Partia Socialiste e Shqipërisë

Faleminderit Fieri

Turi i mirënjohjes u ndal sot në qytetin e Fierit me falenderimin drejtuar qytetarëve dhe në mënyrë të veçantë anëtarëve dhe anëtareve të PS të Fierit, të Mallakastrës, të Patosit, të Roskovecit, për mobilizimin dhe angazhimin e treguar, në të gjithë procesin zgjedhor të 14 majit.

* * *

Kryetari i PSSH Edi Rama: Faleminderit! Shumë faleminderit për këtë mikpritje!

Ky takim është një takim që vjen pas fushatës si të gjitha takimet që kemi bërë në këtë tur mirënjohjeje për të falenderuar të gjithë ata të cilët e bënë të mundur këtë rezultat, një rezultat që na ngarkon me shumë përgjegjësi dhe kjo nuk është një fjalë goje, por është realisht e vërteta e thjeshtë e 14 majit.
Ne nuk jemi as në vitin e parë, as në vitin e dytë të qeverisjes, jemi në mesin e mandatit të tretë qeverisës dhe kemi marrë një rezultat i cili është rezultati më i mirë historik për Partinë Socialiste.
Faleminderit shumë, por nuk është e nevojshme sepse realisht sot është dita për të falenderuar shumë njerëz, por jo mua.
Kështu që nuk është e nevojshme sepse ky rezultat nuk është thjesht më i miri historik në numër bashkish, por është edhe më i miri historik në numër votash, është produkt i një pune, i një angazhimi, i një mobilizimi, i një përkushtimi, i një organizimi po aq të jashtëzakonshëm sa dhe vetë rezultati dhe përtej të gjitha atyre që ne kemi bërë ose nuk kemi bërë, ka një të vërtetë të rëndësishme. Në rezultatet tona që është e vërteta e një force politike të përbërë nga shumë njerëz të cilët japin gjithçka dhe që cilët nuk janë nëpër tribuna, nuk janë nëpër ekrane, nuk janë nëpër podiume, nuk janë nëpër poste, nuk janë në detyra të rëndësishme, por pa të cilët PS nuk do ekzistonte, që janë anëtarët e PS dhe unë dua t’i falenderoj nga zemra të gjithë anëtarët dhe anëtaret e PS të Fierit, të Mallakastrës, të Patosit, të Roskovecit, të cilët edhe këtë herë treguan se nuk ka asnjë limit në mundësitë tona për të arritur rezultate të mira dhe se e gjithë ajo punë që është bërë, përtej rezultatit që kemi arritur në punën e bërë, në bashkitë tona është kthyer në një rezultat të jashtëzakonshëm ku PS ka qenë e mobilizuar dhe njëkohësisht ka sjellë në kutinë e votimit numrin më të madh të votave që ne kemi marrë ndonjëherë.
Dua të falenderoj të gjithë kryetarët dhe kryetaret e organizatave të PS në të gjithë qarkun e Fierit dhe posaçërisht meqë e kemi ndarë në dy pjesë falenderimin, këtu dhe në Lushnjë, në të gjitha këto bashki që janë këtu të pranishme.
Dua të falenderoj të gjithë patronazhistët, dua të falenderoj aktivistët, koordinatorët për të gjithë kontributin e tyre. Sigurisht zgjedhësit tanë janë shumë më tepër se anëtarët tanë të Partisë Socialiste dhe dua t’i falenderoj të gjithë ata që në 14 maj na dhanë këtë besim të madh që është siç e thashë një ngarkesë e re për ne, është shkrehje e një pritshmërie shumë të lartë dhe njëkohësisht edhe një rreziku shumë të madh nëse ne nuk e kuptojmë ashtu siç duhet këtë rezultat, por ka dhe një element tjetër në rezultatin e 14 majit që është mosardhja në votim e shumë demokratëve, e shumë prej atyre që janë pozicionuar ndryshe nga ne, që e kanë të pamundur të kapërcejnë ylberin kur i thonë fjalës, por që në 14 maj nuk dolën në votim sepse nuk mundën, nuk deshën, nuk pranuan që ta ndyjnë dorën duke e vendosur atë kryqin e votës aty ku s’kishte asnjë të ardhme, aty ku hijet e të shkuarës paraqiteshin si një koalicion i cili nuk i ofron asgjë Shqipërisë, nuk i ofron asgjë shqiptarëve, madje më keq akoma, është një turp në fletën në votimit dhe është një turp që na rëndon të gjithëve kështu që edhe ata dua t’i falenderorj për faktin që nuk dolën të votojnë, por duhet ta kuptojmë shumë mirë që ky rezultat është shpërblimi i një pune të madhe të shumë njerëzve, por nuk është pasqyra e një kënaqësie popullore për qeverisjen tonë qoftë në nivel kombëtar, qoftë në nivel vendor, kudo qoftë.
Është shëmbëlltyra e besimit që njerëzit kanë se ne jemi ata që mund t’i plotësojmë kërkesat dhe nevojat e paplotësuara, se pavarësisht se kemi bërë gabime që nuk mohohen dot, pavarësisht se kemi bërë edhe gjëra për të cilat nuk ka se si të jemi krenarë, natyrisht nuk është se i kemi bërë kolektivisht, por përsëri kemi ne një përgjegjësi të përbashkët për gjërat që nuk na bëjnë krenarë, njerëzit përsëri na kanë dhënë një besim shumë të madh duke na kërkuar në të njëjtën kohë që ne të mos rreshtim së bëri gjërat që duhet bërë, gjërat që duheshin bërë apo gjëra që kanë pritur kohën e tyre për t’u bërë. Prandaj është shumë e rëndësishme që të gjithë ata të cilët kanë më shumë sesa anëtarësi në PS, për të gjithë ata që kanë detyra të larta, që nga drejtuesit e agjensive shtetërore në çdo bashki, tek drejtuesit e bashkive, tek deputetët, pa diskutim deri diku tek anëtarët e këshillave, tek ministrat, tek unë, që ne të mos bëjmë gabimin e madh të të kuptuarit të rezultatit si një lavdërim për ne, si një shprehje kënaqësie për punën tonë, se nuk është kështu, është ndryshe.
Është besim po, por është një besim jo me kohë të pakufizuar, se unë mendoj që, për të marrë një shembull, që ata të cilët neve na kanë votuar e votuar nuk mund të presim edhe 10 vjet të tjera për të mos pasur më andralla, për shembull, me Kadastrën, për të mos pasur më tortura në marrjen e titullit të pronësisë, për të mos pasur më pamundësi në regjistrimin e tokës së tyre, gjë që fatkeqësisht ndodh akoma.
Sikundër dhe fatkeqësisht, akoma, edhe pse në një pjesë të madhe të shërbimeve, ne kemi bërë një revolucion, duke i hequr radhët, duke i mbyllur dyert e zyrave që për një kohë të gjatë thithën sa mundën nga të dy xhepat e qytetarëve, edhe nga xhepi që duhet të paguajë mbi dorë edhe nga xhepi që paguan nën dorë.
Përsëri kemi Kadastrën që është portreti i turpit tonë, kjo është e vërteta dhe nëse nuk ia themi vetes këtë të vërtetë, nëse nuk e ndajmë me të tjerët këtë të vërtetë duket sikur jetojmë jashtë realitetit ose sikur jemi të pajtuar me këtë të vërtetë. Por ne, nuk mund të pajtohemi kurrë as me këtë e as me të vërtetat e tjera që natyrisht janë pjesë e një procesi sepse nuk mund të bëhen dot të gjitha menjëherë, por sidoqoftë janë edhe pjesë e kësaj kontrate që ne kërkuam që qytetarët e nënshkruan me votën e 14 majit dhe që tani jemi ne që duhet ta zbatojmë.
Njerëzit na kanë dhënë një kredi shumë të lartë, por kush mendon që është kredi me interesa të ulëta bën gabim shumë të madh. Është një kredi me interesa shumë të larta që ne duhet të jemi në gjendje ta kthejmë, përmes rezultateve konkrete të investimit të qytetarëve tanë.
Ne do ta përmbysim dhe jemi afër sepse kemi punuar për këtë ditë, por duhet ta përmbysim totalisht rendin që mbizotëron në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe njësoj siç kemi vepruar me shumë shërbime të tjera duhet të bëjmë dhe me shërbimin e Kadastrës. Duhet t’i mbyllim, dhe shumë shpejt do ta bëjmë këtë gjë, dyert e Kadastrave, duhet t’i mbyllim. Nuk ka nevojë që qytetarët të shkojnë nëpër dyert e Kadastrave, nuk duhet të ketë nevojë dhe nuk do të ketë më nevojë. Duhet të mjaftojë që qytetarët të bëjnë aplikimin online, siç e bëjnë për shumë shërbime të tjera përmes telefonit dhe kompjuterit më të afërt dhe ta marrin po online shërbimin që kërkojnë brenda afatit pa pasur nevojë të takojnë njeri dhe pa qenë në dorën e asnjë regjistruesi apo kryeregjistruesi.

Besoj që brenda muajit ku jemi, në qershor, ne do ta bëjmë dhe prezantimin e këtij transformimi dhe do të veprojmë shumë shpejt për t’ia hequr përfundimisht njerëzve këtë barrë të tmerrshme.

Ashtu sikundër, ne duhet të vazhdojmë të transformojmë të gjithë procesin e prokurimeve të fondeve publike. Aty është bërë një ndryshim i rëndësishëm, por nuk mjafton, duhet akoma më shumë.

Ashtu sikundër, duhet të transformojmë edhe shumë gjëra të tjera për të cilat kemi folur apo për të cilat njerëzit flasin përditë dhe të cilat ne duhet t’i bëjmë.

Nuk është kjo dita për t’u marrë me këtë pjesë. Kjo është dita për të nënvijëzuar diçka që për mua është më e rëndësishmja, edhe sesa vetë këto probleme që përmenda sepse nuk është e mundur që të plotësohen të gjitha kërkesat dhe të përmbushen të gjitha pritshmëritë, nuk ndodh në asnjë vend, nuk ndodh as në Shtetet e Bashkuara që janë vendi më i pasur dhe më i fuqishëm i botës që qeveria, shteti, bashkitë t’ia plotësojnë njerëzve të gjitha, por ama, ka një gjë që ne, jo vetëm mundet, por duhet tua plotësojmë njerëzve në këtë vend që gjithsesi është një vend i vogël dhe kjo është diçka që duhet të jetë pika e parë e programit të çdo kryetari bashkie të dalë nga ajo votë sepse është bukur shumë të shohësh që në Fier, për shembull, ne kemi marrë 2/3 e votave për Këshillin, gjë që nuk ka ndodhur kurrë, por ama, nga ana tjetër, kjo të imponon diçka më shumë sesa ke bërë deri tani.
Prandaj, pika e parë e programit duhet të jetë njerëzillëku.

Njerëzillëku do të thotë që ndokush, pavarësisht se çfarë statusi social ka, pavarësisht se njeh apo nuk njeh njeri, pavarësisht se vjen nga qendra e Fierit apo vjen nga njësia më e largët vendore, duhet të ndjehet i respektuar dhe i begenisur dhe pavarësisht se është e pamundur që t’i zgjidhësh të gjitha hallet, çdo hall bashkia duhet t’ia qajë çdo qytetari.
Nëse bëhet kjo, është bërë diçka shumë e rëndësishme për ta kthyer borxhin e 14 majit. Nëse nuk bëhet kjo, çdo gjë tjetër që mund të bëhet nuk ka vlerën që duhet të ketë.
Ne duhet të gjejmë mekanizma të reja për ta bërë bashkinë shumë më të hapur, flas për çdo bashki që ne qeverisim, për ta bërë bashkinë shumë më të hapur, për t’i bërë Këshillat Bashkiakë shumë më të aksesueshëm nga njerëzit dhe për t’i bërë njerëzit të ndjehen sa më mirë.
Ne jemi sot në kushtet kur ose mund të krijojmë një komunitet të madh, shumë më të gjerë sesa Partia Socialiste, me votues tanët ose jo, por me qytetarë që pavarësisht se për kë votojnë ditën e votimit, gjatë gjithë periudhës midis votimeve ndjehen pjesë e të njëjtit komunitet vlerash, të njëjtit komunitet sfidash, të njëjtit komunitet problemesh, por edhe zgjidhjesh, ku askush të mos ndjehet i braktisur dhe i përbuzur, pavarësisht se kë përfaqëson dhe çfarë përfaqëson sepse në votën e 14 majit ka dhe një numër, sado të vogël apo të madh, këtë ne nuk e dimë, të atyre që nuk na kanë votuar kurrë, por këtë herë na kanë votuar. Ne nuk e dimë kush janë, sepse nuk ia kemi parë fletën e votimit, që do të thotë potencialisht çdokush që ne takojmë, çdokush që na troket dhe çdokush që ne e njohim si të djathtë mund të jetë një nga votuesit tanë. Prandaj, ne nuk kemi asnjë të drejtë që t’i paragjykojmë, nuk kemi asnjë të drejtë që t’u tregojmë derën duke u thënë “Ti nuk je i joni”, gjë që për fat të keq ndodh në shumë raste, por ne kemi vetëm detyrën që t’u shërbejmë dhe të bëjmë atë që e thotë shumë bukur populli shqiptar “Hallin që nuk ma zgjidh dot, të paktën ma qaj”.

Ju e dini shumë mirë që dikujt që na e zgjidh një hall, i themi “Faleminderit”, dikujt që na e qan një hall i themi 10 herë “Faleminderit”.

Kjo është shumë e rëndësishme nëse ne duam që të mos e thyejmë këtë besim të madh që kemi marrë në 14maj. Kjo është shumë e rëndësishme nëse ne duam që të gjithë punët e nisura t’i çojmë përpara dhe me rezultatin e tyre, jo thjesht të përmirësojmë një gjë këtu e një gjë atje, por të rrisim krenarinë tonë kombëtare dhe krenarinë e çdo komuniteti, të bëjmë që njerëzit që jetojnë në këtë vend të ndjehen krenarë, jo thjeshtë për historinë dhe për shumë e shumë gjëra që na bëjnë krenarë si shqiptarë, por të ndjehen krenarë për faktin që jetojnë në Shqipëri sot, të ndjehen krenarë për faktin që jetojnë në një vend ku ka shumë gjëra për të treguar, por ku njëkohësisht askush nuk mund të thotë “Si jetoni në këtë vend?”

Fakti që ky vend po bëhet gjithmonë e më tërheqës për të tjerët duhet të na mësojë diçka, duhet të na bëjë të kuptojmë diçka dhe duhet të na bëjë të mobilizohemi shumë më tepër që të nxjerrim më të mirën tonë dhe më të mirën e këtij vendi në mënyrë që fëmijët tanë të jetojnë në një Shqipëri e cila është Shqipëria që ata meritojnë.
Nuk dua të zgjatem më tutje. Ju falenderoj shumë nga zemra edhe një herë tjetër për gjithçka. Natyrisht që mbas gjithë asaj fushate do ishte mbase më e kollajshme, më tërheqëse që të rrija disa kohë pa hipur në makinë për të ardhur prapë vërdallë, por ishte e pamundur për mua që të mos të vija t’ju shikoja në sy juve dhe gjithë atyre që janë zemra e Partisë Socialiste, zemra e gjithë përpjekjeve tona, zemra e fitoreve tona për t’ju thënë secilit dhe secilës prej jush shumë, shumë faleminderit.
Unë e ndiej të nevojshme t’ju them që do bëj çdo gjë që ta meritoj këtë besim dhe do bëj çdo gjë që të gjithë këta dhe të gjithë të tjerët bashkë me këta ta kuptojnë që ky nuk është një besim badihava, por është një besim që duhet merituar çdo ditë.
Më vjen shumë mirë po ashtu që juve këtu në Fier po ju del, s’ju ka dalë akoma plotësisht, por po ju del fjala zgjedhje pas zgjedhje, juve po e mësoni dhe Shqipërinë që tua kthejë kurrizin atyre të cilëve ju ia keni kthyer kurrizin që në minutën e parë. Është dhe merita juaj, edhe merita edhe e të tjerëve, por mbase Fieri është në krye. Është dhe merita juaj që sot dhe Tropoja ka votuar Partisë Socialiste. Kemi marrë shumicën, jo vetëm kemi fituar me kandidatët, por kemi marrë shumicën në këshillin bashkiak të Tropojës, në këshillin bashkiak të Shkodrës, në këshillin bashkiak të Dibrës, në këshillin bashkiak të Kukësit, në këshillin bashkiak të Kamzës dhe kjo është shumë domethënëse, por në gjithë këtë domethënie të madhe jini të sigurte që çfarë ju keni bërë në vijimësi ka pasur rolin e vetë. Jam shumë i privilegjuar që jam në krye të kësaj partie ku jeni ju dhe e di shumë mirë, unë personalisht e di, ka deputetë që nuk e dinë, por unë e di shumë mirë që është e pamundur që juve tua u kthesh të tërë atë që ju jepni për PS, por të jeni të sigurte që edhe nëse PS ju del në momente të caktuara jo për faj të saj, por për arsye të njërit apo të tjetrit që marrin një karrige dhe iu duket sikur zgjaten, ndryshe nga sa e prisni edhe nëse në një derë apo në një derë tjetër ju del dikush që ju e keni parë që s’ka bërë asgjë më shumë se ç’keni bërë ju, por i kanë dhënë një karrige dhe ju shikon nga lartë poshtë, mos lejoni që këto t’ju thyejnë zemrën për atë që ju keni bërë sepse ajo që ju keni bërë nëse nuk ka bërë gjithçka për ju personalisht, ka bërë shumëçka për Shqipërinë dhe për çdo qytet edhe në këtë rast për Fierin ku jemi. Thonë që nuk ka fare rëndësi kjo! Ka shumë rëndësi kjo se po mos ishit ju, mos ishte mbështetja juaj, mos të ishte vota juaj edhe Fieri nuk do ishte sot ky që është, ndryshe nga ai që ishte dje, por do ishte dhe më keq se ai që ishte dje.
Kështu që, në fund të ditës e di që është më e lehtë ta thuash se ta bësh, kurrë mos lejoni që një dru i shtrembër apo 2 apo 3 apo 7 që ndeshni rrugës dhe që dalin nga mes nesh tua u cënojë krenarinë legjitime për Partinë Socialiste. Ah, edhe një gjë në fund se do kisha bërë një gabim të madh të ikja dhe do më mbetej peng. Dua t’i bëj një falenderim special grave dhe vajzave të Fierit. Dua t’i bëj një falënderim special dhe dua me këtë rast t’i shpreh respektin dhe burrave se një herë e një kohë gratë rrini në këmbë, burrat rrinin ulur kurse tani shikon që 90% e atyre që rrinë në këmbë janë burra. Bravo ju qoftë! Kjo është një fazë tranzicioni. Uroj që tani këtë ta kaloni nga takimet e PS dhe në shtëpi, gratë të ulen, ju të rrini në këmbë. E di që se bën jo por të paktën shyqyr që i bën hyzmet mjekrës tënde se për të tjerat të bën hyzmet gruaja. Të paktën mjekrën. Shumë, shumë faleminderit!