Shkodër – Mes energjisë së të rinjve votues për herë të parë

Fjala e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama:

Shumë faleminderit të gjithëve! Është kënaqësi, patjetër dhe besoj që ju, duke qenë se jeni dhe në këmbë, nuk doni dhe fjalim shumë të gjatë. Unë e kam jo shumë të lehtë të flas shumë shkurt, por do përpiqem të flas shkurt, duke ju thënë se personalisht, fiksimin e vjetër që “Si ka mundësi që nuk ma dhanë njëherë shansin shkodranët për të provuar se çfarë mund të bëjmë ne për Shkodrën” unë e kam nxjerrë kështu që…

Dy vjet më parë më në fund na e dhanë mundësinë edhe në 2 vjet, ne kemi bërë për Shkodrën atë që nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku.

Vjet, nga të gjitha të dhënat ekonomike, nga të gjitha të dhënat e biznesit të vogël, ka qenë viti më i mirë i Shkodrës sepse Shkodra ka filluar, sapo ka filluar, të bëhet edhe atraksion turistik, ku nuk janë thjeshtë disa turistë që kapërcejnë për gjysmë dite nga Mali i Zi, po ku ka shumë turistë që vijnë enkas për Shkodrën dhe natyrisht, kjo, falë ndryshimit që ndodhi këtu.

Nëse ka një vend, – ka plot vende, – por nëse ka një vend ku mund të thuash “Kush mendon që vota nuk vlen e ka gabim” dhe të shohë se si vetëm vota ktheu përmbys historinë bashkëkohore të Shkodrës, nga një histori degradimi, izolimi, zhytje në pluhur e në pisllëk në një histori rilindjeje është këtu dhe nga ana tjetër, unë besoj që ka shumë, shumë për të bërë akoma sepse me qytetet e tjera, kemi pasur mundësinë të punojmë më shumë në një kohë më të gjatë, me Shkodrën kemi vetëm 2 vjet, por ama kemi një bashki që udhëheq, kemi një kryetar bashkie që projekton dhe ndjek projektet, kemi të gjithë vullnetin për t’i dhënë Shkodrës më shumë dhe këtë herë i kemi vendosur përpara qytetarët e Shkodrës, besoj unë, zgjedhjen më të mirë që kanë pasur ndonjëherë në listën e Partisë Socialiste.

Pyetja për qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë ju është shumë e thjeshtë, ose që ju duhet t’ia bëni të tjerëve: A doni që Shkodra të ketë më shumë fuqi? Atëherë duhet të çoni më shumë njerëz në parlament nga Partia Socialiste.

A doni që Shkodra të ketë zë më shumë? Atëherë keni mundësi të shtoni zërat për Shkodrën në Kuvendin e Shqipërisë, duke votuar për ata dhe ato që do të jenë pjesë e tryezës së qeverisë, pjesë e tryezës së vendimmarrjes, jo për kënetën. Çfarë do bëjnë ata të kënetës atje?

Imagjino, kur mendoj që kanë nxjerrë prapë atë, si e ka ai? Imagjino, domethënë, kthe xhaketën mbrapsht, ktheje prapë nga e para, ktheje prapë mbrapsht dhe thuaj “Merre se e ke të re”. Xhaketat më të konsumuara i kanë sjellë këtu, edhe nga jashtë Shkodrës edhe nga brenda, edhe thonë “Votoji këta”. E çfarë do bëjnë ata? Çfarë do bëjnë ata? Asnjë gjë. Çfarë do kenë në dorë? Asnjë gjë.

Kush do të ketë në dorë më shumë, duhet të punojë më shumë dhe të shtojë prezencën aty, ku merren vendimet dhe e dyta, ju i keni dëgjuar bisedat e mia për pasaportën, por kjo nuk është shaka dhe kjo nuk është një pasaportë që njeriu duhet të mendojë “Hë mo se këtë kemi për ta marrë ne gjithsesi”. Jo, nuk është kështu, nuk është as “Kemi për ta marrë gjithsesi” dhe as “Kemi për ta marrë kur mund ta marrin tani” sepse nëse e shfrytëzojmë atë që na e ka sjellë fati, sepse e ka sjellë fati. Puna jonë është njëra anë, por nga ana tjetër, që ata të hapin derën për Shqipërinë është më shumë se puna jonë, janë rrethanat e Europës në përgjithësi, rrethanat e botës në përgjithësi, që ata tani duan të zgjerojnë Bashkimin Europian dhe ne kemi bërë detyrën tonë dhe jemi gjendur aty, ku duhet në momentin e duhur, por tani duhet të hyjmë brenda.

Deri dje ishim tek lagja tjetër dhe ata thonin “Një ditë do vini tek Rozafa”, sot jemi këtu, por do të hyjmë brenda dhe për të hyrë brenda duhet të mbyllim negociatat deri në 2027.

Për të mbyllur negociatat deri në 2027, na duhet një fuqi më e madhe në parlament sepse negociatat janë bisedime përditë, përditë, përditë.

Mbi çerek milionë faqe, që nga drejtësia e ekonomia dhe deri tek zogjtë, tek peshqit, tek ujërat, tek mjedisi e gjithçka, ato që merremi vesh atje “Po dakord, po dakord” duhet të vijmë këtu t’i bëjmë vendime, t’i bëjmë rregulla, t’i bëjmë ligje nuk mund të vijmë këtu dhe t’i lutemi kënetës “Hajde tani se kjo duhet për të mbyllur negociatat” prandaj na duhet një fuqi më e madhe se ajo që kemi sot në Kuvend, jo për mua, as për partinë në vetvete sepse ne jemi shumicë dhe do mbetemi shumicë, problemi është të jemi një shumicë më e fortë dhe shqiptarët bashkërisht, siç e bënë në Shkodër xhanëm, 2 vite përpara. Çfarë bëtë ju në Shkodër 2 vite më para ju dhe të tjerë që janë demokratë? Thatë “Në djall shkoftë kjo punë, t’i bashkojmë njëherë votat t’ia japim një kandidati, që mbase do na bëjë ndonjë gjë se u lodhëm”, dhe rezultoi një zgjedhje shumë e mençur. Pra, e lanë mënjanë shkodranët, jo e majta e jo e djathta, jo PS-ja e jo PD-ja dhe i ranë në kokë.

Tani është koha prapë për t’i rënë në kokë apo nuk është ajo 5-sa në mes të fletës së votimit, as majtas e as djathtas.

Këto kam unë për të thënë dhe dua të bëj një falënderim të veçantë dhe një përgëzim të veçantë për këtë gocën këtu, për Kejsin. Ne këtu, në Shkodër kemi gjysmën e skuadrës i kemi gra dhe vajza dhe këtu në Shkodër kemi edhe deputeten më të re të Shkodrës kështu që urdhëro, thuaji dy fjalë.

Dhe me fjalët e mençura të Kejsit ju uroj të gjithëve një mbrëmje të mbarë, me një porosi për gocat për që cilëndo prej tyre që ka ndonjë simpatizant demokrat, ndodh, ju ka ardhur në dorë rasti ideal për ta vënë në provë simpatizantin sa mend ka.

Jo për ta bërë socialist, absolutisht jo, demokratët rrinë democrat, por me Shqipërinë, me BE në Europë apo me bufin e kënetës në gropë.

Në qoftë se ai të thotë unë jam me bufin e kënetës, është koha për ta përcjellë dhe për të parë majtas.

Faleminderit !