Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama: Shumë faleminderit të gjithëve! Unë sa herë vij këtu në Roskovec, gjithmonë më kujtohet hera e parë kur kam ardhur dhe erdhëm te ajo rruga e vetme dhe kur ndaloi makina, i thashë shoferit nuk do ikim në Roskovec? Këtu jemi më tha. Si jemi këtu?! zbres, qendra. Çfarë qendre?! Një rrugë… ndërkohë që sot është komplet një gjë tjetër.
Nuk diskutohet dhe nuk është vetëm sheshi këtu që është fantastik dhe është hera e parë që unë jam në një takim këtu në shesh, po është i gjithë qyteti, por është e gjithë bashkia sepse nuk është më fjala për pak më shumë infrastrukturë, nuk është më fjala për pak më shumë ujë të pijshëm pasi problemet e infrastrukturës janë adresuar masivisht.
Natyrisht ka akoma kërkesa Majlinda, se Majlinda në fakt emrin e vërtetë duhet ta kishte Kërkesa Bufi, jo Majlinda Bufi. Ju them unë se ç’heq dhe më e bukura është që nuk të kërkon asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejë, thotë: “Zoti kryeministër po çfarë ke me mua? Unë lexoj mesazhin, çfarë i kam bërë kësaj?! Po të paktën për Roskovecin se mirë për mua se unë shtrigë jam siç thua ti”, e pastaj hyn në muhabet, e pastaj del te tema dhe pastaj kujton se unë e kam harruar kërkesën që më ka bërë më parë dhe është e dyfishuar ndërkohë.
Por për hir të së vërtetës, falë Majlindës në radhë të parë, këtu ndryshimi është i jashtëzakonshëm edhe në një aspekt tjetër. Në aspektin e prodhimit sepse këtu nuk kanë munguar asnjëherë njerëzit punëtorë, njerëzit që kanë dashur të fitojnë përmes punës, por këtu njerëzit i kanë pasur mundësitë shumë të kufizuara se s’kishin kanale ujitëse, s’kishin kanale kulluese, s’kishin infrastrukturën minimale rrugore dhe ishin të detyruar që ta braktisnin tokën.
Sot, mjafton të shikosh rritjen e prodhimit falë edhe mbështetjes së madhe që Majlinda ka siguruar nga qeveria dhe në këtë rast, e ka siguruar, jo duke i rënë këmbës, se i bie dhe këmbës, por duke i mbështetur dhe duke i asistuar fermerët që të bëjnë aplikimet e duhura, të bëjnë projektet e duhura dhe sot ne kemi një bashki e cila ka arritur me 200 hektarë sipërfaqen e serave dhe kemi një bashki ku kapacitetet frigoriferike për mbajtjen e perimeve dhe nxjerrjen e tyre në treg në momentin e duhur, janë rritur si në asnjë bashki tjetër të Shqipërisë.
Normalisht, këtu nuk duhet të kishte fare asnjë fushatë. Këtu s’duhet të kishte asnjë diskutim dhe këtu zgjedhjet duhet të ishin një moment kur e gjithë bashkësia, komuniteti thjesht të rinovonin kontratën për të mbajtur Majlindën në detyrë sepse në fund të fundit, sidomos kur vjen fjala te zgjedhjet vendore, vota është shprehja e mendimit për kë do marrim në punë që të na shërbejë si kryetar apo kryetare bashkie. Normalisht vota në zgjedhje vendore është shumë më pak politike dhe është shumë më shumë një zgjedhje praktike, pasi do të zgjedhësh personin më të përshtatshëm për t’u kujdesur që kur del ti nga shtëpia, qyteti të jetë i pastër, rrugët e fshatit të jenë të pastra, që ndriçimi të funksionojë, që gjelbërimi në qytet të shtohet dhe që uji në kanalet ujitëse të mos mungojë, ato të pastrohen, që çerdhja, kopshti të jenë me standarde sa më të mira dhe kështu me radhë.
Është një zgjedhje që ti e bën për veten tënde, e bën për fëmijët e tu që jetojnë aty ku ti jeton, e bën për më të moshuarit në familjen tënde që kanë nevojë dhe ata për pjesët e tyre dhe nuk e bën për tifozllëk. Nuk e bën për tifozllëk sepse tifozllëku vlen për sport, por nuk vlen për të marrë një vendim të kësaj natyre. Ti kur shkon në një dyqan për të marrë një shërbim apo në një biznes për të marrë një shërbim se të duhet një hidraulik apo të duhet një marangoz apo të duhet një elektricist, ti nuk pyet atje, me kë jeni ju. Ti kërkon pikërisht personin që njeh zanatin që të duhet për të zgjidhur problemin që ke. Kur çon fëmijën në një kurs për të mësuar anglisht, apo për t’u përmirësuar në matematikë, apo për të mësuar më shumë në arte, në muzikë, ti nuk do t’ia dish nëse mësuesi përkatës është apo s’është me partinë tënde. Ti do vetëm të dish nëse mësuesi përkatës është i duhuri. E njëjta gjë vlen edhe kur zgjedh kryetarin e bashkisë. E njëjta gjë vlen edhe kur zgjedh njerëzit që bashkë me krytarin e bashkisë do të bëjnë shumicën në Këshillin bashkiak dhe do të çojnë përpara punët e bashkisë.
Por e vërteta është që në këto zgjedhje ka edhe një pjesë tjetër shumë specifike, shumë të veçantë të natyrës politike sepse patjetër që suksesi i bashkisë së Roskovecit është i lidhur drejtpërdrejtë me emrin e Majlindës, me punën e Majlindës dhe të njerëzve që ajo ka zgjedhur të punojnë me të, por suksesi është pa asnjë diktuim dhe shprehje e mbështetjes që Majlinda dhe Roskoveci ka marrë nga qeveria në Tiranë dhe nga të gjitha strukturat mbështetëse të pushtetit qendror.
Dhe është shume e rëndësishme që pushteti qëndror në Tiranë dhe pushteti vendor në Roskovec të jenë në harmoni me njëri-tjetrin, nëse ju doni që të bëhen më shumë punë, nëse ju doni që të vijnë më shumë financime, nëse ju doni që të kenë sukses më shumë projekte.
Si realizohet kjo?
Me një forcë ao me disa forca politike se s’merret vesh më, as sa janë, që janë pjellë e një partie, e cila për 31 vjet që kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste lokale në Shqipëri, në 31 vjet ka pasur mundësi të drejtojë bashki të ndryshme, ka pasur mundësi të drejtojë bashki të ndryshme, pas 31 vjetësh nuk e tregon dot me gisht një bashki, një komunë dhe të thotë: “ja, atje ne kemi qeverisur dhe atje shkoni shikojeni, kemi bërë sukses’’.
Nuk e thonë dot këtë.
Nuk e tregojnë dot.
Nuk ka një.
Ah po, ka në Shkodër që e kanë qeverisur qysh nga zgjedhjet e para pluraliste dhe që është sot qyteti më i papastër i Shqipërisë.
Roskoveci ngado që të hedhësh sytë nuk ka një copë letër përtokë sepse pastrohet.
Në Shkodër kazanët e plehrave janë siç ishin dikur në të gjithë Shqipërinë përpara se ne të merrnim detyrën dhe të vinim si qëllim kryesor që Shqipëria nuk mund të jetë një vend i pisët nga njerëzit, sepse është një vend i bekuar dhe duhet të jetë një vend i pastër.
E pra, Roskoveci, Fieri, Vlora, Elbasani, Lezha, Kukësi, të gjitha, Tropoja, të gjitha bashkitë ku ne qeverisim shkëlqejnë nga pastërtia.
Shkodra është një gjë që të këput shpirtin kur shikon ato pamjet e tmerrshme të kazanëve me plehra që nuk mblidhen me ditë të tëra dhe që qelben rrugëve. Dhe kjo është A-ja e qeverisjes së një bashkie. A-ja, pastërtia, që mos flas më radhë për të tjera e të tjera.
Tani, jo vetëm që këta nuk janë për këtë punë, po tani kanë edhe një problem tjetër. Këta janë me damkë mu në lule të ballit nga miqtë tanë të mëdhenj dhe Shqipëria nuk mund të marrë tani damkën e atyre dhe ta vërë në lule të ballit të vet, për turpin e dheut se këta duan të marrin peng një bashki këtu, një bashki atje, një atje edhe të thonë që pa ne nuk bëhet. Jo. Pa ata, jo vetëm që bëhet, por siç e kanë treguar këta 4 vjet, bëhet shumë më mire, ndërkohë që duhet ta kenë mirë parasysh të gjithë ata që votojnë për të marrë kukullën e tyre.
Unë nuk e di fare kush është këtu kandidat. S’kam asnjë ide, por cilido qoftë, është thjesht dhe vetëm një kukull për hesapet e dy njerëzve që janë si apendisiti im në trupin e Shqipërisë, se mësova me këtë rast që apandesitit i thonë zorra qorre. Ata janë zorra qorre në trupin e Shqipërisë.
Dhe kushdo qoftë këtu kandidati, ka dalë nga një zorrë qorre. E kuptoni? Tani a hahet ajo që del nga zorra qorre? Si thoni ju? Mund ta hash dot?
Këta janë kandidatë që nuk hahen. Këta janë kandidatë që kush i ha, nuk i tret dot. Dhe i mbeten këtu sepse ne nuk mund të kthehemi kurrë prapa. Shqipëria nuk mund të rimerret kurrë më peng nga ata, që sa herë e kanë marrë besimin e shqiptarëve për një arsye apo për një tjetër, e kanë mbajtur Shqipërine peng, e kanë kthyer Shqipërinë vetëm mbrapa.
Dhe ka disa që thonë, “po mirë ça do kthehet mbrapa tani, ky sheshi këtu është bërë. Ça do kthehet mbrapa?” E keni shumë gabim.
Sheshi është bërë dhe në Tiranë po ai që doli që s’kishte as diplomë, dëftesë të shkollës së mesme, s’ka bërë as shkollën e mesme, tha ‘’kam një vizion, do ta hap sheshin, do ta çaj, do bëj nënkalime’’.
Se këta dinë vetëm të hapin gropa dhe t’i lënë gropat pastaj në mes të rrugës dhe këta kandidatë janë kandidatë që për sa kohë nuk kanë as dy lekë mendje që të mos e japin fytyrën e tyre, që të mos e japin emrin e tyre, që të mos e japin të gjithë atë që kanë ndërtuar gjithë jetën e tyre për një “zorrë qorre”, këta nuk kanë asnjë vlerë. Është shumë më e rëndë kjo, sesa mospasja e dëftesës së shkollës së mesme, që të përdoresh si parfum për zorrën qorre.
Ne sot jemi në një moment shumë të rëndësishëm të këtij vendi. Jemi duke plotësuar një kthesë shumë të madhe dhe shumë të vështirë që nga momenti kur e morëm detyrën me 3300 euro për frymë në vit. Sot jemi në 6400 euro për frymë dhe duam të shkojmë në 10 mijë euro për frymë.Dhe kthesa ka qenë jashtëzkoansisht e vështirë sepse na ndodhi tërmeti, pastaj erdhi pandemia, pastaj lufta, inflacioni, kjo e ajo. E ja ku jemi sot, në një moment shumë të rëndësishëm kur po rrisim pagat si asnjëherë më parë dhe kur brenda harkut prill deri në prill të vitit tjetër, do të shkojmë në 900 euro pagën mesatare në sektorin publik.
Pagat do të jenë shumë më dinjitoze siç kanë filuar të jenë për mjekët, për mësuesit, për punonjësit e e policisë, për gjithë sistemin e sigurisë, për ata që punojnë në institucionet e shtetit, për ushtrinë tonë e cila ishte ushtria më qesharake në listën e ushtrive të NATO-s për nga pagat. Sot është ushtria më e mirëpaguar nga të treja vendet e NATO-s këtu në rajon dhe ne do vazhdojmë t’i rrisim pagat edhe për ushtarakët, do vazhdojmë t’i ftojmë dhe të rinjtë që të përfshihen në ushtrinë tonë sepse do të kenë paga gjithnjë e më të larta dhe jo vetëm që do të kenë një punë dinjitoze, por do të kenë një mision shumë të madh patriotik, mbrojtjës të Republikës së Shqipërisë.
Pagën minimale ne tani e kemi 40 mijë lekë. Jashtë parashikimit sepse edhe ata, ata e keni parasysh ku bëjnë programe elektorale ngaqë e dinë që s’kanë gjë në dorë, e dinë që në fund s’do t’i kërkojë njeri llogari dhe në fund premtojnë nënë e babe, por edhe ata në programin e tyre 2021-2025 e kishin parashikuar 38 mijë lekë, njësoj si ne.
Sot jemi në 2023 dhe është 40 mijë lekë dhe ne do ta çojmë në 45 mijë lekë brenda 2025 dhe ambicia jonë është që ta çojmë në 60 mijë lekë në vijim, se me pagë minimale 40 mijë lekë është shumë më mirë sesa me 34 mijë lekë, por nuk është mjaftueshëm. Dhe nga ana tjetër duke e bërë pagën minimale 40 mijë lekë, ne po i shtyjmë shumë fort të gjitha bizneset që të rrisin pagat e tyre. Dhe mos harroni kjo është një bashki bujqësore, ne s’kemi asnjë taksë për bujqësinë, sepse ju tregojnë shumë përralla sa i jep ky, sa jep ai, shko shiko këtu, shko shiko aty, por askush nuk tregon sesa paguajnë ata pastaj kontribute për shtetin. Ne i kemi dhënë bujqve fushë të lirë komplet sepse duam një herë që të forcohen, duam që të rriten, të fuqizohen, duam që të krijojnë shoqëri të përbashkëta. Kemi arritur në gjysmë miliardi eksporte, kemi eksportuar vitin e kaluar më shumë se sa eksportonte Shqipëria e atij xhaxhit të Majlindës që tha xhaxhi. Kështu që, në gjithë këtë kontekst si mund tani të diskutojmë ne se çfarë do bëjmë në 14 maj edhe si mund t’i hyjmë tani detit në këmbë, duke e marrë Roskovecin nga përpara, duke e kthyer mbrapa, cctë të them. Nuk e di domethënë, si mund të diskutohet ky muhabet. Nuk e kuptoj dot fare. Je demokrat, qofsh me jetë e me shëndet. Nuk e shikon dot me sy Majlindën? As mos e shih fare, fare, ktheji kurrizin kur kalon në rrugë, por votën do ia japësh se do të pastrojë rrugën. Si? Do marrësh atë që shikon me sy, po pastaj ccdo bësh? Kur të dalin plehrat rrugës do rrish duke parë atë në sy?
S’do ta shikosh me sy Edi Ramën? E çfarë pastaj? Mos e shih, sustën, kalo tek ekrani i zorrës qorre, tek Syri, shih atje kënaqu. Rri mu te vrima e zorrës qorre e çfarë vjen nga zorra përpije, kënaqu. Po jo votën. Pse votën? Vota është për punë. Kur shkon të blesh kalë për karrocën nga inati i zotit të kalit që është me parti tjetër, çfarë bën, blen qen për të tërhequr karrocën? Si bën? Apo blen lepur? Apo blen hienë? Jo, merr kalin. Ku ta gjesh, bile ku ta gjesh që ai kandidati i partisë tënde te mos lodhet fare. Pse të shkojë në punë ai të bëjë kryetarin e bashkisë? Le të rrijë në kafe, punën ka kush e bën. E bëjnë kuajt e Partisë Socialiste. Karrocën ka kush e tërheq këtu, s’ka ngelur karroca ta marrin ta tërheqin qentë. Karrocën e tërheqin kuajt.
Ne kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë më mirë, si kemi bërë të gjitha mirë, kemi bërë gjëra për të cilat unë s’jam krenar, por një gjë është e sigurte: kuaj për të tërhequr karrocën ne jemi, të tjerë s’ka. S’ka! Ja shikojeni me këtë sy, kur të shikoni sot televizor shikojeni me këto sy. T’ia jap unë këtij karrocën të ma tërheqë? Si t’ia japësh, kë? Të ta djegë? Të ngelesh dhe pa karrocë, mirë pa kalë. Apo jo?
Është kënaqësi e veçantë të flasësh këtu.
Majlinda shumë faleminderit për këtë!
Unë di t’ju them kaq. Mos e lodhni kokën fare dhe çfarë keni rreth e rrotull aty, komshi, miq, shokë, janë çfarë janë merrini në 14 maj, votoni këtë Kërkesa Bufin dhe për 4 vitet e ardhshme do bëjmë 4 herë më shumë për Roskovecin.
Faleminderit shumë!