Partia Socialiste e Shqipërisë

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi në Kongres:

Në fillim ishte fjala thonë librat e shenjtë! Dhe politikat mbi fjalën e mbajtur ndërtohen!
I dha fjalën Edi Rama këtij Kongresi dhe Partisë Socialiste në fillimet e opozitës në vitin 2005 se e para do të jetë puna. Puna për të organizuar një Parti Socialiste të fortë, të pathyeshme dhe krenare. Një parti që të jetë besnike e Shqipërisë dhe interesave të qytetarëve të saj. Një parti të mirëorganizuar në çdo qelizë të saj që njeh edhe jeton me “vibe-n” e qytetit dhe zhvillimin e fshatit që i përkulet çdo halli dhe ballafaqohet me çdo sfidë.

Duke punuar shumë ja kemi dalë të jemi shumë të fortë dhe të fitojmë çdo betejë elektorale nën drejtimin e Edi Ramës.

Të organizojmë jo vetëm 100 mijë anëtarët tanë por të gjithë progresistët e këtij vendi duke ndërtuar një mur të madh elektoral në përballje me të cilin janë shkërmoqur të gjithë kundërshtarët tanë, të gjithë bashkë apo veç e veç, në koalicion apo jo.

Kemi dëshmuar se jemi të fortë, jo se ata janë të dobët por se ata duken të dobët sepse ne me Edi Ramën jemi shumë më të fortë.

Ndaj të nderuar delegatë të këtij Kongresi, miq e të ftuar më lejoni që dhe në emrin tuaj të deklaroj të hapur këtë Kongres. Një Kongres pune i jashtëzakonshëm ku me disa panele folësish ne do të pasqyrojmë sesi ja kemi dalë të mbajmë fjalën e dhënë në sektorët vitalë të jetës së këtij vendi.

Do të flasim në këtë Kongres për drejtësinë, ekonominë, shërbimet publike, qeverisjen vendore, sigurinë, politikat europiane por padyshim do të flasim dhe për Partinë Socialiste. Si duhet ta rienergjizojmë atë më shumë, si duhet ti japim asaj më shumë forcë si do ta ndërtojmë atë për të qenë e gatshme jo vetëm të fitojë në garën e ardhshme të vitit 2025 por të jetë e gatshme të përfaqësojë të gjithë interesat e qytetarëve shqiptarë.

Të nderuar miq,

Padyshim Partia Socialiste tashmë është bërë një pikë e rëndësishme jo vetëm në Rajonin tonë por në të gjithë të majtën europiane dhe më gjerë.

Prandaj më lejoni që në hyrje të këtij Kongresi të prezantoj një përshëndetje të kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, njëkohësisht President i Internacionales Socialiste.