Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive të vendit, në kuadër të analizës për performancën e pushtetit vendor dhe për të forcuar koordinimin institucional në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian.
Takimi nisi me një fjalë hapëse nga Kryeministri, ku theksoi rëndësinë e një administrimi efikas vendor për të përmbushur objektivat strategjikë kombëtarë. Fokusi kryesor i diskutimeve përfshin çështje të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt zhvillimin e qëndrueshëm të territorit dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Mirëmëngjesi dhe mirë se keni ardhur!
Faleminderit kryetares për mikpritjen në Durrës dhe siç e keni marrë agjendën e ditës, sot jemi këtu së bashku me ministrin e Pushtetit Vendor, zëvendës kryeministren dhe një sërë drejtuesish të institucioneve të lidhura drejtpërdrejte me aktivitetin e pushtetit vendor për të adresuar disa çështje që i konsiderojmë shumë të rëndësishme në mbarëvajtjen e punës së pushtetit vendor, por edhe më shumë se kaq ne ecurinë e përgjithshme të vendit për të realizuar objektivin madhor të interesimit në BE, ku siç do ta shpjegoj në mënyrë të detajuar ministrja e Shtetit dhe kryenegociatroja jonë për anëtarësimin në BE, pushteti vendor ka një rol të posaçëm.
Jemi këtu dhe sepse jo shumë kohë më parë, pak kohë më parë kemi marrë 83 mandate, një rekord historik për një forcë politike që na ngarkojnë me një barrë shumë më të madhe sesa ajo që kemi pasur pasi janë një kredi besimi të madh dhe nga ana tjetër janë edhe një test i jashtëzakonshëm i karakterit tonë.
Përpara sesa të fillojmë me pikat e temave të ditës së sotme dua të bëj një adresim të përgjithshëm të disa problematikave kyçe që fatkeqësisht karakterizojnë sot qytetet e mëdha dhe qytetet me një ngarkese të posaçme të fluksit turistik të Shqipërisë, ku dobësia e pushtetit vendor ka dalë në pah edhe si rezultat i pikërisht një ndryshimi shumë të madh të gjithë mënyrës së funksionimit të vendit për shkak të faktit që vendi tanimë nuk mban vetëm banorët e vet, por mban edhe një ngarkesë ekstra turistësh dhe vizitorësh që vijnë në rritje dhe që sigurisht sjell me vete sfida të reja të komplikuara dhe ngarkesa të mëdha ekstra për pushtetin vendor posaçërisht në territoret ku siç thashë, përqendrimet e vizitorëve dhe turistëve janë më të mëdha dhe një nga gjërat që vihet re është dhe nxitja e brendshme e biznesit për të kapërcyer kufijtë e paravendosur të veprimtarisë së vetë në formën e daljes përtej tyre dhe të zaptimeve të territorit ashtu dhe të deri edhe të ndërtimeve pa leje në territore ku vëmendja është me e vogël apo si në Vlorë ku kryetari i bashkisë dhe struktura atje i kanë sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur dhe është bërë një pikë qendrore e diskutimeve për shkak se ka marrë vëmendjen e ditës ajo që ka ndodhur në Theth ku gjatë periudhës së zgjedhjeve apo le të themi në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve ka pasur një bum ndërtimesh pa leje, zi rezultat dhe i përgatitjes së sezonit të ri turistik.
Jo një por rreth 40 denoncime janë bërë nga Policia e Shtetit për këto ndërtime, pra në një aspekt Policia e Shtetit ka funksionuar, struktura e Policisë ka denoncuar ndërtimet pa leje në Prokurori dhe siç është bërë e ditur publikisht në një rast të një flagrance spektakolare ku nuk është ndërtuar thjeshtë një ngrehinë por ku është ndërtuar një fshat i tërë turistik në mes të Thethit, Prokuroria ose më saktë një prokurore me mbiemrin Gjeli ka vendosur mos fillimin e hetimeve, pra ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë dhe kë bërë një ese filozofike mbi pafajësinë e ndërtimit pa leje. Ndërkohë që ndërtimi pa leje në Republikën e Shqipërisë është vepër penale dhe ndërkohë që ndërtimi pa leje në një zonë të mbrojtur si Thethi është një vepër penale edhe më e rëndë.
Nga ana tjetër, IKMT ka filluar të veprojë, por duhet thënë që qoftë në Theth, qoftë në Vlorë, qoftë dhe në territore të tjera dobësia e madhe e Inspektoratit për Mbrojtjen e Territorit, Tirana për shembull është një qytet ku ka një volum të madh të problematikave të zaptimit përtej kufijve normal të bërjes biznes dhe qoftë Policitë Bashkiake, janë realisht struktura shumë problematike deri në pikën që me përjashtime të rralla, nuk janë zgjidhje.
Nga ana tjetër, për të gjithë ata që thonë pse u kujtuan tani dhe pse i lanë këto, që kjo është një betejë e përditshme dhe nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat dhe mbi të gjitha nëse struktura e pavarur e drejtësisë nuk është në dispozicion të kësaj përpjekjeje dhe nuk është e gatshme të mbështesë zbatimin e ligjit, por përkundrazi është si një kullojëse makaronash ku gjërat rrjedhin dhe pastaj faktet e kryera mbeten në territor atëherë kjo është një përpjekje që natyrshëm do duhet të shfaqet në këtë formë hera herës deri sa të gjithë ta ndajnë mendjen që nuk ka asnjë llogari që të nxjerrë fitues duke bërë ndërtime pa leje.
Dhe nga ana tjetër dua të theksoj që në Theth për shembull ne kemi bërë një plan të tërë pune me bashkinë e Shkodrës, kemi bërë legalizimin e ndërtimeve të vjetra, kemi bërë edhe kualifikimin urban të Thethit, kemi vendosur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit financime.
Nga ana tjetër është shumë e domosdoshme që ne të bëjmë një reformë të re të kontrollit mbi territorin dhe të ndërhyjmë në legjislacion me të gjitha ato që kanë lindur të nevojshme nga një eksperiencë tanimë e gjatë dhe nga çfarë na ka treguar territori.
Do duhet të bëjmë një reformë që do duhet të përfshijë Inspektoratet e mbrojtjes së territorit në nivel bashkiak, policitë bashkiake, patjetër IKMT, pa diskutim zyrat e urbanistikës.
Kështu që na duhet një reformë për të shërbyer të gjitha këto territore me cilësinë më të mirë të mundshme të mendimit urbanistik dhe me cilësinë më të mirë të mundshme të shërbimit ligjor për bashkitë, për kompanitë, për pronarët që me të drejtë duan të fillojnë pronat e tyre dhe është koha për të bërë sinteza të këtyre strukturave dhe për të krijuar më shumë shërbim për bashkitë, duke mos e lidhur domosdoshmërish këtë shërbim me çfarë burimesh njerëzore ka dhe dikton aty vetë territori.
Kështu që na duhet një punë e posaçme, e përbashkët edhe për këto, edhe për rregullat e reja që duhet të kenë kantieret që janë bërë një problem më vete, të gjitha llojet e kantiereve.
Janë bërë një problem më vete përsa i përket mbrojtjes së mjedisit, përsa i përket shqetësimeve që krijojnë jashtë kufijve të veprimtarisë së tyre. Kantiere që vendosen me kufij tërësisht arbitrar që zënë deri dhe trotuare të tëra, siç ndodhte në Lungomaren e Vlorës, ku njerëzit duhet të zbrisnin në rrugë për të kaluar të gjithë atë perimetrin e kufirit të një kantieri.
Po ashtu edhe duhet një qasje në këtë reformë me legalizimet, me masat shtesë që duhen marrë për të dekurajuar dhe për t’i dhënë një goditje përfundimtare fenomenit të ndërtimeve pa lejë që ka rënë shumë, por që është prezent, gjithsesi jo pak.
Nga ana tjetër jemi në kushtet kur nuk mund dot të mbetemi vetëm tek sytë e njerëzve në territor dhe kur tanimë po i bëjmë gjërat bashkë për të pasur një kontroll teknologjik mbi territorin, për të pasur një kontroll që të na garantojë siç ka filluar punën qendra e monitorimit të trafikut dhe do të bëhet tërësisht teknologjike me projektin e ri që kemi nisur tani në një fazë të avancuar me Emiratet e Bashkuara, e njëjta gjë duhet të ndodhi edhe me territorin.
Inspektimi i territorit në kuptimin e ndërtimeve duhet të mbështetet nga një fuqi e madhe teknologjike me satelitët që i kemi, me dronët që i kemi, po edhe me një strukturë të dedikuar, siç është Qendra e Monitorimit të Trafikut, duhet të ndërtojmë qendrën e monitorimit të ndërtimeve.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit në ndërkohë ka përgatitur edhe një rregullore të re për të gjitha kompanitë dhe të gjitha kompanitë e ndërtimit do të detyrohen që për të gjitha ndërtimet që janë për qëllime fitime, nuk flasim për shtëpi, flasim për pallate, për ndërtime që kanë impakte të caktuara në jetën e lagjeve, në jetën e banorëve gjatë kohës së ndërtimit dhe po ashtu flasim për ndërtime që nuk mund të lejojmë që ta kalojnë kufijtë e lejeve, që kantieret të pajisen të gjitha me kamera online 24 orë dhe të ndiqen në kohë reale nga forcat e inspektimit ashtu sikundër kantieret qoftë të gjitha llojet e kantiereve të ndërtimit duhet të pajisen me GPS në mënyrë që të monitorohet i gjithë trafiku i tyre edhe në funksion të hedhjes aty ku duhet, të mbetjeve të kantierit, edhe në funksion të materialit që hyjnë e dalin prej kantierit ku ka evazion të konsiderueshëm në raste të caktuara.
Këto janë për territorin ndërkohë që në legjislacion do të forcohet ende më shumë roli i arkitekti dhe përgjegjësia e arkitektit, siç e ka gjithë bota. Arkitekt që bashkëpunojnë me ndërtuesin për të shkelur lejen e ndërtimit, nuk mund ta gëzojnë më licencën e arkitektit dhe duhet të përballen me pasoja të natyrës penale siç e ka gjithë bota. Ndërkohë që leje përdorimi, leje shfrytëzimi të godinave pa firmën përfundimtare të arkitektit, nuk mund më të jepet, ashtu sikundër duhet të shikojmë dhe marrjen e një mase tjetër që të mos ketë lidhje të ujit dhe të dritave për asnjë ndërtim që nuk disponon lejen e ndërtimit zyrtarisht dhe nuk merr miratimin e strukturës përkatëse për t’u lidhur me ujin dhe me dritat. Është e paimagjinueshme që një ndërtim pa leje, restorant, bar, hotel a çfarëdo qoftë vjen dhe thotë ‘’jam në proces legalizimi, paguaj ujë, paguaj drita’. Është e gjitha mbrapsht dhe çfarë është bërë në gjithë procesin e standardizimeve të futjes në binarët e ligjit të legalizimit dhe të normalizimit, ka qenë gjëja e duhur, por nuk mund të vazhdojë ky avaz, kur dihet shumë mirë që edhe ligji ka vënë një kufi për legalizimet.
Dhe duke ardhur tek uji, edhe këtu kemi nevojë për një reformë, kemi filluar një punë paraprake të gjitha llojet e eksperiencave, të gjitha llojet e kalkulimeve që bëjmë, na nxjerrin një konkluzion që është koha për një operator kombëtar të sistemit të shpërndarjes së ujit, njësoj siç kemi operatorin sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Një operator kombëtar që të adresojë në mënyrë koorporative dhe jo në mënyrë politike një çështje etike siç është çështja e furnizimit me ujë. Mund ta parafytyroni ju për shembull një zyrë drejtori të një ujësjellësi me 30 këshilltarë? Staf, këshilltar, sekretarë, ku di unë. Nuk ka zyra ime as çerekun, nuk kanë zyrat tuaja as çerekun. Mund ta parafytyroni një drejtor UKT me 30 veta në zyrë? Kjo ishte drejtoria e Ujësjellësit të Tiranës dhe çudira ka pasur shumë, ka më pak në tërësi, por ka tepër për një vend si Shqipëria që nuk e ka luksin të vazhdojë të presë që të konsolidohen ujësjellësat, që të bëhen të gjithë punën e duhur, që të funksionojnë si ndërmarrje etj.
Një bashki që arrin deri në absurditete si bashkia e Vlorës që financon me dhjetëra-mijëra euro një televizion privat. Keni parë kështu ju? Për nuk e di se çfarë se me siguri ka ndonjë arsyetim filozofik aty, por nuk mundet dot të vazhdojmë kështu. Duhet të konsolidojmë këtë strukturë, duhet të ndërtojmë një tjetër ndërmarrje si ndërmarrjet që kemi sot në fushën e energjisë që nga shëmbëlltyrat më të turpshme të shtetit, janë kthyer në ndërmarrje funksionale dhe nga gropat më të mëdha thithëse të buxhetit të shtetit, janë kthyer në ndërmarrje me rregulla, me bilance, me të gjitha ato që duhet, për të qenë edhe të gatshme për të hyrë edhe në marrëdhëniet me bankat e kështu me radhë. Këtë duhet të bëjmë me ujin, në gjithë hartën e Shqipërisë të kemi një kakofoni dhe një larmi të çuditshme strukturash që trajtojnë mbetjet dhe patjetër, bazuar dhe në mësimet e domosdoshme që duheshin nxjerrë nga ajo që ndodhi me drejtuesit e mbetjeve në 3 bashki ku përtej gjithë benefiteve të asaj pune që unë i qëndroj dhe nuk lëviz, pati problematika të ngritura me gjithfarëlloj arsyesh. Na duhet dhe aty të ndërtojmë një korporatë kombëtare që të merret me gjithë pjesën, jo me mbledhjen e mbeturinave që është çështje e bashkive, por me pjesën e gjithë sistemit të trajtimit të mbetjeve. Dhe natyrisht që eksperienca por edhe imazhi, edhe serioziteti i profilit të Shqipërisë sot, na jep mundësinë që të hyjmë në marrëdhënie me kompani të mëdha të suksesshme në Evropë dhe në botë për të bërë gjërat e duhur në këto drejtime, duke marrë një “know how” të domosdoshëm dhe duke kapërcyer fazën e një vendi që merr borxhe, shpenzon lekë, për këto lloj strukturash siç janë ujësjellësat, që nuk mund të vazhdojnë dot të jenë problemi ynë, por duhet të jenë një nga armët tona më të forta sepse jemi një vend i pasur me burime ujore dhe ndërkohë që të tjerët s’kanë ujë dhe janë shëmbëlltyra të suksesit të ujit, siç është Izraeli apo vende të tjera.
Në fund fare dua të ngre dhe një problem tjetër me ju, që është problemi i qasjes dhe i filozofisë të lekëve nga buxheti, rroga dhe investime. Lekë nga buxheti, rroga dhe investime ndërkohë që ende nuk po krijohen ndërmarrjet fitimprurëse të bashkive. Ka disa tentativa të para por shumë minimale dhe shumë të pamjaftueshme.
Ndërkohë që me reformën territoriale nuk kemi më bashki dhe komuna, pra bashki që merren me qytetin dhe komuna që merren me fshatin, por kemi bashki që merren me të dyja dhe ende sot mentaliteti dhe qasja është që puna e bashkisë është puna komunale në fshat, pra rrugët, ujësjellësi, kanalizimet, hapja e kanaleve kulluese dhe vaditëse, pastrimi ndriçimi por jo jeta e fshatit, jo toka, jo prodhimi, jo grumbullimi, jo përpunimi, jo eksporti. Këto janë në dorë të atyre që punojnë tokën dhe të Ministrisë së Bujqësisë. Ndërkohë që nëse shkoni në Greqi, në Itali dhe kudo tjetër në një vend të BE dhe përtej BE do të shikoni që bashkitë janë pjesë e jetës së fshatit si sipërmarrëse. Bashkitë janë pjesë e strukturave të grumbullimit, baskitë janë pjesë e strukturave të përpunimit, bashkitë janë pjesë e linjave të eksportit dhe sot kemi një instrument shumë më domethënës sesa instrumentet që kemi pasur deri dje, ku patjetër bashkitë duhet të marrin përgjegjësinë në pjesën e tyre që është linja e kredisë së Bankës së Shqipërisë 250 milionë euro, një kredi e butë ku bashkitë duhet të jenë forcë udhëheqëse, bashkitë duhet t’i bëjnë bashkë fermerët dhe ti thonë “hajde bëhemi bashkë aksionere për të bërë një linjë përpunimi të ullirit dhe për të prodhuar vajin e ullirit, për të bërë një linjë përpunimi të domates, për të prodhuar salcën e domateve” e kështu me radhë të gjitha të tjerat. Dhe sigurisht që duke qenë bashkitë pjesë bëhet shumë më e thjeshtë për bankat që të mbështesin fermerët për këto projekte me këtë linjë kredie të butë që ka një risk dhe sigurisht që duke u bërë bashkitë pjesë e kësaj edhe qeveria ka mundësi përmes ministrisë së bujqësisë të futet dhe të rrisë mbështetjen.
Kush do t’i ndihmojë dhe kush do tua u bëjë më të lehtë rrugën njerëzve që janë në fshat për të shkruar projektin, për të shkruar kërkesën për kredi, për të shkruar projektin që duhet për të marrë fonde nga AZHBR për të pasur aksese të tjera me fonde të tjera të BE, kush do t’ia bëjë? Se tokën dinë ta punojnë vetë ata, edhe domaten dinë të nxjerrin vetë deri tek dera, po para ekstra që të fusin për të mos e lënë prodhimin thjeshtë dhe vetëm merre të freskët dhe nxirre jashtë por bëje dhe më shumë se kaq mund ti marrin vetëm nëse do jenë bashkitë pranë tyre dhe departamentet nëpër bashki janë qesharake, janë komike, janë departamente të krijuara për të bërë qoka, nuk janë departamente njerëzish që merren me tokën dhe njerëzish për të cilët ka respekt nga ana e njerëzve të fshatit ndërkohë që është më shumë më tepër sesa gjysma e zonës së menaxhimit. Kështu që duhet bërë një angazhim i madh në këtë se e kemi thënë edhe e kemi thënë por tani kemi dhe mundësinë e instrumentit të linjës së financimit.
Paketën e Maleve kush do ta aktivizojë? Do ta aktivizojë mos besimi i shumë njerëzve që janë jashtë dhe duan të investohen këtu dhe duan ta ndërtojnë shtëpinë në një zonë ku nuk kanë titullin e pronësisë por që mendoja iu thotë që është kot kjo punë se nuk bëhet apo do ta angazhojë investimi në radhë të parë i kryetarëve të bashkive me emigrantët që janë jashtë që shumë prej jush tanimë falë dhe pjesës së punës së madhe që u bë me diasporën dhe dua t’ju falënderoj për gjithë kontributin tuaj i njihni për t’ju thënë “hajdeni, do t’ju ndihmojmë ne”. Dhe është bërë një pakete që është më e thjeshta e mundshme edhe për ata që nuk e kanë titullin e pronësisë por që e kanë tokën të tyren, iu mjafton një vërtetim nga këshilli bashkiak që kjo tokë është e kësaj familjeje dhe nuk ka kontestim dhe marrin me një projekt për të cilin dhe për atë duhet ti ndihmoni ju, duhet t’i ndihmojmë ne, marrin leje ndërtimi dhe në momentin kur e ndërtojnë bujtinën apo linjën e përpunimit apo fermën apo çfarëdo qoftë duan të ndërtojnë marrin dhe hipotekën, por këto të gjitha kërkojnë një rol pro aktiv të bashkive, këto të gjitha kërkojnë një rol pro aktiv që gjërat, projektet, iniciativat e qeverise, gatishmëria e qeverisë për të mbështetur njerëzit të mos trajtohen si bari i varrezave të Elbasanit. Bari i varrezave të Elbasanit ka potencialin të bëhet kallam dhe të bëhen varrezat si kallamishte. Domethënë është një lloj bari që aq shumë është lënë dhe lihet pa u prekur saqë jo vetëm rritet por mund të synojë të bëhet kallam dhe pastaj kur shkon dikush i vë flakën dhe për turp bëhen varrezat vend zjarre vënie atëherë del që personi është i çekuilibruar mendërisht, gjë që mund të jetë e vërtet, por nëse bari është i qethur siç duhet edhe zjarri nuk merr qiellin se është e pa konceptushme të ndodhin gjëra që do ti faleshin kryetarit të bashkisë ose do t’i faleshin kryetarit të bashkisë së Elbasanit nëse Elbasani do të ishte sa Shanghai, por një qytet që mund ta përshkosh në këmbë çdo ditë, cep më cep pa asnjë problem, siç janë shumica e qyteteve të Shqipërisë dhe të mos dijë kryetari i bashkisë se çfarë ndodhë?
Mos të jetë kryetari i bashkisë i informuar për çdo gjë që ndodhë, për çdo tullë që vihet në qytet? Është e pamundur. Është e pamundur nëse kryetari i bashkisë i ka sytë hapur dhe i rri mbi kokë gjerave. Dhe patjetër që nëse kryetari i bashkisë i ka sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur, ata që janë nën të i kanë sytë të mbyllur siç i kishin në bashkinë e Vlorës.
Prandaj edhe në bashkinë e Elbasanit dhe në bashkinë e Lushnjës duhet bërë ë njëjta gjë si në bashkitë që deri tani është bërë pezullimi i plotë, shkarkimi i të gjithë drejtorëve me dorëheqje për t’iu dhënë mundësinë atyre dhe të tjerëve që të provojnë që janë njerëzit e duhur për atë pozicion. Duhet shkundur e gjithë kjo pemë sepse 10 mandate në Elbasan, kryetar janë një barrë që po të them, mua personalisht bashkë me 12 mandatet e Fierit dhe bashkë me 9 mandatet e Vlorës, më ka marrë edhe ato orë që flija gjumë. Duhet të të lëmë pa gjumë ty, jo të flesh më shumë.
E kam vënë re që për disa, morëm 83 mandate dhe sikur mezi presim që të shkojmë dhe të tregojmë se sa të fortë jemi, ndërkohë që në fakt nuk jemi më të fortë, jemi më të ekspozuar karshi përgjegjësisë dhe karshi njerëzve që na i kanë dhënë këto mandate dhe që me shumë të drejtë duan dhjetërfishin nga ne. Po çfarë dhjetëfishi mund t’i japësh ti Elbasanit në qoftë se ti e lë barin në varreza të digjet? S’mund ti japësh dot. Dhe nëse gjen justifikimin, “ po jo se…”, justifikimet janë për ata që nuk e kane këtë detyrë. Mund ti gjejmë ne justifikime sa të duam vetes, por nuk na vlejnë fare. S’kanë asnjë vlerë justifikimet, sepse njerëzit nuk na kanë dhënë mundësinë të justifikohemi, se po të ishte për tu justifikuar, e kishin njerëzit më shumë sesa ne mundësinë të justifikoheshin të thoshin shiko, vërtet ju po na kërkoni votën, por shiko se unë kam këtë, kam këtë, kam këtë dhe i kam të gjitha arsyet që mos vij të të votoj se s’ më është bërë kjo. Nuk e panë kështu njerëzit. Përkundrazi. Kështu që për ne s’ka asnjë justifikim. Asnjë justifikim! Zero! Zero! Mund ta di unë pse bashkia e Cërrikut u bë tani 3 vjet, a ku di unë sa ka, që i përpunon të gjitha mbetjet e fshatit dhe jo vetëm i përpunon, por i kthen në produkt dhe pse nuk e kanë të tjerët këtë gjë? Më duket se e ka bërë dhe Roskoveci, në mos gabohem, pse nuk e kanë të gjitha bashkitë këtë gjë?! Nuk është një inovacion që ka ndodhur në Japoni dhe s’po e marrim dot se nuk e ka marrë akoma as Italia. Është inovacion i bashkisë së Cërrikut. Pse nuk e kanë të gjitha bashkitë? Pse nuk vrapon ti për shembull në Cërrik, ta mësosh si bëhet që ta bësh dhe ti për fermerët e Elbasanit ose tjetri e tjetri. Se ju thashë, Shqipëria është sa një bashki e madhe në Europë. Pse? Pse duhet të rrimë të presim dhe e vetmja gjë, kërkojmë fonde nga qeveria. Për çdo gjë, duam fonde nga qeveria. Çfarë të bëjë qeveria? Të marrë borxh, të japë lek, të marrë borxh, të japë lekë, ndërkohë që ka mundësi të pafundme për të prodhuar, t’i vënë në funksion të komunitetit.
Këto janë gjërat që kisha unë. Dhe përsa i përket, se shoh që këtu janë dhe disa nga kryetarët e forcave të tjera, po përsa i përket kryetarëve të Partisë Socialiste, të gjithë kryetarët e njësive duhet të shkarkohen. Që të gjithë! Kryetarët e njësive administrative të Republikës së Shqipërisë të gjithë duhet të shkarkohen dhe tu ri jepet mundësia, por duke iu dhënë njëherë mundësia dhe të tjerëve që të tregojnë se mund të jenë më të zotë se ata.
Votat që kemi marrë më shumë se çdo herë tjetër, e kanë rritur diferencën midis sa jemi ne anëtarë partie dhe sa janë ata që e duan këtë parti në krye. Dhe rritja e kësaj diference, do të thotë që ne duhet ta rrisim hapësirën, ta zgjerojmë hapësirën dhe për ata të tjerët që nuk na njohin, nuk janë çdo ditë me ne, por na kanë dhënë votën, duke na dashur në krye e duke besuar që ne mund të bëjmë shumë më mirë. S’na i kanë dhënë votën që thjesht të bëjmë atë që kemi bërë. Dhe nga ana tjetër, Shqipërinë në BE në 2030-ën nuk e bëjmë dot duke përsëritur të njëjtat gabime. Gabime mund të bëjmë, por gabime të reja. Jo të njëjtat gabime. Jo të njëjtat gjëra. Duhet të bëjmë të tjera gjëra dhe një nga gjërat kryesore është tu japim një mundësi të re njerëzve që të kontribuojnë për këtë vend, dhe drejtorë dhe kryetarë njësish, nuk i fus të gjithë në një thes se me siguri ka dhe kryetarë njësish, siç është kryetari i njësisë së Novoselës, që mund të ketë 30 vjet aty, por është ditën dhe natën në krye të punës. Ditën dhe natën! Nuk i fus të gjithë në një thes, por shumica dërmuese nuk ka nevojë të dinë çfarë bëjnë se mjafton të shohësh si lulëzojnë barërat e këqija në territoret e tyre, për të kuptuar që nuk janë në funksion. Kryetari i njësisë që ka varrezat në Elbasan për shembull, duhet shkarkuar pa kthim se aty fillon problemi. Tek ai që është më afër gjësë, deri sa vjen te kryetari i bashkisë.
Dhe duke qenë se këtu është dhe drejtori i Përgjithshëm të Policisë, drejtor, ajo që është bërë dje, me shkarkimin e Drejtorit të Shkodrës, unë dua ta ritheksoj që është, shpresoj, mesazh për të gjithë. Asnjë drejtor qarku nuk mund të justifikohet se nuk dinte gjë, kur nuk bëhet fjalë për një tavolinë me 4 karrige që ka dalë nga vija, por bëhet fjalë për 40 ndërtime pa leje, apo qoftë dhe për 1 ndërtim pa leje.
Policia e ka treguar që kur do, di të shkojë dhe në majën e një mali ku një fshatar po bën një avlli dhe ti thotë është ndërtim pa leje, apo jo Vangjel?! Edhe në majën e Pilurit, që duhet zemër që t’ia hysh të ngjitesh, atje e gjetën njërin. Ndërkohë poshtë në bregdet, ku ndërtohen resortet dhe ku merret dheu nga kantieri dhe hidhet dhe bëhet deti i kaltër i Jonit, sikur është lumi i Lanës, nuk e shohin. Quhet daltonizëm kur ti sheh bojë kaf, dhe të duket blu. Kështu që, të gjithë drejtorët e qarqeve, të gjithë shefat e komisariateve duhet ta dinë që përgjegjësia është mbi ta, për të drejtat e tyre, jo për një mur apo për një avlli, për çdo ndërtim, që ka formën e një pallati, kur aty ka paligjshmëri.
Nuk kemi ne 4 mijë kilometra bregdet që të kemi luksin që të na dëmtohet akoma më shumë seç na është dëmtuar në të shkuarën, dhe të gjithë ndërtuesit kanë filluar ta marrin dhe duhet ta marrin mesazhin shumë të qartë. Nëse ne angazhojmë ajkën e arkitektëve ndërkombëtarë në Shqipëri ku kemi sot përqendrimin më të madh të arkitektëve më të famshëm, në të njëjtin vend në Europë dhe nëse ne angazhojmë strukturat tona dhe treçerekun e qeverisë për të miratuar lejet e ndërtimit me projektet e këtyre arkitekteve edhe merren ekspertët dhe merret AZHT me të gjitha detajet dhe merren ata me të gjitha detajet, ne nuk mund të lejojmë që pastaj projektet në territor të bëhen sipas qejfit, që në projekt është gur i zonës edhe ai në territor e bën suva me pllakë majolike nga Turqia.
Kush merr përsipër të ndërtojë në këtë Shqipëri, do duhet të marri përsipër të gjitha detajet që ka ndërtimi dhe kulmin e cilësisë dhe natyrisht që kjo s’është punë e Policisë, por ama fillon nga Policia.
Nuk mundet dot, si mundet njëri të marri fadromën dhe të hapi 500 metra në kodër, kodra atje e gjitha e gjelbëruar, 500 metra rrugë në shkëmb e hap njëri pa leje mbi kokën e Ermal Dredhës. 500 metra në shkëmb dhe policia s’di gjë. Kjo s’është e mundur! Kjo nuk është e mundur!
Kështu që kontrolli mbi territorin, pastërtia, respekti për lejet e ndërtimit, pamundësia për të ndërtuar pa leje, duhet të jenë pjesë e jetës së përditshme të Policisë së Shtetit, pjesë e jetës së përditshme të bashkive, edhe të kryetarëve të bashkive.
Nëse një kryetar bashkie qoftë i qytetit më të madh të Shqipërisë do të dijë se çfarë po ndërtohet në qytet, nuk diskutohet që e di, menjëherë, sepse kryetarët e njësive administrative, sepse ndërlidhësit, sepse, sepse, sepse.
Faleminderit edhe shpresoj që ditën e hënë të gjithë kryetarët e njësive administrative të jenë të shkarkuar.
Edhe një detaj tjetër që nuk e shtjellova. Përsa i përket atij problemi që e kanë shumë nga ju lidhur me urbanistikën do duhet që të shohim mundësinë e një formule tjetër që bashkitë qendra qarku, në bazë i planifikimit edhe i trajtimit të kërkesave dhe kur them bashkitë qendra qarku nuk kam parasysh zyrën e bashkisë, kam parasysh për shembull, Lezha, apo Vlora, apo Durrësi kanë zyrën e urbanistikës së zonës dhe së qarkut dhe ajo zyra e urbanistikës së qarkut do duhet të mirë paguhet të ketë njerëzit e vet në territor dhe të jenë si struktura satelite të AZHT dhe njëkohësisht të jenë të lidhura drejtpërdrejtë me bashkitë. Pra çdo kryetar bashkie në këtë zyrë ka referencën e vet, ka personin apo personat që mbulojnë bashkinë e tij dhe kështu mund të kemi një mundësi që të kemi më shumë kapacitete, edhe mund të kemi mundësinë që të gjejmë edhe njerëz nga jashtë bashkisë që të jenë të gatshëm të shkojnë të punojnë atje, por të kenë një pagë tamam dhe të kenë kushte tamam, se ndryshe nuk shkon njeri që të rrije gjatë, të punojë në Urbanistikën qoftë edhe të Himarës, e lërë me pastaj të Përmetit apo Kolonjës, apo ku di unë apo të Vaut të Dejës, Pukës, Tepelenës.