Faleminderit Korça
Turi i mirënjohjes mbërriti sot në Korçë, me falenderimin ndaj qytetarëve korçarë për rezultatin e jashtëzakonshëm në zgjedhjet e 14 majit, në mbështetje të kandidatëve të Partisë Socialiste në krye të bashkisë.
* * *
Kryetari i PSSH Edi Rama: Faleminderit shumë për këtë mikpritje dhe për gjithçka bëtë që rezultati i gjithë qarkut të Korçës në 14 maj të ishte i jashtëzakonshëm!
I jashtëzakonshëm ishte rezultati në gjithë Shqipërinë dhe për këtë arsye unë jam këtu, për këtë arsye po shkoj në të gjitha qarqet sepse besoj shumë që fjalët nuk mjaftojnë, as kjo nuk mjafton por së paku duhet që t’ju shikoj të gjithëve në sy dhe t’ju them shumë faleminderit me shumë mirënjohje sepse padiskutim që të gjithë kanë meritat e tyre por askush nga kushdo që shikoni në cilëndo tribunë, nuk ngjitet dot në atë tribunë nëse nuk jeni ju, nëse nuk është mbështetja juaj, angazhimi, puna dhe shpirti juaj i sakrificës.
Prandaj dua të falenderoj të gjithë kryetarët e organizatave socialiste të të gjitha bashkive të qarkut, dua të falenderoj të gjithë koordinatorët, të gjithë patronazhistët, të gjithë aktivistët për punën e palodhur e cila pasqyrohet në mënyrë kuptimplotë tek rezultati.
Dua të bëj një falenderim shumë të veçantë për dikë që nuk është asnjëherë në tribunat tona kur vij këtu në këtë qark, por është padiskutim një ndër shembujt, për mua, më të mirë të Partisë Socialiste, që është deputeti i Devollit Ilir Topi, i cili me një përkushtim të madh, por edhe me një ndjenjë të fortë përkatësie ndaj atij komuniteti, qysh ditën e parë që erdhi në Devoll, me propozim të Nikos dhe patjetër me mbështetjen time, tregoi se ishte njeriu i duhur për atë komunitet dhe jo vetëm e tregoi me rezultatin e 2021 ku ne morëm, si të thuash, sinjalin e parë se Devolli nuk ishte aty për të qëndruar i ngurtë si një bastion pavarësisht se çfarë merrte mbrapsht me votën e tij, por ishte aty i gatshëm për të konsideruar një votë me shumicë për Partinë Socialiste nëse Partia Socialiste do të ishte në gjendje që t’i bënte ofertën e duhur dhe të tregonte interesimin e duhur.
Ja ku jemi sot pas 14 majit, pa i hequr absolutisht asnjë meritë të gjithë të tjerëve, me një rezultat të Devollit që ishte qershia mbi tortë e fitores në qarkun e Korçës dhe pa diskutim është meritë e të gjithë atyre që në Devoll janë pjesë e strukturës sonë elektorale, që nga kryetarët e organizatave, anëtarët e thjeshtë dhe tek patronazhistët, aktivistët, padiskutim dhe meritë e kandidatin tonë, padiskutim ishte edhe meritë e vetë drejtuesit politik që e kishte, nëse mund ta them kështu, fiksim Devollin, por Iliri aty ishte shtylla e fortë mbi të cilin u ngrit kjo fitore.
Nuk diskutohet e thashë dhe njëherë, të gjitha fitoret janë kuptimplota edhe fitorja e Korçës është shumë kuptimplotë, është një rezultat shumë domethënës. Ashtu sikundër është i jashtëzakonshëm, nëse shohim trendin historik në rezultatin e Pogradecit.
Kryetari i bashkisë së Pogradecit mendon se rezultati erdhi dhe si pasojë e faktit që Niko, në takimin e madh në Pogradec në fjalimin e tij tha që ky do jetë mandati i Pogradecit prandaj votoni për Ilirin, ndërkohë që unë e di se ç’do heq tani, bashkë me Nikon, midis Korçës dhe Pogradecit, por në fund fare këto janë halle që janë të mirëseardhura sepse është privilegj dhe nder i veçantë që ne kemi, që na jepet mundësia që të bëjmë për komunitetet, të bëjmë për njerëzit.
Arsyeja më kryesore që më shtyu të bëj këtë tur të mirënjohjes është sepse jam shumë në merak për si ne do ta lexojmë këtë votë dhe për si ne duhet ta kuptojmë këtë votë, këtë votë që ju e patë, e transformoi komplet hartën e Shqipërisë si asnjëherë më parë, këtë votë që ka bërë që Partia Socialiste jo thjesht me kandidatët, por dhe si forcë politike në këshilla, të jetë forcë e parë në Këshillin Bashkiak të Tropojës, të jetë forcë e parë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, të jetë forcë e parë në Këshillin Bashkiak të Dibrës, të jetë forcë e parë në Këshillin Bashkiak të Lezhës, të jetë forcë e parë në Këshillin Bashkiak të Kamzës. Nuk ka qenë asnjëherë! Çfarë ka ndodhur? Larg qoftë që ne dhe kur them ne, nuk kam parasysh anëtarësinë, nuk kam parasysh ata që japin më shumë dhe marrin më pak, por kam parasysh ata që janë të zgjedhur, që nga kryetarët e organizatave, tek këshilltarët, tek deputetët, tek kryetarët e bashkive, tek ministrat, tek unë, larg qoftë që ne të mendojmë që vota e 14 majit është shprehja e kënaqësisë së popullit me qeverisjen tonë.
Unë mendoj që nuk është kështu, unë mendoj që njerëzit nuk janë të kënaqur me ne, njerëzit presin shumë më tepër prej nesh dhe kjo është ana e mirë e kësaj medalje sepse pavarësisht se ne jemi në mes të mandatit të tretë, kemi marrë mbështetjen më të madhe historike. Partia Socialiste, përmes kandidatëve të vet, ka marrë numrin më të madh të votave ndonjëherë që nuk do të thotë që njerëzit janë të kënaqur me ne.
Njerëzit janë të pakënaqur me ne, kjo është e vërteta, por ama njerëzit kanë pritshmëri të madhe ndaj nesh dhe besojnë që vetëm ne mund t’i bëjmë ato gjëra për të cilat ata kanë nevojë dhe kjo është e jashtëzakonshme si sfidë sepse na kanë hedhur një dorashkë, kur i thonë fjalës, duke thënë vetëm përpara, vetëm përpara. “Urdhëro, merreni dhe na çoni vetëm përpara”, por nga ana tjetër, do ishte fatale për ne nëse ne do të biem në vetëkënaqësi, nëse ne do sillemi dhe do të mendojmë se jemi triumfatorë, se ne jemi të pazëvendësueshëm e të tjerë. Nuk ka lidhje fare kjo votë me të gjitha këto.
Kjo votë ka lidhje me faktin që njerëzit në 14 maj treguan se duan të mendojnë dhe duan nga ne të mendojmë gjithmonë e më shumë për ata si qytetarë dhe jo ata të mendojnë si tifozë partish dhe ne pastaj t’i ndajmë në tanët, në të atyre, majtas, djathtas, socialist e ky e ai. Është shumë e rëndësishme kjo sepse vota jonë nuk do të ishte kaq e madhe nëse edhe të tjerë demokratë, të djathtë nuk do kishin ardhur të votonin. Ku dolën 60% për Sotiraqin? Sepse dhe të tjerë kanë ardhur të votojnë. Ku dolën ato vota për Ilirin? Sepse dhe të tjerë kanë ardhur të votojnë.
Nëse shikoni votat që kanë marrë kundërshtarët tanë, ata janë braktisur në një masë të madhe nga votuesit e tyre. Një pjesë e atyre votuesve, jo shumica e tyre, por një pjesë prej tyre kanë ardhur dhe kanë votuar për kandidatët tanë ndërkohë që një pjesë tjetër, shumica e atyre që i kanë braktisur ata kanë qëndruar në shtëpi sepse nuk kanë dashur ta ndyjnë dorën dhe të hedhin hije në historinë e familjes së tyre me prejardhje të djathtë duke shkuar të vënë shenjën e votës tek një kuti e cila është një kuti turpi.
Për këtë arsye unë dua t’i falenderoj ata të djathtë që na kanë votuar, që kanë votuar kandidatët tanë, por dua të falenderoj dhe ata që nuk kanë dalë fare në votim sepse jua kemi kërkuar këtë gjë dhe jo se ata e kanë bërë sepse ua kemi kërkuar ne por sepse duke bërë atë që kanë bërë, ata meritojnë respekt sepse janë sjellë si patriotë duke braktisur hijet e së shkuarës që u shfaqën përsëri për të na marrë zvarrë e për të na kthyer mbrapa aty ku vendin e kanë vetëm ata; jo Shqipëria, jo shqiptarët, jo të majtët, jo të djathtët, jo socialistët, jo demokratët.
Atëherë, çfarë bëhet në kushtet e kësaj pritshmërie kaq të madhe, në kushtet kur një besim kaq i madh është investuar? Është njësoj si të të japin një kredi shumë të madhe. Si investohet kjo? Si kthehet ky borxh, se është borxh? Ne e dimë shumë mirë që nuk ka një familje, mendojeni një sekondë për familjet tuaja. Nuk ka një familje ku çdo gjë që secili prej anëtarëve të familjes do mund të realizohet, ku çdo nevojë mund të plotësohet, ku çdo kërkesë mund të zgjidhet.
Njësoj si familja është edhe një organizatë e vogël apo e madhe, është edhe një qytet, një fshat, një shtet. Edhe në shtetin më të pasur të botës në SHBA, më i pasuri, nuk plotësohen nevojat e njerëzve, nuk zgjidhen të tëra problemet, nuk përmbushen të tëra kërkesat sepse e tillë është edhe natyra njerëzore. Kërkon gjithmonë e më shumë, por sepse asnjëherë dëshirat, kërkesat nuk janë njësoj sa ç’janë mundësitë. Mundësitë janë gjithmonë më të vogla, por ama ka një gjë për ta vlerësuar maksimalisht këtë pritshmëri dhe këtë besim që njerëzit na dhanë. Ka një gjë që mund të plotësohet 100%, ka një gjë që mund të përmbushet 100%, ka një gjë që është vetëm në dorën tonë. Nuk është as në dorën e sa e madhe apo sa e vogël është Shqipëria, as në dorën e sa kemi apo se s’kemi fonde, është vetëm në dorën tonë. Kur them në dorën tonë, në dorën tonë këtu, kjo është njerëzillëku me të gjithë anëtarët e një komuniteti, me çdo qytetar të këtij vendi, njerzillëku me çdo familje që ka një nevojë për këtë shtet, njerzillëku me çdo sipërmarrje që ka një lidhje me këtë shtet, njerzillkëu me çdo grup interesi që është dhe duhet të jetë, për mua, pika e parë e programit qeverisës të çdo kryetari bashkie dhe të çdo bashkie të dalë nga vota e 14 majit sepse në këtë pikë, ne kemi defiçite kudo. Kemi defiçite në nivelin vendor, kemi defiçite në nivelin qendror. Atëherë këtë unë ua kërkoj me forcë të gjithëve, që ta kuptojnë dhe ta vënë në jetë, që të krijojnë mekanizma që të gjithë njerëzit të ndihen të respektuar, të ndihen të dëgjuar, pastaj zgjidhet apo nuk zgjidhet një hall apo një hall tjetër, një problem apo një problem tjetër, kjo varet nga mundësitë, por ama pavarësisht se nuk ma zgjidh hallin të paktën ma qaj, thotë populli ynë dhe kjo është fjala më e çmuar për ne sot.
Kjo është fjala më e çmuar për ne sot, hallin që nuk ma zgjidh dot, të paktën ma qaj dhe ju e dini shumë mirë se nëse dikush na zgjidh një problem, i themi një herë faleminderit, nëse dikush na e qan një hall i jemi falenderues për gjithmonë dhe kështu duhet të sillet bashkia e dalë nga vota e 14 majit, kështu duhet të sillet edhe qeveria në të gjitha nivelet. Ne nuk kemi probleme të veçanta, të paktën unë nuk di probleme të veçanta, me zyrat në Korçë, në qarkun e Korçës, me zyrat e shtetit flas, jo të bashkisë thjesht, por me zyrat e shtetit, por di gjithashtu që edhe pse i kemi kaluar online 95% të shërbimeve, prapë ka njerëz që duan dhe shkojnë nëpër zyra, nëpër dyer dhe nuk trajtohen ashtu siç meritojnë, nuk trajtohen ashtu siç duhet, nuk trajtohen ashtu siç iu takon. Ky duhet të jetë për ne, për të gjithë ne objektivi më i madh, më i patjetërsueshëm dhe këtë gjë duhet të kenë në mend të gjithë çdo ditë, këta që janë zgjedhur dhe që i kemi vënë dhe në mes. Tani i vumë sot, por hera e parë dhe e fundit, pastaj pas 4 vjetësh me kismet sepse kanë arritur diçka të rëndësishme, por edhe më e rëndësishme është tani që ta meritojnë këtë besim. Ta meritojnë këtë investim që ka bërë gjithë qytetaria korçare, pogradecare, kolonjare, gjithë qytetaria në Maliq, në Pustec, në Devoll, ta meritojnë.
Ndërkohë që për pjesën tjetër kemi folur, do flasim përsëri çfarë kemi bërë, çfarë duam të bëjmë. Të jeni të sigurtë që unë për veten time e kuptoj votën e 14 majit si një angazhim shumë të madh, si një sfidë shumë të madhe të cilën duhet së bashku natyrisht me gjithë të tjerët, ta fitojmë dhe nëse kemi bërë çfarë kemi bërë deri tani për Korçën, për të gjitha bashkitë e Korçës, ju siguroj që në 4 vitet e ardhshme të këtij mandati të ri do të bëjmë ende më shumë akoma sepse më shumë akoma duhet dhe më shumë akoma mundemi, por e përsëris, nuk do t’i gjej kurrë dot të gjitha fjalët për t’ju thënë se sa mirënjohës ju jam juve të gjithëve këtu përballë meje. Për t’ju thënë se sa mirënjohës i jam në radhë të parë të gjitha grave, të gjitha vajzave të gjithë qarkut të Korçës dhe kijeni parasysh, ka një të dhënë shumë të rëndësishme që ne jemi partia që votohet më shumë nga gratë se nga burrat dhe ky është vlerësimi më i madh dhe kjo është forca jonë më e madhe dhe këtë gjë duhet ta keni shumë parasysh sepse siç një burrë e mban gruaja, siç një shtëpi e mbajnë gratë dhe e mbajnë vajzat edhe këtë parti e mbajnë në radhë të parë gratë dhe vajzat dhe prandaj edhe burrat në këtë parti janë më të mirë. Aq sa mund të jenë të mirë burrat, e keni parasysh se dihet ajo punë, por përtej edhe pak shakasë që në këtë rast nuk është gjysma, por është komplet e vërteta dua që të falënderoj shumë edhe të gjithë ata të cilët janë prej shumë vitesh në Partinë Socialiste dhe të cilët prej shumë vitesh vazhdojnë i shërbejnë misionit tonë, i shërbejnë qëllimeve tona, i shërbejnë betejave tona duke qenë gjithmonë aty dhe duke mos qenë kurrë problem, por vetëm ndihmë për të zgjidhur probleme.
Nuk mund të gjenden fjalët për t’i falenderuar ashtu siç duhet, do doja t’i falenderoja të gjithëve një e nga një, juve që jeni këtu dhe ata që s’janë këtu sepse jeni shumë më tepër se kaq, por ju që jeni këtu, jeni zemra e kësaj fitoreje të madhe e cila siç e tha Niko, duhet të jemi shumë të qartë, nuk është fitorja jonë në kuptimin e ngushtë të fjalës, është një fitore për të gjitha ato bashki që kanë besuar të PS, tek kandidatët tanë dhe puna jonë tani është që fitoren tua u kthejmë të gjithëve në një shije të mirë nga ky investim dhe në punë të tjera, në ndryshime të tjera, në një transformim akoma më të madh dhe mbi të gjitha në një ekonomi ku ka gjithmonë e më shumë për të gjithë. Në një ekonomi ku rritja e aktivitetit ekonomik, rritja e turizmit në radhë të parë, rritja e investimeve, rritja e mundësive do bëjë atë që thashë, që ne duke pasur më shumë mundësi të adresojmë edhe shumë më tepër nevoja. Shqipëria është në një kthesë të madhe dhe 14 maji i ka dhënë kësaj kthese një garanci të madhe se nuk ka kthim mbrapa, por vetëm përpara.
Është sfida jonë që të jemi forca që çon këtë vend vetëm përpara, sepse miqtë e mi, motra e vëllezër një gjë duhet çdonjëri që është angazhuar me këtë parti të mos e harrojë asnjëherë: nëse ky vend bëhet, këtë vend e bën vetëm Partia Socialiste dhe nëse nuk e bëjmë ne, askush tjetër nuk e bën dot dhe akoma më keq, nëse nuk e bëjmë ne sot atëherë ky vend do të duhet të lëngojë për ende shumë kohë, larg qoftë por ne nuk do ta lejojmë këtë, ne do ta çojmë përpara vizionin dhe projektin tonë të Shqipërisë 2030.
Ne do ta bëjmë Shqipërinë kampione në këtë rajon, në disa drejtime kryesore. Ne do ta bëjmë Shqipërinë vendin ku shqiptarët jo vetëm do të gjejnë arsye për të qenë krenarë, por jo thjeshtë te historia, por dhe tek vendi ku jetojnë, por do të gjejnë arsye gjithmonë e më shumë për tu kthyer, për të investuar këtu të ardhmen e tyre.
Shumë faleminderit të gjithëve! Shumë respekte për të gjithë ju dhe në fund dua të bëj një falënderim përmbyllës. E fillova me një person, dua ta mbaroj me një person. Dua të bëj një falënderim përmbyllës. Nuk është tipike për mua të falënderoj burra, por dua të bëj një falenderim përmbyllës për drejtuesin politik, për Nikon sepse Niko në këto zgjedhje jo vetëm ka udhëhequr si në të gjitha rastet me shumë përkushtim, por ka një meritë të madhe për rezultatin sepse në këto zgjedhje falë edhe presionin që ka pasur nga të tjerët përveç këtij se ky është në rregull, ky ka lindur me dy këmisha, ka qenë shumë i fiksuar për të bërë një rezultat i cili të vulosej si rezultati më i mirë historik i Partisë Socialiste kështu që faleminderit Niko.
Faleminderit të gjithëve, mbarësi dhe vetëm përpara, e dini vetë ju!