Fjala e Kryetarit të PSSH Edi Rama në takimin përmbyllës elektoral në Fier:
Mirëmbrëma të gjithëve! Faleminderit shumë! Tani, unë do heq kapelën, ju do mbyllni çadrat! Është shumë pak ky shiu për të mbajtur çadër në këtë takim!
Ka akoma pak ditë dhe unë dua që gjithë Shqipëria që ndjek këtë në televizor, ta shikojë këtë shesh kuq e zi kështu që të gjithë ata flamujt që i keni, tregojini të gjithë atyre që na shohin se ky shi është vetëm paralajmërimi i breshrit që do bjerë mbi kokat e atyre të cilët guxojnë të vijnë këtu e të përçajnë Fierin e të kërkojnë vota për të na kthyer mbrapa. Ngrini flamujt kuq e zi, sepse flamuri kuq e zi është arsyeja e të gjithë arsyeve për të shkuar vetëm përpara, me Partinë Socialiste, me Armandon këtu në Fier e me gjithë kandidatët tanë në të gjitha bashkitë e qarkut e në gjithë Shqipërinë!
Po i thoja Armandos që u bënë disa herë që bëjmë takime në këtë shesh, por as në zgjedhjet e përgjithshme të 2021 ku këtu kishte realisht shumë njerëz dhe ishte kohë shumë e mirë, nuk ka pasur kaq shumë sa sot. Unë jam i bindur që në 14 maj, pamja e këtij sheshi do të jetë e shumëfishuar në kutitë e votimit, me votën për të shkuar vetëm përpara.
Kur ne e kemi nisur rrugën tonë, këtë përpjekje, të gjithë së bashku, këtu në Fier ju e mbani mend shumë mirë që në zemër të qytetit, ky shesh nuk ekzistonte, por ishte shumë e vështirë të ndaloje sepse vinte era e keqe e lumit këtu pranë. Ndërkohë që ai lum, ky lum që sot i është shtuar Fierit si një vlerë urbane, i është shtuar Fierit si pjesë e gjithë transformimit të tij, ishte burim hallesh e problemesh. Një shi si ky sot, bënte që lumit të dilte nga shtrati, të përmbyste të gjithë bizneset që ishin në dy anët, biznese të ndërtuara në krye të herë, në godina të shëmtuara pa leje nga ato që ne hoqëm nga shtrati i Lanës që në fillim të viteve 2000, e faktikisht krijonte një gjendje depresioni për qytetin. Kur unë ju thash që do ta transformojmë Gjanicën në një mushkëri të re e do ti japim Fierit mbrapsht lumin por jo më si burim problemesh por si një aset për qytetin, shumëkush mendoi se ishte një nga ato premtimet me të cilat njerëzit ishin mësuar.
Ja ku është sot Gjanica dhe e gjithë shëtitorja në dy anët e saj që tanimë përshkon gjithë qytetin, deri në fund. Ajo që ka rëndësi të thuhet është që ende nuk ka mbaruar sepse ende nuk kanë mbaruar shumë punë dhe ende nuk kanë mbaruar shumë detyra që ne kemi.
Nuk dua të flas për gjithë gjërat që janë bërë këtu, për gjërat e panumërta që janë bërë në Roskovec, për gjërat e shumta që janë bërë në Mallakastër, për çfarë është bërë në Patos e kështu me rradhë. Dua ti uroj dhe mirëseardhjen këtu kryetarit të ri të bashkisë së Divjakës, profesor Josif Gorresë, i cili sot ka ardhur këtu për të marrë nga energjia juaj sepse ditën e diel së bashku me Taulantin dhe me Erion Braçen, në Divjakë ne do të korrim një fitore spektakolare.
Duke folur për detyrat, dua të ndalem det detyra e detyrave që është ekonomia e dua t’ju them që sot Shqipëria është në momentin e një kthese të madhe, të shumëpritur historike, në ekonominë e saj, me gjithë vështirësitë e mëdha që kemi kaluar, sepse siç ish Gjanica kur ne nisëm rrugëtimin tonë, ashtu ishte ekonomia jonë, ashtu ishin financat tona, ashtu ishte rendi publik, ashtu ishin të gjithë sektorët.
Ndërkohë që sot, pikërisht siç po bëhet Gjanica, po bëhet hap pas hapi e do të bëhet deri në fund dhe një ekonomi ku do të ketë shumë më tepër për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, të cilët na kanë mbështetur, na kanë besuar në shumicë dërrmuese gjatë gjithë këtyre viteve dhe mbi të gjitha, kanë duruar dhe përballuar situata jashtëzakonisht të vështira të cilat nuk i krijuam ne, por na u desh të përballemi dhe kanë duruar vite e vite për të marrë frytet e reformave, për të parë se si reformat kthehen jo thjesht në transformime jashtë shtëpisë, por në ndryshim në ekonominë e shtëpisë. Megjithëse ne na u desh që të përballeshim me tërmetin, gjë që na detyroi që shumë nga fondet që kishim në dispozicion ti vendosnim për të rindërtuar shtëpitë, duke lënë të tjera gjëra që të ecnin më ngadalë ose të prisnin deri sa të mbaronte rindërtimi i shtëpive, siç bëmë me pandeminë, që na u desh përsëri të ndalojmë shumë gjëra, të marrim përsëri shumë fonde e t’i çojmë për vaksinat falas, t’i çojmë për pakot e rezistencës. Siç bëmë e po bëjmë akoma për të përballuar inflacionin dhe rritjen e çmimit të energjisë, e cila sot është më e ulët se sa ishte kur ishte në kulmin e krizës por është më e lartë se sa ishte kur kriza filloi. Ndërkohë që në faturat e elektrikut në familjet tuaja e në gjithë familjet e shqiptarëve, nuk ka asnjë qindarkë më shumë çdo muaj nga sa kishte përpara se të fillonte kriza sepse ne vazhdojmë paguajmë diferencën.
Parafytyroni për një moment sikur të gjitha këto para të kishte qenë e mundur që të shpërndaheshin qysh përpara atyre viteve, po të mos kishim pasur tërmet, po të mos kishim pasur pandemi, po të mos kishim pasur këtë agresionin në Ukrainë që solli këto gjëra, do t’i bënim më shpejt disa gjëra e në rradhë të parë do kishim bërë më shpejt gjënë kryesore, rritjen e pagave.
Rritjen e pagave siç ju dhe të gjithë e meritojnë e siç ne e kemi dëshiruar që ditën e parë. Jo rritjen e pagave që kemi bërë gjithsesi, por ka qenë më e ulët sa ne donim dhe sot ne kemi hyrë në rritjen më të madhe historike të pagave dhe siç mund ta dëshmojnë mjekët specialistë të qarkut të Fierit. Siç mund ta dëshmojnë mjekët e tjerë të përgjithshëm, siç mund ta dëshmojnë infermierët, siç mund ta dëshmojnë punonjësit e sigurisë, siç mund ta dëshmojnë mësuesit e mësueset në Fier e në gjithë Shqipërinë, pagat kanë nisur të rriten por këtë herë për të mos ndalur rritja deri në prillin e ardhshëm ku ne do ta çojmë pagën mesatare në sektorin publik në Shqipëri në 900 euro dhe Shqipëria do të ngjitet në nivelin e lartë të pagave në të gjithë rajonin tonë, pas një ri ngritje të gjatë e të vështirë nga Gjanica politike, nga Gjanica ekonomike, nga Gjanica morale, ku na e lanë Shqipërinë dhe na e lanë Fierin ata të cilët kanë kurajën të kthehen përsëri dhe të kërkojnë votën tuaj.
Për çfarë e kërkon votën tuaj SaLike Floriri? Për çfarë e kërkon votën tuaj akoma faqja e zezë e Shqipërisë? Faqja e zezë e Shqipërisë e cila sot nuk është më thjeshtë përfaqësia e një kampi kundërshtar, por është në kundërshtim me interesin tonë kombëtar, është në kundërshtim me dinjitetin e këtij flamuri, e flamurit kuq e zi.
E kuptoni pse u rrit intensiteti i shiut? Se duket folur për ta, rritja e intensitetit të shiut tregon sesi do të rritet numri i votave në 14 maj. Ja kështu do të vijnë, si pikat e shiut, të gjitha votat që jo vetëm do sigurojnë ecjen përpara, vetëm përpara, të Fierit dhe të Shqipërisë, por do jetë breshër në kokat e atyre që vazhdojnë të shohin mbrapa.
Ky flamur, të cilit ne i dhamë dinjitetin më të lartë në sytë e botës, ky flamur të cilin ne e kemi ngjitur në majën më të lartë të respektit në çdo arenë, në çdo instancë, në çdo hapësirë ndërkombëtare, ky flamur që sot qëndron bashkë më flamujt e vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ky flamur i cili ishte flamuri i presidencës së OSBE-së, organizata e madhe që shtrihet nga Kanadaja deri në Rusi dhe përfshin të gjitha vendet. Ky flamur i cili ishte flamuri i vendit mikpritës të të parit Samit të Bashkimit Europian jashtë kufijve të vet, ku Europa u ngrit nga Brukseli, erdhi u ul në Tiranë për të bërë mbledhjen e programimit të të ardhmes së përbashkët me Shqipërinë dhe Ballkanin. Ky flamur i cili është flamuri i vendit që do mikpresë Samitin e Berlinit në tetor, është sot aty ku është sepse ne i bëmë vend vetes, sepse ne u treguam aleatëve, u treguam partnerëve, u treguam miqve, u treguam të gjithë të huajve që ne mund të mos jemi të pasur si ata, ne mund të mos jemi të mëdhenj si ata, por ne jemi të barabartë me ata dhe japim respekt, por pretendojmë respekt.
Ata sot na besojnë dhe na mbështesin më shumë se asnjëherë tjetër. Ata sot e duan Shqipërinë më të fortë, më të sigurt dhe prandaj Shqipëria, diçka që as nuk mund të imagjinohej më përpara, po bëhet vendi ku do ketë një aeroport të NATO-s dhe një bazë detare të NATO-s. Ata duan që Shqipëria të bëhet më e fortë ekonomikisht. Mbështetja e tyre, respekti i tyre, pozita jonë ndërkombëtare, imazhi i ndryshuar i Shqipërisë bën që të rritet turizmi, bën që të rriten investimet, të rritet mirëqenia dhe përveç meritave tona, ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm që është mbështetja e tyre.
Tani si i bëhet kur ata, mbështetësit tanë pa të cilët Shqipëria është e humbur, pa të cilët Kosova nuk do ekzistonte si shtet i pavarur, na thonë, na e thonë me shkrim, na e thonë me vulë, na e thonë me zë dhe me figurë dhe na e përsërisin që ky individ, ju e dini për kë është fjala, për SaLiken, SaLike Floririn, ky individ i cili ka bërë korrupsion madhor, ka minuar demokracinë shqiptare, ka kërcënuar sigurinë kombëtare është i padëshirueshëm, prandaj na e hiqni nga sytë se nuk duam të na e nxirrni më përpara. Ne çfarë bëjmë?
Ne socialistët kemi ditur çfarë të bëjmë me këtë njeri denbabaden dhe Fieri, kryeqyteti i socialistëve, ia ka parë faqen e zezë edhe atëherë kur shumica kujtonte se e kishte të bardhë dhe nuk e ka pranuar kurrë, e ka refuzuar gjithmonë. Ky mesazh i aleatëve tanë nuk është për socialistët, nuk është për progresistët, nuk është për shumicën, por është për ata shqiptarë që janë njësoj si ne, që janë njësoj si ju, është për ata që i hapin dyqanet bashkë me ju socialistët, të djathtët që merren me tregti, të djathtët që merren me biznes, është për ata prindër që janë të djathtë, por që çojnë fëmijët në shkollë bashkë me ju, është për ata gjyshër e gjyshe që vijnë nga familje të djathta, por që ulen në park bashkë me ju. Ata mendojnë se Partia Socialiste nuk meriton votën, ata mendojnë se qeveria jonë nuk është e denjë për pritshmëritë e tyre dhe ne deri këtu nuk kemi asnjë problem, është e drejta e tyre. Ne nuk duam që ata të vijnë të bëhen anëtarë të Partisë Socialist, por ama ata duhet t’i japin përgjigje kërkesës së aleatëve tanë të cilët thonë: “Këtë individ, këtë fytyrë të damkosur me vulën e non-gratës mos na e votoni dhe mos na e nxirrni më përpara sepse e kemi problem” dhe përgjigjen ata duhet t’ia japin jo ashtu siç predikon SaLike Floriri që ky është vend sovran, ju jeni njerëz të lirë, këtu ka rëndësi se ç’mendon populli, bota, sepse këto janë broçkulla.
Ata përgjigjen duhet t’ia japin duke bërë analizën e thjeshtë, pse janë të djathtë ata, pse ata janë të djathtë? Çfarë i ka bërë ata të djathtë? Ka shumë të djathtë në Fier, ka shumë në Fier votues besnikë, të paepur deri në verbëri të Partisë Demokratike, duke filluar nga ata që janë vendosur këtu kohë më parë e kanë ardhur nga Kosova. Pse janë të djathtë ata? Çfarë i ndau ata me pjesën tjetër që e sheh veten tek e majta? I ndau pikërisht Amerika, i ndau historia e stërgjyshërve dhe gjyshërve të tyre të cilët vendosën të rreshtohen ndryshe, të cilët nuk deshën as komunizmin, as Moskën, as Kremlinin, por donin Amerikën dhe Perëndimin. E pra, nëse për hatër të atyre stërgjyshërve e gjyshërve që u vranë, u masakruan, u burgosën, u syrgjynosën, u internuan, këta që sot janë votues dhe që i thonë vetes të djathtë, votojnë për të djathtën atëherë këta duhet ta bëjnë një bisedë sonte, nesër, pasnesër deri të shtunën në darkë me stërgjyshërit e tyre. Të marrin foton e stërgjyshërve, t’i shikojnë në fotografi dhe tu thonë “Çfarë do bëje ti po të ishe gjallë?” dhe ta harroni se stërgjyshërit e tyre do çoheshin në 14 maj e do shkonin të votonin ndryshe nga çfarë u kërkon miqësisht, si aleatë dhe partnerë, Amerika dhe Perëndimi, SaLike Floririn?
Imagjinoni Mit’hat Frashërin të çohej nga varri dhe të votonte SaLike Floririn. Imagjinojini të gjithë nacionalistët shqiptarë që janë frymëzimi i asaj pjese që i thotë vetes e djathtë, të çoheshin nga varret, të vinin nga bota tjetër e të shkonin tek qendrat e votimit dhe t’i jepnin votën një maske këtu e maskave të tjera të SaLike Floririt që paraqiten me demek si kandidatë për kryetarë bashkie? Kurrën e kurrës! Nuk po them që do votonin ne, nuk po them që do votonin Partinë Socialiste, por po them që kurrën e kurrës nuk do të votonin maskat e atyre të cilëve Amerika dhe Perëndimi i kanë vënë damkën, i kanë vënë atë matrikullën që i vihet deleve që mos ngatërrohet numri. Kurrën e kurrës! Ose do bënin forcën e tyre politike, ose në rast se nuk e kishin forcën e tyre politike, ditën e dielë do rrinin në shtëpi, nuk do dilnin të votonin fare dhe atyre kosovarëve të Fierit ju them: si ka mundësi se ju jeni patriotë, ju jeni nacionalistë, ju keni mbartur kujtimin dhe respektin e të parëve tuaj dhe prandaj dhe gjatë gjithë këtyre viteve s’keni dashur kurrë të konsideroni votën për ne dhe ia keni dhënë votën dikujt që me maskën e një antikomunisti është shfaqur tek ju, pasi shërbeu si një servil, jo si komunistët e ndershëm por si një servil i përulur i Partisë së Punës.
Tani më thoni si mundët ju akoma ta pranoni atë kur Amerika dhe Perëndimi nuk e pranojnë më, por dhe më keq akoma, kur ai bashkë me Liken siç kanë sjellë këtu një kandidat, një maskë, përdorin për maskë në Himarë një shovinist injorant, një dru, një person analfabet funksional, i cili ka rikthyer në Himarë hijet më të zeza të urrejtjes, të dasisë të qarqeve të vdekura të shekullit të kaluar, të cilat synonin helenizimin e Himarës dhe pa pikën e turpit ky dru, ky gdhe e thotë që partitë politike greke do ta mbështesin këtë që të helenizojë Himarën.
Ndërkohë që, Greqia mike, Greqia fqinje më të cilën ne kemi sot marrëdhëniet më të mira, Greqia e cila kërkon me të drejtë që minoritarët grekë në Shqipëri të respektohen njësoj si çdo qytetar shqiptar dhe që shqiptarët dhe grekët me kombësi, por me pasaportë si qytetarët e Republikës së Shqipërisë të jetojnë në harmoni të plotë, gjë që ndodh. Kurrën e kurrës nuk mund të mbështes një platformë që vjen nga skutat më të errëta të historisë dhe që u ka kushtuar jetën patriotëve shqiptarë.
E pra, tani iu them këtyre të djathtëve që kanë ardhur nga Kosova, këtyre të djathtëve që kanë ardhur nga rrugët e përgjakura të persekutimit: si mundeni ju ta pranoni akoma një fytyrë të tillë. Një fytyrë të tillë të diskretituar, një gërdallë nongrata që i jep vulën, vulën e Likes kuptohet se ai s’ka vulë për vete, i jep dhe mbështetjen, shkon dhe e mbështet atje këtë shëmbëlltyrë që vjen nga shekujt e shkuar si një kërcënim për paqen dhe për harmoninë. Ja pra, ky është ai që mbron Kosovën nga unë, këta janë ata që e mbrojnë Kosovën nga unë. Këta janë ata që mbrojnë Kosovën që do ta ndaja unë, këta janë ata që luftojnë me Serbinë me deklarata në facebook dhe të vetmen gjë që kishin në dorë, të vetmen gjë që kishin në dorë ishte që në asnjë mënyrë të mos lejonin që me mbështetjen e tyre, që me autorizimin e tyre atje në Himarë të shfaqej ky dru i shtrembër i së shkuarës, bënë pikërisht këtë.
E fundit që kam me këta të djathtët është: mos e harroni, ka pasur një kohë kur PS dhe PD ishin në konflikt të madh në gjithë Shqipërinë, bënin beteja të renda, por ama atje në Himarë vajtën bashkë, bënë koalicion. Ne nuk kemi nevojë të bëjmë gjëra të tilla sepse ato janë histori të së shkuarës, himarjotët do zgjedhin në mënyrë të lirë. Por ama, kjo është prova më e rënde, më e fortë që kush i thotë vetes i djathtë ta braktisë nongratën. Ta braktisë atë çift të diskredituar, t’i braktisë dy anët e asaj pamjeje të zezë që është faqja e zezë e Shqipërisë dhe t’i çojë aty ku e ka vendin, mbrapa, në të shkuarën. Që të merren me historitë e tyre me drejtësinë por mos të pengojnë as popullin shqiptar dhe të mos pengojnë as atë që është e djathta, që të rilindë, të riorganizohet dhe të bëjë çfarë të dojë. Ky nuk është problemi ynë natyrisht, është problemi i tyre.
Unë nuk e kam këtë për hallin tonë sepse ne jemi shumicë, ne do të jemi përsëri shumicë.
Ne jemi fitimtarë, ne do jemi përsëri fitimtarë. Por kjo ka të bëjë me flamurin kuqezi, ka të bëjë me dinjitetin tonë, ka të bëjë me dinjitetin tonë si popull. Se ditën e diel aleatët, miqtë, partnerët tanë nuk do numërojnë votat e Armandos, as të Majlindës, as të tjerëve, nuk do numërojnë votat e PS.
Ata nuk janë votues të PS, ata nuk janë mbështetës të PS, ata janë mbështetës të Shqipërisë, janë mbështetës të popullit shqiptar, janë mbështetës të shumicës që vendos dhe janë garant të pakicës. Dhe ata ditën e dielë do të numërojnë vetëm votat që shqiptarë të tjerë që i thonë vetes të djathtë do vazhdojnë t’i çojnë në drejtimin më të gabuar të mundshëm, duke e lënduar atë aleancë, duke e lënduar atë miqësi, duke i dhënë një mesazh të pakuptueshëm atyre.
E fundit që kam, këta njerëz, ajo forcë nuk ka asnjë lidhje me bashkitë.
Ata nuk vijnë këtu të rregullojnë problemet e komunitetit.
Ata nuk vijnë këtu me një program që ta pastrojnë më mirë Fierin, që ta ndriçojnë më bukur Fierin, që t’i bëjnë më të mira shkollat, kopshtet, çerdhet që Armando i ka bërë kudo dhe që janë model.
Ata nuk duan që të bëjnë programe sociale më të mira për të moshuarit.
Ata nuk vijnë këtu, harrojeni, as që të trajtojnë më mirë biznesin e vogël kur thonë do ulim taksat. C’taksa do ulin këta lumëdhenj. Taksa e biznesit të vogël është zero, nuk ka taksë fare. Çfarë takse do ulin ata?
Ata vijnë këtu si maska, maska të atyre të dyve që e thonë çdo ditë: në 14 maj thonë do fillojë revolucionin për të përmbysur regjimin. Kanë vite që e bëjnë këtë revolucion, por problemi nuk është tek revolucioni, problemi është tek bashkitë që ata mund të marrin peng. Jo këtu në Fier se këtu s’kanë çfarë marrin fare, por meqë na ndjekin të tërë, tek bashkitë që ata mund të marrin peng sepse i duan bashkitë peng.
I duan që të futen brenda bashkë me çetën e tyre siç kanë bërë gjithmonë dhe pastaj të mbledhin çfarë të mundin, paratë nga bizneset, t’i ndajnë me njeri-tjetrin, siç i kanë ndarë gjithmonë në të shkuarën dhe pjesa tjetër të marrin autobusë dhe të fusin brenda punëtorët e pastrimit, punëtorët e gjelbërimit, punëtorët e ndriçimit. Të fusin brenda punëtorët e elektrikut, ujësjellësit e çfarë te gjejnë përpara që të vijnë në Tiranë dhe të thonë Rama ik. Unë se kam fare problem se çfarë thonë ata në Tiranë se ju e dini mirë sa më shumë thonë ata ik, aq më shumë unë vij. Sa më shumë ata vijnë për të thënë ik, aq më shumë ata ikin po problemi është që nuk kemi kohë për të humbur, nuk kemi asnjë minutë për të humbur ne me këta që kanë humbur rrugën e tyre e do ta marrin dhe gjithë Shqipërinë ku të mundën në rrugën e tyre të humbur.
Ne do ecim vetëm përpara dhe Fieri do t’i prijë siç i ka prirë gjithmonë trenit të gjatë të fitores sonë, trenit të gjatë të fitores sonë nga veriu në jug, nga lindja ne perëndim sepse ne jemi të vetmit që dimë të bëjmë ndryshimin.
Nuk kemi rënë nga qielli, nuk jemi pa të meta, kemi bërë gabime, kemi bëra gjëra për të cilat s’jemi krenarë, por ama ne jemi të vetmit që ia dimë punës.
Ne jemi të vetmit që e shikojmë të ardhmen dhe ne dimë si shkohet tek e ardhmja, prandaj motra dhe vëllezër, ky shi sjell bekim tek të gjitha familjet tuaja, sjell bekim tek të gjitha familjet e gjithë qarkut të Fierit qofshin të majtë e qofshin të djathtë.
Dhe dua tua them, por dua pak qetësi. Ju hengsha zemrën, ju hengsha, socialistëve te Fierit dhe të gjithë Shqipërisë!
Shumë faleminderit dhe fitore!