Rrugëtimi i gjelbër u drejtua sot në bashkitë e veriut të vendit dhe u ndal në Malësinë e Madhe, pjesë e qarkut të Shkodrës, për të shtuar pemë të reja në hapësirat e kësaj zone të mrekullueshme natyrore, që sa vjen e ripërtërihet, falë investimeve ambicioze në infrastrukturë e kudo, që kanë lënë gjurmë e kanë përmirësuar jetën e njerëzve.
* * *
Kryetari i PSSH, Edi Rama: Shumë faleminderit për mikpritjen dhe për qëndrimin në një orë të ditës, ditë pushimi, me diellin mbi kokë.
Ju falenderoj shumë, jam shumë mirënjohës dhe besoj që këto momente të kaluara bashkë t’ia vlejnë për të ndarë disa opinione lidhur me këtë moment kaq të rëndësishëm për vendin tonë, jo thjesht për Malësinë e Madhe.
Është moment shumë i rëndësishëm sepse Shqipëria gjendet në një kthesë të madhe dhe e ka të domosdoshme të vazhdojë vetëm përpara, të mos ndalet dhe jo më të kthehet mbrapa.
Dëgjova që këtu është një kandidat që përdor edhe këtë kartën e pistë të përçarjes fetare, flet për myslimanë e për katolikë. Vetëm për këtë arsye dhe për asnjë arsye tjetër në botë, atij nuk duhet me i dhënë asnjë votë.
Kjo zonë e Shqipërisë ka nxjerrë shumë figura të mëdha të historisë sonë, Shkodra, Malësia e Madhe, gjithë kjo pjesë, figura të mëdha të komunitetit katolik, figura të mëdha të komunitetit mysliman, por unë nuk njoh asnjë prej tyre që t’i ketë fryrë përçarjes fetare. Përkundrazi, prej tyre kam mësuar që shqiptarët janë një dhe se katolikë e myslimanë shqiptarë, janë në radhë të parë shqiptarë pastaj janë katolikë e pastaj janë myslimanë.
Unë jam katolik, gruan e kam myslimanë, dy fëmijët e parw nga martesat e mëparshme janë ortodoksë, kemi një të vogël do e vendosë vetë.
Kështu që, meqë hyri në mes falja e hoxhës, e solla këtë temë këtu dhe edhe njëherë e përsëris, nuk ka pabesi, nuk ka poshtërsi, nuk ka maskarallëk, nuk ka gjë më të keqe sesa të kesh mundësinë të flasësh shqip dhe të kesh një mikrofon përpara dhe t’u thuash njerëzve “Ndahuni në myslimanë e ndahuni në katolikë” nuk ka.
Kështu që, atij që i thotë këto gjëra, mbi e nën rrogoz, myslimanët në radhë të parë duhet t’i thonë “Shko për dreq, nuk ke një kokërr vote nga ne” sepse kjo ka një rëndësi shumë të madhe, kjo ka rëndësi shumë më të madhe se ccdo parti, se ccdo zgjedhje, se ccdo gjë tjetër; ky është një thesar i madh që na e kanë lënë të parët tanë dhe që ne kemi për detyrë ta ruajmë si sytë e ballit.
Ndërkohë që, duke u kthyer tek çka po thosha, kurrë Shqipëria nuk ka qenë më e respektuar sot në sytë e botës, kurrë Shqipëria nuk ka qenë më e barabartë në tryezë me më të mëdhenjtë e botës.
Kush do ta kishte imagjinuar deri disa vite më përpara që Shqipëria do të kishte një ulëse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, bashkë me superfuqitë e kësaj bote, që Shqipëria do drejtojnë OSBE-në, që Shqipëria do të mikpriste Samitin e parë në histori të Bashkimit Europian, jashtë kufijve të Bashkimit Europian?
Këto nuk i ka sjellë bukuria e natyrës se bukuria e natyrës shqiptare ka qenë këtu përpara se të lindnim ne, por Shqipëria përpara se ne të merrnim detyrën ishte një vend që trajtohej si një vend i kategorisë së dytë, ishte një vend që nuk përfaqësohej me dinjitet. Ata që ishin përpara nesh dhe që duhet të përfaqësonin Shqipërinë ulnin kokën dhe mbanin pantallonat që të mos ju binin përpara fqinjëve dhe para të huajve.
Ndërkohë që, sot i kërkojnë shqiptarëve të bashkohen për t’i bërë karshillëk Shteteve të Bashkuara. E kuptoni se ccfarë skandali i madh është ky dhe ccfarë tradhwtie e madhe është kjo për të gjithë ata që besuan tek Partia Demokratike, që besuan tek liria, tek demokracia dhe i shkuan mbrapa Partisë Demokratike për shumë e shumë vite?
Ndërkohë që, për ne nuk ka demokratë e socialistë kur është puna për të bërë detyrën; ka vetëm qytetarë të barabartë të Republikës së Shqipërisë dhe ka të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve.
Shumë shpesh e keni dëgjuar që thonë “Edi Rama nuk e do veriun, Edi Rama nuk e ndihmon veriun, Edi Rama nuk ka investuar në veri” etj. E para punës njëherë, unë nuk kam sesi të mos e dua veriun, në radhë të parë, sepse veriut unë i dedikohem një pjesë të madhe të asaj që jam sepse pa shumë prej atyre figurave që veriu ka nxjerrë, unë nuk do isha ky që jam, pa mësimet e tyre, pa shembullin e tyre.
E dyta, unë nuk kam sesi të mos e dua veriun sepse unë një pjesë të gjakut tim e kam nga veriu. Gjyshja ime është këtu, nga Shkodra dhe unë me kulturën shkodrane, me traditën shkodrane e gjithë zakonet e mirësjelljes së Shkodrës së hershme jam rritur. E nga ana tjetër, nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë shumë gjëra që kemi bërë nuk do të ishin bërë dhe mua më rezulton që Malësia e Madhe nuk është në jug, është në veri dhe shikojeni Malësinë e Madhe sot.
Më kujtohet kur kam ardhur për herë të parë këtu që ka qenë një katastrofë, edhe këtu ku jemi sot. Gjithçka që shikojmë këtu sot nuk ekziston. Pa diskutuar pastaj për Tamarën, për Bajzën, për Kastratin, pwr Bogën që ishin vende ku ekzistonin vetëm investimet e njerëzve për shtëpitë e tyre dhe ku as nuk mund të imagjinohej turizëm, as nuk mund të imagjinohej se mund të kthehej në destinacion turistik.
Sot, ne jemi në kushtet kur kemi hedhur bazat e atij që do të jetë motori i madh i zhvillimit ekonomik, social dhe i ekonomisë familjare të malësorëve, një turizëm malor i cilësisë së parë. Por, për të arritur deri këtu duhej infrastrukturë, për të arritur deri këtu duheshin shembuj; Tamara ishte një vend që e kishte të shkruar në ballë varfërinë, braktisjen, rrënimin, një vend i vogël, ku kishte më shumë grumbuj plehrash secc kishte njerëz që lëviznin në rrugë kur kemi shkuar dhe e kemi parë. E mbaj mend shumë mirë kur i kam thënë Paulinit “Kjo është një perlë dhe këtë do ta bëjmë stacionin e parë të Malësisë së Madhe të së ardhmes” dhe ja ku është sot.
Pa harruar lart Alpet, ku kemi bërë investime të rëndësishme, nuk po flas për investimet në infrastrukturën rrugore dhe kjo është fushata e parë zgjedhore vendore që ne nuk flasim për ujë të pijshëm sepse e kemi vënë përfundimisht në rrugën e zgjidhjes ujin e pijshëm dhe qendrat e mëdha të Shqipërisë, përfshirë dhe Koplikun këtu në Malësi të Madhe kanë ujë të pijshëm 24 orë, nuk kanë më probleme.
Paulini foli për energjinë dhe është shumë e vërtetë, por të mos harrojmë që sa shumë na është dashur ne të heqim nga fondet për të vazhduar punët e planifikuara për shkak të punëve të paplanifikuara. Sa shumë na është dashur ne të ndalim nga projektet e tjera për të kthyer në shtëpi dhjetëra e mijëra familje që u goditën nga tërmeti? Sa shumë na është dashur ne të heqim nga fondet e tjera për të përballuar gjithë atë pandemi të tmerrshme e për të mbështetur biznesin e vogël, për të mbështetur njerëzit më në nevojë, sa shumë na është dashur dhe na duhet sot e gjithë ditën që në faturën tuaj të energjisë ju të mos shihni ndryshim?
Çmimi i energjisë u rrit në mënyrë katastrofike, por jo për ju, jo për familjet shqiptare, jo për biznesin e vogël, por u rrit për arkën e shtetit nga e cila ne kemi nxjerrë dhe nxjerrim cdo muaj paratë që kompensojnë faturën sepse energjia na duhet ta blejmë sepse ende nuk e kemi Shqipërinë një vend sovran plotësisht në prodhimin e energjisë dhe eksportues.
Shqipëria vazhdon të importojë energji për një arsye shumë të thjeshtë se bazohet vetëm te shiu, tek uji dhe nuk e ka ende Skavicën që ne më në fund po e ndërtojmë, ashtu sikundër po ndërtojmë parqe diellore, ashtu sikundër do të fillojmë dhe parqet e energjisë eolike, ashtu sikundër po fusim dhe gazin e lëngshëm dhe deri në 2028 Shqipërinë do ta kemi eksportuese neto të energjisë dhe nuk do kemi më nevojë të blejmë energji, por ndërkohë që blejmë energji, ne nuk ua kemi transferuar ju barrën, por e kemi vënë në shpatullat e shtetit sepse sot ne kemi mundësinë ta bëjmë këtë.
Sot kemi mundësinë të bëjmë rritjen më të madhe historike të pagave dhe pagat në sektorin publik që sot, kur ne kemi filluar këtë proces, kemi filluar nga 530 euro mesatare, do e çojmë në 900 euro pagë mesatare, por kjo do të shoqërohet me rritje të pagave edhe në sektorin privat. Kjo do të bëjë që për shqiptarët që rrinë dhe punojnë për të tjerët jashtë, të ketë perspektivë dhe të ketë qartësi sepse jashtë vërtet marrin paga më të larta, por paguajnë taksa më të larta, paguajnë shumë më tepër për transportin. Vetëm për shtëpinë iu ikën treçereku e në fund të vitit çfarë iu mbetet? Ndërkohë që këtu është hapur një perspektivë e re. Ne kemi filluar të kemi shumë kërkesa për investime kudo edhe në veri. Pse? Pse investojnë njerëzit sot dhe nuk investonin dje për të bërë bujtina në Malësinë e Madhe? Kush vinte dje për bujtinë në Malësinë e Madhe? Këtu s’kishte rrugë për të ardhur. Këtu natën, nuk dije a ishe në qytet, a ishe në pyll, se s’kishte drita, rrugë. Sot janë këto mundësi.
Ne kemi bërë një ligj të veçantë bashkë me Paulinin. E kemi iniciuar vetë, e kemi bërë vetë dhe sot jemi në kushtet, kur duke kapërcyer disa pengesa të fundit që i nxjerr burokracia, do tu japim gjithë titujt e pronësisë duke filluar nga Reçi ku është bërë një plan i parë, ku janë bërë të gjitha dokumentet dhe do ua japim me shpejtësi titujt e pronësisë gjithë atyre zonave, komuniteteve që qysh nga ’91-shi nuk e kanë pranuar 7051 [ligjin], por kanë dakordësi për kufijtë. Ku ka dakordësi për kufijtë, do të marrin pronën siç e kanë të dakordësuar dhe kjo gjë na ka marrë kohë, është e vërtetë. Do kishim dashur ta bënim shumë më shpejt, por nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë sepse nëpër zyrat tona, sepse nëpër institucionet tona ka plot xhagajdurë, por edhe me xhagajdurët pak nga pak do të ndahemi, siç jemi ndarë kur vjen puna për shumë shërbime që ju s’keni nevojë fare të shkoni deri në Shkodër për t’i marrë, por i merrni nga telefoni nëpërmjet platformës e-albania.
Janë 95% e shërbimeve që merren nga telefoni. Nuk ka nevojë fare më të takosh njeri, të paguash njeri e të presësh në radhë, por ka akoma siç është me titujt e pronësisë edhe me ndonjë shërbim tjetër që na duhet edhe pak durim. Edhe pak durim dhe do ta bëjmë edhe këtë.
Tani, unë një pyetje kam për çfarë arsye Malësia e Madhe duhet të ndërrojë drejtim?! Për cilën arsye? Për politikë?! Nuk duan të shohin me sy mua? Kjo është gjëja më e thjeshtë në botë. Pse duhet të më shohin? Mos më shohin fare. Iu dal në televizor, po tani do dal edhe në televizor, po e kanë shumë kollaj, më pushkatojnë me një sustë të telekomandës për një të qindtën e sekondit, pam-pam, dhe shkojnë nga unë drejt e te syri i zorrës qorre, kënaqen atje. Dëgjojnë sesi do luftojnë me Amerikën, dëgjojnë sesi kemi korruptuar ambasadoren amerikane, dëgjojnë sesi nuk e di se çfarë, kënaqen me përralla. Mirëpo, përrallat janë për të kaluar kohën e lirë. Politika e madhe nëpër kafenetë e Malësisë së Madhe është për të kaluar kohën e lirë. Vota nuk është për të kaluar kohën e lirë dhe vota nuk është tifozllik. Vota është që ti të marrësh në punë atë që do të shërbejë për 4 vite. Që ti të marrësh në punë ata që duhen që kur të dalësh nga shtëpia, rruga të jetë e pastër. Mua më kujtohen këtu kazanët me plehra, që nuk dukeshin kazanët se i kishin mbuluar plehrat. Atë lloj kazani të mbuluar me plehra, sot e gjen vetëm në Shkodër. Nuk e gjen në asnjë bashki tjetër sepse Shkodra s’na i ka dhënë asnjëherë shansin ne për tifozllëk, për politikë, për një fiksim. Mirëpo, ai fiksim dhe ai tifozllëk paguhet me shërbimet që merr. Ia vlen të rrish 4 vjet me kazanin që e kanë mbuluar plehrat para shtëpisë? Ndërkohë që në gjithë bashkitë e tjera ky nuk është më problem, sepse ti je tifoz. Po tifoz mund të vazhdosh të jesh, nuk ka asnjë problem, por ama kur vjen puna për të marrë në punë fuqinë që duhet për të pastruar, për të garantuar çerdhet, kopshtet, shkollat me standarde, për të bërë të mundur që vajzat kur kthehen në shtëpi vonë, të kenë drita në rrugë e mos ecin në çdo hap në errësirë sikur janë në pyll edhe t’i dali ujku përpara. Për të garantuar që qendra shëndetësore të funksionojë. Këto të gjitha janë shërbime. Kur shkon në pazar për të marrë kalin e ri për karrocën, nuk e sheh kalin nga ngjyra, as nuk pyet nëse ai që po ta shet kalin është komunist apo antikomunist, por merr kalin që të duhet për karrocën e nuk thua jo, kalin e paska ky komunisti, unë po shkoj të marr gomarin e këtij demokratit se nuk ta tërheq karrocën, s’ta bën punën.
Po kur shkoni te doktori, e pyesni me kë parti je dhe në qoftë se doktori i zemrës, se ju keni problem me zemrën është socialist, shkoni te demokrati gjinekolog që të rregulloni zemrën?! Si do tua bëjë zemrën gjinekologu?
E kështu me radhë për të gjitha punët. Kur çoni fëmijën në shkollë ose në kurs për të mësuar anglisht, nuk pyesni me kë është mësuesi, po pyesni a di a s’di për të mësuar fëmijën anglisht dhe nuk e çoni tek ai i partisë tjetër që mëson arabisht.
Vota, sidomos ajo e zgjedhjeve vendore është kaq e thjeshtë. Është kaq e thjeshtë! Unë e kam thënë dhe e përsëris prap. Mos na e vështirësoni kot punën që kemi përpara, duke na vënë njerëz që e kanë mendjen mbrapa. Nuk iu ndihmojmë dot! Jo se ne nuk duam, jo sepse ne nuk do bashkëpunojmë dhe do lëmë mbrapa një komunitet të tërë pse vuri në krye një njeri të papërshtatshëm, po sepse nuk është e mundur.
Thonë për Shkodrën që Edi Rama nuk ka investuar në Shkodër, kjo është gënjeshtër. Kjo është një gënjeshtër shumë e madhe. Ne për Shkodrën kemi bërë më shumë se kanë bërë ata, në të gjitha vitet që ata ishin në qeveri dhe jua shpjegoj unë pse.
Kush e bëri rrugën Shkodër-Velipojë?! E bënë ata, apo e bëmë ne?! Kush e çoi rrugën deri në Theth?! E çuan ata, apo e çuam ne?! Stadiumin e Shkodrës kush e bëri?! E bënë ata, apo e bëmë ne?! Teatrin Migjeni kush e rindërtoi?! E rindërtuan ata, apo e rindërtuam ne?! Rrugën nga Shëngjini-Velipojë, kush po e bën?! Po e bëjmë ne, apo e bënë ata?! Urën që lidh Velipojën me anën tjetër në Mal të Zi, po e bëjmë ne, apo e bënë ata?! E të tjera akoma, bypass-in e Shkodrës e kështu me radhë. Muzeun kombëtar të fotografisë, Marubin.
Këta që e duan shumë Shkodrën, këta që e duan shumë historinë, këta që shohin komunista nga të katra anët, dritën e syve të historisë së Shkodrës Marubin, dinastinë Marubi e kishin futur nëpër thasë në bodrume me lagështirë. Ku jo nuk e shihte dot askush, por ku do ishte zhdukur për shkak të kushteve mizerabël. Sot e sheh gjithë bota. Tani, pse i bëmë këto ne dhe pse nuk bëmë dot ne për Shkodrën brenda? Sepse të gjitha këto varen nga ne, për këto ne nuk pyesim bashkinë, as nuk kemi nevojë të na vijë bashkia me projekte as nuk kemi nevojë t’i kërkojmë bashkisë, ndërkohë që kam qysh kur kam vajtur në Shkodër për herë të parë si ministër i Kulturës që kam dashur të kem mundësi të ribëhet Kafja e Madhe. Sot Kafja e Madhe është gati për tu ribërë dhe nuk e di sa vite për të marrë leje, për të dhënë leje, për budallëqe nga më të ndryshmet. Ja ky është dallimi!
Ne mund të bëjmë punë që i takojnë qeverisë dhe s’pyesim fare dhe ku kemi pasur mundësi i kemi bërë dhe s’kemi dashur të dimë dhe nëqoftëse sot Shkodra është destinacion turistik më i mirë se ishte, është sepse rruga Shkodër-Velipojë është e ndërtuar dhe e bëmë ne, sepse rruga deri në Theth është e ndërtuar dhe e bëmë ne, por Shkodrën në qytet ne s’kemi çfarë i bëjmë fare se nuk futemi dot aty, madje-madje dhe tek stadiumi po ta shikoni është i vetmi stadium në botë që është me standardet e FIFA-s dhe të UEFA-s në mure dhe brenda, por që ka ofiçina, garazhe dhe lavazhe 7 metra larg sepse asnjë lavazh nuk e prishën për të hapur sheshin para stadiumit dhe unë e di çfarë kam hequr për të mos e lënë UEFA-n që ta fuste në listën e zezë stadiumin pikërisht për ato lavazhe e ato ofiçina që janë mu përballë tribunës VIP.
Kjo nuk ka lidhje me socialistë dhe me demokratë. Unë nuk punoj si socialist për socialistët dhe kundër demokratëve, unë punoj si shqiptar në zyrë, i ngarkuar nga shqiptarët për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Dhe Shqipëria më e mirë bëhet bashkë dhe në rast se kur vjen puna te politika e madhe, tek ai sherri i madh. Politika e madhe, politikë katundi nuk ia kemi dalë, kur vjen puna te interesat të drejtpërdrejta të komuniteteve duhet t’ia dalim patjetër dhe do t’ia dalim falë komuniteteve. Se ja shkoni votoni atë që ju thotë: myslimanët kështu, katolikët ashtu. Çfarë do fitoni? Do më mundni mua? Do mundni Elisën? Do dilni në rrugë me flamur siç dalin kur fiton skuadra kupën edhe do bëni zhurmë me bori, do gjuani dhe me kallashnikov, po të nesërmen? Po pas një jave kur të fillojnë plehrat nëpër kazan do i pastroni vet?
Se po të kishte një shembull, një, hajde ma tregoni një, një bashki, një komunë, në 31 vjet që kur janë bërë zgjedhjet pluraliste vendore, ku ata e kanë marrë votën dhe e kanë ndryshuar gjendjen, do thoja mirë dhe ata mund ta bëjnë, nuk dinë ta bëjnë mor zotëri.
Nuk zgjidhen ata për të zgjidhur problemet tuaja, nuk zgjidhen për këtë punë. Mes demokratëve ka plot njerëz të zotë, shqiptarë të zotë por s’iu vjen radha se nuk i duan. Duan ata që janë komplet qorra dhe shurdhë dhe që janë gati që bashkinë për të bërë luftë me qeverinë dhe me Edi Ramën. Për këtë i duan. Duan të marrin ndërmarrjen e ujësjellësin, t’ju lënë juve pa ujë që ata të hipin nëpër autobusë ti sjellin në Tiranë për të bërë protesta, “Rama ik, Rama ik”. Mirëpo besoj që është e kuptueshme sot dhe është gjynah ta çosh votën kot dhe nuk ndihmon Partinë Demokratike që të dalë nga ky batak që është futur. Dhe e fundit që kam pastaj që është kulmi, është si do çohen? Do çohen në mëngjes do shkojnë të votojnë aty për Like Floririn? Se atë kanë. Bashkë fitojmë, Like Floriri. Si do e bëjnë këtë punë, me Liken? Do ia besoni Likes Malësinë e Madhe? Jo juve jo, unë po flas me ata që na ndjekin nga televizori se ata thonë “nuk e duam, nuk e duam” dhe prapë aty e kanë mendjen për të më parë në televizor.
Si do bëhet kjo punë? Nëqoftëse nuk sheh dot me sy ne dhe sheh Liken, atëherë ke një problem, duhet të shkosh te doktori i syve, nuk duhet të shkosh për të votuar.
Unë mendoj dhe besoj që Malësia e madhe do vazhdojë të shkojë vetëm përpara se çdo kthim mbrapa do jetë problem, problem në radhë të parë për malësinë e madhe, do jetë problem për ata investitorë që duan të investojnë, djemtë e Malësisë së Madhe nga Amerika, nga Anglia, nga vende të tjera ku janë aty ku punojnë, ku kanë kursyer.
Unë isha në Bogë, atje në Bogë është bërë një mrekulli, por është fillimi i një mrekullie, nuk është ajo vetëm. Duhet ta bëjmë destinacion për ski, duhet ta ngremë në një nivel tjetër që këtu të vijnë jo thjeshtë ata turistët që shkojnë hipin nëpër male me çantë me bukë me vete, por të vijnë turistët që rrinë, flenë, konsumojnë, paguajnë shumë që të bëhet siç janë alpet nëpër vendet e tjera europiane që janë vendet me të ardhurat më të larta nga turizmi sepse është një lloj turizmi që nuk e gjen kollaj dhe ne jemi në mes të Europës. Do merremi me këto punë ne apo do merremi me Like Floririn? Kush i fut ata në një zyrë praktikisht i kanë dhënë mundësinë që aty në zyrë të bëjnë çetën e vet, mbyllin derën dhe të fillojnë të merren, merr lekë këtu e merr lekë atje. Kemi probleme me korrupsionin, por mos harroni çfarë bëjnë ata kur hyjnë nëpër zyra. Mos e harroni këtë gjë!
Ju falënderoj shumë. Shpresoj që t’ia ketë vlejtur qëndrimi nën diell edhe jam i bindur që në 14 maj Malësia e Madhe nuk do bëjë gabime që nuk i ka bërë kurrë. Faleminderit shumë!