Faleminderit Vlora
Turi i mirënjohjes u ndal në Vlorë në një takim me qytetarët vlonjatë për t’u shprehur falenderimet për investimin përmes votës në zgjedhjen e kandidatit të Partisë Socialiste në krye të punëve të bashkisë.
* * *
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama:
Faleminderit shumë! Fushata ka mbaruar, ne kemi arritur rezultatin, kështu që këtë volumin e zërit të lartë ruajeni për fushatën tjetër se sot kemi ardhur për një arsye tjetër. Sot unë jam këtu për t’ju falënderuar me gjithë zemër të gjithëve ju. Të gjithëve ju që jeni këtu dhe që keni qenë zemra e fitores tonë në Vlorë. Dua të falënderoj të gjithë ata që janë angazhuar në Partinë Socialiste të Vlorës, në organizatat e PS të Vlorës dhe që në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës kanë bërë punën e tyre. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar si koordinatorë, si patronazhistë, si aktivistë. Dua të falënderoj të gjithë ata që janë në këtë parti qysh nga dita e parë e krijimit të saj dhe që vazhdojnë të kontribuojnë për këtë parti njësoj si në ditën e parë të krijimit të saj.
Dua të falënderoj në mënyrë të posaçme gratë dhe vajzat e Vlorës.
Është garanci e veçantë që në PS ka gjithmonë e më shumë gra dhe vajza, ashtu sikundër ishte kënaqësi e veçantë takimi me këshilltarët dhe këshilltaret e reja të bashkisë së Vlorës, ku ka një harmoni dhe një baraspeshë shumë të kënaqshme mes burrave dhe djemve dhe grave dhe vajzave.
I thashë Ermalit qëparë kur më pyeti “çfarë më jep ndonjë këshillë tani që duhet të filloj punën dhe duhet të bëjmë rifreskime”, i thashë, “mbështetu tek gratë dhe tek vajzat dhe për çdo detyrë ku duhet të bësh një zgjedhje midis një gruaje dhe një burri, që burri të marrë detyrën duhet të jetë 100 herë më i mirë se gruaja, ndërkohë që gruaja të marrë detyrën mjafton të jetë barazim me burrin”.
Tani dua të them dhe dy, tre gjëra të vogla, duke pasur parasysh që dhe ora nuk është ora më e mirë për të bërë një takim, duke pasur parasysh që jashtë ka diell edhe Vlora kur ka diell është vendi më i bukur në botë dhe duke pasur parasysh që gjërat konkrete për cfarë kemi bërë dhe cfarë duam të bëjmë i kemi thënë dhe i kemi stërthënë.
Dua të them në radhë të parë që vota e 14 majit ka një domethënie shumë të madhe. Ne jemi në qeveri prej disa vitesh tanimë. Jemi në mes të mandatit të tretë dhe në 14 maj kemi marrë rezultatin më të lartë historik të Partisë Socialiste. Në 14 maj për kandidatët tanë kanë votuar më shumë zgjedhës se asnjëherë më parë, por ajo që edhe më e rëndësishme është që në 14 maj ne kemi arritur që si PS të dalim forcë e parë në këshilla bashkiakë ku nuk kemi qenë ndonjëherë forcë e parë si në Shkodër, apo në Tropojë apo në Dibër, apo të rikthehemi si forcë e parë në të tjerë këshilla ku prej shumë vitesh nuk ishim forcë e parë. Në këto zgjedhje, për herë të parë në zgjedhjet vendore ka ndodhur diçka e re. Më parë vota për partitë, për dy partitë e mëdha se ka qenë dhe një parti e madhe tjetër, por ajo s’është më, ndahej në shumë parti të vogla dhe kur vinte puna për këshillat PS kishte një përqindje shumë më të ulët sesa në zgjedhjet politike. Këtë herë PS ka marrë votën e vet, të drejtpërdrejtë, të konsoliduar dhe të bashkuar. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar që Partia Socialiste ka hyrë në një fazë të re. Ka hyrë në një fazë të re dhe duhet ta kuptojmë këtë fazë të re si një nevojë për tu hapur si asnjëherë më parë, për prurje të reja të të gjitha moshave dhe për prurje të reja pa asnjë paragjykim. Është koha që ne të kalojmë në një fazë ku nga një parti politike të jemi një komunitet i madh ku ka vend për të gjithë. një komunitet i madh ku të ndjehen të përfillur, ku të ndjehen të mbështetur, ku të ndjehen të përfaqësuar edhe ata që nuk na kanë dhënë votën dhe ata që mbase nuk do na e japin votën rregullisht gjithmonë. Sepse në këto zgjedhje duhet të kuptojmë se rezultati ynë është ende më i lartë sepse një pjesë e atyre që nuk na kanë votuar kurrë më parë, na kanë votuar në këto zgjedhje. Ndërkohë që një pjesë e atyre që kanë votuar rregullisht palën tjetër, në këto zgjedhje nuk kanë dalë të votojnë. Nuk kanë dalë të votojnë sepse nuk kanë dashur ta ndyjnë dorën për të vendosur në fletën e votimit një votë për hijet e së shkuarës që donin ta kthenin Shqipërinë prapë mbrapa.
Prandaj ne duhet ta kuptojmë këtë shumë mirë. Nuk është një votë që tregon se njerëzit janë të kënaqur me ne. Është një votë që tregon se njerëzit kanë pritshmëri të madhe ndaj nesh dhe kanë dhe kanë besim se pavarësisht se ne nuk i kemi bërë të gjitha mirë, pavarësisht se ne kemi bërë gabime, pavarësisht se ne kemi bërë dhe gjëra për të cilat s’mund të jemi krenarë përsëri ata janë të bindur që vetëm ne mund t’i bëjmë gjërat që ata presin dhe kjo është një sfidë shumë e madhe.
Kjo është një sfidë shumë e madhe nga e cila duhet të mësojmë të gjithë, por në radhë të parë duhet të mësoj unë, duhet të mësojë udhëheqja e PS në qendër edhe në çdo bashki, duhet të mësojnë të gjithë ata që e përfaqësojnë PS, që nga kryetarët e organizatave deri tek drejtuesit politikë dhe deri tek anëtarët e kryesisë së PS. Sepse edhe një herë tjetër do ta përsëris, jo vetëm të tjerët, por dhe socialistët e thjeshtë, njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë gjithë këtë besim dhe gjithë këtë mbështetje nuk e kanë dhënë votën në 14 maj nga kënaqësia e madhe për mrekullitë që kemi bërë ne, por e kanë dhënë nga besimi i madh që kanë dhe nga pritshmëria e lartë që kanë për të. Kjo do të thotë që në çdo bashki ka mësime të mëdha për të nxjerrë. Ne nuk kemi marrë votën e vlonjatëve për hipotekën e Vlorës. Vlonjatët nuk kanë ardhur në 14 maj t’i japin 71% Ermalit sepse janë të lumtur me ça bën Hipoteka e Vlorës. Hipoteka e Vlorës është turpi i PS të Vlorës, është turpi i PS së Shqipërisë.
Mora një shembull, mund të marr dhe shembuj të tjerë në të gjithë Shqipërinë. Mund të marr dhe shembuj nga qeveria qëndrore po të doni për njerëz që na kanë turpëruar, por ama këta shembuj na vlejnë jo për të kthyer kokën prapa dhe për të thënë që ne s’kemi punë, por për të bërë çmos që ato gjëra që janë bërë keq të mos vazhdojnë të bëhen keq dhe ato gjëra që janë bërë nga njerëz të këqij të mos ndodhin prapë dhe njerëzit e këqij të mos kenë vend në asnjë vend ku PS do të përfaqësohet pavarësisht se me kë janë të lidhur, pavarësisht se kë kanë krushk, pavarësisht se kë kanë gjak, pavarësisht se kë kanë komshi. Është shumë e rëndësishme që në partinë e Vlorës të bëhet një reflektim i madh lidhur me këtë dhe është shumë e rëndësishme që partia e Vlorës të jetë fytyra , të jetë dinjiteti, të jetë angazhimi, të jetë dashuria për Vlorën e të gjithë atyre që e votuan Ermalin dhe që e votuan Partinë Socialiste, jo instrumenti i përfitimeve të një grushti njerëzish. Jo rruga që disa të bëjnë parakalime me kokën lart duke i parë njerëzit nga lart poshtë. Partia Socialiste e Vlorës duhet të mishërojë ambicien tonë për Vlorën. Dhe kjo do të thotë që të gjithë njerëzit e panumërt, njerëzit e mirë, njerëzit e ndershëm, njerëzit profesionistë, njerëzit e përkushtuar duhet ta gjejnë vendin në këtë komunitet, në këtë parti.
Nga ana tjetër ka një gjë që e gjithë partia, të gjitha strukturat, të gjithë kryetarët e bashkive, të gjithë këshilltarët bashkiakë duhet ta kenë të fiksuar në kokë që pika e parë e programit qeverisës së Partisë Socialiste dhe të kryetarëve të bashkive socialiste që kanë dalë nga vota e 14 majit, duhet të jetë njerzillëku.
Gjëja më e rëndësishme është që ne jo vetëm ta kuptojmë, por edhe ta reflektojmë në sjelljen tonë faktin që nevojat, kërkesat, dëshirat e njerëzve janë shumë më të mëdha se mundësitë dhe çdo familje, në çdo skuadër, në çdo organizatë, në çdo parti, në çdo qytet, në çdo shtet, edhe shteti më i pasur, edhe shteti më i madh dhe më i pasur i botës, SHBA, nuk arrin dot t’ia plotësojnë njerëzve të tyre të gjitha nevojat.
Nuk arrijnë dot t’i përgjigjen të gjitha kërkesave, nuk arrijnë dot të jenë pasqyra e të gjitha dëshirave dhe jo më pastaj një shtet si Shqipëria apo bashkitë e Shqipërisë, por ama ka një gjë të vetme që një përfaqësues i popullit në të gjitha nivelet mund ta bëjë 100% dhe mund t’ia plotësojë njerëzve 100%, që atë që thotë populli ynë që ‘’hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj” dhe njerëzve nuk mund t’iu thuash ‘’ik se nuk bëhet’’. As nuk mund t’iu mbyllësh derën dhe të presin pas derës me orë e me ditë për të marrë një përgjigje. Njerëzve iu shpjegohen gjërat dhe iu thuhet, kjo bëhet , kjo s’bëhet sot po bëhet nesër dhe kjo tjetra nuk bëhet as nesër, por bëhet pasnesër dhe ju e dini shumë mirë që kur dikush na zgjidh një problem, i themi faleminderit një herë, kur dikush na e qan një hall, i themi faleminderit 10 herë.
Për të tjerat e thashë, kemi folur, do kemi kohë të flasim. Është koha që të fillojmë nga puna dhe është koha që Ermali të marrë në krahë të gjithë ata që duhet të marrë në krahë për atë punë dhe ta bëjë Vlorën qytetin më të pastër të Shqipërisë, por jo vitin tjetër. Jo vitin tjetër, po duke filluar nga ky sezon, nga momenti i betimit, çdo ditë, çdo natë, kryetari i bashkisë me të gjithë të tjerët në bashki, qofshin ata të pastrimit, qofshin ata të gjelbërimit, qofshin edhe ata të planifikimit duhet të dalin të pastrojnë Vlorën. Bashkë me deputetët se harrova deputetët, se s’keni parlament në gusht. Merrni një uniformë të pastrimit edhe punoni 8 orë në ndërmarrjen e pastrimit bashkë me kryetarin e bashkisë sepse Vlora duhet të largohet njëherë e mirë nga plehrat, nga kazanët me plehra nëpër qytet që janë një turp i madh dhe që janë një shëmti e madhe dhe që nuk justifikohen me asnjë gjë, se nuk është Kina. Pavarësisht se është qytet i madh, prapë një pëllëmbë vend është për të mos u mbajtur pastër, dhe pastaj me radhë të gjitha të tjerat po unë s’dua t’ju mbaj më gjatë. Ju falenderoj shumë, me shumë mirënjohje dhe shpresoj shumë që së bashku do të bëjmë punë akoma më të mëdha sepse jam i bindur që bashkia e Vlorës do futet komplet në një marsh tjetër.
Shumë faleminderit!