Fier, me energjinë e të rinjve socialistë

Fjala e Kryeministrit, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama:

Shumë faleminderit!

Më vjen shumë mirë që u gjenda sot edhe këtu. Nuk dua t’iu mbaj gjatë. Më vjen shumë mirë që sot, Partia Socialiste këtu në qarkun që historikisht është pagëzuar si kryeqyteti i socialistëve, i dha të rinjve, të rejave, njerëzve të fshatit jo thjesht një mesazh me fjalë por një mesazh me shembuj që në 11 maj e kanë vetë në dorë të jenë të super përfaqësuar.
Zegjineja vjen nga një fshat, por nuk i tha të gjitha, Zegjineja vjen nga një shkollë, Zegjineja vjen nga shkolla politike e Majlinda Bufit dhe në atë shkollë klasën nuk e kalon vetëm kush mëson por klasën e kalon kush duron dhe kush i ka mbijetuar Majlinda Bufit mund t’i mbijetojë çdo sfide. Kështu që, Zegjine, unë të uroj që ti të jesh gati dhe për sfidën e radhës sepse pas gjithë këtij fjalimi që mbajte, pas gjithë këtij entuziazmi do bëhesh meme, do kesh shumë njerëz që do përpiqen të të thonë që “Ti nuk je për këtë punë” por ti nuk do shohësh as majtas e as djathtas, do shohësh vetëm drejt, vetëm përpara. Unë jam i bindur që ti një ditë do jesh krenaria e gjithë qarkut dhe patjetër do jesh krenaria e madhe e gjithë njerëzve të fshatit tënd kur të të shohin në parlamentin e Shqipërisë që, në mos këtë herë, një herë ti do t’ia arrish.

Ndërkohë unë dua t’i them dy fjalë edhe Dhimitrit që doli këtu dhe e pati të pamundur ta çojë deri në fund fjalimin, natyrisht ishte hera e parë për të, por nuk ka problem. Kush flet shumë mirë herën e parë duhet marrë me dyshim kështu që, ti mos e ki fare problem që sot u munde nga emocionet, por herë tjetër mos dil për të mbajtur fjalim. Herë tjetër kur të marrësh fjalën ti thjesht trego kush je, ai që ti je, një djalë i cili ka ikur për të studiuar dhe për tu bërë i ditur dhe dijen e tij ta vërë në shërbim të prindërve dhe së bashku me prindërit të bësh një histori suksesi në fshat është më e bukur dhe më e rëndësishme se çdo fjalim që mund të mbash.

Ne në Parlament, ne në qeveri nuk na duhet thjesht dhe vetëm njerëz që dinë të flasin, ata patjetër janë të rëndësishëm por na duhen shumë njerëz që dinë ta shohin realitetin, që dinë se ku janë problemet e realitetit dhe dinë ta thonë se si mund të ndryshohet realiteti, jo duke e parë nga larg, nga Tirana, por duke e parë aty nga afër aty ku është toka, aty ku janë familjet që zgjohen në 3 të mëngjesit, siç tha Belinda, aty ku prodhohet ushqimi që të gjithë ata në Tiranë dhe të gjithë ata në të gjithë Shqipërinë hanë çdo ditë.

Tani, unë dua t’ju them shumë thjesht që një brezi mund t’i vijë ose mund të mos i vijë shansi për të bërë historinë, varet sesi qëllon. Brezit të atyre që dolën dhe i dhanë goditjen e fundit regjimit komunist iu dha shansi të bëjnë histori dhe ishte ai brez që u bashkua bashkë me të tjerët, dhe që në ’91- ’92 me votën e tyre bënë histori duke e ndarë Shqipërinë përfundimisht nga një sistem dhe duke e futur në një tjetër sistem, duke e ndarë nga një sistem i mbyllur në vetvete dhe duke e futur në një sistem të hapur bashkë me të tjerët.

Në 11 maj ju keni shansin të bëni histori, të bëni histori për veten tuaj dhe jo vetëm për vendin tuaj. Unë nuk jam si, siç tha Ceno ose siç thonë shpesh të tjerët që “Të rinjtë duhet të rrinë këtu, nuk duhet të ikin nga Fieri, të rrinë, duhet të rrinë Roskovec, duhet të ikin nga Roskoveci”.

Jo, të rinjtë janë të rinj sepse jo vetëm mund, por dhe duhet të pushtojnë botën, por patjetër që sa më shpejt ju ta mësoni aq më mirë është dhe aq më shumë, do ta mbani mend mos e harroni, “Në puset e rinj pi sa të mos dehesh, pusin e vjetër kurrë mos e pështy se aty një ditë mund të kthehesh”.

Sot që ju jeni këtu do të bëni gjithçka që Fieri, Roskoveci, Mallakastra, Divjaka, Lushnja të bëhen sa më të mirë, pavarësisht nëse ju do rrini këtu apo do shkoni në Tiranë për të studiuar, pavarësisht se do ktheheni nga Tirana apo do shkoni njëherë të bëni xhiron e botës dhe pastaj do ktheni sytë nga këtu. Ne nuk kemi luftuar që Shqipëria të jetë një bunker dhe të gjithë të rrinë brenda dhe tu themi të rinjve “Mos dilni nga shtëpia”. Ne kemi luftuar, pikërisht, që Shqipëria të bëhet pjesë e botës dhe që çdo vajzë dhe çdo djalë edhe në fshatin më të largët, të mos ketë frikë të ëndërrojë të pushtojë botën sepse vetëm nga ata që ëndërrojnë me sy hapur vjen edhe ndryshimi, vetëm nga ata që janë aq kurajoz dhe aq të fortë sa t’i shkojnë mbrapa ëndrrave të tyre me sy hapur, ndodhin edhe ato gjëra që për të tjerët duken krejtësisht të pamundura.

Por pse në 11 maj ju keni në dorë diçka që nuk e kanë pasur të tjerë kur kanë votuar në të shkuarën?

Sepse në 11 maj ju keni në dorë që duke u mobilizuar me të gjithë shokët, me të gjithë shoqet, me të gjithë bashkëmoshatarët tuaj dhe duke u thënë dhe atyre “Shiko se kjo nuk është dita e zakonshme, nuk është vota e zakonshme e të gjitha radhëve kur do shkojmë në votime, do zgjedhim disa deputetë, do zgjedhim një kryetar bashkie, do zgjedhim disa anëtarë këshilli, do zgjedhim se kush do shkojë në parlament, se përgjithësisht se vajtëm se s’vajtëm ne nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe. Kjo është dita kur ne duke shkuar të votojmë, mund të vendosim nëse në pak vite do marrim ne, ju personalisht një nga një pasaportë shqiptare të Bashkimit Europian. Dhe që të marrin një pasaportë shqiptare të BE, që çdo njeri nga ju të ketë në xhep pasaportën shqiptare të BE jo thjeshtë për të lëvizur pa vizë, por për të shkuar ku të dojë, për të ndaluar ku të dojë për të punuar ku të dojë, për të studiuar ku të dojë njësoj si një qytetar europian, duhet ta fusim Shqipërinë në BE. Duhet ta bëjmë anëtare të BE dhe na është hapur një dritare, na është hapur një dritare që s’ka qenë kurrë e hapur kështu se na është hapur si ajo dritarja atje ku janë ata djemtë, siç duken ata djemtë atje, aq larg. Fare mirë ata mund të ishin përfaqësuesit e shteteve të tjera të BE. Kaq afër është kjo perspektivë për arsye se janë përputhur rrethanat, është përputhur dëshira që në kemi pasur përditë, gjithmonë që nga viti ’90, që nga shekujt e kaluar për të qenë pjesë e Europës. Ambicia jonë, është përputhur gatishmëria jonë me dëshirën e tyre për të na pranuar që të bëhemi pjesë tani. Dhe kjo nuk është thjeshtë merita jonë, ky është fat. Ky është dhe fat. Ne vërtetë kemi bërë shumë punë për të qene gati këtë ditë por ama fati e ka dashur që Europa të ketë nevojë sot të forcohet, të zgjerohet dhe të marrë anëtar të tjerë dhe prandaj ata sot thonë duam Shqipërinë dhe Malin e Zi dhe i duam sa më parë në BE. Na kanë dhënë një kohë. Na kanë dhënë 2027-ën. Deri në 2027-ën ne duhet të mbyllim negociatat. Negociatat nuk janë muhabet kafeje. Negociatat janë punë mbi qindra mijëra faqe, ligje, rregulla, kritere, në çdo fushë që duhen përmbushur, janë 1000 vet që punojnë në administratën shqiptare çdo ditë. Ju çdo mëngjes shkoni në shkollë, ata shkojnë në zyrë. Ju merreni me shkollën, ata merren me negociatat. Janë 40 skuadra që të ndara sipas sektorëve punojnë me Bashkimin Europian. 2 ministret tona që drejtojnë negociatat çdo të hënë ulen në tavolinë dhe japin llogari çfarë bëri Shqipëria javën e kaluar në këtë fushë e në këtë fushë. E gjitha kjo është me kronometër. Duhet të përfundojë brenda 2027-ës.

Llogariteni, ne i kemi hapur negociatat vjet. Serbia i ka hapur në vitin 2014. Mali i Zi pak a shumë në atë kohë, mos më përpara. Maqedonia është bërë kandidatë ku e ku më përpara sesa ne, se Serbia, se Mali i Zi. Ne i kemi hapur vetëm vjet dhe na është dhënë mundësia që deri në 2027 ti mbyllim. Pra është një dritare që i është hapur Shqipërisë. E kemi hapur më shumë përpjekje. E kemi hapur me shumë diplomaci, duke ndërtuar shumë marrëdhënie. Marrëdhënie në të gjitha nivelet, marrëdhënie me të gjithë liderët e BE, por e kemi hapur dhe sepse BE-së i duhemi tani në këtë moment si një sinjal për të tjerët, që BE po rritet, po forcohet, po zgjerohet. Tani si mundet ky shans të iki? Treni i historisë ndalon në stacion dhe nuk rri aty për të pritur deri kur njerëzit ta kuptojnë që aty është treni. Nuk duket treni i historisë. Nuk është si treni fizik që rri tek platforma dhe pret. Trenin e historisë e kapin ata që e shohin, e kapin ata që kuptojnë që këtu është historia, duhet të kapim trenin. Dhe tani treni i historisë ka ndaluar në stacion. Në 11 maj duhet të hipim në trenin e historisë dhe në 11 maj të gjitha kanë rëndësi. Edhe universiteti, do e bëni në Vlorë a do e bëni në Fier a do e bëni në Tiranë, edhe video game edhe të gjitha kanë rendësi. Kanë rëndësi kanalet vaditëse, kanë rëndësi rrugë, kanë rëndësi ujërat, të gjitha. Ka rëndësi dhe jam me këtë parti a jam më atë parti, të gjitha kanë rëndësi, por më rendësi se të gjitha këto ka treni i historisë në 11 maj.

Në 11 maj askush s’duhet të votojë si tifoz, askush s’duhet të votojë për fanellën e një partie. Kush do që Shqipëria të bëhet anëtare e BE dhe kush do që nga kjo të përfitojë pasaportën europiane për veten e vet dhe t’i japë fund një herë e mirë diskriminimit të ndjerit qytetar i dorës së dytë që kur zbret në aeroport në Itali që të thonë dil atje nga ana tjetër dhe ata të tjerët ikin të gjithë futen, kanë mbaruar punë. Shqiptarët rrinë atje. Del polici me pasaportën e sheh lartë e sheh poshtë, ku po shkon, kush të ka ftuar, sa lek ke me vete, kë njeh këtu, kur do ikësh? Ti s’ke hyrë akoma, kur do ikësh! Nëse duam që kjo të mbarojë, duhet të kemi të gjithë të njëjtën pasaportë si ata dhe prandaj në 11 maj ka vetëm një gjë që duhet të bëjë çdokush. Atë që bën të gjithë prindërit që pavarësisht se janë të majtë e të djathtë, socialistë e demokratë 95% e prindërve thanë duhet mbyllur tik tok edhe e mësuesve se kështu siç është i dëmton fëmijët tanë. Nuk menduan që meqë bufi i kënetës thotë nuk duhet mbyllur, ne s’po e mbyllim jo se fëmijët janë më të rëndësishëm se çdo përkatësi partiake edhe Shqipëria është më e rëndësishme se çdo përkatësi partiake dhe prandaj me të njëjtin unitet duhet votuar vetëm Partia Socialiste, jo për të qenë socialist, as për tu bërë socialist, por për të mos i ndaluar asnjë sekonde negociatat dhe për të mos lënduar asnjë ndjesi luhatje të Shqipërisë në sytë e atyre që janë atje te ajo dritarja që na shohin.
Dhe duke marrë pasaportën e BE nuk merr fund vetëm ai diskriminimi që ju thashë por secili nga ju, secila nga ju vendos ku do studiojë dhe nuk do jetë më pyetja do studioj në Vlorë apo do studioj në Fier se ju duket dhe Vlora larg, apo do studioj në Tiranë apo në Vlorë se në Fier s’kam. Do jetë pyetja në cilin shtet të BE do shkoj të studioj dhe kudo të shkosh të studiosh nuk je më si sot, një student i huaj që shkon atje, por je një student europian që dhe atje me atë pasaportë dhe me atë identitet ke të njëjta të drejta njësoj si një francez në Francë, si një polak në Poloni, si një suedez në Suedi.

Nuk ke më as nevojë të bësh aplikime të çuditshme si student i huaj. Nuk ke më as tarifa ekstra si student i huaj dhe nuk je më në korridorin tjetër si student i huaj se je student europian.

Pastaj do të provosh veten tënde, do të qëndrosh të provosh veten tënde, a ia vlen a s’ia vlen të punosh, nuk ka nevojë të kërkosh azil se arsyeja pse shqiptarët shkojnë kërkojnë azil është sepse nuk kanë të drejtë të rrinë atje normal siç shkojnë dhe lëvizin të tjerët. Të tjerëve nuk iu numërohen, thonë shqiptarët po ikin, shkoni shikoni sa po lëvizin të tjerët nëpër BE. Po nuk quhen sepse shkojnë lëvizin brenda vendit të vet pavarësisht se vendi i vet mund të jetë Polonia dhe shkojnë punojnë në Portugali. Nuk do ketë më nevojë për asgjë të tillë. Me atë pasaportë mund të ndaloni ku të doni. Larg qoftë nëse keni nevojë për mjekun do shkoni në ambulancë, do shkoni te mjeku, do jeni njësoj si qytetarët atje. Do të shërbeheni dhe do të rimbursoheni njësoj si ata atje, me atë pasaportë do keni mundësi të shkoni dhe në vende të tjera siç shkojnë qytetarët e BE me shumë më tepër lehtësi dhe të punoni me shumë më tepër lehtësi nëse doni të punoni dhe nëse jeni në një vend ku keni nevojë për shtetin, por aty s’ka ambasadë shqiptare, ambasada më e afërt e Bashkimit Europian është ambasada juaj, kjo është pasaporta e Bashkimit Europian.

Tani, prindërit që për 1001 arsye nuk e ndjejnë që duhet të votojnë për Partinë Socialiste, jo më është vrarë gjyshi në luftë nga komunistët, që gjyshi nuk ka gjysh të vrarë nga komunistët që nuk rrotullohet në varr kur sheh që nipat shkojnë pas bufit të kënetës, nuk ka. Nuk ka! Se ata u vranë për të tjera ideale dhe të tjera arsye. Po ç ‘rendësi ka! Ka njerëz që e kanë ndryshe kokën ama kur vjen puna, të gjithë ata që kanë fëmijë, që nesër do të jenë student, duhet të thonë: – Duhet t’ia japim votën këtyre se këta ma çojnë djalin me pasaportën e Bashkimit Europian me studime, pastaj kur të futen në Bashkimin Europian të bëjnë ca të duan. Të votojnë edhe për Ballin Kombëtar po të duan, po pati më ball kombëtar deri atëherë.

Kjo është historia miqtë e mi dhe ky është 11 maji. Të gjitha të tjerat thashë janë shumë të rëndësishme, për të gjitha të tjerat sigurisht ne do të flasim gjatë fushatës për çfarë kemi bërë, çfarë do bëjmë, për ekonominë, për punësimin, për arsimin, për shëndetësinë, për të gjitha. Por unë besoj se mbi të gjitha në këtë moment ne kemi Shqipërinë që duhet ta marrim në krah, ta ngjisim në majë, ta fusim në Bashkimin Europian, të ngremë flamurin atje dhe të jemi përfundimisht për herë të parë qysh se Zoti na ka ulur në këtë tokë të barabartë, të njëjtë. Mos ta shofi më njeri shqiptarin me sy që, edhe kjo vlen për të gjithë emigrantët që janë në Greqi. Të gjithë emigrantët që janë në Greqi që thonë s’kemi marrë akoma letrat. Nuk iu duhen më letrat nëse Shqipëria futet në Bashkimin Europian, se do të merrni pasaportën e Bashkimit Europian dhe në Greqi do keni pasaportën njësoj. Në Itali e njëjta gjë, nuk iu duhet më pasaporta italiane sepse është e njëjta gjë, është e njëjta pasaportë për sa kohë: Bashkimi Europian dhe poshtë pastaj Italia, Shqipëria, etj, etj është e njëjta pasaportë.
Hyrja në Bashkimin Europian e bën Shqipërinë të madhe sa Europa dhe Europën të vogël sa Shqipëria. Siç shkoni nga Fieri në Shkodër, do shkosh nga Shqipëria në Belgjikë. Askush s’të ndalon, askush s’të thotë ku po shkon, sa lek ke, kush të ka thirrur, sa do rrish, fare. Dhe në çdo derë që troket nxjerr pasaportën dhe është vendi yt. Ky është Bashkimi Europian!
Për Shqipërinë për ata që jetojnë këtu, që do të jetojnë këtu është i rëndësishëm po kaq, edhe po mos të dalin fare jashtë shtetit kurrë. Se Bashkim Europian do të thotë se liria individuale garantohet përfundimisht dhe nuk ka parti, nuk ka pushtet, nuk ka kënetë, nuk ka moçal, nuk ka dallgë së prapthi që mund të vijë ta kërcënojë, sepse të mbron qenia qytetar i Bashkimit Europian. Barazim para ligjit!

Ne po përpiqemi për herë të parë që Shqipëria të ketë barazi para ligjit. Ju me aq sa e ndiqni e shikoni që për herë të parë njerëz me pushtet, njerëz të lidhur me pushtetin shkojnë përpara një prokurori, shkojnë përpara një gjykatësi të pavarur. Nuk është perfekte, mund të kemi shumë gjëra që nuk na bindin, por ama është për herë të parë që kur Ismail Qemali ngriti flamurin, shqiptarët kanë bërë nuk e di sa qeveri, por kurrë asnjëherë asnjë ministër, asnjë deputet, asnjë njeri i lidhur me pushtetin nuk ka shkuar përpara drejtësisë përveçse kur ka dashur i pari i qeverisë.

Sot ndodh e kundërta, sepse kështu ndodh në një vend demokratik, kështu ndodh kur drejtësia dhe qeveria janë të ndara dhe ne shpatën e drejtësisë që e kanë mbajtur në dorë dhe ia kanë kaluar njëri tjetrit dorë pas dore vetëm të parët e qeverisë, të parët e pushtetit, të parët e regjimeve të çfarëdo natyre mbretëri, diktaturë, demokraci ia dorëzuam drejtësisë. Dhe duke ia dorëzuar drejtësisë atë shpatë pushteti dorëzon edhe veten. Se ti ke shpatën, tjetri s’ka shpatën, ti jep shpatën dhe pastaj do presësh që në rast se ai shef që duhet të godasë, do të godasë. Kjo është Partia Socialiste.

Tani këta çohen edhe thonë: “Hajduta, shifeni jua kapën, jua bënë”! Çfarë kapën? Ne e kemi bërë këtë reformë, ne kemi qenë të vetëdijshëm që kjo reformë do të sjelli këto rrjedhoja, patjetër. Se nëse themi: duam të luftojmë korrupsionin, nëse themi duam barazi para ligjit. Do të thotë që kjo duhet të jetë për të gjithë dhe në radhë të parë për kë? Për ne që jemi në pushtet dhe qajnë hallin tim; ti kapëm thotë. Ç’më kape? Kjo familje është një bie, mijëra ngrihen. Ne jemi 800 mijë do të shkojmë afërsisht 1 milion në 11 maj, këta thonë ti kapën.
Por nuk mundet dot kjo të mbetet një çështje e vullnetit tonë, nuk mundet. Sepse nesër gjërat ndryshojnë. Ju e shikoni që pala tjetër thotë në 11 maj do të fitojmë, do të çlirojmë Tik-Tokun dhe do shkrimë SPAK-un. Shiko çfarë halucinacioni. Ata në fakt do të fitojnë vetëm Noc Rrokun, por kjo nuk garantohet kështu. Kjo garantohet duke hyrë në Bashkimin Europian. Se në momentin që Shqipëria bëhet anëtare e Bashkimit Europian nuk ka qeveri këtu që mund ta vërë në diskutim barazinë para ligjit, nuk ka këtu qeveri që mund të dali e të thotë: Shiko se ne do ta ndryshojmë sistemin, ne do të kthehemi në një sistem që drejtësinë e kontrollon qeveria, nuk ekziston, nuk ekziston.

Dhe e fundit që kam. Në Bashkimin Europian, një vend si Shqipëria hyn si përfitues, është një familje e madhe ku një pjesë janë kontribuues, një pjesë janë përfitues. Kontribuuesit janë ata që janë më të mëdhenjtë, më të fuqishmit që i japin që këta më të vegjlit dhe më të dobëtit të rriten dhe të forcohen dhe Shqipëria do të jetë pjesë e grupit të përfituesve. Siç janë rritur e forcuar, Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria , do të rritemi dhe forcohemi edhe ne me atë kontribut. Dhe po iu jap vetëm dy shembuj në gjithë këto vite Bashkimi Europian na ka mbështetur me pak më shumë se 1 miliard euro, në momentin që ne bëhemi anëtar ne kemi më shumë se 1 miliard euro çdo vit. Bashkimi Europian e ka mbështetur bujqësinë në total gjithë këto vite më pak se 200 milion euro, si anëtar të Bashkimit Europian dhe vend përfitues do kemi vetëm për bujqësinë 300 milion euro në vit. Tani këtu nuk mund të hidhen në ruletën e lojës politike, në 11 maj nuk është lojë politike, në 11 maj nuk shkojnë në një stadium partitë politike, në 11 maj nuk është luftë fanellash dhe nuk është punë tifozësh, në 11 maj është thjesht dhe vetëm një misioni patriotik i çdo shqiptari duke filluar nga ju se ju do ta bëni për veten tuaj, për interesin tuaj që të merrni atë pasaportën brenda vitit 2030. Çdo shqiptar duhet të shkojë dhe të thotë ‘’këtë herë s’është politikë, këtë herë është vetëm Shqipëria që është përtej partive, përtej të majtës, përtej të djathtës, përtej sherreve, përtej SPAK-ut, përtej historive është Shqipëria në Bashkimin Europian’’. Vetëm me Partinë Socialiste!

Se që ne do fitojmë, kjo nuk diskutohet, por nga ju unë nuk dua fitore, unë dua triumf të Partisë Socialiste sepse nuk është fjala për triumfin tim dhe për triumfin tonë, është fjala për triumfin e një Shqipërie që nuk ka për ta humbur shansin historik. Nuk ka për ta humbur trenin e historisë, nuk ka për ta humbur momentin kur pikërisht tani, duhet të ngjitet atje, në atë majën që e kanë ëndërruar të gjithë. Kur ishte Skënderbeu që luftonte dhe u bë pengesë këtu për të mbrojtur Evropën, s’kishte Bashkim Evropian. Po Skënderbeu mbrojti Evropën. Më pas, kur rilindasit tanë thanë “ dielli ynë lind andej nga perëndon’’, s’kishte Bashkim Evropian por ata shikonin Evropën. Më pas, kur Ismail Qemali ngriti flamurin dhe u shkëput nga perandoria otomane, shihte Europën. Më pas, të gjithë ne jemi munduar të shikojmë Evropën por nuk na kanë lënë që të kapim Europën. Tani kjo është në dorën tonë dhe zogun që ka ardhur në dorë, ne nuk kemi për ta lëshuar sepse nuk do të na e falë historia.
Faleminderit!