Shkodër, Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në takimin për prezantimin e skuadrës së PS

Shumë faleminderit, Benet dhe kënaqësi që shikohemi përsëri, këtë herë të gjithë së bashku në Shkodër, ku ma ha mendja, ashtu edhe si në qarqet e tjera, kemi arritur falë punës së kujdesshme që ka bërë drejtuesi politik së bashku me strukturat dhe me aktorë të tjerë shoqërorë këtu në Shkodër, të formësojmë një skuadër që është shumë përfaqësuese, që mbulon praktikisht të gjitha ndjeshmëritë dhe njëkohësisht dhe kategoritë dhe që ju flet të gjithëve, pavarësisht moshës, pavarësisht gjinisë dhe prejardhjes, pasi kushdo që jeton në Shkodër apo mund të jetojë jashtë, por është i lidhur me Shkodrën, flas me të gjithë qarkun, e ka mundësinë që në këtë skuadër të gjejë atë që kërkon dhe kjo është shumë, shumë avantazh i madh për ne, krahasimisht me ata që kemi përballë, ose më saktë ata që kemi prapa se ne përballë kemi vetëm horizontin e BE dhe s’kemi kundërshtarë përballë, por i kemi prapa, dhe prandaj dëgjojmë në mënyrë të vazhdueshme edhe dëgjojmë në mënyrë të vazhdueshme klithma, britma edhe sharje dhe mallkime dhe lehje.
Dua të them diçka qysh në fillim se nuk kam pasur mundësi të flas as me Marjanën, po më ka rënë në sy bullizimi që i bënë disa burime të caktuara edhe personazhe groteskë, nën petkun e analistëve, komentatorëve a deri dhe intelektualëve që kanë kurajën ta quajnë veten, duke e ekspozuar si një simbol të një banaliteti të së shkuarës dhe me thënë të drejtën, unë e di shumë mirë që Marjana është e fortë dhe nuk i bëjnë përshtypje këto, madje është aq kokëfortë, sa do jetë problem më vete po kjo është histori tjetër, po arsyeja pse unë e solla këtu këtë shembull, është se dua të kthej një përgjigje për ata njerëz që nuk e kanë idenë fare se kush është Marjana, që nisen thjesht nga fakti që është një malësore; nuk kuptojnë fare, hiç, zero, provokimin e fotografisë me kecin. Nuk e kuptojnë fare provokimin me kec që është një sipas meje, imazh jashtëzakonisht i bukur dhe mbi të gjitha harrojnë të pyesin se nga vjen Marjana dhe ç’ka bërë Marjana në jetë. Nuk është një vajze me qengja dhe me keca që u mor për thjesht panoramën ose fasadën, por është një personalitet në kuptimin e vërtetë të fjalës për moshën që ka, është një personalitet i vetëkrijuar me shumë mund, me shumë sakrifica, me shumë ambicie, me shumë kokëfortësi dhe përmes jashtëzakonisht shumë peripecish.
Jam i bindur që nuk e kanë idenë për shembull, që Marjana ka studiuar shkenca politike jashtë shtetit; që ka pasur një trajektore jashtëzakonisht të veçantë për të ardhur deri këtu dhe që politikën e ka pasur ambicie shumë kohë më parë. Unë kam folur me Marjanën, e kam njohur përpara kur e kam marrë në podkast dhe më ka thënë që “kam pasur gjithmonë dëshirë që të merrem me politikë po kur të vijë dita” dhe mbi të gjitha është një njeri që vjen nga puna. Nga puna dhe nga suksesi, aty ku të tjerët 99% do ishin dorëzuar në mes të asgjëkundit, atje ku i ka qëlluar të ketë vendlindjen dhe shtëpinë dhe ku ka ngritur një destinacion turistik, që siç tha Beneti, është bërë i njohur ndërkombëtarisht.
Tani, arsyeja pse Marjana vjen në politikë është diçka që ajo mund ta shpjegojë vetë, por arsyeja pse ne e kemi pranuar aplikimin e saj, është sepse ne besojmë që ajo do të jetë një vlerë e shtuar për Shkodrën, për qarkun e Shkodrës, për sektorin e turizmit, për sektorin e bujqësisë dhe për të gjithë ato problematika që lidhen me Shqipërinë rurale. Dhe do jetë një vlerë e shtuar si dikush që ka studiuar shkenca politike, edhe si dikush që ka prodhuar me duart e veta nga toka dhe që ka parë të dy anët e medaljes: ka parë dhe varfërinë, ka parë edhe suksesin, ka parë dhe bashkëfshatarët e vet, por ka parë dhe turistë nga e gjithë bota në derën e vet. Kjo ishte diçka që e kisha të nevojshme t’ua thoja dhe është e kotë t’ju them atyre që kanë prodhuar gjithë atë pocaqi që duhet t’u vijë turp, se ata s’kanë turp, s’kanë lidhje me turpin dhe thjeshtë dhe vetëm për të gjithë të tjerët, mendoj se Marjana e meritonte këtë shpjegim nga ana ime. Jo për të, fare, po për filozofinë dhe qasjen e kësaj skuadre që ne kemi ndërtuar në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë.
Ne faktikisht kemi bërë atë që asnjë parti politike nuk e ka bërë dhe nuk e bën dot. Kemi bërë një transfuzion shumë domethënës të gjakut në Partisë Socialiste, kemi hedhur bazat me këtë skuadër të Partisë Socialiste 2030 për dekadën tjetër dhe për gjeneratën tjetër dhe këtu në këtë skuadër, edhe këtu dhe në gjithë qarqet janë edhe ata, të cilët me siguri do të jenë pjesë e asaj stafete që do të kalojë në duart e një gjenerate tjetër ashtu sikundër, këtu janë dhe të tjerë që janë pjesë e gjeneratës së re, por që janë tanimë, siç është Edona apo të tjerë që janë dhe në nivelin vendor këtu. Kështu që, unë besoj shumë që ajo që ne filluam me Benetin që rezultoi një histori suksesi, duke i dhënë Shkodrës mundësinë të zgjedhë një personalitet, po të doni shumëngjyrësh, po të doni pa ngjyrë përtej llogorove partiake, është sot edhe në këtë skuadër, ku siç tha Beneti, ka njerëz që vijnë nga një rrugë e gjatë me partinë Socialiste, ka njerëz që vijnë nga një rrugë e nisur me PD , ka njerëz që vijnë nga territori, ka njerëz që vijnë nga emigracioni, ka njerëz që vijnë nga eksperiencat e ndryshme, por edhe që vijën nga ëndrrat dhe pasionet, deri tek më të rinjtë fare të Shkodrës që janë edhe ata të përfaqësuar këtu.
Ne duam që të vazhdojmë të bëjmë shumë për Shkodrën. Shkodra është lënë mbrapa dhe prandaj po bëj një fjalë, jo si në vendet e tjera sepse këtu ka një specifikë, Shkodra është vendi më i lënë mbrapa nga të gjithë të tjerët në Republikën e Shqipërisë dhe këtu jemi në një betejë të përditshme, me një prapambetje të madhe, por populli i Shkodrës e shikon ndryshimin dhe ne kemi ndryshuar Malësinë e Madhe, ne kemi ndryshuar Pukën, kemi ndërhyrë në Fushë Arrëz, kemi ndërhyrë në Vaun e Dejës ku dhe aty ka nevojë akoma, por ama, duke vendosur Shkodrën në qendër të gravitetit, të gjitha këto të tjerat do të fitojnë shumë më tepër sepse tani kemi në dorë të bëjmë zhvillim të integruar duke vazhduar ta mbështesim fuqishëm Shkodrën që me projektet madhore të qeverisë deri tek hekurudha Durrës-Prishtinë që do të cekë pikërisht Shkodrën si një domosdoshmëri në të gjitha kuptimet, pra një projekt shumë i madh që është në proces dhe deri tek projektet e vogla në dukje, por shumë domethënëse.
Kur erdha për këtu, për herë të parë pashë liqenin nga rruga. Futeshe në Shkodër sikur futeshe në një xhep fallco, siç ka qenë hyrja e Vlorës dikur, ishte një parullë lecke “Welcome to Vlora” një leckë me bojë dhe ti në fakt futeshe mes një karburanti dhe një rrëpire dhe nuk kishte as Vlorë, as det, as dritë, asgjë, një gropë.
Edhe këtu sikur futeshe tek Lana në Tiranë në vitin 2000, ekzakt vetëm se në vend të Lanës, ujit, është rruga. Këtej godina, këtej godina, në mes. Tani është hapur liqeni dhe aty ai projekt do jetë një projekt që do të transformojë komplet imazhin e Shkodrës për këdo që do të hyjë në Shkodër dhe do t’i japë shumë energji pozitive dhe shumë krenari edhe vetë atyre që banojnë kur të hyjnë e të dalin nga ky qytet që e ka bekuar Zoti si asnjë qytet tjetër të Shqipërisë me të gjitha llojet e gjërave. Çdo gjë që natyra mund të ofrojë dhe mund të ketë si larmi, Shkodra e ka.
Kështu që, na duhet mbështetje, shumë e thjeshtë, na duhet mbështetja e popullit të Shkodrës, na duhet mbështetja e socialistëve dhe demokratëve të Shkodrës, që janë kthyer prapë tek disa personazhe. Unë nuk e kuptoj dot si mund të insistohet në të njëjtin budallallëk, është habi shumë e madhe, disa personazhe që të vjen zor t’i përmendësh edhe emrin që i kanë vënë atje në listën e kënetës, kënetë e vërtetë.
Nëse ka pasur dhe ka akoma një vend që e tregon vetë vendi se çfarë është këneta, ka qenë Shkodra deri para se Beneti të vinte këtu dhe nëse ka një kartvizitë, këneta është lista e deputetëve të Shkodrës, përjashto vetëm një person për të cilin unë kam respekt, që është ajo zonja që është në parlament. Të gjithë të tjerët janë personazhe qesharakë, groteskë, nuk kanë lidhje fare me çfarë i duhet Shkodrës, çfarë i duhet Shqipërisë, çfarë i duhet të gjitha shtresave dhe kategorive, njerëz kot pa lidhje.
Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që gjithsesi të gjithë ju, ashtu si të gjithë deputetët e Partisë Socialiste të jenë të fokusuar tek kryefjala e kësaj fushate dhe kryefjala e 11 majit që është Shqipëria në Bashkimin Europian, me Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Edhe në nivelin e qeverisjes vendore dhe të mundësive për pushtetin vendor, gjërat do të ndryshojnë katërcipërisht sepse praktikisht, me anëtarësimin në Bashkimin Europian, Shqipëria nuk do ketë një buxhet, do ketë dy buxhete siç ka ndodhur me të gjitha vendet që janë futur në Bashkimin Europian; njëri buxhet nga taksat e atyre që banojnë dhe punojnë në Shqipëri dhe një buxhet nga familja e përbashkët europiane, i cili është shumë domethënës për ne.
Ka qenë jashtëzakonisht domethënës për të gjitha vendet që kanë hyrë në Bashkimin Europian. Falë atij buxheti ekstra, ata kanë bërë atë kapërcimin historik nga vende të mbetura mbrapa në shumë aspekte ish- komuniste në vende europiane, shtete të Bashkimit Europian dhe shembulli më i thjeshtë është që në të gjithë këto vite ne kemi marrë mbështetje nga Bashkimi Europian diçka më shumë se 1 miliardë euro. Me hyrjen në Bashkimin Europian, çdo vit ne do të marrim 1 miliardë euro, domethënë praktikisht është një dhjetëfishim.
Bujqësia, ne, në gjithë këto vite kemi marrë nga Bashkimi Europian më pak se 200 milionë euro mbështetje, në total, shumë më pak se 200 milionë euro.
Me hyrjen në Bashkimin Europian do të marrim 300 milionë euro në vit që do t’i shkojnë fshatit drejtpërdrejtë dhe të tjera që nuk po i marr me radhë se janë shumë përfitime dhe në momentin kur je përpara kësaj mundësie, çfarë diskutimi është për kë të votoj dhe pse çdo lloj devijimi i votës në një drejtim tjetër këtë mundësi e vë në rrezik? Sepse ne jemi duke e negociuar anëtarësimin.
Tani ne jemi këtu duke folur për këtë punën tonë, në Tiranë janë 1000 persona që janë nëpër zyra që punojnë me negociatat çdo ditë, çdo ditë e çdo ditë dhe bëhet fjalë për qindra mijëra faqe punë, ligje, vendime, rregulla që duhen transferuar në organizmin tonë legjislativ dhe rregullator, qindra mijëra faqe.
Kjo do të thotë që nuk ka asnjë minutë për të humbur dhe afati i dakordësuar me ta është fundi i 2027. Ne i kemi nisur negociatat vjet dhe në fund të 2027 na është hapur kjo derë që t’i mbyllim dhe të futemi në Bashkimin Europian, bashkë me Malin e Zi. Mali i Zi i ka nisur në 2012. Vetëm kaq mjafton për të kuptuar që është një mundësi e artë që na është krijuar tani për arsye, jo vetëm tonat që ne kemi bërë detyrat, por për arsye të gjeopolitikës dhe të situatës së përgjithshme ku Bashkimi Europian kërkon të shtojë radhët e veta dhe do t’i japë një mesazh botës që “Ne po zgjerohemi dhe po rritemi në numër” dhe do të unifikojë gjithë perimetrin e Europës në kufij me Rusinë sepse përndryshe jemi të kërcënuar.
Dje komentova një publikim të bërë, anketimi që ka filluar në 1983 i gjithë popujve të Bashkimit Europian lidhur me sa e mbështesin Bashkimin Europian ka nxjerrë një rezultat shokues. Bashkimi Europian sot, si organizim në gjithë 27 vendet ka mbështetjen më të madhe që ka pasur që nga 1983, mbështetje që i ra shumë në vitet paraardhëse. Pse e ka mbështetjen? Sepse popujt e Europes e kanë ndjerë që duhet të bashkohen, të bëhen bashkë, të garantojnë perimetrin sepse këtu nuk bëhet më fjalë “se kjo ashtu, se kjo kështu”, këtu bëhet fjalë për ekzistencën dhe bëhet fjalë për të mbrojtur sovranitetin, për të mbrojtur lirinë, për të mbrojtur të gjithë ato që janë fituar nga kërcënime të ndryshme dhe nga lufta. Tani çfarë do diskutojmë ne këtu në 11 maj? Në momentin që ka një luhatje dhe luhatjen unë nuk e shoh si një kalim i shumicës nga një anë në tjetrën se kjo nuk ndodh, por ka një luhatje në aspektin e çfarë shumice del. Del një shumicë si kjo që kemi, del një shumicë edhe më e vogël se kjo, pra del 71, del 74, çfarë del? Apo del një shumicë që i thotë Brukselit dhe i thotë 27 vendeve “ne populli shqiptar duam urgjent të hyjmë në BE dhe prandaj e mbështesim këtë forcë politike, pavarësisht se nuk jemi të gjithë në këtw forcë politike, siç shqiptarët mbështeten PD në ’92 kur i dhanë fund ndarjes me historinë e së shkuarës dhe hapën një kapitull të ri. Nuk ishin të gjithë anëtarë apo simpatizantë të PD, por ishte PD e vetmja gjë e mundshme në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, sot është koha e duhur, 11maj. Ky është vendi i duhur. Të jesh në qendrën e votimit dhe patjetër që adresa e duhur është vetëm PS, çdo gjë tjetër është një budallallëk.
Ku do ta çosh votën, ku? Për marrëzitë që fliten? “Parti të reja”, parti të reja sot dhe unë po jua u them statistikisht është Partia Socialiste. Se me erdhi për të qeshur kur pashë që këto të rejat kishin nga 17 personazhe që i prekte dekriminalizimi.
Nuk diskutohet që s’ka më asnjë akuzë për të bërë sepse unë e di sesi mund të ndodhi, nuk kam pasur dijeni, por kane dalë rrugëve kanë kërkuar njerëz. Merr babën, merr xhajën, merr vëllai pastaj kë do kapin dhe ndonjë tjetër për të mbushur listën. Edhe çfarë do i japësh atyre? Punë e tyre xhanëm, të bëjnë çfarë të duan, të hanë kokat me njeri-tjetrin nga ajo anë. Unë këtu e kam për ata që janë mendjehapur, por pavarësisht se mund të mos jenë mbështetës të PS dhe nuk iu them “hajde bëhuni mbështetës, hajde bëhuni socialiste”. Ju them votoni në 11 maj që ne të jemi bllok dhe t’i themi BE: Po vijmë. Dhe në 12, në 13 maj kur këtu të numërohen votat, ata 1000 vetë që merren me negociata të vazhdojnë punën dhe të mos rrinë të shohin televizor, prit sesi po del Shkodra. Nuk duhet të ndodhë, shumë e thjeshte. Përndryshe vështirësohen gjërat dhe s’kemi pse vështirësojmë një mundësi historike.
Kjo është pak a shumë ajo që unë doja të theksoja.
Natyrisht që deri në 11 maj do jenë të gjitha mundësitë për të folur për të gjitha gjërat e tjera. Nesër ne kemi shpalosjen e Shqipërisë 2030 bashkë me gjithë grupin e deputeteve për ti dhënë një perspektive me piketat kryesore natyrisht se ndryshe nga të tjerët që bëjnë programe elektorale ne kemi një program që për çdo fushë, kemi një mal me strategji, me plan, me të gjitha, kështu që është shumë masiv programi ynë, është program qeverisës. Ne qeverisim, nuk jemi: hajde të kapim ndonjë gjë se s’kemi gjë në dorë dhe s’do na vijë gjë në dorë dhe po i themi do i bëjmë pensionet 500 euro dhe do bëjmë naftën 5 cent. Këto i thotë kush s’ka gjë në dorë, ja fut kot dhe pastaj as nuk do ta provosh dot që e bënte apo se bënte se s’do fitojë dot, s’do ketë mundësinë ta tregojë kështu që punë e madhe fort. Se e kam treguar dhe në vend tjetër dhe këta më kujtojnë ezkaktësisht kur në një ngushëllim me Fatos Nanon, ishte kryeministër kur i thotë njeri “zoti kryeministër, s’keni gjë në vijë po nuk zgjidhët përfundimisht problemin e pronës. E drejtë i thotë Fatosi por i thotë ke ndonjë ide ti. E thjeshtë, thotë, merrjani të gjithëve dhe jepjani atyre që e kanë pasur pronarët e vjetër, të ndahet ky muhabet. I tha Fatosi kjo është shumë vizionare, shumë e guximshme, por këtë duhet ta zgjidhesh me Sabriun që s’ka gjë në dorë. E kishte fjalën për të ndjerin Sabri Godo.
Me një fjalë 100% të gjitha se Sabriu i shkreti qëndroi në krye të Partisë Republikane nuk di sa mandate fitoi me këtë teori, por pastaj iku në botën tjetër dhe nuk arriti dot ta provonte që mund ta zgjidhte këtë punë se nuk i vinte gjë në dorë. Kështu për t’iu dhënë ndonjë punë dhe ndonjë rrogë dhe për të parë cirk me këta që dalin dhe bëjnë propozime të çuditshme megjithatë ka lloj-lloj shijesh, lloj-lloj njerëzish, punë e tyre.
E rëndësishme është që të gjithë merren me ne, të gjithë s’lënë gjë pa thënë për ne, të gjithë na tregojnë ne me gisht madje kanë dhe një paturpësi të madhe që na tregojnë ne me gisht për punët që po bën drejtësia. Na tregojnë ne me gisht pse edhe disa ndër ne kanë probleme me drejtësinë. Ndërkohë që nëse kjo ditë erdhi, erdhi sepse këtë ditë e sollëm ne, e solli vizioni, kurajoja, reforma në drejtësi, mbështetja jonë për institucionet e reja të drejtësisë dhe vendosmëria që lufta kundër korrupsionit të jetë totale, qoftë në parandalim siç kemi bërë dhe po bëjmë me reformat gjë që për të cilën BE ka fituar një besim shumë të madh tek Shqipëria dhe tani thonë duam të vini brenda, qoftë me goditjet që bën drejtësia. Ne dorëzuam shpatën për herë të parë nga 1912, pushteti politik s’ka shpatën që i takonte ta kishte drejtësia dhe për herë të parë e ka drejtësia në dorë shpatën. Tani ne duhet të ulim kokën për të, përkundrazi, përtej të gjitha lajthitjeve, gabimeve, çudirave që mund të ketë ky proces në thelb ky është një proces historik i domosdoshëm të cilin ne e kemi mbështetur dhe do ta mbështesim deri në fund.
Ndërkohë që ata që s’do kenë asnjëherë gjë në dorë, ata SPAK e shohin si të vetmen shpresë që të kapin ndonjë gjë sepse ndryshe s’kanë sesi luftojnë fare me ne, e shohin si aleatë për të bërë politikë opozitare dhe kjo është normale, punë e tyre.
Ndërkohë që bufi kënetës bashkë me kënetën thonë në 12 maj ne do ta shkrijmë. Kështu që jemi ne garantët për këtë dhe duhet të jemi shumë krenar për këtë. Ne e kemi shumë te qartë vijën, kush është këtu për qëllimin e përbashkët është i nderuar, kush devijon nga rruga për qëllimin e përbashkët dhe e përdor fuqinë që i jep populli përmes PS për të bërë punë jo të ndershme pas shpinës tonë të shkojë atje ku ka vendin, është shume e thjeshtë, s’ka asnjë gjë për të pasur dyshime dhe dilema por kjo është një propagande e vazhdueshme.
Unë besoj që ne jemi, jo vetëm në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, por jemi absolutisht forca e duhur për të realizuar këtë qëllim të madh.
Dhe kjo duhet të jetë kryefjala, pastaj të gjitha të tjerat një nga një, duhet dhe do të trajtohen deri në nivelin individual, deputeti me qytetarin, shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, bashki më bashki, edhe në rangun e gjithë republikës.
Shumë faleminderit, kemi Paketën e Maleve pastaj, që do të flasim për diçka konkrete.
Edhe njëherë faleminderit!