Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në takimin me vajzat dhe gratë socialiste të Shkodrës
Më kujtohet që kur kemi ardhur për të bërë takimin e parë në këtë pallat sporti shumë vite përpara, tribunën e kishin vendosur diku këtu, mbrapa nuk kishte njeri dhe në këtë pjesën këtej ishte një pamje burrash nga të katërta anët dhe tek tuk ndonjë grua apo ndonjë vajzë. Sot kjo sallë është për mua personalisht shumë kuptimplotë, shumë kuptimplotë sepse në këto vite kemi arritur së bashku të bëjmë diçka jashtëzakonisht të rëndësishme për bashkësinë tonë shqiptare, kemi arritur që të vendosim një ekuilibër mes burrave dhe grave, një ekuilibër që mungonte plotësisht dhe unë besoj që nëse Shqipëria pati një periudhë aq dramatike të një tranzicioni aq të vështirë dhe nëse Shqipëria vuajti dhe populli shqiptar vuajti nga shumë vendime të gabuara, një nga arsyet themelore ishte se vendimmarrja kishte një mungesë të madhe, mungonte zëri i gruas.
Aq e vërtetë është kjo sa edhe ato shumë pak gra që patën kurajon dhe gjetën rrugën për tu ngjitur në skenë, flas për në skenën e përballjes publike politike, faktikisht, dukeshin aq të vetmuar dhe dukeshin aq të vetmuara sa shpesh detyroheshin të silleshin si burra ndërkohë që sot, duke kthyer kokën pas, me një Parti Socialiste që kishte 12% gra dhe vajza por më shumë 12% gra dhe vajza të regjistruara por jo aktive sepse askush nuk i thërriste dhe sepse nuk kishte në fakt ndonjë gjë të madhe për të bërë në ato organizata, sot ne kemi 40% gra dhe vajza dhe sot ju jeni 39 mijë, por ne nuk duhet të ndalemi derisa gratë dhe vajzat në këtë familje të madhe që është familja më e madhe politike e shqiptarëve, të jenë 50 mijë. Por, ajo që është ende më kuptimplotë, shikojeni skuadrën tonë këtu në Shkodër, jo vetëm që janë gjysmat gra dhe vajza të të gjithë listës së deputetëve por edhe në listën e mbyllur përsëri ne kemi gjysmat që janë gra dhe vajza.
Në rang republike, jemi partia që kemi numrin të më madh të grave dhe vajzave kandidate por ama jemi partia që kemi numrin ku e ku më të madh të grave dhe vajzave deputete sepse 52% e listave të mbyllura janë gra dhe vajza. Kjo që ne kemi bërë ka reflektuar jashtëzakonisht shumë në shumë aspekte në shoqëri; ka reflektuar shumë në besimin e rritur ndaj grave dhe vajzave. Gratë, burrat shqiptarë, i kanë besuar gjithmonë, madje, i kanë besuar vendimet më të vështira sepse gjithmonë burrat shqiptarë e kanë ditur se gratë janë më të zgjuara se ata por ama asnjëherë nuk kanë dashur ta pranojnë, asnjëherë nuk kanë dashur ta pranojnë, gjithmonë janë përpjekur të thonë që “Ne jemi këtu, ne i dimë gjërat, ne i vendosim gjërat” dhe po ta vini re, sa më shumë i bien gjoksit nëpër kafe, aq më të urtë janë kur shkojnë tek gratë.
Mua më vjen keq që duke i kushtuar në këtë rrugëtim drejt 11 majit një rëndësi të veçantë këtyre takimeve të mëdha me gratë dhe vajzat kam mërzitur disa burra, por e para që është më e rëndësishmja, arsyeja pse unë besoj se këto takime me gra dhe vajza, me këtë pjesëmarrje masive të grave dhe të vajzave që nuk janë thjesht votueset tona por janë pararoja e armatës së fitores së 11 majit, janë shumë të rëndësishme sepse mua jeta politke më ka mësuar se sa të drejtë kishte Margaret Thatcer kur thoshte “Do të bësh muhabet, ulu me burra. Do të mbarosh punë, ngrihu në këmbë dhe shko bëje me gra”.
Nga ana tjetër, që të vij tek tani tek mërzia e tyre, pse janë mërzitur ata? Dhe përpiqen tani të më fusin në sherr me gjithë burrat e Shqipërisë. Unë nuk e kam problem por nuk është e vërtetë ajo që përpiqen të thonë sepse ajo që unë kam thënë, them dhe do ta them pa asnjë gajle është se ne, Partia Socialiste hyjmë në çdo fushë beteje elektorale me një avantazh sapo fusim këmbën në fushë, sepse 56% e grave dhe vajzave të Shqipërisë mbështesin dhe votojnë Partinë Socialiste. Ka qarqe që kjo mbështetje shkon edhe më shumë ndërkohë që kur vjen puna tek burrat nuk jemi me këtë diferencë me kënetën, megjithatë prapë gjysma e burrave votojnë dhe mbështesin Partinë Socialist e ashtu sikundër shumica e votuesve të rinj votojnë dhe mbështesin Partinë Socialiste dhe unë e kam thënë shumë thjeshtë “Cfarë na duhet ne më shumë? ne kemi shumicën e grave, kemi gjysmën e burrave, kemi dhe shumicën e të rinjve”. Tani, keni parë ju që është mërzitur ajo gjysma tjetër? Sepse unë mendoj që të gjendesh përpara zgjedhjes midis Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe Shqipërisë në kënetë dhe të zgjedhësh kënetën je çyryk, unë mendoj je gjysmak, ka diçka që nuk shkon. Unë nuk them që ata burra janë gjysmakë në jetën e përditshme por politikisht nuk mbushin. Ata duan ta provojnë që nuk janë? E kanë një mundësi shumë të thjeshtë që ta provojnë, të vijnë këtej dhe të votojnë Partinë Socialiste, është shumë e thjeshtë, është test.
Këtu në Shkodër gjithë kjo ka një domethënie shumë të veçantë sepse sot, fatmirësisht, falë jush në radhë të parë dhe falë shumicës së qytetarëve të Shkodrës ne nuk jemi më në pozitën, unë nuk jam më në pozitën që të vij këtu siç kam ardhur shumë herë, gati-gati me i rënë në gjunjë shkodranëve duke ju lutur e duke i thënë “Aman, ma besoni njëherë të vetme këtë punë tu them dhe t’ju tregoj se çfarë di të bëj dhe pastaj gjykoni vetë”. Sa herë ia besuam kënetës? Zhytu më thellë dhe voto më shumë për kënetën, zhytu më thellë edhe më shumë për kënetën. Deshi Zoti i madh, falë jush prapë e them sepse unë e di që ka qenë një konspiracion i juaji që i keni bërë burrat që “Hajde njëherë të shkojmë e ta provojmë njëherë këtë rrugë tjetër se vdiqëm duke përsëritur të njëjtën gjë dhe duke besuar se do marrim një rrugë tjetër”. Nuk ndodh.
Ne sot kemi mundësi t’iu themi të gjithëve që në 2 vjet, vetëm në 2 vjet ne kemi bërë për Shkodrën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e mëparshme të marra së bashku. Madje, akoma më keq për ata sepse në dy vjet ne kemi ndërtuar sa kemi mundur por s’kemi bërë asnjë dwm, ndërkohë që në gjithë vitet e mëparshme ata kanë ndërtuar Noc Rokun dhe kanë bërë vetëm dëme.
Sot ishim tek shkolla se shumë nga ju këtu janë nëna dhe çoni fëmijët në shkollë. Nuk kam ndjerë ndonjëherë, prej kohësh nuk e kisha ndjerë atë djegie këtu në gjoks kur kam hyrë me Benetin para ca kohësh tek shkolla Ndre Mjeda, një nga shkollat më të mira me rezultate të fëmijëve. Dhe një godinë që nuk e gjen më në qytetet qendra qarku të Shqipërisë. Duhet të shkosh shumë larg, duhet të shkosh shumë në periferi që të gjesh një godinë si ajo e shkollës “Ndre Mjeda” ku tani ne po bëjmë rindërtimin dhe do ta bëjmë një shkollë model.
Sot ishim tek shkolla Ismail Qemali. Shkollë që ka një rëndësi jo thjeshtë për Shkodrën por për të gjithë Shqipërinë, për historinë e gjuhës shqipe, për historinë e arsimit shqiptar sepse është hapur disa muaj pas pavarësisë, në 1913 në mes të qytetit.
E ndërtuar pastaj e prishur, se ka qenë shkollë e vjetër, e ndërtuar nga komunistët në 1971. Nga 1971 veç futi bojë sipër, asnjë investim, zero. Nga 1971. Dhe aty sot ne vajtëm për projektin dhe do të jetë një nga shkollat jo të Shkodrës, një nga shkollat më të bukura të Ballkanit. Sepse e meriton çdo fëmijë i kësaj republike të shkojë në një shkollë ku dreqi e mori nuk ndjen erën e lagështisë së mureve sa hyn. Por ama ajo shkollë, ekzaktësisht ajo shkollë dhe ky qytet e meritojnë që të kenë një simbol jo vetëm kur kthehesh dhe lexon historinë por dhe kur sheh, dhe kur çon fëmijën në shkollë, që kur fëmijët të shkojnë tek ajo shkollë ta ndjejnë dhe historinë e asaj shkolle.
Sot për herë të parë pas shumë vitesh që vij në Shkodër, hyra tek hyrja e Shkodrës dhe nuk u ndjeva sikur po hyja në kandahar. Ishte çliruar komplet pjesa e majtë që sheh liqenin dhe aty ne do bëjmë një nga parqet më te bukur të Shqipërisë. Por s’është vetëm Shkodra se këtu nuk flasim vetëm për bashkinë e Shkodrës por unë jam i fiksuar me bashkinë e Shkodrës sepse këtu e kam pasur edhe kunjën më të madhe, që firo në gjithë Shqipërinë, hajde këtu, humb. Fito në gjithë Shqipërinë, hajde këtu, humb. Dhe duke qenë se kam dhe gjyshen ndjesë pastë shkodrane, katolike që më ka pagëzuar dhe mua katolik, më vinte plasja, thosha mor çfarë kanë këta me mua. Pastaj mendoja të them të drejtën, nuk janë mirë se të më thonë mua komunist e të mbajnë në krahë një sekretar të Enver hoxhës që për 25 vjet i ka shërbyer byrosë politike edhe ka internuar njerëz se me demek ishte simbol i lirisë, mua më dukej që s’kishte më shpresë këtu dhe që Shkodra do mbetej për shumë gjatë në errësirën ku e gjetëm ne dy vjet përpara bashkë me Benetin.
Sot Shkodra jo vetëm ka shpresë, por sot Shkodra ka hyrë në një rrugë shpresoj pa kthim, se unë nuk e di çfarë thotë mendja e burrave të Shkodrës, nuk e di. Por ama duk parë të gjitha ju këtu, që të paktën gjysmën e burrave në rregull i kemi. Por ama vjet ju keni parë vetëm fillimin e një historie komplet të re për Shkodrën. Vjet Shkodra kalonte mesnatën me rrugët që bubërronin nga turistë që vinin nga të katërt anët dhe dyqanet e Shkodrës, shitoret e Shkodrës, baret, restorantet, gjithë biznesi i vogël i Shkodrës ka realizuar në 2024 të ardhurat më të mëdha në të gjithë historinë e vet. Po të shkojmë jashtë Shkodrës kemi shumë gjëra për të treguar. Sot të gjitha akset strategjike për zhvillimin e turizmit të kësaj që unë e quaj kryeqendra e veriut të Shqipërisë, janë ose të ndërtuara ose në ndërtim e sipër. Nuk ka një aks më strategjik që të mos jetë o i ndërtuar, o në ndërtim e sipër.
Horizonti është hapur për të gjithë ata që e kanë lënë Shkodrën, e kanë lënë Malësinë e Madhe, e kanë lënë Vaun e Dejës, Pukën apo Fushë Arrëzën vite më parë dhe që duan të kthehen dhe të ndezin oxhakun e shtëpisë të gjyshit, kudo ku janë. Këto të gjitha janë të rëndësishme por duke qenë se Shkodra ka qenë një herë e një kohë Europa e Shqipërisë, këtu ka qenë Europa e Shqipërisë në Shkodër, i takon Shkodrës besoj unë që në 11 maj të marrë një vendim shumë kuptimplote dhe shumë domethënës jo për mua as për PS, por për historinë e vet.
I takon Shkodrës që mundësinë historike që kemi sot që të hyjmë në derën që më në fund na është hapur të BE, ta rroki dhe të mos shohë majtas djathtas por të shohë vetëm drejtë. Sepse ne sot jemi thjeshtë forca e duhur në vendin dhe në kohën e duhur, ashti siç ishte PD në mars të 1992 kur shumë shqiptarë që nuk ishin me PD shkuan votuan PD sepse ato zgjedhje nuk ishin zgjedhje për qeverinë e radhës, ishin zgjedhje për të ndarë të shkuarën nga e ardhja dhe populli shqiptar masivisht zgjodhi të ardhmen. Po ashtu, Shkodra masivisht duhet të zgjedhë të ardhmen në 11 maj. Sepse me futjen e Shqipërisë në BE shumë gjëra do të ndryshojnë por unë mund t’ju them që një gjë është e sigurtë. Në momentin që Shqipëria anëtarësohet në BE nuk është më kjo Shqipëri, është një Shqipëri e re. Është një Shqipëri me forca të reja. Është një Shqipëri me mundësi financiare të reja. Është një Shqipëri me aleanca të reja, me një kuptim komplet tjetër dhe mbi të gjitha është një Shqipëri që u jep te gjithë qytetarëve të vet duke filluar nga fëmijët tuaj atë pasaportën europiane.
Ajo pasaportë nuk është një dokument udhëtimi si kjo që kemi sot për të udhëtuar nëpër Europë. Ajo pasaportë është ai status dinjiteti dhe qytetarie europiane që ky popull nuk e ka pas kurrë. Në këto vite ka qenë një përpjekje e madhe dhe ka qenë një këmbëngulje e madhe, një kokëfortësi e madhe për t’iu imponuar të huajve që ta shikojnë Shqipërinë si të barabartë dhe unë besoj që ia kemi dalë që Shqipëria sot ndryshe nga Shqipëria e një dekade më parë të jetë e respektuar, të jetë e vlerësuar dhe të jetë e besuar. Por kjo nuk mjafton se megjithëse sot Shqipëria është kaq e respektuar dhe kaq e vlerësuar, dhe kaq e besuar sa në 16 maj do të zbresin gjithë Europa në Tiranë te sheshi Skëndërbej për samitin politik europian, shqiptarët nuk janë akoma të barabartë.
Barazinë e plotë si qytetarë të Europës të gjithë shqiptarwve ia jep pasaporta e Europës. Me atë pasaportë të gjithë ata që janë jashtë sot dhe që përpiqen për dokumenta, përpiqen për leje qëndrimi, përpiqen për leje pune, përpiqen për këtë e përpiqen për atë nuk kanë nevojë më të përpiqen për asgjë. Ajo pasaportë në çdo vend të Bashkimit Europian të jep barazinë e plotë para ligjit dhe barazinë e plotë të mundësive me çdo qytetar Europian.
Me atë pasaportë fëmijët tuaj nesër, kur t’i çoni me studime nuk do jenë më studentë të huaj që do të paguaj 10 herë më shumë tarifën e universitetit, por do të jenë student europian që do të kenë të njëjtat kushte, dhe do të kenë të njëjtat detyrime si të gjithë studentët e tjerë të Europës.
Me atë pasaportë të gjithë shqiptarët do të mund të ndalojnë ku të duan, do mund të trokasin kudo që dëshirojnë për punë, do të mund të hyjnë e të dalin në çdo vend të bashkimit Europian njësoj siç sot ne hyjmë e dalim nga Shkodra në Tiranë apo nga Tirana në Gjirokastër.
Prandaj ky është momenti dhe kini parasysh që Europa, Bashkimi Europian nuk e mban derën hapur gjithmonë. Ajo derë hapet dhe mbyllet dhe është hera e parë qysh nga viti 1990 që ajo derë është hapur për Shqipërinë. Është hera e parë që ata nuk thonë ato fjalitë e tyre të zakonshme, “një ditë ju do jeni në Bashkimin Europian”, “një ditë ne do jemi bashkë”, “e ardhmja juaj është këtu”, por na kanë hap derën, na ka vënë në tavolinë 250 mijë e kusur faqe të negociatave dhe na kanë thënë bujrum t’i mbyllim negociatat në 2027-ën dhe ju të bëheni anëtar i kësaj familje.
Tani, dy gjëra dua t’ju them, se dua t’ju marrë kohë, se më dëgjoni, besoj vazhdimisht, kujdes kur hapni frigoriferin, se mund t’ju dalë në frigorifer këto ditë, se në televizor…
Dua t’ju them dy gjëra e para, ju thonë të dëgjoni ç’është kjo histori që tre herë, tre mandate nuk mjaftuan për t’u bërë anëtar të Bashkimit Europian dhe Edi Rama thotë, tani duhet dhe një tjetër. Tani kjo histori është historia e Europës, është historia e Bashkimit Europian, sepse nëse do të ishte një histori e imja apo e Partisë Socialiste, atëherë do duhet që t’i gjendej përgjigje pyetjes. Po, Mali i Zi, që ka hap negociatat përpara se sa unë të bëhesha kryeministër në 2012-ën, pse nuk është Bashkimi Europian? Po Serbia që i ka hapur negociatat në 2014-ën, ne s’ishim akoma kandidatë, edhe na shifshin si delja e zezë e Ballkanit. Pse nuk është në Bashkimin Europian? Po Maqedonia qëndroi dhe emrin, edhe është bërë kandidate në 2005-wn, pse nuk është në Bashkimin Europian? Sepse për të qenë në Bashkimin Europian, nuk mjafton të duash ti të jesh, nuk mjafton që ti të jesh gati, po duhet të duan dhe ata të hapin derën dhe duhet të jenë dhe ata gati.
Bashkimi Europian është një shtëpi e pasur me 27 anëtarë, kur troket dera, nuk hapet dera në qoftë se të 27 nuk janë dakord. Njëri sikur thotë leje, leje se nuk kemi kohë të merrem me ta, dera s’hapet. Dhe ju e dini shumë mirë, 3 vjet, 4 vjet, neve dera nuk na u hap për të filluar negociatat, sepse Hollanda thoshte: Jo po kështu, jo po ashtu, dikush tjetër pastaj.
Sot të 27 kanë rënë dakord dhe na kanë hapur derën. Dera e hapur, siç ka ndodh në të shkuarën, mund të mbyllet. Çfarë duhet të bëjmë ne? Ne duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë, që mos humbasim asnjë ditë, që mos ngatërrohemi me këmbët tona, jo po të shkojmë me BE-në, jo po të shkojmë me kënetën. Që mos merremi me muhabetet tona të pakuptimta, jo po majtas, jo po djathtas, jo parti e vjetër, jo parti e re, jo ky, jo ai. Por duhet të mobilizohemi maksimalisht që në 11 maj të prodhojmë një fuqi të madhe vendimmarrëse për të mbaruar negociatat me Bashkimin Europian. Sepse të majtën e të djathtën, partitë dhe zgjedhjet këtu i kemi prapë, por duhet fillimisht të hyjmë në atë Bashkim Europian.
Dhe e dyta dhe e fundit që do t’i them. Juve besoj i shihni televizor, jam i bindur që shihni, unë nuk shoh, por herë pas here më çon mendja, se burrë jam dhe unë nuk jam i kthjellët gjithë kohës. Më çon mendja dhe më lëviz dora dhe hy në një herë në YouTube dhe shoh këto moçalet e natës, aty ku dalin bretkosat dhe bëjnë analiza.
Është shumë interesant, prej disa ditësh, të gjitha sondazhet që kanë dalë thonë Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet. Prej disa ditësh, sondazhet të gjitha thonë: “Shumica e shqiptarëve mendojnë që vendi po shkon në drejtimin e duhur”. Po këta bretkosat, ça thonë? Si ka mundësi? Njëri thoshte: “Jo mo, po në qoftë se është kështu, ky popull është i sëmurë”. Tjetri thoshte: “Atëherë, kjo i bie është çmend populli komplet”. Tjetri thoshte: “Nuk ka asnjë mundësi, vetëm nëqoftë se i ka blerë Rama të gjithë”. Domethënë, i kam blerë unë 900 mijë veta.
Pra, asnjëri nga këta nuk i bënte pyetjen vetes ore: A nuk është një çik më e mundur që mos të jetë populli i sëmurë, po të jem unë sëmurë? A, nuk është një çik më logjike që nuk janë çmend të gjithë, jam çmend unë. Jo, s’ia bëjnë këtë pyetje vetes. Dhe teoria, cila është? Këta kanë 12 vjet në pushtet, këta kanë probleme me drejtësinë, këta, këta, këta.
Tani unë mendoj të kundërtën. E para njëherë, pikërisht sepse gjërat kanë ndryshuar dhe pikërisht se njerëzit ndryshimin e ndiejnë në jetën e tyre të përditshme, dhe pikërisht se pagat janë rritur, dhe pikërisht se ekonomia rritet dhe pikërisht, pikërisht, pikërisht, njerëzit nuk mendojnë si moçalet mediatike, por unë mendoj se shumica e njerëzve dinë dhe një gjë tjetër, që kjo histori e drejtësisë, këto çështjet e hapura me drejtësinë, ku përfshihen dhe njerëz të cilët kanë qenë pjesë e jona, janë në fakt mishërimi në jetën reale i një përpjekje, që është përpjekja jonë për të krijuar më në fund në këtë vend kushtet që të ketë barazi para ligjit.
Dhe ka një pyetje shumë thjeshtë për tu bërë, si ka mundësi që nga 1912, kur u shpall shteti i pavarur dhe u bë qeveria e parë, deri para pak vitesh, nuk ka pasur një ministër, një; një kryetar bashkie, një person publik me pushtet që të shkonte përpara një prokurori të pavarur dhe gjykatësi të pavarur,një.
Ka pasur ministra të pushkatuar e të varur e të internuar, por ama me dëshirën dhe urdhërin e të parit të qeverisë.
Nga 1912, mbretëri, komunizëm, tranzicion, i pari i qeverisë e ka pasur drejtësinë në dorë.
Është hera e parë në histori. Ma jepni atë timon vetëm, mos më lini të tjerë në prehër se nuk e bëjmë dot reformën në drejtësi, nuk e pavarësojmë dot drejtësinë, se të tërë të tjerët janë armiq të drejtësisë që i vë të gjithë të barabartë para ligjit. Ju ma dhatë timonin dhe unë dhe PS ju kthyem mbrapsht me stërmundim të madh, me kosto të mëdha patjetër, atë që s’kishte ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë, një drejtësi, e cila nuk do të dijë majtas dhe djathtas, shikon drejt dhe nuk ka më të pandëshkueshëm.
Doni që kjo histori të vazhdojë?
Doni që barazia para ligjit të kthehet në një gur që nuk lëviz më nga themelet e shtëpisë sonë?
Doni që nesër të mos dalë dikush tjetër dhe ta kthejë përmbys?
Siç thotë sot bufi i kënetës që në 12 maj do shkrijmë SPAK-un. Ai s’do shkrijë gjë se në 12 maj do dalë do bërtasë “m’i vodhën”, por përtej asaj, historia e Shqipërisë ka treguar që ça i ka bërë shqiptari këtij vendi, nuk ia ka bërë as armiku ndonjëherë. Sa shumë e kemi ngatërruar ne këtë vend, duke u ngatërruar me njëri-tjetrin, nuk na kanë ngatërruar as armiqtë tanë ndonjëherë.
E pra, mundësia që kjo që sapo kemi filluar të bëjmë, që na bën më në fund një shtet europian, barazia para ligjit të përmbyset, është reale, jo nga zgjedhjet e 11 majit se në 11 maj do fitojë PS dhe ne, sa të jem unë këtu dhe sa të jetë PS forcë e vetme në qeveri, nuk ka për të pasur hap prapa me drejtësinë.
Por nga dikush tjetër, e dikush tjetër më vonë. kështu kjo punë nuk i lihet në dorë thjesht atyre që do zgjidhen për të qeverisur Shqipërinë në vitet e ardhshme.
Kjo punë merr fund duke e futur Shqipërinë në BE. Në momentin kur vendi bëhet anëtar i BE, në momentin kur Shqipëria ulet si zonjë aty në atë ‘’shtëpinë’’ e pasur me 27 të tjerët nuk ka më këtu, asnjë forcë dhe asnjë individ që thotë ‘’po e kthejmë dhe një herë nga e para historinë aty ku ishte’’, kur ne ishim faqja e zezë , edhe kur populli ynë për shkak të atyre që e kanë sunduar dhe udhëhequr keq, vuante si populli i dorës së dytë. Kjo nuk ndodh më. Unë ju jam shumë mirënjohës që pasi më keni dëgjuar kush e di sa herë dhe më keni parë, duruat deri tani heroikisht. Kjo tregon që nuk ka gjë që ju nuk e përballoni.
Ju jam shumë mirënjohës!
Ju falenderoj shumë!
Di t’ju them kaq, mos lini shoqe, mos lini kojshie, mos lini krushk, mos lini kënd pa takuar e pa folur. Edhe sa më shumë burra demokratë nëpërmjet grave të tyre, shoqeve tuaja, të paktën vërini në gjumë në 11 maj.
Mos shkojnë të votojnë fare.
Shumë faleminderit.