Fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste me kërkesë të Rektorit të Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie pa gjyq për stafin dhe pedagogët e universitetit
Faleminderit rektor! Mbase është e nevojshme të nënvijëzohet një fakt që kur kemi folur, unë jam siguruar që së pari ju nuk jeni një person nën hetim. Ne nuk mund të japim hapësirë dhe të bëjmë dëgjesa me persona nën hetim. Së dyti, është mirë ta dinë të gjithë që përpara sesa ju të kandidonit për rektor i keni drejtuar një letër SPAK-ut ku keni kërkuar të sqarojë për ju nëse ky kandidim do të kishte ndonjë pengesë për shkak të statusit dhe përgjigja ka qenë për ju që mund të vazhdoni të kandidoni dhe e treta, të gjithë duhet ta kuptojnë që shqetësimi shumë i madh në këtë rast nuk lidhet fare me faktet apo me fajësinë apo pafajësinë e personave, por lidhet me nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për një universitet që është në një kthesë historike dhe që e ka të ardhmen e vet të varur nga një partneritet strategjik me një ndër universitetet më të vjetra të botës. Pa dyshim që gjëja e parë që mua më ka shkuar në mend kur kam marrë këtë lajm është, çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë?
24 persona masë sigurie, një numër marramendës për një çështje që ka dy a tre vjet dhe që nuk ka asnjë lloj flagrance, nuk ka asnjë lloj arsyeje për të krijuar këtë goditje për një institucion të arsimit të alrtë, aq më tepër që bëhet fjalë për fonde të kërkimit shkencor ku nëse ka pasur abuzime, abuzuesit nuk diskutohet që duhet të përgjigjen deri në fund, këtë nuk e diskuton askush, por 24 persona nën masë sigurie?
Kjo besoj është e mjaftueshme për sa i përket, konkretisht, çfarë tha rektori dhe gjithë shqetësimi është për të dhënë një mesazh për prindërit, për të dhënë një mesazh për studentët, për të dhënë një mesazh për partnerët që ndërkohë që drejtësia patjetër do të bëjë punën e vet, nuk ka arsye për të bllokuar punën dhe besoj që mund ta falënderojmë rektorin për praninë. Ne mund të vazhdojmë se kam disa fjalë të tjera për të ndarë se ka disa gjëra për të folur në këtë moment, por duke qenë se rektorin e kemi pak demokrat, është mirë ta lëmë të lirë të vazhdojë punën.
Do doja të ndaja disa gjëra sepse shoh një përpjekje të madhe për të errësuar një të vërtetë që nuk duhet ta luajë topi. Kjo parti, kjo shumicë qeverisëse, e sotme dhe e nesërme, kjo qeveri, unë personalisht jemi të vetmit garant të reformës në drejtësi, jemi i vetmi garant i institucioneve të reja të drejtësisë.
Kur unë kam bërë me dije këtë dëgjesë me rektorin, ka pasur një sërë reagimesh dhe kam dy reagime që i kam këtu me vete. Njëri është një reagim i Afrim Krasniqit, një individ i shoqërisë civile i cili akuzon për shkelje kushtetuese dhe ligjore, si deklarim, si praktikë dhe si akt politik dhe parlamentar këtë takim publik që ne bëjmë. Ai e konsideron akt minus ndaj drejtësisë dhe rolit kushtetues të Kuvendit dhe parimit të ndarjes dhe balancës së pushteteve. -Edhe pse shpesh na thuhet, thotë ai, -se për këtë në botë bëhen dhe filma, ky është një prej rasteve tipike ku asnjë skenarist dhe asnjë regjisor nuk do guxonte ta bënte. Natyrisht dhe asnjë politikan i përgjegjshëm, shtetar apo jurist. Në aspektin ligjor, ky është akt kundër dhënies së drejtësisë, pengim i drejtësisë, presion politik dhe në konflikt interesi. Le të jemi të qartë, -vazhdon zoti Krasniqi, – nuk mundet që një parti të marrë rolin e Gjykatës së Apelit dhe as Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Nuk mundet që një rektor i një institucioni të pavarur të japë sqarime dhe llogari jo në universitet, jo në Konferencën e Rektorëve, jo përpara organeve të drejtësisë por në mbledhjen e një partie politike. Nuk ka praktikë të ngjashme në asnjë vend të BE-së dhe në asnjë vend demokratik në botë kur partia mbledh deputetët për të kryer hetime dhe gjykuar një vendim në proces të organeve të drejtësisë. Zoti Rama dhe Partia Socialiste nuk mund të përcaktojnë prokurorin dhe gjyqtarin, aktet e tyre dhe vendimet e GJKKO, provat dhe masat penale duke ofruar një model negativ dhe minus për demokracinë, shtetin e të drejtës dhe sloganin e tyre për Shqipërinë në BE në 2030. Komisioni Xhafaj në Kuvend do të jetë nesër në mbledhjen e grupit dhe nëse hesht, aprovon dhe këtë herë duke pranuar akte të tilla populiste dhe propagandistike të denja për kohën e Koçi Xoxe, i mbetet të dorëhiqet dhe të pranojë atë që tashmë njihet, strategjinë elektorale për të minuar hetimet VIP të drejtësisë dhe kontrollin përmes presionit të organeve të reja anti-korrupsion sidomos SPAK dhe GJKKO”.
Tani, ky është një opinion, ka shumë opinione por unë po i jap disa përgjigje jo thjesht zotit Afrim që i bëj shumë të fala por të gjithë atyre që mendojnë si zoti Afrim dhe mbi të gjitha të gjithë atyre në radhët e shoqërisë civile dhe në radhët e të pavarurve që kërkojnë pa pushim vetëm represion dhe asgjë tjetër ndërkohë që ajo që unë kërkoj, ajo që ne kërkojmë, ajo për të cilën unë luftoj dhe për të cilën ne luftojmë është një drejtësi e pavarur dhe europiane.
Tani, nuk e di se ku e gjen zoti Afrim apo cilido tjetër që si zoti Afrim flasin për strategji elektorale për të minuar hetimet hetimet VIP të drejtësisë, një strategji që thotë zoti Afrim tashmë njihet. Pra, paraqet si fakt një fantazi të tillë dhe këtu fillon problemi i madh që ne kemi në shoqërinë e sotme, që ne kemi me pasqyrat e sotme të informacionit dhe me kanalet dhe portalet ku rëndom opinionet, shiten si fakte. Ky nuk është fakt, ky është thjesht opinion. Ne nuk kemi asnjë strategji elektorale për të minuar asnjë hetim dhe as rektori këtu nuk u ftua për të ngritur flamurin e pafajësisë për 24 persona që janë marrë nën masë sigurie pa gjyq, as ne nuk kemi marrë përsipër në asnjë rast, për asnjë hetim VIP ose jo VIP që të themi cili është i fajshëm e cili është i pafajshëm. Dhe as zoti Afrim dhe asnjë “largim” tjetër nuk konkurron dot në asnjë formë me këtë parti, me këtë forcë politike, me këtë mazhorance qeverisëse përsa i përket luftës për të pasur një drejtësi të drejtë, të pavarur dhe europiane në këtë vend. Po të mos ishte kjo parti, po të mos ishte kjo shumicë qeverisëse, zoti Afrim dhe zoti Largim nuk do të shikon kurrë hetime VIP në Shqipëri.
Po të mos ishte kjo parti, po të mos ishte kjo shumicë qeverisëse, zoti Afrim dhe zoti Largim nuk do shikonin kurrë një forcë politike në pushtet e cila vullnetarisht, vendosmërisht, me patriotizëm ka tërhequr duart komplet nga kontrolli i pushtetit të drejtësisë dhe ka pranuar që në trupin e vet të bëhen të gjitha eksperimentet e sallës së operacionit kundër korrupsionit. Dhe kur them të gjitha eksperimentet, kam parasysh të gjitha ato që për 5 vjet rresht ne kemi heshtur me vetëdije të plotë që pavarësisht se mund të mos kemi qenë dakord, në metodë, e para është pavarësia, se po të kishim folur ne, sic kemi filluar të flasim sot, do kishim prishur shumë më tepër punë seç do kishim ndrequr, por ama ne nuk mund të rrimë sot pa folur dhe duhet të të përgatitet zoti Afrim dhe zoti Largim që të dëgjojnë gjithnjë e më shumë nga ne sepse për ne që tani që reformën tonë në drejtësi, tani që SPAK-un dhe Gjykatën Speciale që i ngritëm ne dhe i mbështetëm ne dhe që ua dhamë ne të gjithë hapësirën që të bëjnë punën që kanë bërë, i kanë marrë të tjerët në birësim pas pilafit, ne tani kemi hyrë në fazën e dytë, faza e dytë është drejtësia europiane, jo drejtësi ruse. Faza e dytë është drejtësi, ku pavarësia është vetëm njëri nga kushtet, dhe ku profesionalizimi dhe standardet demokratike janë dy kushtet e tjera të panegociueshme, sepse ne nuk duam, unë nuk dua që teksa ne po negociojmë me Bashkimin Europian dhe duam të bëhemi anëtar të Bashkimit Europian, të çohet një holandez ose një francez, siç na janë çuar në të shkuarën dhe të thotë nuk: Nuk kemi më ne asnjë dyshim që Shqipëria e ka vullnetin politik për të luftuar korrupsionin, por Shqipëria nuk ka gjykata dhe nuk ka Prokurori që respekton standardet demokratike dhe që njeh europianisht prezumimin e pafajësisë. Ne nuk përcaktojmë prokurorë dhe gjyqtar zoti Afrim dhe as nuk përcaktojmë aktet dhe vendimet e tyre, provat dhe masat penale dhe ne nuk ofrojmë asnjë model negativ. Modelet negative janë aty, kanë 5 vjet po nuk e di nëse zoti Afrim mbase e ka bërë, ka qenë ndonjëherë kaq i shqetësuar kur ka parë se si drejtuesi i SPAK-ut është kërcënuar personalisht, familjarisht kur ka parë si prokurori kryesor ka pasur ka gjithë mbështetjen tonë, dhe gjithë solidaritetin tonë për të gjitha ato që i kanë ndodhur është sulmuar kafshërisht, nuk e di ku kanë qenë këta që sot mbrojnë SPAK-un dhe po mbrojnë drejtësinë nga ne. Nuk e di ku kanë qenë këta, Afrimët dhe Largimët dhe nuk e di në cilin kapitull të historisë së Shqipërisë, nga viti 1912 deri në këtë periudhë kur qeverisim ne historianët, Afrim – Largim kanë parë ndonjë rast tjetër. Le të na e tregojnë. Unë kam kohë që po i sfidoj, nuk kam dëgjuar asnjë historian që të nxjerri një rast e të thotë ja se si në 1920, në 1930, në 1950, 1990, në 1995, në 2000, në 2005, në 2009. U mor një ministër dhe u çuar përballë një prokurori dhe gjykatësi të pavarur dhe kryeministri dhe partia në pushtet nuk thanë asnjë fjalë. Ta gjejnë. Këta thonë tani, e thoshin gjithmonë: “E solli Amerika këtë dhe Amerika në vuri ne në rresht dhe ne pranuam kokulur”. Po tani që Amerika ka dalë nga reshti, për arsyet e veta, kush është garanti i drejtësisë së re, Afrimi apo Largimi. Vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë, askush tjetër. Prandaj nëse nuk ka praktikë të ngjashme në asnjë vend të BE-së dhe në asnjë vend demokratik ku partia mbledh deputetët për të kryer hetime, nuk e di ku janë hetimet që po kryejmë sepse kur shpifin në emër të mbrojtjes së demokracisë dhe të drejtësisë bëjnë të njëjtin dëm që bëjnë edhe këto masat e sigurisë për të cilat dje ka filluar një numërim mbrapsht për Shqipërinë në Strasburg se nuk është shkencë, nuk do as ndonjë eksperiencë të madhe juridike për të të imagjinuar se sa nga këto masa sigurie do të rrëzohen në Strasburg dhe sa do shkojë fatura e taksapaguesve shqiptar për të dëmshpërblyer ata që futen në masë sigurie, deri në pikën që mbahen në burg tre vjet pa gjyq e pastaj dalin nga burgu se nuk i bëhet dot procesi. Kjo nuk ka lidhje me pandëshkueshmerinë, kjo nuk ka lidhje me hetimet profesionale, kjo nuk ka lidhje me drejtësinë europiane, nuk është e rastit që jemi një problem për komitetin e torturës. Komiteti i Parandalimit të Torturës në Këshillin e Europës, ne nuk mund të jemi krenar për këtë dhe ne nuk mund të themi që: Po s’ka problem, le të torturohen edhe njerëz të pafajshëm, se ne duhet të kapim të fajshmit. Se ka një postulat. “Më mirë 10 të fajshëm jashtë, se një i pafajshëm në burg” që do të thotë një drejtësi e drejtë demokratike, në radhë të parë garanton që nuk i bie në qafë askujt pa lidhje. Dhe të marrësh 24 masa sigurie, të tronditesh një universitet të tërë, të tronditesh një komunitet të tërë prindërish, të tronditësh një komunitet të tërë studentesh dhe ti japësh një shqelm një marrëveshje të bërë duke shkuar unë atje personalisht si “lyps” te shkallët e universiteti Boku të Vjenës, ku më shihte rektori i UFO, 150 vjet, 160 vjet universitet, i pari kryeministër që vjen këtu dhe nuk e di çfarë kërkon këtu te ne, bashkë me atë zotërinë atje. Për t’iu lutur që hajdeni në Shqipëri, kemi një universitet me traditë, hajde ta bëjmë një universitet austriak. Dua që në 2030 ne ta kemi Universitetin tonë Bujqësor një universitet të gjithë rajonit, ku të vijnë të marrin diplomën austriake se ndryshe nuk do na vijë më njeri të studiojë për agronom, e tha ai. Debati im me atë burrin e dini si ka qenë? Debati im me atë burrin ka qenë kur më thoshte: kryeministër të lutem, po mbyllet universiteti, le të marrë një vendim qeveria, le të marrë një vendim ministria që dhe me pesa të vijnë në universitet se ndryshe do mbyllet. S’kishte më njerëz që të shkonin në universitet. Dhe i kam thënë : në asnjë mënyrë. Ne do të luftojmë në krahun tjetër. Do ta bëjmë universitet europian. Sot e gjithë ditën ai zotëria që ishte rektor punon për universitetin tonë. Doli në pension si rektor dhe është vënë në dispozicion në programit të njësimit të diplomave dhe në Kamzë do bëhet universiteti i Vjenës.
Tani, si i shpjegohet austriakëve që një forcë speciale futet në një universitet dhe merr 24 masa sigurie për para-burgim, për arrest shtëpie dhe për detyrim paraqitje, a thua se u fut në fshatin e Korleones. Këto 24, 34 e 44 i bën prokuroria anti mafia në Itali. Po në një universitet? Nuk e di. Kur e pyeta rektorin “Për çfarë shume bëhet fjalë”. Rektori më tha: është nën 300 milionë të vjetra. Pastaj pashë që është dhe më shumë. Rektori thotë që nuk e di ku kanë dalë më shumë por kaq janë projektet. Dy vjet ka ai që ka lënë telefonin në SPAK. Nuk i kthejnë telefonin. Nuk është fare person në hetim. E dëgjuat që i kanë dhënë dhe letrën që vazhdo mund të kandidosh dhe për rektor. Mund të jetë dhe ai në fund që mund të dalë fajtor, unë nuk e di fare. Problemi është që ne nuk mund të nisemi nga ideja që çdo person në këtë republikë është i fajshëm dhe duhet të provojë pafajësinë e vet. Sepse Europa ku ne duam dhe do të integrohemi ka një parim tjetër. Çdo person është i pafajshëm dhe i takon autoriteteve të provojnë fajësinë e tij kështu që, me shumë keqardhje për zotin Afrim, dua t’i them që kjo parti nuk merr rolin e gjykatës. Nuk ka për ta marrë kurrë. Nuk merr rolin e prokurorisë, nuk ka për ta marrë kurrë. Përkundrazi, sa të jetë kjo parti këtu dhe sa të jetë kjo shumicë qeverisëse prokurorët dhe gjykatësit mund të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre të pavarur, por ama, ne nuk jemi shurdhë memecë. E thashë dhe një herë tjetër. I kemi vënë në dispozicion trupin tonë, organizmin e PS, sallës së operacionit kundër korrupsionit. Të vazhdojnë! Nuk ka asnjë problem. Atyre që thonë “ua u futën të gjithë ministrat në burg”, iu them: numëroji mirë. Se ju ka bërë Luli të gjithëve analfabetë në aritmetikë. 12 vjet në qeveri, 60 e kusur ministra, dy janë nga mandati i parë të dënuar, një tjetër është akoma në paraburgim, pa gjyq por është i fajshëm apo është i pafajshëm e vendos gjykata dhe një tjetër është në arrati.
Dhe mund të ishin dhe të tjerë, por ama gjithçka që ndodh është vepër e kësaj force këtu. Nëse sot ka një luftë frontale për të forcuar drejtësinë, për ta bërë dhe profesionale, për ta bërë dhe europiane, përveçse të pavarur dhe nëse sot erdhi dita të na tregojnë ne se çfarë është drejtësia e pavarur, kjo është vepra jonë dhe e askujt tjetër.
Prandaj në 11 maj ne duam një mandat shumë më të fortë. Sepse duam që këtë dritaren e hapur në këto rrethana historike për Europën dhe për ne, ta shfrytëzojmë dhe në 2027-ën të mbyllim negociatat dhe brenda kësaj dekade të bëhemi anëtar të BE edhe për shkak se kemi ndërtuar një drejtësi të pavarur por edhe europiane sepse dje gjykata e Strasburgut, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut quhet kjo, shikoni çfarë ka thënë për paraburgimin e ish drejtorit të TVSH që unë nuk kam marrë kurrë përsipër dhe nuk marr përsipër të them në ishte i fajshëm apo i pafajshëm sepse ai ka bërë procesin, është dënuar etj. Pra, janë dy gjëra të ndryshme. Nuk thotë askush mos heto, nuk thotë askush të mos dënojnë ata që kanë futur duart në xhepin e taksapaguesve apo që kanë abuzuar me besimin e zgjedhësve. Askush. Por ama atje në Strasburg, atje ku Europa që do të na bëjë ne pjesë, na shikon përmes instrumentit që ka krijuar për të mos e lënë drejtësinë të rrëshqasë drejt Moskës, në emër të ndëshkimit por për ta bërë drejtësinë të barabartë thotë: “Autoritetet shqiptare nuk kishin prova për të mbështetur pretendimin se zoti Gëllçi përbente rrezik arratisjeje. Argumentimi që ai kishte udhëtuar jashtë vendit nuk i mjaftueshëm sepse ai u kthye vullnetarisht në Shqipëri dhe ishte i dorëzuar tek autoritetet. Autoritetet nuk kishin shqyrtuar masa më të buta sigurie si për shembull konfiskimi i dokumentave të udhëtimit, arresti shtëpiak apo detyrim paraqitje tek autoritetet përkatëse. Kjo tregon një mungesë të qasjes proporcionale ndaj privimit të lirisë”. Tani më falni po se mbase bëhem pak përsëritës. Unë e kam parë vet filmin kur të kapin në rrugë dhe të marrin në pyetje. E kam parë kur të humbte trupi pa gjurmë. Kur s’kishte as “Afrima”, as “Largima” dhe kur kishte as portale, as kanale dhe kur s’kishte as Europë, as Amerikë dhe kur s’kishte as Kushtetutë dhe as ligj që të mbronte të drejtat e njeriut.
E kam parë se çfarë ndien njeriu kur e marrin në rrugë dhe e fusin në fugon dhe i thonë “hajde pak me ne” dhe pastaj të çojnë atje dhe të del një hetues e fillon të bën presion dhe nuk e kam pranuar kur kam qenë askushi me duar në xhepa, ta pranoj unë sot që jam kryeministër i Shqipërisë pasi kam udhëhequr bashkë me ju këtu luftën më të paimagjinueshme në këtë shtet që nga 1912 për t’i dhënë pavarësi drejtësisë. Pasi bashkë me ju këtu dhe ju e dini shumë mirë sa debate kemi pasur rrugës, për herë të parë kemi hequr duart e pushtetit politik nga drejtësia. Pasi për 5 vjet me radhë kemi thënë “nuk komentojmë asnjë proces, asnjë vendim të drejtësisë”. Dhe kur unë e shoh që për fat të mirë ose të keq jam pak më i gjatë se të tjerët edhe shoh pak më larg se të tjerët siç kam parë deri më sot, që kjo metodë që po kthehet në sistem është gabim se ja si vjen puna.
“Arsyetimi për të vazhduar paraburgimi mbeti i pandryshuar gjatë gjithë periudhës, pa vlerësuar nëse faktorët e fillimit vazhdonin të ishin të vlefshëm dhe gjykatat nuk morën në konsideratë zhvillimet e çështjes apo kalimin e kohës. Autoritetet nuk kishin trajtuar çështjen me shpejtësi të mjaftueshme dhe nuk kishin garantuar që procedurat të zhvilloheshin me përparësi duke kontribuar kështu në një zgjatje të panevojshme të paraburgimit”.
Tani merrini dhe shikojini sesa zgjatje ka në parburgimet e kësaj drejtësie që ka gjithë mbështetjen tonë për të qenë e pavarur por nuk ka për ta pasur më heshtjen tonë kur pavarësia kthehet në “Carta bianca” për të shkelur të drejtat e njeriut.
Më ka shkruar publikisht një tjetër person, mua. Avokati i Thoma Gëllcit. Publikisht!
“Gjykata e Strasburgut i dha të drejtë sot Thoma Gëllcit dhe konfirmoi që arrestimi i tij ishte i paligjshëm”. Dhe në fund është dhe dënimi për shtetin shqiptar këtu. Arrestimet janë bukë e djathë, thotë ky, nga SPAK-u. u intereson më shumë shfaqja e cirkut televiziv të lajmeve ditore me arrestim dhe prerje kokash sesa respektimi i standardeve europiane”. Vazhdon me këtë pjesë, nuk po lexoj këto, por po them pjesën që çfarë thotë për mua, çfarë thotë për ne zotëria. Është një avokat, nuk e njoh personalisht. Ka mbajtur qëndrime sfiduese shumë, në kuptimin pozitiv, jo negativ për 21 janarin, për Gërdecin. “Avokatura e shtetit, thotë, që është në varësi direkte të Kryeministrit, luftoi fort që Gëllçi mos ta fitonte këtë kauzë morale në Strasburg, duke insistuar që arrestimi ishte i rregullt dhe i bazuar në prova, ndërsa sot Kryeministri shqetësohet për standardet e arrestimit kur SPAK-u një monstruozitet i prodhuar prej frymës së tij politike”, të paktën ky ma njeh autorësinë, “ka nisur të sharrojë degë e vetë Kryeministrit. Unë si avokat thotë, që hëngra dynjanë për tre vjet e gjysmë për të luftuar shejtan-budallenjtë e bashkuar të SPAK-ut dhe qeverisë, e ftoj ta përdorë te Sy M’sy-ja e vet precedentin Gëllçi në Strasburg por me kushtin që të pranojë të lëpijë atë që vartësit e vetë, avokatë të shtetit kanë pështyrë deri tani kundër Thoma Gëllçit”.
I nderuar avokat, dhe të nderuar njerëz që na dëgjoni. E dini kush e ka nisur hetimin në Universitetin Bujqësor?! E ka nisur Shërbimi Informativ Kombëtar dhe Policia e Shtetit. Dhe, e them këtë për dy arsye: E para se nuk ka degë dhe nuk ka gjethe afër dhe rreth meje që nëse i ka hyrë miza, unë të shmang krasitjen. Përkundrazi, edhe një nga arsyet pse e kam dashur kaq shumë SPAK-un dhe drejtësinë e re, është që të ndihmojë në krasitjen e kësaj peme këtu, me instrumentet e drejtësisë, por fakti që Shërbimi Informativ dhe Policia e Shtetit kanë nisur atje një hetim dhe pastaj ka kaluar te SPAK, flet qoftë për vullnetin për të mos lënë asgjë të bjerë në tokë për sa kohë ka indicje që ka probleme, flet qoftë për faktin që jo vetëm unë nuk kontrolloj institucione siç kujtojnë ata që as nuk e dinë fare çfarë është të bësh këtë detyrë, apo ata që kur kanë bërë këtë detyrë, kanë bërë vetëm kontroll institucionesh, por përkundrazi. Përkundrazi, dhe Policia e Shtetit bashkë me Shërbimin janë mbrapa shumë operacioneve që lavdinë e marrin të tjerë, por kjo nuk ka asnjë problem dhe e solla këtë shembull këtu për të thënë që unë nuk kam absolutisht asgjë kundër hetimit. Përkundrazi, e inkurajoj deri në fund të dalin ata që kanë prekur qoftë dhe 1 euro të buxhetit të shtetit, por ama këto paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale, me filozofinë që çfarë çojmë ne atje, ata vetëm e firmosin, patjetër, se ne jemi Amerika, këto nuk i pranoj më dhe s’kam për t’i pranuar më dhe jam i bindur që shqiptarët e ndershëm dhe shqiptarët që nuk janë të verbër, mendojnë kështu. E kemi parë ne këtë film, në kohëra të tjera dhe prandaj demokracitë e kanë ndërtuar këtë sistem balancimi, por do t’i kthej përgjigje avokatit, do i kthej përgjigje të gjithë atyre që vënë në pikëpyetje rolin e Avokatursës së Shtetit, sepse Avokatura e Shtetit përmes përfaqësuesve ligjorë të Republikës së Shqipërisë, përfaqëson dhe mbron interesat ligjore të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit. Është entitet sovran që ta mësojë dhe avokati, që thashë unë s’e njoh, kam respekt për mënyrën sesi ka mbrojtur disa kauza, që janë dhe kauzat tona, pra është një etnitet sovran dhe nuk është vartësi e Kryeministrisë. Nuk ka lidhje as me Kryeministrin, avokati i shtetit. Nuk është i qeverisë shqipatre dhe në kushtet kur një subjekt i drejtohet gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, me një kërkesë pasi ka ezauruar të gjithë rrugët e brendshme të ankimit, Avokatura e Shtetit është e detyruar edhe më pas, që të mbrojë Republikën e Shqipërisë dhe institucionet e Republikës atje. Nuk ndodh kjo. Po të ndodhte e kundërta, atëherë Afrimi, Largimi, avokati dhe të gjithë të tjerët duhet të më hidheshin mua në fyt. Si ndodhka kjo që i them unë avokatit të shtetit, shko atje ti, dhe thuaj që Thoma Gëllçi është viktimë e sistemit të drejtësisë?! Po kjo është fryma dhe filozofia e shqiptarëve që Shqipërinë e duan vetëm për vete dhe kur nuk e kanë për vete, nuk e kam me avokatin, e kam me afrim-largimët, janë gati ta shesin në çdo pazar të Europës.
Tani, kam sjellë këtu me vete diçka që është mirë ta shikojnë të gjithë. Kjo është “Zonja e Drejtësisë”, kështu e kanë konceptuar shumë e shumë kohë më parë ata që kanë vënë themelet e civilizimit tonë. Ne jetojmë në një civilizim që falë romakëve, bazohet te një postulatë që nuk ka Afrim, nuk ka Largim, nuk ka keqkuptim që e hedh poshtë. Barra e provës i takon akuzuesit, jo të akuzuarit dhe shekull pas shekulli pas shekulli, deri kur erdhi dita që u ngrit kjo Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, drejtësia është kuptuar kështu në civilizimin tonë. Shpatë për të ndëshkuar, peshore për të gjykuar dhe sytë e lidhur për të qëndruar tërësisht e verbër, qoftë në anën nga janë prokurorët, qoftë në anën nga janë të akuzuarit.
Ky imazh i drejtësisë po të skulpturohej përpara reformës në drejtësi, do të ishte kjo “lady of justice” këtu e shtrirë, bufi i kënetës me zhapiqe, zhaba, bretkosa, insekte, vemje, krimba mbi të duke i ngrënë rropullitë, kështu do ishte skulptura para reformës në drejtësi.
Këtë zonjën në këmbë e ngriti Partia Socialiste e Shqipërisë, e ngriti kjo shumicë qeverisëse, e ngriti vizioni, vendosmëria dhe vullneti ynë në këmbë dhe këtë shpatën ia dorëzoi ky pushtet, pushteti ekzekutiv dhe parlamentar i shumicës, pasi e përdori këtë shpatë qysh nga 1912.
Ia dorëzoi dhe zonja sot është në këmbë, ka dhe shpatën, i mungon peshorja dhe i ka sytë jo të mbyllur, por i ka sytë me gjak dhe pikërisht pse i ka sytë me gjak, ne kemi arritur të shikojmë arsyetime gjykatësish që thonë më shkrim, gjykatës specialë; populli kërkon një dënim më të madh për X e Y sepse populli ka mosbesim. Ky është fundi, kjo është gjuha e Vladimir Vladimiroviç Putinit. Kjo nuk është gjuha e Evropës. I keni parë ju se si përfundojnë prapa atyre xhamave të korruptuarit në Rusi? Epo ajo lloj drejtësie kurrë, kurrë këtu. E kemi parë ne atë film, vetëm se atëherë nuk i thoshin i korruptuari po i thoshin armiku i klasës. Dhe çfarë ka ndodhur dhe çfarë ndodh sot dhe këtë e kam tani se këtu jemi përfaqësuesit e PS, e kam për të gjithë socialistët progresistë dhe të gjithë patriotët e Shqipërisë, që duan Shqipërinë në BE. Ça ndodh sot? Tani ndodh që bufi, zhabat, bretkosat, zhapikët, vemjet, insektet, kërmijtë, gjinkallat këtë shpatën që ne ia kemi dhënë në dorë kësaj zonjës, e shohin si të vetmen armë për të na luftuar ne dhe për të na goditur dhe për të na larguar nga detyra, të vetmen.
Si shpjegohet që, nga një anë kërkojnë që t’i presin kokën, nga ana tjetër çdo dit i çojnë nga letrat anonime tek denoncimet publike, për ta nxitur që të ngrejë shpatën kundër nesh dhe “zonja” i ka sytë 4 me gjak, i ka veshët 4 dhe “zonja” ndjek mediat; “zonja” ndjek mediat dhe ndjek ça thotë kanali dhe portali sepse “zonja” ndjehet që ka një shpatë me të cilën duhet të presë kokat majtat e djathtas të gjithëve, që populli të dojë vetëm “zonjën”.
Këtë drejtësi të kësaj “zonjës” kështu, e kanë bërë jakobinët, po këtu në Shqipëri jo.
Këtu në Shqipëri “zonja” duhet të mbyllë sytë, gjykatësit dhe gjykatëset duhet të mbyllin sytë, mos të shoh as kush është ky as kush është ai, të shohin provat dhe të ndajnë shapin nga sheqeri me peshoren këtu. Nëse duam që t’i lëmë pas gjeneratave të tjera një vend me një drejtësi të pavarur profesionale dhe garante të lirive dhe të drejtave të njeriut, pra me sytë mbyllur, me shpatën në dorë dhe me peshoren për të vënë në ekuilibër hamendjet, indiciet, akuza, provat dhe të gjitha me radhë. Thënë të gjitha këto kam një sugjerim për prokurorët e SPAK-ut; në vend se të merren me deklaratat e mia dhe sa herë që unë bëj deklarata i bëjnë njoftim për shtyp, të bëjnë punën e tyre.
E kanë të gjithë mbështetjen tonë, t’i dëgjojnë këto që unë them dhe këto që ne themi si kritika dhe si shqetësime konstruktive. Për ne, për mua dhe për PS, SPAK, Gjykata Speciale rrojnë 1000 vjet, nuk i vjen e keqja dhe nuk i vjen shqetësim nga ne dhe të mos i ndjekin mediat sikur janë parti politike dhe të ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët specialë, nuk kam asnjë gjë me gazetarët. Gazetarët janë në të drejtën e tyre, bravo i qoftë se.. asgjë, por t’i ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët specialë, të mos furnizojnë miletin me sekrete hetimore, të mos bëhen redaksi, të mos sillen sikur janë redaksi gazetash, portalesh, kanalesh dhe të bëjnë punën e tyre. Sa herë, kurdoherë, kudoqoftë që do të kapin korrupsioni, atë shpatën ta hapin krahun me të gjithë forcën, po korrupsion ama, korrupsion.
Kemi ngritur një prokurori speciale për të luftuar krimin dhe korrupsionin, nuk kemi ngritur një institucion që të bëjë dhe Gjykatën Administrative, që të bëjë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, që të bëjë dhe Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, që të bëjë edhe gjykatësin, dhe prokurorin, e kështu me radhë. Nuk e kemi ngritur për këtë, e kemi ngritur si një armë shumë të fuqishme për të luftuar korrupsionin brenda nesh, rreth nesh, mbrapa nesh, para nesh, lart-poshtë kudo që të jetë, por korrupsionin; me prova, me procese të rregullta, me respekt për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të mos kundërshtojnë sikur janë parti politike, të mos hyjnë në debate shifrash.
Ata kanë punën e tyre, mos merren me statistika, mos merren me shifra. Statistikat dhe shifrat dalin në fund. Ajo që ata duhet të garantojnë, është që fajtorët të shkojnë në burg dhe të pafajshmit të mos traumatizohen për gjithë jetën. Kjo është arsyeja pse unë po flas dhe ne po flasim. S’kemi asnjë arsye tjetër në botë dhe meqë e nisëm me dëgjesën, Klotilda foli herën e kaluar, ne nuk bëmë asnjë koment.
Ne nuk i thamë Klotildës ke gjithë mbështetjen tonë se ti je e pafajshme; ne nuk i thamë prokurorëve apo gjykatësve që shikoni se Klotildën e kemi tonën dhe ju mos e ngacmoni. Absolutisht. Por ama, sigurisht që ne nuk mund të rrimë dhe të bëjmë sikur s’kuptojmë kur kryetarja e komisionit të ligjeve merr vesh nga Tv që është person i dyshuar, se ky është kulmi. Nuk mundet ta pranojmë ne këtë. Nuk mund ta pranojmë ne që SPAKU është redaksi lajmesh me një grup gazetarësh që tundin dosjet e tundin akuzat përpara se sa vetë ata që janë aty brenda të marrin lajmin që janë të akuzuar. Nuk mund ta pranojmë ne që njerëzit merren dhe intimidohen atje si persona në dijeni, pa iu dhënë as status vetëm e vetëm që të mos marrin avokat se nuk dua të flas.
Kam informuar ministrin e Drejtësie për një intimidim tjetër shumë të rëndë të një nëne me dy fëmijë të cilës i kërkohet të pranojë atë që nuk e ka bërë dhe i thuhet “O do pranosh këtë ose do ta hash më keq sesa ata, të cilët duhet t’i zhysësh brenda”. Ku jemi këtu?
E fundit fare, po kostot financiare të gjithë kësaj? A duhet t’i kemi parasysh apo jo? A duhet t’i kemi parasysh se çfarë po paguajnë shqiptarët për të gjithë këtë përpjekje? Dhe hallall, hallall por ama kjo është gjëja më normale që kur paguan një prokuror më shumë se Presidentin e Republikës dhe kur paguan një gjykatës më shumë sesa deputetët, do t’i kërkosh dhe standarde dreqi e mori se nuk shkon.
Në fund të fundit, ne na ka zgjedhur ky popull dhe si të zgjedhur që kemi të gjithë legjitimitetin demokratik, këto janë detyrat tona kështu që nuk kompleksohem unë fare se çfarë thonë Afrim-Largimët, as çfarë thotë këneta. Këneta e shikon SPAK-un dhe Gjykatën Speciale si shpresën e vet për të luftuar Partinë Socialiste. Bën punën e vet, këneta kënetë është, bufi buf është, zhabat zhaba janë, por SPAK-u siç është shpresë duhet të bëhet dhe krenari kombëtare.
Gjykata Speciale siç është shpresë duhet të bëhet dhe krenari kombëtare, duhet të jenë vendet e shenjta të drejtësisë, ku nuk duhet të ketë hije sigurimi dhe metodash të sigurimit të shtetit, ku nuk duhet të ketë hije Kremlini dhe metodash të Kremlinit, e them në kuptimin e metodave nuk them që ka infiltrim.
Unë kam bindjen që vetëm kështu do të shkohet aty ku duhet dhe kam bindjen që vetëm kështu ne do të arrijmë të ndërtojmë pikërisht këtë urë ndërveprimi dhe njëkohësisht murin e ndarjes së pushteteve.
Ata janë një pushtet i pavarur, por edhe ky është pushtet i pavarur.
Edhe pushteti ekzekutiv është pushtet i pavarur dhe boll është hyrë në kufijtë e pushtetit ekzekutiv, boll janë traumatizuar të gjithë punonjësit e administratës me thirrje, me ftesa, me presione e me paraburgime. Boll, duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Duhet menduar për t’i dhënë shërbim konsulence të fuqishme ndërkombëtare për të gjitha aspektet e tjera që marrin përsipër të analizojnë dhe që nuk kanë kapacitete t’i analizojnë, pabarazia në tendera e ku e di unë se çfarë dhe pastaj të gjitha përfundojnë tek “shpërdorimi i detyrës” që është një thes i madh ku nuk e merr vesh i pari të dytin, “Hajde i fusim me shpërdorim detyre pastaj kismet”.
Njerëzit nuk janë domate, njerëzit nuk janë kavie. Çdo njeri meriton deri në fund të respektohet dhe kjo është Partia Socialiste dhe nëse ka një forcë që duhet të mendojë seriozisht për respektin deri në fund për njeriun, është Partia Socialiste. Të tjerëve u uroj sukses në zhytjen thellë e më thellë në kënetë dhe në 11 maj edhe për drejtësinë, edhe për forcimin e SPAK-ut dhe të Gjykatës Speciale, edhe për forcimin e standardeve, shqiptarët do të dinë se çfarë do të vendosin dhe pastaj edhe ato gjykatësit që mendojnë se janë populli që në fakt aty janë ligji e nuk janë populli, do e shikojnë dhe popullin se çfarë mendimi ka për këtë forcë politike dhe çfarë mendimi ka për betejat tona.
Ne jemi të vërtetë dhe të drejtpërdrejtë siç kemi qenë 5 vjet kur kemi shtrënguar dhëmbët dhe nuk kemi folur kurrë sepse kemi dashur pavarësinë. Tani që pavarësia është e sprovuar, e testuar dhe nuk ka kush thotë gjë, le që të thonë çfarë të duan se nuk ka pikë rëndësie, tani ne duam profesionalizëm dhe duam integritet demokratik të çdo procesi dhe këto dëgjesat do të vazhdojnë për këdo që ka nevojë të vijë të shprehet përpara grupit parlamentar për sa kohë nuk është i akuzuar për korrupsion dhe për sa kohë nuk është nën hetim për korrupsion. Me persona nën hetim nuk merremi ne ama persona që thirren, intimidohen, goditen e bëhen janë këtu të ftuar të vijnë dhe të flasin.
Le t’i dëgjojë i gjithë opinioni publik jo në ato klubet e natës ku shtrihen gjithë prurjet e kënetës dhe kërkojnë gjak e kërkojnë varje në litar e kërkojnë burg për gjithë dynjanë se duan të sjellin kënetën në pushtet dhe ta çojnë prapë Shqipërinë në gropë, dhe as në instanca të tjera që nuk ekzistojnë këtu.
Ne jemi Partia e të gjithëve kështu që hakun të gjithëve, drejtësisë të gjithë mbështetjen në pavarësinë e vet, njerëzve të gjithë mbështetjen në liritë dhe të drejtat e tyre.
Kjo është Partia Socialiste.
Shumë faleminderit mediave dhe kam dhe dy fjalë të tjera me grupin sepse është fondamentale që në 11 maj të gjithë atyre që janë mbledhur kundër nesh t’i bëjmë prezantimin fundor me Noc Rrokun.