Partia Socialiste e Shqipërisë

Fjala në Kuvendin Rinor e Ministres për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi:

Historia e Partisë Socialiste është historia e brezave që marrin stafetën. E të rinjve që dikush ju hapi derën dhe i ftoi të bashkoheshin jo vetëm për të qenë dëshmitarë por për të qenë ndërtues të së ardhmes. Ndoshta një pjesë e tyre sot nuk janë edhe aq të rinj por ama kur ju bashkuan Partisë Socialiste ishin po kaq të rinj sa jeni edhe ju sot.

Partia Socialiste ka dhënë provën që nga dita e parë e themelimit e deri më sot me Edi Ramën që është partia që i hap dyert të rinjve.
Partia Socialiste ka qenë dhe do vijojë të mbetet ajo që të rinjve u jep mundësinë të jenë kontribues në fatin e Shqipërisë sonë të përbashkët. Prandaj sot është një emocion i jashtëzakonshëm të jem këtu para jush në këtë Kuvend Kombëtar të Rinisë ku të rinjtë socialist nga çdo cep i vendit janë mbledhur për të ngritur zërin, për të ndarë vizionin edhe për të ndërtuar së bashku rrugën drejt Shqipërisë 2030.
Ky nuk është thjesht një event, kjo është një hapësirë ku rinia nuk është vetëm dëgjuese por është vendimmarrëse, një hapësirë ku zëri juaj ka peshë e ndikim.
Para disa ditësh në një takim me të rinjtë një vajzë e re më tha: Unë nuk dua të iki nga Shqipëria, unë dua një Shqipëri që më sfidon, unë dua një Shqipëri që më mbështet, dua një Shqipëri që më jep arsye të ëndërroj këtu, unë dua një Shqipëri që e ndërtojmë ne.
Kjo është pikërisht fryma që shoh sot në këtë sallë. Ju nuk jeni brezi që ankohet ju jeni brezi që vepron, ju nuk jeni brezi që dorëzohet ju jeni brezi që ndërton dhe kërkon për të ardhmen e tij.

Partia Socialiste ka qenë e do të mbetet gjithmonë partia e të rinjve. Ne nuk ju kërkojmë vetëm që të na ndiqni ne kërkojmë edhe të na udhëhiqni.
E ardhmja e kësaj force politike, e ardhmja e Shqipërisë nuk është vetëm një e ardhme që do vijë vetë, ajo do ndërtohet edhe nga ju, me idetë tuaja, me guximin tuaj, me përkushtimin tuaj.
Sot në këtë skenë do të ngjiten të rinj që përfaqësojnë çdo qark të vendit, ata do flasin për sfidat dhe idetë, do flasin për ëndrrat dhe propozimet e tyre dhe ne si Parti Socialiste do ti bëjmë ato pjesë e rrugës sonë qeverisëse.

Ky Kuvend nuk është vetëm një ditë e bukur është një angazhim i fortë për të çuar përpara çdo kërkesë dhe çdo vizion që do të shprehet sot këtu prandaj dua tju ftoj që të flsini me zë të lartë e të sigurt, të kërkoni më shumë. Të mos kënaqeni vetëm me atë që kemi arritur por të synoni edhe më lart.
Partia Socialiste është shtëpia juaj politike. Në këtë shtëpi dera është gjithmonë e hapur për të gjithë ata që duan të lënë gjurmën e tyre në të ardhmen e Shqipërisë.
Shqipëria ka nevojë për ju.
Suksese të gjithëve në këtë Kuvend Rinor Kombëtar.