Partia Socialiste e Shqipërisë

Faleminderit Shkodër!

Shkodra, një fuqi e madhe e fjetur në aspektin e potencialit, që duhet zgjuar për të mirën e shkodranëve dhe të gjithë Shqipërisë

Turi i falenderimeve për votëbesimin e marrë për kandidatët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023, nisi sot nga Shkodra, ku Kryeministri Rama njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, së bashku me ministra të kabinetit qeveritar falenderuan qytetarët shkodranë për besimin e treguar përmes votës, si dhe prezantuan disa prej projekteve dhe investimeve të reja që do të ndërmerren për qytetin e Shkodrës.

* * *

Kryetari i PSSH Edi Rama: Nuk po çohem në këmbë se nuk dua të mbaj një fjalim, por dua të them disa fjalë që janë arsye pse sot jemi këtu.
Në radhë të parë, për të bërë një falenderim nga zemra për të gjithë ata që në 14 maj dolën votuan Benetin dhe votuan Partinë Socialiste.

Për herë të parë, jemi forcë e parë politike në Këshillin Bashkiak dhe natyrisht, nuk dua të lë pas dore absolutisht as Kristianin e as Toninin për fitoret e tyre që janë po aq domethënëse dhe dua të falenderoj edhe ata që nuk dolën të votojnë, duke e parë të pamundur që të votojnë për Benetin dhe për ne, por duke e arsyetuar si të pamundur për të ardhur e për të votuar përsëri e përsëri për ata që përsëri e përsëri u kthyen, jo vetëm në një zhgënjim, por edhe në një njollë për të gjithë demokratët shqiptarë.
Kështu që, shumë faleminderit!

Për të mos u zgjatur në çfarë kemi bërë, se nuk është e nevojshme dhe për të mos përsëritur të gjitha me radhë falenderimet që bën Elisa, që bëri dhe Beneti, iu bashkohem plotësisht për të gjitha ato që thanë dhe të gjithë ata që falënderuam dhe duam t’iu them të gjithëve, ju që jeni këtu dhe gjithë atyre që nuk janë këtu, por që na kanë dhënë këtë besim kaq të madh, që unë për veten time, këtë rezultat në Shkodër e konsideroj si sfidën më të madhe që më është bërë mua dhe që i është bërë Partisë Socialiste.

Për hir të vërtetës, patëm dhe një debat me Mamicën, [për ju është Elisa], patëm një debat me Mamicën për punën e zemrës sepse unë mendoj që vota e Shkodrës ka qenë përtej votës së socialistëve, përtej votës të atyre që e kanë votuar tradicionalisht. Ka qenë një votë me mendje më shumë sesa me zemër dhe kjo është pjesa më e rrezikshme e kësaj vote. Sipas meje, të gjithë ata të cilët kanë bërë diferencën në këto zgjedhje janë ata që nuk e kanë votuar tradicionalisht dhe zakonisht Partinë Socialiste, por kanë gjykuar që mbase këtë herë është rasti për të mos vazhduar të votojnë me sytë mbyllur dhe pa mendje dhe vetëm me atë zemrën që ka 30 e disa vjet që e kanë djathtas, por me mendjen që dakord, po ia japim një shans këtij dhe këtyre dhe ndërkohë nuk kemi se çfarë presim dhe mendja nuk na gënjen më, për momentin, për ata që na kanë marrë votën për 30 e ca vjet.

Kjo është pjesa më problematike e kësaj vote sepse kush të voton me zemër dhe vetëm me zemër, të jep një kredi shumë afatgjatë, siç ka ndodhur me palën tjetër. Ajo ka qenë për shumë vite një kredi praktikisht pa interesa që u kthye në një dëm të jashtëzakonshëm për ata që votuan, votuan e votuan, por ishte një votë zemre dhe unë e kam parë nga eksperienca ime këtu, që kam ardhur tanimë në mos gabohem 9 herë për të bërë fushatë, dhe në 8 fushatat e mëparshme unë e kam ndjerë që mendja e shumicës ishte e mbyllur, nuk kishte fare hapësirë për të lënë aty mesazhin. Veshët ishin të mbyllura, mendja ishte e mbyllur, sytë ishin të mbyllur dhe zemra rrihte vetëm djathtas dhe prandaj në mënyrë të përsëritur, vota shkoi vetëm në një drejtim. Këtë herë, kjo është një gjë e kombinuar.

Natyrisht, ata që ne na kanë votuar gjithmonë kanë vazhduar të na votojnë me zemër, ndërsa pjesa që ka bërë diferencën ka votuar me mendje dhe ne e kemi detyrim dyfish që këtë investim që njerëzit kanë bërë dhe nuk e kanë bërë vetëm socialistët, nuk e kanë bërë vetëm të majtët, por e kanë bërë dhe një pjesë tjetër që nuk janë socialistë dhe nuk ndjehen të majtë, ta kthejmë në një investim ose shlyerje borxhi që duhet të ketë parasysh këtë fakt, që nga mënyra se si Beneti do të qeverisë vetë bashkinë.

I kam thënë sot, se nuk kemi pasur mundësi të bisedojmë më përpara, që bashkia e Shkodrës do jetë bashkia e të gjithëve dhe këtë duhet ta reflektojë, jo thjeshtw në faktin që dakord investimet bëhen për të gjithë nuk diskutohet, shërbimet jepen për të gjithë, por duhet ta reflektojmë në faktin që duhet një vlerësim i të gjithë atyre burimeve njerëzore që janë aty dhe në bazë të meritës dhe në bazë të asaj që ata njerëz që janë aty përfaqësojnë, duhen ndarë të njomët me të thatët, duhen ndarë ata që mund të jenë aty sepse kanë votuar Partinë Demokratike, sepse i kanë përkitur Partisë Demokratike e të gjitha këto, por që janë dhe njerëz të zotë. Ata nuk duhet të preken.
Ndërkohë që, pjesa tjetër, sigurisht duhet t’i lërë vendin të tjerëve që janë po aq të zotë dhe në bashkinë e Shkodrës të gjithë duhet të ndjehen të përfaqësuar, duke filluar nga ky element dhe është shumë e rëndësishme Benet, që ti tani vërtetë të sollën në pushtet socialistët, por ti mos harro që je demokrat.

Unë besoj, nuk e vë dorën në zjarr, por besoj që Beneti ka votuar për veten dhe Partinë Socialiste. Ndërkohë që, e vë dorën në zjarr që deri kur ishte vetë në listën e deputetit ka votuar PD-në gjithmonë, pavarësisht se ishte drejtor i Fondit të Zhvillimit dhe vinte njëherë në javë tek zyra ime, por aty tek ajo kutia kur ka qenë tek për tek me ato emrat atje, por kjo duhet të të shërbejë tani nëse do që pas 4 vjetësh të kesh një shans tjetër. Kjo përsa i përket si e shoh unë këtë gjë.

Ndërkohë që, kam ftuar sot këtu që të vijnë edhe disa nga ministrat sepse ne nuk mund ta refuzojmë këtë sfidë. Ne nuk mund ta konsiderojmë këtë një fitore që tani fitorja u mor dhe gjërat vazhdojnë pa vëmendje të veçantë. Kjo është një fitore jashtëzakonisht e veçantë dhe kjo kërkon një vëmendje jashtëzakonisht të veçante, sepse nga një anë na është dhënë një besim shumë i madh, por nga ana tjetër është edhe ajo që e kam thënë dhe përpara kur kam ardhur këtu, dhe e kam thënë dhe para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve. Nuk është vetëm çështja e Shkodrës, nuk është vetëm çështja e shkodranëve, këtu është çështja e Shqipërisë dhe e ekonomisë së saj. Shkodra është një fuqi e madhe e fjetur në aspektin e potencialit që ka për ekonominë dhe për zhvillimin e Shqipërisë dhe ne duhet ta zgjojmë sa më shumë këtë potencial natyrisht për të mirën në radhë të parë, sepse janë këtu, të shkodranëve, por në funksion të të mirës së gjithë Shqipërisë.

Është një zonë që është zona më e bekuar e Shqipërisë, kjo nuk diskutohet dhe natyrisht që ne nuk mund t’i bëjmë të gjitha, natyrisht që në 4 vjet nuk mund të zgjohet gjithë ky potencial i fjetur i jashtëzakonshëm por 4 vjet janë të mjaftueshme për të filluar për të bërë një ndryshim që i prek drejtpërdrejtë jo vetëm sytë, por mendjen dhe zemrat e njerëzve dhe i bën njerëzit në Shkodër të jenë krenarë jo vetëm për historinë siç janë sot, por të jenë krenarë edhe kur dikush vjen sepse do ta presin në një shtëpi të pastër dhe në një shtëpi ku qejf të hysh, jo në një shtëpi ku të mbyt papastërtia dhe ku futesh në një rrëmujë të madhe dhe duhet të rrish të kërkosh nëpër baule ku janë thesaret e shtëpisë.
Pamë tani kur po vinim, ishim me Majlindën, atje në qendër, ishin kazanët, në qendër. Në orën 3 në diell, plehrat kishin dalë si zakonisht nga kazanët dhe rrinin rreth e rrotull kazanëve. Kjo është një gjë që nuk e sheh në asnjë qytet të Shqipërisë, më besoni. Askund! Kjo është pamja e kazanëve që unë kam gjetur kur jam zgjedhur kryetar bashkie në Tiranë. Kaq prapa është Shkodra në këtë aspekt.

E dyta, vajta bashkë me Benetin dhe me të tjerët tek muzeu “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës”, shkurt “Muzeu për krimet e komunizmit” dhe m’u duk sikur hyra në një dyqan të Vodafone ku s’kishte karta telefonike dhe ai muze estetikisht është një muze që mund ta bënin nga pikëpamja estetike flas, vetëm komunistët, i mbushur me pankarta, një tmerr dhe më e keqja, ishte shtruar sikur hyje në banjën e një stadiumi.

Ne do ta transformojmë atë muze sepse ai muze, ajo hapësirë, është një hapësirë identitare e Shkodrës edhe ajo histori është një histori që ne duhet ta tregojmë dhe nuk ka pas asnjë vend tjetër ku kjo histori mund të tregohet dhe nuk ka asnjë vend më adapt sesa aty tek ajo hapësirë, dikur e Kolegjit Franceskan e kthyer në vend torturash dhe në komisariat policie më mbrapa, e rikthyer prapë tek françeskanët, e ndarë me ta për të treguar historinë e paimagjinueshme të persekutimit të klerikëve dhe të persekutimit të Shkodrës dhe aty do të jetë një vend, do të jetë një arsye më shumë për të vizituar Shkodrën, do të jetë një vend nga ku turistët kur të dalin mos thonë, “ore , u futëm po nuk gjetëm kartë telefoni vodafone”, por të dalin dhe t’u mbetet në mend për gjithë jetën.

Dua që t’i kërkoj disa prej ministrave qe janë këtu, sepse çfarë ka lidhje me bashkinë është me bashkinë, për mua është shumë e rëndësishme që ne nuk kemi më këtu një bashki që do të na pengojë dhe kjo është gjysma e punës sepse një pjesë të punëve nuk kanë nevojë më shumë sesa bashkia të mos pengojë dhe dua ta filloj me ministren e Turizmit dhe të Mjedisit për një arsye. Ne fillojmë sezonin turistik së shpejti dhe deri vitin e kaluar, ne futëm një sistem komplet tjetër të pastrimit duke vënë një forcë ekstra në shërbim të bashkive, nuk e bëmë dot me Shkodrën. A e imagjinoni dot? Nuk e bëmë dot me Shkodrën, për t’i sjellë një shërbim ekstra pastrimi dhe sapo ka ndodhur marrja e rezultatit, unë e kam marrë ministren në telefon dhe i kam thënë të bëjë gati që Shkodra, Velipoja, gjithë bregu i Velipojës, të përfshihet në mbikëqyrjen e njësisë speciale të pastrimit për sezonin e verës dhe për të tjera mund të flasë Mirela.

* * *

Pati një moment gjatë fushatës që u fol për bllofin e pagave sepse pagat u bllokuan në Kuvend dhe me demek, ishte një premtim elektoral për të hedhur hi syve dhe këto nuk do ndodhnin kurrë e të tjerë.

Në fakt, e vërteta është që ka pasur një debat mes meje dhe ministres së Financave, që do flasë tani, për shkak se reforma e përgjithshme e rritjes së pagave që ne kemi punuar kaq shumë dhe kemi këmbëngulur dhe duruar kaq gjatë për ta realizuar më në fund sepse na dolën përpara gjithë ato befasi që ju i dini mirë, mos i kthehem.. tërmeti, pandemia, inflacioni e të gjitha, lufta, është konceptuar në një hark 1 vjeçar.

Në fillim me rritjen e pagave për mjekët specialistë. Flas për rritjen maksimale për mjekët specialistë dhe punonjësit e sigurisë, ndërkohë dhe me rritjen me 7% të mjekëve të tjerë të punonjësve të mësuesuesve, ndërkohë që në harkun e një viti kjo do të përmbushet plotësisht me të tërë duke filluar praktikisht nga 1 prilli i kaluar. Pra, ligji që është në Kuvend, në momentin që do të miratohet nga Kuvendi, do të hyjë në fuqi dhe pagat të gjitha kategoritë do t’i marrin pagat nga 1 prilli i kaluar. Debati im ka qenë që ne, pra qeveria dhe depuetetët nuk duhet të kemi rritje pagash përpara se t’i rritet gjithë të tjerëve. Duhet të na rritet në fund.

Kuptohet, shkoi projektligji në Parlament. Deputetët patën një goditje në zemër. Është në diskutim tani, nuk ka rëndësi. E vërteta është që qysh nga viti 2013 ne nuk kemi rritur asnjë qindarkë pagat e ministrave dhe deputetëve. Nuk i kemi rritur ekzaktësisht për këtë arsye, jo për populizëm, por për këtë arsye që duhet të përpiqemi të rrisim të tjerët njëherë, pastaj ne në fund.

Ministrja duhet të marrë fjalën të thotë dy fjalë për këtë që të sqarohemi. Tani nuk kemi ardhur këtu për vota. Votat erdhën, erdhe më shumë sesa çfarë prisnim. Ishalla po i meriton Beneti gjithë ato vota. Ministrja do të sqarojë ekzaktësisht se këtu nuk na dëgjoni vetëm ju, ose Shkodra, na dëgjon gjithë Shqipëria dhe të gjithë e kanë me të drejtë mendjen se çfarë do të bëhet me pagat për të konfirmuar që brenda 2-3 javësh maksimumi, varet si do të shkojë procesi, do të bëhet miratimi në Parlament, do të hyjë ligji në fuqi dhe do të fillojë rritja e pagave për të gjithë ata që nuk e kanë marrë akoma nga 1 prilli i kaluar.