Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin elektoral të zhvilluar në Kukës
Shumë faleminderit për mikpritjen! Më vjen shumë mirë që jam këtu sot edhe pse më vjen keq që për shkak të operacionit të papritur që pata, u detyrova disa ditë të spostoj gjithë aktivitetin, u bë e pamundur që të vizitoj këtë herë edhe Hasin, edhe Tropojën, por rëndësi ka që apendicitin e hoqa. Tani duhet të heqim apendicitin tjetër në datë 14 dhe këtu dua të them disa fjalë, se këtu është pak problem, sepse njerëzit kanë tendencën të harrojnë. Nuk diskutohet që e mira nuk ka fund, e keqja harrohet shpejt.
Nga ana tjetër, zorrë qorre i thonë apendicitit shqip, ka shumë njerëz që nuk e di ç’kanë një lidhje me zorrën qorre që e kanë të vështirë të shkëputen, por dua t’ju them shumë sinqerisht. Nëse historia e ndryshimit do të kishte filluar para 4 vitesh, unë për veten time nuk do votoja as Safetin, as Rexhën, do thoja “mirë, ju i bëtë disa punë, tani të provojmë të tjerët sepse duam shumë më tepër”, por këtu historia nuk ka filluar para 4 vitesh. Historia e ndryshimit ka filluar përpara 33 vitesh dhe që nga viti 1992, kur ka pasur zgjedhje pluraliste vendore, këtu vazhdimisht është zgjedhur zorra qorre dhe faktikisht, këto katër vite ne na është dhënë mundësia, në Tropojë për herë të parë fare, në Kukës në mos gabohem për herë të dytë, por herë të dytë pas shumë vitesh, që të tregojmë se cili është dallimi.
Tani, Tropoja sa ka ndryshuar në këto katër vite e sa është bërë në Tropojë në këto katër vite, nuk është bërë jo në 4 më parë, por në 44 vjet më parë. Kjo është e vërteta! Unë e kam parë Tropojën edhe përpara, e kam parë Tropojën edhe tani. Përpara, madje kur kam vajtur me Rexhën në zgjedhjet e kaluara dhe kur kam folur unë për destinacion turistik, filluan të qeshnin edhe socialistët. Sot kur shkon në Tropojë, është destinacion turistik që ka nisur dhe vetëm zhvillohet si i tillë. Mjafton të shkosh në Valbonë, ku sa për kujtesë, kur ne kemi marrë detyrën, nuk kishte rrugë. Sot është rruga dhe rrugën e Valbonës nuk e bënë ata që e morën besimin e Tropojës symbyllur me dekada, e bëmë ne komunistët, se kështu na quajnë. Është shumë interesante se ne na quajnë komunistë, mua më thonë komunist, unë nuk kam qenë asnjë ditë në Partinë e Punës, kurse ai që ishte 25 vjet në Partinë e Punës, Tropojës në Valbonë i bëri dhuratë 11 hidrocentrale. Shyqyr Zotit erdhëm ne që i ndaluam 9 prej tyre. Valbona me 11 hidrocentrale, ishte asgjësuar komplet dhe shpëtimin e Valbonës e bëri vota, jo e atyre në Tropojë, por e gjithë atyre të tjerëve që na sollën ne në pushtet.
Kur kam vajtur në Bajram Curri për herë të parë, kanë qenë vitet ’80, ka qenë dhe një barcaletë atëherë se ishte ajo shtatorja e Bajram Currit dhe aty shkonin ata që mbaronin shkollën e i çonte Partia në Tropojë dhe barcaleta ishte që Bajram Curri i thoshte “mirë se erdhe, 5 vjet e ke këtu tani”. Ishte një rrugë atje e kur kam vajtur në Tropojë pasi jam bërë kryetar i Partisë Socialiste, ishte Bajram Curri, 5 vjet sikur thoshte 50 vjet këtu jam, por gjë tjetër nuk ka ndodhur këtu dhe ajo rruga që e kishte lënë Partia e Punës, vetëm se ishte me gropa. Fusha e sportit që kishte lënë Partia e Punës, vetëm se nuk kishte as kosha dhe ishte me gropa e gjë tjetër në Tropojë nuk kishte. Po, kishte dy gishta nga të katërt anët. Aty kam parë më shumë dy gishta se sa pemë në qytet, se kur vajta herën e parë, të gjithë me gishta.
Pastaj, si Kryeministër kam vajtur prapë e për hir të vërtetës, e kam mbështetur sa kam mundur edhe atë kryetarin paraardhës që ishte me PD-në. Por mbështet sa të duash, ata nuk dinë të bëjnë punë, kështu që u desh ta merrte Partia Socialiste. Se na ngeli në dorë për hir të vërtetës, se po ta kishin marrë prapë ata, ajo Tropojë që shihni sot nuk do ishte. Unë po ky jam, por ajo Tropojë nuk do ishte aty, do ishte siç dinë ti’ bëjnë punët ata. Domethënë, një pjesë të fondeve e marrin e ndajnë me njëri tjetrin, pjesën tjetër e marrin për të mbushur autobuzat me punëtorët e komunales që të vijën në Tiranë me dy gishta e të thonë “Rama ik”. Ju e shihni sa kam ikur unë. Ata hajde atje “Rama ik”, unë ngela duke ardhur këtu. Puna është që nëse duam të vazhdojmë ta bëjmë Tropojën një destinacion turistik me të vërtetë ku jo vetëm të vijnë kaq sa vijnë, por të vijnë shumë më tepër, atëherë ka vetëm një rrugë, duhet t’i japim votën Rexhës. Nëse duan që Tropoja edhe këto rrugë që ka të fillojnë t’ia hanë qentë e të kthehet mbrapa, të kthehen mbrapa aty ku ishin, por nuk ua ka fajin as Edi Rama, as Partia Socialiste. Ua ka fajin zorra qorre dhe koka e vetë që nuk e di pse u ka ngelur ora në të shkuarën. Se unë e kuptoj edhe atë, “e kemi nga fshati jonë, e kemi bacën tonë, e kemi vocin tonë”. Po Like Floririn çfarë e kanë këta në Tropojë, se nuk e di? Se atje do çohen në mëngjes, do shkojnë të votojnë dhe tek fleta e votimit, Baca nuk është. Del vërdallë nëpër Shqipëri, “më jepni votën”, shkojnë njerëzit të votojnë, nuk është në fletën votimi. Si i bëhet? Keni parë në histori ndonjëherë të zgjedhjeve në botë që njeriu të dali rrugëve, të thotë “dua votën”. Kur shkon ta votosh nuk e ke te fleta e votimit? Ja kështu u katandis kjo punë. E do çohen demokratët e Tropojës, do marrin rrugën tek kutia e votimit, bashkë fitojmë Like Floririn. A ka degjenerim më të madh? A ka turp më të madh për ata që i thonë vetes jam demokrat, jam i djathtë, nuk dua t’i shoh me sy ata të tjerët, a ka turp më të madh? Liken, unë e di çfarë kam hequr. Pandi nuk më ka ndihmuar shumë në fakt për ta sjellë në rrugë të mbarë. Nuk kam lënë gur pa luajtur, Pandi qeshte, se e kishte ngrënë më përpara nga Likja e në fund fare, prap Likja. Bëje kryetar Parlamenti, bëje President, jo! Te zullumi prapë aty. Unë besoj, e vërtet besoj që këtu në këto zona nuk ka budallenj. Shqiptar budallenj nuk ka në përgjithësi. Për politikë nuk ua ha qeni shkopin e nuk ka amerikan që ia ha qeni shkopin për politikë shqiptarëve, por në këto zona nuk ka budallenj. Po vallaj, mos të shohësh akoma që këtu nuk bëhet fjalë më “jam i djathtë, jam i majtë”, nuk ka lidhje fare. Këtu bëhet fjalë si do rrisim ekonominë, si do rrisim kalamajtë, si do garantojmë të ardhmen e këtij vendi me punë dhe me të ardhura gjithmonë e më të larta dhe si do i kthejmë këto bukuri në ekonomi, siç kemi filluar t’i kthejmë.
Jua thashë, në Valbonë të hante ujku përpara se ne të merrnim detyrën. Natën nuk kishe ku dilje atje. Sot shkon natën, në verë e në dimër dhe janë hotelet atje në rresht. Kam shkuar vetë, kam qenë vetë më familjen, kam fjetur vetë, i kam shijuar e nuk ka asnjë ndryshim nga Zvicra, në ato pjesë që janë zhvilluar. Çfarë kanë hotelet atje më shumë sesa hotelet në Valbonë? Po janë pak, janë shumë pak dhe për t’i çuar përpara këto punë, duhet t’ia dish kësaj pune, jo t’i hipësh kalit mbrapsht, por t’ia dish kësaj pune,
Vij tek Kukës tani, më falni “Na bëni rrugën”. Mua më rezulton që rruga nuk ka mbaruar akoma, është një urë e madhe që po instalohet tani. Çfarë rruge? Ah po, lekët e rrugës po, i harxhuan të gjitha, edhe më shumë sesa ç’bënte rruga, por unë shoh që rruga akoma nuk është përfunduar plotësisht dhe po t’i marrim të gjitha punët që janë bërë në këto vite për rrugën, atëherë i bie që rruga ishte lënë rrugëve, ky është fakti dhe hyja në Kukës si me u fut në grykën e shishes në fund të gjithë bashkë, hajde dhe pastaj rri aty tek gryka e shishes.
Ndërkohë që ju e dinit shumë mirë se çfarë ishit në dimër për të ardhur në Tiranë, një ngricë e vogël fillonte patinazhi i makinave, kur kishte borë nuk kalohej më, sot dimër, verë rruga është xixë dhe masat e sigurisë janë të plota. Që të mos flas për urat dhe gjithë ato vepra arti që kanë vazhduar janë ndërtuar dhe kjo e fundit që ju e shihni vetë se çfarë përmasash ka dhe si do e transformojë, por në momentin që ajo urë do të vendoset, ne do të duhet të bëjmë hyrjen e Kukësit. Kush do jua bëjë hyrjen e Kukësit, Likja?
Jepjani votën. Jo ju, se ju që keni ardhur këtu e keni ndarë mendjen, por e kam me ata që nuk kanë ardhur këtu. Jepjani votën dhe shiheni pastaj se nga do hyni për Kukës. Është shumë e thjesht, jo se nuk dua unë që të bëhet hyrja, por nuk bëhet dot hyrja nëse nuk është Safeti aty, nuk bëhet. Do thoni ju pse nuk bëhet? Po nuk bëhet pra se po të dinin ta abënin, do e kishin bërë më përpara. Po këtu në Kukës brenda, lagja 4, lagja 5, lagja 6, lagja 7, kush i bëri? Likja? Se për atë tjetrin nuk po flas fare se ai është bërë për të ardhur keq dhe e vetmja gjë që hera-herës më vjen t’i them atyre të shtëpisë, i them aman, po fillova të jap shenja si puna e këtij, mos më leni më të dal nga shtëpia, se njeriu e humb, politika të merr mendjen, pushteti të merr mendjen, lëre pastaj po u fute në halle si hallet e atij të shkretit që vjen puna që çohet deri Amerika të thotë “Mu hiq sysh se nuk të shoh dot me sy”, e kuptoni se sa thellë është kjo punë apo jo?
Kështu që, çfarë t’i thuash! E keni parë, vjen vërdallë e vetëm shan, merret me njerëz, merret me gra, merret me burra, merret me kalamaj se kujton se të gjithë janë si puna e atij, se kujton se janë të gjithë si puna atij që edhe atë kandidatin këtu e ka sjellë për hall .Se për hall e ka sjellë atë kandidatin këtu, e dini ju? E ka ndihmuar ai me ato letrat e Gërdecit, por nuk ka rëndësi. Edhe po të mos e kishte ndihmuar me ato letrat e Gërdecit, ata Gërdecin e kanë në kokë të gjithë, ku janë ata ka një Gërdec.
Tani, një pyetje kam unë. Sot aktualisht, kjo është fushata e parë që unë mbaj mend që nuk flas për ujin e pijshëm sepse ne, faktikisht, në Shqipëri mbulojmë sot me investimet, me këmbënguljen që kemi pasur dhe me durimin e madh dhe me gjithë gropat që na kanë lënë, sot arrijmë të mbulojmë me ujë të pijshëm më shumë banorë sesa ç’mbuloheshin në kohën përpara këtij, se në kohën e këtij pastaj ju e dini si i morën ujësjellësit i çuan të gjithë nëpër shtëpia tubat.
Po në Kukës pse nuk ka mbaruar ujësjellësi? Kukësi pra, i djathtë, besnik, symbyllur, liri demokraci, pse nuk ka mbaruar ujësjellësi? Sepse në Kukës, si në asnjë vend tjetër, ujësjellësin as nuk e filluan fare dhe ia morën të gjitha lekët. E dini ju këtë histori apo jo? Ia morën të gjitha lekët. Kush ia mori lekët, komunizmi? Ua mori lekët Partia Socialiste? Kush jua mori lekët? Likja prandaj ka shkuar atje, se thotë këta vjedhin fort, po bashkohem me këta.
Ja pra, kjo është historia. Vota për ta nuk është votë për demokratët në përgjithësi, harrojeni, se unë di që demokratët ujin e pijshëm e duan pa ngjyrë, kështu e di unë. Në qoftë se ju keni informacion që e pijnë blu ujin, ma thoni. Unë di që demokratët ujin e pijnë pa ngjyrë, njësoj si socialistët dhe në qoftë se këta do ishin për demokratët, ujësjellësin e parë do ta kishin bërë këtu në Kukës dhe këtu në Kukës duhet të kishte 24 orë ujë, qyteti i parë se duhet t’i thonin Kukësit “faleminderit shumë”, se për Shkodrën nuk po flas. Nuk po flas se Shkodra është tjetër histori.
Në Shkodër, ku Zoti i ka hedhur të gjitha si askund tjetër në Shqipëri dhe më duket se nuk ka në Europë, mbase gabohem, por më duket se nuk ka në Europë një qytet që të ketë det, që të ketë liqen, që të ketë lumë, që të ketë mal, që të ketë alpe, të gjitha. Në Shkodër ne duam të bëjmë ujësjellës, vëmë lekët, bëjmë projektin, bëjmë garën, bëjmë kontratat, firmat gati e nuk na japin lejen e ndërtimit të ujësjellësve. Ujësjellësi në Zogaj, ujësjellësi në Shirokë, për gjithë pjesën ku ne mendojmë që duhet të zhvillohet dhe do të zhvillohet turizmi në Shkodër. Nuk na japin lejen e ndërtimit! Pse nuk na e japin lejen e ndërtimit dhe pse ata demokratët që janë në atë zonë nuk duhet të pijnë ujë? Sepse këta demokratëve u marrin votën dhe pasi u marrin votën, janë një taraf që marrin bashkinë, mbyllin derën pasi fusin tarafin brenda dhe aty pastaj marrim lekët e demokrateve dhe socialistëve dhe çfarë mblidhet nga taksat e ha ujku. Tani kanë ardhur bashkë me Liken, imagjino tani!
Kur thashë Kukësi ishte kampion, kur thashë që do bëjmë stadiumin, qeshnin. Ja ku është stadiumi. Në atë stadium shumica thonë “Rama ik”. Nuk ka problem, nuk ka rëndësi se nuk jam duke ik unë se thonë ata, rëndësi ka qe ata ta shohin skuadrën e tyre si njerëz. Ajo është bërë për Kukësin, nuk është bërë për partinë këtu. I ka futur dhe Safeti një bojë blu se Safeti shpirtin tek boja blu e ka. Pse thotë Safeti unë jam rilindas, Pandi është socialist. Se Safeti vjen nga ajo anë.
Ndryshimi me Safetin është që unë e kuptova për një orë që duhet të ikja me vrap nga ajo anë, qysh ditën sa u formua ajo parti, sa pashë aty non ngratën. Thashë: këtu qenkan mbledhur të gjithë komunistët. Safeti ndenji atje se i erdhi ëmbël. Sa vjet ndenje atje në PD? Dy vjet me lekë të reja, po. Ja boja, blu. Spitali i Kukësit, si ishte spitali? Këta demokratë kur shkojnë në spital, kur shkonin në spital si mund të shkonin në atë farë spitali e dilnin prapë me dy gishta? Si, si ka mundësi? Megjithatë ne e bëmë spitalin dhe prapë ka dhe një investim të fundit atje që kompletohet i gjithi. Aeroporti. Te aeroporti jo vetëm demokratët, por edhe ju më keni tallur mua, jeni kënaqur. Nuk e ka besuar njeri, as Safeti nuk e besonte por thoshte: Hajde mo. Ja ku është. Kanë filluar fluturimet, do rriten fluturimet. Nuk bëhen të gjitha gjërat kaq kollaj, aq më tepër kur vjen nga gropat. Çfarë doni tani? Doni tua bëjnë aeroportin parking për autobusët që thonë “Rama ik”? Jepjani votën. E dini sa kollaj e kanë ata të kthehen mbrapa apo jo?
Ata janë gati të fillojnë të ndërtojnë kioska këtu te stadiumi. Jepjani votën, provojeni. Aty kioska se duhet të shesë qofte xhaja, duhet të vijë të bëjë byrekë nusja e xhajës, do dalë të shesë rroba vëllai i kunatit që është në Angli, do vijë tjetri atje, e bëjnë ata komplet. Dhe demokratët dy gishtat në gojë 4 vjet, sa të vijnë zgjedhjet e tjera dhe prapë “Liri demokraci”.
Për Hasin e njëjta gjë dhe për gjithë këtë zonë. Unë besoj kur them që Shqipëria ka të gjitha për t’u bërë kampione e Ballkanit në 2030-ën. Unë besoj që janë të gjitha zonat që duhet të marrin pjesë në këtë, nuk është vetëm punë bregdeti, por është edhe punë malesh, të turizmit malor. Por nuk është vetëm punë turizmi malor ata që vijnë me çantë, hipin nëpër male edhe marrin bukë me vete, se janë një pjesë, por është dhe turizmi që sjell shumë konsumatorë dhe sjell shumë të ardhura, si ai i skive. Me kë ta bëjmë ne resortin e skive në Shishtavec, me Liken? Që të rrëshqasin të gjithë poshtë pa pantallona nëpër borë?
Nga ana tjetër, unë besoj që kush i thotë vetes i djathtë natyrisht që arsyet nuk i ka nga e sotmja, i ka nga e kaluara. Stërgjyshi, gjyshi ballist, zogist, anti komunist, pastaj baba në burg, xhaja i pushkatuar, pastaj në internim. Tani këta të gjithë që nga stërgjyshi, nga gjyshi, te xhaja që sot nuk jetojnë, a e kuptoni ju se çfarë i bën vota për Liken atje në varr? I rrotullon. Si mund të çohesh në mëngjes e të shkosh të thuash: unë e kam pasur stërgjyshin këtu, e kam pasur gjyshin kështu, unë s’dua t’i shoh me sy këta, unë do vazhdoj të luftoj për demokraci. “Bashkë fitojmë”, Like floriri. Dhe nga ana tjetër, eshtë për këtë tjetrin, se gjithë ata, e tha pak Pandi, të gjithë ata paraardhësit nuk e kanë negociuar kurrë simpatinë për Amerikën dhe për perëndimin dhe kanë bërë burg, kanë marrë plumb, kanë përfunduar nëpër internim pikërisht se kanë thënë : Dua Amerikën. Tani si i bëhet kjo? Ne sot, Shqipëria, se këtë nuk besoj se mund ta diskutojë njeri, jemi më të respektuar në arenën ndërkombëtare se ç’kemi qenë ndonjëherë ne historinë tonë.
Ne sot jemi në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me 15-16 vende. Kemi zërin tonë, flamurin tonë dhe pozicionin tonë të barabartë mes të barabartësh. Ku kishte ndodhur të imagjinohej kjo deri para ca vitesh.
Ne sot jemi vendi që pritëm BE që doli për herë të parë në histori jashtë kufijve të vet për të ardhur për të bërë Samitin në Tiranë. Ku kishte ndodhur kjo? Ne sot jemi vendi që sapo kemi lënë Presidencën e OSBE, organizatat më e madhe mbas Kombeve të Bashkuara që nga Kanadaja deri në Rusi. Ne e drejtonim. Ne sot presim në tetor Samitin e Berlinit këtu.
Kur shkova unë në Gjermani herën e parë, ia priste mendja njeriut, as mua, që në një kohë kaq të shkurtër se është kohë e shkurtër kjo për historinë, do vinte këtu kancelari, do vinin këtu të gjithë për të bërë samitin e parë të Berlinit jashtë Berlinit, në Ballkan, në Tiranë. Pse ndodhën të gjitha këto? Se jemi bërë superfuqi ushtarake? Apo se jemi bërë superfuqi ekonomike, apo se jemi zmadhuar? Jo, këto të gjitha ndodhin se pavarësisht se jemi një vend i vogël, kemi fituar respekt duke respektuar dhe duke imponuar respekt ndaj nesh dhe duke u sjellë si të barabartë.
E nga ana tjetër këto ndodhin sepse janë ata, aleatët dhe miqtë tanë që na mbështesin ne, se po mos të kishim ne mbështetjen e Amerikës, mos të kishim mbështetjen e Britanisë, të mos kishim mbështetjen e Perëndimit, ne nuk uleshim dot tek tryeza e Këshillit të Sigurimit. Tani, kur këta miq dhe aleatë thonë; atë aty nuk duam ta shohim me sy. Çfarë bëjmë ne? E marrim i themi: hajde këtu dhe na udhëhiq? Si mund të bëhet kjo? Si mund të arrijë të degjenerojë PD deri në këtë pikë, të bëhet kashtë e kokërr, njëri thotë jam unë i vërteti, tjetri thotë jam unë i vërteti, tjetri thotë unë jam i treti i vërteti.
Si ka mundësi që shumica atje të shkojnë mbrapa dikujt që është bërë komplet një karagjoz rrugësh që bredh nëpër Shqipëri dhe thotë, flet për ambasadoren amerikane si ato llazoret e rrugëve që flasin për komshijen. Flet për zyrtarët e lartë amerikanë sikur po flet për ata karagjozët e tjerë që ka aty te oborri i partisë.
Po si i ra pazari kaq shumë dhe si mund ta pranojë një herë, si mund të pranohet, si mund ta pranojë një shqiptar normal këtë lloj karagjozllëku? Një burrë që vjen vërdallë, imagjinoni një burrë që vjen vërdallë nëpër Kukës dhe merr nëpër gojë gratë e dynjasë. “Jo se kjo ishte atje, u takua me atë, unë kam një video të saj që ishte me atë, se doli nga poshtë atje dhe unë e di shumë mirë që shkoi foli me atë, se ai i tha asaj”. Çfarë është kjo? Kjo quhet shkarje. Rrëshqitje e fortë. Dhe të shkosh mbas një individi të tillë do të thotë të rrëshqasësh bashkë me të. Dhe meraku im i vetëm është, jo se do rrëshqasë Shqipëria, puna është mos të rrëshqisni ju këtu në Kukës, se nuk ju ndihmojmë dot.
Thonë, i kërcënon Edi Rama po s’votuan për Partinë Socialiste, nuk do bashkëpunojmë. Jo, nuk kërcënoj unë fare. Unë di që nuk bashkëpunohet dot se nuk vijnë për atë punë. Për çfarë e duan ata bashkinë? Për çfarë e duan? E duan që të rregullojnë këto lagjet 1, 2, 3? Më thotë Safeti mua ‘’dua fonde për lagjen 1,2,3. Projektet janë gati’’.
I thashë, Safet, nëqoftëse me 14 maj nuk e duan kuksianët lagjen 1, 2, 3, nuk ka lagje 1, 2, 3 se s’kemi se si ta bëjmë se ai tjetri që vjen, vjen për të mbledhur lekë për Liken dhe për autobusat e non gratës , nuk vjen ai për të bërë lagjen 1,2,3.
Dhe për Hasin e njëjta gjë, patjetër. Po edhe për Tropojën e njëjta gjë. Thotë Rexha, “dua rrugën e Alpeve’’. Patjetër, po ata s’bënë rrugën e Valbonës. Valbona aty duke të ulërit në sy 30 vjet, “ore ja ku jam, më përdor që të të bëj ekonomi’’. Meazallah!
Kjo nuk është kërcënim, ky është fakt dhe ju e dini shumë mirë që unë nuk vij këtu në Kukës sepse nga vota e Kukësit varet pushteti në Tiranë. Nuk është diçka personale politike por është sepse nga zhvillimi i Kukësit, varet shumë një nga komponentët e organizmit të përgjithshëm të Shqipërisë që duhet të jetë i gjithi i bashkuar për të shkuar më lart dhe varet shumë sepse këtu ka një potencial shumë të madh për të shfrytëzuar. Tani jemi në kushtet kur mund ta shfrytëzojmë këtë potencial sepse këtu flitet shumë për shumë gjëra, por rrugët e njësive dhe fshatrave që janë bërë në këto 4 vjet nga Safeti me mbështetjen tonë, nuk janë bërë në të gjitha vitet e tjera të marra bashkë. Kjo është e vërteta.
Ndërkohë Shqipëria sot është në një kthesë historike të ekonomisë. Ne nuk e patëm të lehtë!
Do të kishim dashur t’i kishim rritur rrogat më përpara. Do të kishim dashur shumë gjëra t’i kishim bërë më shumë se deri tani, por kur vjen tërmeti dhe lë në qiell të hapur për pak sekonda dhjetëra, mijëra familje, çfarë do bësh? Do ndalosh disa projekte, do marrësh disa fonde që i ke për këto projekte. S’do bësh lagjen 1, 2, 3 këtu sepse te lagjja 1, 2, 3 njerëzit shyqyr Zotit janë në shtëpi se shyqyr Zotit nuk u ka rënë shtëpia dhe do bësh punën që ata të tjerët të hyjnë në shtëpi.
Pastaj ti thua kjo u sistemua, vjen pandemia! Prapë do marrësh fondet nga të katërta anët, do thuash stop se do të përballojmë këtë sëmundje të madhe, do vaksinojmë njerëzit falas, do japim mbështetje bizneseve të vogla, do mbështesim me pakot e rezistencës njerëzit më në nevojë dhe prapë vjen lufta , inflacioni, vjen çmimi i energjisë që ikën në stratosferë dhe prapë ti do marrësh nga të tjerët sepse duhet qe asnjë nga ju, demokratë e socialistë cfarë të jenë, familjarë, biznes i vogël nuk e ka një qindarkë më shumë në faturën e energjisë elektrike por kjo nuk do të thotë që është aq fatura. Jo, është qeveria që paguan çdo muaj që energjia të vijë siç ishte dhe me të gjitha këto, ne prapë kemi krijuar mundësinë që të rrisim pagat si asnjëherë tjetër.
Ka filluar rritja e pagave. Është një cikël që mbyllet brenda 12 muajve me dy faza dhe prillin e ardhshëm paga mesatare në sektorin publik në Shqipëri do të jetë 950 euro nga 530 euro. Ashtu sikundër paga minimale në sektorin privat u bë 40 mijë lekë, ishte në program të bëhej 38 mijë lekë në fund të 2025. Pra, në fund të mandatit. Kështu e kishin dhe ata, ata që shkruajnë në program do bëjmë këtë e do bëjmë atë se s’kanë gjë në dorë. Kush s’ka gjë në dorë i bën të gjitha . Tek paga minimale, 38 mijë lekë e kishin, sot është 40 mijë lekë! Do ta çojmë 42 mijë lekë vitin tjetër, 45 mijë lekë në fillim të 2025 dhe pa e çuar 60 mijë lekë, nuk e kemi bërë detyrën dhe do të vazhdojmë punën.
Tani të gjitha këto kërkojnë unitet, jo unitet që të gjithë të vijnë në Partinë Socialiste por unitet që të gjithë të ndajmë çfarë është unitet personal familjar i komunitetit dhe çfarë është tifozllëk. “S’dua ta shoh me sy Edi Ramën”. E ça problemi ka? Unë s’kam dalë të kërkoj nuse. Unë madje derisa gjeta të duhurën, u ndava e u martova, u ndava, u martova, e gjeta, nuk ndahem më.
Kështu që në këtë anë, s’ka problem. Nuk do me më pa me sy, rri rehat se nuk dua të të marr nuse në shtëpi. As kam ndërmend të të vij në shtëpi, të të ulem në tavolinë, të të kërkoj ndonjë krushqi se mendoj se kalamajtë për sa më takon i gjejnë vetë, s’ka nevojë të futem unë, po ra që të marrin ndonjë demokrat, në rregull tani, do vij dhe në shtëpi, po s’ka problem.
Çfarë po kërkoj unë? Unë po kërkoj thjesht që shih interesin ku është. Për mua? Kollaj fare, pushkatim në telekomandë sa të dal në ekran, ika unë, mbarova. Bam te syri i zorrës qorre, dalin të gjithë ata. Rri aty e kënaqu.
Nuk rri dot pa atë që vjen vërdallë, non gratën? Merrja fotografinë te dhoma e gjumit, vëre atje, shihe para se të flesh, shihe kur të zgjohesh. Do edhe Liken? Merre dhe Liken te dera e banjës dhe mbaji, s’ka problem. Po kur vjen puna për votën, do thuash, ore kë do marrim në punë ne 4 vitet e ardhshme? Kë do marrim në punë? Se kur shkon te doktori, nuk i thua, “ore je i majtë ti apo je i djathtë?” Se të dhemb zemra do shkosh te doktori i zemrës. Nëqoftëse doktori i zemrës është i majtë, ti s’do me dit fare. Nuk shkon te gjinekologu që është i djathtë për zemrën. Apo jo? Kështu më rezulton mua. Dini gjë ju që shkojnë të gjinekologu këta për zemrën?
Kur do të marrësh hidraulikun se të është prishur çezma , nuk e pyet, “ore me kë je ti?” I thua, “hajde vëlla, më rregullo çezmën”. Edhe mësuesin e anglishtes, mësuesin e matematikës , mësuesen e ku di unë, biologjisë, nuk e zgjedh me parti. E çon te mësuesja fëmijën.
Tani pse kryetari i bashkisë qenka ndryshe? Pse u dashka zgjedhur kryetari i bashkisë me parti kur ty të duhet një kalë për të tërhequr karrocën? Si mund të shkosh ti të marrësh, një lepur që të tërheqë karrocën? Se s’po them gomar, se gomari është qënie e lartë, ka mbajtur perëndinë në kurriz, këta me gomarin as nuk afrohen fare.
Shumë e thjeshtë, juve ju duhet një kalë karrocë. Kalë më të mirë se Safeti nuk gjeni! Kalë më të mirë se Rexha nuk ka! Edhe në Has kemi gjetur një kalë për së mbari dhe këtë ua thotë kryekali i Shqipërisë. Tani ju doni patjetër qen? Merreni, po karrocë nuk tërheq.
Në mbyllje, se ju mbajta një çikë gjatë po fola për të tre, edhe për Kukësin, edhe për Tropojën dhe për Hasin .
Ah, edhe një gjë tjetër se kanë dalë tani e thonë, “i shtyu Edi Rama rritjen e pagave”. Nuk kam shtyrë gjë unë fare. E para njëherë, që ne pagat e mjekëve, të mësuesve, të punonjësve të sigurisë janë rritur dhe ata i marrin tani , të prillit i marrin tani në fillim të majit siç ndahen.
E dyta, unë kam pasur një debat sepse për gjithë të tjerat, për rritjen e pagave të tjera, duhet të bëhet ligji në parlament. Unë kam pasur një debat. Ligji është në parlament. Qeverisë dhe deputetëve do t’iu rriten pagat të fundit fare, domethënë vitin tjetër kur të mbarojë rritja për të gjithë edhe deputetëve edhe qeverisë le t’u rriten pagat. Deputetët duan t’i rrisin tani dhe është bllokuar për disa javë kjo punë sepse duhet të më bindin mua ose pastaj nuk e di çfarë do të ndodhë por kjo është arsyeja .Ama të gjithë duhet ta dinë që edhe nëse rritja e pagave bëhet në maj, edhe nëse rritja e pagave bëhet në qershor, të gjitha pagat do t’i marrin me gjithë prillin dhe me gjithë majin. Këtë po e them këtu. Merreni, regjistrojeni, kështu që asnjëri s’duhet të ketë asnjë shqetësim. Thjesht, halli është që deputetët duan të rrisin pagat e veta tani. Unë them jo, deputetët dhe qeveria duhet t’i rrisin vitin tjetër. Ky është i vetmi problem. Po këtë punë e di Pandi, që është në krahun e deputetëve. Safeti thotë rritjani. Të shohim. Kjo është arsyeja, s’ka asnjë arsye tjetër.
Më tha dikush, “ku po shkon”? I thashë, “po shkoj në Kukës”. E më tha, duan ata ta kërcejnë atë “të hëngsha zemrën”. I thashë ‘’të hëngsha zemrën’’ ata mund ta kërcejnë, por jo përpara valles së Tropojës. Tani ti që the bravo, çohu pak këtu të kërcejmë vallen e Tropojës!