Gjirokastër, 22 prill 2025 – Një diskutim mbi çështjen e pensioneve, çfarë është bërë deri më sot nga qeveria dhe çfarë pritet në të ardhmen, u zhvillua sot në Gjirokastër, në një bashkëbisedim që Kryeministri Rama pati me pensionistë të qytetit, në kuadër të reformës që po ndërmerret për të rishikuar skemën e pensioneve, si dhe në përgjigje të pyetjeve praktike sesi funksionon skema e pensioneve, si përllogaritet pensioni, si dhe mbi sfidat dhe prioritetet që shënojnë këtë proces në tërësi.
Së bashku me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama në takim ishte dhe Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Olta Manjani dhe Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, të cilët iu referuan shembujve konkretë për të shpjeguar ndryshimet e pësuara në skemën e pensionit përgjatë viteve.
* * *
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:
Mirëmëngjesi të gjithëve!
Ju falënderoj shumë, shumë.
Gjatë këtyre ditëve ne paralelisht me shumë gjëra të tjera që i ka kjo kohë, bëjmë edhe takime për tema të ndryshme të qeverisjes dhe për një temë jashtëzakonisht të rëndësishme siç janë pensionet ramë dakord që ta bëjmë këtu në Gjirokastër me pensionistet e Gjirokastrës për të dhënë një pasqyrë të, ku jemi dhe çfarë duam të bëjmë.
Prandaj, kam ardhur këtu me Zëvendësministren e Ekonomisë, e cila mbulon drejtpërdrejtë edhe temën e pensioneve dhe me Drejtorin legjendar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore që është mbase eksperti më i mirinformuar i fushës si rezultat i punës në një detyrë ku i ka parë të tëra nga të katërta anët.
Ju jam shumë falënderues edhe njëherë tjetër. Zëvendësministrja do bëjë një paraqitje të përgjithshme pastaj do flasë drejtori e pastaj ju jeni të lirë të merrni fjalën nëse dëshironi edhe pastaj do them dhe unë disa fjalë.
* * *
Pas paraqitjes së bërë nga Zëvendësministrja Olta Manjani, si dhe tre rasteve rasteve që pensionistët sollën duke parashtruar pyetjet e tyre, Kryeministri Rama u shpreh:
“Dua të bëj një përmbledhje të këtyre tre rasteve sepse jo pa qëllim ishin përzgjedhur nga Olta për të shpjeguar diçka që është themelore në pasqyrën e përgjithshme.
Ne sot kemi 2 blloqe të mëdha pensionistësh, kemi pensionistët që kanë dalë përpara reformës sonë në 2014 dhe pensionistët që kanë dalë mbrapa reformës sonë.
Siç e patë këtu, kishim rastin e parë me pension të paplotë për shkak të një numri vitesh në sigurime të ndërprerë nga emigracioni, ku zotëria pas një periudhe të caktuar që ka kontribuar këtu për pensionin e tij ka shkuar në Greqi dhe praktikisht i kanë ndërprerë kontributet këtu dhe me indeksimet që janë bërë, sot ai merr një pension 170 euro, kishim rastin e zyshë Zanës që ka sigurime, kontribute të plota, por ka dalë përpara reformës dhe çfarë ndodhte përpara reformës, se kjo është katastrofa që është në bazën e gjithë kësaj historie dhe që e kanë bërë ata, të cilët sot ju qajnë hallin pensionistëve, e kupton apo jo, se ky është kulmi?
Përpara reformës ndodhën dy gjëra të rënda. E para, ju e dini më shumë se të gjithë, u shkatërrua gjithë baza prodhuese e vendit, u nxorën të gjithë në rrugë dhe 40 vjeç u quajtën pensionistë dhe u caktua një tavan 240 mijë lekë të vjetra që ti të hidheshe përpjetë, nuk e kaloje dot tavanin pavarësisht se sa sigurime shoqërore kishe. Pra, faktikisht, pensioni u kthye në asistencë, nuk ishte pension, ishte asistencë dhe çfarë ndodhi? Si dikush që nuk kishte kontribute, si zyshë Zana, tavani ishte aq dhe zysha ka dalë me tavanin 24 mijë lekë.
Sot me indeksionet e bëra vit pas viti ka një pension 350 euro. Ndërkohë, zysha tjetër që ka dalë në pension pas reformës, se çfarë bëmë ne? Ne e hoqëm tavanin dhe vendosëm në themelin e skemës së pensioneve bazën kontributive, pra ti merr një pension në raport me kontributet e tua në Sigurimet Shoqërore e prandaj zysha tjetër në raport me kontributet e saj, megjithëse kanë të njëjtat vite të dyja, ka një pension më të madh, e ka 380 euro.
Këto ishin dy politikat e ndryshme për pensionet mes nesh dhe atyre që sot vijnë dhe u qajnë hallin pensionistëve, e kuptoni apo jo se ky është kulmi? Tritan, si e ka ai, vjen këtu, vjen vërdallë. Nuk vjen fare? Nuk e di, nuk ka rëndësi por është kulmi.
Çfarë dhe cili është problemi që zotëria i parë ka dhe që pavarësisht ankesave ne nuk i adresojmë dot? është pikërisht ky, që duke qenë në Greqi nuk ka kontribuar dot për pensionin e tij dhe ka shumë njerëz të cilët pasi kthehen nga Greqia thonë “Po çfarë bëhet kështu, ne kemi punuar gjithë jetën dhe del një pension”, por në fakt nuk kanë këtu kontributet.
Një tjetër problem i madh janë pensionet e fshatit, histori tjetër më e rëndë akoma. Tani, çfarë kemi bërë ne? Së pari, ne kemi bërë një hap që përtej indeksimeve që janë ligjore, janë detyruese, nuk diskutohen fare dhe bëhen në mënyrë të vazhdueshme, siç e ka ligji, madje ne i kemi bërë edhe dy herë në vit në dy raste, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve kemi bërë dy herë.
Përtej indeksimeve ne kemi vendosur që, duke qenë se tani jemi në një fazë rritjeje të qëndrueshme të ekonomisë dhe duke qenë se kemi të ardhura që i tejkalojnë parashikimet, atëherë bazuar në këtë kemi vendosur që ta ndajmë për pensionistët një bonus, i cili është bonusi i fundvitit dhe bonusi i pranverës dhe të dy bashkë, nga dhjetori në shkurt të këtij viti, ne faktikisht kemi ndarë 165 milionë euro vetëm për pensionistët.
Nuk janë pak për shtetin shqiptar dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë punë gjithmonë bazuar në rritjen ekonomike, por ndërkohë kemi përcaktuar edhe dy piketa të tjera sepse në fund të ditës, pavarësisht se nga pikëpamja logjike, ne po bëjmë gjënë e duhur për të pasur një skemë që të jetë e qëndrueshme, ndërkohë që po ju them që rritja e kontributeve ka ardhur vazhdimisht, në mënyrë të qëndrueshme, kemi shtuar rreth 300 mijë kontributorë të tjerë, pra sot nuk luhet me sigurimet shoqërore, siç luhej dikur që, as nuk i kërkonte njeri që të arrijmë që të kemi një pension minimal 200 euro, pra, pavarësisht ke apo apo nuk ke punuar, ke bërë apo s’ke bërë, pensioni minimal të jetë 200 euro dhe të arrijmë që për të siguruarit të kemi një pension mesatar 400 euro. Këto janë dy objektivat.
Kush ju thotë juve të tjera, ka dy arsye që i thotë; kush thotë të tjera, më besoni ka dy arsye sepse i kemi rënë kësaj pune nga të katërta anët. Kemi marrë ekspertizë nga të katërta anët, more nga institucionet, që nga Banka Botërore etj, more nga ekspertë të pavarur ndërkombëtarë, këshilltarin që unë kam për ekonominë që ka qenë për 10 vjet drejtuesi i grupit ekonomik të Angela Merkel e kemi vënë edhe atë të na japë opinionin e tij, profesor Ricardo Hausmann që drejton Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard, po ju them që kjo që ne kemi përcaktuar si objektiv, ky objektiv është ambicioz, nuk është i lehtë, por ne po bëjmë çmos që ta arrijmë. Të tjerat, këto që ju thonë janë të gjitha rruga drejt humnerës, ose sepse nuk e kanë problem rrugën drejt humnerës dhe ju e dini shumë mirë kush nuk e ka problem rrugën drejt humnerës, e keni shumë të qartë, e njihni shumë mirë e prandaj e keni vënë kufirin atje larg, nuk ka këtu, e ka kufirin shumë larg, ia keni vënë kufirin me kohë sepse ju jeni gjirokastritë dhe lapsin e njihni më mirë sesa të tjerët, i bini lapsit dhe nuk ka shans që maja e lapsit të thyhet nga qejfi, është llogaria ose pastaj nuk dinë se çfarë flasin dhe thonë “Hajde, ta hajë kush ta hajë, ta besojë kush ta besojë që ne do t’i bëjmë pensionet kështu, e do i bëjmë ashtu dhe pastaj të kapim ndonjë votë e të shkojmë në parlament”. Dy janë.
Duke qenë se u prek çështja e mësuesve, dua të them këtë; ajo që tha zyshë Zana është mëse e vërtetë dhe nuk është problemi thjesht i pagës, problem i mësueseve ishte problemi i autoritetit i rënë përtokë.
Mësuesit ishin katandisur në pengje. Pengje të politikës, pengje të halabakëve që vinin rrotull shkollës, pengje të vetë mësuesve, që ishin çoroditur komplet dhe s’kishin asnjë siguri për punën e tyre.
Sot jepnin te “Asim Zeneli” nesër gdhiheshin, i kishin flakur diku tjetër se do vinte një mësues që s’kishte as arsimin përkatës.
Llogarite, kur ne kemi filluar këtë punë, kishte afro 5 mijë mësues pa arsimin përkatës.
Pra, mësues që kishin mbaruar biologji dhe jepnin fizik, se kishin një krushk, kishin parti, kishin ku di unë se çfarë, paguanin lekë e ku di unë, 5 mijë në sistem. Dhe pagën mesatare asokohe, në sistemin publik ne e kishim 370 euro, sot e kemi 1 mijë euro pagën mesatare. Dhe te mësuesit paga mesatare ka vajtur 950 euro dhe plani ynë është që në Shqipërinë 2030 të jetë 1200 euro.
Të gjitha këto se keni dëgjuar kur thonë: Këta s’kanë program, kulmi.
Ndërkohë që, ne kemi jo program, po ne kemi program e plan qeverisës në çdo sektor se jemi duke negociuar me Bashkimin Europian. Si negocion Bashkimi Europian me një vend që s’ka program. Dhe planet tona në çdo sektor janë të detajuara edhe për çështjen e pensioneve. Ne japim llogari atje si, qysh, tek, ça plani keni, ku do shkoni? Si do shkoni? Nuk mund të shkojmë t’i themi atyre ne: Shiko se do ta çojmë sipas qejfit këtë punë. Dhe thonë: Dakord po s’keni punë këtu, shkoni rrini vetë atje edhe hidhuni vetë në humnerë, jo me ne.
Se futemi në një familje, ku llogaritë janë si në Gjirokastër. Çdo qindarkë llogaritet, sepse është një familje, që ndërkohë ka një arkë të ardhurash që ndan për të tjerët. Dhe duke qenë se në hymë tek vendet, tek anëtarët, përfitues të asaj familje, se aty janë kontribuuesit, që janë vendet e mëdha që japin kontribut në arkë për familjen e përbashkët më shumë seç marrin, pastaj janë dhe përfituesit si ne, që hyjmë aty dhe marrim. Dhe aty do të jetë momenti kur ne do të mund të bëjmë një politikë më agresive në favor të pensionistëve, sepse do kemi një buxhet ekstra.
Imagjinoni sot, po të kthejmë kokën pas, që ne e kemi marrë goxha mbështetje prej tyre, se ju e dini shumë mirë, Shqipëria kur ne kemi marrë detyrën ishte një vend që e shikonin me përçmim, me bezdi. Domethënë na takonin për bezdi, as nuk ishim ne fare në listë, ishim në fund fare.
As kandidat nuk ishim, jo më negociata. Sot jemi atje te pragu i derës na shikojnë me respekt, na vlerësojnë, na besojnë dhe kemi marrë prej tyre 1 miliard e kusur euro mbështetje, për gjëra të ndryshme. 1 miliardë e kusur mbështetje në gjithë këto vite. Momenti kur ne hymë në atë familje 1 miliardë e kusur mbështetje i marrim çdo vit dhe llogariteni se ca do të thotë kjo për ne.
Dhe nëse ne marrim 1 miliard e kusur mbështetje ku 300 milion janë vetëm për bujqësinë, ku të tjera janë për infrastrukturën etj, etj, atëherë ca kemi nga të ardhurat tona, që ne i çojmë në këto drejtime mund t’i kollondrisim ndryshe edhe një pjesë të tyre e ndajmë për pensionistët, duke bërë që pensionin minimal ta kemi shumë më të arsyeshëm. Po kjo punë bëhet që të kemi më shumë për gjyshërit, por të mos u hapim gropën nipërve dhe mbesave, siç ndodhi në 97, se ajo është rruga, aty të çon.
Po pse në 2013-ën, kur ne kemi marrë detyrën ishte borxhi 700 e kusur milion euro, kishin ndaluar të tëra punët në Shqipëri. Kompanitë kishin ndaluar punën, kërkonin lekët rrugë, rrugë, rrugë. Ato nuk ishin rrugë, ato ishin tendera pa projekte. Bënte rruga po themi 1 milion euro, po marr një shifër kot e fillonin me 10 mijë euro, hajde filloni këtu se ua kemi lekët. Deri sa erdhi momenti lek nuk kishte, kompanitë ngecën, borxhi u akumulua. Për 1.2 miliard borxh të dritave, të OSHEE-së, 1.2 miliardë. Po borxh për 40 milionë euro për personat invalid, tetraplegjik, paraplegjik, gropë komplet. 2013 ai ndryshim ka shpëtuar Shqipërinë nga kolapsi i dytë, do kishim rënë prapë në gropë. Me keq, do kishte rënë prapë shteti nga e para.
Dhe sot jemi komplet në një nivel tjetër. Sot jemi një hap nga Bashkimi Europian, një hap. Se e kam nisur mëngjesin me Mirelën duke i thënë: mbrëmë shikoja në Youtube se ka pajtuar një televizion, atë që bënte sondazhet e Donald Trump dhe isha kurioz të shikoja se ai është një nga sondazhistët e famshëm të Amerikës dhe ai në fakt doli që kishte të drejtë kur thoshte do të fitojë Trump, edhe isha kurioz të shikoja ka anketuar për Shqipërinë. Se s’po marrim vesh ca bëhet këtu, me këta.
Se kanë vajtur, kanë paguar lekët e dynjasë për atë Latifin, edhe magjistarin. E keni dëgjuar që i thonë magjistari. Latifi kishte kandidat atje në Amerikë, këtu kë ka kandidat, nejse. Edhe ca të shikosh atje. Ai kishte bërë anketimin. Ne bëjmë anketime çdo muaj dhe ne e dimë shumë mirë se çfarë mendon populli, etj etj, dhe ai thoshte edhe ne pak a shumë kështu e kemi, gjysma 50 % e popullit shqiptar mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur. Këta aty në kënete aty, po mirë mo si ka mundësi? Jepnin të tërë shpjegimet e mundshme, përveç një shpjegimi, “Ore mos vallë këtu e kemi gabim ne dhe ca gjëra vërteta janë bërë,” jo more “kjo tregon se vërtet populli shqiptar është i sëmurë” – tha njëri, kuptoni ju apo jo.
Domethënë populli është i sëmurë, pse nuk mendon si këta, një tufë dhe pastaj më hidhen mua pse thotë Edi Rama gjysma e burrave janë çyryk, po ca të them. Unë e them si metaforë kuptohet, nuk është një raport klinik, se për mua kush shkon në kënetë është gjysmak. Domethënë të zgjedhësh midis BE-së dhe kënetës, nuk je mirë.
Tjetri thoshte, “atëherë kjo është e tmerrshme, se si mundet që gjysma e popullit të thotë që këtu gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, kjo tregon që këtu ka një frikë shumë të madhe”. Domethënë “Edi Rama i ka trembur këta deri në palcë”. Domethënë njerëzit janë të trembur edhe kur i pyet: Si mendon ti, po shkon vendi në drejtimin e duhur apo të gabuar? Thonë po shkon në drejtimin e duhur nga frika.
Një tjetër thoshte “i ka blerë Edi Rama”, e kupton apo jo? I ka blerë, se janë kaq në administratë.
Po në administratë ne e dimë shumë mirë, administrata voton njësoj si populli. Ka pjesë që voton njërën palë, ka pjesë që voton palën tjetër, po mësueset sot e di sa mirë më ka ardhur kur kam parë në 7 mars një grup mësuesesh tek këneta që jepnin opinione, kritikonin qeverinë? Po ja, mësueset, i ka vajtur njeri t’i shohë e t’i thotë pse ishin atje? I ka luajtur njeri nga vendi? Nuk bën vaki.
Kurse një çyryk fare pastaj, tha “Edi Rama- i thotë – shkoni në google e shikoni fotot e mia nudo se i josh me trup”. E kuptoni ju tani ça janë këta apo jo? Domethënë mund të gjejnë çdo arsye në botë që nuk bën sens përveç një arsye të thjeshtë, more po si erdhi kjo Shqipëri në BE dhe si vihet te dera e BE dhe ça janë ata? Se mirë unë i paskam blerë, i paskam trembur, këtu qenka populli i sëmurë, të tërë të çmendur, vetëm këta janë në rregull që në fakt është e kundërta. Dakord. Këtu qenka bërë hataja. Autokraci.
Atëherë – thoshte njëri- kjo tregon që jemi në një autokraci si në rusi. Por po të ishte autokraci si në rusi, ata atje në studio do ishin në burg. Dil thuaj në Rusi që populli është i sëmurë, e sheh ku shkon. Ça autokracie?
Po unë shyqyr, e di Mirela, që në 2009 mbas fushatës së 2009 kam hequr stacionet televizive nga shtëpia. Nuk i kam unë fare,. Unë shoh sport, shoh filma. Këta, kënetën në darkë, pu pu pu, kurrë. Ja vete e futem ndonjëherë në youtube, isha dje te ajo, më hoqën dëshirën për të fjetur gjumë, e kupton apo jo? Edhe ato 3 orë qe fjeta. Çmenduri.
Një hata e madhe. Po mirë mo, si u çmend gjithë bota këtu? U çmend BE, u çmend Banka Europiane e Investimeve, u sëmurën të gjithë këta që mbështesin Shqipërinë, u sëmur Komisioni Europian që thonë na kanë vënë të parët në rajon për menaxhimin e financave publike, për prokurimet publike. U sëmurën të tërë, vetëm këta janë në rregull, këta që duan bufin e kënetës janë në rregull, këta që duan ta kthejnë Shqipërinë në hon janë në rregull nga trutë. Vetëm këta.
Populli është i sëmurë dhe prandaj unë them mjerë, se vetëm këtu s’kemi ça bëjmë ne, s’ndërhyjmë dot se mediat janë të lira, thonë ca duan, në tërë harkun mediatik, të tërë, ju e dini mirë domethënë, shkon nga njëri ekran tek tjetri vetëm nga këta ke dhe nuk kemi ça i bëjmë, janë pushtet më vete ata, pikërisht se këtu ka demokraci, s’ka autokraci dhe mjerë populli kush harxhon kohën me ta që i sheh, por ama në gjë është e siguritë; në fund fare nuk lëvizin dot ata, një mendje nuk e lëvizin dot nga këtej. Ata që janë çyrykë, ata janë në punën e tyre, kënaqen duke parë këta, kënaqen duke i folur atyre, por janë në minorancë, pikërisht se shqiptarëve nuk i jep dot njeri mend për politikë, janë populli më i politizuar në botë , të japin ujë në bisht të lugës, i dinë më mirë gjërat sesa çdonjëri nga këta që janë atje nëpër ekrane dhe prandaj unë nuk e kam shumë merakun, më vjen shumë keq që i shikoni, që i dëgjoni po juve edhe i filtroni. Mesa duket keni krijuar dhe imunitet sepse një mënyrë për ta krijuar imunitetin, është ta marrësh mikrobin edhe kështu që në rregull.
Për t’u kthyer tani te tema jonë. Kemi dhe një tjetër gjë për të folur sepse kemi vërtetë pensionet, por kemi dhe situata të veçantë brenda kësaj fushe që do të donim t’i preknim.
*Vijon Manjani
Koha e atyre që bënin 10 fëmijë ka ikur sepse jemi në kohë tjetër. Gjyshja ime bëri 9 dhe do t’i kishte përfituar të gjitha sigurimet, por bëri 9 sepse gjyshi im donte vajza patjetër. Ishte allasoj gjyshi im prandaj dhe unë jam pak allasoj.
Kështu që, vajza doli e nënta, mamaja ime. Por, në ndërkohë dua të them këtë, janë 15 mijë pensionistë që janë të vetëpunësuar dhe që vazhdojnë punën siç është rasti i zotërisë që ka një biznes familjar dhe ne na vjen shumë mirë që ja u zgjidhëm këtë hall sepse më përpara nuk arrinin dot të merrnin njohjen e kontributeve që paguanin sepse quheshin në pension dhe nuk kishin çfarë merrnin më.
Janë 6000 nëna si zonja që shteti i mbështet dhe duke qenë se u përmend një fëmijë me aftësi të veçanta dua t’i them zonjës dhe të gjitha nënave që kanë fëmijë me aftësi të veçanta, që ne do ta dyfishojmë mbështetjen për fëmijët sepse pikërisht për këtë arsye, për nwnat, pra do t’i japim dyfishin e mbështetjes që marrin sot për fëmijët me aftësi të veçanta në mënyrë që të kenë më shumë mundësi të kujdesen për ta sepse e kemi shumë mirë parasysh që kujdesi për ta është jashtëzakonisht i veçantë për nga përgjegjësia dhe nga ngarkesa, kështu që, besojmë shumë që me këto lloj masash brenda suazës së mbështetjen për shtresat e pensionistëve, për nënat dhe kështu me radhë, jemi në drejtimin e duhur siç thoshte dhe sondazhisti i Donald Trump, por siç nuk e kuptojnë dot ata që bënin komente.
Ndërkohë që, ajo që dua t’ju them është që janë dhe një sërë aspektesh të tjera që ne i konsiderojmë të rëndësishme sepse pensioni është njëra gjë ose mbështetja direkte, por transporti publik falas për pensionistët është një tjetër gjë.
Ajo që do të fillojmë në bashkitë qendër-qarku për fëmijët që shkojnë në shkollë që do të kenë drekën të dhënë nga bashkia në shkollë në mënyrë që të mos ndërpritet puna e prindërve për të shkuar, për t’i marrë etj, e njëkohësisht t’i jepet vazhdimësi jetës së përbashkët të fëmijëve që nga mësimi të kalojnë pastaj tek bërja e detyrave në shkolla, tek aktivitetet e tjera që po i zgjerojmë për fëmijët, qoftë për sportin, qoftë për artet dhe zejet dhe besoj që këtu jemi në rrugën e duhur.
Kemi një tjetër gjë që është një kërkesë e shumë pensionistëve për të rritur moshën për check-up falas dhe do ta bëjmë këtë gjë, do tua rrisim moshën për check-up falas pensionistëve. Është një kërkesë që ka ardhur nga shumë pensionistë për ta pasur këtë gjë, check-up që ka qenë shumë i përbaltur ka treguar që është shumë i vlefshëm sepse ka ndihmuar jashtëzakonisht në parandalimin e sëmundjeve që mund të përshkallëzoheshin në pika pa kthim, duke i dhënë shumë njerëzve informacion që duhet të kujdesen për këtë apo për atë, ngjarje që kishte filluar në organizmin e tyre dhe në këtë mënyrë besoj, në tërësi, ne nuk lajmë dot borxhin ndaj jush, është një borxh shumë i madh që vendi, që gjeneratat e reja ju kanë, por së paku, së paku, gjithçka që kemi mundësi dhe çdo mundësi të re që krijohet e kemi vënë dhe do ta vëmë në dispozicionin tuaj.
Dua të them dhe një gjë të fundit përsa i përket pensioneve, gjë që ka të bëjë me pensionet në Greqi. Në Itali ne e kemi zgjidhur me njohjen e pensionit dhe ka mbaruar dhe ajo procedura e pafundme burokratike e shtetit italian dhe më në fund, nga muaji qershor fillon zbatimi.
Ndërkohë, me Greqinë ju e dini shumë mirë që ka ardhur koha tani që një pjesë e madhe e atyre që vajtën në fillim janë në prag pensioni ose kanë dalë në pension dhe vuajnë faktin që nuk kanë njohjen e viteve, siç është rasti i zotërisë që foli atje. Është negociata më e vështirë sepse është edhe numër i madh.
Ne kemi bërë shumë njohje pensionesh me vende të tjera, por ka qenë relativisht jo shumë e vështirë sepse numrat nuk janë aq të mëdhenj, ndërkohë që njohja e pensioneve me Italinë dhe me Greqinë janë dy më të mëdhatë sepse është volum i madh për ata, pra, për shtetin italian dhe shtetin grek është volum i madh që të njohë volumin e kontribuuesve atje dhe Greqia nuk është Italia në kuptimin edhe të mundësive.
Ne kemi filluar negociatat, por ama ka një gjë, ne kemi sot në dorë që t’i biem shkurt, ne nuk e dimë se sa mund të zgjasin negociatat me Greqinë, por ne dimë një gjë, që në momentin që ne hyjmë në Bashkimin Europian dhe që shqiptarët marrin pasaportën, thonin ata çyryket dje “Ka dalë Edi Rama tani me një pasaportë se nuk ka çfarë thotë më, thotë pasaportën se nuk ka çfarë tregon Edi Rama” ndërkohë që, në fakt unë kam çfarë të tregoj në çdo cep të Shqipërisë dhe ndërkohë që ajo pasaporta është sinteza, është përmbledhja e të gjitha gjërave që kemi bërë sepse nuk ta jep BE-ja atë pasaportën nëse ti nuk i ke bërë të tëra të tjerat dhe me atë pasaportën ndryshon menjëherë statusi i shqiptarit, statusi i qytetarisë tonë, jo në këtë vend këtu, por në këtë kontinent dhe në momentin që të gjithë ata që janë në Greqi marrin pasaportën, të gjitha problemet e tyre me shtetin grek mbarojnë, flas për probleme letrash, jo leja e qëndrimit, jo leja e punës, jo ma dha lejen, jo nuk ma dha lejen, jo do shkoj tek prefektura, efendikoi, jo ky e jo ai. Mbarojnë të tëra madje nuk duhet më as pasaportë greke nëse nuk do të bëhesh deputet ose ministër në Greqi.
Mjafton pasaporta shqiptare e BE-së dhe në çdo vend të Bashkimit Europian ti me atë pasaportë je njësoj si ai që është në atë vend, asnjë ndryshim. I vetmi ndryshim, i vetmi është ky. Ai mund të bëhet deputet, ti nuk mund të bëhesh deputet, por ama ti mund të bëhesh anëtar i Këshillit Bashkiak, ti mund të bëhesh dhe kryetar bashkie, ti mund të bëhesh edhe deputet në Parlamentin Europian i Greqisë, i Italisë, i Francës, i Gjermanisë po more dot votat dhe shqiptarët aq shumë sa janë mund të fillojnë të zgjidhen në këto nivele dhe do ta shikoni që kështu do të ndodhë kur të marrin pasaportën, do zgjidhen atje, do jenë vendimmarrës.
Prandaj kjo pasaportë është kaq e rëndësishme, për pensionet është menjëherë automatike. Me atë pasaportë, ti direkt je pjesë e sistemit të sigurimeve shoqërore europiane, pra, çfarë merr atje, çfarë jep atje të njihet këtu, çfarë jep këtu të njihet atje, po ashtu edhe në sistemin e sigurimeve shëndetësore.
Sot ju çoni nipat dhe mbesat me studime në Europë, paguajnë nganjëherë 10 herë më shumë tarifë sesa një student europian, në momentin që ata kanë pasaportën ata janë njësoj, nuk paguajnë absolutisht asgjë më shumë sesa studentët europianë që janë në vendin e tyre, më shumë sesa italianët në Itali, më shumë se grekët në Greqi etj.
Kjo është pasaporta dhe pasaportën nuk ta japin në BE se ke mbushur moshën se ne moshën e kemi mbushur përpara shumë vendeve të BE-së se jemi nga më të vjetrit në këtë kontinent, apo jo? Moshën e kemi mbushur ne. Na ka kaluar mosha madje për t’u bërë anëtar, po nuk ta japin me moshë ata, se mbushe moshën ti….
Apo jo? Moshën e kemi mbushur ne. Na ka kaluar mosha madje për t’u bërë anëtar, po nuk ta japin ata se mbushe moshën ti, ta japin se ti u poqe nga koka dhe ta japin se ti je një shtet që i përgjigjesh kritereve dhe standardeve që ka ajo familje, se prandaj të fusin brenda në atë shtëpi. Nuk mund të futesh ti në atë shtëpi e të thuash ‘jam mësuar të ha me duar’’. Do hash me lugë e me pirun. Edhe me thikë, e do mbash thikën në dorën e majtë, pirunin në dorën e djathtë e do ecësh përpara, e të tjera e të tjera, kështu që kjo është ajo çka ne kemi për të bërë, që të bëjmë të mundur pasaportën dhe e fundit fare qe kam për ju është kjo, s’e kam fare për ju se ju jeni më të qartë sesa të gjithë brezi i ri i Shqipërisë nga ana politike.
Do ishte mirë sikur për shembull të bënin një eksperiment këto studiot televizive edhe të merrnin një pensionist e ta vinin për analiza politike me analistët, ju do shikonit që ata analistët do ishin komplet të padenjë për të qëndruar më aty.
Dhe nuk ka nevojë ta zgjedhësh pensionistin. Shko atje dhe pyete për Amerikën, pyete për Evropën, pyete për ca të duash po nuk ishte më i informuar dhe po nuk ishte më i qartë dhe më i saktë se çdonjëri nga ata që i thonë vetes analistë, atëherë nuk merrem më me këto punë, kështu që nuk e kam me ju po kur ju thonë “ore ç ‘është ky hall i madh, ka dalë Edi Rama dhe kërkon mandatin e 4 se nuk i mjaftuan 3 mandate të na fuste në BE, tani na kërkon të 4-in’’. Duhet t’i thoni, ‘’ po mirë mo, dakord, Edi Rama ok, e kërkon të 4 se ngaqë nuk bëri gjë 3 mandate, tani mendon që meriton të 4-in’’.
Po Mali i Zi pse nuk është në BE, që i ka filluar negociatat para se ju të më jepnit mua votën për t’u bërë kryeministër në 2012?
Pse nuk janë në BE ata, pse nuk i kanë futur ata në BE apo e kam penguar unë dhe Malin e Zi?
Po Serbia pse nuk është në BE që i ka filluar negociatat në 2014?
Po Maqedonia që ndërroi edhe emër? Imagjinoni ju Shqipërinë që të ndërrojë emër për t’u futur atje dhe të mos futet dot? Jo nuk është futur, por nuk ka hapur akoma negociatat. E ka marrë statusin e kandidatit në 2005. Pse nuk është në BE?
Ndërkohë që, si ka mundësi që ne negociatat i kemi hapur vjet dhe sot jemi te pragu, e thonë ata, nuk e them unë, jemi te pragu i BE bashkë me Malin e ZI. Si shpjegohet kjo? Dhe ne na kanë dhënë planin në tavolinë. Në 2027 bëni këto, bëjmë negociatat, bëjmë marrëveshjet.
Në 2027 mbyllim marrëveshjet, ju jeni në BE. Pse? Pse na i kanë dhënë? Për çfarë? Për atletet e mia? Apo s’e janë të sëmurë? Siç është i sëmurë pop[ulli shqiptar sipas këtyre honxho-bonxhove. Pse? Për një arsye shumë te thjeshte, sepse ne kemi bërë në një dekadë atë qe të tjerët nuk e kanë bërë në shumë dekada. Dhe kemi bërë dhe një gjë ne, që jemi këtu, falë mbështetjes tuaj dhe bashkë me ju të 800 mijë njerëzve, që më dëgjuan kur thashë se këta thonë, ç ‘është ky hall me këtë njeri, një herë thotë tepsia, një herë thotë kazani, një herë thotë ku di unë, po tamam ashtu janë , e vërtetë.
Më dëgjuat kur ju thashë që ma jepni votën që të mos mbaj të tjerë në prehër që të shkojmë në BE se me të tjerë në prehër, nuk e bëjmë dot shkëputjen e drejtësisë nga politika. Edhe ju thosha ‘’mos dëgjoni kazanin, këta duan tepsinë. Këta nuk janë këtu për Shqipërinë dhe qe ishin për tepsinë as nuk diskutohet fare se për çfarë? Këta thonë ç ’është kjo tepsi në fushatë se ne duam program. Po ç‘program do? Ça programi do ti nga bufi i kënetës kur ti sheh bufin? Çfarë programi do ti nga bufi? Mjafton shihe bufin dhe e ke parë programin apo po, do të gënjesh veten ti që ai nuk është buf? Vazhdo. Kemi bërë atë që nuk e ka bërë njeri në historinë e këtij shteti, që nga 1912 kemi marre vendimin të heqim dorë nga një pushtet i jashtëzakonshëm që është pushteti i politikes mbi drejtësi, i jashtëzakonshëm për politikën, por i dëmshëm për shoqërinë, edhe për vendin, dhe për popullin. Kemi hequr dorë. Kemi marrë shpatën që e kisha unë aty në zyrë.
Nga 1912 kalonte dorë më dorë, mbretëri, diktaturë, demokraturë e ça të doni ju, ajo shpatë ishte në zyrën e të parit. Vendoset i pari se kush dënohej e kush nuk dënohej, apo jo? Dhe prandaj ne për turpin e madh të kësaj politike, të burgosurin e fundit politik e kemi në kohën e demokracisë. Fatos Nanon e kemi të burgosur politik në kohën e demokracisë sepse e kishte bufi shpatën në zyrë, edhe me atë shpatë bam i ra kryetarit të opozitës dhe e futi në burg. Ne morëm vendimin, shpatën ta dorëzojmë. Altin Dumanin e njihni ju? Të tërë e njihni apo jo? Nuk ka ndonjë shqiptar që nuk e njeh sot Altin Dumanin dhe e respekton shumica dërrmuese me të drejtë.
Po Altin Dumani ju mendoni që lindi në 2020? Jo. Mendoni qe doli nga shkolla në 2020? Jo. Ka qenë prokuror vite e vite të tëra Altin Dumani. Njeri me integritet, nuk i thua dot qe nuk është me integritet. Njeri me kurajo, nuk i thua dot që s’ke kurajo , njeri që beson atë që bën. Pse nuk thirri ndonjëherë Altin Dumani, jo të thërriste figura të njohura, po pse nuk e thirri Altin Dumani një herë një deputet të thoshte ‘’hajde këtu ti, më thuaj pak si është kjo punë’’. Ose ndonjë drejtor të madh, pse nuk e thirri? Aty ishte Altin Dumani, në prokurori. Sepse nuk e kishte pushtetin ta bënte këtë gjë sepse shpata ishte në duar të politikës. Ishte i çarmatosur, ai dhe tërë të tjerët. Dhe ishin vegla, jo ai por shumica dërrmuese e tyre ishin vegla. Bënin ça i thoshte politika, për interesa të politikës, pastaj kur politika s’kishte ato interesat e veta, këta bënin llumin dhe zullumin që i bëri me 17 shtëpi e me 40 prona që ua kishte dhënë vjehrra. Vjehrrat më bujare të botës, dolën vjehrrat e këtyre. Më dha vjehrra këtë e më dha vjehrra atë. Të tëra para të marra nga korrupsioni. E bëmë ne. Tani dalin këta edhe thonë si ka mundësi që këta kërkojnë votën, kërkojnë mandatin kur kanë gjysmën e qeverisë në burg? E para punës një herë, ne nuk kemi asnjë nga qeveria në burg, si fillim, kemi nën hetim, kemi në gjykim apo kemi të dënuar njerëz që kanë qenë në qeveri në mandatin e parë apo në kërkim dikë që ishte zëvendësi im, që nuk ishte në qeveri kur mori arratinë. E para një herë; e dyta, ne kemi 3 mandate mbi 60 ministra sa janë këta, 4, 5, 6, more edhe 10 po të ishin, kush e solli këtë situatë? Si iu erdhi kjo punë që edhe brenda nesh drejtësia bën atë që do?
Kush e solli, e sollën këta që tani thonë, po mirë. Se këta mendojnë, se shiko ça mendje, këta mendojnë që me duart e Altin Dumanit, me duart e drejtësisë, do marrin pushtetin këta, duke na vënë ne gjoja në pozitë të vështirë. Po mua s’më vënë dot në pozitë të vështirë me këto, sepse unë për këtë kam luftuar. Nuk e di ai se nga vjen forca ime. Edhe në rastin kur goditet brenda nesh, patjetër që nga pikëpamja njerëzore, unë ndihem keq, por nga pikëpamja e detyrimit ndaj jush,po unë do isha tradhtari më i madh i juaji në radhë të parë nëse do t’iu thosha: Shikoni, unë dua mbështetje mi hiqni këta nga prehri, dua që ta kemi vetë timonin, se ishte edhe timoni përveç tepsisë. Më jepni timonin, më hiqni nga preri këta që i flasin shoferit, që të shkojmë përpara, se ata nuk i flisnin shoferit, ata të kapnin timonin për pazaret e tyre dhe që të bëjmë drejtësi. Që të godas majtas dhe djathtas, e kam thënë atëherë. Do isha tradhtari më i madh i juaji, nëse sot do ndodhte e kundërta. Nëse sot do të ishin ata që janë kundërshtarët tanë përpara drejtësisë, ndërsa të tërë ne do të dukeshim të tërë si engjëj. Çfarë do ishim bërë ne? Do kishim bërë gati Shqipërinë për Bashkimin Europian? Jo! As nuk do të na besonte njeri. Se do të donte të thoshte përsëri drejtësia ishte e komanduar.
Kështu që, nga pikëpamja njerëzore jam i keqardhur, nga pikëpamja politike dhe e detyrimit ndaj jush dhe ndaj të gjithë atyre që më kanë dhënë votën unë jam ballëlartë, shumë ballëlart madje. Sepse nuk është detyra ime, nuk është detyra jonë si pushtet ekzekutiv që të bëjmë detyrat e drejtësisë. Nuk të çon qeveria në burg. Nuk bën qeveria hetime dhe përgjime. Këto janë punët e drejtësisë. Shtëpia jonë është krijuar për të çuar njerëz në parlament, për të qeverisur kur kemi mandatin e popullit. Dhe në shtëpinë tonë kush bën gjëra të paligjshme, duhet të ndëshkohet dhe kush do e ndëshkojë, partia? Jo, partia ka pjesën e vet, distancohet, etj etje, por është drejtësia.
Kështu që, në këtë aspekt ata përpiqen të çorodisin miletin e të thonë që shikoni tani se këta janë të gjithë në burg. Jo mor jo fare hiç zero. Ne jemi më shumë se ç’ishim, do jemi. Sepse historia e kësaj partie ia kam thënë unë atyre, por nuk e kuptojnë ata. Është një bie, mijëra, ngrihen apo jo?
Ju falënderoj shumë, edhe jam shumë mirënjohës. Jam shumë mirënjohës për mbështetjen tuaj, sepse vota juaj është vota më e informuar. E ndër të gjithë pensionistët, kur vjen puna te gjirokastritët, ka dhe një element tjetër plus, ajo vota që është dhe me laps, se në fund të ditës, zemra, zemra, po, po, është edhe lapsi. Edhe aty juve e keni kur ia u thotë zemra, ua u provon dhe lapsi, vota juaj pastaj është bekim.
Shumë faleminderit.