27 prill 2025 – Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama me të rinjtë e Vlorës, për zgjedhjet e 11 majit

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:

 

Shumë faleminderit! E di që shiu krijoi pak konfuzion edhe ndryshuat vendin por më vjen shumë mirë që gjithsesi duruat pak dhe qëndruat dhe ju jam falënderues për angazhimin, por duke qenë se ju jeni këtu skuadra e PS për të bindur dhe për të sjellë sa më shumë votues të parë dhe sa më shumë vajza dhe djem në kutitë e votimit në 11 maj, dua t’ju them shumë pak fjalë.

Nuk qëllon gjithmonë, madje mund të mos qëllojë fare në jetën e një zgjedhësi që të shkojë në një palë zgjedhje ku ajo çka vendoset është shumë më e madhe sesa një forcë që qeveris apo një forcë që qëndron në opozitë. Ka shumë pak raste kur zgjedhjet koincidojnë me historinë dhe ashtu siç i koincidoi rinisë në vitin 1992 që mori pjesë në zgjedhjet pluraliste dhe jo vetëm votoi por edhe përcaktoi drejtimin e vendit duke shkruar masivisht në votim, duke zgjedhur masivisht PD që në atë moment ishte forca që e mishëronte kapërcimin nga një epokë në tjetrën, ashtu në 11 ju ka ardhur juve, bashkë me ne të tjerët por ju në rastin konkret se jeni votues të parë, jeni vajza dhe djem që e keni një eksperiencë që dhe në rast se është e dyta prapë është shumë, shumë eksperiencë e re, që jo vetëm të zgjidhni dhe kjo është ajo çka duhet t’i përcillni dhe bashkëmoshatarëve tuaj, nuk është fjala thjeshtë për të zgjedhur PS por është fjala për të përcaktuar drejtimin e vendit, për të përcaktuar që Shqipëria të mos humbasë asnjë ditë, asnjë orë, të anëtarësohet në BE duke mbyllur negociatat për anëtarësim brenda 2027-ës.
Tjetra, shumë rrallë koincidon që një palë zgjedhje të lidhen me diçka që është drejtpërdrejtë edhe personale, jo vetëm kombëtare apo jo vetëm interes publik por edhe drejtpërdrejtë personale.

Dhe në këtë rast ajo që është drejtpërdrejtë personale është që me votën e 11 majit të gjithë të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri që do të marrin pjesë në zgjedhje do të vendosin duke votuar PS që krahas faktit që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe të gjithë ata të marrin pasaportën europiane, që nuk është një dokument udhëtimi si ky që kemi sot.

Sot ne të gjithë e kemi pasaportën shqiptare me të cilën udhëtojmë në Europë. Pasaporta europiane, pasaporta e BE nuk është një dokument udhëtimi. Është një status qytetarie të barabartë me çdo bashkëmoshatar tuajin në Europë. Është një status që të jep mundësinë jo vetëm që të lëvizësh lirisht por edhe të zgjedhësh ku të ndalosh. Jo vetëm të përpiqesh që të studiosh në BE por edhe ta kesh mundësinë e studimit në BE siç e kanë të gjithë të tjerët, pa qenë i cilësuar si student i huaj. Jo vetëm të synosh të punosh kudo qoftë në BE por edhe të kesh mundësinë që ta provosh ta gjesh vendin tënd aty pa qenë absolutisht nevoja të kërkosh azil, apo të ikësh ilegal apo të fshihesh lartë e poshtë. Dhe kështu me radhë deri tek ajo që pasaporta iu jep të gjithë atyre prindërve apo gjyshërive sot që mbasi kanë punuar për vite të tera le të themi në Greqi, akoma sot nuk kanë të qartë a do t’iu njihen vitet e punës, a do ta marrin pensionin që iu takon dhe në momentin që Shqipëria bëhet anëtare e BE dhe ata marrin pasaportën europiane, të gjitha këto gjëra bëhen automatike.

E fundit për ta ditur, që mbase shumë kush nuk e di këtë gjë. Pasaporta shqiptare e BE ka të njëjtën vlerë kudo në BE. Siç ka të njëjtën vlerë në BE pasaporta e BE-së së çdo shteti tjetër. Me pasaportën shqiptare të BE ata që janë sot në Greqi, jo vetëm që do kenë të njëjta të drejta, por do të kenë dhe të drejtën që nëse do duan të zgjidhen anëtarë të këshillit bashkiak, nëse duan të zgjidhen kryetarë të komunave apo të bashkive, nëse duan të zgjidhen euro deputetë nuk kanë nevojë të kenë pasaportë greke, as italiane, as gjermane. Me pasaportën shqiptare të BE kudo ku janë në BE nëse kanë një mbështetje që iu siguron votat për këtë, ata mund të zgjidhen. Deri këtu shkon barazia. E vetmja gjë që ndryshon është kur bëhet fjalë për tu zgjedhur në parlament, aty duhet të kesh nënshtetësinë e vendit përkatës. Dhe prandaj unë them, duke anëtarësuar Shqipërinë në BE, Shqipëria bëhet e madhe sa BE. Nuk është më vendi juaj, nuk do jetë më i kufizuar brenda 28 mijë kilometra katrorë. Pa diskuam që është Atdheu, mëmëdheu dhe pa diskutim që kjo është shtëpia juaj por ama vendi juaj do jetë i madh sa BE.
Po ashtu, BE do të jetë e madhe aq e vogël sa është Shqipëria, në kuptimin që si sot ju merrni makinën dhe niseni për Shkodër dhe askush nuk ju ndalon, nëse doni të punoni në Shkodër dhe keni një punë në Shkodër, askush nuk ju thotë “çfarë po bën këtu”, ekzakt e njëjta gjë është me çdo qytet brenda BE. Është pjesë e vendit tuaj. Shqipëria në BE është një Shqipëri e re. Dhe mos e harroni meqë kemi mbrapa monumentin e pavarësisë dhe meqë këtu në Vlorë është marrë dhe është vulosur vendimi i shqiptarëve për tu shkëputur nga perandoria e asaj kohe dhe për tu vetëvendosur si një vend në Europë që i përket Europës.
Mundësia për të zgjedhur Europën, mundësia për të marrë një vendim që e ndikon drejtpërdrejtë fatin Europian të Shqipërisë është një mundësi që duhet ta konsiderojnë të tërë edhe si një amanet. Sepse kur Skënderbeu vendosi të qëndrojë si barrikadë ndaj lindjes dhe praktikisht të marrin mbrojtje Europën, nuk ishte Bashkim Europian, por ama ai përcaktoi si një profet i historisë sonë kombëtare fatin tonë që është i lidhur pazgjidhshmërisht me Europën.
Dhe nëse ju do bëni një kërkim shumë të thjeshtë për të parë se nga e nisi Shqipëria rrugën, kur doli nga diktatura, se në çfarë gjendje skandaloze ishte nga të gjitha pikëpamjet dhe nga u nisën afganët, bashkëmoshatarët tuaj në Afganistan të asaj kohe, kur u çliruan nga talebanët dhe iu tha që juve do bëheni demokraci. Duhet të kuptoni që nëse afganët sot kanë rirënë në duart e talebanëve, ndërsa ne jemi një hap larg Bashkimit Europian kjo ndodh vetëm sepse, ndryshe nga ata, ne kemi bekimin që jemi në mes të Europës dhe kemi Bashkimin Europian. Ato që Shqipëria fiton duke hyrë në Bashkimin Europian janë gjëra që ndryshe nuk i fitojmë dot.

Kështu që në këto ditë që kanë mbetur deri në zgjedhje, bëni çmos me shokët, me shoqet, me miqtë tuaj, që sa më shumë njerëz të vijnë dhe të votojnë për Shqipërinë me BE-në në Europë.

Shumë faleminderit!