Kryetari i PSSH Edi Rama në takimin me socialistët e Skraparit:
Me shumë respekt shumë faleminderit! Kam qenë këtu edhe më parë, por kjo sallë e zjarrtë më bind përfundimisht që Ervini kishte shumë të drejtë kur në listën e mbyllur vendosi një vajzë nga Skrapari. Dhe nga një anë më vjen keq që na zuri shiu edhe duhet të jemi të detyruar të jemi këtu dhe ka akoma e shumë njerëz jashtë. Nga ana tjetër, më vjen mirë se unë besoj se ky është oguri i bereqetit për mandatin e 4-të.
E di që ka kaluar kohë, po shpresoj dhe besoj shumë në mirëkuptimin tuaj që u desh ca durim nga ana juaj, por ama në mandatin e 4-të ka ardhur edhe koha e rrugës Berat – Skrapar, e cila ne synojmë që ta bëjë lidhjen që sot është e vështirë. Unë nga rruga erdha, pra nuk është fort e lehtë, ta bëjmë për 30 minuta maksimumi Beratin me Skraparin dhe njëkohësisht dhe paralelisht të bëjmë edhe lidhjen e Beratit me Përmetin. Edhe kështu ju këtu me kanione dhe gjithë këto bukuri të keni tjetër destinacion të zhvilluar turistik të Shqipërisë, pa llogaritur faktin që pastaj e zgjidhni vetë për dy orë në Janinë apo për dy orë në Tiranë, siç thotë Ervini.
Jam i bindur që me të gjitha zhvillimet e turizmit dhe gjithë këtë potencial që ka Skrapari që me fillimin e punës për rrugën e re, menjëherë do të shtohen vlerat e tokave, vlerat e pasurive këtu dhe menjëherë dhe shumë nga ata që kanë ikur, por janë shumë të lidhur se ju skraparllinjtë jeni shumë fare. Ju gjen nga të katërt anët e vendit dhe të botës nuk e di sa jeni, por ama lidhjen me këto rrënjët këtu i keni shumë të fortë dhe jam i bindur që shumëkush do të kthejë sytë për të investuar këtu.
Dhe Paketa e Maleve që ne e kemi miratuar në parlament, një program i ri për mbështetjen e fshatit, për mbështetjen e atyre që duan të investojnë në shtëpitë e të parëve, në tokat e të parëve, është një program që i shkon më së miri kësaj zone. Prandaj me ndihmën e Ervinit që tanimë do ta keni edhe deputetin tuaj në parlament, me ndihmën e Tikut, kryetarit të bashkisë ne do të organizohemi që të bëjmë të mundur që ata që duan të përfshihen në këtë program të kenë mundësi të informohen dhe të përfshihen.
Por unë nuk dua t’ju mbaj gjatë me këto. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme, i keni shumë mirë parasysh do t’i bëjmë siç kemi bërë shumë, do bëjmë edhe më shumë akoma me pa diskutim dhe pa diskutim që në këtë mandat të katërt për Skraparin do bëjmë më shumë se ç’kemi bërë në të gjitha të tjerët së bashku, përderisa do të bëjmë edhe rrugën.
Ju e dini shumë mirë, mbase jo të gjithë, po disa nga ju e dinë që kur vija këtu më thoshin, premto rrugën, premto rrugën, i thosha, nuk mundem dot ta premtoj rrugën kështu, sepse pastaj duhet ta mbaj premtimin se këta s’ta falin. Kështu që, ky nuk është një premtim, kjo është pjesë e programit tonë dhe të tëra këto do t’i bëjmë, por ama, ajo që unë dua të theksoj këtu sot, është diçka tjetër, është diçka që është edhe më e rëndësishme se të gjitha këto për gjithë ne në Skrapar, në veri, në jug, në lindje, në perëndim, brenda kufijve, jashtë kufijve si shqiptarë që është natyra historike e zgjedhjet 11 majit.
Në 11 maj, ne të gjithë ata që kanë një votë, do të shkojmë në zgjedhje, jo si gjithmonë, kur në zgjedhje shkojmë për të caktuar deputetët, caktuar qeverinë, por do të shkojmë në zgjedhje në një takim me historinë. Sepse në 11 maj, ne do duhet të bëhemi sa më shumë, sa më të bashkuar për të vendosur me votën tonë krijimin e një fuqie edhe më të madhe vendimmarrëse në mënyrë që këtë mundësi të madhe që na është krijuar, dera që është hapur për të bërë pjesë e Bashkimit Europian, ne ta shfrytëzojmë duke mbyllur negociatat brenda 2027-ës.
Dhe negociatat brenda 2027-s mund t’i mbyllim vetëm në qoftë se ne kemi një fuqi që na jep mundësinë që të gjitha ato që diskutojmë me ta në tryezë, mbi 250 mijë faqe që shkojnë në të gjithë drejtimet për të gjithë sektorët e organizimit të shtetit dhe që pastaj, mbasi ne dakordsohemi duhet t’i kthejmë në vendime, duhet t’i kthejmë në ligje, të mund t’i bëjmë pa hasur pengesa në parlament, pa pasur nëpër këmbë speciet e kënetës dhe është shumë e rëndësishme që në 11 maj ne të shtyjmë fort Shqipërinë për BE dhe të thajmë kënetën që është bërë një pengesë e vazhdueshme e këtij vendi.
Ju e keni parë që edhe sot e gjithë ditën, ajo që kemi arritur dhe ajo që po përpiqemi të bëjmë me vendosjen e barazisë para ligjit të të gjithëve, nuk është diçka që duhet ta konsiderojmë një arritje të paprekshme, sepse në anën tjetër kemi forca dhe mbi të gjitha kemi bufin e kënetës, i cili përbetohet, se me votën e shqiptarëve do ta përmbysë reformën drejtësi, do ta shkri SPAK-un dhe do të rikthejë historinë aty ku ishte. Por ne nuk mund të lejojmë që historia të rikthehet aty ku ishte. Historia jonë duhet të shkruhet si një histori e bashkimit përfundimtar të Shqipërisë me Europën.
Dhe vetëm duke e futur Shqipërinë në Bashkimin Europian, ne mund të garantojmë për brezat se barazia e para ligjit bëhet e shenjtë e paprekshme nga askush këtu dhe askujt nuk mund t’i shkojë më mendja që të përdorin votën e qytetarëve Për ta bërë përsëri Shqipërinë një vend ku ligji është i fortë me të dobëtit dhe të fortët e nënshtrojnë ligjin.
Kjo është një histori që, siç e shihni ne po përpiqemi t’i japim fund. Ju e dëgjoni kur thonë, ç’është kjo punë kështu? Çfarë kërkon ky njeri për mua, domethënë? Çfarë kërkon ky njeri? Çfarë kërkojnë këta? Këta kanë gjysmën e qeverisë në burg. Domethënë, këta kujtojnë se duke përdorur këtë lloj propagandë, populli do harrojë se kush e donte dhe kush se donte reformën drejtësi, kush e bëri dhe kush bëri çmos ta pengoi? Kush është këtu për ta garantuar më tutje dhe kush është këtu për ta përmbysur?
Dhe këta mendojnë se ne do ulim kokën meqë pikërisht reforma që ne bëmë, pavarësia që i dhamë ne drejtësisë për herë të parë në historinë e Shqipërisë, që nga 1912 nuk ka pasur pavarësi drejtësia, ka pasur mbret, ka pasur diktator, ka pasur palo president, bufin e kënetës që futi në burg Fatos Nanon, të burgosurin e fundit politik në Shqipëri, por asnjëherë nuk ka pasur mundësinë të shohë populli shqiptar një njeri të veshur me pushtet që të shkojë përpara një prokurori të pavarur dhe para një gjykatësi të pavarur. Këto populli shqiptar po e sheh sot dhe po e sheh sot sepse ishte kjo forcë politike, ishte vullneti ynë për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja dhe për të vendosur që drejtësia që shikojë drejt dhe të godasë majtas e djathtas. Kur unë thosha atëherë që ata ishin të tërë të mbyllur në çadër dhe donin të sabotonin zgjedhjet, donin të merrnin peng Shqipërinë se nuk donin vetting-un, nuk donin reformën në drejtësi dhe unë thoja ky është momenti ynë historik për të bërë një reformë dhe për të pasur një drejtësi që të godasë majtas e djathtas, natyrisht unë e dija shumë mirë që majtas ishim ne, kush ishte majtas? Patjetër që sot do ishte tradhti e madhe ndaj jush, tradhti e madhe ndaj popullit nëse ne nuk do të kishim arritur që drejtësia të jepte shembujt se nuk do t’ia dijë nëse je i lidhur me pushtet apo nëse nuk je i lidhur me pushtetin, nëse ke punë me ligjin do shkosh para ligjit.
Po ju them diçka sepse ju këtu jeni një degë shumë e politizuar në kuptimin ju e njihni mirë politikën. Nëse populli shqiptar, unë e them gjithmonë, është njësh për politikë, në Skrapar e në disa pika të tjera janë specialistë. Tani, domethënë, sikur unë të vë gishtin tek njëri nga ju, kushdo qoftë që nuk i njoh, është analist më i zoti se të gjithë ata që shihni ju në televizor në darkë. Ata që dalin në darkë dhe kur shikojnë sondazhistin e Donald Trump që thotë “Shumica e popullit shqiptar mendon që Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur” habiten dhe thonë “ah, po kjo do të thotë që ky popull është i sëmurë” pra populli është i sëmurë, ju jeni të sëmurë, ata janë normalë. Jo, ata janë çyrykë kurse ju dhe populli shqiptar jeni fuqia që na ndihmon të shkojmë përpara.
Imagjino ku do ishim sikur populli të mendonte si ata. Tani, pse e thashë këtë? Ju e dini shumë mirë, e ndiqni politikën dhe sot po t’ju pyes unë “Dini gjë se kush është Altin Dumani” të gjithë e njihni, e dini se kush është Altin Dumani, apo jo?
Altin Dumani është prokuror i ndershëm, me integritet dhe profesionist dhe sot e njihni sepse drejton SPAK-un dhe SPAK-u ka bërë disa goditje që as nuk mund të imagjinoheshin. Unë po ju them, kur ne donim të bënim vetting-un që e mbështeste 95% e popullit shqiptare dhe kur bënim anketime dhe pyesnim “A mendoni ju që do vijë dita që në Shqipëri njerëz të veshur me pushtet do të përgjigjen përpara ligjit” shumica dërrmuese thoshte “as nuk bëhet fjalë”, nuk e besonte njeri mirëpo Altin Dumani nuk erdhi dje nga materniteti, as nuk e sollën nga Hëna, ishte këtu vite e vite të tëra prokuror, po ky njeri me integritet, me kurajo, profesionist. Pse nuk i doli emri këtij? Pse nuk thirri ky ndonjë, lëre ministër po të thërriste ndonjë drejtor policie e t’i thoshte “Hajde këtu ti, çfarë problemi ke ti me ligjin?”
Nuk i doli sepse ai ishte po ai njeri por ai dhe të gjithë prokurorët dhe gjykatësit e tjerë ishin nën hyqmin, nën çizmen e pushtetit politik. Shpatën që sot Altin Dumani e ka në dorë dhe pret majtas e djathtas, drejtësia e pavarur, e kishte bufi në zyrë kur ishte aty përpara meje, aty ku nga dritarja e zyrës shikonte se si njerëz të armatosur brenda zyrës vrisnin protestues dhe kur prokurorja e përgjithshme kërkonte të thërriste në pyetje drejtorët e policisë, bufi dilte e thoshte “Prokurorja është lavire”. E imagjinoni sot ju të ndodhë kjo? Sot duket e pamundur por ja pra që ka ndodhur sepse atë shpatë që ishte në zyrën e të parit të qeverisë që nga 1912 që e kishte përdorur po njësoj mbreti, diktatori e të tërë, unë dhe ju ja dorëzuam drejtësisë dhe nëse ka një arsye të madhe për ta votuar Partinë Socialiste është pikërisht kjo për të cilën të gjithë armiqtë e drejtësisë të pavarur, të gjithë ata që mezi presin ta përmbysin atë që mezi e kemi nxjerrë nga kthetrat e kontrollit 100 e kusur vjeçar, ua thonë si një arsye për të mos ta votuar.
Arsyeja kryesore për ta votuar Partinë Socialiste është pikërisht se gjeti forcën, gjeti kurajën që të jetë partia e popullit jo e të pushtetshmëve, që të jetë partia që e pranon ligjin si e barabartë me këdo qoftë.
Kjo është një arsye shumë e fortë për të shkuar së bashku në Bashkimin Europian dhe nga ana tjetër kini parasysh një gjë, se ju thonë “Ore ç’është kjo histori me këtë”, për mua prapë domethënë se me mua e kanë. Ata e kanë me mua sepse mes tyre dhe jush unë jam pengesa prandaj, sepse unë jam mes tyre dhe jush dhe thonë “Po ç’është kjo punë, si ka mundësi, nuk i mjaftuan këtij 3 mandate për të na futur në BE dhe thotë tani më jepni mandatin e katërt” a thua se po e kërkoj mandatin e katërt se dua të zgjeroj shtëpinë. Atëherë, ju këtyre njerëzve duhet tu thoni diçka “Po mirë, 3 mandate Edi Rama nuk na futi në BE se nuk ishte i zoti. Po si ka mundësi që Mali i Zi, nuk kam qenë unë kryeministër në Mal të Zi, që i ka hapur negociatat për të hyrë në BE përpara se Edi Rama të bëhej kryeministër, nuk është futur në BE?” në 2012 i kanë hapur negociatat. “Po si ka mundësi që Serbia që i ka hapur negociatat në 2014, përpara sesa Shqipëria të bëhej vend kandidat, pse nuk është në BE por është mbrapa Shqipërisë? Po si ka mundësi që Maqedonia ndërroi dhe emër dhe nuk është futur në Be, është bërë kandidat në 2005?”
Këtu ka vajza dhe djem që nuk kishin lindur në 2005. Atëherë ka një shpjegim kjo sepse ti nuk futesh në BE thjesht se do ti, as sepse ti i bën të gjitha detyrat që ata të thonë që duhet të bësh, sic i kemi bërë ne. I kemi bërë dhe ju e dini shumë mirë, një herë, dy herë, tre herë na e kanë refuzuar hapjen e negociatave sepse dilte një vend atje e dilte një vend këtu për interesat e tyre sepse dera e BE-së për vendet që të hyjnë brenda nuk hapet thjesht kur vendet trokasin por hapet kur 27-të anëtarët e asaj familjeje bien dakord të hapin derën dhe sot ata kanë rënë dakord të hapin derën për Shqipërinë.
Kjo derë e hapur për Shqipërinë do të thotë që ne e kemi kaluar detin me këmbë. Ne ata na kishin bezdi dhe kur na takonin na dëgjonin sa për të kaluar radhën, ju e dini shumë mirë se çfarë ishte të ishe shqiptar nëpër kufij kur shikonin pasaportën, ju e dini shumë se çfarë ishte të ishe shqiptar jashtë, ju e dini shumë mirë se çfarë ishte Shqipëria. Sot Shqipëria ka arritur aty ku s’ka qenë kurrë dhe flamuri shqiptar respektohet dhe vlerësohet dhe dinjiteti i Shqipërisë është vënë në vend dhe prandaj ata kanë hapur derën edhe për interesin e tyre, jo për interesin tone, por dhe për të tyren se bota sot është e trazuar, duan të zgjerojnë BE.
Kush është më pranë që ata ta marrin ta fusin brenda dhe të thonë “ja po zgjerohemi, po shtohemi”, për t’i thënë botës e pra që është Shqipëria te pragu dhe ne na kanë dhënë tre vjet për të hapur negociatat. I hapëm vjet, na kanë thënë bëni detyrat deri në 2027, t’i mbyllim dhe ju jeni anëtarë të BE. Kujt i kanë zgjatur tre vjet negociatat? Askujt. Askujt nga vendet komuniste, vetëm Finlanda, por ju e dini që Finlanda është tjetër gjë dhe tani ne na ka ardhur kjo mundësi.
Ne na ka ardhur fati ynë e ka dashur që të jemi ne që të përmbushim profecinë e Gjergj Kastriotit, që kur i vuri murin këtu perandorisë dhe i vuri gjoksin Europës e përcaktoi që fati i shqiptarëve ishte në Europë dhe pastaj rilindasit tanë që na e lanë me shkrim “dielli për ne lind andej nga perëndon” dhe pastaj të gjithë të tjerët me radhë, deri tek ata që dolën për të përmbysur komunizmin thanë “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Dhe patjetër edhe kërkesa e të gjithë fëmijëve tanë. Borxhi që ne u kemi fëmijëve tanë është t’u lëmë pasaportën europiane në dorë. Tani si mund të vihen këto në diksutim se nuk të pëlqen PS ose se se pëlqen Edi Ramën. Nuk të detyron njeri të pëlqesh Edi Ramën.
Ti mund të pëlqesh Ilir Vrenozin që është lideri i vërtete, e patë apo jo? Po kur thosha unë, thoshin tallet ky. Ai është njëshi i vërtete i PD.
Fjalët e tij në sallë në Korçë janë programi i vërtete i PD, ai është programi. Ajo është fryma, e patë si u ekzaltua gjithë salla kur ai bënte aluzione erotike për mua sepse këneta e ka shumë thellë kompleksin e inferioritetit prandaj bën ashtu dhe prandaj s’lë rast pa u munduar që të më hedhin mua dritë, një dritë sikur unë kështu e unë ashtu.
Prandaj, ka këtu mundësi që një prind që ka fëmijët e vegjël, nesër do t’i çojë të studiojnë në BE, nuk do jenë më studentë të huaj, do kenë pasaportën, do jenë studentë evropianë. Prindërit nuk do paguajnë më 10 herë më shumë e s’do na ndajë më njeri “dil çik këtej ti, ku po shkon, a kush të ka ftuar, ke rezervuar hotel. Ke lek me vete”. Pastaj thonë “kur do ikësh”, ti s’ke hyrë akoma, kur do ikësh. Ajo pasaportë i jep fund të gjithë këtyre. Atë pasaportë mund ta marrim brenda kësaj dekade. Dhe të diskutosh midis PS tek numri 5 dhe Ilir Vrenozit është njësoj si të diskutosh, diskutoje në mars të 92 midis PD dhe Hysni Milloshit, eshte e njëjta gjë.
Pse vajti populli votoi PD në mars të 92, masivisht? Nuk ishin për PD shumica fare dhe kjo është aq e vërtetë sa 6 muaj mbrapa kur u bënë zgjedhjet loakle shuica e rrezoi PD.
Kur u bë referendumi i ’94-ës e sakatoi fare bufin e kënetës, por ama në mars i dha mbështetje sepse ishte koha e duhur, vendi i duhur për ta mbyllur një herë e mirë kapitullin e gjatë të një historie me një sistem tjetër dhe për të përqafuar rrugën e Europës. Njësoj është dhe 11 maj.
Është koha e duhur, vendi i duhur dhe ka vetëm një forcë të duhur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur ku ta investosh votën pa e çuar dem. Pa e hedhur në kënete.
Ta investosh votën për fëmijët e tu, ta investosh votën nëqoftëse je një bujk se dhe këtu ka demokratë, ka akoma demokratë në Skrapar, ka ca, vazhdojnë me atë të tyren. Respekte, s’ka problem se juve kur ju thotë koka kështu, nuk ka zot që ua u kthen kokën.
Por ara, të jesh bujk në Skrapar e të kesh mundësinë të votosh për ta sjellë BE këtu, e di çfarë do të thotë, do të thotë që Shqipërisë t’i vijnë 300 milionë euro në vit vetëm për bujqit, vetëm për bujqësinë nga BE.
Si mund të thuash “jo, dua kënetën”. Domethënë të jetosh buzë kanioneve dhe të ëndërrosh kënetën, kjo s’është normal. Të jetosh me shqiponjat dhe të kërkosh bufin, s’është normal. Nuk i shkon kjo skraparllinjve.
Megjithatë secili do bëjë zgjedhjen e vet. Unë jam i sigurte që në fund të ditës shumëkush do reflektojë, shumëkush do reflektoje. Është shumë e qartë tani. Alternativa e BE është këneta, është bufi dhe e ardhmja e kënetës është Ilir Vrenozi. Mos e merrni me të qeshur sepse u tregua shumë qartë, në qytetin që quhej gjithmonë Parisi i vogël. Në qytetin e serenatave, në qytetin e borsalinave, në qytetin e karnavaleve, në qytetin që mbante era Evropë përpara Luftës së Dytë Botërore, dje e patë kush e mori pushtetin në opozitë, Ilir Vrenozi.
Dje e patë sesi bufi dukej i mbaruar dhe i larguar, de fakto është i larguar, de jure pas 11 majit do shikoni kur Ilir Vrenozi të sulmojë Tiranën që të marrë pushtetin atje, pushtetin e kënetës domethënë.
Si mund të shkosh kështu, më thoshin mua “pse i the ti atij që ti je i vërteti? Ai është i vërteti. Ajo është e vërteta, tek ajo gjuha e tij, tek brutaliteti i tij, tek entuziazmi i madh për të qëndron gjithë thelbi. Gjithë këto të tjerat janë maska. Ballo me maska, janë hipokrizi, janë lodra, hajde se e hëngri një herë populli shqiptar, e hëngri dy herë, do ta hajë dhe herën e tretë, por në fakt në të vërtete, populli shqiptar se ka ngrenë asnjëherë.
Sepse në ’92 populli shqiptar nuk kishte zgjedhje tjetër, populli shqiptar shkoi me mirëbesim, ata u gjenden aty. Pastaj ’97-ën e dini si përfundoi. Ndërsa në 2005-ën nuk ishte populli shqiptar, ishte përçarja brenda të majtës, ishte tradhtia e brenda të majtës që e përmbysi rrugën dhe solli bufin për herë të dytë. Por buf për herë të tretë Shqipëria as nuk merr më në krahë dhe as nuk ka për ta konsideruar më, hiç fare.
Dhe e fundit janë disa zogj të vegjël që kanë dalë. ”Jo bëhet, jo s’bëhet, jo munden, jo të gjithë bashkë”. Ata mua më heqin mallin e Sudes, të Vebiut dhe të Rrapush Xhaferrit. Ata ta bëjnë detin kos dhe ta bëjnë jetën vaj. Jepi votën atyre, këtu s’do ketë më as korrupsion, këtu s’do ketë më as padrejtësi, këtu s’do ketë më as çmime të larta, këtu s’do ketë më absolutisht asnjë problem, vetëm aman jepini votën që të kapin ata ndonjë karrige në parlament dhe thonë ne jemi të rinjtë. Të rinj ata janë vetëm në moshë. Shikoni sesi i marrin tërë krushqit dhe i fusin në lista, i themi futu krushkut aty se ne jemi në lista të hapura. Përveç atyre është dhe Luli. Luli të paktën është koalicioni tek pull, është i pari koalicion në histori që është tek pull dhe kur i thonë sa parti ka ky koalicion, thotë hyni në internet dhe gjejini. Është shumë i madh. Ai do na mungojë se është artist.
Ju falënderoj shumë.
Nuk ua kam merakun fare, nuk ua kam merakun fare. E shoh sot këtu, e ndjej, e kuptoj që ju më të shumtë se asnjëherë tjetër nga Skrapari.., edhe një gjë, se i keni dhe një detyrim të veçantë këtë herë Partisë Socialiste, se keni deputeten, domethënë juve që tani jeni “jep një , merrni dy” që tani, se deputeten e keni në listë të mbyllur, grua. E dini ju tani, mos t’i hyjmë këtij muhabeti. Mos t’i hyjmë këtij muhabeti se burrat këtu janë shumë të qartë që gratë janë forca e madhe lëvizëse pastaj burrat janë makineria që leviz po motorri dihet që janë gratë.
Mos ta diskutojmë më fare këtë muhabet se pastaj fillojnë mi marrin fjalët e m’i kthejnë përmbys. ‘’Ka fyer Edi Rama burrat’’. S’kam fyer burrat unë. Jo po ka thënë ‘’burrat janë çyrykë’’. Nuk kam thënë burrat janë çyrykë, kam thënë që ata burra që shkojnë dhe hidhen në kënetë nuk janë mirë, si të them? Janë çyrykë. Patjetër. Saktë si t’i them? Çfarë t’i them unë? Ka thënë Edi Rama që “vajzat që janë socialiste duhet t’i ndajnë djemtë që janë demokratë”. Jo, s’e kam thënë kështu. Kam thënë “vajzat socialiste, ka djem demokratë simpatikë sa të duash, kur i shohin që ata i afrohen duhet t’i thonë; me kë je ti? Me BE apo me kënetën? Nëqoftëse ata thonë “jam me kënetën” po ç’do bëjnë vajzat tona, do venë në kënetë. Këtë kam thënë unë. këtë kam thënë unë dhe kjo… se e ngatërrojnë njerëzit, jo po se si është kjo? Po demokracia të majtë … ç’të majtë e të djathtë, këtu s’ka.
Të majtë, të djathtë, të qendrës nëse janë normalë, janë te 5, nëse shkojnë te këneta, nuk janë as të majtë, as të djathtë e as të qendrës. Thjesht dhe vetëm nuk janë mirë,nuk shohin me sytë e tyre; nuk dëgjojnë me veshët e tyre; i kanë lënë sytë dhe veshët borxh te bufi. Sheh bufi për ta, dëgjon bufi për ta, flet bufi për ta , vendos bufi për ta. Atëherë si t’i them unë atyre, të djathtë? Jo. Jo. Rrugëhumbur. Rrugëhumbur. Ne e kemi rrugën tonë dhe ka lezet. Skrapari me dy deputetë do ishte kryevepër prandaj jepini forca, mblidhini të gjitha forcat edhe sidomos gratë dhe vajzat këtu, të gjitha forcat ku janë
Shumë faleminderit! Respekte!