Partia Socialiste e Shqipërisë

Faleminderit Gjirokastra

Gjirokastra është stacioni i radhës në turin e mirënjohjes ndaj qytetarëve që votëbesuan dhe mbështetën kandidatët e Partisë Socialiste në krye të punëve të bashkisë.

* * *

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama:

Shumë faleminderit dhe realisht është kënaqësi e veçantë, është gjithmonë e më shumë kënaqësi të jesh në Gjirokastër sepse sa herë vjen shikon gjëra të reja.

Po flisnim në takimin me këshilltaret e rinj dhe këshilltaret e reja të bashkisë dhe po kujtoja që në vitin 2022 në Gjirokastër e kemi mbyllur me 200 mijë turistë dhe vizitorë ndërkohë që në vitin 2013 e kemi gjetur me 6000 turistë dhe vizitorë dhe besoj që janë dy shifra që tregojnë gjithçka për çfarë është ashtu sikundër kur ne kemi nisur Rilindje urbane Gjirokastra kishte vetëm një hotel e gjysmë, sot janë mbi 150 dyer të hapura të cilave iu shtohen edhe dyert që janë hapur në bashkitë e tjera deri në Tepelenë.

Tepelena ishte një vend ku të gjithë donin të iknin dhe ku të gjitha ata që ktheheshin, ktheheshin për ngushëllime për ndonjë vaki ose për ndonjë dasmë për të marrë nusen e për të ikur prapë. Sot realiteti është totalisht tjetër. Janë 40 milionë euro të investuara nga tepelenasit emigrantë të cilët po i rikthehen Tepelenës për të ndërtuar hotele, për të ndërtuar bujtina. Diçka e paimagjinueshme, investime private në Tepelene përtej investimeve që ne kemi bërë, që natyrisht i kanë hapur rrugë këtij zhvillimi. E po ashtu edhe në Përmet, një tjetër bashki që është në transformim të vazhdueshëm dhe pa diskutim që kjo është rruga. Sot në mëngjes ishim për të qëndruar dy minuta tek pazari dhe një lokal aty kërkonte një sanitare 60 mijë lekë të reja paga. 60 mijë lekë të reja paga minimale e hoteleve të Gjirokastrës është shumë domethënëse po të kemi parasysh se nga kemi nisur dhe në ndërkohë nuk është më krijimi i vendeve të punës, por është plotësimi i tyre me forca të reja pune sfida më e madhe. Ashtu sikundër me rritjen e pagave që ne kemi nisur, shikojmë që po lëviz me shpejtësi e gjithë piramida e pagave në sektorin privat sepse sipërmarrësit po e kuptojnë që duhet të rrisin pagat nëse duan të marrin mbrapsht investimet e tyre, përndryshe mund të gjenden në pikën që mbeten pa forca pune.

Të gjitha këto janë lajme të mira, por janë dhe sfida shumë të mëdha. Unë nuk dua të flas për rrugët dhe për urat sepse kemi folur dhe keni dëgjuar të gjithë gjatë fushatës, do flasim përsëri qysh në takimin tjetër por ky është një takim i veçantë për t’ju thënë juve që jeni këtu në radhë të parë sepse ju jeni bërthama e PS dhe jeni zemra e kësaj fitoreje, shumë faleminderit për angazhimin tuaj. Shumë faleminderit për përkushtimin tuaj, shumë faleminderit për disiplinën dhe për mënyrën sesi i dhatë jetë kësaj përpjekjeje dhe kësaj fitoreje.
Kjo është një fitore që është fitorja më kuptimplotë e Partisë Socialiste qysh se unë jam në drejtimin e saj, nga pikëpamja e mbështetjes që kemi marrë. Ndryshe nga të gjitha zgjedhjet vendore ku kush është marrë me to, e di shumë mirë që tradicionalisht votat shkojnë për kandidatin, por pastaj copëtohen për këshillat dhe në fund dy partitë e mëdha, ishin dy parti të mëdha tani është vetëm njëra, bien në rezultat. Këtë herë nuk ka ndodhur. Këtë herë kemi Partinë Socialiste forcë të parë në thuajse gjithë territorin e vendit dhe kemi një panoramë befasuese për shumëkënd, por nuk duhet të jetë befasuese në fakt. Me Partinë Socialiste që është forcë e parë në Tropojë, që është forcë e parë në Shkodër, që është forcë e parë në Dibër, që është forcë e parë në Lezhë, që është forcë e parë në Kamzë ku nuk ka qenë kurrë forcë e parë në 30 e kusur vite qysh se kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste.

Natyrisht që për ata që humbin dhe prapë humbin dhe shkojnë jo vetëm nga humbja në humbje, por shkojnë si keq e mos më keq shpjegimi është ai që kemi dëgjuar qysh në humbjen e parë, që votat ishin të tyre, por ua u rrëmbeu Tërmeti me mafien.

E vërteta është ndryshe. E vërteta është e thjeshtë dhe shumë e kuptueshme. Mjafton të shkosh në Kamëz dhe të vizitosh kopshtet, çerdhet, qendrat shëndetësore për të kuptuar se pse këtë herë banorët e Kamzës votuan 60% për kandidatin e PS. Sepse votuan ata dhe votuan shumica e shqiptarëve kudo, përfshirë dhe një pjesë të atyre që janë djathtas dhe që nuk e kanë votuar PS asnjëherë, as këtë herë. Votuan për kandidatët tanë për një arsye shumë të thjeshtë, siç votuan ata në Kamzë, ata votuan për fëmijët e tyre që sot falë drejtimit tonë në vetëm 4 vite shkojnë në shkolla, në kopshte, në çerdhe që janë njësoj si shkollat, kopshtet, çerdhet më të mira të Tiranës.

Ndërkohë që deri dje kishin shkollat më të këqija, të mbipopulluara, pa kushtet më minimale të infrastrukturës, s’kishin kopshte, s’kishin çerdhe. Sot Kamza ka një çerdhe dhe kopsht që ka marrë çmim ndërkombëtar, si një ndër çerdhet, kopshtet më të bukura të ndërtuara në Europë në vitin 2021. Kjo është arsyeja pse gjërat ndodhën kështu, për sa i përket humbjes së atyre.

Përsa i përket fitores tonë, unë dua shumë që të gjithë ta kuptojnë dhe kur them të gjithë, nuk kam parasysh zgjedhësit, kam parasysh të zgjedhurit. Kam parasysh veten time, kam parasysh deputetët tanë, kam parasysh ministrat tanë, kam parasysh kryetarët tanë të bashkive, kam parasysh këshilltarët tanë, kam parasysh dhe të gjithë ata që marrin besimin tonë për të drejtuar institucione dhe agjenci që vota e 14majit nuk është një votë kënaqësie. Njerëzit nuk kanë votuar për ne kaq masivisht sepse janë të kënaqur me ne, këtë duhet ta kuptojmë shumë mirë në qoftëse duam që të mos fluturojmë, siç thotë Tërmeti, me barishte nga mbrapa. Duhet ta kuptojmë shumë mirë që njerëzit janë të pakënaqur me ne, duhet ta kuptojmë shumë mirë që çdo votues i yni, edhe çdonjëri nga ju këtu që i shërben kësaj force politike me përkushtim dhe që ka dhënë më tepër se çka marrë, po ta pyesësh a je i kënaqur, do të thotë, “Jo, nuk jam i kënaqur”.

Kjo është e vërteta sepse ka shumë gjëra për të mos qenë të kënaqur sepse nëse do të ishim dhe do jemi të kënaqur atëherë nuk do bëjmë dot më gjërat që duhet të bëjmë përsa na takon ne, por ama njerëzit kanë votuar sepse pavarësisht se janë të pakënaqur kanë pritshmëri, akoma, shumë të lartë ndaj nesh dhe besojnë akoma, madje besojnë fort përderisa kanë dhënë këtë votë, që vetëm ne mund t’i bëjmë gjërat që ata presim.

Kjo nuk është një arsye që ne të mbushemi me vetë-kënaqësi dhe të ndjehemi sikur kemi bërë një mrekulli dhe i kemi lumturuar njerëzit. Ne nuk kemi lumturuar askënd, kjo është e vërteta. T’i lumturosh njerëzit është e pamundur, t’i bësh ata të jenë të kënaqur është tejet e vështirë. Ne duhet të ndjehemi jashtëzakonisht të sfiduar sepse na është hedhur një dorashkë nga një shumicë që, po të shikoni votat, është shumica më e madhe që e ka votuar Partinë Socialiste në historinë e saj dhe kjo dorashkë është “Nuk jeni më të mirët, por më të mirë se ju nuk kemi parë, se nuk ka. Prandaj, merreni besimin tonë dhe urdhëro bëjini gjërat që thoni dhe na provoni përsëri që me ju mund të shkohet përpara”.
Kur mendoj gabimet që kemi bërë, kur mendoj se kemi bërë dhe gjëra për të cilat nuk mund të jemi dot krenarë dhe të cilat do kisha dëshiruar shumë që po të ktheheshim mbrapa të mos kishin ndodhur, mua ky besim më duket një marrje e një kredie shumë të madhe që për ta larë duhet një super investim në çdo aspekt nga ana jonë.

Kur mendoj se ne kemi në qytetet tona akoma zyra shteti që ua përplasin derën njerëzve në fytyrë, kur mendoj që kemi akoma shërbime që janë larg së qeni shërbime dinjitoze, kur mendoj që kemi drejtues të shtetit që sillen si bajraktarë në zyrat e shtetit, kjo votë më duket një besim i ekzagjeruar i njerëzve që ka brenda një rrezik shumë të madh që nëse ne nuk e shpërblejmë këtë besim dhe nuk jemi në lartësinë e këtij besimi, mund të na kthehet në një goditje që askush nuk e imagjinon dot.

Prandaj të dashurit e mi, është shumë e rëndësishme për ne që ta kuptojmë shumë drejt se çfarë ka ndodhur në 14 maj dhe të investohemi me gjithë fuqitë tona që ta kthejmë këtë kredi dhe ta kthejmë në mbarësi dhe në mirësi për sa më shumë njerëz qeverisjen tonë.

Nuk është e mundur që të plotësohen të gjitha pritshmëritë askund. Ju të gjithë jeni në një familje, dikush është gjysh, dikush është gjyshe, dikush është prind, dikush është thjesht akoma bir ose bijë dhe e dini shumë mirë nga familja juaj që dëshirat, nevojat, kërkesat janë më të mëdha sesa mundësitë që ka familja dhe nuk ka asnjë familje në botë, as familja më e pasur në botë që t’i ketë të tëra ato që do. Në një moment të caktuar mund të ketë gjithçka financiarisht e nuk ka shëndetin, mund të ketë gjithçka që duhet për të paguar, por nuk i gjendet ilaçi një sëmundjeje, larg qoftë.

Dua të them me këtë që asnjë familje, asnjë organizatë, asnjë kompani, asnjë bashki, as një shtet, as Amerika që është akoma e para, më e zhvilluara, më e pasura, nuk ia plotëson dot të gjitha njerëzve të vet dhe kjo është ajo që e shtyn vazhdimisht përpara çdo familje, çdo organizatë, çdo qytet, çdo shtet që të bëjë më shumë sepse njerëzit duan gjithmonë më shumë, por ka një gjë që ne mund tua plotësojmë njerëzve 100% dhe duhet të bëjmë çmos që tua plotësojmë 100% në qoftë se duam që tu kthejmë këtë besim të madh që na kanë dhënë në 14 maj dhe kjo quhet njerëzillëku, njerëzillëku i atyre që marrin besim nga njerëzit.

Të thuash ju kam borxh është pak, por të lash borxhin do të thotë që çdokujt që të del përpara dhe kërkon që ti ta dëgjosh, çdokujt që troket në derën tënde dhe kërkon që ti t’ia marrësh dhe shqyrtosh problemin, ti t’i rrish gati. Kjo është ajo që ne duhet ta kemi shumë, shumë parasysh që të gjithë dhe që do ta kenë parasysh të gjithë këta që i keni ulur në mes sot. Është hera e fundit që ulen në mes sepse do rrinë anash pastaj herët e tjera, madje tani pas kësaj të ulurës në mes duhet të rrinë në këmbë të tërë sepse pika e parë e programit të gjithë këtyre që ne i mbështetëm, i zgjodhëm dhe që do drejtojnë bashkitë tona është njerëzillëku, pika e parë pastaj infrastruktura e të tjerë.
Bashkitë tona duhet të jenë akoma më të hapura, duhet të gjejnë rrugë dhe mekanizma që ne po i mendojmë që njerëzit të kenë mundësi të hyjnë lirisht dhe të kenë mundësi të dëgjohen siç duhet.

Ju e dini shumë mirë që njeriut që të zgjidh një problem i themi një herë “Faleminderit”. Njeriut që të qan hallin, i themi 10 herë “Faleminderit”. Populli shqiptar na e ka dhënë me një fjalë programin politik të 4 viteve të ardhshme në njësitë vendore “Hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj”.

Askush nuk duhet të ndjehet i përbuzur, i nëpërkëmbur, i padëgjuar, i pa begenisur nëse është qytetar i këtij vendi. Të gjithë duhet ta ndjejnë që janë pjesë, realisht, e një komuniteti dhe nëse bashkia është shtëpia e atij komuniteti, në atë shtëpi çdokush duhet të dëgjohet. Pastaj, jo çdokujt mund t’i zgjidhet halli, nuk diskutohet, por ama askush nuk duhet të dalë apo të mbetet tek dera me ndjenjën që u keqtrajtua, që iu mohua e drejta për tu dëgjuar dhe lërë më pastaj që iu mohua e drejta e tij për çfarëdo qoftë që e lidh atë me bashkinë.

Nëse e bëjmë këtë, do kemi më shumë mirëkuptim, do kemi më shumë arsye për tu ndjerë të lehtësuar përpara njerëzve. Nëse nuk e bëjmë këtë, na rrofshin rrugët, na rrofshin urat, na rrofshin pemët që mbjellim e kështu me radhë sepse asgjë nga këto nuk do mjaftonte kurrë ndërkohë që begenisja dhe njerzillëku s’duhet të mungojnë kurrë, kurrë.

Unë personalisht kam qenë i bindur që ne do marrim një rezultat si ai që morëm, ju e dini, jo se kam hedhur fall, por sepse ne kemi të gjithë mekanizmat për të parashikuar rezultatet duke pasur parasysh të dhënat që marrim nga territori në mënyrë të vazhdueshme, anketimet dhe madje po qeshnim sepse edhe rezultati në Turqi, ai grupi që punonte me ne tek Partia Socialiste me rezultatet këtu, i kemi rënë në kokë më mirë se sa ata vetë sepse komunikonim me disa nga ata për rezultatet dhe i kemi çuar rezultatin fiks, 49.4 dhe tani na marrin e na thonë, ‘’ore, po si e dinit ju këtë?’’

I kemi shumë të mirë ata dhe rezultatin e parashikonim, kuptohet me ato toleranca . Kemi pasur dhe nja dy lëvizje të vogla, por ajo që është kryesorja, është që në këtë rezultat ka një pritshmëri shumë të madhe, një besim shumë të madh dhe një risk shumë të madh për ne që po nuk ishim në lartësinë e kësaj pritshmërie dhe këtij besimi, gjithçka të na kthehet mbrapsht.
Kështu që duke parë këtë rezultat, e vetmja gjë që unë mund të bëja në këtë moment, kur natyrisht ju e kuptoni po t’ju them që do kisha pasur shumë dëshirë që të rrija disa ditë vetëm në zyrë e të mos hipja më në makinë se mu bënë xhirot me makinë sikur zëvendësuan shtëpinë, por e kisha të pamundur të mendoja këtë sepse minimumi që mund të bëja unë dhe që mund të bëjmë ne në këto momente, është që t’u themi faleminderit të gjithëve.

Unë personalisht e kisha shumë të nevojshme që t’i takoja të gjitha ata që kanë qenë zemra e fitores sepse nuk diskutohet, kandidatët kanë rëndësinë e tyre, nuk diskutohet që drejtimi politik ka rëndësinë e vet, nuk diskutohet që programi, kjo e ajo, por pa ju, pa kryetarët e organizatave politike, pa patronazhistët e PS, pa forcën e re të aktivistëve që sapo ka hyrë në armatën tonë të pathyeshme, askush nuk do bënte dot asgjë.

Unë mund të jem shumë i gjatë dhe ju mund të keni respekt, por nëqoftëse unë dal mënjanë dhe ju kërkoj votat pa atë trëndafilin në dorë, unë e di shumë mirë që nuk jam më ky që jam, që do të thotë që rrënjët e atij trëndafilit që përfaqëson të gjithë ne, jeni ju. Janë njerëzit e përkushtuar, njerëzit e zakonshëm, njerëzit që kanë dhënë shumë më tepër se ç’kanë marrë nga PS dhe që vazhdojnë japin sepse nuk e kuptojnë PS si një lopë për ta mjelë.

Lërë pastaj që edhe pas mjeljes t’i bien edhe me shkelm , si për fat të keq kanë bërë disa prej nesh. Kështu që shumë faleminderit, unë mund t’ju them vetëm kaq sot, që për sa më takon, nuk e harroj për asnjë moment se nëse jam këtu, jam falë jush dhe besimit tuaj dhe puna ime është të bëj çmos që t’ua kthej sa më shumë. E di shumë mirë që të tërën nuk ua kthej dot, por t’ua kthej sa më shumë dhe të bind sa më shumë të tjerë rreth meje që të bëjnë të njëjtën gjë dhe secili sipas shkallës së besimit që merr. Nëse do të shoh që dikush punon më shumë se unë, do të ndihem keq dhe do të them që s’jam më për këtë punë. Secili duhet ta kuptojë këtë punë, sa më lart të të ngjisin njerëzit, aq m shumë duhet të punosh për ta dhe përsa i përket Gjirokastrës, përsa i përket Tepelenës, përsa i përket Dropullit, përsa i përket Përmetit, Këlcyrës, Libohovës, kemi bërë shumë. Ajo që unë mund t’ju them, është që në këto 4 vite që fillojmë me mandatin e ri të kryetarit të bashkisë, të bëjmë akoma më shumë se ç’kemi bërë dhe nëse Gjirokastrën në 2022 e pamë të regjistronte 200 mijë turistë, ne i kemi shumëfishuar turistët në 9 vjet nga 6000, në 200 000. Sigurisht që nuk t’i shumëfishojmë kështu çdo vit, por ama është plotësisht e mundur që ne numrin e turistëve në Gjirokastër ta çojmë në gjysmë milioni, që dot thotë të rrisim numrin e turistëve në të gjitha këto zona.

Përfshirë dhe Dropullin se këta grekët janë njerëz të mençur. E dëgjove ça tha? “Fituam këtu”, tha – “me Partinë Socialiste, fituam atje me Nea Demokracinë”. Domethënë këta gjithmonë dua të pijnë nga dy nëna edhe mirë e kanë. Dhe unë gjithmonë them që minoriteti nuk trajtohet mirë, nuk di gjë fare se ç’është e vërteta. Minoriteti jo vetëm trajtohet mirë po minoriteti pi nga dy nëna.

Ndërkohe që ata që janë shqiptarët, jo vetëm në pasaportë, por edhe në kombësi, ata një nënë kanë, kështu që mos u anko shumë dhe ato votat që more, i meriton, por ato vota që more nuk përkthehen në rrugën e Pogonit, përkthehen në radhë të parë në punën më të madhe që do bësh ti vetë për ata, pastaj rruga e Pogonit është pjesë e punës.

Jo, se kam dhe një hall, se këta gjithë këto vota që marrin, mund t’i mendojnë si një arsye që të vijnë tek unë e të thonë shiko se dua këtë e dua atë. Jo mo, e para një herë , ju duhet të jepni shpirtin atje, pastaj ne do t’ju japim ça të mundemi që të mos na vdisni nga puna e madhe.

Dua të bëj në fund një falenderim shumë të veçantë, të merituar plotësisht pa asnjë konflikt interesi sepse jam i bindur që pa personin që do falënderoj, nuk do ishim sot kaq të buzëqeshur dhe besoj që juve të gjithë jeni dakord me dua se është një nga ato raste kur një udhëheqës krijon konsensus popullor, Mirelën.

Falenderoj shumë Mirelën për gjithë përkushtimin. E di që i ka ngelur gozhdë Memaliaj, kështu që ky është taksirati i socialistëve në Memaliaj tani që nuk e di se sa mbledhje do bëjnë akoma për të nxjerrë të metat dhe sa të tjera do bëjmë për t’u riorganizuar, por fakti që në Memaliaj, sidoqoftë ne kemi dalë përsëri forcë e parë politike, është shumë domethënës për të ndërtuar një bazë të mirë për zgjedhjet e ardhshme. Ju falenderoj jashtëzakonisht shumë të gjithëve dhe më fishkëllimat e djemve të Tërmetit, ju uroj një ditë shumë të bukur.