Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në takimin me të rinjtë socialistë të Vlorës
Shumë faleminderit! Më vjen shumë mirë që jam këtu sot edhe nuk ua u fsheh dot që arsyeja e veçantë pse më vjen shumë mirë është që këtu sot, nuk jemi vetëm ne që jemi mësuar të jemi, por jemi dhe me disa që s’jemi mësuar të jemi, që është Sara dhe shokët e saj dhe dua t’i falënderoj që na janë bashkuar në këtë përpjekje, që siç jam munduar ta përsëris është një përpjekje përtej të gjithë atyre që janë tema të një fushate të zakonshme elektorale sepse në 11 maj, ne kemi në dorë fatin historik të shfrytëzimit të një mundësie reale për t’u bërë anëtar të BE brenda kësaj dekade dhe me mandatin e katërt të PS për përfunduar negociatat e anëtarësimit dhe për t’ju dhënë të gjithëve ju pasaportën e BE.
Vaso, sikur ta hiqje atë pardesynë se nuk bie shi këtu, shiu është jashtë.
Vaso është deputeti ynë nga minoriteti grek dhe përtej kësaj është greku më i mirë që unë kam njohur deri tani. Shumë i mençur, shumë i zoti dhe është krenari për ne që e kemi këtu në skuadrën tonë. Ashtu sikundër, është krenari për ne që kemi gjithë këtë përfaqësi të larmishme të Vlorës dhe të gjithë qarkut të Vlorës.
Unë dua t’ju them shumë sinqerisht se më shumë se asnjëherë në këto vite, të paktën për nga përmbajtja e vet, kjo është një fushatë dhe këto janë një palë zgjedhje, ku votuesit e parë, ku ata që kanë fatin të jenë më të rinj në moshë, më të reja në moshë sot, janë të interesuarit e parë.
Duhet të jenë të interesuarit e parë për rezultatin e 11 majit sepse realisht janë bashkuar për herë të parë ylli i fatit tonë me yllin e fatit të BE. Dhe nuk jemi vetëm ne, që si gjithmonë kemi ëndërruar, kemi dashur, kemi bërë të gjitha përpjekjet për të qenë pjesë e familjes së bashkuar europiane, por sot për arsye që nuk lidhen vetëm me ne, por që lidhen me ata vetë, janë dhe ata anëtarë të asaj familje që duan që ta marrin Shqipërinë sa më parë në BE.
Është shumë e rëndësishme që ta kemi mirë parasysh se për çfarë flasim sepse nuk duhet shumë njohuri për historinë e BE për të parë që në periudha të ndryshme kohe, BE ka pasur sjellje të ndryshme ndaj idesë së zgjerimit të familjes.
Ka pasur momente, periudha kur zgjerimi ka qenë një plan strategjik i ekzekutuar me shpejtësi, ka pasur kohë, siç ka qenë koha që na ka qëlluar ne, në këtë periudhë, kur zgjerimi për një moment të gjatë është lënë në plan të dytë. Madje Komisioni i mëparshëm europian, ai përpara se të vinte Ursula Von Den Leyen me komisionin e ri e hoqi fare zgjerimin nga agjenda. Deklaroi që në 5 vite nuk do ketë zgjerim dhe bëri një frenim të përgjithshëm të procesit.
Sot, për arsye politike që janë përtej nesh, Komisioni Europian dhe BE duan të marrin në familjen e tyre anëtarë të rinj. Tani ju me siguri dëgjoni, siç dëgjoj dhe unë, por mbase dhe midis jush ka nga ata që thonë po çfarë domethënë kjo tani. 12 vjet ne nuk arritëm dot, pse do arrijmë tani? Si nuk mjaftuan 12 vjet?
Për këtë ka shumë gjëra që mund të thuhen, por për të mos ju lodhur duhet t’i referoheni faktit që Mali i Zi, i cili sot është në të njëjtën pozitë me ne i ka filluar negociatat në vitin 2012.
Kini parasysh që ne zyrtarisht negociatat i kemi filluar vjet. Na kanë vonuar tre vjet rresht sepse KE thoshte Shqipëria është gati t’i hapi negociatat sepse i ka bërë detyrat dhe Komisioni Europian është qeveria e BE. 27 vendet anëtare që janë në një farë mënyre po themi kuvendi i BE, nuk arrinin dot të binin të gjithë në një mendje dhe dilte Holanda dhe thoshte “jo se ka dhe ca gjëra të tjera”.
Në fakt, Holanda s’kishte fare hallin tonë apo s’kishte lidhje fare me çfarë kemi bërë apo jo ne, por kishte hallin e zgjedhjeve atje në Holandë dhe i duhej që të sillej ashpër me idenë e zgjerimit.
Pastaj ndodhi historia e Himarës, ju e dini, pati një tjetër bllokim nga fqinjët për të arritur në momentin që u zhbllokua gjithçka dhe u hap rruga. Tani kjo rrugë që është hapur, kjo mundësi që është hapur, kjo derë që është hapur nuk do rrijë hapur aty pafundësisht, mund të mbyllet. Dhe pastaj duhen prapë dhe 10 vjet të tjera. Mos harroni që Maqedonia e Veriut është bërë kandidate për anëtare e BE në vitin 2005. Në vitin 2005 kur me siguri disa nga ju këtu s’kishin lindur akoma dhe sot është mbrapa nesh. Nuk i ka hapur akoma negociatat. Sepse historia e anëtarësimit është një histori sa e bazuar mbi çfarë bën ti, aq e bazuar nga çfarë duan dhe kur e duan dhe si e duan ata. Dhe sot Shqipërisë i janë bashkuar këto të dyja.
Sot, ne kemi një kalendar të dakordësuar me ata për t’i mbyllur negociatat në 2027-ën dhe do të ishte dhe do jetë hera e parë në historinë e integrimit që një vend në tre vjet fillon dhe mbyll negociatat.
Kroacia që është një rast nga më të shkëlqyerit mori 7 a 8 vjet. Prandaj ne nuk duhet ta humbim këtë moment. Çfarë do të thotë që të mos ta humbim këtë moment. Se dikush mund të thotë çfarë rëndësie ka kjo se kush fiton këtu dhe për kë votojmë ne, në fund të fundit dhe këtu jam dakord, të gjithë partitë politike në Shqipëri duan anëtarësimin. Nuk kemi ne parti politike që thonë “na jepni votën se ne do ikim do shkojmë nga Rusia”, është e vërtet. Por është po kaq e vërtetë që negociatat për shkak se janë ngushtuar në kohë tre vjet, janë kaq intensive, janë 1000 vet që merren çdo ditë. Çdo ditë! Çdo javë dy ministret tona që merren me negociatat ulen përballë atyre në Bruksel jo çfarë u bë vjet, por çfarë u bë javën e kaluar. Fushë për fushë. Janë 40 skuadra negociatore.
Nëse në 11 maj Shqipëria i jep Europës mesazhin popullor që ne e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë deri në 2027 dhe duam të jemi në BE me një shumicë që del nga kutia e votimit që është një shumicë që bën përshtypje, që bën presion mbi ta, pozitiv, kjo është një gjë. Por, nëse Shqipëria jep një mesazh që populli këtu merret me mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe njerëzit këtu, disa nuk e kanë shumë problem këtë gjë sepse disa thonë “Po ne e kemi pasaportën europiane”. Jo mo, nuk keni pasaportë europiane, nuk kemi ne pasaportë europiane, ne kemi pashaportën shqiptare që na jep lirinë të lëvizim në Europë, por nuk na jep lirinë të ndalojmë në Europë. Kush do të ndalojë atje, duhet të kërkosh azil, ndërkohë që kur ke pasaportën e BE-së siç e kanë të tjerët dhe nuk numërohen ata kur lëvizin sepse ata lëvizin brenda shtëpisë së vet.
Atëherë, nëse mesazhi është, nuk është fjala këtu që a fiton apo nuk fiton Partia Socialiste, por mesazhi është, atëherë ne jemi më të dobët atje dhe patjetër që ndryshimi me pasaportën që ne kemi dhe asaj që marrim kur futemi në BE, është nata me ditën sepse në momentin që ne marrim pashaportë, Shqipëria anëtarësohet në BE dhe çdo shqiptar merr pashaportën e BE-së, në atë moment Shqipëria bëhet e madhe sa BE-ja dhe BE-ja bëhet e vogël sa Shqipëria. Të shkosh sot nga Vlora në Berlin, mund të shkosh patjetër, pret biletën e shkon, por kur të hysh atje në Berlin do të thonë “Ku po shkon, sa lekë ke me vete, kush të ka ftuar, sa do rrish” dhe pastaj vjen ajo pyetja e tmerrshme, ti pa hyrë akoma dhe ata thonë “Kur do ikësh?”, ndërkohë që me pashaportën e BE-së nuk kalon fare tek ai polici, por kalon tek ai tuneli i yjeve dhe futesh thjesht duke treguar “Ja ku është pasaporta” dhe aty shkruan Republika e Shqipërisë, Bashkimi Europian.
Por nuk është vetëm çështja që futesh, çështja është që ti mund të qëndrosh aty sa të duash, ti mund të shkosh të trokasësh siç mund të dalësh në Vlorë këtu që shkon të trokasësh nëpër biznese të kërkosh një punë e atje mund të shkosh të trokasësh nëpër biznese dhe të kërkosh punë me atë pasaportë dhe askush nuk të thotë “Nga je, po si erdhe, po a ke lekë, a nuk ke lekë, po kur do vish, kur do ikësh, ke letra, nuk ke letra, po si do i gjejmë letrat” sepse pasaporta është në të njëjtën kohë dhe leje qëndrimi pa afat, kudo dhe kështu ti nuk je i detyruar që me “se s’bën” të qëndrosh siç u ndodh shumë të rinjve, fatkeqësisht, që për të qëndruar me “se s’bën” shkojnë e lidhen me rrjetet e krimit.
Ti mund të kthehesh prapë. Nuk e gjete një mundësi, kthehesh prapë. Larg qoftë të ndodh të kesh një problem shëndetësor! Po të kesh një problem shëndetësor sot me atë lëvizjen e lire, por pa leje qëndrimi është kaq e vështirë dhe kaq e shtrenjtë, saqë do t’i referohesh çajit me mjaltë dhe me hudhra në vend se të shkosh në spitalc kurse me pasaportën e BE-së, ti kudo që të jesh shkon në spital, trajtohesh njësoj si një qytetar i atij vendi dhe ke kartën e sigurimeve shëndetësore të Bashkimit Europian që do të thotë që e merr shërbimin atje siç e merr një qytetar i atij vendi dhe rimbursohesh për ilaçet apo çfarëdo qoftë tjetër si qytetar i BE-së dhe është shumë e rëndësishme.
Ne sot kemi kërkesa të pafundme, për shembull, nga shqiptarët në Greqi që kanë tani merakun që t’u njihen pensionet siç ju njohën atyre në Itali, por ata në Itali vetëm nga momenti që u bë marrëveshja e parë, deri në momentin që u bë ligji final u deshën nja 12 vjet, pa llogaritur negociatat e pafundme dhe pa llogaritur faktin që sikur të mos lindte ajo dashuria me shikim të parë me motrën atje në Romë që erdhi dhe në Vlorë, mund të mos ishte bërë fare ajo marrëveshje, që të jemi të qartë.
Ndërkohë që, me pasaportën e BE-së, në momentin që marrim pahaportën e BE-së, të gjithë shqiptarët që janë në Greqi apo kudoqoftë menjëherë fitojnë të gjithë të drejtat që kanë grekët në Greqi dhe të tjerët kudoqoftë dhe jo vetëm u njihen pensionet, por dhe pensionet bëhen të transferueshme sepse janë qytetarë të të njëjtit organizëm dhe është ekzakt njësoj si të shkosh nga Vlora në Shkodër e të shkosh nga Shqipëria në Portugali apo si të shkosh nga Korça në Kukës, të shkosh nga Shqipëria në Poloni ose në Spanjë, njësoj.
Nuk ka kufij, nuk ka asnjë lloj dallimi fare fare.
Kjo, a mund të vihet në diskutim kjo tani për grupin folklorik të Leskos këtu në Vlorë?
“Jo po jemi me, jo po se ne jemi kështu, jo po se gjyshi”. Po cfarë rëndësie kanë këto? Unë besoj shumë që sikur stërgjyshërit apo gjyshërit që kanë shkuar në atë botë dhe kanë varret e tyre dhe ndjesë paçin të gjithë, qoftë ata që kanë luftuar në një krah dhe qoftë ata që kanë luftuar nga krahu tjetër, po të kishin mundësi të na thoshin sot se çfarë do bënin ata, me siguri që ata do t’i linin mënjanë për këtë moment të gjitha dallimet e tjera dhe do thoshin “BE-ja është e para tani sepse duke u futur në BE, shqiptarët heqin përfundimisht pas 500 vjetësh të qenit milet i dorës së dytë në këtë kontinent dhe bëhen të barabartë mes të barabartësh me të gjithë ata që deri dje i kemi parë nga poshtë-lart dhe që deri dje na kanë parë nga lart-poshtë dhe jo vetëm na kanë parë nga lart-poshtë, por edhe na kanë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë”. Kështu do thoshin gjyshërit.
Në ’91- ’92 këtu u përmbys sistemi dhe u bënë zgjedhjet dhe një shumicë shumë e madhe shkoi dhe votoi PD-në. Nuk ishin të gjithë me Pd-në dhe jo të gjithë kishin simpati, por PD-ja në atë kohë ishte e vetmja forcë që gjendej në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, të tjerët ishin jashtë kohës dhe me atë votë shqiptarët nuk vendosën që të votojnë për një parti dhe jo për një tjetër, shqiptarët vendosën që t’i vënë vulën të qenit në një sistem të ri dhe jo në një sistem të vjetër.
11 maji është shumë i ngjashëm sepse në 11 maj shqiptarët duhet të vendosin duan të hyjnë në BE tani apo duan të hedhin zarat në këtë tavllën e kësaj lojës politike dhe të rrezikojnë që dera të mbyllet dhe të mbeten jashtë BE-së, kushedi se sa vjet të tjera. Ky është vendimi.
Nëse duan të hynë në BE, nuk duhet të jenë domosdoshmërisht socialistë, as duhen të bëhen me patjetër socialistë, larg qoftë se nuk duhet të bëhen të gjithë socialistë në këtë vend, por aty tek 5 është investimi i votës për Shqipërinë dhe për pasaportën.
Nuk ndodh, kuptojeni këtë gjë, nuk ndodh dot, që dikush tjetër dhe disa të tjerë ta bëjnë të njëjtën vezë tani, nuk e bëjnë dot dhe sikur 6 muaj të futet në konfuzion i gjithë ky muhabet, iku mundësia. Nuk e dimë ne se çfarë ndodh me Rusinë, me Amerikën, me Kinën, me BE-në dhe me të gjitha dhe në një moment të caktuar ata mund të thonë “Lërini tani këta se kemi ca halle të tjera më të mëdha” siç e kanë thënë në të shkuarën.
Është hapur dera, ne duhet të hyjmë aty dhe juve, të gjithë vlonjatët që e kanë instiktin e historisë shumë të zhvilluar dhe që janë rritur buzë detit, u hap koha, do hidhesh në det se po nuk u hodhe në atë moment nuk i dihet se kur të vjen.
Tani edhe dy gjera të tjera, nuk dua t’ju lodh, por edhe dy gjëra të tjera. E para, pse na duhet ne BE-ja përtej kësaj pjese që është shumë e thjeshtë shumë konkrete dhe për ju është edhe konkrete sepse cilido që do të shkojë të studiojë sot në BE është i huaj dhe duhet të futet te kuotat dhe nëse merr një të drejtë studimi duhet të paguajë ekstra, ndërsa nëse ti je në BE shkon studion ku të duash dhe kur shkon atje nuk ke asnjë detyrim ekstra karahasimisht me studentët që janë atje. Pra nëse në universitet në Francë, francezët në universitet publike nuk paguajnë dhe kanë një tarifë për një, dy, tre, ti je shqiptar shkon atje nuk paguan dhe ke një tarifë 1,2,3 ndërkohë që sot që s’je në BE e ke shumë më të vështirë atje.
Po përtej kësaj janë 2 çështje themelore që shqiptarët i kanë pasur gjithmonë ë hallin më të madh, si komb, si popull, si shtet, pastaj edhe si shtet lirinë individuale dhe barazinë para ligjit; këto të dyja kanë qenë problemi ynë më i madh. Dhe në ndërkohë përkatësinë tonë ndaj Europës ne e gjejmë tek të gjithë heronjtë tanë. Kur Skënderbeu i vuri këtu kufirin Perandorisë nuk kishte BE atje, por ama Skënderbeu i vuri gjoksin lindjes dhe praktikisht mbrojti perëndimin për vitet që qëndroi aty dhe prandaj e kurorëzuan si “atletin e Krishtit” “Atletin e perëndimit” në atë kohë.
Rilindësit tanë nuk kishin BE kur thoshin “dielli lind andej nga perëndon”, por ama u thoshin shqiptareve andej është rruga. Dhe deri tek gjithë rinia që doli në shesh “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk shihte BE-në, shihte një gjë tjetër që lidhej me lirinë dhe hap pas hapi u lidh gjithnjë e më shumë me barazinë para ligjit dhe ajo që ka torturuar Shqipërinë dhe ka torturuar shqiptarët këtu ka qenë që s’ka pas asnjëherë një ndjesi të qartë barazie para ligjit.
Tani, sot ne jemi në kushtet kur po shohim fillimin e një epoke të barazisë para ligjit, se barazia para ligjit nuk është kur dy veta që nuk i njeh njeri dhe që nuk kanë asnjë fuqi, shkojnë te gjykatësi. Gjykatësi s’ka asnjë interes tjetër veçse ta mbylli shpejt e shpejt, edhe aty mund t’i japin drejt njërit, atij që ka të drejtë.
Barazia e para ligjit është ku i dobëti me të fortin shkojnë atje dhe gjykatësi i trajton në mënyrë të barabartë. Barazia para ligjit është kur siç një qytetar që shkel ligjin, shkon para drejtësisë edhe një përfaqësues i lartë i pushtetit politik shkon para drejtësisë. Ne nuk e kemi pasur kurrë këtë. Sot, për herë të parë, që nga koha kur Ismail Qemali ngriti flamurin, jo larg nga këtu ne kemi njerëz të lidhur me pushtetin politik, qoftë në qeveri, qoftë në opozitë, që thirren nga prokurorë të pavarur e pa dëgjuar ndonjëherë dhe që gjykohen nga gjykatës të pavarur dhe që nuk ka asnjë forcë jashtë forcës së tyre që mund t’i ndalojë. Altin Dumani ka qenë këtu, nuk e kemi sjellë ne nga hëna, E nxori procesin në krye të SPAK-ut. Ka qenë, nuk e di sa vite prokuror, keni dëgjuar ndonjë njeri që Altin Dumani të thërrasë ndonjë, ndonjë zyrtar të dorës tretë e t’i thotë, hajde këtu, ça ke bërë? Nuk e keni dëgjuar. Këtu janë vrarë njerëz, këtu janë hedhur në erë njerëz, këtu kanë ndodhur skandale nga më të mëdhatë, nuk keni dëgjuar ndonjëherë që është një Altin Duman në Tiranë ose është një Prokurori në Tiranë që i thirri këta, përkundrazi, mbase ju e keni qenë të vegjël, por kur këtu janë vrarë njerëz në protestë i pari i qeverisë atëherë i dha urdhër policisë, i tha mos i zbatoni urdhrat e prokurorisë.
Prokuroria nxori urdhër për të ndalu nja tre persona nga policia, i parë i qeverisë tha, nuk keni për të ju për fare. Edhe nuk u nuk u zbatuan urdhrat. E imagjinoni sot ju që unë të dalë dhe të ndalojë ekzekutimin e urdhrave të prokurorisë të Altin Dumanit, të SPAK-ut. Nuk e imagjinoni dot, e dini pse?
Vetëm për një arsye dhe për asnjë arsye tjetër në këtë botë dhe në këtë vend, sepse ne, unë dhe Partia Socialiste e kemi ndarë mendjen që këtij vendi t’i japim një drejtësi të pavarur. Dhe jemi ne, jemi ne që kemi ndërmarrë reformën drejtësi, nuk e kanë ndërmarrë amerikanët, as europianët. Jemi ne që e kemi shkruar në program, përpara se të vinim në qeveri dhe kur disa aty brenda për brenda nesh thoshin, po si do të shkruani në program se kjo do më shumë vota se votat që do të marrim ne, ne s’do të marrim 94 vota të ndryshojmë Kushtetutën, ne s’do marrim 84 vota të ndryshojmë ligjet. Unë i thoja: Do ta shkruajmë, se ne duhet në radhë të parë ta fusim mirë në kokën tonë dhe ta besojmë vetë 100% që ne jemi forca që do ta hapim këtë rrugë. Është t’i hysh detit në këmbë, po do t’i hyjmë detit në këmbë, se s’ka rrugë tjetër. Nëse nuk bëhet këtu barazia para ligjit, jo që ne nuk futemi kurrë në Bashkimin Europian, por ne nuk bëjmë kurrë prokopi këtu. Dhe ja ku jemi sot, reforma u bë na mbështetën patjetër amerikanët, na mbështetën europianët. Ata që i kishim dhe i kemi përballë ishin kundër, dhe sot çfarë ju thoni juve? Juve, ça i thonë popullit? Na jepni votën në 11 maj, në 12 maj do të shkrijmë SPAK-un.
Pra, institucioni që ka lindur për të fuqizuar idenë e barazisë para ligjit, pavarësisht lajthitjeve të tyre, se kanë edhe ata lajthitjet e tyre, por janë të pashmangshme, sepse është një gjë e re, nuk është aty i sigurt. Varet kush qeveris. Nesër mund të çmendet Partia Socialiste këtë ju nuk e dini, ne nuk e dimë, kalojnë 4 vjet, kalojmë 5 vjet, kalojmë 6 vjet, vjen një tjetër, thotë jo më, ça na duhet ne kjo drejtësia, kthehemi prapë aty ku ishim.
Sepse që nga lindja e shtetit shqiptar dhe deri përpara pak vitesh, shpatën që e ka në dorë drejtësia në çdo vend për të bërë ndëshkime, e mbante kryetari, aty te zyra ime ka qenë shpata që kur ka lindur qeveria, aty ke zyra nga se mbretëri, se komunizëm, se demokraturë shpata ka qenë aty dhe prandaj edhe i burgosuri i fundit politik në Shqipëri, se dëgjova njëri i thoshte i burgosur politik është ky Babalja, ky Babalja është gallatë pastaj. Po i burgosuri i fundit, por jo Babalja i madhi legjendar i Vlorës, që vajtëm atje në Radhimë dhe i pamë atë pikën ku ishte simboli me peshkun, Babalja kapiteni i madh, jo Babalja i madh. Flasim për këta llozhurat, siç thonë në Skelë.
Fatos Nano, pse? Sepse shpata ka qëndruar në dorën e, dhe ajo shpatë ka bërë që mos ketë procese, mos ketë hetime, mos ketë asgjë, se rrinte shpata e të parit qeverisë mbi kokën e të gjithëve. Sot, atë shpatë e ka drejtësia dhe ne këtë gjë e kemi bërë të vetëdijshëm që duke dorëzuar shpatën, patjetër që, patjetër që kemi vënë dispozicion edhe trupin se në fund të fundit, ajo shpatë është në radhë të parë për të ndëshkuar më të fortët, për të ndëshkuar ata që abuzojnë me pushtetin e tjerë sdhe prandaj të gjithë atyre që thonë ‘’socialistët janë të gjithë nëpër burgje’’ iu them, e para; na marrin të keqen për një arsye shumë të thjeshtë, se ata që janë para drejtësisë mund të jenë sa gishtat e dorës, kurse në që luftojmë për drejtësinë, në 11 maj mund të bëhemi ndoshta dhe 1 milionë dhe ne jemi të vendosur në këtë pikë ama nëqoftëse futemi në BE , një gjë është shumë e sigurtë, nuk ka më forcë këtu brenda që lëviz më nga themeli që të gjithë janë të barabartë para ligjit sepse futemi në një familje ku s’jemi më vetëm, në një familje ku jemi të varur siç jeni shumica akoma nga prindërit, e dini shumë mirë ju, se nëqoftëse prindërit ju mbyllin derën, ju ndërpresin financimin, s’ka më xhel nëpër flokë këtu si fillim, ikën xheli. Gjithë këto flokët kështu si ndërtim pa leje, ikin edhe legalizohet komplet forma e kokës sepse vareni prej tyre edhe kështu është edhe për të gjithë vendet e BE, jo vetëm për vendet e vogla por edhe për vendet e mëdha.
BE është një familje ku liria individuale një, barazia para ligjit dy dhe standardet e bashkëjetesës me liri, konkurrencë, meritë etj, nuk negociohen për askënd ama, BE është një vend kur hyn është tamam si ju kur shkoni në shtëpi, për ne. Është e ndarë në dy kategori, janë kontribuesit qe janë prindërit atje si prindërit tuaj, Gjermania, Franca, Holanda që janë më të pasurit e më të zhvilluarit, më të fortët që japin para. Ata më shumë japin se marrin nga BE por atyre BE iu duhet sepse është një hapësirë e madhe tregu. Dhe janë vendet si ne që janë përfituesit; momentin që ne hyjmë atje, ne do na japin para, përveç gjitha të tjerave dhe po ju jap dy shembuj; në të gjitha këto vite ne BE na ka mbështetur me pak më shumë se 1 miliardë euro në total, gjithë këto vite. Në momentin që hyjmë në BE, ne do të marrim më shumë se 1 miliardë euro në vit.
Po ju jap të dytin shembull bujqësinë. Në gjithë këto vite nga BE ne kemi marrë mbështetje për bujqësinë më pak se 200 milionë euro gjithë këto vite. Në momentin që hyjmë në BE, ne marrim 300 milionë euro në vit dhe ju kujtohet besoj, kur ra COVID, të gjithë ata që jetonin në Greqi ose ata që kishin të afërm në Greqi thoshin ‘’greku jep kaq e greku jep aq , po ju pse s’jepni”. Greku s’jepte asgjë në fakt, ato i jepte BE sepse në atë familje, momentin kur ndodh diçka, një pandemi, një krizë çfarëdo, një zjarr, vihet në lëvizje gjithë familja dhe hapet arka dhe shpërndahen lekët ekstra. Pra duke hyrë në BE ne kemi një buxhet ekstra, nuk jemi vetëm me buxhetin tonë, nuk jemi vetëm më kreditë që marrim kështu që përshpejtohet gjithçka siç është përshpejtuar për çdo vend që ka hyrë në BE.
Kjo ishte fjala ime sot për BE. Tani, kam dhe një gjë të fundit, dua ta them këtu me ju. Mbrëmë kam pasur një nga ditët më të këndshme të jetës sime politike sepse më kanë ftuar për darkë një grup prej rreth 100 të rinjsh e të reja të FRPD dhe i thashë, më ftuan për darkë, darkë shumë e mirë, i thashë- e kuptoni sa mirë jetohet sot në Vlorë që edhe ju që jeni në opozitë shiko sa mirë jetoni? Po përtej shakasë dua të them këtë; e para një herë i falenderoj për kurajon që në një moment të caktuar dhe kaq të rëndësishëm si ky, panë saktësisht, ekzaktëisht atë gjënë që them unë se duhet të shohin të gjithë sot. Ata nuk u bënë socialistë dje. Mbase nuk bëhen asnjëherë socialistë dhe nuk ka asnjë problem, por dje ata erdhën dhe bashkë me zyshën, Zamirën, thanë që ‘’ne duam ta investojmë votën tonë tek PS në 11 maj’’. Pra i falenderoj për kurajon, shpresoj që këtë shembull ta marrin dhe të tjerët. E dyta, ju kërkoj ndjesë unë atyre jo se bëra unë ndonjë faj në këtë rast por sepse sot u bënë objekt tipik i një sulmi të kënetës se tek këneta kur bën si buf, je qëndrestar; kur në një moment dukesh njeri, je i lidhur me bandat dhe i shitur kështu që më vjen keq por nuk ka asgjë në fakt për të ardhur keq. Atyre s’duhet t’u vijë keq, thjesht ata duhet të ndiejnë keqardhje për atë katandi të asaj force politike që lindi si forca e shpresës dhe sot është bërë llumi i kënetës. Dhe e treta, unë kam shumë rezerva për PS e Vlorës, ky nuk është sekret. E kam ndarë këtë gjë vazhdimisht me kë kam mundur këtu. Unë kam besuar dhe besoj që pengesa jonë për të marrë atë që ne mund të marrim nga vlonjatët, nga qytetarët e Vlorës për ato që kemi bërë dhe për ato që do të bëjmë, pavarësisht të metave dhe gabimeve, pengesa jonë nuk është dhe nuk ka qenë ndonjëherë kundërshtari që kemi pasur këtu, por ka qenë PS e Vlorës. Unë kështu besoj dhe kur them PS, jo anëtarësia por një grup njerëzish që kanë qenë gjithmonë të aftë të bëjnë vetëm një gjë; ta mbyllin partinë dhe t’i thonë gjithë Vlorës që ‘’lëre se ç’thotë Edi Rama në televizor, këtu jemi ne’’. Dhe dje jam ndjerë shumë keq kur ka dëgjuar nga disa nga ata të rinjtë se si ata jan ndierë në raport me përfaqësuesit tanë këtu. Këta deputetë që janë sot në listë dhe që do jenë nesër në parlament, nuk do jenë dhe nuk duhet të jenë kurrë deputetët e PS vetëm për anëtarët e PS këtu por duhet të jenë deputetët e Vlorës për Vlorën dhe gjithë vlonjatët dhe Vlora është shumë e vogël për t’i lejuar vetes një luks absurd që të gjithë njerëzit që duhen për të kontribuar, t’i qëmtojmë në një anë. Ne duhet të jemi të zotë që njerëzit më të mirë, profesionistët më të mirë, njerëzit më të përkushtuar, ata që duan të punojnë për Vlorën, ata që duan të punojnë për qarkun e Vlorës, ata që duan të punojnë për Shqipërinë, ta kenë një mundësi pavarësisht se ça bindjesh kanë. Kjo duhet të jetë Partia Socialiste, që një familje të ketë kurajon dhe të ketë angazhimin që çdo vajzë e çdo djalë në këtë qytet ta shohë në sy dhe të mos e privojë nga ajo që meriton dhe gjithmonë të mos e privojë nga një gjë që është shumë e thjeshtë, që çdo qenie njerëzore që është qytetar i këtij qyteti, i këtij qarku e meriton, respektin.
Le të shkojnë të bëjnë ça të duan, siç sapo e konfirmoi dhe ‘’zogu’’ që sapo fishkëlleu, ekzakt se e kam kuptuar me vonesë që kjo fishkëllima e gjatë në Vlorë nuk është kështu nervozizëm, është erotizëm, është dashuri, është pasion, është erotizëm politik. Pra, ne këtu jemi dhe më vjen shumë mirë që jeni këtu sot dhe unë dëshiroj, dhe uroj dhe shpresoj që të gjithë ata që janë këtu sot, të bëhen zëdhënësit e kësaj fryme, e kësaj fryme që mëshiron kjo skuadër, një skuadër e përzierë, imagjinoni. E kishin imagjinuar ndonjëherë ju që të shikonit ‘’shtrigën ‘’ e Vlorës këtu, Bruna Mersinin në një podium me ‘’shtrigën’’ e çadrës? Ja ku janë. Ajo i ka lyer flokët për fushatë po ajo i ka të zeza, kështu që një e zezë, një e bardhë, të dyja bashkë këtu? Kjo është Partia e re Socialiste që ne duam për Vlorën dhe ju falenderoj shumë. Sinqerisht falenderoj shumë ata që qëndruan në këmbë edhe deri në 11 maj, ti që bën këtë fishkëllimën e gjatë, do t’ia bësh në vesh këtë fishkëllimën çdokujt që është i lëkundur. Dakord? Shumë faleminderit!