Fjala e Kryetarit të PSSH Edi Rama në takimin elektoral të mbajtur në Lushnje:
Faleminderit të gjithëve, faleminderit shumë. Po heq edhe kapelen në shenjë solidariteti për ata që e kanë kokën zbuluar që të mos tremben nga shiu dhe të jeni të bindur që ky shi që sapo filloi, lajmëron breshërin që do të bjerë mbi kokat e atyre që meritojnë një mësim të madh në 14 maj, një mësim shembullor nga i gjithë populli shqiptar në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, po që pa diskutim, me çfarë po shoh edhe sot këtu, përpara syve, në Lushnje, do të marrin një leksion të paharrueshëm se si të mos guxojnë më herë tjetër të vijnë këtu për të kërkuar votën e popullit me faqen e zezë të Salike Floririt.
Nuk dua t’ju mbaj gjatë sepse besoj që së pari edhe këtu në Lushnje si kudo tjetër, puna jonë flet më shumë se ç’ka folur deri më sot dhe me siguri ajo që të gjithë ju dhe të gjithë qytetarët dhe qytetaret e Lushnjes presin dhe duan, nuk është që t’ju themi se sa shumë kemi bërë por që të bëjmë edhe shumë më tepër në 4 vitet e ardhshme me Eriseldën dhe me të gjithë popullin e Lushnjës.
Por, dua të them edhe këtu diçka që e kam përsëritur gjatë gjithë këtyre ditëve.
Në 14 maj vërtetë do të votohet për të zgjedhur njeriun që do të jetë në krye të punëve për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve, të gjitha komuniteteve, të gjithë territorit të bashkisë, nga qendra deri në periferinë më të largët, por nga ana tjetër do të votohet edhe për nderin dhe dinjitetin e këtij flamuri që ne e mbajmë në zemër dhe që të gjithë ju e keni në dorë.
Do të votohet për nderin dhe dinjitetin e këtij flamuri sepse në 14 maj është një zgjedhje, jo thjeshtë midis kandidatëve tanë, midis Eriseldës dhe kujtdo qoftë që është në anën tjetër se nuk e njoh fare, por që është një maskë e faqes së zezë të Shqipërisë, e faqes së zezë të damkosur botërisht nga SHBA-të, nga Britania e Madhe, nga miqtë dhe aletatët tanë dhe me derën të përplasur mu para syve nga i gjithë Bashkimi Europian dhe ky është një mesazh për të gjithë demokratët, për të të gjithë ata, të cilët kanë të drejtat e tyre që të mos votojnë PS.
Kanë të gjitha të drejtat e tyre, që të duan një alternativë tjetër, që të duan një drejtim tjetër, që duan një rrugë tjetër, ama pa asnjë diskutim, ajo që sot atyre u ofrohet si një alternativë nuk është një alternativë, është një turp. Është një turp i madh, për Shqipërinë, e cila sot gëzon respektin dhe besimin më të madh që ka gëzuar ndonjëherë në sytë e botës dhe mbështetjen më të madhe që ka pasur ndonjëherë nga partnerët, aleatët strategjikë dhe nëse ne sot jemi në një pozicion ku flamuri ynë kombëtar është më lart se asnjëherë tjetër në arenën ndërkombëtare, kjo patjetër vjen si rezultat i faktit që ne i kemi bërë vend vetes, por pa diskutim vjen dhe si rezultat i mbështetjes së atyre aleatëve dhe miqve që duan ta kënë në krah, që duan të na mbështesin më tutje, që duan të na ngrenë më lart, që duan që populli shqiptar të jetojë ditë më të mira dhe kur ata aleatë, ata miq na thonë që ky individ, është i padëshirueshëm për ne, na thonë që ju lutem, ju duam në krah, duam që të ecim bashkë, ne duam që Shqipëria të bëhet më e fuqishme në të gjitha planet, ne duam që Shqipëria të bëhet më e sigurtë, ne duam që Shqipëria të jetë një vend që, jo vetëm askush mos të guxojë të mendojë se mund ta prekë, po ku gjithkush të dëshirojë të vijë për investime e për turizëm, e kështu me radhë, atëherë ne çfarë bëjmë?
Çfarë bëjmë ne kur këta aleatë na thonë, ore mos i nxirrrni më para syve atë fytyrë të padëshiruar, atë individ, i cili është i damkosur për korrrupsion madhor dhe minim të demokracisë? Dhe kur them ne, nuk kam parasysh ne socialistët, kam parasysh ne si shqiptarë, të majtë e të djathtë. Çfarë bëjnë ata që i thonë vetes të djathtë ose që ndihen dhe janë më të vërtetë të djathtë?
A vallë mjafton që të mos duash të votosh për PS, a vallë mjafton që të mos duash të votosh për Eriseldën këtu në Lushnjë për shembull, që të shkosh pas berihait e të shkosh te qendra e votimit dhe të marësh fletën e votimit dhe në emër të së djathtës të ndysh dorën tënde dhe të shënosh aty “Bashkë fitojmë ‘’me Salike Floririn?
Kjo nuk është e vetmja zgjedhje për ata që i thonë vetes tëdjahtë.
Kjo nuk është një zgjedhje e detyruar. Dhe ata të cilet i thonë vetes të djathtë, duhet ta mendojnë pse i thonë vetes të djathtë, nga i vjen kjo dëshirë, nga ju vjen kjo bindje, nga i vjen ky pozicionim?
Shumë kujt, ju e dini shumë mirë këtu në Lushnje se i njihni, i vjen nga e shkuara. Ju vjen nga e shkuara e familjeve të tyre, ju vjen nga plagët, ju vjen nga jetët e humbura, nga plumbat e diktaturës, ju vjen dhe nga më tutje akoma, nga pozicionimi në anën tjetër në barrikadën e Luftës së Dytë Botërore. Dikush e ka pasur gjyshin ballist, dikush tjetër e ka pasur zogist, dikush tjetër e ka pasur thjesht një kundërshtar të regjimit dhe ajo që unë pyes është; dakort, nëse e shkuara na ka ndarë në dy kampe dhe ju nuk keni asnjë forcë, nuk gjeni asnjë motiv që të votoni për ne, a e kuptoni që duke votuar për ata, ju turpëroni gjyshërit tuaj? A e kuptoni që duke votuar për ata, ju njollosni kujtimin e atyre, të cilët morën edhe plumbin sepse me palën tjetër i ndau pikërisht Amerika, i ndau perëndimi?. Ata u vendosën në atë anë se ishin me Amerikën dhe ishin me perëndimin, nuk ishin me komunizmin dhe me Moskën dhe me Kremlinin dhe kjo është një arsye e mjaftueshme për të kuptuar që në 14 maj ose shko dhe voto Eriseldën dhe të gjithë kandidatët e PS për të marrë në punë bashkë me shumicën që është shumica jonë, dikë që e ka treguar me vepra që i rri punës mbi kokë ose mos shko të votosh fare, rri në shtëpi, dil shëtitje me familjen, shiko një film, lexo një libër, por mos e poshtëro kujtimin e stërgjysheve dhe e gjyshërve të tu duke i dhënë votën dikujt për të cilin Amerika, aleatët e tyre, e stërgjyshërve dhe e gjyshërve tuaj, kam parasysh ata që i thonë vetes të djathtë, iu thotë mos na e nxirrni më përpara këtë fytyrë. Mos na provokoni më me një individ i cili nuk meriton më të ketë asnjë besim, asnjë mbështetje, asnjë derë të hapur dhe jo më të marrë pengje nëpër Shqipëri, të marrë pengje një bashki këtu e një bashki atje për t’i kthyer në kështjella të luftës me regjimin dhe për të realizuar atë objektivin që thotë dhe e thonë bashkë me Liken, e keni dëgjuar të dy. “14 maji është fillimi i fundit të regjimit, të përmbysim qeverinë”. Po pse për të përmbysur qeverinë kemi dalë ne këtu? Unë nuk e kam tek vetja, të kuptohemi, të mos keqkuptohemi. Unë nuk e kam te vetja se ju e dini shumë mirë sa na përmbysin ne ata.
Ju e dini shumë mirë se sa shqetësim janë për ne dhe për shumicën tonë autobusët e tyre që duan t’i mbushin përsëri me punëtorët e gjelbërimit dhe t’i lënë parqet djerr, që duan t’i mbushin përsëri me punonjësit e ujësjellësit e kanalizimeve dhe ta kthejnë prapë mbrapsht edhe gjithë ato punë që ne kemi bërë për ujësjellësit e për kanalizimet, që duan t’i mbushin autobusët me ata që duhet t’i rrinë mbi kokë kanaleve ujitëse e kanaleve kulluese dhe me paratë e marra nga taksat tuaja të paguajnë autobusët që të vijnë në Tiranë dhe të thonë “Rama ik”. Ju e dini shumë mirë që sa më shumë ata thonë ik, aq më shumë unë vij.
Problemi është se në 14 maj aleatët dhe miqtë tanë nuk do numërojnë votat e Partisë Socialiste, nuk do numërojnë votat e Eriseldes. Ata nuk janë votuesit tanë, ata nuk janë mbështetësit tanë në kuptimin e partisë, ata mbështesin Shqipërinë, mbështesin popullin shqiptar, mbështesin lirinë për të zgjedhur dhe të gjitha këto me radhë dhe natyrisht respektojnë shumicën, por ata do të numërojnë votat që shqiptarët e tjerë do t’i japin SaLike Floririt. Do shohin sa janë akoma qytetarët shqiptare, sa janë akoma njerëzit e këtij populli që ne e duam, që ne e respektojmë, që ne duam ta mbështesim dhe ta ngremë lart, ëe vazhdojnë të këmbëngulin për të mbështetur dikë për të cilin ne po ua përsërisim, na i hiqni nga sytë se nuk e shikojmë dot.
Natyrisht që ju do ta kuptoni, të gjithë do ta kuptojnë që kjo është shumë e rëndë. Kjo është turp i madh dhe nëse doni një shembull tjetër të faqes së tyre të zezë shikoni Himarën, shikoni çfarë ndodh në Himarë. Shikoni çfarë kanë bërë në Himarë non grata bashkë me Liken, këta patriotë të mëdhenj, këta patriotë që i dëgjoni që mbrojnë Kosovën nga unë. Këta patriotë që luftojnë Serbinë, këta patriotë që mbrojnë Ballkanin, shikoni çfarë bëjnë! Se në mbrojtjen e Kosovës dhe luftën me Serbinë ata nuk kanë asnjë gjë në dorë dhe bëjnë vetëm broçkulla, tamam sepse s’kanë gjë në dorë. Në të vetmin rast që kishin diçka në dorë, që të mos ia jepnin të drejtën atij trurit që ka dalë kandidat atje në Himarë dhe që me paturpësinë më të madhe, me papërgjegjshmërinë më të madhe, shëmbëlltyrë e skutave më të thella të së kaluarës që nuk i gjen më sot në Greqi, të qarqeve më të errëta folknacionaliste të së shkuarës, që thotë “do helenizoj Himarën”. Do helenizojë Himarën ai. Do vë në vend”, thotë, “padrejtësitë e 60 vjetëve”. Nuk e di sesi i numëron se është analfabet funksional, nuk di as të flasë, nuk di as të numërojë, por goja e tij është në gjendje të artikulojë pikërisht ato gjëra të zeza që aq shumë i ka vuajtur edhe miqësia jonë me Greqinë, që kaq shumë i kanë vuajtur patriotët shqiptarë në të shkuarën dhe sot na del ky fant spathi në Himarë i hedhur atje si kartë bixhozi nga faqja më e zezë e Shqipërisë, SaLike Floriri. Të dy bashkë! Njëri më katran se tjetri!
Këtë e them këtu në Lushnjë sepse të djathtët e Lushnjës janë njerëz shumë patriot, të djathtët e Fierit janë njerëz shumë patriotë. Dhe iu them atyre, po mirë a e kuponi se deri ku ka vajtur puna? A nuk ndieni ju asnjë përgjegjësi në rast se ju shkoni dhe i jepni votën këtyre faqezinjve dhe faqezinj nuk iu them unë. Faqezinj ia u thotë i gjithë komuniteti i miqve dhe i aleatëve tanë sepse ia u ka vënë vulën e damkës së të padëshiruarit mu në ballë, siç i vini ju fermerët këtu ato deleve, që ta kenë numrin e tyre dhe të mos ngatërrohen me askënd tjetër dhe askush të mos i ngatërrojë. Janë të matrikulluar si persona të padëshirueshëm. Prandaj do ju lutesha shumë të gjithë atyre që zemrën e kanë djathtas, nuk ka problem! Që besojnë se ne nuk jemi të denjë për të qeverisur Shqipërinë, nuk ka problem! Që mendojnë se mund të ketë një zgjedhje më të mirë se Eriselda këtu, që nuk ka, por s’ka problem. Mos turpëroni veten, mos turpëroni familjen, mos turpëroni kujtimin e të parëve tuaj të cilët u vranë e u sakatuan për perëndimin duke shkuar dhe duke mbështetur një faqe të zezë që atje në Himarë e ka nxjerrë të gjithë thelbin e vetë. Që është faqja e zezë e dy njerëzve që janë bërë bashkë me njëri tjetrin si Coli me Lolin, jo për Shqipërinë, jo për bashkitë, jo për popullin, jo për të majtën, jo për të djathtën, jo për qytetarët, jo për të moshuarit, jo për të rinjtë, jo për gratë, jo për burrat, por vetëm për hallin e tyre të madh me drejtësinë. Vetëm për hallin e tyre të madh me të kaluarën e tyre që tani e kanë të gjithën përpara!
Prandaj duan të na tërheqin dhe ne mbrapa që dhe ne të shkojmë mbas Berihait dhe të merremi me të kaluarën e tyre, të mbulojmë të kaluarën e tyre. E kaluara e tyre nuk mbulohet! Drejtësia vonon, por nuk harron thotë populli. Drejtësia në Shqipëri ka vonuar sa na ka plasur shpirtin, por çdo ditë e më shumë vonon gjithmonë e më pak, çdo ditë e më shumë ka një shans më pak për të vonuar dhe ju siguroj që ata, mbani mend çfarë po ju them, në mos që natën e 14 majit, në mos që pas ditës së 15 majit, në 16 maj i keni duke bërtitur “na vodhët votat, na grabitët, narko shteti, kriminelët, i blenë”, sepse ata s’kanë asnjë shans dhe strategjia e tyre është që të kapen si i mbyturi që kërkon të të mbysë dhe askush nga votuesit e djathtë nuk duhet të bëhet fije bari për tu kapur ata dhe për ta marrë me vete jo atë, se s’kanë çfarë ti bëjnë atij sidoqoftë, por për të marrë me vete nderin e atij votuesi sepse për të djathtët çështja është shumë e zgjidhur. Do votohen kandidatët tanë, do votohet Eriselda që t’i shërbejë të djathtëve njësoj si të majtëve dhe për të djathtët tanë nëse janë prindër, çerdhet, kopshtet, shkollat ja u kemi ndërtuar, do vazhdojmë tua ndërtojmë ne, ata vetëm jua kanë shkatërruar.
Nëse janë familjarë që jetojnë në qytet, rrugën përpara pallatit do vazhdojë tua pastrojë Eriselda njësoj, nëse janë familjarë që jetojnë në fshat, kanalet kulluese, kanalet ujitëse do vazhdojë tua mbajë pastër Eriselda po njësoj, qofshin të djathtë e qofshin të majtë sepse këta të djathtët tanë kanë lindur me këmishë; bërtasin Rama ik dhe unë rri dhe vazhdon Shqipëria përparon edhe për ta njësoj si dhe për ju, njësoj si dhe për të gjithë.
Nuk ka problem fare nëse nuk votojnë për ne, unë nuk po i them hajde bëhuni me Partinë Socialiste sepse Partia Socialiste është e madhe, është aq e fortë sa nuk ka nevojë të zmadhohet më shumë për të fituar dhe për të fituar përsëri dhe për t’i bërë të gjitha ato që thotë duke thënë gjithë ato që bën, por ka shumë rëndësi për vendin, ka shumë rëndësi për dinjitetin e këtij flamuri, ka shumë rëndësi dhe për të ardhmen e të djathtës e cila na intereson thjesht si qytetarë.
Nëse duan që ata të bëhen konkurrues me ne një ditë, nëse duan që një ditë ata ta sfidojnë vërtetë Partinë Socialiste, duhet të nxjerrin një mësim të madh të cilin faqja e zezë që ju ka zënë sytë, ju ka zënë veshët dhe jua ka bërë gojën si papagall, që përsërisin të gjithë të njëjtën gjë, nuk i lë që ta nxjerrin.
Mësimi është shumë i thjeshtë. Duhet të kuptojnë se duhet të bëhen po kaq të fortë sa ne, duhet të kuptojnë që të organizohen po kaq mirë sa ne dhe duhet të kuptojnë që duhet të kenë po këtë aftësi që kemi ne për të fituar zemrat dhe mendjet e shumicës. Ndryshe, duke ia vënë gjithmonë fajin atyre që nuk e kanë, duke menduar gjithmonë që ata i fitojnë zgjedhjet, por ne ua marrim pa të drejtë, do vazhdojnë t’i humbasin keq e më keq e më keq.
Ju falenderoj të gjithëve për gjithë mbështetjen dhe ju siguroj që në 4 vitet e ardhshme do bëjmë për Lushnjen dhe Divjakën këtu prapë sepse kemi ende punë të mëdha për të bërë, kemi ende infrastrukturë lidhëse për të ndërtuar mes Lushnjes dhe Divjakës dhe Lushnja dhe Divjaka janë si dy binjakë që do ecin dorë për dore. Do bëjmë në 4 vitet e ardhshme më shumë se ç’kemi bërë në të gjitha këto vite të marra së bashku. Këtë jua kam thënë në çdo zgjedhje dhe atë që kemi thënë, atë kemi bërë dhe ju e dini shumë mirë. Prandaj ne jemi shumica, prandaj këtu në qarkun e Fierit, duke filluar nga Lushnja, 14 maji nuk do jetë një fitore, do jetë një triumf!
Faleminderit. Ju hëngsha zëmrën të gjithë socialistëve, të gjitha socialisteve, të gjithë progresistëve dhe progresisteve të Lushnjes.
Shumë faleminderit!