Partia Socialiste e Shqipërisë

Rrugëtimi i gjelbër drejt 14 majit, mbërriti sot në Lezhë, ku me shkurtimin e shpenzimeve elektorale, bashkisë iu dhuruan një sasi pemësh të reja, një nismë e re që shënon të parën fushatë elektorale, në historikun e fushatave, me më pak ndotje mjedisore, akustike e vizuale dhe më shumë oksigjen në stacionet e saj.
* * *
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Jemi këtu së bashku me Ulsiun, Pjerinin dhe ju të gjithë për të vijuar një pjesë të këtij rrugëtimi drejt 14 majit që nuk është një pjesë e zakonshme sepse ne kemi vendosur që një pjesë të fondeve të partisë për fushatën elektorale, ta kthejmë në një donacion pemësh për të gjitha bashkitë duke shkurtuar një pjesë të shpenzimeve për skena, ekrane, materiale të tjera propagandistike të cilat kushtojnë shumë, por nuk lënë asgjë pas për njerëzit edhe për qytetin, përveçse rrisin ndotjen qoftë vizuale, qoftë akustike, qoftë edhe fizike. Ju e keni parë se shpesh ka ndodhur nëpër fushata të gjithë vënë postera nëpër mure, e pastaj ato postera ngelen aty edhe bien si lëkurë të sëmura. Duke i hequr një pjesë nga këto, ne i kemi kushtuar pjesën e parë të fushatës kryesisht mbjelljes së pemëve, së bashku me kryetarët e bashkive dhe më vjen mirë që sot këtu, vijmë në një qytet, në një bashki që pas 4 vitesh në drejtimin e Pjerin Ndreut është krejt ndryshe.
Nuk po them qe këtu është gjithçka krejt mirë sepse atëherë nuk do flisnim për një drejtim të ri të bashkisë, por do flisnin për diçka magjike, por s’ka magji. Ka vetëm punë të palodhur për të mbushur një pafundësi gropash të trashëguara nga e shkuara dhe për të ecur përpara, por them që këtu të gjithë e kanë marrë të qartë mesazhin e ndryshimit në jetën e tyre të përditshme, në jetën e përditshme të qytetit.
Po them që këtu kush ka pasur vëmendje dhe kush ka sy për të parë, e sheh dallimin e madh mes Lezhës dje dhe Lezhës sot. Po them qe këtu do të ishte një fatkeqësi e madhe për qytetin, do të ishte një fatkeqësi e madhe për komunitetin që të kthehej përsëri prapa, në duart e atyre që është shumë kuptimplotë, por është njëkohësisht edhe shumë e hidhur, në 30 vjet, që kur ka zgjedhje vendore e demokratike në Shqipëri, nuk kanë arritur dot të krijojnë një shembull të vetëm të një bashkie, por edhe një komune të vetme kur ishin komunat, që në drejtimin e tyre nuk ka shkuar mbrapa po ka shkuar përpara.
Nuk ka. Nuk ekziston një. Nuk e tregojnë dot. Ne mund të tregojmë plot qytete e mund të tregojmë plot fshatra që i kemi transformuar. Ne mund të tregojmë Tropojën, që për 4 vjet me një kryetar bashkie socialist, me mbështetjen e qeverisë ka ndryshuar aq sa nuk kishte ndryshuar për 25 vjet.
Ne mund të tregojmë Malësinë e Madhe, ne mund të tregojmë Kukësin, ne mund të tregojmë bashki pas bashkish, se s’po flas pastaj për Tiranën, e për Vlorën, e për Durrësin, e për bashki që i kemi qeverisur më gjatë, por po flas për bashki ku na është dhënë mundësia të bëjmë një ndryshim shumë të madh dhe e kemi bërë në një kohë shumë të shkurtër.
Këto zgjedhje, janë zgjedhje për qytetin, nuk janë zgjedhje kombëtare dhe as zgjedhje për t’i parë politikisht gjërat. Pa llogaritur pastaj faktin që duke i parë dhe politikisht gjërat, është e pa konceptueshme që me dorën e tyre, njerëzit që mund të mos jenë dakord me ne, me qeverinë tonë, mund të mos duan fare ta shohin me sy Ulsiun apo mua, por të shkojnë dhe ta çojnë votën që qyteti, bashkia e tyre të izolohet, siç është izoluar edhe ai i pari i tyre. I pari i tyre që vjen vërdallë me një vulë në lule të ballit si person “Non gratta’’ dhe ju premton shqiptarëve çudira që nuk i bëri kur s’kishte as damkën. Bashkë me atë tjetrin, dy hije të së shkuarës, dy hije që janë turp për Shqipërinë, që i ka akoma nëpër këmbë edhe qe duan të kapin ça të kapin, bashki këtu e bashki atje, një copë Shqipërie këtu, një copë Shqipërie atje, për komplet hallin e tyre që t’i tregojnë botës që duhet të kaloni nga ne këtu në Shqipëri se jemi ne këtu dhe sado të na damkosni ju, ne na duan këtu.
Natyrisht që këtë s’mund ta bëjnë në pjesën dërrmuese të bashkive, por janë disa bashki ku njerëzit duhet të ftillohen për faktin që këto zgjedhje, janë si në rastin e Lezhës që është një rast tipik, midis një njeriu të aftë e të përkushtuar, një njeriu që i rri punës mbi kokë, një njeriu që ka bërë që Lezha të jetë shembulli më i mirë në sezonin turistik me plazhet më të pastra dhe me zonën më shembullore nga pikëpamja e shërbimeve të bashkisë. Me kë? Unë nuk e njoh fare dhe nuk dua ta njoh fare kush është ai, por një njeri që shkon edhe i jep fytyrën, i jep zërin, i jep emrin, i jep karrierën dy hijeve, me siguri ka një problem me sistemin e vendimmarrjes në kokën e vet. I ka humbur PIN-i dhe punon vetëm me atë “wallpaper”-in aty. I ka ngel “wallpaper”-i që nga koha e kaluar dhe nuk futet dot dhe vjen e thotë këtu e ku di unë ça thotë, se s‘ka rëndësi ça thotë. E rëndësishme është që këto janë zgjedhje shumë të qarta fare, të shkojmë përpara apo të kthehemi prapa. Më qartë se këtë herë nuk ka qëne ndonjëherë kjo zgjedhje. Me PIN apo pa PIN? Këtu është pyetja.
Unë mendoj që Lezha nuk do e bëjë atë gabim dhe unë besoj që Lezha nuk do e bëjë atë gabim se do jetë një gabim shumë i madh. Një gabim shumë i madh sepse do t’i mbyllë vetes rrugën. Do t’i mbyllë vetes rrugën dhe kthehet në mish për topat e luftës me mullinjtë e erës, të dy të marrëve fund që janë si mbyturi që do të të mbysë.
Përsa i përket pastaj punëve tona, unë besoj që kemi ardhur në një kohë që punët tona flasin vetë. Më në fund, pas shumë përpjekjesh, pas shumë reformash, mbas shumë këmbëngulje dhe me shumë durim arritëm që të bëjmë një rritje historike të pagave.
Rritja historike e pagave erdhi si rezultat i rritjes së mundësive financiare, se për të folur është kollaj, por kur sheh që të ardhurat për frymë në Shqipëri gjatë qeverisjes sonë janë rritur nga 3300 euro në 6400 euro, atëherë kupton se si kanë ndryshuar gjërat. Natyrisht, nuk është mjaftueshëm, është larg së qeni mjaftueshëm.
Ambicia imë është që ta çojmë në 10 mijë euro. Ashtu sikundër, një pagë mesatare 900 euro është një arritje shumë e rëndësishme e gjithë këtyre viteve. E njëjta gjë do të ndodhë hap pas hapi dhe me sektorin privat. Pagat në sektorin privat po rriten. Shqipëria është në një fazë të re. Gjithmonë e më shumë investime të huaja do kemi sepse është një vend sot që respektohet, por edhe ndërkombëtarisht Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e respektuar se sot.

Kujt i ka shkuar mëndja ndonjëherë që Shqipëria do marrë role ndërkombëtare, do marrë presidencën e OSBE-së, do marrë ulëse në Këshillin e Sigurimit, e kështu me radhë.

Dhe për të gjitha këto arsye ne duhet të ecim vetëm përpara dhe duhet të kuptojmë që zgjidhjen e problemeve e kemi përpara, nuk e kemi mbrapa.

Që kemi probleme për të zgjidhur nuk diskutohet.

Që kemi ende plagë për të adresuar nuk diskutohet.

Rritet paga, duhet të vazhdojmë me këmbëngulje të krijojmë mundësi që të rrisim në mënyrë domethënëse dhe pensionet, të krijojmë mundësi që të rrisim në mënyrë domethënëse jo thjeshtë vendet e punës, por vendet e punës të mirë paguara.

Turizmi po rritet në mënyrë marramendëse, do të rritet dhe më shumë. Do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër ekonomi. Tani, patjetër që në çdo sektor ka probleme por s’ka asnjë nga këto probleme që zgjidhen duke u kthyer mbrapa.

Si mund të zgjidhin probleme njerëz me probleme? Ata kanë problemet e tyre. Janë të zhytur në probleme që nuk i zgjidhin dot më, që do t’i zgjidhë drejtësia që vazhdon vonon, por nuk ka më asnjë shans të harrojë. Këta kanë halle që mos i pastë kush e do zgjidhin problemet e Lezhës?! Jo fare, hiç. Duan pengje, kanë dalë për të marrë peng kë të munden sepse janë vetë pengje dhe kujtojnë se sa më shumë njerëz të marrin peng e sa më shumë bashki të marrin peng, aq më shumë do kenë fuqi të negociojnë të ardhmen e tyre. Iluzion kot pa lidhje.

Prandaj miqtë e mi, vazhdojmë drejt dhe i japim, – kur thotë libri i shenjtë, – Cezarit atë që i takon Cezarit dhe Zotit atë që i takon Zotit. Nuk ka për ta pas Lezha për shumë vite një kryetar bashkie si Pjerin Ndreu!
Një njeri që i rri mbi kokë punës, një njeri që është i pa përtuar, një njeri që e mban derën hapur. Tani ka dhe ky të metat e veta se si çdo njeri që vjen nga një karrierë e caktuar. Unë kam të metën time që unë nuk rri dot pa pikturuar në zyrë. Ky ka të metën që nuk rri dot pa bërë drejtorin e policisë kur sheh ndonjë gjë që nuk shkon në rrugë, çfarë t’i bësh? Kjo është natyra e njeriut. Por ama, e rëndësishme është që as unë me zhgaravinat e mia, as ky me atë sëmundjen profesionale të policit nuk i kemi sjellë ndonjë dëm as këtij vendi, as kësaj pune, përkundrazi kemi bërë më shumë sesa të tjerët. Minimalisht. Nuk del dot njeri këtu t’i thotë Pjerin Ndreut: unë e drejtova Lezhën më mirë se ty, unë bëra më shumë se ty, ose unë jam i zoti të bëj më shumë. Jo se ky është më i miri,por s’ka më të mirë se ky që t’i biem shkurt.
Kështu që me Pjerinin, me mbështetjen e qeverisë sonë – sepse janë projektet që flasin, janë financimet që flasin sesa shumë mbështetje ka marrë Lezha në këto vite, – është e sigurte që 4 vitet e ardhshme do ta bëjnë Lezhën më të mirë. Ndërsa me një njeri që pa “pin” dhe pa bateri se pa baterinë e qeverisë si, ku do ta karikojë telefonin ai se mirë pinin se gjen dot, po do ketë dhe telefonin e fikur. Çfarë do bëjë ai për ju? Si do ta bëjë? Jo për ju se ju që keni ardhur këtu e keni ndarë mendjen, unë po them për ata që se kanë ndarë mendjen akoma.
Kështu që të mbjellim pemët dhe pastaj juve te mereni me ata që s’kanë ndarë mendjen akoma. Faleminderit!