Tiranë, Mes energjisë së të rinjve që drejtojnë fushatën “Votues i Parë për Pasaportën Europiane”

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit! Disa prej jush i kam parë, një pjesë prej jush i kam parë në shtabet e njësive.

Më vjen shumë mirë që ju shoh të gjithëve bashkë. Më vjen shumë mirë që jeni këtu edhe për faktin që vini nga disa njësi dhe këtu jemi një dhe nuk do t’ju marr shmë kohë me fjalë të gjata. Do t’ju them vetëm pak gjëra se pak ditë ka nga 11 maji.

Së pari, është vërtetë kënaqësi dhe jam shumë mirënjohës të gjithave dhe të gjithëve ju, që jeni të angazhuar me mish e me shpirt, së bashku me më të rriturit në një fushatë, e cila ka një rëndësi historike për Shqipërinë,kështu që shumë faleminderit!

Dhe dëshriroj që ta dini si votues të parë, që nuk qëllon çdo herë, madje shumëkujt mund t’i qëllojë që të votojë gjithë jetën e të mos e ketë mundësinë që të shkojë në votim dhe në dorën e tij, tek vota e tij, të ketë dhe priviligjein që të kontribuojë për diçka historike. Faktikisht Shqipëria ka afro 35 vjet tanimë që voton, por një herë vetëm shqiptarët kanë pasur zgjedhje kur në dorën e tyre ka ardhur historia dhe kur vajtja në kutitë e votimit ka qenë një takim me historinë.
Kjo ka ndodhur kur shqiptarëve iu dha mundësia të zgjedhin pas shumë kohësh, dekadash që s’kishin mundur më të zgjidhnin dhe kur iu dha mundësia të vendosin drejtimin e vendit për të shkuar përpara apo për të mbetur prapa, për të zgjedhur Shqipërinë në Europë apo Shqipërinë larg Europës dhe kjo është arsyeja pse në ato zgjedhje, një shumicë shumë më e madhe sesa ato që mbështesin një parti, në atë kohë PD, votoi për atë parti, jo sepse ishin të gjithë me atë parti, po sepse në atë moment e vetmja zgjedhje ishte ajo që populli shqiptar në shumicë bëri për të përqafuar më në fund Europën dhe për t’i hapur rrugë një historie tërësisht të re.

Në gjithë këto vite kanë ndodhur shumë gjëra në Shqipëri, ka pasur momente shumë dramatike, ka pasur zjedhje në momente që ju fatmirësisht nuk i keni jetuar, prindërit tuaj patjetër që i kanë jetuar, por në 11 maj është rikthyer mundësia në duart e shqiptarëve për të bërë histori në ditën e votimit.
Dhe duke qenë se ju jeni votues të parë, por jo thjesht votues të parë, por ju jeni në një moshë ku sapo bëheni gati për të dalë në rrugën e jetës të pavarur nga prindërit, të pavarur nga familja pas disa vitesh dhe patjetër që rruga juaj e jetës është e lidhur me Europën dhe për këtë arsye është e rëndësishme që ju dhe përmes jush, ne , të informojmë sa më shumë bashkëmoshatare dhe bashkëmoshatarë tuaja, sa më shumë votues dhe votuese për herë të parë sepse është kështu siçc unë thashë. Pse zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht zgjedhje për një parti dhe jo për një parti tjetër? Dhe pse nga ajo që do të ndodhë në 11 maj, varet shumë çfarë do të ndodhë me Shqipërinë dhe ça do të ndodhë me marrëdhëniet e Shqipërisë me BE.

Sepse BE është në ‘’shtëpi ‘’ e madhe, është një ‘’shtëpi’’ e pasur, por nuk është një ‘’shtëpi’’ që e mban derën hapur gjithmonë. BE është një ‘’shtëpi’’ dera e së cilit hapet dhe mbyllet.

Hapet në një moment të caktuar për të ftuar brenda dikë apo disa dhe mbyllet për shumë kohë. Pastaj hapet dhe pastaj mbyllet përsëri. I tillë është ky proces i zgjerimit të saj ‘’shtëpie’’.

Sot në atë ‘’shtëpi’’janë 27 vende. Janë 27 vende që vendosin të gjitha së bashku, nuk vendoset me shumicë, vendoset me konsensus. Duhet të bien dakord të 27-të për të hapur derën, kështu që ti mund të jesh gati, ose mund të keshnjë dëshirë shumë të madhe, mund t’i kesh të gjithë përkushtimin që t’i nënshtrohesh rregullave të asaj ‘’shtëpie’’,mund të rrish duke i rënë asaj dere pa pushim,dera nuk hapet.

Dera hapet kur ata po ashtu janë gati dhe janë po aq të interesuar sa ti, që ti të hysh brenda dhe ky moment nuk vjen kur do ti. Ama, ajo që ti duhet të bësh,është që ti të përgatitesh përditë e përditë që kur ky moment të vijë, ti të jesh tek pragu i derës se ndryshe nuk ia del dot. Tani, ne kur kemi ardhur në detyrë në mandatin e parë, kemi qënë shume larg asaj dere, shumë larg. Të tjerët kanë qëne shumë më pranë dhe këtu vjen dhe shpjegim i parë për ju në rast se e keni këtë pyetje, por me siguri të tjerët do t’ju vënë përballë kësaj pyetje. Pse PS dhe pse Edi Rama kanë dalë vërdallë prapë dhe thonë ‘’na duhet një mandat tjetër për të futur Shqipërinë në BE, ndërkohë që patën 3 mandate kohë edhe nuk e futën Shqipërinë në BE”’. Ça do me thënë kjo? Atëherë përgjigjja mund të jetë shumë e gjatë, por unë do jap të shkurtrën; pikërisht sepse nuk funksionon sipas dëshirës apo sipas gatishmërisë tënde, por funksionon sipas dëshirës reciproke dhe gatishmërisë reciproke dhe ndërkohë për të kuptuar që kjo nuk është një çështje jona dhe nuk ka të bëjë me faktin që ne e kishim 3 mandate dhe nuk bëm gjërat e duhura, por ka të bëjë me diçka krejt tjetër, ju duhet ta dini dhe t’i thoni atyre që ua bëjnë këtë sfidë; po mirë, dakord , 3 mandate nuk qe i zoti Edi Rama, nuk qemë të zotët ne të fusim Shqipërinë në BE. Po si që Mali i Zi që i ka filluar negociatat përpara sesa Partia Socialiste dhe Edi Rama të vinin në qeveri në 2013-ën nuk është akoma anëtar i Bashkimit Europian?

Po si ka mundësi që Serbia që i ka filluar negociatat 2014-ën, kur ne Shqipëria nuk ishim akoma as kandidat nuk është anëtare e Bashkimit Europian?

Po si ka mundësi Maqedonia, ka ndërruar dhe emër është bërë Maqedonia e Veriut kandidate që 2005-ën këtu me siguri ka nga ju që nuk kishit lindur në 2005-ën, nuk është anëtare e Bashkimit Europian?

Ndërkohë që, Shqipëria negociatat i ka filluar vjet dhe ka në tryezë një plan të dakordësuar me Bashkimin Europian për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027.
(Rama i drejtohet një të riu në sallë)

-Thuaj pak atij çunit te cila njësi je ti? Hajde pak këtu.

Mu përgjigj pyetjes, si ka mundësi që pas tre mandatësh Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk e futën dot Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe tani thonë na jepni dhe një mandat të 4-tërt? Pse duhet me i dhënë mandatin e 4-tërt.

Thuaj pak gocës, hajde pak ti, po ajo me gjyzlyke, hajde merre dhe flamurin me vete.
-Të përgjigjem unë apo do presim gocën.

Edi Rama: Jo ti do përgjigjesh patjetër. Përgjigju.

-Besoj që nuk kemi ku t’i mbajmë shpresat tjetër veçse te ju.

Edi Rama: Kjo mund të jetë një përgjigje për një fanatik, ti je fanatik i Partisë Socialiste dhe i imi dhe thua, tre mandate, 4, 5, 7 sa të jenë mo tashti, s’kemi ku i mbajmë shpresat tjetër se ne këta jemi. Po nuk është kjo përgjigjja. Dhe me këtë përgjigje ti nuk i mbush dot mendjen dikujt tjetër, se ti na duhesh që ti mbushësh mendjen edhe dikujt tjetër. Jo që të mos e lesh as këtë kush është përgjigja. e kupton?

Edi Rama: Ti e di përgjigjen e kësaj pyetje, pse tre mandate nuk na mjafton dhe na duhet mandati i katërt?
-Nuk e di.

Edi Rama: Edhe ti njësia 9-të je, bashkë jeni. Tani ti nuk e di se nuk të la ky, apo ti nuk deshe ta dish se doje të dëgjoje këtë, si është kjo punë? Shiko jeta politike dhe këto situata nuk janë si në shkollë, që shko atje dhe rri dhe të bësh vetëm mësime. Këtu krijohen miqësira, hidhen shikime, merren shikime.
Tani këtu duhet të sqarohet kjo punë, ti pse nuk e le këtë të dëgjonte apo kësaj ia kishte qejfi vetë të dëgjonte ty?

Tani që të shpëtosh nga unë duhet të thuash këtu, çfarë po i thoshe vajzës kur unë flisja për Bashkimin Europian këtu, edhe ti as deshe me dit fare.
-Nuk e themi dot, nuk e themi dot.

Edi Rama: Nuk e thua dot, aman se s’po i thoshe ndonjë gjë të madhe, se aty po dëgjonte edhe ajo tjetra. Hajde këtu.
Tashti, ti je shoqja kësaj, ç’po i thoshte ky kësaj?

-Nuk e themi dot.

– Kjo nuk është e drejtë, ky thotë nuk e them dot, kjo thotë nuk e mbaj mend, kjo thotë nuk e di. Nuk po ju mbaj më gjatë, ti do shkosh të ulesh atje, tek ajo karrige bosh atje, shko atje, shko atje, ik atje. Ju do shkoni prapë atje. Ti do ulesh te kjo karrige këtu. Ti do shkosh aty ku ishe pa shoqen dhe pa shokun dhe kushedi tani do merrni vesh për Bashkimin Europian. Dakord?

Besoj që ju tjerët e morët vesh se si qe puna e 3 mandatëve, edhe pse na duhet mandati i 4-tërt dhe pse është shumë e rëndësishme që këtë moment, kur ne kemi Bashkimin Europian në anën tjetër të tavolinës. Kemi në tavolinë mbi 250 mijë faqe për të negociuar me ta, sepse negociatat që kur dëgjoni fjalën negociatën për Bashkimin Evropian janë të gjitha; ekonomia, drejtësia, shëndetësia, arsimi, mjedisi, zogjtë, peshqit, të gjitha.

Dhe janë 1 mijë vetë nga ana jonë, që janë të ndarë në grupe, 1 mijë vetë nga ana e tyre, që janë të ndarë sipas departamenteve, që bëjnë negociatat. Dhe flasin po themi për drejtësinë. Duhet bërë, kjo, kjo, kjo.

Çfarë janë këto që duhen bërë? Këto që duhen bërë janë ligje, këto që duhen bërë janë vendime qeverie, janë vendime institucionesh tjera, janë masa që duhen marrë, janë standarde dhe kritere që duhen pranuar një herë me shkrim, pastaj duhen zbatuar. Dhe kur ne biem dakord, atje vjen këtu skuadra dhe thotë: Jemi marrë vesh një, dy, tre, katër, pesë, duhet të bëjmë këtë, këtë, këtë, këtë. Dhe këto që duhen bërë i shkojnë të gjitha institucioneve dhe sipas nivelit gjërave që duhen bërë.

I merr institucioni, i merr qeveria ose i merr parlamenti dhe 2027 është një afat jashtëzakonisht ambicioz. Ne i kemi filluar negociatatat vjet dhe na kanë thënë t’i mbyllim në 3 vjet.

Në 3 vjet nuk i ka mbyllur asnjë vend ish-komunist, përveç Finlandës, që i ka bërë brenda vitit, por Finlanda është histori tjetër, besoj jemi dakord.
Pse, pse 3 vjet për ne? Jo se ne jemi të jashtëzakonshëm, por pikërisht sepse Bashkimi Europian në këtë moment ka hapur derën dhe do patjetër që Shqipërinë dhe Malin e Zi t’i marri brenda.

Cili është rreziku? Rreziku është që në qoftë se ne nuk arrijmë t’i bëjmë negociatat dhe ta mbyllim,

(Rama me të rinjtë në sallë)

(ore shiko tani, o ti qeros. Hajde këtu, ore jeni në vete ju? Tani shiko, se më duket se e ke ti problemin, se me ty u merrkan të gjithë. Unë të ndava nga ai, tashi merresh me atë tjetrin. Më duket se ngacmon ti atë. Mos më bëj mua, mos më bëj mua si kokë e madhe tashti fokusohu këtu tashti. Ashtu bravo dhe lëre, ti shif mua. Ajo e vogël, e vogël, po me gjyslykë e me katër palë sy, si shqarth. Shqarth komplet. Edhe nuk u ule te karrigia jote, u ule afër atij tjetrit. Afër atij flet me atë, u hutu dhe ai i treti. Unë nuk e marr vesh.)

Rreziku cili është? Rreziku është vetëm ky, që ne mos t’i përgjigjemi dot atyre dhe si mund të ndodhë kjo, duke shkuar në parlament, duke pasur probleme atje, “jo po karrigia mbi karrige, jo tavolina mbi karrige, jo e bëjë jo se bëjmë”. Ky është rreziku. Çfarë duhet të bëjmë ne që kjo mos të ndodhë? Ne duhet të krijojmë një fuqi më të madhe vendimmarrëse. Nga vjen fuqia më e madhe vendimmarrëse? Vjen nga mbështetja popullore. Sa më shumë njerëz në 11 maj të mbështesin rrugëtimin tonë, jo thjeshtë Partinë Socialiste, të mbështesin negociatat dhe mbylljen e negociatave, aq më e fortë është fuqia jonë për të mos u vonuar.

Cilat janë dy mënyrat e mundshme në fund të kësaj përpjekje? Njëra është që në t’i mbyllim negociatat në 2027-ën dhe pasi t’i mbyllim negociatat Komisioni Europian që është qeveria e BE i çon të gjithë vendeve anëtare që janë po themi aksionerët ose janë anëtarët e familjes, i çon raportin i thotë, “u mbyllën negociatat. Shqipëria është gati, i plotëson kriteret, plotëson kushtet. Duhet të bëhet anëtare e BE”. Vendet sipas rregullave të tyre në të gjitha parlamentet votojnë dhe brenda 2030 ne bëhemi anëtarë të BE. Duke u bërë anëtarë të BE ju merrni atë pasaportën atje dhe kijeni mirë parasysh, duhet ta dini shumë mirë, që ta dini për vete që të jeni më të përkushtuar, më energjikë, më pasionantë për këtë punë po edhe t’ia thoni të tjerëve se ajo nuk është si pasaporta që kemi sot. Ju të gjithë keni pasaportë. Pasaporta që kemi sot është një dokument udhëtimi për të lëvizur në Bashkimin Europian, por nuk është më shumë se kaq. Madje është një dokument udhëtimi që edhe kur ne duam të hyjmë në kufirin e BE, juve e keni provuar vet, na ndajnë veç dhe fillojnë historitë “ku po shkon, kush të ka ftuar, etj”, sepse me pasaportën që ne kemi sot ne jemi të huaj për BE dhe lëvizim si të huaj dhe prandaj kur duam të qëndrojmë diku, nuk e kemi të mundur. Prandaj shqiptarët kur duan të rrinë për punë atje shkojnë kërkojnë azil, fshihen se mos i kapin. Që do të thotë jemi në kushtet e një populli të dorës së dytë. Nuk jemi njësoj si të tjerët në raport me atë shtëpi.

Ndërsa kur marrim atë pasaportë duke qenë një vend anëtar, ajo pasaportë na jep të gjithëve ne, ju jep juve të gjithëve statusin e njëjtë të qytetarit të BE.
Statusi i barabartë do të thotë që nuk ka më asgjë fare që francezët, bashkëmoshatarët tuaj në Francë ose spanjollët në Spanjë, polakët në Poloni, italianët në Itali, grekët në Greqi mund ta bëjnë në vendin e tyre dhe ju se bëni dot, asgjë.

Për studimet është e njëjta gjë, sot çdo student shqiptar në BE paguan një tarifë ekstra që mund të jetë dhe 10 herë më e madhe sesa çfarë paguajnë studentët europianë. Me atë pasaportë nuk ka më tarifë ekstra sepse studentët shqiptarë janë njësoj si të tjerët, studentë europianë, nuk janë më të huaj. Për të lëvizur për punë, mund të shkoni ku të doni, njësoj si sot shkoni nga një anë e Tiranës në tjetrën ose nga Tirana në Durrës ose nga Durrësi në Vlorë për të lëvizur për të kërkuar një punë. Mund të shkoni në çdo qytet të Europës dhe është e njëjta gjë. Shumë të tjerë që janë mosha ime dhe që kanë punuar për vite të tëra në BE, për të pasur mundësi që vitet e punës t’i kthejnë në njohje për pensionin, duhet që Shqipëria të ketë marrëveshje me ato vende dhe ne kemi bërë një sërë marrëveshjesh. Por për shembull në Greqi nuk e kemi marrëveshjen dhe shumë shqiptarë në Greqi që kanë dalë në pension ose përgatiten të dalin në pension pasi kanë bërë shumë sakrifica për fëmijët e tyre atje, bashkëmoshatarët tuaj sot, e kanë ankth të madh, si do bëjmë. Ne jemi duke negociuar me qeverinë greke, por mund të marrë vite. Me atë pasaportë është automatike dhe me atë pasaportë kur them mund të bësh gjithçka, ka vetëm një gjë që nuk bën dot. Me atë pasaportë nuk zgjidhesh dot deputet përveçse në vendin nga je, pra nëse ke një pasaportë italiane të BE nuk zgjidhesh dot deputet në Spanjë dhe po kështu për një shqiptar nuk zgjidhet dot deputet në Greqi por ama me atë pasaportë pa pasur nevojë për pasaportë greke, mund të zgjidhesh anëtar i këshillit të komunës apo anëtar i këshillit të bashkisë mund të zgjidhesh kryetar bashkie, mund të zgjidhesh dhe euro deputet nëse merr votat atje.

Shkurt fjala, duke votuar që Shqipëria të mos humbasë asnjë minutë për negociatat, duke bërë negociata dhe duke mbyllur negociatat, duke anëtarësuar Shqipërinë në BE, duke marrë atë pasaportë, ne të gjithë por ju që jeni me gjithë këto vite përpara, kemi një Shqipëri tjetër, një Shqipëri të re sepse kufiri i Shqipërisë në aspektin e Shqipërisë zyrtare mbetet ky që është, ndërsa kufiri i të gjithëve ne si qytetarë dhe si individë është sa ç’është gjithë perimetri i BE. Pra, faktikisht ti zgjohesh në mëngjes kudo qoftë dhe vendi yt, ku ti ke të gjitha të drejtat dhe që nga lëvizja lirisht dhe tek të gjitha të tjerat është i madh sa ç’është BE dhe faktikisht BE bëhet e vogël sa ç’është Shqipëria.

Ana tjetër e medaljes është çfarë ndodh sikur kjo mos të ndodhë? Dhe shumë njerëz thonë “po punë e madhe, e çfarë pastaj?” Ne në Europë jemi thonë disa. Ajo që ndodh është që mbyllet dera, siç i është mbyllur të tjerëve përpara. Mbyllet dera dhe ne nuk e dimë kur hapet prap. Ne nuk e dimë kur ata 27 brenda, bien në një mendje që të hapim derën prap. Se që të hapin derën siç ndodh sot, janë të detyruar dhe nga gjëra të tjera, situata në botë, në Europë, lufta e të tjerë dhe në qoftë se ne mbetemi jashtë Bashkimit Europian për një kohë të gjatë, ju mund t’ju qëllojë larg qoftë, që të jeni 30 vjeç dhe të jeni qytetarë të dorës së dytë në këtë kontinent dhe të mos i keni ato avantazhe që të sjell ai status dhe të mbeteni me atë pasaportën që në rregull, po dalim, po lëvizim, por nuk bëjmë dot shumë nga ato gjëra që bëjnë ata dhe nga ana tjetër vetë Shqipëria, për ata që vendosin të rrinë në Shqipëri ose të kthehen në Shqipëri, humbet mundësinë që duke qenë pjesë e asaj familje, të marrë mbështetje nga ajo familje, sepse në atë shtëpi, kur futesh brenda, është njësoj si shtëpia ku shkoni ju sot në darkë, ju jeni më të vegjël, janë prindërit, për ata që kanë gjyshër, janë gjyshërit dhe ata janë më të mëdhenj. Ata kanë mundësinë sot që t’iu mbajnë ju, t’iu mbështesin për studimet, t’iu mbështesin për gjithë nevojat që keni, derisa të bëheni të zotët e vetes. Ekzakt, ekzakt është ajo që ndodh në atë shtëpi.

Vendet si ne, kur hyjnë aty janë ekzaktësisht si ju kur shkoni në shtëpinë tuaj dhe për këtë arsye quhen vende përfituese. Ju jeni përfitues sot në shtëpi, nuk jeni kontribuues. Ndërkohë që, Franca, Gjermania, Holanda vendet më të zhvilluara, janë vendet kontribuuese. Ata japin në buxhetin e asaj shtëpie më shumë sesa marrin, ndërkohë që vendet si ne marrin më shumë sesa japin që të mund të zhvillohen, dhe nga hyrja në atë shtëpi, ne, Shqipëria përfitojmë një buxhet ekstra që do të thotë, nëse në këto 10 vjet nga Bashkimi Europian ne kemi marrë rreth 1 miliard euro e diçka më shumë si ndihmë, ku 90% janë kredi e butë, por kredi. Me hyrjen në atë shtëpi ne marrim 1 miliard euro e diçka në vit. Në vit! Ku 90% janë grant.

Duke ju falenderuar pa masë që duruat deri tani, me ndonjë përjashtim të vogël, dhe ti mos u mërzit, se ty do të të bëjmë ne. Ti do bëhesh. Nuk të lëmë ne ty me gjysmën e trurit me ujë. Ti do bëhesh. Do të ta thajmë dhe atë kënetën e vogël që të ka ngelur në kokë nga koha kur rrije me Halitin te PD-ja dhe ju falenderoj dhe ju them: Bëjeni këtë betejë. Përfshini sa më shumë bashkëmoshatarët tuaj në këtë betejë dhe të jeni të bindur që një ditë, ditën që ju do ta merrni atë pasaportë në dorë, do ju kujtohet 11 maji dhe do thoni, edhe unë për veten time, e dhashë kontributin tim që ta kem në dorë këtë pasaportë. Dhe mos e harroni, se ju shkoni akoma në shkollë, ju mësoni histori e të tjerë, mos e harroni: Kjo nuk është një histori prej shekujsh. Kur Skënderbeu i vuri barikadën këtu Perandorisë, nuk kishte Bashkim Europian, por kishte Europë dhe ai si profet i historisë sonë, e përcaktoi që vendi i këtij populli është në Europë dhe pastaj më mbrapa erdhën Rilindasit. Rilindasit na e lanë me shkrim: Dielli për ne lind andej nga perëndon, nga Europa. Pastaj ndodhi fillimi i transformimit kur ra komunizmi dhe populli doli në rrugë pa udhëheqës, por ama ajo që doli nga brenda shpirtit dhe u bë slogan ishte: E duam Shqipërinë si gjithë Europa, dhe sot unë them që është fati jonë, na i solli fati që të bashkohen yjet dhe ne të jemi te pragu i derës dhe dera është hapur, por në fakt, tamam-tamam, ky është fati juaj sepse siç thotë poeti: Qeshu rini qeshu, se bota është e jotja. Ju ka ardhur fati në dorë që të qeshni, por jo të talleni. Të buzëqeshur ta bëni botën tuajën duke u bërë bashkë që në 11 maj, t’i japim mundësi këtij populli dhe këtij vendi që të mbyllim një histori shumë të gjatë, të vëmë në vend një amanet shumë të vjetër dhe të hapim një perspektivë krejt të re.

Shumë faleminderit! Respekte!