Lezhë, Kryetari i Partisë Socialiste. Edi Rama:
Përshëndetje të gjithëve, faleminderit shumë!
Është fantastik ky shesh edhe dua të falënderoj Policinë, Pjerinin domethënë që sistemoi dhe punën e diellit. E vuri diellin në qoshe që gjithë ju të dilni dhe të rrini rehat me një dritë optimale.
Dua të lexoj një mesazh, disa mesazhe në fakt që më vijnë nga dikush që ka emër mbiemër, nuk është qytetar digjital. Një numër nga Belgjika, unë nuk e kam takuar akoma, por do ta takoj pas zgjedhjeve dhe mos të thotë njeri që e kam sajuar se është person real më emër dhe mbiemër, do ta takoj pas zgjedhjeve.
Më shkruan: “Përshëndetje i nderuar. Po të përshëndet një njeri që të ka sharë në 30 vite dhe do të votoj me minimumi 200 ish demokratë të tjerë. Mbaj mend dikur në një intervistë tenden në Tv ju kishit veshur çorape, njërën të kuqe tjetrën të verdhë dhe ne demokratët u lëshuam, duke komentuar a thua se kishim zbuluar planetin e dhjetë. A e patë injorantin? Kjo histori më duket dikur nga vitet 2000. Erdha në Belgjikë me familjen dhe në vitin 2022, një ditë të bukur çoj djalin në shkollë, mësuesja më thotë mundësisht një javë rresht, djali duhet të vijë në shkollë me çorape të ndryshme. Menjëherë mu kujtove ti dhe thashë me vete, eh mor Edi Rama paskam qenë fiks 22 vjet pas teje. Dhe imagjino, kur kam qenë unë një nga etalonët dhe oratorët më të mirë të bazës së PD 22 vite, të jesh i sigurte që shumica e atyre që kanë ngelur atje janë minimalisht 72 vjet, madje ka nga ata që janë plus dhe 50 vite, jo mbrapa, por anash.
Këtë nuk e kuptoj, por do ma shpjegoj kur ta takoj. Dhe na i kthe një sms ne demokratëve. Dhe unë qesh “hahaha” se çfarë t’i ktheja se se dija kush ishte. Ky thotë: të betohem është e vërtetë. Po kur shkove në samitin e NATO-s me kostum të zi dhe atlete të bardha. U vërshuam ne, shikojeni budallain, nuk di të vishet, na fëlliqi atdheun etj. Tre ditë pas teje doli Kristiano Ronaldo mori topin e artë me kostum të zi me atlete të bardha Adidas. Ke 200 votues të djathtë nga ana ime që do votojnë për ty. Interesi zero. Thjeshtë për ty, jo më budallain dhe programin drejtë BE-së.
-Je i madh – i them, – do kisha kënaqësi të takoja.
Dhe kjo është pjesa finale. E kam kënaqësi – thotë,- të takoj nje njeri si ti, veçse për ty do jetë humbje kohe. Do takosh një person të datëlindjes ‘74 që ndonëse me universitet e kuptoi pas 50 vitesh se ishte budalla. Ka dhe vazhdim tjetër, por ky është shumë i zgjuar, kuptohet edhe ky është fiks mendoj unë, kategoria e një fluksi demokratësh që nuk e diskutoj fare nga Diaspora që do t’i bashkohen 5-ës, do të na bashkohen në 11 maj sepse atje nuk e shohin Shqipërinë me sytë e kënetës, atje e shohin Shqipërinë me sytë e Europës. Atje nuk e shohin Shqipërinë si kryeneç kënete, këtu mbledhur në ato turmat pas bufit, atje e shohin Shqipërinë me sytë e shqiptareve, që deri dje, ulnin kokën kur i thonin nga je, kurse sot ta kthejnë drejtpërdrejtë “jam nga Shqipëria”.
Prandaj, unë jam shumë besimplotë, që në 11 maj, jo vetëm në diasporë dhe meqë ra fjala, dua t’i bëj një thirrje, të gjithë atyre që kanë marrë mundimin dhe janë regjistruar për të votuar. Dua t’i bëj një thirrje që tani zarfet që iu shkojnë nëpër shtëpi ose në Greqi kur ka pasur disa probleme me shpërndarjen ditët e para, t’i marrin, t’i hapin, të vënë votën te numri 5 dhe t’i kthejnë mbrapa se është gjynah që janë regjistruar t’iu mbetet zarfi në postë apo t’u mbetet zarfi në shtëpi pa e dhënë dhe ata kontributin e tyre në këtë takim me historinë, që është 11 maji.
Nga ana tjetër, kam dhe unë një fjalë se Ulsiu i ra gjatë se këta dibranët sidomos kur nuk janë aty në Dibër, i bien dhe më gjatë dhe vështirë t’i kapësh se ku duan të dalin, por diçka për mikun tim Noizyn.
Se Ulsiu foli për Lamborghinin dhe për bufin, por harroi të thotë diçka, pse erdhi Noizy me Lamborghini në Dibër. Se kishte fiksim dhe Noizy si shumë të tjerë, rrugën e Arbrit ngaqë i ati ka lindur në Dibër dhe ka shtëpinë e gjyshit atje. Dhe më thoshte mua “do e besh me gjithë mend’. Mirëpo puna vazhdonte, ky : jo droni, jo sikur s’po ecën” dhe unë i kisha thënë pa të bërë ty që të vish plumb pushke nga Tirana në qendër të Peshkopisë, unë nuk e lë këtë punë. Dhe faktikisht pasi Ulsiu që kalama merrte atë rrugën pafund për të shkuar student në Tiranë, pastaj për të punuar në Shkodër, në Lezhë e Tiranë etj nëpër atë rrugën ku jo Lamborghini, por duhej traktor për të shkuar dhe ku merrte Tiranë-Peshkopi më shumë sesa Tiranë – Londër.
Sot Noizy provoi se mund të shkohet me një makinë e një shpejtësie të lartë dhe të jesh perfekt, jo vetëm në kohë, por edhe pa asnjë problem veshkash dhe nervash. Kjo është pse Noizy erdhi me Lamborghini. Ndërsa pse bufi merret me Lamborghinin e Noizyt eshte temë tjetër. Se Noizy ka bërë shumë albume, është këngëtar, po bufi çfarë kënge ka kënduar që mori 6 milionë dhe i nisi për Amerikë për të hequr nga veshi atë matrikullimin që i kanë vënë atje. Dhe unë nuk e di a e hoqi a se hoqi, as s’më intereson fare por mesa kuptoj unë deri tani të paktën, i mori Latifi gjithë ato lekë se do bënte magji këtu. Latifi nuk e di ku është, ku ka ikur? Nuk e di se ju këtej nga Lezha i dini më mirë punët se keni policinë në krye të bashkisë. Latifi nuk dihet nga është, magjia mesa duket nuk po funksionon, bufi ka filluar historinë që po afrohen, jo zgjedhjet, por po afrohen vjedhjet. Do vazhdojë deri të premten, duke i treguar të gjithëve sa i tmerruar jam unë, sa e madhe do jetë fitorja, sa madhështore etj etj.
Në 11 maj në darkë do thotë “fitorja më madhështore e kënetës”. Ai s’do thotë kënetës, por e kënetës i bie. Në 12 paradite nuk do dalë bufi, do dalë një tjetër, mund të dalë ky Bari Falliu Junior do thotë “fitorja është në kuti, numërojini me kujdes.
Në 12 në darkë nuk ka për të dal njeri, në 13-të do të dali bufi e do të thotë “vjedhja më madhështore në historinë e Shqipërisë”, të dalim, revolucion etj, etj.
Kjo është dinamika që do të zhvillohet.
Megjithatë pyetja që duhet t’i bëjnë vetes demokratët sot është çfarë do të bëjnë? Nuk është një pyetje që duhet t’ia bëni ju. Se dhe unë ia them këtyre shokëve të mi kur dalin këtu, iu bëj thirrje të votoni numrin 5, po ju që keni ardhur këtu për numrin 5-së, se nuk keni ardhur për të na parë ne.
Këtu pyetja është çfarë do të bëjnë demokratët. Demokratët e Lezhës çfarë do bëjnë? Çfarë do bëjnë demokratët e Lezhës? Do vijnë me ne për të bashkuar forcat në këtë moment historik për Shqipërinë me BE-në në Europë, apo do shkojnë pas bufit në gropë, në gropën e tyre, se Shqipërinë në gropë nuk e fut dot më bufi. Ata po, i merr dhe i fut, nuk diskutohet.
Tani pse ky është një takim me historinë? Këtu mbrapa ju e dini shumë mirë se çfarë është.
Këtu mbrapa mblidhen të gjithë edhe kujtojnë Besëlidhjen e Lezhës, dhe aty gjendet dhe një përkrenare dhe një shpatë. Është përkrenarja dhe shpata e Heroit tonë Kombëtar, i cili është profeti, siç e ka quajtur një studiues i famshëm, është profeti i historinë kombëtare të Shqipërisë. Dhe cila ishte profecia e tij?
Profecia e tij ishte se duke i vënë barrikadën këtu në Shqipëri, lindjes dhe duke i vënë gjoksin perëndimit, ai e la për nipat, stërnipat, stër stërnipat edhe për të gjithë stërnipat e stërnipave në shekuj profecinë e tij, “Ne shqiptarët e kemi fatin të lidhur me perëndimin, jo me lindjen”.
Historia ishte e vështirë edhe pasi ai u nda nga jeta shumë shekuj na mbajtën larg Europës dhe na mbajtën larg Europës duke na kërcënuar edhe gjuhën. Donin të na merrnin edhe alfabetin, të na e bënin me gërma jo latine. U mblodhën gjithë rilindasit tanë që ishin njerëz si ne, se kur e sheh historinë nga sot atëherë ata duken të gjithë si figura mitologjike. Po ata kanë qenë të gjithë njerëz si ne.
Dhe siç ne sot jemi krenar për ata, duhet të mendojmë çfarë do thonë për ne të tjerët më vonë do jenë krenarë për çfarë po bëjmë ne sot apo do t’iu vijë zor.
Dhe rilindasit, atë profecinë e kthyen në amanet me shkrim, mbasi imponuan alfabetin latin dhe i përcaktuan ekzaktësisht shqiptarëve shqipen e shkruar sipas burimit të saj, na lanë pusullën “për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon”. Ja ku është!
Andej është perëndimi i diellit, por andej lind edhe dielli i Shqipërisë që ne kemi ëndërruar, dhe Shqipërisë që duam, dhe Shqipërisë që meritojnë të kenë fëmijët tanë. Një Shqipëri brenda shtëpisë së familjes bashkuar europiane, ku fëmijët tanë nuk janë më të huaj në Europë, po janë qytetarë të barabartë me çdo fëmijë francez, gjerman, grek, italian.
Edhe kur populli u derdh në shesh pas rënies së komunizmit, populli nuk kishte i organizuar, nuk kishte një që i thërriste “hajdeni në shesh”, “nuk kishte një që i thoshte voto numrin 5”, por popullit i doli nga shpirti, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe që atëherë ne të gjithë themi, duam të futemi në Europë, duam të futemi në Europë, duam të futemi në Europë, por asnjëherë deri më sot, dera e asaj shtëpie nuk është hapur për ne.
Gjithmonë na kanë thënë, “po, po, në Europë e keni vendin ju”, “po, po, ne do t’ju fusim në Europë, po ju duhet të punoni”. Por ama, derën e kanë mbajtur mbyllur, sepse ajo derë e asaj shtëpie nuk rri hapur.
Bashkimi Europian është një shtëpi të pasurish. Shtëpitë e të pasurve nuk e mbajnë derën hap për këdo që troket. Ju e dini shumë mirë! Shtëpitë e të varfërve janë pa çelës.
Dhe që ajo derë të hapet, nuk mjafton që ti të trokasësh dhe ti të thuash, unë jam gati, po duhet dhe ata të gjithë 27 aty brenda të bien dakord, hape derën, që të jenë dhe ata gati. Që duhet që interesi yt dhe interesi i tyre të përputhen dhe duhet që ti ata t’i kesh bind të të respektojnë, të të vlerësojnë dhe të të besojnë.
Dhe ata na kanë hapur derën vjet, na kanë vënë 3 vjet kohë që ne të mbyllim gjithë negociatat dhe negociatat me ta, marrëveshja domethënë “e krushqisë e martesës”, si doni quheni, është më shumë se 250 mijë faqe, ku ne duhet të biem dakord për të gjitha ato gjëra që në fakt do ta bëjnë Shqipërinë Europë këtu, Europën e Ballkanit, për drejtësinë, për ekonominë, për mjedisin, për shëndetësinë, arsimin, lirinë, të drejtat, të gjitha, të gjitha, të gjitha, deri dhe për peshqit, për zogjtë, për midhjet, për gaforret, të gjitha. Pa shaka, të gjitha.
Do biem dakord atje. Do vijmë këtu dhe ata thonë, okej, për këtë do merrni këtë masë, për këtë do merrni këtë masë, për këtë do merrni këtë vendim, për këtë do bëni këtë ligj, shkoni bëjeni, vazhdojmë negociatat.
Tashti kur të vijmë këtu, ne na duhet fuqi. Nuk mundet dot tani të biem dakord me ata, tre vjet është koha dhe tre vjet nuk e ka pas asnjë vend ish-komunist hyrjen në Europë me negociata.
Kroacia, që ka shkëlqyer ka qenë 7-8 vjet, neve vetëm 3 vjet.
Dhe të vijmë këtu tani dhe t’i themi bufit, hajde se duhet ta kalojmë këtë ligjin dhe bufi të thotë, jo po prit, se një herë duhet të shkrijmë SPAK-un, të shkojmë te këto moçalet e vogla, se kanë dalë dhe ca tjerë, jo “Shqipëria mundet”, e “jo mundet, po s’bëhet”, e ku di unë? E t’i themi hajt, se duhet të bëjmë këto. Dhe këta të na pengojnë dhe të na vonojnë, si t’i themi ne atyre në Bruksel, që shikoni se ne dakord jemi, po atje në Shqipëri kemi dhe një buf kënete dhe nuk po e gjejmë rrugën të merremi vesh.
Si mund të lihet kjo histori që vjen nga koha e Skënderbeut në duart tona dhe që fati e ka dashur që të na e bashkojë ne, një votë për një palë zgjedhje politike me një votë për një zgjedhje historike në mëshirën e këtyre këtu, e këtyre që s’dinë ku kanë kokën.
Si mund ta lëmë ne një Shqipëri të shpresës tek e nesërmja në diskutim me një njeri pa shpresë që tanimë nuk di as ku e fillon fjalinë, se në fund të fjalisë ka harruar kryefjalën.
Si mundet ne të mirën e përbashkët të të gjithë fëmijëve të këtij vendi, fëmijëve të socialistëve dhe demokratëve, që nuk kanë drejtë vote ta lëmë ne në dorë të tifozllikut, majtas-djathtas.
Dhe e mira e përbashkët sakrifikohet për interesin personal të një njeriu që do të lajë fytyrën e vet dhe do të heqi atë matrikullën e deles zezë që paguan 6 milionë dollarë për të larë fytyrën, edhe që prapë, me sa kuptoj unë, “nuk ka sapun 6 milionë dollarë, për një kallëp sapuni s’gjen sapun”.
Edhe ne do ta lëmë Shqipërinë në zgjedhjen midis këtyre opsioneve.
Kjo është e pamundur, mendoj unë, sepse baba demokrat mund të ketë 1001 inate me mua, me Pjerinin, me Ulsiun, 1001 inate, po ç’lidhje kemi ne këtu, kur baba demokrat ka një mundësi që një votë ta investojë, që këtë pasaportë t’ia japë fëmijës vetë dhe një babë, një babë që i jep fëmijës vetë këtë pasaportë, i ka dhënë fëmijës atë që baballarët tanë, baballarët e baballarëve tanë, gjyshërit, stërgjyshërit, stër-stërgjyshërit nuk na e dhanë dot. Ky nuk është dokument udhëtimi që po i ndërrojmë ngjyrën dhe po i vëmë këtu “Bashkimi Evropian’’. Ky është statusi i dinjitetit të barabartë evropian të shqiptarëve në Europë. Kjo pasaportë, është pasaporta që thotë ‘’shqiptarët nuk janë më të huaj, shqiptarët janë europianë me zakon dhe me ligj’’. Kjo pasaportë është ajo pasaportë që, ua them atyre emigrantëve që më shkruajnë mua ‘’Ne në Europë jemi, shihni ju me pleqtë që keni ngelur atje’’ dhe ndërkohë më thonë ‘’shihni ju me pleqtë që keni ngelur atje’’ dhe duan te votojnë plakun më të rrjedhur të Shqipërisë. Shikoni ju ça logjike është kjo? ‘’Shihni ju me pleqtë atje’’ dhe shkojnë pas plakut më të rrjedhur të Shqipërisë. Se do bëhemi të gjithë pleq, po si i tha ai baba i mençur fëmijës së fundit? E dini ju si i tha? Ty – i tha të parit, do të lë këtë detyrë, ty do të të lë atë detyrë.. kurse atij më të voglit i tha, ty do të të lë këtë detyrë të vështirë. Ti- tha , nuk do më lësh mua të dal nga shtëpia, kur baba të mos jetë më në rregull me ato që thotë jashtë shtëpie. -Po si do e marr unë vesh? – i tha ai. -Do e marrës vesh shumë thjeshtë, të keqen baba- i tha. Kur të mos marrësh vesh a është t’u fol baba në konak të burrave, a është t’u fol në konak të grave, lidhe babën- tha , se nuk duhet ta shohë njeri. Kështu tha populli.
Fjalë burrash jo çyrykë kjo dhe kjo pasaportë për emigrantët është njehsim i plotë me ata të cilët në vendin ku janë, Greqi, Itali etj, kanë pasportën e tyre. Dhe po ju jap një shembull që është më kuptimplotë; sot emigrantët në Greqi, ata që ikën në ’90 dhe ikën me rrobat e trupit, morën fëmijët në krahë, nuk dinin as rrugën, u futën nëpër male, sakrifica te jashtëzakonshme, jetuan në një presion të tmerrshëm jo si njerëz po si kafshë, u trajtuan si kafshë, u torturuan, derdhën gjak, derdhën lot, derdhën djersë, dhanë për Greqinë diçka që është kaq kuptimplotë, Greqia nuk do të rrinte dot në këmbë pa forcën e madhe të punës që i dhanë shqiptarët dhe sot ata janë në prag të pensionit, të gjitha i kanë bërë për fëmijët e tyre. Dhe ose kanë filluar të dalin në pension dhe jetojnë me ankthin e tmerrshëm, ‘’po mirë mo, ne i dhamë të gjitha këto për këtë vend’’. Lojërat olimpike, e thanë grekët vetë, nuk do i bënin dot grekët gati, ndërtimet për lojërat olimpike po të mos ishin shqiptarët me tre turne, pa të drejta, dhe tani pyetja e tyre është; “a do marrim ne mbrapsht pension për gjithë këtë që kemi bërë’’? Që ata të marrin mbrapsht pension për gjithë atë që i kanë dhënë Greqisë, duhet që ne dhe qeveria greke te merremi vesh. Ne kemi bërë 22 marrëveshje pensionesh, bufi kishte bërë vetëm 2 dhe s’e mbaj mend me ça shtetesh, ku s’kishte asnjë punëtor shqiptar. Ne mbyllëm edhe marrëveshjen me Italinë që ishte dhe e parafundit për nga vështirësia. Sa vite mori? Pa fund. Dhe u desh prapë fati, më doli një ‘’motër’’ mua në Romë, filloi puna më intensive, u ramë dakord, e firmosëm me ‘’motrën’’, dy vjet nëpër burokraci më në fund mbaroi. U bë. Në janar të 2026, të gjithë shqiptarët e Italisë do marrin pensionet sipas sigurimeve që kanë paguar.
Me Greqinë, ne po punojmë por është marrëveshja më e vështirë. Janë shumë shqiptarë që duhet të marrin pensionet dhe Greqia s’është Italia, nuk është aq e fortë. Qeveria greke është shumë e gatshme. Ne jemi duke negociuar por mund të marrë edhe 10 vjet, edhe 5 vjet, nuk e di unë sa mund të marrë. S’e kemi ne në dorë, ama e kanë në dorë shqiptarët e Shqipërisë, e kanë në dorë shqiptarët e Italisë, e kanë në dorë shqiptarët e Europës, e kanë në dorë vetë shqiptarët e Greqisë. E di pse e kanë në dorë? Se po morën këtë, nuk iu duhet më paspaorta greke fare, nuk iu duhet më pasaporta italiane, nuk iu duhet më pasaporta spanjolle sepse kjo pasaportë kuq e zi në Greqi, bëhet njësoj si pasaporta bardhë e blu dhe me këtë pasaportë në Greqi, ty të njihen automatikisht sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore; nuk je më i huaj, je qytetar i BE, është një federatë e madhe. Madje, madje jo vetëm që nuk diskutohet që mund të nisesh nga Lezha sot me makinë të shkosh në Portugali, të ndalosh në qytetin që do edhe të shkosh te ndërmarrja e parë po të duash të shkosh të kërkosh punë a të bësh një kontratë, a të bësh një biznes dhe nuk të thotë njeri ‘’ore, ku je ti? Kush je ti?” Se je qytetar i BE. Kjo nuk diskutohet. Se ngaqë kam thënë shpesh unë atë të aeroportit, këta ‘’intelektualët’’ e kënetës thonë ‘’hë mo hë, se s’është punë e madhe shumë se po rrimë e presim në aeroport’’. Si punë e madhe shumë? Po ata na fusin ne si me qenë dele atje. Ikim ne, nisemi nga Tirana, shkojmë në Itali, unë vetë sa herë kam përfunduar në komisariat nëpër aeroporte se nuk i duroja dot kur nxirrnin qenin atje për të kontrolluar edhe gratë shtatzëna. Tani ti prite kur të thotë bufi ‘’qenin e kanë nxjerrë për ty se ti trafikoje drogë. Mos ia lër grave. Të lutem shumë’’. O Buf, prit, prit se edhe një javë.
Edhe në komisariat përfundoja. Jo ku po shkon… – Ore, a jam unë? Po. A kam liri lëvizje pa vizë? Ça do me mua? – Hajde me mua. Jo sa do rrish, jo sa lekë ke? Kush të ka ftuar? Hoteli..
Këto jo vetëm që nuk do ndodhin më me atë, por me atë ka dhe një gjë tjetër; që me atë shqiptarët e Greqisë, Italisë, kudoqoftë, po iu desh qejfi të merren edhe me politikë atje, mund të kandidojnë edhe për kryetar komune, mund të kandidojnë për kryetar bashkie, mund të kandidojnë për këshillat bashkiakë, mund të kandidojnë edhe për ndonjë eurodeputet në Parlamentin Europian, kështu, me këtë pasaportë. Futen atje edhe po morën vota nga shqiptarët e tjerë, shkojnë në PE me në listë të tyre në emër të Greqisë, Italisë, kujt të duan ose me partitë e tyre, nuk ka rëndësi.
Ndërsa duke u kthyer tek baballarët, kush i jep fëmijëve këtë, i jep fëmijëve mundësinë që kur të shkojnë të studiojnë jashtë, ku të duan në BE, nuk janë më të huaj që duhet të paguajnë dhjetëfish për një vend studimi, por janë qytetarë të Evropës që kanë të njëjtat kushte si të gjithë qytetarët e Evropës. Dhe nga ana tjetër, se tani ka dalë kjo teoria ‘’që ky do t’i përzërë dhe këta që kanë mbetur, prandaj i thotë merrni dhe pasaportën dhe ikni dhe ju, se ky do të rrijë me Ulsiun dhe Pjerinin vetëm’’. Por ndërkohë s’është kjo, është e kundërta, se kjo do ndodhë dhe nga ana tjetër siç ka ndodhur me vendet e tjera që kanë hyrë në BE. Për europianët, Shqipëria do jetë pjesë e Europës dhe ua kam thënë dibranëve, ua them dhe juve këtu; Lezha mori Ulsiun rrugën etj, siç nuk njihni sot Lezhën nga Lezha e 2013, Lezhën e 2030 nuk mund ta imagjinoni si do jetë për shkak të investimeve që po bëhen në turizëm. Dhe kur Pjerin Ndreu thotë ‘’dua ta bëj bregun e Lezhës si bregun e Spanjës’’ nuk thotë një gjë që është kot. Ajo po bëhet. Po bëhet dhe vlera e pronave në Lezhë, por jo vlera e pronave në rërë, por vlera e pronave nëpër male po iu them, vlera e pronave në Dibër me rrugën e Arbrit, vlera e pronave në Tiranë e gjithë Shqipërinë, e ka treguar historia e anëtarësimeve, 5 fishohet, prandaj deri në 2030 ju them shqiptarëve atje “Hajdeni dhe filloni investimet këtu, paketa e maleve është bërë për ju sepse për mua miniera e arit e turizmit shqiptar nuk është hapur akoma, nuk është bregu, janë malet. Shqipëria, kur të zbulojë bota malet dhe të fillojnë të bëhen edhe investimet e nivelit të lartë jo vetëm këto të nivelit të ulët, domethënë të nivelit për turizmin e masës, Shqipëria do të rreshtohet në të njëjtin klub me Austrinë, me Zvicrën, me vendet që kanë malet, nuk kanë detin por ama marrin nga turizmi shuma marramendëse por kjo sigurisht i takon kohës së gjeneratës tjetër të Partisë Socialiste, të gjeneratës së vajzave dhe djemve këtu sepse ne kemi partinë më të re dhe partinë më të vjetër.
Kush vjen këtu thotë “Ne jemi të rinj”, ata vetëm të rinj nuk janë, ata janë të rinj nga mosha por nga mendja ata janë asnjë e re, janë thjesht ri-ardhja në fushë, ri-dalja në fushë e farës së keqe të LSI-së, e njëjta gjë. Ju kujtohet LSI-ja? LSI-ja ishte si kult, këta janë laikë por janë njësoj. Nuk kam unë asnjë interes përveç betejës me historinë bashkë me ju, nuk jam unë këtu për të ndenjur në karrige, larg qoftë, që të filloj e të flas si bufi por po ju them juve “Sa më e vogël një parti, aq më të vogla interesat që e kanë krijuar atë dhe aq më e madhe goja e atyre që bërtasin më shumë sepse janë të vegjël dhe duhet të dëgjohen duke bërë zhurmë”. Kush shkon e hedh vota pas atyre partive, faktikisht, nuk është se po hedh vota për të realizuar dika më mirë, e bën nga inati për partitë e mëdha, e kuptoj shumë mirë dhe me thënë të drejtën tani, kur je, se nuk di as çfarë të them sepse dhe ai Agron Shehaj një ballist por kur je midis bufit dhe kënetës dhe të del një Agron Shehaj rrugës dhe thua “Hajde se po e hedh këtej” tani edhe kjo mund të kuptohet ose “Hajde po ia çoj këtyre bëhet apo nuk bëhet” por në thelb, partitë e vogla janë interesa të vogla njerëzish me gojë të madhe, por me interesin e vogël ndërkohë këtu nuk është çështje inati me mua e me ne, nuk është këtu për tu bërë socialist e për tu bërë anëtarë partie edhe për të ardhur për të votuar nesër. Jo, ka qëlluar që zgjedhjet lidhen me këtë Shqipëri, Shqipëria duhet të mbyllë negociatat. Shqipërinë në negociata e kemi ulur ne, negociatat i mbyllim ne sepse janë disa që thonë “Po mirë more, pse duhet ta bësh ti këtë punë? Pse qenke vetëm ti Edi Rama për këtë punë bashkë me ju që keni 3 mandate këtu dhe nuk na futët në BE? Pse nuk e bënka bufi?”
A e imagjinoni ju t’i çoni bufin atyre në Europë se çfarë bëhet?
Shqipëria, kjo krijesë e re e panoramës europiane, turizëm, politikë, Shqipëria kjo qendër e re e referencës, do vijë gjithë Europa këtu në datën 16 maj. Për çfarë do vijë për bufin? Do vijë për bufin apo për Skënderbeun? Do vijnë tek këmbët e Skënderbeut atje, nuk ka rastësi, nuk ka rastësi. Hegeli thoshte “Rastësia është shpata me të cilën domosdoshmëria çan rrugën”. Do të vijnë tek Gjergj Kastrioti në 16 maj, në 11 maj shqiptarët duhet të përmbyllin atë që Gjergj Kastrioti e la dhe fati e solli në dorën tonë. Mund të mos ta sillte sepse mund të bësh zgjedhje gjithë jetën dhe nuk të sjell rasti të votosh edhe për një parti në qeveri edhe për historinë. Është hera e dytë, në 22 mars të ’92-shit ishte e njëjta gjë, ishte takim me historinë, nuk ishte votë për PD-në dhe demokratë e jo demokratë në kuptimin e përkatësisë ja dhanë votën PD-së, mori një mori votash, jo se ishin të gjithë me PD-në të gjithë ata. Aq e vërtetë është kjo saqë kur u bënë zgjedhjet lokale pas 6 muajsh i kthyen shpinën PD-së, i humbi PD-ja nuk e di se sa, ishte në minorancë por ama në 22 mars nuk kishte zgjidhje tjetër. Në 22 mars ishte koha e duhur, vendi i duhur që Shqipëria, flamuri të çlirohej nga e kaluara, ta mbyllte historinë e sistemit që kishte rrëzuar populli duke e vulosur që parlamenti pluralist i kalonte opozitës dhe shkuan të gjithë atje, normale.
Në rastin më të mirë për ata që nuk shkuan, nuk shkuan fare, nuk votuan fare. Domethënë, kush abstenon praktikisht i hap rrugë opsionit më të fortë, dihet ajo punë. Nuk shkuan fare, i hapën rrugë opsionit më të fortë.
Nuk kam shkuar unë, për shembull. Nuk e votoja dot unë sepse bufit ia kam ndjerë erën që sa e kam parë ditën e parë, orë e parë tek Qyteti Studenti, komunist me pardesy të bardhë, me teserën e Partisë së Punës në xhep që thoshte se shkodranët janë huliganë dhe shoku Ramiz Alia është presidenti jonë. Unë e pashë bufin dhe shkova atje dhe thashë “Ky? Po ky është lemeri”. Nuk shkoja dot unë për bufin por ama nuk votoja dot për askënd tjetër, i hapa rrugës opsionit të forcës, ishte ajo rruga, duhej ndarë historia.
Kështu dhe në 11 maj. Demokratët që duan nesër kur t’i japin pasaportën fëmijëve të tyre të thonë “Ta ka dhënë babai bashkë me nënën dhe kaq shumë e kemi dashur këtë pasaportë për ty saqë kemi votuar për një maskara si Edi Rama por pasaportën ja e ku e ke sepse ta ka dhënë babai sepse votoi për pasaportën tënde” kurse ata që nuk e bëjnë dot këtë të paktën të mos shkojnë fare, të mos shkojnë fare sepse unë nuk e imagjinoj dot tani një burrë që çohet në mëngjes, rruhet, rregullohet, vendos dhe kravatën ose vesh xhupin, nuk ka rëndësi, se këta kanë dhe xhupa dhe niset shkon e mban radhë për tu hedhur në kënetë? Si mund të bëhet kjo? Si mund të vishet njeriu si në dasmë duke u hedhur në kënetë duke thënë Fitore, fitore kot? Hidhesh në kënetë e të bërtasësh fitore e pastaj të thuash ma vodhën? Si e bën burri këtë?
Rri more në shtëpi atje, mos hajde fare dhe prandaj ne fazën e parë të fushatës e bëmë me gratë sepse Saliu, – uf i përmenda dhe emrin, – bufi thotë “Edi Rama po ndan gratë nga burrat, mblodhi gratë që t’i ndajë nga burrat” por në fakt sa më shumë gra mblodhën ne aq më shumë burra po na vijnë, shiko se sa janë sepse burrat e mençur janë ata që pranojnë forcën e gruas, burri që mendon që gruan e ka nën vete është çyryk, nuk diskutohet fare, çyryk, i duket vetja i zoti shumë.
Nuk e thotë kot ajo fjala e famshme “Pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e mençur dhe e fortë” nuk diskutohet. Pse Shqipëria sot është më e mirë? Sepse ka shumë më tepër gra në vendimmarrje, sepse ka shumë më tepër gra në punë, 50% e grave ishin në forcën e punës, 70% janë sot gratë e angazhuara. 70% e grave janë të angazhuara në punë, 30% e grave sot janë drejtuese sipërmarrjesh, prandaj Shqipëria është më e mirë, nuk diskutohet kjo, sepse është ndarë puna, nuk është “Ne burrat i bëjmë të gjitha, ju gratë rrini në shtëpi” sepse ajo është në fakt “Gratë i bëjnë të gjitha dhe burrat bëjnë sikur i bëjnë të gjitha”.
Kush ma kishte mua merakun se po ndaja gratë nga burrat le të shohë a janë shtuar më shumë burrat seç kanë qenë herën e kaluar? Pse? Sepse i sollën gratë pra. Burri i zgjuar nuk ka rrugë tjetër, pranoje dhe jeto me nder jo bëj si i fortë kot. Kështu që unë kam besim që gratë demokrate do të jenë shumë më pak në votim në rast se nuk do e gëlltisin dot sepse kanë marr helm gjithë këto vite për mua “jo rreh gratë”, edhe të shkretën mamanë tjetër që është në botën tjetër prapë ma kishin nxjerrë nga varri “E rrihte Edi Rama” e kuptoni? Këta që qajnë hallin se unë po bullizoj shpendët, e kuptoni? Çfarë po i bullizoj shpendët unë? Satira dhe karikatura janë forma më e lartë e komunikimit. Ah, ti kujton se je burrë i fortë, i thua tjetrit hajdut, kriminel, drogaxhi, trafikant, mafioz, maskara, gruaja jote, fëmija jot, dhe ti kujton se je burrë i fortë që bën kështu dhe në qoftë se unë të kthehem me të njëjtën gjuhë, ti e pranon. Kur unë thjesht të krahasoj me një pis shpend që rri atje në krye të kënetës, u bullizove ti. Po pse çfarë më di mua. S’kam unë asnjë gjë. Unë them dhe bëj atë që shoh. Unë nuk shoh atje një lider. Unë shoh një buf. Hajde ma provoni mua që nuk është buf. Dhe tani ka filluar dhe një stil tjetër, e keni parë. Bufi është një shpend që rri dhe ha miletin e vetë. Ha ata që i ka aty. Krimba, zhaba, bretkosa me ata jeton, por ata ha. Fiks PD-ja. Ai rri dhe rri lart, e i sheh. E keni parë popullin? Popullin, atë kënetën e tyre që e mbledhin nëpër sheshe nga 200-300 veta i lënë në diell. Bufit i marrin një çadër të madhe, e keni parë, e mbulojnë me çadër, futet në hije ky dhe flet nga pema. Ata rrinë poshtë në ujë, fiks kënetë. Çfarë janë ata? Kënetë dhe prova që bufi i ha.
Nuk e di se këtu në Lezhë nuk kam pyetur si shkuan primaret, po shihni një gjë interesante. Kush fitoi primaret në shumë qytete, në Tiranë, Elbasan, Sarandë e në vende të tjera nuk është fare nëpër lista. Kryetari i PD-së së Kavajës, fitoi primaret në Kavajë, në gjithë Tiranën doli i pari, Kavaja, që ja e kanë mbështetur bufin ata të shkretët, ja i kanë shkuar mbrapa. S’është fare në listë ai. As në listë, as në fushatë, s’dinë ku është. Unë e di! E ka ngrënë bufi! Dash Sulën, gjeldetin e Peqinit, e mbani mend?! Fitoi primaret absolut. Njëshi i Elbasanit. S’është fare në listë. Atë nuk e ha dot bufi, se ai është gjel, nuk është nga këta të kënetës. Dhe ai thotë unë jam gjel, unë të shtyp. Për të shtypur jo, se iku, por s’është. Kryetarja e Partisë Demokratike të Sarandës u fut në primare, doli e para, s’është fare sepse bufi nuk do njerëz me personalitet. Bufi nuk do njerëz që fitojnë dhe dalin nga baza. Bufi nuk do insekte që mund të bëhen flutura. Bufi do llumin që e mban lidhur mbas vetes dhe me të cilin ushqen gjithë dynjanë sa herë del nëpër rrugë. Dhe po të shikoni dhe një gjë tjetër. Ishte sot në Tropojë bufi. E dini ju nga gjithë veriu i Shqipërisë, kush është zona më e pafinancuar deri kur erdhëm ne në qeveri. Se ai flet për veriun, veri, veriu, por po të shohësh investimet, i kam treguar në Shkodër, i kam treguar në Kukës, i tregova sot këtu, i tregova në Dibër. Po të mbledhësh të gjitha investimet që janë bërë në veri nga unë dhe Partia Socialiste, jo në kohën e bufit, po të mbledhësh të gjitha vitet e mbledhura së bashku, nuk bëjnë aq sa janë bërë në këtë periudhë. Nuk bëjnë hë ju e dini vetë. Ju e dini vetë, s’ka nevojë. Po e dini kush është zona ku nuk ka investuar asgjë, gjejeni. Tropoja! Asgjë! Kur kam shkuar në Tropojë, siç ishte kur kam shkuar kur kam qenë student dhe është Bajram Curri aty që thotë ‘5’. Bajram Curri thotë ‘5’ dhe kishte dalë barcoleta, ja thotë studentëve që sjellin këtu në punë, i thotë 5 vjet i ke këtu. I thosha unë tropojanëve, e di që ju s’do votoni, por ne do ta bëjmë Tropojën destinacion turistik. Ata mendonin se tallesha. Shiheni sot Tropojën. Në Tropojë fliten nuk e di sesa gjuhë nga turistët që hyjnë e dalin atje. Rrugën e Valbonës kush e bëri? Bufi? Jo, e bëmë ne! Dhe gjithë ato bujtina në Valbonë, dhe gjithë ai turizëm në Valbonë është vetëm fillimi i një historie të re për Tropojën sepse bufi nuk ka asnjë vizion tjetër zhvillimi të përbashkët përveç përçarjes o me kënetën, o kundër kënetës. Kurse ne themi demokratët të ndihmojnë ta thajnë atë kënetë, dhe pastaj ta shohin ta rilindin nga e para, të bëjnë çfarë të duan. Ne këtu jemi. S’kemi asnjë problem. Ne kemi qeverisur dhe do të qeverisim. Ne kemi fituar dhe do të fitojmë.
Mund të vazhdoja dhe më shumë se duket shumë bukur ky sheshi. Paska pasur të drejtë policia se tha do jetë më i mbushur se kurrë, e vërtetë është. Që ta sqarojmë, e kam fjalën për Pjerin Ndreun, se mos ja çoni OSBE-së që ky komunikon me policinë për këto. Se këtu policia është e pavarur nga kjo punë. Pjerin Ndreu, është shumë i bukur sheshi, ju falenderoj shumë. Po ju lë me një fjalë: Këto 4 vite që vijnë, ma besoni, do jenë 4 vitet më të mira të të gjithë rrugëtimit tonë. Më e mira është e gjitha përpara. I kemi lënë të gjitha të këqijat mbrapa. Këta thonë progresin e solli koha, koha solli dhe covid-in, por ne e përballuam më mirë se shumë të tjerë më të fortë se ne, koha solli dhe tërmetin, por ne futëm nëpër shtëpi njerëzit siç nuk i ka futur asnjë shtet shumë i madh, këtu në anën tjetër, falas dhe nuk do t’i ndahemi dhe atyre të tjerëve që kanë mbetur pak, derisa të dorëzojmë dhe çelsin e fundit. Koha nuk sjell zhvillimin. Koha sjell njerëzit. Njerëzit sjellin zhvillimin, ose sjellin shkatërrimin. Në datën 11 maj, zhvillimin, zhvillimin, zhvillimin. Shpresën! Jo një të rrjedhur që nuk ka më asnjë shpresë.
Faleminderit!