Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin elektoral të zhvilluar në Kavajë
Shumë faleminderit të gjithëve! Është gjithmonë kënaqësi e veçantë kur vij në Kavajë dhe sot dua t’ju kujtoj që këtu ku jemi ne, kur ne kemi ardhur në fillim në Kavajës ishte një rrugë, këto pemë të bukura nuk ishin, ky bulevard i shtruar me gurë nuk ishte. Të gjithë këto shtëpi ishin, por ishin shëmbëlltyra e rrënimit dhe kjo ishte pamja dhe gjendja e rrugës kryesore të Kavajës, pjesa tjetër ishte një tmerr që vinte vërdallë atyre dy gishtave. Ju kujtohen ato dy gishtat! Ato dy gishta ishin si një sfurk që e kishte marrë Kavajën peng për shumë vite. Ato dy gishta ishin si një trekëmbësh ku ishin varur të gjitha shpresat, ëndrrat, nevojat e të gjithë kavajasve për të cilët askush nuk kishte asnjë përgjigje dhe politika vinte në Kavajë vetëm me dy gishta për të bërtitur fitore, për të marrë votat dhe për tu zhdukur prapë deri në zgjedhjet e tjera.
Ndërkohë që kur unë kam ardhur në Kavajë herën e parë si kryetar i Partisë Socialiste ka qenë realisht një situatë e tensionuar dhe me shumë vështirësi arritëm të hyjmë në sallë për të bërë një mbledhje ku kishte më shumë karrige bosh se kishte njerëz që ishin ulur në karrige sepse Kavaja ishte marrë peng, ishte kthyer në pengun e pikërisht atyre të cilët i ngriti lart, i mbështeti fort, i dha të gjithë besimin symbyllur dhe prej të cilit priti kot vite e vite. Në Kavajë dielli ka filluar të buzëqeshë përsëri kur populli i Kavajës vendosi të provonte në drejtim Partinë Socialiste. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë e dinë të gjithë! Këtë të vërtetë e dinë patjetër socialistët, që sot ndryshe nga atëherë së bashku me të gjithë simpatizantët e PS, me gjithë mbështetësit e kandidatëve tanë që nuk janë vetëm socialistë, por janë edhe demokratë që tanimë prej vitesh kanë ndërruar drejtimin bëhen në këtë qytet kur mblidhen shumë më tepër sesa ata që dikur mblidhnin qytetin.
Kavaja kishte një nga bashkitë me tragjedinë më të madhe sipas meje të kthimit të besimit në zhgënjim, në një zhgënjim aq të madh, aq të thellë, aq të rëndë saqë njerëzit këtu nuk donin t’ia pranonin as vetes sepse iu vinte zor. Iu vinte zor sesi mund të ishte i vërtetë zhgënjimi kur ata kishin bërë gjithçka, për ata që sot kthehen prapë në Kavajë dhe duan ta marrin Kavajën prapë mbrapa, tani jo në emër të lirisë dhe demokracisë, por në emër të luftës së tyre me drejtësinë dhe të halleve të tyre me gjithë botën. Kjo është e vërteta e thjeshtë e këtyre zgjedhjeve!
Në këto zgjedhje jemi për arsye krejt të ndryshme. Ne jemi në këto zgjedhje për të respektuar detyrimin ndaj popullit në çdo bashki, për të dhënë llogari për ato që kemi bërë dhe për të thënë çfarë do bëjmë dhe për të arsyetuar pse kandidatët që ne mbështesim janë ata që i duhen çdo komuniteti, ndërkohë që ata janë në këto zgjedhje me maska. Unë nuk e di fare kush është kandidati i tyre në Kavajë, por të jeni të sigurt që nuk është ai. Nuk është ai që thotë, nuk është ai që dini ju. Është një maskë e atyre të dyve dhe për turpin e tij, për turpin e familjes së tij, për turpin e gjithë rrethit të tij shoqëror ia ka dhënë fytyrën për maskë dy njerëzve të cilët janë sot turpi i Shqipërisë dhe nuk janë turpi i Shqipërisë se e them unë. Unë kam bërë shumë beteja me sidomos atë gërdallën e madhe, por nuk i kam thënë ndonjëherë turpi i Shqipërisë. Sot e them këtë fjalë sepse nuk jam unë që e kam përcaktuar, por e përcakton si turpin e Shqipërisë damka që i kanë vënë në lule të ballit aleatët dhe partnerët tanë më të mëdhenj.
Kur të rinjtë dhe të rejat e Kavajës dolën me një guxim të madh nga të parët fare në shesh kundër komunizmit, ajo që ishte shtysa e tyre kryesore dhe që ishte shtysa kryesore e të gjithë të rinjve të Shqipërisë, ishte ndarja e Shqipërisë dhe atdheut të tyre me komunizmin dhe që të ndahej me komunizmin, Shqipëria duhej të bashkohej me perëndimin dhe Amerika, Europa ishin udhëzuesit shpirtërorë të gjithë atyre ëndrrave, të gjithë atyre shpresave që nxorën të rinjtë në rrugë. Amerika ishte flamuri i parë i asaj që mori emrin PD dhe Amerika u bë aleati ynë kryesor, bashkë me Europën patjetër nuk diskutohet, por po rri te Amerika sepse sot ndarja nuk është midis PS dhe PD apo si t’i quajmë se tani nuk dihet më kush është PD, por është midis të ardhmes e cila për Shqipërinë është e përcaktuar si një rrugëtim krah për krah me aleatët dhe me partnerët e vetë që janë SHBA dhe BE dhe të shkuarës që është e përcaktuar jo nga unë më, jo nga ne më, por është e përcaktuar nga fakti që pikërisht aleatët tanë të mëdhenj të cilët na besojnë, na mbështesin dhe me mbështetjen e të cilëve ne kemi bërë hapa të atillë që e kemi ngritur Shqipërinë aty ku s’ka qenë në arenën ndërkombëtare, që do të thotë kur respektohet siç nuk është respektuar kurrë, janë detyruar ta bëjnë me shkrim, me zë dhe ta përsërisin me zë dhe me figurë për të gjithë ne, dhe natyrisht jo për ne që jemi këtu, por për ata që duhet t’a dëgjojnë këtë gjë, që o popull shqiptar, shqiptarë dhe shqiptare, ju duam jashtëzakonisht shumë, ju kemi miq, ju kemi aleatë, duam t’ju kemi gjithmonë me vete, duam t’ju mbështesim të ngriheni lart e më lart, por kini parasysh që këtë tipin nuk duam ta shohim me sy, na e hiqni nga sytë. Kjo është ajo që thotë aleati ynë më i madh.
E thotë dhe Mbretëria e Bashkuar, europianët nuk e thonë sepse nuk e kanë atë mekanizëm, por siç është dera e mbyllur në Amerikë e në Mbretërinë e Madhe, është dera e mbyllur edhe në Europë, pa diskutim sepse jemi një komunitet vendesh dhe shtetesh dhe nuk mund të ketë në një komunitet vendesh dhe shtetesh, një individ, që të jetë i padëshirueshëm për njërin dhe të jetë i dëshirueshëm për të tjerët. Kjo nuk ekziston. Tani ky është një problem i madh sepse ata nuk do numërojnë votat e Partisë Socialiste ditën e dielë. Nuk u intereson Partia Socialiste. Nuk u intereson as Redi, as Edi. Partia Socialiste do marrë ato vota që do marrë, Redi do marrë ato që do marrë, të tjerët do marrin ça do marrin, ata do numërojnë votat që do marrë non grata për të kuptuar sa shqiptarë akoma nuk e kanë kuptuar, dhe si dreqin akoma këta shqiptarët nuk e kuptojnë që kjo nuk është një çështje personale, kjo është një çështje shumë më e thellë se sa çështja e një shteti gjigand me një individ që në vetvete është një kokrrizë rëre në oqean, por që përfaqëson faktikisht dhe fatkeqësisht një individ që ka qenë një i gjithëpushtetshëm në Shqipëri dhe që ka dhënë të gjitha provat për t’u bërë i padëshirueshëm.
Tani, atyre në Kavajë që vazhdojnë të ecin nëpër inerci në shtegun e së djathtës, që kjo është temë tjetër se ça është e djathta dhe që për shkak se kanë këtë inerci mendojnë që s’ka ndonjë problem tani, “këtu jemi, s’kemi ça bëjmë edhe do fitojmë bashkë me Liken”, ju them që ky nuk është interesi kombëtar, ky nuk është interesi i vendit, por përveçse nuk është interesi kombëtar dhe nuk është interesi i vendit, nuk diskutohet nuk është as interesi i opozitës sepse opozita kështu ngelet peng dhe duke ngelur opozita peng, nuk ka asnjë shans që të hapë qoftë edhe një derë përveç derës së SHQUP-it, por kjo bie ndesh edhe me të gjitha arsyet për të cilat këta dolën kundër komunizmit, kjo bie ndesh dhe për të gjitha arsyet pse familjet e tyre kishin një prejardhje që i vendoste kundër komunizmit, me njerëz të pushkatuar, me njerëz të burgosur, njerëz të syrgjynosur, me njerëz të persekutuar sepse arsyeja pse ata u goditën pa mëshirë nga komunizmi, ishte Amerika. Ata për Amerikën e për perëndimin u goditën, sepse nuk donin Moskën e nuk donin Kremlinin.
Tani ata një pjesë e madh e tyre nuk jetojnë më. Ju mendoni që nëqoftëse ata do të ishin gjallë dhe do t’i këshillonin nipërit e tyre, do i thoshin që “shko të keqen gjyshi, voto për Like Floririn”? Apo do i thoshin, “s’ka gjë të keqen xhaja, Amerika aty është. Punë e madhe fort se s’po na e do këtë gërdallën tonë, ne me këtë jemi”. Nuk ka shans!
Nuk ka asnjë shans dhe po të zbresim nën këtë, nga interesi kombëtar, nga nevoja e Shqipërisë për të folur në një zë në këtë pikë, jo për tu bërë me Partinë Socialiste. Unë nuk i them tyre që thonë ‘’kurrë nuk bëhem me socialistët”, që të vijnë të bëhen me ne . As i them, madje fare, që hajde votoni për ne Unë i them atyre, mos e ndyni dorën dhe mos e ndyni kujtimin e të parëve tuaj që vuajtën dhe ikën nga kjo botë me plagët e komunizmit, duke shkuar aty dhe duke shënuar kryqin e vullnetit tuaj tek Likja. Këtë u them unë atyre. Te Likja që nuk është Likja, që është SaLikja me demek, për këtë këtu që nuk e di si e ka emrin, por që është vetëm maska e tyre.
S’keni pse e bëni këtë punë. Ditë e dielë është, futjani gjumit. Futjani gjumit siç ia fusnit kur kishit Lulin edhe rrini rehat. S’keni pse dilni fare nëqoftëse nuk ua bën fare zemra dhe mendja që këtu në fakt dhe vij tek niveli tjetër. Tek interesi këtu në bashki, votohet për të vendosur kë do marrë Kavaja në punë për 4 vjet që t’i bëjë pastrimin, gjelbërimin, ndriçimin, kanalizimet, shkollat, kopshtet, çerdhet e të gjitha.
Tani, këtë ne e kemi me provë. Nuk di unë se çfarë të them më. Ne e kemi me provë dhe ju e dini shumë mirë që në një moment midis këtyre viteve prap u kthye Kavaja mbrapsht. U kthye mbrapsht me një Sake, Sake.
Sakja çfarë bëri këtu në Kavajë? Se unë nuk di. Ju dini gjë ça bëri në Kavajë Sakja, përveçse dolën prapë plehrat edhe rrinin kazanët, se ata e kanë zakon. Ata po morën bashkinë një herë, i lënë kazanët të lirë. Liri, demokraci, hidhi plehrat ku të duash se i mban kazani dhe kur nuk i mban, mbulohet kazani nga plehrat e pastaj shohim e bëjmë. Këtë e kanë, vijnë bashkë me plehrat.
Përveç kësaj, Sakja ka bërë disa gropa në plazh, gropën e fundit që doli tani vonë e ka bërë duke dhënë leje, jo Sakja vetë, por Sekretari i Këshillit, me një fjalë, e kthyen atë kohë, se ka qenë një kohë kur këta lejet e ndërtimit i jepnin me vula që i mbanin me vete dhe i lidhnim me ato karikuesit e vjetër të telefonit dhe i mbanin në xhep. Ka qenë dhe një këtej nga Rrushbulli. Cen e kishte ai.
Ceni shkonte në kafe “Hë çfarë do?”
-“Dua një pallat”.
-Sa kate e do?
-Po nja 10 kate.
-Po ku e ke?
-Ja këtu tek kodra.
-Po shumë e paske.
-Po merr dhe ti çfarë ke për të marrë dhe nxirrte Ceni vulën.
Nuk është barcaletë, është e vërtetë. Kam parë një leje që ja kishin dhënë këta demokratët, – Nuk është barcaletë se këtë nuk e sajon dot, – një leje ndërtimi, ai e kishte dokumentin në qese dhe ky ja kishte vendosur vulën sipër qeses dhe ai shkonte gjithandej me qese dhe po t’ia hiqje nga qesja nuk kishte vulë.
Sakja është fiks ky dhe deshi të bënte një pallat të madh këtu, nuk e di çfarë bëri në fund, tek lulishtja përballë, Çfarë t’i bënim ne?
Më erdhi mua fjala më thanë që po e bën. Po mirë – thashë, – kështu është kur shkon pas dy gishtave, shkon pas dy gishtave, ti kujton se mbarove punë e fitove, ti ik përpara e dy gishtat vijnë mbrapa dhe nuk të ndahen më, si sfurku që të ngre lart. Se ashtu ishin atje.
Kështu që, unë nuk e di cfarë të them për këtë punë. Të shkosh të votosh Saken, do thoni ju nuk është Sakja është një tjetër, pse kujtoni se është më i mirë ky apo kujtoni se është ndryshe?
Se ku i gjejnë, – se po t’i shohësh këta, nuk ka mundësi se ne një popull jemi, siç kemi ne njerëz të zotë kanë dhe ata njerëz të zotë. Po si nuk nxorën një njeri të tillë?
Se thonë “Këta i kemi ne” se e keqja e këtyre që thonë jemi të djathtë, sado te zotë të jenë, sado të mençur të jenë, sado punëtorë të jenë, kur vjen puna tek e djathta “Jo, me komunistët nuk bëhen” kanë një bllokim këtu në kokë, por janë perfektë si njerëz mirëpo nuk i vjen radha atyre seç marrin këta Cen Saket e këta.
Tek ky nivel unë mendoj që Redi është shalqi me provë kurse ata janë mos e pyet, gjejeni vet cfarë lloji, jo frut, por cfarë lloj perimesh janë.
Redi nuk është i rënë nga qielli, Redi nuk është pa të meta, nuk diskutohet, por ama është njeri që i ka ndenjur punës mbi kokë. Ne, faktikisht, kur kemi ardhur këtu ato ditët pas tërmetit tek zona, aty njerëzit ishin të gjithë të llahtarisur, aty humbën dallimet, nuk kishte të majtë e të djathtë. Si të majtët, si të djathtët qiellin kishin mbi kokë, nuk kishin as çati, as shkallë me u zënë e as shesh për t’u përlarë; të gjithë ishin në një fatkeqësi, në një hall të madh dhe ne nuk i ndamë “Shih tani se erdhi dita që ju të djathtët ta shihni që meqë na keni nxirë jetën dhe nuk na keni dhënë votën, prisni se do fusim në shtëpi të djathtët”.
Ne nuk i ndamë, punuam për të gjithë njësoj dhe keni parë që në Tiranë sidomos çelësi i parë i binte gjithmonë atyre dhe këta tanët thonin “Po mirë, edhe për tërmet për këta punoni? Nuk bëhen këta, nuk do vijnë ndonjëherë të votojnë për ju. Pse ja jepni çelësin të parin”. I binte, cfarë t’i bësh se atyre i bie mirë, se ata sherr bëjnë me ne, pasi rrihen në zgjedhje ne punojmë për ata.
Por, në këto zgjedhje është shumë e rëndësishme t’i keni parasysh të dyja këto dhe nuk e kam me ju se ju në rregull jeni përderisa keni ardhur këtu dhe akoma po më dëgjoni mua, habitem si po më dëgjoni akoma, por e kam me ata që mendojnë mbrapsht, dhe ju them: Është një moment për të menduar për të mos e turpëruar këtë vend, Shqipërinë dhe Kavajën.
Pa atë gërdallën që vjen vërdallë, bën Kavaja, bën Shqipëria, bën dhe partia, bën dhe shoqëria, dashuria po e po, bën edhe pa ne madje, se pa atë po e po, por bën pa mua, bën pa Lalin, bën pa Redin, por pa Amerikën dhe pa Europën, cfarë bën Shqipëria?
Do thoni ju “Pse, do prishen ata me ne për këtë?” Jo, nuk është puna se ata do prishen me ne se nuk kanë nevojë të prishen me ne, por ata ftohen me ne dhe atëherë kush fiton këtu në këtë mes?
Prandaj, është shumë e rëndësishme të mendohet dhe kjo dhe ajo e përditshmja këtu se dakord Amerika është atje, por plehrat këtu kush do i pastrojë? Do i pastrojë bashkia. Po kush do bëjë kujdes që të mos hapen gropa të tjera në rërë e të mos shkatërrohet komplet bregdeti sic e ka bërë Sakja me Cenin, Cen Gashin.
Kur shkonim për Tiranë, të gjithë ato pallate që keni mbi ullinj janë të Cen Gashit, ai i ka bërë, nga ai i kemi peshqesh. Unë kur kaloj që shkoj ndonjëherë rri kështu në makinë se më duhet sikur do bien nga kodrat.
Nuk di çfarë të them më shumë, mund ta zgjas se është pamje shumë e bukur. Ne kemi bërë disa takime këtu, por kemi qenë këtu dhe kemi parë këtej. Të shohësh nga të katërta anët është tregues i mirë, është në të mirën e të gjithëve.
Jua përsëris, nuk është çështja se ne duam me se s’bën që të fitojmë të gjitha bashkitë. Problemi është se është shumë e rëndësishme që në të gjitha bashkitë nongrata të marrë një përgjigje të qartë që nuk bën njeri për budalla se goxha burrë 80 e ca vjeç na turpëroi edhe duke marrë nëpër gojë dynjanë. Ky është turp i madh.
Përveç këtij mesazhi, atë Like floririn e kam merak shumë. E kam merak sepse ju e dini shumë mirë se çfarë kam hequr unë bashkë me të tjerët, kuptohet, për ta sjellë në rrugë të mbarë. Ta bësh tjetrin kryetar parlamenti, ta bësh dhe president për ta hequr nga zullumi e sa lë presidencën shkon futet me kokë në zullum prap, unë atë kam parë, por mjaft tani. Duhet thënë, Like, Salike vazhdoni sepse do shkojmë vetëm përpara. Ne nuk kemi kohë për këto punë.
Shumë faleminderit dhe ja ‘’hëngsha zemrën’’ kësaj Kavaje!