Burrel, Kryeministri Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në takimin mbi paketat sociale që qeveria shqiptare ofron për çdo qytetar në çdo cep të vendit

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH ishte sot në Burrel në një takim të zgjeruar mbi paketat Sociale që qeveria shqiptare ofron për çdo qytetar në çdo cep të vendit, me në fokus fëmijët me aftësi ndryshe, gratë, të rinjtë dhe të moshuarit, duke nisur nga kujdesi shëndetësor, strehimi social, mbështetja për punësim dhe bonuset e veçanta sipas kategorive.

* * *
Shumë faleminderit të gjithëve! Në fakt nga pamja që kam përballë është e të gjithave dhe të gjithëve se janë edhe disa të gjithë tek tuk. Është kënaqësi realisht që të vish këtu në këtë zonë dhe të nisësh nga Tirana sikur po shkon në Durrës dhe ta gjesh veten në Burrel. Më vjen jashtëzakonisht mirë që tanimë edhe tuneli kokëfortë i Murrizit u dorëzua dhe për pak ditë do të mbyllim edhe segmentin e fundit të mbetur Maqellarë – Peshkopi sepse megjithëse këtu në Mat mua më kanë thënë mos u lodh kot se dibranëve aty lart nuk ua mbyll gojën kurrë, por të paktën kur tua çojmë rrugën e Arbrit deri te hoteli i Astritit ma ha mendja që për ca kohë jo se do t’i mbyllet goja se na duhen me gojë hap, po do na kursejnë shumë nga ato spicat e tyre.

Nga ana tjetër është shumë kënaqësi edhe për një arsye tjetër që të vish këtu, sepse ky qytet nuk njihet më në krahasim me çfarë ishte përpara se ne të merrnim besimin e popullit të Matit dhe realisht me rrugën e Arbrit, një lidhje shumë e shkurtër me Tiranën, me transformimet që po ndodhin në qytet dhe me gjithë këtë natyrë të jashtëzakonshme që ka përreth nuk është aspak e ekzagjeruar të imagjinosh që jo në 50 vjet, po në 5 vjet, 6 vjet kjo zonë, do të jetë një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit.

Duket si fantazi, po nuk është fare. Realisht do të ishte e pamundur ta imagjinonim një gjë të tillë me rrugën e deri djeshme, ku të thyheshin brinjët për të ardhur deri këtu, por sot është absolutisht normale ta mendosh sepse faktikisht distanca është bërë thuajse e barabartë me Durrësin, kur ka trafik Durrësi dhe Durrësi ka detin, dhe kjo zonë ka malet dhe ka pyjet e mahnitshme.

Kështu që unë ua them miqve të mi nga Dibra blini ça të mundeni sot, se nesër s’do mundeni dot. Jam i bindur që tani kanë filluar të ndjehen efektet në vlerën e apartamenteve. Nuk kam pyetur, por jam i sigurt 100% që tani kanë filluar të ndihen efektet, edhe këtu edhe në Peshkopi.
Po thosha që tani kanë filluar të ndihen efektet, por do jenë edhe gjithmonë e më të ndjeshme. Dhe kini parasysh edhe një gjë tjetër, që eksperienca e të gjitha vendeve që kanë hyrë në Bashkimin Europian, të gjitha pa përjashtim ka treguar që në momentin e hyrjes në Bashkimin Europian ka një kapërcim të menjëhershëm të të gjithë vlerës së pasurisë së patundshme.

Jemi vendi i parë në Europë për sasinë e shtëpive dhe apartamenteve që i kemi në pronësi. Kemi rreth 94% të apartamenteve në pronësi, që është një shifër e jashtëzakonshme, që e dimë historinë si e qysh. Gjithë kjo pasuri e patundshme e gjithë familjeve të rritet në mënyrë shumë të ndjeshme, duke i bërë shumë të forta themelet e kërkesave për kredi, etj etj.

Po ndërkohë rritet edhe numri i atyre që duan të dalin nga shtëpitë, duan të ndërtojnë një jetë të tyren dhe të kenë një shtëpi të tyren. Kështu që për këtë arsye, siç u tha pak më parë ne kemi një program shumë ambicioz për çështjen e strehimit me disa element dhe duam të vendosim një shumë të konsiderueshme si asnjëherë më parë. Tanimë kemi edhe një eksperiencë shumë të vyer me gjithë procesin e rindërtimit për të adresuar në këtë rrugë, gjysmë të dytë të kësaj dekade kërkesa nevoja për rreth 50 mijë dyer çelësa po themi, se nuk hyjnë vetëm familjet, por janë edhe studentët, janë edhe profesionistët e rinj.
Kështu që jam shumë besim që do kemi një impakt të rëndësishëm me këtë program të strehimit social. Po disa gjëra shkurtimisht se këtu ministrja foli në mënyrë shteruese, zëvendësministri bëri disa shpjegime me detaje. Por disa gjëra shumë të thjeshta për ti pasur parasysh, sepse në ndërkohë Shqipëria jashtë televizorit, jashtë portaleve, jashtë ekraneve të këtyre celularëve ku vijnë vazhdimisht gurët dhe topat baltës, është një Shqipëri ndryshe.
Ndërkohë që në atë shqipërime që e kemi parasysh kur shkojmë nëpër ato ekrane, ato kanale ndihemi vërtet jo mirë nga helmi dhe nga niveli shumë i lartë cinizmit, i nihilizmit, i mohimit të shumë gjërave dhe ndikimi i asaj Shqipërie është jo i vogël në aspektin e qetësisë emocionale.
Tani po iu them disa shifra të thjeshta, jo të qeverisë. Banka Botërore është një nga institucionet me të besueshme botërisht për ekspertizën që ka në raportet që bën lidhur me raportet e varfërisë, lidhur me shumë çka tjetër dhe Banka Botërore në raportin e vet të viti të kaluar thotë që në Shqipëri varfëria ka rënë në mënyrë domethënëse dhe sipas Bankës Botërore në 2023-in, ndërkohë që në 2024 ka pas akoma më tepër përparim, por unë po marr 2023-in po i referohem kësaj, ka shkuar në 21% nga 41 % që ka qenë në 2016. Dhe thotë Banka Botërore, nuk e themi ne: “kjo ka ndodhur si rezultat i rritjes së fortë të Prodhimit të Brendshëm Bruto ose të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Dhe parashikohet rënie e mëtejshme thotë banka, siç ka ndodhur në fakt në 2024-ën, ku varfëria ka rënë nën 20%. Tani edhe te kjo duhet kemi parasysh që, po të shikojmë një tjetër element që është konsumi, atëherë e parë nga një kënd tjetër varfëria është bërë shumë më relative siç ka qenë dhe po marr konsumin vetëm këtu, nuk po shkoj në të tjera territore.

Në qarkun e Dibrës konsumi është rritur me 11.2% dhe shpenzimet e konsumit, flasim për Dibrën, për familjet me 4 anëtarë janë rritur me 28 %, ndërkohë që për familjet me 5 anëtarë janë rritur me 36%. Prodhimi i përgjithshëm kombëtar që është themeli në sensin e parave që ka vendi, kur ne kemi marrë detyrën ka qenë më pak se 10 miliard euro në total, në 2024 arriti në thuajse 25 miliard euro. Domethënë është një 2 herë e gjysmë rritje në një dekadë, duke pasur parasysh edhe çfarë kemi hequr fillimisht në mandatin tonë të parë që ishte mandati i nxjerrjes së kokës nga gropa, ky është një kapërcim historik. Në ndërkohë vijmë pak tek buxheti i mbrojtjes sociale. Ne kemi sot një buxhet të mbrojtjes sociale që ka arritur në thuajse 300 milionë euro. Është një rritje shumë e madhe, por kini parasysh që kur ne morëm detyrën kishim mbi 100 mijë familje në ndihmë ekonomike.
Sot numri i tyre ka rënë në afro 50 mijë ndërkohë që fondi për ndihmën ekonomike është dyfishuar. Pra për gjysmën e familjeve në ndihmë ekonomike ne kemi vënë dispozicion dyfishin e fondit, se këto janë fakte të thjeshta dhe të qarta. Ndërkohë që i kombinuar buxheti i mbrojtjes sociale me buxhetin e shëndetësie sot për 2025 është 1 miliardë euro.

Po të vijmë tek përbërja në rang vendi e familjeje në ndihmë ekonomike kanë qenë mbi 15% dhe sot janë në 7%. Është një shifër ku ka akoma vend për ulje dhe ka filluar kthesa dhe për një arsye. Një pjesë e këtyre që kanë dalë nga ndihma ekonomike jetojnë më mirë sot sepse janë të punësuar. Pra ne kemi ndërtuar një kanal, kemi hapur një rrugë punësimi duke iu thënë atyre që janë në ndihmë ekonomike janë ku janë mundësitë e tua për punësim dhe për trajnim.
Ndërkohë që, kemi bërë disa politika më specifike në ndihmën ekomomike. Për shembull për familjet me tre dhe më shumë fëmijë, ndihmën ekonomike e kemi dyfishuar. E kemi dyfishuar për gratë kryefamiljare me deri 2 fëmijë. E kemi dyfishuar për 5200 individë mbi 65 vjeç të vetmuar dhe e kemi trefishuar për fëmijët pa kujdes prindëror si dhe për gratë viktima të dhunës dhe trafikimit, por kjo nuk i thotë të gjitha. Kjo është çfarë marrin në dorë.
Ndërkohë që familjet në ndihmë ekonomike kanë 28 lloje përfitimesh, jo me para të drejtpërdrejtë, por për shembull me kompensim të energjisë elektrike. Patjetër me librat shkollorë falas, patjetër me çerdhe dhe kopshte falas. Patjetër me bursat për fëmijët nga familjet me ndihmë ekonomike që arsimohen, kanë bursa dhe nuk po i numëroj të gjitha me radhë dhe nuk po them që ne kemi bërë ndonjë mrekulli apo se nuk duhet të bëjmë më shumë por thjeshte po jap faktet për të gjithë ata që mund të bien pre apo bien pre e atij llumi që prodhohet e del çdo ditë e çdo natë rrugëve, futet nëpër shpi, futet nëpër kuzhina, futet nëpër dhomat e ndenjes ku ka një televizor, derdhet ne dysheme, derdhet sipër tavolinës, futet nëpër pjata, të vjen nga mbrapa deri në dhomë të gjumit llum nga të katra anët që thotë “më keq se sot asnjëherë, varfëria këtu, s’kanë njerëzit bukë të hanë, nuk ka kështu e nuk ka ashtu. Ndërkohë që këto janë disa të vërteta shumë të thjeshta, ashtu sikundër janë financuar nga qeveria shqiptare 84 shërbime të reja sociale. E tha ministrja, janë dëshmitarë kryetarët e bashkive. Gjysma e vendit s’kishte asnjë shërbim social. Këtu s’ka pasur asnjë shërbim social. Këtu kur vije ishte vetëm nuk e di se sikur s’po e shoh statuja e Ahmet Zogut. Është se nuk e kam vënë re? Binte në sy ajo se vetëm ajo ishte, s’kishte asgjë tjetër. Gropa, pluhur, ferra dhe statuja e lartmadhërisë aty.

Ndërkohë që sot ndryshimi është shumë i ndjeshëm dhe shumë i dukshëm. Janë 32 shërbime për personat me aftësi të kufizuar, janë 19 shërbime për të moshuarit, janë 27 shërbime për fëmijët, 9 shërbime për viktimat e dhunës dhe 1 shërbim për personat LGBTI që është dhe ai pjesë e kësaj pakete.

Foli ministrja për nënat e papuna me tre fëmijë e më shumë që shteti iu paguan sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në mënyrë që fakti që ato nuk shkojnë dot në punë se kanë tre e më shumë fëmijë të mos i lërë pa pension. Dhe do t’i thellojmë të gjitha këto duke synuar e para hapjen e më shumë rrugëve për nxitjen e punësimit dhe për nxjerrjen nga ndihma ekonomike të të gjithë atyre që janë të shëndetshëm dhe janë të aftë për punë.

E dyta, do dyfishojmë patjetër mbështetjen për fëmijët me aftësi speciale dhe për nënat e tyre sidomos.

E treta, do ta ri konceptojmë programin e bonusit të bebes duke filluar nga viti 2026 dhe në vend të ndihmës financiare me çek do të ecim me një tjetër skemë që është më e avancuar patjetër sipas numrit të fëmijëve me pagesa mujore, 2 vjeçare, 3 vjeçare dhe 5 vjeçare. Sipas numrit të fëmijëve. Kush do bëjë më shumë, do t’i rrimë afër më shumë kuptohet.

Kemi bërë projektin dhe kemi 20 ndërmarrje sociale për punësimin e grave në nevojë, që është shumë i rëndësishëm për ne.
Patjetër që një betejë kryesore janë pensionet. Ne nuk kemi dashur asnjëherë që të tregojmë përralla, për përralla ka plot të tjerë që janë më të zotë, janë ata që nuk kanë gjë në dorë. Kush nuk ka gjë në dorë premton se as nuk ka për t’u verifikuar ndonjëherë që a do ta bënte a nuk do ta bënte dot, por është e sigurt që nuk ka gjë në dorë, nuk do ketë gjë në dorë, por nga ana tjetër, është shumë e qartë për ne viktimat e politikës absurde dhe në fakt në njëfarë mënyre kriminale kombëtarisht kriminale me pensionet dhe pensionistët deri kur ne bëmë reformën, që sot nuk përfitojnë pension diinjitoz, ndërkohë që, ata që kanë dalë në pension dhe dalin në pension pas reformës, kanë pensione komplet të tjera sepse kjo gjë nuk përmendet.
Nuk përmendet që këtu ka mjekë, ka mësues, ka të tjerë e të tjerë profesione, që kanë pensione 400-500 mijë lekë, nuk i thotë njeri këto, por janë një masë gjithmonë e më e madhe çdo vit. Çdo vit ka 22-23 mijë që hyjnë në bllokun e pensionistëve dhe kanë pensione ndryshe, ndërkohë që të tjerët për të njëjtat vite pune dhe për të njëjtën punë, pra 1 mjek me të njëjtat vite pune që ka dalë në pension përpara reformës merr një pension 200 mijë lekë, nganjëherë edhe më pak. Pse?

Sepse nuk u bë politikë pensioni, u bë një çmenduri, u nxorën të gjithë njerëzit në pension që 40 vjeç se u dogjën, u shkatërruan, u mbyllën, u sakatuan gjithë ato qendra prodhimi e çfarë ishin e si ishin, u nxorën 40 vjeç në pension, u vendos një tavan, pensioni më i lartë ishte 200 mijë lekë të vjetra dhe nuk kishte më rëndësi ke paguar ti sigurime apo nuk ke paguar.
Ti çfarëdo kishe bërë, nuk e kaloje dot 200 mijë lekëshin. Ne vendosëm sistemin në bazën e logjikës që ka sistemi, kush ka paguar më shumë sigurime merr pension më të lartë, pikë.

Tani, këta që janë në shtresën ose në kategorinë e viktimave dhe viktima të kujt?

Viktima të këtyre madhështorëve. Tani, të kesh pasur lartmadhërinë dhe të votosh për Kujtim Gjuzin ky është hall i madh, unë nuk e di se si ndodh kjo, por ky është muhabet tjetër. Ata e bënë këtë.

Megjithatë, ne jemi munduar të kompesojmë me bonuset. Bonuset janë rritur në mënyrë shumë të ndjeshme. Vetëm në dhjetor dhe në shkurt të këtij viti kemi dhënë 160 milionë euro direkt cash për pensionistët, por 160 milionë euro për këtë shtet nuk janë pak, por nuk janë as shumë për ta.
Kështu që, paralelisht do të synojmë që pensioni minimal ta çojmë drejt 200 eurove, ndërkohë që mesatarin për ata që kanë paguar sigurimet shoqërore ta çojmë në 400 euro. ky është synimi.

Mirëpo, kini parasysh një gjë, që në fund të ditës e gjitha kjo është histori lekësh, kuptohet, dhe për këtë arsye tani është një moment shumë i rëndësishëm sepse unë flas përditë e përditë për pasaportën europiane dhe ka shumë njerëz që e ngatërrojnë pasaportën europiane me udhëtimet.
Pasaporta që ne kemi sot është dokument udhëtimi, nuk ka asnjë vlerë tjetër, thjesht na jep mundësinë të udhëtojmë nëpër Europë dhe nëpër botë, por po marr Europën se këtu e kemi fiksimin, nëpër Europë pa vizë, por është dokument udhëtimi. Me atë pasaportë, ti lëviz, por nuk ndalon dot, nuk rri dot më gjatë sesa të lejon një dokument udhëtimi se duhet të kthehesh prandaj edhe kur ne hymë nëpër kufijtë e BE-së na nxjerrin anash, na vënë në radhë, fillojnë e na pyesin “Ku po shkon, kush të ka ftuar, ke hotel, nuk ke hotel, sa lekë ke me vete, ku do rrish, sa do rrish, kur do ikësh?” direkt pa hyrë akoma.
Pasaporta europiane është status tjetër, nuk është dokument udhëtimi, është status i ri për çdo qytetar shqiptar, është status i barabartë qytetarie me çdo qytetar të Bashkimit Europian dhe siç është pasaporta individualisht një status i ri qytetarie, kolektivisht për Shqipërinë hyrja në Bashkimin Europian është një status i ri kombëtar, një status i ri shtetëror, shtet i Bashkimit Europian dhe ku lidhet kjo me pensionet? Lidhet tek fakti që me hyrjen në Bashkimin Europian na krijohet një mundësi e re shumë e madhe sepse përveç gjithë të tjerave, menjëherë ne përfitojmë një buxhet ekstra. Çfarë domethënë buxhet ekstra? Bashkimi Europian është një familje shtetesh, ka të mëdhenj, të fortë, të rritur, ka më të vegjël, më të dobët, në zhvillim e sipër dhe prandaj është i ndarë në dy kategori; ata që kontribuojnë për familjen, që janë prindërit, që janë themeluesit e Bashkimit Europian, që janë më të fortët, më të pasurit, Franca, Gjermania, Danimarka, Hollanda, Italia etj dhe ata që janë përfituesit. Përfituesit janë të rinjtë që futen dhe familja ju jep buxhet ekstra që të forcohen e të rriten.

Çfarë nënkupton kjo në shifra?

Ne sot kemi pasur mbështetje të vazhdueshme nga Bashkimi Europian, kemi marrë si mbështetje që flas, jo për ato të angazhuarat që vijnë në vijim, por flas për çfarë kemi marrë si mbështetje, 1 miliardë e diçka më shumë euro në gjithë këto vite. Në momentin që bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, ne marrim ekzaktësisht 1 miliardë e diçka më shumë euro çdo vit, por ka një ndryshim. Këto 1 miliardë e diçka më shumë euro që kemi marrë në tërë këto vite janë 90% kredi, janë kredi të buta, por janë kredi, janë borxhe që vijnë përmes financimeve për infrastrukturën e për programe të tjera nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga Banka Europiane e Investimeve dhe ku shikoni Banka që na mbështesin ne, këto janë borxhe, 90%.
Ndërkohë ky 1 miliardëshi e kusur që na vjen si anëtar, 90% i kanë grant, para e falur sepse është si qeveria në Tiranë që mbështet bashkinë Mat, me grant, jep para. Dikush mund të thotë “Po si i falin lekët?”

Nuk i falin lekët dikujt, i investojnë tek vetja e vet sepse në momentin që ne hyjmë në BE, jemi vetja e vet, nuk jemi më një vend i huaj. Ky është ndryshimi dhe ky është ndryshimi që çfarë na krijon? Na krijon mundësinë që ne të kemi shumë më tepër të ardhura dhe aty mund të bëjmë spostime që një pjesë të fondeve që ne sot, se janë disa profesorë që thonë “Mos bëj rrugë dhe rrit pensionet”. Problemi është që ajo rruga që bën, ato investime që bën, ato të sjellin të ardhura dhe me ato të ardhura t’i rritesh. Në momentin që ti paratë nuk i investon, por vetëm i shpenzon, një ditë të bukur nuk i jep dot më pensione fare sepse është njësoj si të thuash “Mos dil në punë sot po ke frigoriferin plot sot. Për çfarë duhet të dalësh?”
Frigoriferin e ke plot për deri në fund të javës apo të muajit, nuk e ke plot për gjithë jetën dhe po i hyre frigoriferit ta thash pa shkuar në punë, nuk të jep rrogën ai që të blesh të tjera që të mbushësh frigoriferin. Kështu që, në momentin që ne marrim një buxhet ekstra nga Bashkimi Europian kemi mundësinë pastaj, për më shumë në aspektin social, në aspektin e pensioneve etj.

Dhe për ta mbyllur, unë besoj që në 11 maj ne kemi një takim me historinë në kuptimin më të plotë të fjalës. Zakonisht zgjedhjet pa diskutim janë të rëndësishme të gjitha zgjedhjet, për të zgjedhur kush, po ka raste që zgjedhjet nuk janë vetëm kaq. Ka raste që zgjedhjet përcaktojnë jo thjesht kush do qeverisë për 4 vjet po ku do jetë vendi në 30 vitet e ardhshme dhe unë po ju them, pa asnjë ekzagjerim që në 11 maj mund të luhen 30 vite sepse sot, BE e ka hapur derën për Shqipërinë, nuk e kishte të hapur deri para ca kohësh. Thoshin një ditë do jeni me ne, etj. S’ishte e hapur dera sepse nuk kishin vullnet të plotë për të përshpejtuar atë që ata e quajnë zgjerimin, për mua është ribashkimi. Dhe për këtë arsye ata që thonë që ‘’ç‘është kjo histori me Edi Ramën tani’’, më thoshte njëra ‘’ je fallxhorja më e madhe që ka Shqipëria se prapë po ma mbush mendjen’’. Ç ‘është ky muhabet, tre herë 3 mandate nuk mjaftuan për t’u futur në BE, u dashka një i 4? Problemi është që nëse në 11 maj nuk do të bëhet gjëja e duhur, mund të duhen pastaj edhe nja 5 mandate të tjera jo për mua, po për të tjerët për t’u kthyer këtu ku jemi sepse kështu funksion BE. Po të ishte kjo gjëja me logjikën e këtyre që thonë ‘’ja ku je, bëji gjërat, lufto këtu, bëj atë dhe hyj në BE’’ do kishin hyrë në BE të tjerët. Mali i Zi i ka hapur negociata para nesh, jo para nesh po para se të vinim ne në detyrë. Në 2012 i kanë hapur negociatat ato dhe akoma janë te dera dhe i kemi arritur dhe ne. Tani jemi te dera të dy bashkë. Serbia i ka hapur në 2014 negociatat, është mbrapa nesh tani, ishte shumë përpara. Maqedonia është bërë kandidate në 2005, akoma s’i ka hapur negociatat.

Kështu që largqoftë, dera e hapur mund të mbyllet prapë se kështu ka funksionuar. Ata e hapin në një moment, marrin ca brenda, e mbyllin dhe thonë shihemi prapë. Dhe vijnë momente si ai që erdhi në 2017-18 se nuk e kam mirë parasysh tani, mandatin para von der Leyen të parë, kur thanë copë; këto 5 vjet s’ka asnjë zgjerim. Me një fjalë 5 vjet s’ka asgjë, rrini ju. Dhe ti bëj ça të duash, ai thotë unë nuk e hap derën. Mund të hidhesh përpjetë, tani dera është hapur dhe ne na duhet të hyjmë brenda dhe na duhet të hyjmë brenda se kemi dhe mundësinë reale të hyjmë brenda pasi kemi në tavolinë planin që ata na kanë vënë përpara dhe kemi rënë dakord, të dyja palët, që në 2027 të mbyllim negociatat. Të mbyllim negociatat në 2027 do të thotë që ne ta kryejmë punën. Pastaj vjen procesi i ratifikimit në parlamentet e vendeve t tjera dhe ne hyjmë në sallonin kryesor ete BE. Kështu që këto zgjedhje janë shumë pak me kë je e me kë s’je. Këto zgjedhje janë ‘’je për ta futur Shqipërinë në BE në 2030 apo s’je’’. Dikush mund të thotë, jo mo jam unë po jo me Edi Ramën dhe me PS. Nuk bëhet. Nuk ndodh. Më vjen keq po nuk ndodh sepse qoftë edhe sikur, le njëherë që të imagjinosh të çosh bufin e kënetës për të bërë negociata është e pakonceptueshme, është e paimagjinueshme. Sa t’ju kujtohet se kush është, mbaroi filmi i Shqipërisë. Mos harroni që nga 2011 në 2013 nuk ka shkelur njeri në Tiranë më, nuk ka shkelur më vizita etj. Ne në datën 16 maj do presim gjithë Evropën këtu. Në 16 maj. Por dhe sikur të mos ishte bufi, edhe sikur ça t’ju them, dhe sikur të isha unë në anën tjetër, 2027 do te thotë që ne të negociojmë, të punojmë çdo ditë dhe janë 1000 veta këtej e 1000 veta andej që punojnë me këtë punë. 1000 veta, e kuptoni? Se janë të gjitha departamente, zyra të BE që janë ca për bujqësinë, ca për blegtorinë, ca për ajrin, ca për zogjtë, ca për peshqit, ca për ujërat, ca për mjedisin, ca për ekonominë, ca për shtetin ligjor. Gjithçka qe ka organizmi i shtetit që merret me këtë punë. Momentin që ti bën një zgjedhje të paqartë ose bën një zgjedhje që e përzien dhe e prish qëndrueshmërinë, vetëm fakti që do 6 muaj sa të rifillojë puna, ka mbaruar. Nuk arrihet afati. Momenti që nuk arrihet ai afat, fillon një avaz tjetër. Kjo është e thënë shumë, shumë thjeshtë pa llogaritur faktin që ata sot e kanë hapur derën dhe për arsyet e tyre. I duhemi ne sot atyre se është bota e tillë sot, Evropa e tillë sot etj. Tani pse duhet ne ta diskutojmë e ta zgjasim kaq shumë muhabetin për diçka që në fund të ditës, edhe shqiptari më i paafrueshëm politikisht, ndaj nesh, në fund të ditës duke votuar për ne, mbyll hundën, mbyll sytë, sytë jo por të mbyllë hundën po sytë jo se duhet të shohë ku po e hedh votën, ta vërë një X aty te 5 ose s’do ta vërë te 5 se është Edi Rama aty, ta gjejë një njeri se tani një njeri të mirë në gjithë ato emra që ka lista se vota është e vlefshme po njësoj, mos e vër fare te 5, domethënë te 5 të shkojë po të shkojë poshtë aty, ta vërë një shënim tek një vajzë, tek një djalë, një njeri normal do ta gjejë edhe të marrë pasaportën pa llogaritur faktin që historia ka treguar, demokratët partinë e tyre e kanë për sherr, për punë kanë partinë tonë.

Po jo për punë për Shqipërinë por edhe për veten e vet. Keni parë ju kur shkoj unë nëpër kantiere e me dalin ca votues demokratë për kantiere. Se këta thonë ‘’oligarkët, oligarkët’’, Faiku, ai Hysa, me dalin atje si i bukuri shejtan. ‘’Zoti kryeministër, shef o shef’’, po ata votën kundër gjithmonë por punën e bëjnë me ne.

Tani ndoshta votën kanë filluar të na e japin ne se e kuptojnë që do mbeten pa punë se tani janë forcuar, nuk janë më me 2 gishta ‘’hajde se po dalim të gjuajmë me gurë se mos kapim ndonjë, mos vrasim ndonjë zog në pemë e po shkojmë ta pjekim.

Shumë faleminderit. Shumë kënaqësi edhe nuk dua t’ju them tani ça të votoni e ça të mos votoni se ju jeni të qartë vetë. Shumë, shumë faleminderit!