Nën kujdesin e Kryeministrit Rama u zhvillua sot Tryeza e Përbashkët të Diskutimit me më shumë se 100 përfaqësues të biznesit në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, agropërpunimit dhe agroturizmit, për të folur dhe ndarë ide, në frymën e hartimit dhe bashkërendimit të politikave dhe instrumenteve të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë bujqësore, drejt vizionit “Shqipëria 2030”.
Kjo tryezë diskutimi synon të krijojë një platformë interaktive për diskutime mbi çështje të zhvillimit të ekonomisë bujqësore në sektorët e prodhimit (bujqësor, blegtoral dhe të peshkimit), agropërpunimit, agroturizmit, si edhe për çështje specifike.

Në nisje të takimit, Kryeministri Rama theksoi se një takim i tillë do të çelë një kapitull të ri bashkëpunimi dhe ndërveprimi në territoret ku zhvillohet jeta e përditshme e fshatit.

* * *

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Mirëdita dhe shumë faleminderit! Arsyeja pse jemi mbledhur këtu sot ka të bëjë me nevojën tonë, për të dëgjuar më nga afër dhe në mënyrë më të strukturuar këndvështrimet tuaja sipas fushave të ndryshme të aktivitetit në këtë territorin, hapësirën e madhe të zhvillimit rural, ku gjatë gjithë periudhës së fundit të kontakteve intensive me njerëzit në fshat, për shkak të procesit elektoral kemi krijuar ndjesinë që jemi në nevojën për t’u afruar më shumë dhe për të dëgjuar më shumë nga jeta e përditshme reale e njerëzve që jetojnë dhe punojnë, dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre të sipërmarrjes në fshat.
Në mënyrë sporadike kemi mundur të informohemi për gjëra që në pamjen e parë janë shumë të thjeshta, por faktikisht janë jashtë rrezes së vëmendjes dhe të leximit nga ana e qeverisë dhe nga ana e strukturave tona vendimmarrëse dhe shkaktojnë konsum të madh energjie dhe patjetër edhe konsum të pafrytshëm të kohës suaj që është njëkohësisht dhe koha e vendit.
Nuk dua të hyj në detaje sepse është gjithë kjo ditë përpara për të folur deri në detaje, por dua të them që arsyeja pse e kemi ndërtuar këtë diskutim, këtë tryezë të përbashkët diskutimi në një formë tjetër nga ato të zakonshmet, është pikërisht sepse duam që diskutimi të shtrihet në çdo detaj dhe opinioni juaj të mund të shtjellohet plotësisht në një hapësire informale, pasi kjo mesa kuptoj unë ka munguar dhe na mungon.
Dhe patjetër që mbas këtij diskutimi do mundohemi të gjejmë rrugët se si ky kontakt i vazhdueshëm të jetë më i frytshëm, më garantues për dëgjimin e zërit tuaj, edhe patjetër edhe më i dobishëm në funksion të politikave dhe vendimmarrjeve tona.
Ne kemi bërë një përzgjedhje bazuar tek profilet e ndryshme të sipërmarrjes në fshat edhe natyrisht bazuar në një gjeografi të caktuar, ku kemi marrë opinionet e drejtuesve tanë të qarqeve, por nga ana tjetër kemi ftuar këtu edhe disa drejtues të pushtetit vendor, duke pasuar parasysh që edhe kjo është një hallkë e dobët e jona në qeverisjen e fshatit, pasi qysh se është bërë reforma administrative territoriale dhe bashkitë janë zgjeruar me përmasën e hapësirës rurale, në vend se kjo të sillte një rritje të vëmendjes dhe një rritje të mundësive për fermerët dhe për sipërmarrjen në fshat, ka sjellë një shkëputje.
Në një masë të madhe kryetarët e bashkive e shikojnë fshatin si çështje të urbanizimit, si çështje të infrastrukturës rrugore, të pastrimit, të ndriçimit, por nuk e shikojnë si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit dhe jemi në një pikë ku duhet patjetër të garantojmë një kthesë në këtë drejtim, sepse ende sot nuk kemi asnjë ndërmarrje të vetme bujqësore të krijuar me kontributin dhe me bashkëpunimin e fermerëve, sipërmarrësve dhe të strukturave të pushtetit vendor.
Janë bërë disa tentativa, por faktikisht nuk mund të themi se kemi krijuar një model. Ndërkohë që kemi vendosur në dispozicion të fermerëve të fshatit dhe një linjë të re kredie nga Banka e Shqipërisë, 250 milionë euro që është një shumë kolosale për t’iu përgjigjur ambicieve dhe për t’i dhënë mbështetje projekteve në fshat, por që kjo e kombinuar bashkë me garancinë sovrane që është prej kohësh në dispozicion të fshatit, nuk kanë sjellë dhe gjasat janë që të mos sjellin asnjë rezultat domethënës, në rast se ne nuk ndryshojmë qasjen dhe kur them ne, nuk kam parasysh juve që jeni në sallë, por kam parasysh ne që jemi në politikëbërje dhe në vendimmarrje.
Dhe për të ndryshuar këtë qasje, na duhet një bashkëpunim më i afërt me protagonistët që janë në fushën e përpjekjes së përditshme në fshat dhe na duhet një plan për të ndërtuar modelet e duhura. Këtu janë edhe disa prej drejtuesve vendorë mesa shoh dhe shpresoj shumë që nga kjo bisedë e sotme të çelim një kapitull të ri bashkëpunimi dhe ndërveprimi me territoret, në të cilat zhvillohet jeta e përditshme e fshatit.
Nuk është vetëm linja e re e kredisë që ka nevojë të shfrytëzohet maksimalisht dhe që rrezikon të mbetet e pashfrytëzuar, por është edhe Paketa e Maleve, e cila është një tjetër instrument i ri i vënë në dispozicion të zhvillimit rural që përsëri rrezikon të mbetet e pa shfrytëzuar në rast se ne nuk arrijmë të ndërtojmë mekanizmat e duhur të ndërmjetëm, deri kur këto gjëra të kthehen në pjesë të të menduarit të përditshëm të komuniteteve dhe këtu kam parasysh me komunitete, ata që punojnë tokën me ata që administrojnë territorin në nivelin vendor dhe në nivelin qendror sipas funksioneve të tyre.
Kemi potenciale të jashtëzakonshme akoma të pashfrytëzuara, kemi fatmirësisht dhe këtë unë kam mundur ta konstatoj dhe personalisht, realitete të jashtëzakonshme në fshat, kemi protagonistë që jo thjeshtë, kanë ndërtuar një sipërmarrje të suksesshme, por kam një bagazh të jashtëzakonshëm dijesh dhe këto dije janë një pasuri, që duhet ta ndajmë së bashku mirëpo nuk mund ta ndajmë së bashku nëqoftëse nuk jemi ne që vijmë tek ju dhe presim që ju të vini tek ne.
Kjo është arsyeja pse jemi këtu. Faktikisht ftesat janë bërë duke pasur parasysh edhe faktin që të kemi një numër protagonistësh të administrueshëm në një tryeze diskutimi, se natyrisht ju nuk jeni të vetmit, ka dhe plot të tjerë dhe ata që nuk e shohin veten këtu, në asnjë mënyrë nuk duhet të ndjehen të përjashtuar, por thjesht ky është një hap i parë për të ndërtuar pastaj një proces dhe për të pasur tryezat e përbashkëta të diskutimit për fshatin edhe në nivel qarku, ku mund të ftohen patjetër dhe të tjerë, por duke u nisur nga ato që me gjasë do jenë konkluzionet e para të këtij diskutimi.
Pra, është një nevojë e jona, një nevojë e madhe e jona, kemi nevojë të madhe që të rrisim impaktin e institucioneve, që në letër dhe në misionin e tyre kanë mbështetjen e bujqësisë, mbështetjen e Zhvillimit rural, por që në realitet kanë dobësi të mëdha.
Dhe këtu unë do dëshiroja shumë që të jetë një diskutim shumë i hapur. Nuk na bën asnjë punë ne që juve të flisni duke rrumbullakosur fjalët ose duke mos i thënë gjerat troç ashtu siç janë, vetëm kështu mund të na jepni ne mundësinë që të kuptojnë se çfarë duhet të bëjmë më mirë për ju dhe pastaj se çfarë bashkërisht do bëjmë më mirë për vendin në tërësi sepse çfarë bëhet mirë për vendin është bashkim i kontributeve të të gjithëve. Dhe natyrisht, nëse ne arrijmë të bëjmë më mirë dhe më shumë që juve të bëni më shumë dhe më mirë, bashkimi i të gjithë kontributeve e bën Shqipërinë që të ketë më shumë dhe që të jetë më mirë, nuk diskutohet.
Për këtë arsye, mendoj që baza e këtij takimi duhet të jetë të qenit krejt të hapur në raport me arsyen pse jemi mbledhur pa asnjë rezerve, pa asnjë dorashkë, çfarë juve shikoni në jetën e përditshme dhe çfarë konstatoni dhe çfarë mendoni që duhet të bëjmë ne.
Sepse ndjesia ime është që në suksesin tuaj, roli ynë është shumë më i vogël sesa ç’duhet të jetë në fakt, kjo është ndjesia që kam. Pra unë besoj që juve harxhoni më shumë energji sesa duhet për aspekte të caktuara të punës për shkakun tonë. Dhe mund t’ju kursehen një pjesë e këtyre energjive që t’i përdorini si duhet të tjera gjëra.
Dhe këtu natyrisht hyjnë të gjitha andrallat me burokracinë, hyjnë andrallat me gjithfarëlloj aspektesh të punës dhe është një zinxhir i tërë që duhet kuptuar si duhet dhe duhet adresuar si duhet, që nga farërat, tek subvencionet, tek mënyra se si bëhen aplikimet dhe se si shpërndahen subvencionet, dhe me radhë tek asistenca që merret nga institucionet në territor, tek mënyra si funksionojnë drejtoritë e ndryshme; tek linjat e prodhimit, tek grumbulluesit, tek faturat e kështu me radhe. Ne kemi bërë goxha ndryshim, por jemi akoma jo në vendin e duhur për t’u ndjerë mirë me funksionimin e sistemit dhe nëse nuk arrijmë dot t’i japim bujqësisë profilin e sipërmarrjes dhe nëse nuk arrijmë dot t’i japim dot të gjithë atyre që duan një shans, duke jetuar në fshat, mundësinë që të ngrenë sipërmarrje dhe të dalin me një fitim që ua bën kuptimplotë jetën e tyre në fshat, ne nuk e kemi kryer detyrën.
Dhe kjo nuk mund të jetë një histori subvencionesh për të mbajtur frymën, por duhet të jetë një histori bashkëpunimi për të transformuar frymën e punës dhe frymën e gjithë jetës së një sipërmarrjeje rurale. Ky vend duhet të ketë një sipërmarrje rurale të fuqishme.
Ne kemi patjetër ambicien që tani t’ i kushtojmë shumë më tepër rëndësi agropërpunimit, t’i kushtojmë shumë më tepër rëndësi rritjes së eksporteve të produkteve të përpunuara, por kjo kërkon sipërmarrje dhe kjo sipërmarrje nuk mund të jetë çështje fati dhe çështje thjeshtë dhe vetëm e dëshirës dhe ambicies së disa individëve, por duhet të jetë një strukturë e tërë pune të përbashkët.
Kjo kërkon sipërmarrje dhe pushteti vendor duhet të bëhet pararojë në këtë sipërmarrje, duhet të jetë pika e parë mbështetëse për ata që duan të zgjerojnë sipërmarrjen e tyre ose që duan të bëhen sipërmarrje të reja në të gjitha aspektet. Jo pushteti vendor të jetë siç ndodh shpeshherë, se s’dua ta përgjithësoj, problemi kryesor për të marrë një vërtetim, për të marrë një certifikatë, për të marrë një leje, për të zhvilluar një projekt në aspektin fizik. Jo është kështu, jo është ashtu, jo është stallë, jo s’është stallë; jo bëra stallë, jo s’bëra stallë; domethënë një histori e paimagjinueshme për ritmin që duhet t’iu japim ne kësaj pune.
Besoj që të paktën arsyeja dhe fryma e kësaj tryeze besoj është e qartë, tani mbetet që të vazhdojmë bisedën edhe që të marrim maksimumin nga secili prej jush, kështu që duhet të ndiheni krejtësisht të lirë për të folur edhe për të na dhënë mundësinë që të kuptojmë më shumë se çfarë ndodh në territor dhe çfarë ju ndjeni si mungesë, edhe si mundësi në raport që me njësinë administrative, para se të shkojmë tek dera e minibashkisë, por që me njësinë administrative deri pastaj te dera e Ministrisë së Bujqësisë, gjithë zinxhiri. Patjetër duke kaluar në të gjitha hallkat e tjera që lidhen me ju, tatimet, doganat e ku di unë.
Shumë faleminderit edhe një herë për ardhjen tuaj këtu. Shumë faleminderit edhe për mikpritjen atyre që kanën ngritur këtë realitet kaq të bukur këtu në këtë territor dhe ta konsiderojmë tryezën të hapur.
* * *
– I nderuar kryeministër, e vlerësoj këtë takim dhe praninë e Kryeministrit. Industria e bimëve dhe erëzave të Shqipërisë po kalon sot momente shumë të vështira për disa probleme globale të krijuar siç është zhvlerësimi i euros dhe dollarit, mungesa e financimeve në agropërpunim për arsye të mbylljes së fondeve të BE dhe unë do ju kërkoja ne emrin tim dhe të industrisë që duhet të kthejë vëmendje qeveria në këtë sektor sepse faktikisht në 30 vite ka luajtur një rol të madh në punësimin e njerëzve në zonat rurale, ku ka qenë e pamundur që të hapen vende pune në sektorë të tjerë të ekonomisë. Do ju kërkoja që në projekt buxhetin e vitit që vjen duhet që t’i lihet një zë AZHBR që për ato kompani, të cilat nuk kanë arritur të përfitojnë asnjëherë nga fondet e BE apo nga AHZBR të kenë mundësi që ndonjë makineri, ndonjë pajisje apo ndonjë investim të ketë mundësi për t’i marrë.
Kryeministri Edi Rama: Duhet të them një gjë, që të jemi të qartë për objektivat që kemi. U bëmë shumë vite që përpiqemi të krijojmë një realitet kapitalist po themi dhe kryefjala jonë, nuk e kam fjalën fare për ju në këtë rast, e kam fjalën për ne në radhë të parë, kryefjala jonë është buxheti. Mblidh taksa dhe jep buxhet dhe të gjithë turren tek buxheti, duam më shumë buxhet, ndërkohë që nga ana tjetër duan më pak taksa. Ndërkohë e thashë në hyrje, buxheti nuk është në asnjë mënyrë përgjigja për sfidat që ne kemi dhe për zhvillimin që ne duam të bëjmë. Për të ardhur konkretisht tek kjo që thatë ju, po e përsëris, 250 milionë euro është linja e kredisë së Bankë së Shqipërisë. Është një linje kredie jo konvencionale në kuptimin që nuk ka interesat e një kredie që jep sot banka, është një kredi shumë më e butë, plus me një garanci sovrane nga qeveria. Bashkia duhet të jetë e para forcë e interesuar që me këta njerëz të ulet edhe të bëjë një projekt dhe të ndërtojë një shoqëri te përbashkët, dhe të fusë fonde në atë shoqëri të përbashkët dhe për atë shoqëri të përbashkët të marrë kredinë përkatëse të garantuar nga shteti dhe kështu nuk është një çështje subvencionesh, me subvencione nuk shkojmë larg, thjeshtë mbijetojmë, ndërkohë që në rast se krijojmë një shoqëri, një kompani, ku bashkia bëhet pjesë dhe ku qeveria bëhet pjesë përmes garancisë sovrane me kredinë, financim i është shumë më i madh sesa 10 vjet financim nga subvencionet dhe ajo që duhet bërë në rastin konkret, është që ju duhet të bëheni promotorë të kësaj sepse ju i keni kapacitetet që ta bëni një projekt edhe të uleni me bashkinë dhe të thoni ‘’ça do bëjmë tani’’.
Natyrisht që kjo kompani mund të aplikoje edhe për fonde të tjera, nuk diskutohet; kjo kompani e përbashkët mund të shkojë tek AZHBR, mund të shkojë kudo për të aplikuar. Kjo është rruga. Bashkitë nëpër Evropë janë pjesëmarrëse aktive të zhvillimeve në biznesin në fshat. Nëqoftëse do mbetemi tek buxheti, po ju them që buxheti i shtetit për bujqësinë ka shumë më pak sesa keni ju që jeni këtu, të deklaruara dhe të padeklaruara. Po të marrim ato që keni ju të deklaruara dhe të padeklaruara t’i bëjmë bashkë, vetëm në këtë sallë ka më shumë se çka buxheti i shtetit për bujqësinë. Si zgjidhet në buxhet kjo punë? Nuk zgjidhet me buxhet. Buxheti është vetëm një element. Duhet të rrisim, – dhe juve vetëm se keni bërë sukses me sipërmarrjen, jeni pika kryesore e mbështetjes, se ju e para, ju mund të zgjeroheni si dini, si të zgjeroheni dhe ne jemi këtu t’ju mbështesim për zgjerimin dhe e dyta, juve jeni ata që mund t’i udhëhiqni, mund t’i tërhiqni bashkitë në proces, duke sjellë dijen tuaj.
Kështu që unë pres, duke qenë se juve keni dhe shoqatën, unë pres që shoqata juaj të vijë e të thotë “shiko, ne kemi bërë një projekt, ia kemi çuar bashkisë së Malësisë së Madhe. Nuk po marrim mbështetje. Ia kemi çuar bashkisë së Shkodrës, një tjetër ia kemi çuar bashkisë së Laçit e ku të doni ju, dhe nuk kemi marrë përgjigje’’ dhe këtu duhet pastaj të gjejmë ne mënyrën se si të ndërhyjmë dhe si të mbështesim, por ama gjëja duhet të fillojë nga projekti.