumë respekte! Paçi mbarësi dhe kini besim se investimi juaj do t’ju kthehet ashtu siç ju na e keni dhënë!