Në qytetin e Patosit që ka ndryshuar dukshëm panoramën vitet e fundit, falë zbatimit të projekteve me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, vijoi sot rrugëtimi i gjelbër, me mbjelljen e pemëve të reja, dhuratë për bashkinë nga shkurtimi i shpenzimeve për fushatën elektorale, duke dhënë mundësi për më shumë oksigjen dhe më pak ndotje mjedisore për qytetin.
Kryeministri Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë prezantoi sot në Patos kandidatin për kryetar bashkie Fatjon Duro.
* * *
Shumë faleminderit!
Tani dua që gjithë burrat të çohen në këmbë, gratë mund të rrinë ulur! Të gjithë në burrat në këmbë dhe tani një duartrokitje të stuhishme për Rajmondën, e cila ju ka qëndruar në këmbë 3 mandate rresht dhe meriton të gjithë respektin, meriton gjithë dashurinë dhe meriton gjithë mirënjohjen tuaj.
Unë dua ta falënderoj jo për formalizëm, fare, po dua ta falënderoj Rajmondën sepse ka bërë një punë fantastike, një punë me devocion, një punë me angazhim, me zotësi dhe ka arritur të krijojë edhe një skuadër në bashkinë e Patosit, që është baza mbi të cilën ne do të vazhdojmë të ngjisim më lart këtë komunitet dhe të vazhdojmë të përmirësojmë të gjitha rrugët e jetës për banorët e kësaj zone që meritojnë respekt si njerëz të punës dhe mbi të gjitha për sa më takon mua si kryetar i Partisë Socialiste, meritojnë respekt sepse asnjëherë nuk e kanë ngatërruar drejtimin.
Shumë faleminderit, Rajmonda!
Puna e Rajmondës vetëm do ndryshojë, nuk do mbarojë. Të jeni të sigurtë për këtë sepse eksperienca e saj na duhet për punët tona.
Shumë faleminderit edhe për durimin tuaj këtu edhe për pritjen. Shpresoj që të mos mërziteni.
Do mundohem të flas shkurt megjithëse ju e dini që unë e kam të vështirë të flas shkurt dhe dua ta nis me një takim që pata aty përpara kur po vija me një grup naftëtarësh, që shprehën konsideratën e tyre për mbështetjen që ne i kemi dhënë naftëtarëve duke bërë të mundur pas nuk e di sesa vitesh, peripeci të tyre qysh në momentin e ndryshimit të sistemit, që më në fund naftëtarët të kenë statusin e tyre të veçantë dhe falë statusit të tyre të veçantë të trajtohen me respekt për gjithë punën e mundimshme në shërbim të atdheut tonë dhe duke u nisur nga ky fakt, dua të them që sot në këtë moment të rrugës sonë, ndihem i lehtësuar sepse kemi bërë shumë ndryshime, por ajo që është më e rëndësishmja, kemi arritur që këto ndryshime në të gjitha drejtimet t’i përkthejmë në një rritje historike të pagave. Në një rritje të pagave që e çon pagën mesatare në sektorin publik për shqiptarët nga 530 në 900 euro dhe ajo që dua të shtoj, është se kjo rritje shumë e fortë që është rezultat i një pune shumë të mundimshme dhe e një rruge të vështirë sepse kemi pasur një rrugë goxha të ngatërruar për shkak të tërmetit, për shkak të pandemisë, për shkak të luftës, inflacionit, është edhe një moment që do të bëjë sektorin privat që t’i rrisë pagat shumë më tepër dhe shumë më shpejt.
Ne vendosem ta rrisim pagën minimale përsëri dhe tani në fund të prillit, ata që paguhen me pagën minimale do të marrin jo më 34 mijë lekë, por do të marrin 40 mijë lekë, por ajo që dua të theksoj këtu është se paga minimale 40 mijë lekë, nuk ishte e parashikuar në programin tonë elektoral. Nuk ishte e parashikuar as në programin elektoral të atyre të tjerëve që ata e dinë që s’kanë gjë në dorë e premtojmë ça t’u vijë për mbarë se e dinë që s’do t’ju kërkojë njeri llogari, se po i shikoja aty, Partia Demokratike dhe dentisti. Domethënë keni akoma dhëmbë për të shkulur? Shkoni atje t’jua shkulin. Se vetëm atë dinë të bëjnë. Për të mbjellë nuk i ke, për të shkulur, ja, shko atje.
Pra edhe ne, edhe ata, pagën minimale e kishim parashikuar 38 mijë lekë në 2025-ën. Sot e kemi 40 mijë lekë dhe deri në 2025 do ta çojmë 45 mijë lekë pagën minimale. Kini parasysh që në këto vite, që siç thashë janë vite të vështira, kemi dyfishuar të ardhurat për frymë pothuajse. E kemi nisur me të ardhura për frymë 3300 euro dhe sot jemi në 6400 euro, por ambicia ime është që me patjetër, me patjetër ne duhet ta çojmë, duhet të bëjmë akoma shumë punë natyrisht sepse pagat nuk ngrihen sipas dëshirës. Pagat sipas dëshirës i ngre, ose siç thashë, ajo ana tjetër që s’ka gjë në dorë ose pagat sipas dëshirës i ngrenë këta çunat 18 vjeç kur shkojnë i thonë babait dua kaq lekë. As e dinë fare as se ç’heq babai për t’i bërë ato lekë, as se si është puna në shtëpi. Kështu që, pagat ngrihen sipas mundësive dhe ajo qe thashë, ambicia ime është që të shkojmë patjetër në një pagë minimale 60 mijë lekë dhe të shkojmë patjetër në të ardhurat për frymë 10 mijë euro.
Kjo është maja që unë shoh drejt Shqipërisë së 2030-ës dhe prandaj sot në këtë stacion tjetër zgjedhor është shumë e nevojshme që të gjithë të jenë shumë të qartë që kjo punë nuk është më një histori tifozllëku, jam me këtë, jam me atë, se nuk është punë futbolli kjo. Patozi ku e ka skuadrën e futbollit? Ta zëmë kategorinë e 7. Të tretën? Po mirë edhe në të 7-ën të jetë, kur je tifoz i skuadrës së Patozit je me Patosin, ka marrë fund ajo punë edhe Barcelona të vijë këtu prapë me Patosin je. Mirëpo nuk është e njëjta gjë kur vjen puna tek vota, se u rrah Patosi, fitoi Patosi, gëzohesh e mërzitesh për ato 2-3 minuta pastaj jeta vazhdon. Kurse te vota është si puna e daljes në pazar për të blerë kalin e duhur. Në qoftë se vete e blen një gomar dhe i kërkon pastaj të bëjë punën e kalit nuk ta bën ai. Pra të shkon dëm dhe është shumë interesant sepse ka shumë njerëz që nuk e shohin kështu fare. “Nuk dua unë, nuk më pëlqen Partia Socialiste”. Po punë e madhe se s’të pëlqen Partia Socialiste, çfarë problemi ka? Mos e pëlqe partinë Socialiste, s’ka problem.
“Nuk dua ta shoh me sy Edi Ramën”. Mos e shih fare, kthe kokën nga ana tjetër, por kur shkon për të marrë në punë kryetaren e bashkisë të duhet të marrësh në punë njeriun e duhur se pastaj dalin prapë plehrat rrugëve. Se pastaj thyen dritat, nuk i zëvendëson më njeri. Se pastaj nuk ka më njeri as për të bërë rrugë, as për të mbjellë pemë, asnjë gjë dhe këto janë të gjitha gjëra që ti me votën tënde i bën ose si bën se po të mos ishte Partia Socialiste dhe po të mos ishte vota për Partinë Socialiste nuk e merrnin statusin naftëtarët se ndenjën 20 vjet e se morën. Ka shumë rendësi kjo, nuk jemi të gjithë njësoj. “Hë mo se të gjithë njësoj janë, punë e madhe”. Jo, s’jemi të gjithë njësoj. Shikojeni ku kanë qeverisur ata edhe e kuptoni që s’jemi njësoj.
Nuk gjej dot, me gjithë mundimet e mia nuk gjej dot një bashki, një komunë që ata e kanë pasur 4 vjet ose 14 vjet dhe mund të thonë, shiko sa mirë e kemi bërë, s’ka një. A po, është Shkodra që e kanë pasur 33 vjet, është sot bashkia më e prapambetur e Shqipërisë, më e prapambetura. Akoma me plehra rrugëve. Shikoje Patosin, nuk është një bashki qendrore, nuk është as Tirana, as Fieri, ka shumë nevoja dhe mundësi më pak sesa ato, por është i pastër, nuk shikon plehra asgjëkund, pastrohet. Pse? Se ka shumë rëndësi fakti që i është gjetur punës njeriu, jo njeriut puna. “Hajde se kemi këtë, ta çojmë atje ta bëjmë kryetar bashkie”. Se me thoshin, ishte habitur në Tiranë, ky kandidati s’kishte dokumentet e shkollës së mesme. Unë nuk habitem që nuk i ka ai ato, unë habitem me ata që habiten. Se mua më duket normale, se atë nuk e kanë marrë për të bërë kryetarin e bashkisë, ai është mish për top për zorrën qorre. Se e mësova këtë, këtë javë e kam mësuar që apendicitit i thonë zorrë qorre. Zorra qorre më e poshtër s’ka. Atij e ka marrë zorra qorre i ka thënë dil atje, ç’i duhet atyre a ka shkollë, a nuk ka shkollë. Ai del atje, edhe vazhdon këngën jo për të bërë për Tiranën. Cilën Tiranë? Po e mbani mend kur morën Tiranën ata se ç’bënë apo jo ? Ku dinë ata! E morën dhe një herë rrugës ashtu siç e morën 4 vjet edhe e futën në frigorifer Tiranën. Asgjë nuk ndryshonte më. Vetëm mbusheshin me plehra. Janë njësoj, nuk dinë.
Sot Shqipëria është në një pozicion komplet tjetër. Sot Shqipëria është një vend që respektohet, nuk ka më Shqipëria që të shkojë të ulet në tryeza me të huajt dhe të rrijë duke mbajtur pantallonat. Ne jemi më pak të zhvilluar, jemi më pak të pasur se shumë prej tyre, por kur jemi në tavolinë jemi të barabartë. Nuk ka aty “rri urtë’. Ne jemi të barabartë. Jemi të respektuar dhe shikoni se çfarë ndryshimi të madh ka imazhi i Shqipërisë, shikoni si po rritet turizmi, si po rriten eksportet dhe të gjitha.
Tani çfarë do bëni? Do vëmë zorrën qorre? Do heqim kokën, do vëmë zorrën qorre në vend të kokës që të na shikojë bota për turp të dheut? Janë bërë bashkë të dyja anët e zorrës qorre, edhe ai non grata, edhe Like Floriri, edhe thonë “na jepni votën ne se do t’ju sjellim demokracinë”. Cilën demokraci do sjellin? Thjeshtë duan të marrin pengje, kanë dalë të marrin pengje. Të marrin peng sa më shumë bashki dhe të thonë, “Jemi ne këtu! Amerika na ka vënë damkën por ama këtu është populli që vendos për ne”, domethënë shqiptarët u çmendën, i kthyen kurrizin Amerikës edhe vunë zorrën qorre duke i prerë kokën vetes.
Natyrisht këtu dhe në shumë vende të tjera nuk ka për të ndodhur fare, s’bëhet fjalë, por po them që është vërtetë për të ardhur keq që ka akoma njerëz që rrinë mendojnë me këtë mendje. Ka akoma njerëz që nuk kuptojnë që vota është kë do marrësh në punë. Kur shkon tek doktori nuk i thua: “je i majtë apo je i djathtë”. I thua “doktor i zemrës je”? “Po”. “Kam probleme me zemrën”. Nuk i thua, “ah ti doktor i zemrës qenke i majtë, atëherë unë po shkoj ta kuroj zemrën te gjinekologia se është e djathtë.”
E njëjta gjë kur çon fëmijën për të mësuar. E çon tek mësuesi i duhur për atë që kërkon, nuk thua fëmija nuk është mirë në aritmetikë, por ai i aritmetikës është socialist, po e çoj te demokrati që jep fizkulturë.
E pse qenka ndryshe kur zgjedh kryetarin e bashkisë? Është e njëjta gjë! Pastaj PS është shalqi me provë. Kurse ata janë kunguj të provuar dhe ata. Si? Për byrekë? Ja ku janë, shihe, gati me pinca. Lini dhembet atje.
Unë nuk dua të zgjatem më tutje. Më vjen jashtëzakonisht mirë që Mondën do ta pasojë një tjetër aset i Parisë Socialiste, djalë i ri. Shpresoj shumë që të bëjë punë po aq të mira sa Monda. Nuk është shumë e lehtë, por ti do përpiqesh, ne do të të ndihmojmë dhe ashtu sikundër i kemi qëndruar Patosit afër që të gjithë, ashtu do vazhdojmë t’i qëndrojmë.
Ka akoma shumë gjëra për të bërë këtu. Jemi duke punuar për një projekt të përbashkët me italianët për ullirin sepse duam që ta çojmë në një nivel tjetër edhe grumbullimin, edhe përpunimin dhe eksportin e vajit të ullirit. Italianët janë shumë të interesuar për ullirin tonë sepse pavarësisht se janë kampionët e botës për vajin e ullirit, kini parasysh se është shumë e çuditshme, por ky është fakt, importojnë 70% të bazës. Së shpejti do të vijmë edhe këtu për të parë dhe bashkë me Fatjonin, Ministria e Bujqësisë për të ndërtuar modelet e reja.
Ju falenderoj jashtëzakonisht shumë dhe tani dua që burrat të rrinë ulur dhe gratë të ngrihen dhe dua atë “ta hëngsha zemrën”.
Monda, gratë të kanë mbështetur gjithë këto vite, tani bashkë me gratë duhet të kërcesh.
Janë gratë pa janë burrat.
Shumë faleminderit!