Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në takimin me banorët, përkrahës të Partisë Socialiste, në Gramsh

Shumë faleminderit!

Më vjen shumë mirë që jam këtu sot me ju edhe më vjen shumë mirë që iu shof të gjithëve bashkë, është një pamje shumë e bukur dhe patjetër që ka një rendësi të madhe ky moment bashkimi, ky moment uniteti, të cilin ne duhet ta shtrimë në çdo komunitet, sepse në 11 maj patjetër që ju do të votoni për ato që preku Arbi.

Ne kemi folur edhe me Besin, ne e dimë që Gramshi është një bashki me shumë potencial, por nga ana tjetër me pak mundësi nga pikëpamja e buxhetit të vet. Dhe në ndërkohë ne po e shohim se si Gramshi ka filluar të vizitohet.

Pra, ajo perdja e hekurt që kishte rënë midis Gramshit dhe pjesës tjetër të Shqipërisë ra me rrugën e re, u bë lidhja e shpejtë dhe në ndërkohë për shumë njerëz që nuk e kishin marrë ndonjëherë rrugën për këtu sepse dukej sikur ishte në fund të botës, bukuritë e gjithë kësaj zone kanë filluar të zbulohen.

Ajo që ne do të bëjmë është që të nxisim, mbështesim dhe t’i jemi në krah çdokujt që do dojë të investoje në këto territore kaq të bukura për të hapur dyer të tjera mikëpritjeje.

Dhe patjetër që edhe ato segmente që u përmendën rrugësh, nuk janë të gjata, iu ka ardhur koha që edhe ato të përmbyllen dhe ne do t’i bëjmë edhe për një arsye tjetër, sepse nuk bëhet fjalë thjeshtë për të lehtësuar qarkullimin e banorëve që jetojnë në ato fshatra, po bëhet fjalë pikërisht për të nxitur më tej turizmin, për të nxitur më tej agroturizmin, për të nxitur më tej ekonominë përmes vënies në dispozicion të njerëzve të gjithë këtyre bukurive të jashtëzakonshme që ka Gramshi.

Nga ana tjetër, nuk e di a e keni ndjekur, ne kemi ndërmarrë tani një hap tjetër shumë të rëndësishëm, në rrugën e Shqipërisë 2030, që është hapi i rilindjes së industrisë tonë ushtarake.

Dhe në Gramsh ka një histori, ka një traditë, ka dhe një mundësi dhe unë ju siguroj se ne do të vazhdojmë punën, kemi nisur të diskutojmë me kompani të ndryshme për disa pika të Shqipërisë dhe një nga pikat ku ne duam të sjellim një kompani të madhe për të filluar prodhimin dhe për të punësuar me paga shumë të mira, shumë vajza dhe djem që duan të qëndrojnë këtu, do ta bëjmë realitet më herët sesa vonë.

Por, përtej të gjitha këtyre që e thashë është shumë e rëndësishme, ka diçka edhe më të rëndësishme.

Në 11 maj që ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe për të cilën duhet të bëjmë çdo përpjekje që sa më shumë njerëz përtej kufijve të partive të na bashkohen. Ajo që e bën 11 majin një ditë historike nuk është fakti që populli do shkojë në zgjedhje si në çdo 4 vjet. Çdo 4 vjet është shumë e rëndësishme që populli merr fjalën dhe është shumë e rëndësishme që të gjitha palët vihen në gjykim dhe populli vendos se kush do të qeverisë, kush do të bëjë opozitë, këto janë shumë të rëndësishme.

Por, ama, në 11 maj, populli shqiptar do duhet të marrë një vendim historik për diçka që nuk lidhet me 4 vitet e ardhshme, as me 4 vitet e shkuara, për diçka që lidhet me historinë tonë dhe me të ardhmen tonë. Për diçka që lidhet me të parët tanë dhe kur them të parët tanë, nuk kam parasysh prindërit apo gjyshërit tanë, po kam parasysh Gjergj Kastriotin, kam parasysh, rilindasit tanë, kam parasysh Ismail Qemalin, kam parasysh të gjithë ata që luftuan për një Shqipëri pjesë e Europës, jo e Azisë. Për një Shqipëri, pjesë e Perëndimit, jo e Lindjes.

Për një Shqipëri ku shqiptarët që lindin dhe rriten mu në zemër të këtij kontinenti, të gëzojnë të njëjtin status, mos jenë popull që trajtohet si një popull i dorës së dytë, të mos trajtohen si të huaj, kur në ndërkohë, ne jemi ndër popujt më të vjetër këtu në Europë.

Dhe kjo na ka ardhur ne. Fati e desh që të përputhen bashkë, dëshira jonë dhe këmbëngulja jonë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe dëshira dhe gatishmëria e Bashkimit Europian për të na e hapur derën në këtë moment. Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm që dera e Bashkimit Europian nuk rri hapur. Dera e Bashkimit Europian është dera e një shtëpie të madhe dhe të pasur me 27 anëtarë brenda, ata duhet të merren vesh që të tërë, nuk ka aty shumica vendos, aty duhet të gjithë të jenë dakord të 27, që kur dikush troket, dera të hapet.

Mund të rrish duke trokitur me vite, me dekada, dera s’hapet. Sepse nuk mjafton që ti të duash, që ti të jesh gati për të bërë pjesë e asaj familje, po duhet që ajo familje të jetë gati për të bërë ty pjesë të saj. Dhe ne sot jemi gati të bëhemi pjesë e asaj familje, por lajmi i mirë është që ajo familje është gati të na bëjë pjesë të sajën.

Kjo nuk ka qenë e vërtetë deri dje.

Ata gjithmonë e thoshin një ditë, ju do vini, një ditë ju do jeni me ne, një ditë ne do jemi bashkë. Por ama, për të gjithë ata ndër ju këtu, që e ndjekin jetën politike është shumë e qartë që për disa vite me radhë, në ndërkohë që qeveria e tyre, Komisioni Europian që ne na kontrollon, na monitoron, na analizon dhe na gjykon, iu thoshte: Është gati Shqipëria, hapini negociatat. Ata nuk ishin gati, sepse dilte njëri atje që thoshte: Jo! Dilte tjetri: Jo po prit! Dhe nuk ishin gati.

Tani, sot ne kemi në tryezë planin e dakordësuar me ta, 3 vjet ka filluar vitin e shkuar në 2024-ën dhe ka afatin 2027-ën, tre vjet për të mbyllur negociatat dhe për të bërë marrëveshjen e anëtarësimit. Por ama, duhet të gjithë ta dinë që negociatat me ta nuk janë një fjalë goje.

Negociatat me ta janë mbi 250 mijë faqe me rregulla, me masa, me kritere që duhen plotësuar, me standarde që duhen përmbushur, me vendime që duhen marrë, me ligje që duhen bërë.
Ne ulemi, diskutojmë, biem dakord, duhet të vijmë këtu, që t’i marrim ato vendime, t’i kalojmë ato ligje, t’i përmbushim ato standarde.
Se ata që të na marrin dhe të na thonë “ju jeni njësoj si ne” duhet të binden se ne shtetin e kemi njësoj si ata dhe kjo kërkon çdo minutë, çdo minutë, jo çdo orë, por çdo minutë deri në fund të 2027 që 1000 njerëz që ne kemi angazhuar për këto negociata që shtrihen nga ekonomia, tek drejtësia, tek ujërat, tek zogjtë, te peshqit, mjedisi, e kështu me radhë, të mos ndalen asnjë minutë. Tani keni parasysh që ne të realizojmë këtë, duhet të bëjmë diçka që s’e ka bërë askush; 3 vjetëshi që na është dhënë është një afat dhe një hyrje e shpejtë që s’i është dhënë askujt, vetëm Shqipëria nga të gjitha vendet ish-komuniste ka shansin të përmbyllë këtë histori në 3 vjet.
Që do të thotë që nuk duhet të humbim asnjë minutë. Tani, ju dëgjoni me siguri të tjerë ose dhe midis jush mund të kesh njerëz që thonë “po mirë,mo tani, ç’është kjo histori. 3 mandate do hyjmë në BE dhe nuk hymë në BE. Tani si ka mundësi, ça do ndryshojë që PS, Edi Rama na thonë që duhet dhe një mandat i 4-ët që të hymë në BE dhe pse vetëm PS dhe Edi Rama?’’

Bëhet kjo pyetje, apo jo. Atëherë këtë pyetje e bëjnë ata që nuk e dinë se si funksionon procesi i integrimit dhe si funksionon ajo shtëpi dhe si hapet ajo derë. Dhe ka një shpjegim shumë të thjeshtë; nëse ne fakti që nuk kemi hyrë akoma në BE pas 3 mandatesh, do të ishte përgjegjesia jonë, atëherë si shpjegohet që Mali i ZI i ka filluar negociatat përpara se sa të vinim ne në qeveri dhe nuk ka hyrë akoma në BE, në 2012, kur ne ishim në buzë të humnerës nën sundimin e dytë të bufit të kënetës.

Po Serbia që i ka hapur negociatat në 2014 kur ne akoma s’kishim marrë statusin e vendit kandidat, pse nuk ka hyrë në BE? Dhe Mali i Zi dhe Serbia ishin yhy, shumë përpara nesh, ndërkohë që ne kur filluam të shkojmë atje, na shikonin tamam si ai njeriu që thotë “hë, he fol, fol tani se s’kam kohë”.
As nuk na respektonte, as nuk na besonte njeri sepse reputacioni i Shqipërisë ishte përtokë dhe ju e dini shumë mirë këtë.

Po Maqedonia që ndërroi dhe emrin dhe u bë Maqedonia e Veriut, kandidate që në 2005, pse nuk është futur në BE? Dhe si shpjegohet që sot, ne që e nisëm nga fundi jemi tek pragu i derës bashkë me Malin e Zi? Sepse ne kemi bërë ekzaktësisht të gjitha ato që ata të dalin çdo natë nëpër pasqyrat e moçaleve mediatike, përpiqen të thonë se nuk ekzsitojnë.

Ne e kemi transfromuar Shqipërinë, nga një vend i ulur në gjunjë e kemi ngritur në këmbë dhe nga një vend që s’ia hidhte njeri sytë, e kemi bërë një vend që i sheh të tjerët në sy dhe e shohin në sy.

Ne Shqipërinë nga një vend që turizmin e mbështeste tek patriotizmi i vëllezerve dhe motrave në Kosovë apo në Maqedoni, apo në Mal të Zi që vinin këtu për pushime, jemi bërë, jo vetëm një vend me 12 milionë turistë vitin e shkuar, por edhe një vend ku në 16 maj, 5 ditë pas zgjedhjeve do mblidhet tërë Europa këtu në Tiranë, të gjithë udhëheqësit e kontinentit, jo vetëm të BE, po nga Britania në Turqi, nga Azerbajxhani në Portugali, nga Armenia në Norvegji, nga Zvicra në Ukrainë, të tërë të parët e këtyre vendeve do vijnë aty te Skënderbeu. Si ndodhi kjo? Ndodhi sepse ne i qëndruam besnikë atyre që thamë, ndodhi sepse ne u bëmë e para forcë politike në historinë e Shqipërisë që vendosi atë që të tjerët kurrë nuk e bënë; vendosi që pasi mori pushtetin, t’i dorëzojë drejtësisë shpatën e ndëshkueshmërisë dhe ta pavarësojë pushtetin e drejtësisë nga pushteti i politikës.

Që në 1912 kur u shpall shteti shqiptar, drejtësia varej nga qeveria dhe i pari i qeverisë. Që në 1912 kur u bë shteti shqiptar dhe njëri pas tjetrit ndërruan regjimet, u bë republikë, pastaj u bë mbretëri, pastaj u bë diktaturë komuniste, pastaj ukthye në demokraci shpata e drejtësisë qëndroi tek zyra e të parit të qeverisë, tek zyra ku jam unë sot, po ku nuk është ajo shpatë sepse atë shpatë, ne ia dorëzuam drejtësisë. Kjo ndodhi sepse ju kujtohet, se tani dalin këta kua-kua-kuatë e kënetave çdo natë nëpër ato frengjitë e tv edhe thonë ‘’Filloi Edi Rama prapë, tallavaja, bufi, këneta, siç bënte përpara, timoni,tepsia’’ . Kur unë iu thoja në 2017 më jepni timonin dhe me lini ta drejtoj këtë makinë pa të tjerë në prehër, se me të tjerët në prehër nuk e bëjmë dot reformën në drejtësi, nuk e bëjmë dot drejtësinë e pavarur, nuk bëjmë dot një drejtësi që të godasë majtas e djathtas e të shohë vetëm drejt.

Për ketë e kërkoja unë timonin në 2017 dhe mos harroni, 2017 kur unë kërkova timonin, ishin ato zgjedhjet kur ata deri në sekondën e fundit nuk donin të hynin në zgjedhje, rrinin te çadra. Dhe çadrën e mbante hapur Luli, por ama kunjat e çadrës i kishin të tjerët, bufi i kënetës bashkë me dikë tjetër që është në hallin e vet dhe unë s’dua t’i përmend as emrin më. Dakord? Dhe sot shikoni se çfarë mendje kanë? Ata edhe ata të tjerët që dalin nëpër media, media iu thënçin,nëpër gjithë ato moçalet mediatike edhe që përpiqen t’i çorodisin shqiptarët, popullin shqiptar duke iu thënë “s’mund të votohen më këta. Këta janë hajdutë. Këta kanë gjysmën e qeverisë në burg’’. Ou? E para e punës një herë, keni parë ju hajdutë që jo vetëm pranojnë, por edhe i dorëzojnë të gjitha kodet e shtëpisë, drejtësisë? Nuk ka. Ne nuk kemi gjysmën e qeverisë në burg, ne kemi disa të cilët gjatë 12 viteve, mandatin e parë, të dytin, fillim të tretit kanë pasur role dhe kanë hasur në probleme me drejtësinë dhe për këtë ne duhet të ulim kokën?

Ne na vjen shumë keq nga ana njerëzore , por ama, nga ana e detyrimit qe kam ndaj jush dhe ndaj çdo shqiptari të zakonshëm që më ka dhënë votën, unë jam shumë kryelartë sepse nuk ia kam marrë votën për të bërë sikur po bëjmë drejtësi, nuk ia kam marrë votën që me votën e tij dhe të asaj dhe të atyre që janë më shumë sesa gjysma e popullit shqiptar të përdor drejtësinë për të goditur kundërshtaret dhe kur vjen puna tek shtëpia jonë, e cila pastrohet, ripërtërihet, rinohet duke ndryshuar gjakun por edhe përmes drejtësisë ne do bëjmë sikur s’kuptojmë. Kështu që, unë jam shumë krenar sepse për herë të parë në historinë e këtij vendi barazia para ligjit nuk është parullë, por është përpjekje. Barazia para ligjit nuk është për ata që s’kanë gjë në dorë, por është për ata që kanë pushtet, çfarëdo lloj pushteti. Dhe nëse ka një arsye, një të vetme që çdo shqiptar duhet të votojë PS është pikërisht kjo, për të cilën ata thonë se PS nuk u dashka votuar. E për të gjitha këto, ne jemi këtu tek pragu i Evropës, për të gjitha këto ne na beson BE, për të gjitha këto ne na vlerëson BE, për të gjitha këto ne na respekton BE. I kam bërë një pyetje të tjerëve, po ua u bëj dhe ju.

E dini ju kush është Altin Dumani? E dini, patjetër qe e dini. Një prokuror me integritet, me kurajë edhe me profesionalizëm, i cili drejton një strukturë që ka një mbështetje të madhe sepse është një strukturë që me të gjithë të metat që mund të ketë sepse s’jemi këtu për të diskutuar këto, po përpiqet të vendosë barazinë para ligjit. Si po e bën? Me shpatën që dorëzuam ne. Tani, argumenti është shumë i thjeshte. Altin Dumani nuk është 20 vjeç, nuk e di ekzakt sa është por prej shumë vitesh është prokuror. Ka qenë shumë kohë përpara prokuror. Ia kishte dëgjuar njeri emrin? Jo. Unë vet nuk e dija që ekzistonte një Altin Dumani. Ishte thirrur ndonjëherë ky njeri me integritet, ky njeri kurajoz, ky prokuror profesionist ndonjë politikan thjeshte për ta pyetur e lerë më pastaj për ta çuar në gjykatë. Asnjëherë. Pse? Se Altin Dumani dhe gjithë prokurorët e gjykatësit e ndershëm ishin njerëz të çarmatosur. Nuk kishin çfarë bënin fare sepse ata që sot na janë qepur mbrapa se nuk janë përballë nesh ata, ata janë shumë mbrapa nesh, këneta me kuatë-kuatë dhe që duan të na parakalojnë duke i treguar popullit përralla që nuk i ha më njeri, ata jo shumë vite më parë prisnin ditën për diell. Dh kanë vrarë jo një herë, kanë vrarë disa herë, jo në të njëjtën kohë por në kohë të ndryshme derisa arritën vranë nën dritaret e kryeministrisë.

E imagjinoni ju dot që sot të vriteshin protestues poshtë dritares së Kryeministrisë, Altin Dumani të çonte letrën për të thirrur tre drejtues policie për t’i marrë në pyetje, unë të përdorja policinë për t’i mbrojtur ata dhe të dilja në televizor dhe t’i thoja popullit siç i tha bufi i kënetës: prokurorja e përgjithshme është një lavire bulevardi. E parafytyroni dot ju këtë? Po pse nuk e parafytyroni dot? Kjo nuk ka ndodhur para 100 vitesh. Kjo ka ndodhur kur ne kemi qenë këtu. Gjithë ata që janë këtu, miqtë e mi, shokët e mi, shoqe nga koha kur ishim në opozitë e kemi parë me sytë tona, e kemi dëgjuar me veshët tanë, ekzaktësisht këtë që ju thashë. Pse duket kjo sikur është një histori aq e largët saqë dhe vet bufi i kënetës duket sikur s’ka lidhje me atë histori sepse ne në këto 12 vite kemi ndërtuar një Shqipëri tjetër. Kjo është një Shqipëri që patjetër ka probleme. Kjo është një Shqipëri që patjetër ka nevojë të dëgjojë dhe se do bëhet dhe kjo rruga, do bëhet dhe ajo rruga. Kjo është një Shqipëri që patjetër ka nevojë të dëgjojë shumë gjëra që nëse ne do të kishim qenë në detyrë më parë, sot nuk do të ishin probleme, por në 12 vjet ne kemi bërë atë që nuk e ka bërë asnjë parti politike shqiptare më parë. I kemi marrë gjërat për së mbari se kur ne morëm detyrën këtu, gjysma e popullit inkurajohej të vidhte gjysmën tjetër. Dhe i gjithë populli ishte i zhytur në borxhe. Sot këto duken të paimagjinueshme. E imagjinoni ju sot që gjysma e Gramshit t’ia vjedhë dritat gjysmës tjetër. Nuk ekziston. Po sa nga këto mund të marrim si shembuj? Plot. Prandaj ne jemi te pragu i BE por ama dëgjoni këtu, sot barazinë para ligjit që Altin Dumani me disa prokurorë të tjerë po përpiqen që ta bëjnë realitet duke u mbështetur tek reforma që bëmë ne, e garanton vetëm kjo forcë politike me mua në krye. Për këtë s’ka nevojë fare t’ju sjell prova sepse bufi i kënetës, gjithë këneta bashkë me gjithë bretkosat e mbrëmjes që ju bëjnë juve kua-kuak nëpër shtëpi e thonë duhet përmbysur ajo drejtësi. E thonë. Do shkrijmë SPAK thotë bufi. Atëherë si do bëni ju më të rinjtë këtu se unë me Dritanin kemi vetëm eksperiencave tonë dhe fuqinë për të luftuar që gjërat të mos kthehen pas por jeni ju më të rinjtë këtu që duhet të dini që barazia para ligjit në këtë vend nuk i lihet as qeverisë, as të parit të qeverisë që ta vendosë se nesër vjen një tjetër dhe e kthen prapë.

Ka vetëm një mënyrë që asnjë shqiptar i zgjedhur nga ju në vitet dhe dekadat që vijnë të mos spërdridhet më dhe të mos kthejë kokën mbrapa për t’ju kthyer juve mbrapa. Shqipëria në BE!

E futët Shqipërinë aty, nuk guxon më njeri këtu të bëjë numra me barazinë para ligjit. Ajo është e shenjtë për atë shtëpi dhe për ata familje. Parafytyroheni, sot janë 27. Parafytyroheni çfarë mrekullie sikur ne të gjithë së bashku në Gramsh dhe në gjithë Shqipërinë brenda kësaj dekade të festojmë hyrjen atje si anëtar i 28, apo i 29 së bashku me Malin e Zi. Hyrja atje është garancia se liria individuale e asnjë shqiptari në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë nuk preket më. Hyrja atje është garancia se barazia para ligjit për çdo shqiptar brenda Shqipërisë dhe jashtë Shqipërisë nuk preket më. Hyrja atje është garancia se nuk ka më brenda Shqipërisë dhe jashtë Shqipërisë ose Shqipëria bëhet e madhe sa BE, BE bëhet e vogël sa Shqipëria.

Ju keni të afërm, keni fqinj, keni miq, shokë në emigracion dhe një pjesë e madhe në Greqi, apo jo? I keni parë, i keni dëgjuar ata që ikën të parët, sot jetojnë prapë me ankth, kanë një ankth shumë të madh, ankthin e pensionit sepse kanë punuar dhe kanë sakrifikuar shumë që fëmijët e tyre sot të jenë ku e ku seç ishin ata kur shkuan, me lecka në trup kur i thonë fjalës, por nuk kanë pensionin të sigurt, njohjen e pensionit. Vijnë këtu të shkretët, bëhet llogaria e pensionit dhe del pensioni i vogël fare sepse nuk kanë kontribuar këtu në sigurimet shoqërore, kanë kontribuar atje. Njohja e pensionit bëhet kur dy qeveritë bien dakord ta bëjnë.
Ne e bëmë me Italinë pas shumë kohësh, shqiptarët e Italisë tanimë nuk e kanë problem. Me Greqinë nuk është e lehtë, janë shumë, qeveria greke e shteti grek nuk është aq i fortë sa shteti italian. Kemi filluar por do dojë shumë kohë ama shikojeni sa interesant, fati e do që ta kemi në dorë vetë këtë punë, të mos presim fare se ç’mendon e kur bie dakord qeveria greke dhe kur e keni në dorë ne? Në 11 maj, sepse në qoftë se ne krijojmë një shumicë që nuk ndalet që do të thotë një shumicë që ato që bie dakord në Bruksel, vjen i bën ligje këtu, i bën vendime këtu pa i shtrirë dorën, pa u përulur, e pa i kërkuar bufit të kënetës, kënetës e kush do jetë atje brenda, atëherë nuk i duhet atyre fare, as atyre në Greqi, asnjë shqiptari askund në Bashkimin Europian më asnjë lloj pasaporte tjetër përveç pasaportës shqiptare. A e kuptoni? Se janë disa çyrykë, dhe shqetësohen kur e them unë kur unë nuk e di se çfarë tjetër është dikush që midis BE-së dhe kënetës shkon e hidhet në kënetë përveçse çyryk.

Janë disa që thonë “Çfarë na duhet ne? Ne e kemi pasaportën”. Jo, ne kemi një dokument udhëtimi, pasaporta europiane është dokumenti që u barazon në dinjitet, i barazon në ligj dhe zakon shqiptarët europianë me italianët europianë, me grekët europianë dhe me të gjithë dhe me pasaportën shqiptare, shqiptare ti mund të rrish në çdo shtet të Europës, ty të njihet e drejta e punës në çdo shtet të Europës. Ti merr pensionin nga çdo shtet i Europës, ty të takon i njëjti sistem sigurimesh shëndetësore si çdo banor i Europës dhe madje me pasaportën shqiptare, nëse merr votat e shqiptarëve atje por dhe të tjerëve, anëtar i Këshillit Bashkiak, kryetar bashkie e deri deputet në Parlamentin Europian, si gjithë të tjerët.

Në 11 maj shqiptarët duhet të zgjedhin e të marrin, ose me interesin kombëtar, zëdhënës dhe zbatues të profecisë së Skënderbeut dhe të amanetit të rilindësve të të gjithë atyre që i pasuan ose me hallin e një njeriu të vetëm, një 80 e ca vjeçar që vazhdon të kërkojë të bëjë çorap Shqipërinë.

Ose bashkë për të mirën e përbashkët të të gjithë fëmijëve tanë, socialistë e demokratë ose të ndarë për interesin e një familjeje të vetme, një, një të vetme.

Ose me Shqipërinë, me BE-në në Europë njëherë e përgjithmonë ose me kënetën në gropë edhe njëherë nga e para.

Kjo është zgjedhja e 11 majit dhe atyre që janë demokratë ju them “Je demokrat në Sulovë? Shumë mirë. Çfarë kërkon këtu në Sulovë? Ti nuk do të ikësh në Tiranë, nuk do të bëhet deputet, nuk ke probleme me SPAK-un, nuk të ka bërë ndonjë nder askush por ty, jeta jote mund të marrë një kuptim tjetër nëse Shqipëria bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe Sulova bëhet një fshat i Europës. Pse? Sepse ne, nëse gjithë këto vite nga Bashkimi Europian kemi marrë për gjithë Shqipërinë mbështetje për bujqësinë, për fshatin e për të tëra shumë më pak se 200 milionë euro dhe nuk kemi pasur mundësi të vijmë deri tek ti atje, fermeri demokrat i Sulovës, bashkë me votën tënde, me hyrjen në Bashkimin Europian ne marrim 300 milionë euro në vit dhe është shumë më e mundur që edhe Sulova të marrë pjesën e vet nga kjo mbështetje”.

Prindër demokratë me fëmijë 14, 15, 13, 12 vjeç që të vënë në diskutim a t’i japin fëmijëve të tyre pasaportën europiane apo të hedhin në kënetë votën e tyre, unë nuk e di se si munden ta vënë në diskutim këtë gjë dhe nëse thonë që “Shiko, ne me Europën jemi, por jo me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste” ata duhet ta dinë që vetëm Partia Socialiste me mua në krye e bën realitet tani Europën dhe bën të mundur që dera të mos mbyllet, askush tjetër”.

Sikundër shumë socialistëve, edhe Dritani ja ku është, në ’92-shin në mars votuan Partinë Demokratike. Të majtë ishin, por votuan sepse votuan për të mbyllur kapakun e një historie dhe për të hapur një kapak të ri sepse nuk kishte një zgjedhje tjetër, Partia Demokratike ishte aty në kohën dhe në vendin e duhur, ashtu tani demokratët duhet të vijnë bashkë me ne, të mbyllin hundën, të votojnë Partinë Socialiste.

Pse ta mbyllin hundën? Sepse mbase nuk na e durojnë dot erën por në fakt, duke mbyllur hundën, nuk do tu duket parfum era e kënetës.

Shumë faleminderit!