Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Roskovec në takimin me gratë dhe vajzat socialiste të Fierit

Përshëndetje dhe shumë faleminderit për këtë pamje kaq të bukur në këtë shesh. Shumë faleminderit!

Kur erdha qëparë, ne hyjmë me makinë, po më thoshin shoferi bashkë me atë djalin që rri me mua, po më thoshin, “çfarë bëhet këtu o shef, shiko sa ka ndryshuar ky qytet”. Edhe e vërteta është që është vërtete një pasqyrë e jashtëzakonshme e një transformimi të pabesueshëm sidomos kur ke parasysh se sa i braktisur, sa i rrënuar, sa i zhytur ne izolim dhe në dëshpërim ishte i gjithë ky qytet ndërsa sot është kaq i bukur kaq i buzëqeshur dhe realisht e kuptoj shumë mirë arsyen pse vlera e pronave këtu është rritur edhe arsyen pse kërkesat për të ndërtuar në këtë qytet janë rritur. Sepse puna e bërë dhe gjithë kjo pastërti, ky kujdes që duket në çdo hap dhe në çdo anë që hedh sytë janë një arsye jo thjeshtë për të vlerësuar atë që është por edhe për të parë të nesërmen me optimizëm edhe për të besuar tek e ardhmja e këtij qyteti. Prandaj kjo është një provë tjetër. Unë nuk kam si ta fsheh.

E di që me disa lloj burrash jam futur në një lloj konflikti këto kohë, por ça të bëj unë tani që Roskoveci është burrë, por kush e ka bërë Roskovecin kështu është grua. Se kur ishte në dorë të burrave e dini ju si ishte Roskoveci, copë copë. Kështu që unë kam sjellë me vete një material që kam dëshire ta ndaj me ju, jo thjeshtë me ju që jeni këtu por me të gjithë ata që na ndjekin nga qarku i Fierit dhe ata që na ndjekin nëpërmjet transmetimit sepse realisht besoj shumë që këto janë ditët kur duhet tu japim një mundësi të gjithë atyre që nuk janë të informuar, nuk janë të qartë dhe nuk janë të bindur se cfarë transformimi ka ndodhur në Shqipëri në këto tre mandatet tona, aq më tepër kur shumë nga gjërat që ju dhe ata që na ndjekin do të shohin, nuk gjenden dhe nuk shihen dhe nuk thuhen askund.

Natyrisht, ju që jeni këtu jeni pararoja e gjithë bashkësisë së grave të kryeqytetit të socialisteve dhe ju nuk keni nevojë për punë bindëse sepse këtu në këtë shesh kaq të bashkuara dhe kaq energjike ju ka sjell bindja se kemi bërë shumë dhe se pikërisht se ka ende shumë për të bërë, ne duhet të vazhdojmë punën, por ka plot të tjerë që nuk kanë mundësi ta shohin progresin e Shqipërisë në pasqyrat e televizorëve ku siç e keni parë arrihet deri në marrëzinë që teksa publikohen sondazhet që na japin fitues në të gjithë kanalet, sondazhe të bërë nga lloj-lloj grupesh, që nga sondazhisti i presidentit amerikan der tek sondazhistë të njohur në Europë. Ata që i komentojnë fyejnë një popull të tërë, përqeshin një popull të tërë duke e komentuar faktin se shumica e shqiptarëve mbështesin Partinë Socialiste, faktin se shumica e shqiptarëve mendojnë që Shqipëria është në drejtimin e duhur si një sëmundje duke thënë “ky popull është i sëmurë, ky popull është çmendur, ky popull është i trembur deri në palcë, ky popull është i shitur”, prandaj mendon kështu, por fatmirësisht puna jonë nuk është një punë që mbetet larg jetës së njerëzve dhe çfarë do shikoni këtu janë të gjitha fakte që njerëzit sipas kategorive, sipas vendeve i prekin dhe prandaj shumica dërrmuese e shqiptareve sot thonë në çdo anketim se mbështesin PS.

Këtu do ju jap shumë pak të dhëna për transformimin ekonomik të Shqipërisë sepse ju i dëgjoni kukumjaçkat e kënetës kur thonë se gjerat kanë shkuar keq, se këtu është koha për shpëtim sepse nga katër anët ka vetëm keq. Shikoni prodhimin e përgjithshëm kombëtar, vlerën që krijonte Shqipëria në totalin e vet në vitin 2013, më pak se 10 miliardë euro. Ndërsa vlera që ka krijuar Shqipëria në vitin 2024 është 25 miliardë euro dhe 35 miliardë euro është plani ynë për Shqipërinë 20230 dhe ajo 35 miliard euro nuk është një shifër e pikturuar atje, por është një objektiv i studiuar dhe i analizuar nga ekspertët tanë të ekonomisë dhe financave.

Këtu kemi rajonin tonë sepse ne nuk jemi Gjermania dhe nuk jemi në garë me Gjermaninë. Juve ju kujtohet, ishte dikush tjetër që thoshte jemi të dytët pas Gjermanisë, dikush tjetër që lavdi zotit dhe popullit shqiptar që u largua nga zyra bashkë me atë lukuninë e tij tamam në atë momentin e fundit përpara se Shqipëria të binte në një humnerë tjetër në vitin 2013. Ne jemi në një rajon që për 1001 arsye është rajoni më pak i zhvilluar i Europes në Ballkan dhe kur ne morëm detyrën, ne ishim vrima e fundit e kavallit, vagoni i fundit i Ballkanit. Shikoni sot, kjo është mesatarja e rritjes së përgjithshme në rajon, kjo është rritja e prodhimit te përgjithshëm në Shqipëri

Këtu jemi tek të ardhurat për frymë. Sigurisht që ka nevojë për më shumë, sigurisht që pikërisht se ka nevojë për më shumë jemi këtu dhe themi duhet të vazhdojmë dhe prandaj na duhet mandati i katërt por ama kur ne morëm detyrën, të ardhurat për frymë ishin 3300 euro. Sot të ardhurat për frymë janë 10 mijë e 300 euro. Në Shqipërinë 2030 do jenë 15 mijë euro.

Ky është borxhi, borxhi që kur morëm detyrën, kaq, 70% ishte zyrtarisht. Por borxhi jo zyrtar ishte shumë më i lartë sepse ekonomia kishte ndalur, kompanitë kishin ndalur, punët publike kishin ndalur, rrugët kishin mbetur rrugëve. Shërbimet për spitalet, për shkollat kishin ndalur. Shkollat nuk kishin më shkumësa, spitalet nuk kishim më ilaçe sepse nuk kishte më lek për të paguar kompanitë. Dhe ne trashëguam më shumë se 700 milionë euro borxh të cilat i shlyem një e nga një e jo vetëm sot nuk kemi më borxh ndaj asnjë kompanie por e kemi ulur borxhin publik të Shqipërisë në 54%.

Kjo ishte situata e bankave kur ne morëm detyrën. 35% kredi të këqija është drita e kuqe e alarmit për stabilitetin financiar të vendit dhe për rrezikun e rënies së bankave.

Prandaj të gjithë duhet ta dinë se piramidat e Sudes dhe të Xhaferrit ishin një eveniment që mund të ishte përsëritur në një formë tjetër nëse në 2013 me votë shqiptarët nuk do kishin vendosur që t’i jepnin Shqipërisë një drejtim tjetër duke na dhënë neve besimin.

Ja ku janë kreditë e këqija sot.

Këtu jemi tek inflacioni. Rritja e çmimeve është një problem në të gjithë Europën, në të gjithë botën sot. Patjetër që është edhe në Shqipëri një çështje me të cilën ne do merremi shumë seriozisht por ama, nëse shohim rritjen e çmimeve në të gjithë rajonin, ne kemi arritur ta mbajmë inflacionin më në kontroll se të gjithë të tjerët dhe jemi i vetmi vend, se duhet ta dini dhe këtë, një nga arsyet e rritjes së çmimeve është energjia, është rritja e çmimit të energjisë, është kalimi i barrës së tregut mbi konsumatorët. Në Shqipëri jo vetëm që nuk është rritur por është i vetmi vend në rajon që e ka ulur çmimin e energjisë dhe nuk e ka ulur pak, por e ka ulur 10,5%.

Këtu jemi tek përqindja e popullsisë në rrezik për të rënë në varfëri, shikoni se ku ishim, shikoni se ku jemi dhe shikoni se si jemi sot në raport me disa vende të rajonit dhe të Bashkimit Europian. Pra, jo vetëm që shqiptarët sot nuk janë më të varfër por rreziku i rënies në varfëri është më i ulët seç ishte.
Kjo është pabarazia në të ardhura. Shikoni se çfarë diference kishte në 2017, se kemi dashur të jemi shumë korrektë në informimin e njerëzve dhe të mos bëjmë asnjë lloj propagande me këto fakte dhe shikoni 2023 dhe shikoni këtu se mesatarja e vendeve të BE-së është 4,7% dhe Shqipëria është vetëm 4,9% ndërkohë që vendet e tjera e kanë ende më të lartë.

Këtu jemi tek puna. Për herë të parë në historinë e transformimit demokratik të Shqipërisë, papunësia ka zbritur në 1 shifër, 8,8%, ndërkohë që kur ne morëm detyrën ishte 17,5% dhe këtu dua të theksoj diçka. Shumëkush, duke folur kot thotë “Ju ka rënë juve përqindja e papunësisë sepse kanë ikur njerëzit”. Kjo nuk ka lidhje fare, kjo nuk ka lidhje fare, përqindja e papunësisë është përqindje mbi forcat e punës, pra nuk numërohet gjithë populli, numërohen vetëm forcat e punës.
Këtu jemi tek të punësuarit. Ju i dëgjoni ata tek bëjnë ironi nëpër ato moçalet e mbrëmjeve televizive që mjerë ky popull kur hap televizorin në darkë dhe kërkon të informohet apo kërkon të kuptojë se çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri dhe detyrohet të kalojë darkën me helmin që i hyn drejt e në tavolinën e bukës. Mjerë ky popull për ata. Ndërkohë që në këto përqeshje është dhe përqeshja “Edi Rama tha 300 mijë vende pune, 300 mijë të punësuar të tjerë, ku janë?” ky ishte numri i të punësuarve dhe unë flas për numrin e të punësuarve të regjistruar në librin e shtetit, në regjistrin e taksave dhe të tatimeve. 1 milion e 23 mijë të punësuar kishte kur ne morë detyrën, sot në fund të vitit 2024, 1 milionë e 327 mijë të punësuar. Tani, sa është diferenca mes këtyre të dyjave sepse këtu kemi përballë ata që kanë probleme me 7×7, Luli 7×7=42, tani doli dhe bufi 7×7= 6 milionë.

Këtu jemi tek përqindja e të punësuarve me pagë nën 40 mijë lekë. Shikoni se si në vitin 2014 60% e shqiptarëve merrnin më pak se 40 mijë lekë. Sot vetëm 14% e shqiptarëve marrin më pak se 40 mijë lekë.

Këtu jemi tek rritja e pagave. Kjo është paga minimale, ishte 157 euro, sot është 400 euro, në janar të vitit të ardhshëm do jetë 500 euro dhe synimi ynë, objektivi është që në Shqipërinë 2030 paga minimale do të jetë të paktën 650 euro.

Këtu jemi tek paga mesatare, pra paga në sektorin publik, paga në sektorin privat, 322 euro ishte dhe këtu kryesisht e ndikonte sektori publik. Sot është 848 euro me të dhënat e fundit. Paga mesatare 2,6 herë më e lartë.

Këtu jemi në sektorin publik, pra flasim për të gjithë ata që i shërbejnë shtetit si mësues, si mjekë, si infermierë, si punonjës policie, si ushtarakë, si punonjës administrate, 372 euro e kishin, 1000 euro e kanë sot dhe 1200 euro do të jetë në Shqipërinë 2030, mesatarja.

Ky është pensioni minimal dhe në Shqipërinë 2030 ne nuk do të kemi pension minimal nën 200 euro dhe pensionin mesatar për të gjithë ata që janë të siguruar do ta kemi 400 euro.

Këtu jemi tek taksat. Shikoni se çfarë ka ndodhur me taksat sepse një tjetër përqeshje, një tjetër shpifje që është përsëritur e përsëritur pafundësisht është që ne kemi rritur taksat. Në fakt, në Shqipëri është regjimi i taksave më të ulëta për 93% të popullsisë. Shikoni këtu, 93% e gjithë atyre që janë të punësuar paguhen më pak se 10%. Kur ne morëm detyrën, të gjithë paguanin 10% dhe 57% e të punësuarve nuk paguajnë asnjë taksë.

Kjo shifër, këtë e kam shumë përzemër se këtu janë gratë. Ky është hendeku gjinor, pabarazia mes burrave dhe grave e matur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për çdo vend. Kur ne morëm detyrën ishim në vendin e 83-të, sot jemi në vendin e 23-të në botë. Shkalla e papunësisë për gratë, shikojeni sa ishte, ka rënë edhe ajo në 1 shifrore, 9,6%.

Këtu jemi tek pjesëmarrja e grave në forcën e punës. Vetëm gjysma e grave merrnin pjesë në forcat e punës së Shqipërisë kur ne morëm detyrën, sot kanë arritur në thuajse 70%.

Paga mesatare e grave, shikoni se sa ishte, 300 euro dhe është 820 euro sot.

Këtu jemi tek investimet e huaja dhe këtu përsëri kemi bërë një krahasim me rajonin tonë. Ky është rajoni, kjo është Shqipëria.

Këtu jemi tek eksportet, pra tek çfarë vendi eksporton. Prodhon-eksporton dhe natyrisht tek eksportet duhet patur parasysh që hyn edhe turizmi që konsiderohet eksport.

Shikoni eksportet në vitin 2013, shikoni eksportet në vitin 2024. Nuk ka nevojë për koment. 3 herë më të larta.

Këtu jemi tek biznesi i vogël. Ja ku ishte biznesi i vogël në kohën e kënetës, ja ku është sot dhe do të jetë deri në 2029, 0 taksë dhe 0 TVSH deri në 100 mijë euro xhiro; 0 taksë me TVSH deri në 140 mijë euro xhiro.

Shikoni tani se çfarë ka ndodhur me këto ulje taksash. Këto 66 milionë euro, i merrte shteti, duke bërë uljen e taksës në 0 dhe të TVSH në 0, këto 66.5 milionë euro janë shpërndarë çdo vit për 98 mijë biznese, që do të thotë në 10 vjet janë 660 milionë euro që nuk i ka marrë shteti, por ua ka lënë atyre që krijojnë punë, vetëpunësohen dhe punësojnë të tjerët.

Këtu jemi për bizneset deri në 140 mijë euro, të cilat paguajnë TVSH.gjithësesi edhe për to, 58 mln euro në vit nuk i ka marrë shteti, ua ka lënë atyre që janë 580 milionë euro të tjera në 10 vjet. Dhe që së bashku bëjnë 1, afërsisht 1.2 miliardë euro që në 10 vjet shteti nuk i ka marrë në arkën e vet, po i ka lënë në arkën e familjeve të të gjithë atyre që kanë biznese të vogla.

Këtu jemi tek shëndetësia. 250 milionë euro në total kishte shëndetësia kur ne morëm detyrën, 760 milionë euro ka sot. Dhe bashkë me buxhetin për mbrojtjen sociale qeveria vë në dispozicion të shëndetësisë dhe të njerëzve në mbrojtje sociale, plot 1 miliardë euro në vit.

Shikoni pagat e mjekëve. Këto ishin pagat e mjekëve kur ne morëm detyrën, 490 euro.
1670 mesatarja flas se ka edhe më lart, janë sot, 2000 euro do të jetë mesatarja për mjekët në vitin 2030.

Këto janë të gjitha të dhënat nga programet tona për njerëzit në nevojë, për fëmijët me nevoja të veçanta, të cilëve fëmijëve me aftësi të veçanta me nevoja speciale siç quhen, të cilëve, duke filluar nga viti i ardhshëm do të dyfishojmë mbështetjen për të gjitha nënat e tyre.

Këto janë për personat me nevoja të veçanta që kanë marrë përfitim 25% të pagës mujore dhe paketës higjeno-sanitare, mbase ju mbahet mend që vinin tek parlamenti dhe protestonin.

Ne u ulëm me ta, diskutuam me ta dhe vumë në dispozicion një paketë siç ata e kërkonin. Po ashtu për programet e aftësimit dhe të punësimit.

Janë 32 shërbime për personat me nevoja të veçanta, janë 19 shërbime për të moshuarit, janë 24 shërbime për fëmijët, shërbime për viktimat e dhunës, shërbime për grupet në nevojë dhe pastaj aty janë gjithë numrat konkretë të perfituesve.

Ky është buxheti i ndihmes ekonomike që është i trefishuar, e dimë shumë mirë që nuk mjafton por ama është i trefishuar.

Sot kemi shërbime sociale në 100% të bashkive. Bashkitë nuk kishin shërbime sociale dhe këtë Majlinda e di shumë mirë, e dinë shumë të gjithë kryetarët e bashkive.

Për të gjitha nënat e papuna, me 3 ose më shumë fëmijë, ne kemi marrë përsipër si qeveri, të paguajmë sigurime shoqërore dhe shëndetësore, në mënyrë që për shkak se ato nëna nuk shkojnë në punë, se duhet të merren me fëmijët, të mos mbeten pa pension.

227 bebe kanë marrë çekun e bebes, i cili është 400-800- 1200 sipas fëmijës së parë, të dytë dhe të tretë dhe të cilin ne do ta ndryshojmë në mandatin e ardhshëm, duke i mbështetur bebet, jo më me një çek kur sapo lindin, por me një shumë muaj për muaj që do të ndahet sipas viteve, bazuar në faktin, fëmijë i parë, fëmijë i dytë dhe fëmijë i tretë ose më shumë.

450 shkolla të reja kemi ndërtuar dhe sot as nuk ka krahasim mes shkollave që gjetëm dhe shkollave ku mësojnë fëmijët tanë. Edhe 200 shkolla të tjera të reja në mandatin e 4-ët dhe do të kemi përmbyllur të gjithë infrastrukturën shkollore në Shqipëri.

Pagat e mësuesve, 420 euro i gjetëm, 950 euro janë sot mesatarisht, 1250 do të bëhen nëShqipëri në 2030.

Dhe këto janë shërbimet e ofruara nga platforma e-Albania.

E sollla këtu në vëmendje sepse ne u dhamë fund të gjithë torturave dhe zvarritjeve nëpër sportele; ne iu dhamë mundësi të gjithë shqiptarëve të marrin shërbime drejtpërdrejtë nga telefoni ose nga kompjuteri; u dhamë mundësi dhe shqiptarëve që janë jashtë që të marrin shërbime pa pritur që të vijnë në Shqipëri e të rrinë në radhë. Kemi vënë re problemin që kanë disa në moshë më të thyer për të aksesuar këto shërbime dhe hapjen e disa zyrave që me demek i asistojnë, por ju marin lekë dhe prandaj shërbimet e e-Albanias për të gjithë ata që kanë nevojë për asistencë, do t’i bëjmë në të gjitha bashkitë dhe në çdo njësi bashkiake.

Ndërkohë që, siç e keni vënë re, bufi i kënetës është zotuar që në 12 maj do bëjë dy gjëra; e para do shkrijë SPAK-un, e dyta, do shkrijë e-Albanian dhe do kthejë sportelet dhe radhat.

Natyrisht që s’do bëjë dot as njërën as tjetrën, po sa për të krijuar një ide, të gjithë ata që akoma nuk e kanë ndarë mendjen se çfarë duhet të bëjnë.

Vazhdojmë tani shumë përmbledhtas për qarkun e Fierit.

Në qarkun e Fierit, në infrastrukturën rrugore të qarkut, kemi realizuar 373 projekte në një dekadë dhe me një vlerë më shumë se çerek miliardë euro dhe këto janë të gjitha rrugët me asfalt ose rrugët e bardha që përshkojnë qarkun e Fierit dhe për të gjithë ata që nuk kanë ku i shohin dhe unë nuk i vë faj, se shohin moçalet mediatike; një rrugë me gropa këtu, një rrrugë me gropa atje edhe mendojnë se në Shqipëri nuk ka rrugë për të shkuar në fshat, 95% e rrugëve rurale në qarkun e Fierit janë të investuara ose me asfalt ose rrugë të bardha dhe janë të aksesueshme sot që flasim dhe mjafton për këtë që të shikosh bashkinë e Roskovecit se çfarë transformimi ka, jo vetëm këtu, por edhe në ato që ishin dikur ish-komunat.

Këto janë projektet e rigjenerimit urban, siç është për shembull ky projekti ku jemi këtu, është pjesë e tyre dhe janë 42 milionë euro që i janë dhënë bashkive për të bërë këto transformime që i kanë dhënë një energji të re, pozitive, jetës së komuniteteve që deri dje nuk dilnin dot, se s’kishte një shesh, s’kishte një rrugë këmbësoresh, s’kishte një vend ku të ulesh, s’kishte një vend ku shijon qytetin e tyre.
Këtu jemi te turizmi, 25 projekte me vlerë 3.3 milion euro. Janë të gjitha flasim për investime publike, nuk flasim për çfarë kanë bërë privatët, që të jemi të qartë.

Këtu jemi te një temë tjetër, ujësjellës-kanalizime. 82 milionë euro dhe 89 projekte ujësjellës-kanalizime janë bërë në qarkun e Fierit.

Energjia që ka qenë një tjetër problem i madh shumë kur ne morëm detyrën se sot është harruar që në Tiranë, në zemër të Tiranës në darkë po të dilje për shëtitje, duhet të flisje me zë të lartë me atë që kishe në krah, sepse nuk të linte zhurma e gjeneratorëve.

85 milionë euro janë investuar vetëm në qarkun e Fierit për infrastrukturën e energjisë, 97 projekte.

Në bujqësi, 110 projekte me një vlerë 129 milionë euro, mbështetje nga qeveria shqiptare.

Arsimi dhe sporti, projektet e shkollave dhe projektet e palestrave dhe terren sportive, 106 projekte 37 milionë euro.

Dhe kultura në fund, me 2.1 milionë euro.

Tani e gjithë kjo panoramë përmbyllet, kjo është shëndetësia 40 milionë euro për 69 projekte.

Ju i keni parë se si janë transformuar qendrat shëndetësore, përveçse sot Fieri ka një super, Spital Rajonal Memorialin, ashtu si ka edhe ndryshime të rëndësishme në spitalet që ishin më parë.

Dhe ja ku është shuma totale e kontributit tonë në këto 3 mandate për Fierin 686 milionë euro, më shumë se gjysmë miliardi euro.

Dhe po të shikosh se çfarë është bërë për qarkun e Fierit në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku, është shumë më pak se ç’kemi bërë ne në këtë dekadë së bashku.

Nuk dua t’ju lodh më shumë, as t’ju mbaj më shumë këtu, se fjalimet e mia ju i dëgjoni, i keni çdo ditë. Kujdes kur hapni frigoriferin, se mund t’ju dal edhe në frigorifer deri në 11 maj.

Do t’ju lutesha shumë që deri në 11 maj të bëni çdo përpjekje, me të gjitha shoqet tuaja, me të gjitha fqinjet tuaja, me të gjitha krushkat tuaja, me të gjitha të njohurat tuaja, me të gjitha koleget tuaja në punë që gratë dhe vajzat shqiptare në radhë të parë ta marrin të tërin në dorë fatin europian të Shqipërisë dhe duke marrë në dorë fatin europian të Shqipërisë, të marrin për dore edhe të gjithë burrat dhe djemtë dhe një shumicë më e madhe se asnjëherë tjetër të vendosi që Shqipëria 2030 të jetë anëtare e Bashkimit Europian.

Dhe të gjitha ju, të gjithë shqiptarët kudo ku janë, të gjithë fëmijët tuaj, të marrin pasaportën europiane dhe të jenë qytetarët e parë të këtij vendi kaq të vjetër në mes të Europës me dinjitetin dhe statusin e barabartë të qytetarit europian mes europianësh.

Shumë faleminderit të gjithave!

Ju dua shumë dhe forca përpara!

Edhe njëherë shumë respekt dhe komplimente për kryetaren e bashkisë tuaj.

Një “shtrigë”, e cila i është dashur kaq shumë këtij qyteti, saqë mjafton të shohësh rreth e rrotull dhe e kupton që vetëm një “shtrigë” mund ta bënte këtë qytet, se nuk rrija dot pa e thënë me këtë.

Shumë faleminderit!